Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SHPENDI TOPOLLAJ: KUR LETËRSIA I VJEN NË NDIHMË HISTORISË


SHPENDI TOPOLLAJ

KUR LETËRSIA I VJEN NË NDIHMË HISTORISË
(Rreth librit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka” të Ylli Polovinës)

Tepër i vëmendshëm në temat që zgjedh dhe shumë skrupuloz në trajtimin eruditiv të tyre, Ylli Polvina, me të gjithë librat e tij të shumtë, ku mjeshtërisht di të alternojë letërsinë me historinë, është bërë një autor mjaft i respektuar dhe i kërkuar nga lexuesit e çdo kategorie. Kjo bije në sy se dhe te libri i botuar tash së fundi, kushtuar familjes mjaft të njohur kolonjare të Butkallinjve, e cila s`është tjetër veçse një ilustrim mjaft i goditur i gjithçkaje ngjau në Shqipërinë e gjithë shekullit që lamë pas.
Dy kapele kuptimplota të vendosura në kopertinë; njëra e oficerit me simbol yllin e kuq dhe tjetra qeleshe e bardhë me shqiponjën e zezë të nacionalistëve, armike për vdekje mes tyre, të paralajmërojnë për gjithësa do ndeshësh gjatë leximit të këtij libri me ngjashmëri romani. Komunistë e ballistë, partizanë e bashkëpunëtorë të armikut, bejlerë e fshatarë të varfër, shtypës e të shtypur, patriotë e tradhtarë, pasanikë e shërbëtorë, trima e frikacakë, etj. janë epitetet inatçore dhe aq dëmprurëse që nuk na janë ndarë prej dekadash të tëra dhe nga përçarja e të cilave ende sot e kësaj dite nuk po e marrim veten. Është punuar djallëzisht për hir të pushtetit, për ta mbajtur ndezur këtë luftë të turpshme mes shqiptarëve, pa e vrarë mendjen aspak se pikërisht ky zjarr përvëlues ferri, na ka dëmtuar shumë e shumë më tepër se vetë pushtimi i armiqve ndër shekuj.
Kemi një jetë të tërë që altoparlantët trullosës të propagandas hileqare na e kanë topitur mendjen deri në ekstrem, dhe vazhdojmë ta shohim njëri - tjetrin me egërsi, si kundërshtarë të papajtueshëm. Pikërisht kjo psikologji primitive që na mundon e pengon në çdo hap që bëjmë dhe na shndërron në qesharakë në sytë e botës të qytetëruar, natyrisht që ka qenë dhe vështirësia më e madhe që autorin Polovina e ka stepur para se t`i futet punës për shkruarjen e këtij libri. Lukiani, “Volteri i lashtësisë klasike”, duke dhënë këshillat e tij të mençura sesi duhet shkruar historia, ka thënë se “Detyra e historianit nuk është si ajo e oratorit; ajo që është e nevojshme të thuhet, duhet thënë ashtu siç është në të vërtetë. Sepse ajo që u bë, u bë e mori fund; lipset vetëm të renditet materiali dhe të parashtrohet në rregull” Dhe vazhdon: “Kësisoj historiani duhet të vrasë mendjen jo se çfarë të thotë, por se si ta thotë.”
Dhe Ylli Polovina ka pasur guximin të tejkalojë mbi legjendat e thurrura padrejtësisht nga politikanët komunistë apo ata historianë që të detyruar, kanë shtrembëruar realitetin, pra edhe mbi shumë opinione të gabuara, dhe t`i qëndrojë besnik vetëm atyre që në rrethana të caktuara kanë ngjarë. Dhe dashje pa dashje, në ato ngjarje që përshkruan, ka korrigjuar shmangiet nga e vërteta historike. Në këtë mënyrë, ai ka ndjekur rrugën sokratike për të kryer detyrën më të lartë, atë të kërkimit të së vërtetës. Kështu është natyra njerëzore, e koklavitur dhe e ndikuar nga rrethanat. Prandaj, nobelisti H. Hesse thosh se “Kurrë njeriu nuk është përsosshmërisht i shenjtë apo errësisht mëkatar.”
Të tillë janë dhe personazhet që ka nxjerrë familja Butka, që aq bukur i portretizon Ylli Polovina dhe ku vendin më të rëndësishëm e zë jeta e Fetahut dhe patjetër ajo e djalit të xhaxhait të tij Safetit, thuajse vëllait të tij, pasi Fetahut, babanë, ja vranë në 1911- ën, kështu që atë dhe Qemalin i rriti Saliu. Kuptohet që ndodhitë kanë të domosdoshme vendosjen në kohë dhe hapësirë. Ylli vetë nuk është kolonjar, por unë si i tillë jam befasuar dhe mrekulluar nga pikturimet e tij për vendet, zakonet, atdhetarinë, trimërinë, dëshirën për dije dhe kulturë, bujarinë, mikpritjen, besnikërinë e deri gatimet e banorëve të atyre fshatrave. Kam ndier aromën e papërsëritshme të atij vendi, mirësinë e banorëve të saj, shijen e veçantë të gatimeve të atyre grave të papërtuara e nikoqire, melodinë e atyre këngëve. Ai hyn në botën e tyre të brendshme, hulumton atje, përligj e justifikon sjelljet e tyre. Na tregon se në familjen e Butkajve apo në atë trevë, asgjë nuk vjen nga hiçi. Patriotizmi dhe virtytet e tjera, si gjithçka tjetër, janë të trashëguara. Njerëzit janë sa paqësorë aq dhe luftëtarë të paepur, kur vendin e kërcënojnë të huajt. Nuk e kanë për gjë të rrokin armët dhe duke lënë ngrohtësinë e zjarrit të vatrës dhe fëmijët e gratë pa përkrahje, të marrin malet me dëborë, ku i ftohti të than e uria të grin. Dhe s`dihet në kthehesh i gjallë. Dhe në këto situata të rënda, ruajnë qetësinë dhe shpesh krijojnë vjersha. Kush e ka lexuar librin me poezi të Sali Butkës apo ato që na jep në këtë libër Polovina si krijime nga partizani Muharrem Butka, bindet lehtë për natyrën e kolonjarit. Janë të njohura trimëritë e Sali Butkës apo djalit të tij dëshmor Ganiut etj. por nga familja e tyre, personalitete si Safeti, Fetahu etj. gjithnjë për të njëjtin qëllim, përdorën autoritetin dhe ndikimin e tyre për shtimin e radhëve të luftëtarëve për lirinë e vendit, në çetat që ata komandonin. Dhe në u rreshtuan në krahë të ndryshëm, kjo ndodhi se të tilla ishin rrethanat historike; njëri përkrahte idetë komuniste dhe shpresonte në to, tjetri nuk e shihte dot me sy, nënshtrimin ndaj të huajve e sidomos atyre serbë që ende nuk qenë shlyer nga kujtesa popullore krimet e përbindshme që kishin bërë ndaj popullit tonë.
Por si mund të ishte armik, fjala vjen intelektuali i shquar Safet Butka, i rritur në një familje që e kishte të pikturuar sa një faqe muri, flamurin kombëtar nga i mirënjohuri Sotir Zografi? Si mund të pajtohej ai, i biri i të madhit Sali Butka, i internuari nga italianët në Ventotene, me armiqtë e Shqipërisë? Kush nuk e ka lexuar, le ta lexojë librin e mikut tim të mirë, e historianit serioz, prof. Uranit për kontributin e paçmuar që babai i tij Safeti, ka dhënë për ndiçimin e mendjeve të shqiptarëve nëpërmjet rritjes së cilësisë të shkollave të asaj kohe. Dhe e tëra kjo, jo me llafe, por me dokumente zyrtare.
Ndaj ndien neveri kur sheh pas kaq vitesh sesi shkruante për vetëvrasjen e tij Qarkori i Korçës: “Safet Butka, sabotator i Lëvizjes Nacional - Çlirimtare dhe ndihmës i fashizmit për ta përçarë dhe për ta hedhur në vëllavrasje popullin shqiptar”.
Personalisht, jam bir i partizanit të orëve të para të Çetës së Kolonjës dhe batalionit “Hakmarrja” dhe e di mirë se im atë në luftën e Blushit u plagos në kokë nga ballistët. Por mos vallë duhet të mbetem i verbër në gënjeshtrat e komunizmit që ende vazhdon të mbjellë ndarje mes shqiptarëve të pafajshëm. Enver Hoxha me shokë damkosi, burgosi e pushkatoi ata që i kishte në krah gjatë gjithë asaj kohe dhe si faqezi që ish, nuk e vriste aspak ndërgjegja për njerëz që gëzonin autoritet në popull pa menduar ideologjikisht e politikisht si ai e ca më shumë që mund t`i rrezikonin karrigen e pushtetit.
Polovina mjaft qartë dhe me vepra e veprime protagonistësh, na e ka dhënë luftën për pushtet dhe si futej ajo deri brenda gjirit të familjes. Nuk ka qenë në traditën e shqiptarit, por komunizmi e realizoi poshtërsisht të armiqsonte edhe vëllanë me vëllanë. T`i armiqësonte deri atje sa t`i vinin pushkën njëri - tjetrit. Turp! Kur u shpreha pak më lart se ky libër është ndërtuar si një roman, kisha parasysh se ai depërton deri në disa hollësi të çuditshme, vendesh, ngjarjesh e karakteresh. Pa folur pastaj për një vijimësi e harmoni ndodhish në kohë. Nuk është e lehtë të flasësh me data e orë apo me dëshmitarë e dialogje mes tyre, me aq saktësi. Ashtu sikurse autori nuk ka fshehur asgjë nga të mirat apo mangësitë e personazheve. Vetëm kështu ai bëhet më i besueshëm për lexuesin. Askënd nuk e gjykon për veprimet e tij; ai vetëm jep faktin. Atë punë le ta bëjnë vetë lexuesit. Dhe lexuesi i ka ment në kokë, nuk ka pse gënjehet më. E sheh se Safeti është një nga patriotët më të mëdhenj e sedërqar, i cili nuk e duron peshën e imponuar të vëllavrasjes, Fetahu vuan padrejtësisht burgjeve dhe internimeve, sikurse sheh mizoritë e xhelatëve të sigurimit që janë çnjerëzore, hakmarrja ndaj familjeve të të dënuarve është përtej çdo përfytyrimi, terrori dhe përgjimi i çdo të dyshuari nuk ndalen, varfërimi i popullit vjen duke u trashur, izolimi i pashembullt, dëshira për ta lënë vendin nuk rresht, historia shtrembërohet sipas rastit, e sidomos dëshirave të vetë udhëheqësit paranojak. Ai shpif pa pikën e gajles për kë t`i mbushet mendja. Si shkruan në një botim, nuk shkruan në tjetrin.
Ylli Polovina, rigoroz në kërkesat ndaj vetes, ka shfrytëzuar edhe mjaft dokumente që flasin vetë rreth këtyre ngjarjeve dhe personazheve. Edhe qëndrimi i grave të kësaj familje të madhe, vajzave apo nuseve është si i amazonave. Ato paraqiten burrnesha dhe dinë t`i përballojnë me dinjitet dhe ndershmëri fatet, vuajtjet, sakrificat e privacionet e burrave të tyre, për të mos thënë se ishin si ato që ndeshi lundërtari spanjoll Orelana në brigjet e lumit Maranon dhe i kishin të gjitha cilësitë për të shërbyer si modele të statujës së Polikletit. Ndodh që edhe në mal të shkonin pas bashkëshortëve, siç është rasti i të shoqes së Muharremit, partizanit trim dhe i vlerësuar edhe nga lugati Enver Hoxha. Kur ata nuk janë në shtëpi, dinë t`u dali për zot fëmijëve dhe të presin e përcjellin me të gjitha nderimet miqtë, partizanë a ballistë qofshin ata. Kur burrat janë në burg, i ndjekin me trasta në duar dhe asnjëherë nuk ankohen ndaj tyre kur i fusin në ndonjë kasolle për kafshët. E tillë është e gjithë familja e Sali Butkës. Ndaj dhe të tillë mbeten edhe atje në arrati a mërgim ku janë vendosur, siç na jepet në libër rasti i arkitektit Qemal Butka, i cili që nga Amerika nuk e harroi kurrë vendlindjen e tij dhe për të cilën pasi e vizitoi thosh: “Ishte e lodhur dhe e drobitur Shqipëria, kur e pashë. M`u duk kockë e lëkurë. Por unë kam shpresë se ajo do të bëhet” .
Dhe patjetër do të bëhet, se njerëz si Butkallinjtë ka ende ky vend dhe shkrimtarë të përgjegjshëm, të ndershëm e kurajozë si Ylli Polovina që aq bukur e korrigjojnë historinë, do kemi përherë mes nesh. Ashtu sikurse kishte Franca dikur, nga ata që shpresonin se do bëhej më mirë, sipas dëshirës së V. Hygoit: “Ah sikur vargu im, varg i gjallë e plot furi / Të mund të shtypte dhe të bënte shkrumb e hi / Çdo sofist dhe tiran shpirtzi!”

Durrës, më 13 qershor 2019

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com