|
Foto: .jpg | HISTORIA NË 1983 E KATËR SPECIALISTËVE FRANCEZË DHE ÇEKË NË KOMBINATIN E TEKSTILEVE BERAT
Ylli Polovina
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 9 qershor 2019)
Dashnorja e komanduar nga ambasada; barcaletat kundër sovjetikëve; si u prenë mjekrën në Rinas; çeku Ratko blen veprat e Enver Hoxhës “Titistët”, “Hrushovianët” dhe “Kur lindi Partia”, por bie në mendime për vetvrasjen e Mehmet Shehut.
Shpjegim hyrës
Gjatë periudhës së shoqërisë së mbyllur komuniste, asaj të quajtur prej vetë regjimit si “Diktatura e Proletariatit”, qendra industriale më e madhe në Shqipëri për nga numri i punonjësve dhe parku i makinave prodhuese lindi, u rrit dhe pas vitit 1990 u shua, në qytetin e Beratit.
Ky ishte Kombinati i Tekstileve.
Një të tillë, por më të vogël e më të hershëm e kishte vetë kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Ai do të zotëronte teknologji sovjetike, sepse qe edhe ndihmë e tyre ekonomike. Regjimi atij i vuri emrin e Josif Visiaronoviç Stalinit. Në sheshin para lartoi edhe një monument të madh të tij.
Sërish kontribut sovjetik e pati menduar Enver Hoxha projektin e një kombinati të dytë tekstili kur në gazetën “Bashkimi”, nr. 241, datë 8 tetor 1958, ndërsa ishte duke kryer një vizitë në kooperativën bujqësore të Poshnjës në rrethin e Beratit, njoftoi se “në pesëvjeçarët e ardhshëm Qeveria mendon të ngrejë kombinat tekstili më të madh nga ai që kemi dhe ky do të ndërtohet në rrethin tuaj...”. Kur Hoxha shqiptoi këto fjalë ishte atmosferë e prag kongresit IV të PPSH-së dhe i planit të tretë pesëvjeçar, ku parashikohej rritje e thellim i procesit të industrializimit të vendit, “për shtimin e prodhimit dhe të mirëqënies së popullit”.
Por ngjarjet ndërkombëtare u zhvilluan ndryshe. Në botën komuniste kinezët dhe sovjetikët hynë në ndeshje të rëndë ideologjike, Enver Hoxha u bashkua me Pekinin dhe me ndihmën e Mao Ce Dunit guri i parë në themelet e superkombinatit do të vendosej në 2 maj 1963. Ai do të kishte fabrikën e filaturës, të tezgjahut, të ngjyrosjes dhe një fabrikë të dytë të tezgjahut me fill të ngjyrosur, e para e këtij lloji në Shqipëri. Kjo ndërmarrje gjigande do të prodhonte stofra të pambukta për veshje të jashtme, asortimente të shumta basme dhe pupline, fanellata, stof kapardine, kuverta e batanije, tekstile speciale, po ashtu tekstile për amballazh.
Vit pas viti “planeti” i kombinatit do të plotësohej me “satelitët” e vet dhe në këtë yllësi industriale në 1968 do të ngrihej Filiali i Universitetit Shtetëror të Tiranës si edhe Shkolla e Mesme e Tekstilit, në 1972 Pallati i Kulturës “Tekstilisti”, në 1976 Uzina e Pjesëve të Këmbimimeve Tekstile. Në fillim të viteve tetëdhjetë ky superkombinat numëronte nëntë mijë dhe në motet e fundit të këtij dhjetëvjeçari shifra e të punësuarve në të mbërriti në 11 mijë.
Kjo rritje numerike erdhi edhe për arsyen se në vitin 1983 në fabrikën e ngjyrosjes së bezes u krijua një shtesë e madhe, makineritë e të cilës erdhën kryesisht nga Perëndimi. Me teknologji shumë të përparuar, gjermano-lindore, u ngrit më pas edhe një fabrikë e dytë filature.
Në montimin e pajisjeve punonin edhe specialistë të huaj, francezë dhe çekë. Katër nga këta ndodheshin të angazhuar në shtesën e fabrikës së ngjyrosjes dhe autori i këtyre rradhëve, ato kohë drejtor i Pallatit të Kulturës “Tekstilisi”, kërkoi që detyrimin e përvitshëm të çdo kuadri për një muaj punë në prodhim, ta kryente në këtë fabrikë.
Me këtë rast mbajta një ditar të posaçëm, sepse isha i interesuar për dinamikën e disa dukurive shoqërore në këtë superndërmarrje femërore, për qëllime studimore por edhe letrare (roli i femrës, afirmimi social i jetimeve të ardhura nga qytete të tjera, shkalla e tolerancës ndaj të huajve ose siç shkruaja në këtë ditar “në dramë a ku do të shkruaj për këto ngjarje, duhet të jem sa më objektiv, që t’i shpëtoj rutinës letrare se “çdo i huaj është një armik”. Unë duhet të nxjerr se bota lufton drejt emancipimit dhe lirisë së saj dhe këto energji janë fshehur tek Ratkua, tek Danieli e ndokush tjetër”).
Nga ky ditar i daktilografuar me vëllimin e një libri vetëm pak prej tij i vendosa në librin tim të ri “Komunizmi, siç e pashë”, publikuar një muaj më parë nga shtëpia botuese Botart. Ky libër përshkruan mjaft rrethana të ndryshme të jetës në periudhën 1965-1992, por për lexuesin e “Shqiptarja.com” zgjodhëm një grimcë nga historia e katër specialistëve të huaj, dy nga Perëndimi kapitalist dhe dy nga Lindja socialiste.
Ku ngjanin dhe dallonin çekët nga francezët
E shtunë, 16 korrik 1983: ...Në repart ndodhet një parrullë disi e vjetër nga koha (bile në një skaj edhe e grisur) që thotë: “Vetë jeta dhe historia e njerëzimit e kanë mësuar popullin tonë që ndaj marrëdhënieve prapa të cilave fshihet pabesia të jetë kurdoherë vigjilent”. Nuk është vënë poshtë nënshkrimi i kurrkujt.
Është interesant se opinioni i krijuar prej afro dy muajsh për specialistët e huaj këtu në fabrikën e ngjyrosjes, sidomos tek shtesa e saj, është ky: francezët janë njerëz strikt, të ftohtë, me frymë mosbesimi ndaj çdo gjëje tonën, kurse çekët mjaft popullorë, të afrueshëm, të lirshëm. Ky opinion mos është iluzor?...
Njeri çek, një portret i ëmbël, që “kullot” me sy dhe flet e bën shaka me të gjithë, na qënkej inxhinjer elektronik i mbaruar dhe kur i hyka punës, s’paska tjetër zot përveç vetes. Kështu thonë të gjithë ata që punojnë me ta. V. P., përkthyesi i francezëve, i ka vënë këtij çeku emrin “ujku”. Sot unë e “kundrova” disa herë këtë njeri për t’i gjetur ato tipare për të cilat më kishin folur të tjerët. Është ende herët, por parja nga fare afër e këtij çeku premton të papritura të çuditëshme...
E pra, këta dy francezë, njëri i ri, rondokop, përherë i vrenjtur, kokërrodhe, me ca shpatulla të gjëra dhe me prapanica të vogla e të shëmtuara si dhe tjetri i moshuar, 53 vjeçar, edhe ky tip i vrënjtur, që ka punuar në Zambia, Arabi Saudite e kush e di ku tjetër, janë mërgimtarë të frangut e dollarit nëpër botë. Që të dy tregohen tepër të mërzitur dhe të pakënaqur. E shprehin fare hapur mosbesimin dhe talljen për ne, përfitojnë nga çdo e metë, që edhe ne s’i shmangim dot, sidomos kanë ëndje të madhe të përbuzin teknologjinë dhe organizimin tonë ekonomik...
Francezët janë shumë korrekt me orarin e punës, ata vijnë disa minuta para orës tetë dhe në këtë orë janë të veshur me kominoshe. Në 11 hanë drekë e bëjnë pushim, më një të mbasdites vijnë përsëri “punktualmò”. Ndryshe me çekët, ata vijnë kur të duan, më shpesh pas orës nëntë, ikin jo në orare të disiplinuara fikse dhe zyrën e punës e kanë të mbushur plot me shishe konjaku. Pijnë edhe në orarin e punës dhe jo pak. Francezët pijnë një gotë vetëm kur hanë drekën. Bile, si të habitur, por edhe me prirjen megallomane francezmadhe, na kishin bërë vërejtje përse mbaheshin pije alkolike në kombinat. U ishin përgjigjur se punëtorët nuk pinin pije dhe se ato pije që kishte parë në klub, ishin posaçérisht për ata, të huajt. “E megjithatë, ishin përgjigjur francezët, nuk është mirë që edhe ne pijmë në sy të punëtorëve”...
Të dy francezët janë teknikë, jo inxhinjerë si kujtova në fillim, janë montatorë. Ata flasin se “Inxhinjeri që do t’u vijë, kudo ku ka vajtur ka ngritur kuzhinë. Edhe në zyrë vë vegla elektrike dhe skuq sallame dhe bërxolla, prandaj po qe me këtë dietë, ai s’ka për të ardhur aspak”. Thanë po ashtu se “Për këtë gjë duhet biseduar me firmën në rast se doni që ai të vijë”.
Që të dy flisnin shumë keq për jetën e tyre prej mërgimtarësh. Janë tepër të mërzitur. Kokërrodhja s’do të merret më me këtë punë. Për kapitalistët thonë “ata gushëmëdhenjtë”...
Shoku im i shkollës Halit Ajazi thotë se Ratkua (çeku “ujk”) dhe Jerkua shkojnë mirë. Mirëpo i ngacmova intuitën dhe më në fund na del një pamje tjetër. Jerkua i zymtë dhe me gjyslykë, që s’flet fare dhe që pi si një derr (megjithëse me mendjelehtësi Ratkua thotë “Unë ja kaloj në pije”), na qenkej komandanti. Ai i mbaka paratë, ai përcakton “vijën” në takime e biseda, ai merr kryet e qoshesë në çdo rast, udhëzon, përcakton dhe Ratkua i bindet verbërisht. Sa verbërisht? Nuk dihet…
“Ujku”, dashnorja e komanduar nga ambasada, nafta shqiptare
Thonë se ambasada çeke ka edhe ndonjë femër enkas për bordello, sepse specialisti “ujku” një natë ndenji deri në 12 të mesnatës dhe vetëm pas kësaj ore erdhi dhe u kthye për në Berat me specialistët shqiptarë. Kur erdhi, pas ca kohe, ky tip kishte pyetur të dinte se ku ishte “bordellua”...
Sot ata dëshironin të shkonin në Vlorë, por Dega e Brendshme i ktheu për në Durrës. Për ca kohë, kur ua thanë, shprehnin habi dhe një farë mosbindje. Tanët u thanë se në Vlorë kishte shumë të huaj, restorantet janë të zëna, se ka edhe një konferencë të madhe. Çekut i thanë: “Hajde, mos na çaj kokën, do shkojmë në Durrës”...
Në Durrës kishte ardhur edhe femra zbavitëse e ambasadës çeke. “Ujku” herë pas here i puthte dorën dhe krahët.
Pushimi i tyre i së dielës është i shenjtë. “Po më fole për punë të dielën do ta jap me shishe kokës”, i kishte thënë francezi i madh përkthyesit V.P., e diela është dita jonë”...
Duke shkuar për në Durrës ata panë nëpër fusha vetëm gra. “Jeni Turqi”, kishin thënë, emancipim i keq. Edhe në kombinat gratë punojnë, kurse burrat rrinë nga njëzet e tridhjetë veta nëpër nevojtore e pijnë cigare”. V. P. i qe përgjigjur për mbeturinat që kemi luftuar e për luftën që vazhdojmë të bëjmë kundër tyre. S’ishin kënaqur. Megjithatë në fund patën pranuar të thonin “po të jetë se është kështu, pra, luftoni, është një gjë e mrekullueshme”.
(Jeta sedentare e burrave me të vërtetë bie shumë në sy tek ne)...
Me inxhinierin Irakli bëra përafërsisht këtë bisedë: Një natë duke ardhur nga Vlora, ku kishin qenë në plazh, ishte ora 10 e një çerek e natës. Ratkua po flinte në sedilje. Jerkua më pyeti, pasi mori ca erë me hundë në zonën e naftës: “Keni shumë naftë?”, më tha. “Sa për veten tonë dhe ndopak për të eksportuar”. “Bëni gabim që nuk e eksportoni dhe importoni, tha, se nafta do të mbarohet”. “Ajo edhe mund të shtohet, ne i dijmë mirë punët tona dhe çdo gjë e kemi të studiuar”, tha Irakliu. “Bëni gabim që nuk zhvilloni turizmin, merrni devizë prej tyre dhe ua shisni benzinën sa të fitoni miliarda”, vijoi Jerkua. “Ne të parën kemi lirinë dhe pastaj ekonominë”, iu përgjigj inxhinieri ynë. Jerkua mbylli gojën. Përse nuk foli edhe më parë për naftën e për turizmin? Po aty kaluam dhe në Vlorë qemë. Por ai e kishte hallin që ta bënte “si nëpër gjumë” këtë pyetje, që edhe unë t’i përgjigjesha përgjumësh, më shpjegoi inxhinier Irakliu.
Urrejtja e dy specialistëve çekë për sovjetikët, barcaletat kundër tyre
E martë, 18 korrik 1983: Si shënjë urrejtje kundër sovjetikëve, dy specialisët çekë tregojnë historinë e një veture shumë të mirë që e projektuan dhe që rusët e kishin bllokuar dhe marrë për vete. “Çdo gjë të mirë që bëjmë, na e marrin ata”, thonë husakçinjtë...
Ratkua veçanërisht e shan shumë Bashkimin Sovjetik. Këtë e bëri edhe në sy të Jerkos njëherë, duke treguar edhe mjaft barsaleta për rusët, Hrushovin, Husakun e kompani. Jerko i thotë se po foli ashtu kanë për ta futur në Çekosllavaki në burg...
Ratkua me shaka thotë se në radion çeke ka një orë të veçantë kur jepet një emision “Novosti çekosllovakii” (“Lajme nga Çekosllovakia”). Dhe menjëherë spikeri thotë: “Moskva”...
Disa barcaleta që qarkullojnë sot në Bashkimin Sovjetik dhe në Çekosllavaki, të thëna nga Ratkua.
Husaku vajti në banjë. Atje gjeti të shkruar “Husaku është koqe”. Atëherë poshtë këtij shënimi shkruajti këto fjalë: “Husaku çfarë ishte, ishte. Tani është sekretar i përgjithshëm i Partisë”.
Regani dhe Andropovi, në kuadrin e miqësisë e me që në thelb politika e tyre nuk ndryshon nga njera-tjetra, vendosën në mirëbesim të ndërronin sekretaret. Në fillim erdhi ajo e Reganit. Me minifund. Andropovi i tha: “Ule 10 cm fundin”. Ajo e uli. Ai i tha ta ulte prapë e prapë, gjersa u vendos nën gju. Më pas shkoi sekretarja e Andropovit. Me fund të gjatë. Regani i tha ta ngrejë 10 cm. Ajo e ngriti. Regani i tha ta ngrejë dhe 10 cm të tjera. “Për këtë do të marr leje”, tha sekretarja, dua të bisedoj me Andropovin”. “Ja ku e ke telefonin”. Sekretarja e mori receptorin dhe i tha Andropovit: “Më ka thënë Regani ta ngre fundin 10 cm. E ngrita. Ai kërkon prapë. Po e lashë ta ngre kështu e ta bëj minifund kam frikë se do të më duket ka... dhe koburja”.
(Këto barcaleta Ratkua thotë se ia ka treguar një drejtor kombinati ushqimor në B.S. Kur ishin vetëm katër sy. “Po ta marrin vesh më fusin në burg”, i kishte thënë drejtori).
Me Ratkon inxhinier Irakliu ka bërë biseda edhe për sovjetikët. I ka thënë se ambasada sovjetike atje ka një të katërtën e Pragës. “Do t’i keni të paktën nja shtatë batalione që ju punojnë si kopështarë”. Ratko pati buzëqeshur. Shtoi gjithashtu se para ambasadës sovjetike ata kishin ngritur një kishë të tyre, ku ushtarëve të rinj rekrutë u bënin propogandë të martoheshin me çeke.
Kur u bë ndërhyrja ushtarake e BRSS, siç pohoi Ratko, ky pati qenë në Bratislavë, ku kishin plasur disa depozita armësh e karburanti dhe ishin vrarë shumë sovjetikë e dëmtuar tanke. Komandanti sovjetik që pa këtë skenë, nisi të qëllonte si i tërbuar mbi njerëzit me automatik. Unë me shokë, tha Ratkua, u fshehëm pas një lapidari.
Dyshohet, por edhe lexohet Enver Hoxha
E premte, 29 korrik: Të dy francezët nuk shohin as filma, nuk dëgjojnë radion, u dhëmb koka të lexojnë libra. Bile këtë gjë edhe e shprehin hapur...
Nga Shqipëria kanë mbetur të mrekulluar. “Është një vend i mrekullueshëm, por që s’ka femra dhe na duket se nuk i lejoni njerëzit të marrin kontakt me ne”. “Ju nuk e njihni realitetin “ iu përgjigj përkthyesi V. P., a s’ju çuam mbrëmë në dasmë?” Ishte e vërtetë, Danieli kërkoi të shkonte në një dasmë shqiptare, nxori leje nga Dega e Brendshme, e ulën në një tavolinë veças me shoqëruesit dhe ndenji i kënaqur gjer në ora dymbëdhjetë...”Për femrat, siç thotë Danieli, kemi respekt të veçantë. Ato llafet që thotë Ratkua se ka kaq e kaq dashnore shqiptare etj. janë profka, budallallëqe, asgjë s’ka bërë për mua”. “Nuk flitet ashtu për femrat, duhet të kesh respekt”.
...Atasheu tregtar çek tha për Ratkon: “Ai pi dhe flet shumë”. Irakliu iu përgjigj: “Po edhe punon shumë”.
Ratkua s’pyet fare për politikë, nuk përton të zbrazë barkun. Është nga liberalët e vendeve ish-socialiste. I ka thënë Irakliut se me që punoi në një qytet të Gjermanisë Perëndimore, kishte dashur të qëndronte atje, por nuk ia kishin nxjerrë vizën qeveria e tij: “Mund edhe të arratisesha, por kisha hall se nuk do të kthehesha më në Çeki ku kam të afërmit dhe njerëzit e mi”.
Inxhinieri Irakli më thotë: “Kur kam qenë në Çeki, shkuam në Bërno, ku ishte një shtëpi e emancipimit të gruas çeke, si biçim muzeu. Atje një grua tepër e ashpër dhe e paedukuar na foli për arritjet “e mëdha” të gruas çeke të emancipuar. Ajo tha se vajzat me të mbaruar gjimnazin janë të lira të mendojnë për burrin e tyre, për jetën, për shtëpinë dhe s’kanë asnjë detyrim shoqëror. “Po atëherë të gjithë udhëheqësit dhe drejtuesit që lart e poshtë ju duhet t’i keni meshkuj”, i tha të vrazhdës Irakliu. Ajo u nxeh. Ndërkohë nisi të fliste një i ambasadës sonë që ishte llafazan i madh dhe që shokëve të tij sa nisnin t’i flisnin, u thosh “prisni” dhe ja shkrepte automatikut.
Por ndërkohë ndërhyri dhe një çek që i shoqëronte, dhe i tha asaj gruaje gjuhë ashpër se ishte e vërtetë që në Shqipëri kishte emancipim. “Kam qënë vetë atje”, shtoi ai.
...Ratkua ka blerë veprat e shokut Enver, “Titistët”, “Hrushovianët”, “Kur lindi Partia”, të gjitha botime të veçanta. Ai kishte kohë që kërkonte, por inxhinier Irakliu e kishte bërë një vesh shurdh e priste: më në fund ia kishte parë në dorë dhe i tha se mos ia kishte dhënë ndonjë shqiptar. Doli që i kish blerë vetë, në rusisht. Ndërkaq Jerkua nuk lexon.
Dje në Hotel Turizëm, në Durrës, Ratkua kishte ngritur një dolli për Enver Hoxhën. Mbase për këtë Jerkua sot qeshte dhe Ratkua ishte i vrerét. Mos janë zënë?
E mërkurë, 3 gusht 1983: Ratkua thotë se në Çekosllavaki i kishin bërë papritmas mbledhje për ta përjashtuar nga partia, se kishte një vit pa ardhur në mbledhje. Atëhere ai u pati thënë: “Doni që unë të marr pjesë në mbledhje, apo të bëj punën që më keni ngarkuar?” Dhe ua kishte faktuar me data se kishte qënë jashtë shtetit. Ratkua paska dhjetë vjet në parti, kurse Jerkua njëmbëdhjetë.
Ratkua tregon se kur e thirrën për të shkuar në Shqipëri, ky i kishte pyetur: ”Ku është ky vend?” Ata i ishin përgjigjur se është një vënd i izoluar. Ratkua thotë se kur ka qënë në fillore ka mësuar për Shqipërinë në shkollë (për kampin socialist) kurse tani ka një heshtje absolute për Shqipërinë, s’flitet asgjë. “Ne jemi njerëz, jemi popuj, duhet të dimë për njeri-tjetrin”, kish thënë Ratkua.
Sot erdhën turistë francezë për të vizituar Kombinatin. Kaluan edhe në ngjyrosjen e bezes. Danieli sa s’fluturonte nga gëzimi. Nisi t’u tregonte se me të shkelur në Shqipëri, i kishin rruajtur mjekrën. Francezët e tjerë me mjekrat si papu, aspak të qethura, qeshnin me ho-ho. “Po kur të vish në Francë, si do t’ia bësh për mjekrën?” “Do të nis ta lë që këtu në Shqipëri”. Dhe me të vërtetë, nisi të mos rruhet dhe iku nga Shqipëria me një mini mjekër.
E premte, 5 gusht: Sot këtu në parkun e qytetit do të jepet një çfaqje e një ansambli folklorik grek. Edhe për të huajt u siguruan bileta, por francezët nuk duan, sepse i kanë inat grekët.
Ratkua po lexon tek “Titistët”, kapitullin për Mehmet Shehun. Kur e kishte pyetur Irakliu, ai i kishte thënë se akoma nuk ka vajtur tek vetëvrasja.
E mërkurë, 10 gusht 1983: Të djelën Ratkua kishte 33-vjetorin, por edhe Jerkua 40- vjetorin. Prandaj edhe kishin pirë më tepër se zakonisht. Sidomos 40-vjetorin e tij Jerkua e ka përmendur disa herë para punëtorëve dhe një mekanik shqiptar u solli të dyve nga një peshqesh. Ratkua u emocionua. Jerkua kishte plasur së qari. Në fillim pati bërë përpjekje që t’i fshihte lotët. Pastaj kishte shpërthyer me dënesa. I fshinte lotët me peshqir. Ishte qetësuar disi (Ratkua qeshte ndërkohë), por pati ardhur për t’i nderuar inxhinier Irakliu dhe Jerkua sërish ia kishte plasur të qarit. Fort e me dënesa edhe kësaj radhe”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 qershor 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|