|
TEUTA DHIMA: “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka” nga Ylli Polovina dhe ftesa ime për lexim.
(Kumtesë e mbajtur në promocvimin e librit dhe e botuar në gazetën e Durrësit “Bulevard”)
Libri që përurohet sot në bashkëpunim me shoqatën kulturore, atdhetare “Tomorri”, është edhe si një çelës sipari për bashkëpunimet midis bibliotekës së qytetit dhe kësaj shoqate.
Para pak kohësh, Z.Ylli Polovina shoqëruar nga Z. Hajri Nuhu dhe disa miq të tjerë vizituan bibliotekën e qytetit, ku u pritën nga drejtuesja e institucionit dhe stafi. Autori dhuroi librat e tij duke plotësuar kolanën e botimeve që na mungonin në bibliotekë.
Gjej rastin për ta falenderuar autorin për titujt e dhuruar. Ndër këta tituj, është edhe libri për të cilin jemi mbledhur ta përurojmë sot: ”Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”. Ky libër është jetëshkrimi i një familjeje që jo pak i është dëgjuar emri, i familjes Butka.
Të shkruash një jetëshkrim nuk është aspak e lehtë dhe bëhet akoma më e vështirë, në rastin e librit tonë për dy arsye:
- Kuadri historik të cilit i përket jetëshkrimi është një gjendje amullie për të gjithë popullin shqiptar dhe jo vetëm për familjen Butka .
- Kur pinjollët e familjejes, janë njerëz që kanë pasur influencë në jetën politike të vendit, sipas bindjeve të tyre personale.
Recenca ime titullohet “Ftesë për lexim”, jo pa qëllim. Eshte një ftesë që nuk ka për qëllim publicitetin e librit, por për të sjellë një mesazh: lexoni njëherë, pastaj diskutoni, lexoni me kujdes dhe vlerësoni risitë!Ky jetëshkrim nuk është një jetëshkrim me porosi, i kontrolluar me lupë për nënkuptime. Ai është shkruar në liri të plotë dhe me dashuri për të vërtetën,
Ylli Polovina ka sjellë para lexuesit historinë e njërës prej familjeve më të dëgjuara dhe ma do mendja që ka hasur jo pak vështirësi. Eshtë e meta e historisë sonë që shpesh herë mungojnë dokumente të shkruara dhe kësaj të mete, i janë bashkuar edhe interesat politike të kujt ta qenë në fuqi.
Por këtë e ka zgjidhur më së miri autorii cili shprehet: “Duke qenë se më shumë e dobishme se opinionet personale të disa individëve për shpjegimin e shkaqeve, janë paraqitja e fakteve, dhe me këtë rast mundësia për lexuesin t’i gjykojë dhe formulojë gjërat në mënyrë të pavarur”.
Nga pozicioni i njërës prej këtyre lexuesve them me bindje të plotë se autori na sjell ngjarje të reja nga historia e Shqipërisë dhe interpretime të reja. Ato le t’i bashkohen historisë dhe koha do të tregojë se cfarë pozicioni do të marrin dhe sa do t’i qëndrojnë asaj. Në histori, gjithkush që ka merituar të futet në territorin e saj, duhet vlerësuar për kontributin që ka sjellë dhe jo të paragjykohet për idetë dhe bindjet politike. Ylli Polovina ka kapur nyjet në jetën e familjes Butka dhe ka sjellë dëshmi të cilat hapin horizonte të reja për lexuesin dhe hedhin dritë në mjegullën e interpretimit të kohës.
Rrëfimi në këtë jetëshkrim herë pas here ka kthime retrospektive. Vepra ka taban historik dhe mbështetet në fakte që shumë prej nesh nuk idinin, ose i kemi ditur ato në vija të trasha, pa hyrë në detaje. Rrëfiminuk ka thjesht karakter informues, bazuar në data e statististika të vrarësh e të plagosurish. Ylli Polovina i ka dhënë ngjyra këtij rrëfimi duke e bërë atë prekës në shumë situata. Ka sjellë të gjitha proceset jetësore që mund të kishte çdo familje tjetër: lindjet, dashuritë, martesat, grindjet, mosmarrëveshjet, vdekjet.
“Historia e shqipërisë kalon edhe nga Butka”, titull që tërheq, që kuriozon..Edhe është një lidhëz bashkërenditëse shtuese. Ajo që kërkon autori është e qartë. Historisë së Shqipërisë, kërkon t’i shtojë edhe historinë e familjes Butka. Jo se pinjollët e kësaj familje të madhe nuk njihen dhe nuk janë në histori, por Ylli Polovina sjell fakte të tjera, shumica e tyre nga bisedimet me pjestarë të familjes. Zëri i këtyre pjesëtarëveështë zëri i së vërtetës, pa interpretime ideologjike dhe politike:Janë kujtimet e një gruaje që shpërfytyrohet kur merr vesh vetëvrasjen e të shoqit, (vetëvrasja e Safetit), janë kujtimet e një nipi kur dëgjon të jatin se si flet për xhaxhanë ( dëshmia e Ali Butkës, djalit të Muharremit), është dëshmia e një nëne që e ndjen që nuk do ta takojë më kurrë birin e nisur në mërgim (Qemal Butka dhe Memeja e tij) e të tjera fakte me të cilat lexuesi njihet vetëm nëpërmjet librit të Ylli Polovinës.
Jetëshkrimi i kësaj familjeje zë fill me vetëvrasjen e Safet Butkës. Figura e tij është një ndër figurat që përbën edhe pikën e nxehtë në rrëfim, për vetë idetë që ai kishte dhe pozicionimin e tij: profesor, publicist dhe nacionalist shqiptar si veprimtar i Ballit Kombëtar. Autori ka hedhur dritë dhe sjell fakte që sipas tij kanë çuar Safetin drejt vetëvrasjes. Përmendim këtu faktorët politik, qëndrueshmërinë e brishtë psikologjike të Safetit dhe një tjetër arsye e vetëvrasjes është, për të mos parë vrasjen e shqiptarit prej shqiptarit. Brishtësia psikologjike e Safetit argumentohet me:
• vrasjen e Agollëve duke iu çuar bukë ballistëve.
• vrasja e mikut të tij, Hysen Lepenicës.
• manifestimii 9 shtatorit i cili kishte dy qëllime: festimin e kapitullimit të Italisë dhe t’i bëhej thirrje popullit për të dorëzuar armët. (manifestim ky i shpërndarë nga ndërhyrja e repartit Italian Arezzo, ku pati nje të vrarë dhe një të plagosur.)
• një tjetër arsye e tronditjes së Safetit duhet të ketë qenë edhe plagosja në mes të Korçës 120 shqiptarëve.
Marrëdhënia Safet Butka- Enver Hoxha. Ky i fundit i bindur që do ta hiqte qafe. Detyrimi i kundërshtarëve që të vrisnin veten në situata psikologjike të rënduara, ishte një taktikë që do t’i përdorej edhe më vonë, ashtu siç historia e ka treguar.
Në traktin e PKSh, akuzat për Safetin ishin: sabotator i rezistencës, bashkëpunëtor me pushtuesin, vëllavrasës. Sigurisht që këtyre akuzave Safeti nuk do t’i bënte dot ballë dhe do t’i drejtohej vetëvrasjes. Por, “Safeti duke u bërë armik i vetëvetes, nuk mund të ndryshonte të gjithë boshtin e jetës së butkajve”, shprehet Ylli Polovina.
Historiani Sabri Godo ka shkruar një libër kushtuar Sali Butkës, njeriut që krijoi çetat e para, që luftoi me pushkë e me penë për mëmëdhenë, por, kjo familje e madhe ka nxjerrë nga gjiri i saj edhe elementë të tjerë të cilët kanë pasur një rol jo më pak tërëndësishëm. Fetah Butka, njënga njerëzit që ka vuajtur dhe mbajtur mbi supe më shumë se çdokush tjetër, i lënë në hije nga historia. Ai ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e e Pezës dhe organizator për shumë çeta të rezistencës ndaj pushtuesit. Njeriu që u burgos në 28 nëntor 1944 dhe u ndoq gjithë jetën nga njolla e tij politike duke u lënë i mënjanuar. Nga udhëzimet që jepte Enver Hoxha në lidhje me Fetah Butkën, dukej që ky ishte më i fortë psikologjikisht dhe duhej bërë kujdes se mos merr komandën e çetës së Safetit. Pra,“ jo hasëm me Safetin, Secili në pozitat e Partisë së vet”.
Një figurë që ngjall jo pak interes në libër, është edhe figura e Muharremit, vëllait të Safetit i cili kishte dalë në mal të luftonte bashkë e familjen. Ai ishte komandant që drejtonte njësitë guerile të gjithë Kolonjës. Pikërisht tek figura e Muharremit, autori na sjell edhe një të vërtetë tjetër historike: “Në ballë të demonstratës në Korçë, në ditëthemelimin e PKSH, nuk ishte vetëm Koçi Bakoja që udhëhiqte punëtorët, por edhe Muharremi”. Ai që e bëri të ditur publikisht këtë fakt ishte i dënuari rëndë nga PKSh, Pandi Kristo. E solla këtu këtë fragment nga libri për të vërtetuar edhe njëherë këndvështrim nga i cili shiheshin ngjarjet dhe shkruhej historia.
Marrëdhënia Safet – Muharrem Butka, përbën një tjetër pikë të nxehtë në rrëfim. Autori në këtë pikë, ndihmohet nga tre fakte:
• Momenti kur e shoqja e pyet Muharremin: “Çfarë ka ndohur aty poshtë? Ku është yt vëlla?
Muharremi nuk kishte reaguar, pra nuk dinte gjë për Safetin.
• Në një rast më të vonshëm,Emineja, e shoqja i kishte tërhequr vëmendjen që të shkonte në varrimin e të vëllait. Qe një përgjigje, gati me shenja, sikur të kishte frikë nga fjalët. Eshtë fakt që komunisti Muharrem Butka nuk vajti në varrimin e vëllait ballist Safet Butka.
• Ndërsa episodi i tretë ka një burim të sigurtë: dëshmia e Aliut, djalit të Muharremit, i cili ishte 15 vjeç në atë kohë: “Pasi dëgjoi që Safeti vrau veten, im at tha një llaf që mua më tronditi shumë. Tha: “ U la një hale”. I thashë pse fole ashtu, dhe m’u përgjigj: “Rri se je i ri ti, nuk e kupton”
Një pyetje shtron autori për përgjigje: e denoncon apo e distancon Muharremi të vëllanë?
Nga faktet historike që sillen, krijimi i një pjese teatrore, i një dialogu partizan- ballist, me plot thirrje për ta vrarë Safet Butkën, të gulmon në kokë ideja që,Muharremi ka dashur të bëjë të kundërtën. Pra ta mbrojë të vëllanë,. Edhe dialogu i krijuar prej Muharremit, ka gjasa që të jetë krijuar kur Safeti qe gjallë .
Qemal Butka, ka qenë arkitekt, piktor, politikan dhe filatelist shqiptar. I mbetur jetim, ai rritet nga xhaxhai i tij Sali Butka. Ka qenë kryetat i Bashkisë së Tiranës në vitet 1936-1937. Emigrant ekonomik prej vitesh prej vitesh në ShBA ,konsiderohej i mënjanuar në punën e vet, por gjithsesi figurë e pastër dhe e papërzierë. Qemal Butka zbriti në aeroportine Rinasit më 4 qershor 1987. Askush nuk e priti atë përveç Butkajve, grupit që i kalonte të pesëdhjetë vetët. Po në vendin e vet mbylli sytë dhe u varros ditën e flamurit.
Luftë civile apo vëllavrasëse? Një nëntitull shumë domethënës.
“Në këtë pikë krijohet një dukuri mjaft e çuditëshme, dredharake, hileqare: komunistët heshnin dhe taktikisht nuk e pranonin përleshjen e brendshme civile, ndërsa ballistët e shumonin e denonconin duke u kacavjerrë me duar dhe me këmbë në zmadhimin maksimal të saj.Balli kombëtar nuk përbënte një front më vete , por ishin vegla të pushtuesve hitlerianë dhe vepronin sipas urdhrave të tyre, pra me vetëdije joshqiptarë. Në fund të fundit luftë civile kishte po të përplaseshin me armë një pjesë e shqiptarëve të ndërgjegjshëm kombëtarisht me pjesën tjetër. Nëpërmjet këtij sofizmi ky falsifikim historik u mbajt gjallë për gjysmë shekulli të diktaturës duke iu shmangur faktit kokëfortë që; lufta civile pati egzistuar, edhe pse në kufij minimalë”
Dashuria e Zanës me Vangjelin.Një personazh që nuk kalon pa u vënë re në sagën e butkajve, është edhe Zana, vajza e Fetahut, aktore në profesion. Autori jep njohjen dhe martesën e saj me Vangjelin. Zana është një tjetër trashëgimtare që do të vuajë njollat politike. Në vitin 1974, regjisorja Drita Agolli vinte në skenë një pjesë të autorit Minush Jero. Këtu Zana kishte një rol kryesor. Si për fatin e saj të keq, pas shfaqjeve të para, burgosja e Minush Jeros ndërpret edhe karrierrën e saj si aktore. I propozohet të punojë si sanitare dhe nuk pranon. Më pas merr detyrën e dekorueses, për të mbetur si përfundim e papunë.
Gjeneratat në vazhdim… janë edhe faqet e fundit që mbyllin librin. Ylli Polovina këto faqe ia dedikon Ganiut, që u bë pjesëmarrës në hyrjen tek ambasadat, Dragushit, Uranit e të tjerë pasardhës të familjes Butka, po ecin në rrugët e karakteristikës së derës së tyre: me flamurin kombëtar në krye. Në sofrën e tyre bashkë me dollinë, është trashëguar edhe dashuria për atdheun.
“ Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka” është një libër i shkruar me dashurinë për të vërtetën, Është një sagë që mund të shkruhet për çdo familje shqiptare, për çdo krahinë të Shqipërisë. Nëpërmjet këtij libri ashtu si dhe me librat e tjerë të shkruar, Ylli Polovina, publicist i shquar, i ka dhënë një ndihmë të madhe historisë duke hedhur dritë mbi fakte të cilat janë keqinterpretuar, janë shtrembëruar dhe me qëllim janë lënë në heshtje. Është detyrë e çdo historiani të sjellë fakte, risi, me asnjanësi, saktësi dhe përkushtim. Detyrë që e ka realizuar më së miri,autori Ylli Polovina.
Ftesa ime për leximin e këtij libri iu drejtohet të gjithë atyre që kanë nevojë të njohin historinë duke u bazuar tek e vërteta, pasi vetëm ajo, na jep lirinë që çdokush prej nesh dëshiron.
Teuta Dhima
Biblioteka Publike Durrës
Bibliografe
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|