|
PO LEKA ZOGU PËRSE DONTE QË NATO TË NDËRPRISTE BOMBARDIMET?
(Botuar në “Illyria” në 29 maj 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i njëzetë e një i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Në 11 prill 1999, ditën e Pashkëve Ortodokse, siç e vumë në dukje shkrimin e mëparshëm, NATO kreu, pa e shpallur më parë, një pezullim njëzetë orësh të bombardimeve mbi objektet strategjike të forcës ushtarake të Jugosllavisë.
Kjo e dalloi fare qartë prej sjelljes fashiste të Musolinit kundër Shqipërisë, të cilën e sulmoi gjashtëdhjetë vite të shkuara, në 7 prill 1939, pikërisht në ditën e Pashkëve Katolike. Në një ditë të tillë, dy mote më pas, Hitleri agresoi befasisht Beogradin dhe tërë mbretërinë Jugosllave, duke hedhur bomba pa pushim për disa ditë mbi çdo lagje dhe godinë civile.
Tashmë në 11 prill 1999, ditën e Pashkëve Ortodokse, në Shtëpinë (Institutin) e Kulturës Amerikane në Beograd, të boshatisur prej largimit të personelit, nuk u duk gjest i goditur një kryq i madh nazist i vizatuar mbi fasadën e tij. Bill Klinton na ngjasonte me një Hitler dhe konsensusi popullor në eurokontinent për të goditur hitlerianin e vërtetë, të thirrur tashmë masivisht si diktator, Sllobodan Millosheviçin, rritej nga ora në orë.
Në 3 prill një sondazh i bërë në Zvicër nga instituti Demoskop (Demoscope) për llogari të gazetës “Berner Zeitung” vinte në dukje se 73 për qind e vendasve ishin për vijimin e bombardimeve në Jugosllavi si edhe po kaq të gatshëm për të pritur refugjatët nga Kosova.
Në atmosferën e kësaj dite të 3 prillit në agjencinë italiane të lajmeve Adnkronos ishte shfaqur Leka Zogu. Çfarë deklaroi ai që nga Ambasada jonë në Romë, pa kaluar mesdita, ia dërguam Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë.
Do të vepronim njëlloj për çdo gjë që do të bënte publike kudo në truallin e shtetit italian, sepse kjo ishte detyra jonë, por këtë herë qëndrimi i tij qe fort i habitshëm, në mos edhe problematik.
Cili ishte lajmi? Po e japim të plotë. Titulli: “Që nga mërgimi Mbreti dërgon urimet e tij për paqe”.
Në brendësi: “Paris, 3 prill-Mbreti Leka i Shqipërisë, që nga Franca ku jeton në emigrim, i ka kërkuar Përfaqësuesit të tij Ushtarak Hyllë Spahija, të dërgojë menjëherë në atdhe 15 kamionë me rimorkio me ilaçe, tenda, veshje, batanije dhe ushqime. Mbreti po ashtu ka bërë një thirrje për të mbërritur sa më shpejt me rrugë bisedimesh në një zgjidhje për paqe”.
Vijonte më tej lajmi befasues, tashmë, siç bënte të ditur Adnkronos, në përputhje me një intervistë që Spahija e kishte dhënë ekskluzivisht kësaj agjencie: “Madhëria e tij i ndjek minutë pas minute ato që po ndodhin në atdheun e tij. Do të dëshironte të ndërhynte, por çështje diplomatike shumë delikate e pengojnë të bëjë më shumë nga sa po kryen”.
Më pas Përfaqësuesi Ushtarak i Oborrit Mbretëror Hyllë Spahija, i cili Adnkronosit i kishte thënë se qe edhe mik personal i mbretit Leka Zogu, pati përsëritur historinë e 15 kamionëve me rimorkio e ndihma humanitare për shqiptarët dhe njëkohësisht përsëritur, tanimë më ngrohtë, deklaratën e monarkut në mërgim se ai “uron me gjithë shpirt një zgjidhje sa më të shpejtë me anë bisedimesh të konfliktit dhe që paqja të rikthehet mes popullit të vet dhe gjithë viktimave të kësaj lufte të tmerrshme”.
As më shumë dhe as më pak: Leka Zogu dëshironte (dhe tërthorazi kërkonte) të ndërpriteshin bombardimet ajrore të NATO-s.
Hyllë Spahija, “Komandanti”, siç e thërrisnin në rrethin e më të afërmëve të Lekës me banim në Paris, jo vetëm e kishte deklaruar këtë në një vend tjetër të Aleancës së Atllantikut të Veriut, por edhe e pati justifikuar. Sipas tij, pra edhe të Leka Zogut, monarku në mërgim ishte i dëshiruar të dërgonte armë dhe vullnetarë në mbështetje të luftës çlirimtare, por e pengonin “disa rrethana delikate diplomatike”.
Cilat qenë këto rrethana Komandanti Spahija nuk ia bëri të ditur Adnkronosit dhe për rrjedhojë kjo mbeti e mbuluar nga paqartësia edhe kur të nesërmen deklaratën në Paris të Lekës për 15 kamionët me vetëm ndihma humanitare dhe shpjegimin në Romë të Hyllë Spahisë, e botoi “Corriere della Sera”.
Kjo dëshmonte se njoftimi i qëndrimit të Oborrit Mbretëror Shqiptar në mërgim nuk qe thjesht një fakt i zakonshëm kronike, por një gjest strategjik i familjes Zogu. Siç i tillë pati qenë në ditët e para të pasgjedhjeve politike të vitit 1997, kur mospajtues me rezultatin e tyre, Leka kishte mbajtur qëndrim tjetër. Në Tiranë ai qe veshur me uniformë ushtarake, kishte vënë një pistoletë në brez dhe, i rrethuar nga simpatizantë të armatosur rëndë, pati marshuar kërcënues drejt godinës ku qe vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Këtë ditë të 3 prillit 1999 nga shtypi italian do të bëhej e ditur një fakt në të kundërt të asaj që shpallte monarku shqiptar në Paris. Presidenti amerikan Bill Klinton kishte marrë një vendim të fortë: në Shqipëri duheshin dërguar 24 helikopterë Apash, të përshtatshëm për luftë kundër tankeve dhe trupave të këmbësorisë. Në lajme u tha se ata do t\'i shoqëronin, si personel ndihme, edhe dy mijë ushtarë amerikanë. U tha gjithashtu se 24 helikopterët më modernë të botës nuk do të ishin nën komandën e NATO-s, por personalisht të Klintonit.
Në të njëjtën kohë këtë 3 prill në median italiane do të ndodhnin edhe ndërhyrje të tjera të figurave të rëndësishme politike të Tiranës dhe Prishtinës. Në Raidue, në edicionin informativ të orës 20.30, dha një intervistë të shkurtër presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. E kishte intervistuar gazetarja Xhovana Çipriani, e gjithgjendur vazhdimisht nga Tirana deri në Kukës, publiciste mjaft energjike.
Meidani i tha asaj se nga serbët po kryhej një pastrim i madh etnik i shqiptarëve të Kosovës, se gjendja humanitare e sasisë së madhe të refugjatëve kosovarë ishte e rendë, se po ashtu kërkoheshin sa më shpejt ndihma. Ai nënvizoi se serbët ndërkohë patën kryer shumë provokacione duke hyrë brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe se rrugëzgjidhja më efikase e kësaj krize mbetej futja e trupave të NATO-s në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ishte 3 prill 1999 kur në Raiuno, ora 23.40, ndërsa filloi të trasmentonte emisionin \"TG Mbrëmje\" me debat për situatën në zhvillim, gazetari i njohur Lamberto Spozini, ndërsa pati ftuar në studio senatorin italian Kahia, u lidh me kolegë të tij të medias në Kukës, Bllacë, Beograd dhe Uashington.
Fryma e raportuesve ishte vetëm një: thellimi i ndërhyrjes së NATO-s kundër Millosheviçit dhe makinës së tij ushtarake.
Gjatë këtij emisioni dy herë ndërhyri edhe kryeministri i Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi. Qe intervista e tij e dytë dhenë medias italiane që kur kishte nisur lufta.
Si edhe herën e parë ai foli gjermanisht.
Bukoshi e denoncoi Sllobodan Millosheviçin dhe krimin e tij të pastrimit etnik si edhe bëri thirrje për të shpejtuar ndihmat e realizuar ndërprerjen e pastrimit etnik. Bujar Bukoshi propozoi futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.
Pyetjes për takimin Rugova-Millosheviç në 1 prill dhe shtrëngimin e duarve mes tyre kryeministri Bukoshi iu përgjigj se “mund të kishte manipulim të pamjeve të tij të sjella në televizionin serb”. Megjithatë shtoi se “në rast se janë të vërteta ato që ka deklaruar, ai nuk mund të njihet më si lideri i Kosovës”.
Madje Bujar Bukoshi theksoi se autoriteti i Ibrahim Rugovës me kohë kishte rënë dhe tani qe një asgjë.
Në 4 prill kryeministri italian Masimo D\'Alema ishte takuar në Vatikan me Kardinalin Anxhelo Sodano. E shoqëronte ministri i Jashtëm Lamberto Dini dhe nënsekretari kryeministror Marko Miniti. Ndërkaq Sodanon e shoqëronte edhe arqipeshkvi Zhan Lui Turan, i ngarkuar me politikën e jashtme të Selisë së Shenjtë.
Bisedimet mes dy palëve u zhvilluan për një orë (nga 10.00 deri 11.00).
Në komunikatën përfundimtare ra në sy deklarimi se \"Kryeministri D\'Alema dhe Kardinali Sodano janë të një mendimi që të mos lenë pa shfrytëzuar asnjë mundësi për të mbajtur hapur perspektivën e një zgjidhjeje diplomatike dhe me bisedime të konfliktit\".
Ndërsa kryeministri italian pati kryer këtë gjest, ministri i Jashtëm Lamberto Dini i kishte dhënë një intervistë gazetës \"Corriere della Sera\", në të cilën propozonte një \"bllokim total të Serbisë\". Fjalët e tij ishin: \"Dua të jem i qartë. Uroj që strategjia aktuale e NATO-s t\'ja dalë mbanë. Por në rast se kjo nuk ndodh në kohën më të shkurtër, rruga alternative me bombardimet do të jetë një bllokim i plotë, total kundër Serbisë, një izolim komplet i Beogradit nga pjesa tjetër e botës, bllokim i plotë i njerëzve dhe i furnizimeve, duke lejuar vetëm ushqimet”.
Më pas Dini tregonte se që nga Napoleon Bonoparti e deri tek Fidel Kastro kjo mënyrë presioni kishte dhënë rezultate. Ministri i Jashtëm italian këmbëngulte se idenë e tij do ta propozonte në mbledhjen më të afërt të Aleancës Atllantike të Veriut dhe se këtë bllokim total e konsideronte \"Kordon sanitar rreth Serbisë\". Megjithatë shtonte: \"Në çdo rast, e përsëris, Italia do të mbetet besnike e Aleancës. Në rast se NATO do të thotë jo, nuk do të bëhet\".
Një kuriozitet: Pyetjes \"Ju, ministër, disa herë jeni akuzuar si shumë filoserb. Idetë tuaja të reja mbase mund t\'ju kthejnë në një të akuzuar, ndërsa lufta është në vazhdim\", Lamberto Dini i përgjigjej \"Besoj se jo, sepse kordoni sanitar rreth Serbisë, në rast se arrihet të organizohet, do të jetë edhe një kordon në qafën e Millosheviçit”.
Në 5 prill kryeministri jugosllav Momir Bulatoviç i kishte dërguar një letër kryetarit të Komisionit Evropian, Romano Prodi, ku i kërkonte që të ndërhynte për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, ndryshe, kanoste ai, “do të ketë gjëra të paparashikuara jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën”.
Por në 5 prill, ditë kur për shkak të festës së Pashkëve Katolike kishte pasur pushim dhe për këtë arsye gazetat e revistat e radhës në Itali nuk kishin dalë, media televizive i çeli shumë vend një vizite që sapo kish bërë në Shqipëri kryeministri italian Masimo D’Alema.
Ai e kishte zgjedhur enkas këtë çast për të përcjellë tek shqiptarët jo luftanijet dhe avionët e pushtimit si Musolini, por paqtimin e gjendjes dhe çlirimin e Kosovës.
Pamjet televizive tregonin zbritjen e tij në portin e Durrësit, takimin e ngrohtë me kryeministrin shqiptar Pandeli Majko si edhe dy fragmente të shkurtëra të konferencës së shtypit të dy kryeministrave ndërthurur me pamje nga bisedimet. Po kështu u transmentua edhe një kronikë e shkurtër nga vizita e D\'Alemës në Kukës, në kampingun e çadrave të ngritura nga vullnetarët italianë.
Nga deklaratat e Masimo D\'Alemës këtë ditë Pashkësh Katolike media italiane spikati thirrjen që i bëri Millosheviçit të jepte një shenjë humanizmi, ndryshe nuk kishte si të mos vazhdonte aksioni i Aleancës së Atllantikut të Veriut. D’Alema gjeti rast që t’i kujtonte diktatorit serb që të paktën në 11 prill, Ditën e Pashkëve Ortodokse, të ishte ai nismëtari për të bërë gjestin e hapjes së një korridori humanitar për refugjatët në Kosovë. Kryeministri italian që nga Tirana i kujtoi presidentit jugosllav se në fund të fundit duhej të dëgjonte Papën, sepse ky ishte propozim i Vatikanit.
Në një çast të deklaratës së tij Masimo D’Alema theksoi se qeveritarët shqiptarë i kishin thënë se vetëm ndërhyrja e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë mund ta zgjidhte problemin, por ai personalisht këtë gjë nuk mund ta uronte e këshillonte. “Kjo do të ishte një përshkallëzim i konfliktit” theksoi.
Me sa duket, në një lojë të orkestruar jo vetëm nga Sllobodan Millosheviçi, këtë 5 prill 1999 Ibrahim Rugova kishte takuar në Prishtinë nënkryeministrin jugosllav Nikolla Shajnoviç. Me këtë rast lajmërohej se, sipas shtypit të Beogradit, kjo bisedë qe kryer me objektiv thellimin e mëtejshëm të ideve të diskutuara ne Beograd gjatë takimit Rugova-Millosheviç.
Në fund të takimit Ibrahim Rugova dhe Nikolla Shajnoviç patën shpërndarë për publik një komunikatë, sipas të cilës ishin të një mendjeje për të bashkëpunuar rreth gjetjes së një zgjidhjeje politike të krizës së Kosovës, madje edhe “për rikthimin e refugjatëve dhe të shpërngulurve në shtëpitë e tyre”.
Pas takimit kishte ndodhur edhe një rrethanë e veçantë: Rugova qe shprehur i interesuar për një vizitë të tij jashtë vendit, gjithnjë për të promovuar zgjidhjen me dialog. Pas kësaj deklarate kishte hyrë në komunikim agjencia ruse e lajmeve, INTERFAKS, e cila njoftonte se kjo vizitë e dëshiruar dhe e shpallur e presidentit të Kosovës do të bëhej në Moskë.
Ndërkohë Ibrahim Rugova pati përsëritur se “Beogradi duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare”. Po ashtu u kishte deklaruar gazetarëve që e pyesnin rreth takimit me Millosheviçin në 1 prill se “Kam qenë në Beograd, por nuk kam asnjë dëshirë të përzihem në lojrat gazetareske”.
Kjo, pak a shumë, ishte atmosfera kur u prononcua Leka Zogu dhe përfaqësuesi i tij ushtarak Hyllë Spahiu për ndihmën e vetme që kishin për Kosovën: ilaçe, ushqime, veshje. Në këto të fundit nuk bëhej fjalë fare për të paktën uniforma.
Kosova do të luftonte me ushtrinë e saj vullnetare UÇK, në mbështetje të saj edhe me armë tërë bota demokratike, derisa do të çlirohej, por në vijën e parë të llogoreve nuk do të kishte asnjë monarkist të frymëzuar nga Leka Zogu.
Por kjo është një histori më vete, shumë e trishtueshme dhe nuk është radha e saj në këtë cikël.
Veç meriton të jetë edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj po i hapim pak vend pikërisht asaj, duke iu referuar librit tim “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, të cilin e botova në 2007. Atëherë e pata mbaruar mandatin e shërbimit diplomatik në ambasadën tonë në Romë dhe isha rikthyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Libri i mësipërm rrëfen historinë e një koloneli shqiptar (në lirim), Dilaver Goxhai, i cili fillimisht me penë dhe pastaj me armë, shkoi në ndihmë të luftës çlirimtare të Kosovës me detyrë ndihmësin kryesor të shefit të Shtabit të UÇK-së.
Në shkrimin pasardhës, me pak fjalë përmbledhëse, do ta rrëfejmë se çfarë ndodhte në terren, në malet e Kosovës, pikërisht nga 1 prilli deri në datën gjashtë, kur i shtrënguar nga rrethanat e pengmarrjes në Prishtinë, por edhe nga doktrina e tij pacifiste, Ibrahim Rugova kërkonte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, kurse në mes të Parisit, ndërsa Franca qe e angazhuar fort në aksionin luftarak të Aleancës dhe njëzetë e katër orë për njëzetë e katër buçiste në mbështetje të këtij qëndrimi shkrimtari emërmadh Ismail Kadare, Leka Zogu mjaftohej me dërgimin e batanijeve dhe luste zgjidhjen paqësore me një diktator të provuar si antishqiptar.
Për ta njohur sadopak çfarë bëri bashkëkombësi i thjeshtë nga Tirana, koloneli Dilaver, lexuesit po i përcjellim këtë fragment nga libri: “Kur u largua nga pallati aq sa mund të përfshinte lehtas me vështrim dritaret e apartamentit të tij, Dilaver Goxhai ktheu edhe njëherë kokën. E përsëriti veprimin edhe kur mori kthesën e parë, pas të cilës rruga dhe shtëpia e tij nuk do të dukeshin më. Pikërisht aty e priste makina “Golf” me targa të huaja. Në timon ishte shoferi i komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylës.
Koloneli nuk e dinte pikën ku do të grumbulloheshin. Dinte vetëm vendin ku pat shkuar një javë më parë për të përzgjedhur veshmbathjet e luftës. Atë ditë bashkë me Hashim Thaçin kishte ardhur edhe Kadri Veseli, njeriu i shërbimit inteligjent të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë të fundit Dilaver Goxhai ishte njohur dy muaj më parë dhe pak nga pak ishin miqësuar. Kur Kadri Veselin e pa me Thaçin dhe kuptoi se edhe bashkëkombasi i shërbimit të fshehtë do të vinte me ta në luftë, koloneli u gëzua.
Tani që kishte hipur në veturën “Golf” dhe nuk e dinte ku do ta çonin, bazën logjistike ilegale të fshehur në një shtëpi njëkatëshe në lagjen “21 dhjetori” e kujtoi me endje. I kishte lënë një mbresë të përafërt me ato që provonte në depot e Ushtrisë Popullore, kur me shpejtësi, pasi kishin marrë urdhërin stërvitor luftarak, pajiseshin me armatim dhe kundërgaze.
Një javë më parë Dilaver Goxhai në magazinën e fshehtë zgjodhi pa shumë mundim uniformën e tij, por këpucë për vete nuk vuri re. Numurin e kembës e kishte tridhjetë e nënta, kurse aty thasët ishin plot me dimensionet që u përshtaten kosovarëve: dyzetë e tre e lart.
Nga kjo e papritur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në fillim u mërzitën pak, por më pas nisën të qeshnin. Tridhjetë e nënta ishte një numër këpuce për fëmijë. Ç’ishte ky zëvendësshef shtabi që kishin zgjedhur! Pastaj, pasi i liruan krahërorët nga shkulmet e gazit, i thanë kolonelit: “Nuk ka asnjë problem. Përderisa nuk gjetëm këtu këpucë për ty, andej nga do të ikim patjetër do të sigurojmë. Kemi në Krumë një bazë tjetër logjistike”. Më pas nuk vonuan dhe futën në një çantë shpine uniformën e përzgjedhur nga Dilaver Goxhai. E lanë mënjanë. Sqaruan se tashmë atë do ta merrnin kur të iknin. Ajo do të gjendej në rrugëkalimin e tyre, në një vend të caktuar brenda territorit shqiptar, jo shumë larg kufirit”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 28 maj 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|