|
ZYLYFTAR HOXHA: Fjala e tij ne promovim
Përshëndetje dhe falënderime personelit të Bibliotekës Publike Durrës!
Përshendetje familjarëve dhe pinjojve të familjes së njohur të Fetah Butkës!
Faleminderit për pjesëmarrjen dhe interesin që I kushtoni një veprimtarie të tillë!
Unë jam redaktori i librit në fjalë dhe çfarë kam patur për të thënë, e kam thënë në shkrimin promovues të botuar në një nga gazetat kryesore ditore.
Ndaj këtu do të them dyfjalë, më tepër për mesazhet që sjell libri.
Libri ka në qendër të tij Familjen Butka nga Butka e Kolonjës, një familje të njohur dinastike shqiptare që e ka lidhur fatin e saj me atë të atdheut të vetë, por që bash për këtë, është e destinuar të kalojë një kalvar të gjatë dhe të mundimshëm deri në diferencim ideologjik të skajshëm.
Libri ka një mesazh të qartë dhe aktual, pasi nëpërmjet një teme historike, përshkrimit të bukur, të saktë dhe me dokumente të pakundërshtueshme të një kohe të shkuar, mes rreshtave lexohet dhe nënkuptohet e sotmja.
Vërtet është histori, dramë, tragjedi, kalvar I një familjeje të vetme, si ajo e Butkajve të Kolonjës, por nëpërmjet të kësaj sage të dhimbshme, kalon e tërë historia e Shqipërisë, siç e thotë edhe vetë titulli i librit. Është një paralele historike, zgjatimet dhe reminishencat e së cilës, fatkeqësisht, I gjejmë në çdo familje shqiptare, sa here që në to ka future hundët politika.
Lexuesi i thjeshtë, duke lexuar këtë libër, nuk e ka të vështirë të shikojë se si mbi fatkeqësitë e këtyre familjeve atdhetare janëngritur dhe fuqizuar pushtete.
Një nga personazhet kryesorë, realë të kësaj drame është edhe Fetah Butka, të cilit iu imponua një barrë e rëndë: të ndajë hiçin në shumë pjesë, të lajë borxhe që sia kishte kujt borxh.
Të bëjë një jetë tepër të vështirë në burgje dhe internime, por të panënshtruar nga vuajtjet dhe mundimet, një jetë me dinjitet, i rrethuar nga dashuria dhe respekti i njerëzve kudo që atij i ra të punojë e jetojë.
E shkruar apo e nënkuptuar, nëpërmjet një arsyetimi dhe krahasimi të thjeshtë logjik, në librin e Polovinës, në një fare mënyre, shumë familje shqiptare do të gjejnë veten. Ndarjet ekstreme Brenda tyre janë një përvojë e hidhur e vjetër dhe e re që reflekton dukshëm në të gjithë shoqërinë shqiptare, të ndarë, të përçarë, pse jo edhe të egër.
Libri i fundit, Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka është e një gjetje e re e Ylli Polovinës. Ai I ngjan një romani të vërtet artistik po ashtu edhe një bestselleri historik, që me ngjarjet, ndërthurjet intriguese, lehtësitë dhe thjeshtësitë e narracionit, nuk të lë ta lëshosh nga dora, por edhe të nxjerrësh mësime, se ka një histori fitimtarësh, por ka edhe një histori humbësish që të çon tek e vërteta historike.
***
Kaq kisha për librin, ndërsa, duke shfrytëzuar rastin, desha të shtoja diçka për Yllin, si shkrimtar, si publicist, si studiues. Nga passhpinat e librave të tij, ashtu thatë, mëson se ai është autori i 30 librave të gjinive të ndryshme, kryesisht historikë, jepen titujt e librave më të fundit dhe kaq.
Ndaj e ndjej detyrim, si koleg, si mik, të them në këtë takim të ngrohtë dhe miqësor edhe diçka më shumë për të. Ylli, edhe pse me shikim të kufizuar, i operuar disa here nga sytë, është titan në punë. Të paktën unë nuk kam pare tjetër njeri në Shqipëri të punojë sa ai, të rrijë sa ai mbi kompjuter apo mbi libra.
Letërsia e Yllit, po ta quajmë kështu, dhe gjithë ai opus krijues, është kryesisht, siç thashë më lartë, historike dhe bëhet me referenca dhe dokumente që kërkojnë ti gjesh, ti studiosh, ti saktësosh. Kush është marrë me këtë lloj gjëje, e di se vetëm për një date apo për një emër, duhet të zbresësh në tokë për të shfletuar dhjetëra libra dhe të humbasësh orë të tëra pune.
Ylli ka dy shtëpi, larg nga njëra-tjetra. Dhe njërën nga këto e ka plot me libra, dhe vetëm për librat. Harrohet kur shkon atje.
Por Ylli, ndryshe nga shumë të tjerë të këtij takëmi, ka dhe një fat, ka një sekretare jo zyrtare, që i di mirë detyrat e saj, ka bashkëshorten, Bardhën, që për fat e kemi çupë Skrapari nga Hysët e Vërzhezhës, një grua e zonja, intelektuale klasi, që ia lehtëson shumë punën, duke kaluar në dorë çdo gjë para se të botohet, duke u bërë kështu filtri i parë redaksional. Pastaj më vine mua. Flas për këto 7-8 botimet e fundit, ku unë jam redaktori, si të thuash, zyrtar i tyre.
Për të mos e zgjatur, i uroj autorit dhe sekretares së tij, shëndet dhe begati krijuese!
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|