|
RRUGËN PËR TEK MILLOSHEVIÇI IBRAHIM RUGOVËS JA MËSUAN AMERIKANËT
(Botuar në “Illyria” në 8 maj 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tetëmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Mënyra se si televizioni shtetëror serb në mesditën e 1 prillit 1999 pati trasmentuar lajmin e takimit Sllobodan Millosheviç-Ibrahim Rugova dukej si anormal, jashtë rregullit të përgjithshëm. Këtë në Romë e vuri re agjencia e lajmeve Adnkronos.
Ngjarja duhej të kryhej tërësisht dhe pastaj të shpërndahej për opinionin publik lajmi. Sepse në të, gjersa të mbyllej, mund të ndodhte çdo gjë.
Në rastin konkret Rugova mund të kryente një gjest mospranimi të pjesshëm, pse jo edhe refuzimi të plotë, ose mund të bënte çdo lloj kushtëzimi tjetër në favor të mbrojtjes jo vetëm të popullit të tij, i cili e kishte zgjedhur president, por edhe të theksimit të mbështetjes së tij për Perëndimin.
Por ndodhi diçka ndryshe, jo e zakonshme. Televizioni serb e trasmentoi takimin Millosheviç-Rugova kur ai qe ende në proces, në vijim, duke u zhvilluar. Bashkë me këto pamje televizioni shtetëror i Beogradit pohoi se midis dy palëve ishte arritur një “marrëveshje e plotë” për një zgjidhje politike të krizës së Kosovës.
Ishte grackë e Millosheviçit kjo lojë e faktit të kryer apo garanci e vërtetë e marrë prej bashkëbiseduesit që më parë?
Kemi pasur rast ta vëmë në dukje në shkrimet paraardhëse se atë që Ibrahim Rugova e deklaroi dhe e firmosi në 1 prill në Beograd e pati shpallur në konferencën e shkurtër për shtyp në mesditën e 31 marsit në Prishtinë.
Ndërkohë këtë hollësi agjencia Adnkronos e kujtoi dhe e theksoi psaçërisht në lajmin e saj të 1 prillit 1999. “Më përpara këtij njoftimi televizioni i shtetit jugosllav pati trasmetuar një deklaratë të Rugovës, në të cilën thuhej se që prej fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ai qe nën mbrojtjen e forcave serbe. Udhëheqësi i moderuar shqiptar, kryetar i partisë demokratike të Kosovës dhe njeriu kyç i marrëveshjes së Rambujesë, mëshonte lajmi, tha po ashtu se Rugova këmbënguli që duhet kërkuar për të ndaluar bombardimet dhe për të frenuar agresionin kundër shqiptarëve në Kosovë”.
Sipas asaj që në lajm u tha me fjalë, televizioni serb kishte theksuar një hollësi tjetër: se “presidenti jugosllav dhe udhëheqësi shqiptar kanë patur një bashkëbisedim gjatë majit të shkuar”.
Ky sipas burimeve të qeverisë së Beogradit, pati ndodhur në pallatin presidencial. Këtu, në këtë pjesë të telekronikës, menjëherë u futën pamje nga shtrëngimi i fortë i duarve midis Sllobodan Millosheviçit dhe Ibrahim Rugovës, por në të vërtetë ishte sekuencë telejamit të një moti më parë.
Ky i fundit, presidenti i Kosovës, theksonte agjencia gjermane e lajmeve, por që në Romë lajmin e kishte zotëruar edhe agjencia italiane Adnkronos, buzëqeshte ndërsa në qafë pati hedhur shallin e tij karakteristik.
Pastaj të dy qenë ulur nëpër kolltuqet e tyre për të biseduar dhe këtu telekronika qe mbyllur.
Duke i përzjerë të dy lajmet në një mënyrë që të bëheshin një, pra rit zyrtar i zakonshëm dhe i rregullt mes dy palëve, në mesditën e 1 prillit 1999 televizioni i Serbisë dhe njëkohësisht i Jugosllavisë së mbetur nga shpërbërja pas rënies së lindjes ish-komuniste, po bënte një lojë shumë tinzare.
Sllobodan Millosheviçi po e frynte ngjarjen e takimit të tij me Ibrahim Rugovën dhe para opinionit ndërkombëtar e vetë Perëndimit po e shiste si provë që ishte vazhdimisht për dialog dhe marrëveshje. Për opinionin vendas sigurisht po e tregtonte si sukses të madh të tij.
Po ku donte të dilte ai në përdorimin cinik që po i bënte natyrës dhe sjelljes pacifiste të presidentit të Kosovës, rrethanave të vendosjes së tij në shtrëngim fizik dhe në mbajtje peng?
Sllobodan Millosheviçi donte t’i bënte të njëllojta dy takimet e me Ibrahim Rugovën dhe t’u kujtonte atyre që e kishin memorien aktive, se në majin e vitit të shkuar qenë amerikanët shtytësit që të dy të shtrëngonin duart. Madje ishte frymëzues i gjithë Perëndimi.
Por ngjashmëria e të dy rasteve qe krejtësisht e munguar.
Shkruan Adnan Merovci në librin e tij “Në hap me Rugovën”: “Me përgjegjësi morale dhe njerëzore konfirmoj se RUGOVA në jetën e tij përveç në Tribunalin e Hagës, tri herë ka takuar MILLOSHEVIQIN. Të tri takimet kanë ndodhur pa iniciativë, pa planifikim dhe pa vullnet të RUGOVËS”.
Më pas saktëson: “I pari ka ndodhur në 15 maj 1998, i iniciuar nga amerikanët përmes Ambasadës së tyre në Beograd. Ishte ambasadori HOLLBRUK ai që kishte qenë promotor i këtij takimi”.
Më tej: “Kryetarin në këtë takim e shoqëruan edhe Fehmi AGANI. Mahmut BAKALLI, Pajazit NUSHI dhe Veton SURROI. Ishte ky takim më shumë një “Show Up” dhe gjest që amerikanët donin ta përdornin më vonë si alibi për ta justifikuar ashpërsimin e qëndrimit ndaj MILLOSHEVIQIT, përndryshe të gjithë e dinin se nga ky takim s’do të kishte asgjë. I ndodhur në një situatë të tillë RUGOVA nuk kishte argumente politike ta kundërshtonte këtë gjest pak a shumë diplomatik të sponsorizuar nga amerikanët”.
Adnan Merovci fillon e tregon hollësi të kësaj ngjarjeje: “Nga Prishtina për në Beograd udhëtuam me tri vetura. Nga Ambasada Amerikane në Beograd kërkova ndihmë për përcjellje dhe garanci për sigurinë tonë gjatë udhëtimit. Përgjigja ishte se takimi në vete përmban edhe komponentin e sigurisë sonë gjatë udhëtimit.
Fillimisht shkuam në lokalet e Ambasadës Amerikane, ku pritëm deri në terminin e caktuar për takim. Kryetari i ndodhur në ambjente ku pirja e duhanit është strikt e ndaluar, më thirri të dalim për një xhiro në kopshtin e madh të Ambasadës që të ndizte një cigare. Të kota ishin përpjekjet e mia që këtë rast mos ta filmonin gazetarët e shumtë, të cilët me objektivat e tyre mund të diktonin edhe llojin e cigareve që përdorte Kryetari. Të nesërmen mediat komentonin pirjen e duhanit të Kryetarit në kopshtin e Ambasadës Amerikane.
Duke e ndjekur pa e ndërprerë rrëfimin e Adnan Merovcit, ai rrjedh lirshëm dhe në mënyrë të sinqertë kështu: “Nga Ambasada u nisëm me përcjellje të një makine nga policia sërbe deri në “Beli Dvor” (Pallati i Bardhë) ku e kishte zyrën MILLOSHEVIQI. Ishin këto momente kur tekstualisht në asnjë mënyrë nuk mund të përshkruhej ndjenja e cila ishte shumë heterogjene.
Takimi zgjati rreth 1 orë. Unë rrija në një holl me disa njerëz nga personeli i zyrës së protokollit dhe të sigurisë së MILLOSHEVIQIT. Gjatë kësaj kohe ndenja jashtë takimit me persona prej të cilëve edhe Senta, që ishte truprojë e MILLOSHEVIQIT”.
Duke e kapërcyer një paragraf të gjatë që nuk ka shumë kumt për rrethanat e rëndësishme të temës së takimit të parë mes dy protagonistëve të mësipërm, dëshmia e Merovcit vijon: “Pas njp ore u shfaqën Kryetari dhe të tjerët. U përshëndetën me MILLOSHEVIQIN, fytyrën e të cilit po e shihja “live” për herë të parë në jetë.
“Përzemërsia” e MILLOSHEVIQIT në përshendetje me AGANIN ishte e theksuar. Thashë me vete: “E more Profesor, ky me të mujtë ta hjekë kokën”.
Rrugës ia kam thënë Profës se në përshendetje e kam kuptuar se MILLOSHEVIQI të ka halë në sy. Profa me humorin e saj më tha: “E Adnan, më mirë të jesh halë se mish për të”.
Sikur ta dinim se tamam pas një viti do ta vriste në mënyrën më barbare”.
Duke e mbyllur rrëfimin e këtij episodi bashkëpunëtori i ngushtë i Ibrahim Rugovës shkruan: “Pas këtij takimi u mbajt një konferencë për media, për të cilën pati shumë interesim”.
Pastaj Merovci shpjegon: “Në sekuencat televizive, ku RUGOVA me të tjerët kishin qeshur, kuptuam se kjo kishte qenë rasti kur MILLOSHEVIQI i kishte thënë BAKALLIT se e njeh këtë shtëpi (Beli Dvor), më mirë nga vetë ai nga koha e Titos”.
Për këtë takim të parë Millosheviç-Rugova ne e kishim informuar Ministrinë e Jashtme në Tiranë me të gjitha hollësitë e përhapura për të nga media italiane. Kjo ngjarje ishte paralajmëruar që në 14 maj 1998. “La Stampa\" në faqen 7 të edicionit të saj rë kësaj dite pati botuar shkrimin e Ingrid Badurinës \"Kosovë, mrekullia e dytë e Holbrooke\". Mbititulli qe “Asnjë parakusht, jane fiksuar takimet e reja. Lamberto Dini: Diplomacia jep frute\". Nëntitulli: \"Nesër një takim midis Millosheviçit dhe shqiptarit Rugova\".
Në të vihej në dukje se dy presidentët, ai jugosllav dhe i Kosovës, do të takoheshin të premten, më 15 maj dhe se kjo qe arritur pas pesë ditësh vajtje-ardhjesh të të dërguarit amerikan mes Prishtinës dhe Beogradit. \"Bëhet fjalë për një hap të parë drejt zgjidhjes politike të krizës në Kosovë”, theksonte “La Stampa”. Pastaj vinte në dukje fjalët e Holbrooke se “Takimi do të zhvillohet pa kushte. Qëllimi i tij është të çelë dialogun mes Millosheviçit dhe Rugovës”.
Më pas shkrimi informonte lexuesin italian se shefi i Partisë Parlamentare të Kosovës, Adem Demaçi, nuk e besonte që pas këtij takimi tensioni në rajon do të pakësohej. “La Stampa” nënvizonte se “Si Demaçi ashtu edhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë në Kosovë mbetën të shtangur që Rugova, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka shkuar ndërmend të takojë Millosheviçin. Aq më tepër që as u bë fjalë fare për një ndërmjetësim ndërkombëtar, për të cilën deri tani shqiptarët kanë kërkuar si kusht për të çelur bisedimet. “Takim është i imponuar si për Rugovën ashtu edhe për Millosheviçin\" tha Katjusha Jashari, udhëheqëse e Partisé Socialdemokrate\".
E përditshmja tjetër e madhe italiane “Corriere della Sera” në 15 maj publikonte shkrimin “Kosovë, mbledhje Millosheviç-Rugova\". Mbititulli i saj ravijëzonte një detaj: “Suksesi i superndërmjetësit Holbrooke largon hipotezën e ndërhyrjes së NATO-s. \"Por shqiptarët rikërkojnë pavarësinë\", theksonte në vijim nëntitulli, “Presidenti serb u dorëzohet presioneve amerikane dhe pranon të takojë udhëheqësin e revoltës\".
Sipas “Corriere della Sera”, “Lajmi ka bërë të duartrokasin të gjithë të fuqishmit e botës, që nga Klintoni tek Jelcini, nga Kohli tek udhëheqësit e tjere europianë, sepse po përgatiteshin për më keq\". “Në mbledhjen e NATO-s, nënvizonte gazeta italiane, ku po shqyrtonin të gjitha opcionet e zgjidhjes së Kosovës, përfshi edhe atë ushtarake, me të dëgjuar lajmin e ri morën frymë thellë edhe pse problemi është ende larg zgjidhjes\".
“Por në Kosovë, vinte në dukje “Corriere della Sera”, nuk ka gëzim. Udhëheqësi radikal Adem Demaçi ka folur për “kapitullim” dhe ka këmbëngulur për pavarësinë. Ka të tjerë që betohen se Rugova do të shkojë në takim pa kërkuar pavarësinë e Kosovës”.
Sipas gazetës komuniste “Il Manifesto”, “Pastaj janë e kënaqur edhe qeveria e Tiranës, sipas të cilës takimi i nesërm në Beograd \"hap rrugën për një zgjidhje të konfliktit të Kosovës nëpërmjet dialogut dhe mjeteve paqësore\".
Në 15 maj, ditën e takimit, interesimi i medias televizive italiane ishte në rritje dhe në mëngjesin e të nesërmes, 16 maj, në një bum të vërtetë.
Sipas “Corriere della Sera”, “Televizioni i Beogradit qëndroi për shumë kohë në pamjen e takimit, ku të dy, Millosheviçi dhe Rugova, përshendetnin përzemërsisht njëri-tjetrin, madje duke buzëqeshur. Edhe pse njëri nga njerëzit që bënin pjesë në delegacionin e Rugovës, Veton Surroi, në fund të takimit ka tërhequr vëmendjen mbi “euforinë e tepërt, sepse edhe divergjencat e të dy palëve janë shumë të thella”.
Sipas \"La Stampa\" (sërish autor gazetari i saj i dërguar në Beograd, Ingrid Badurina, “Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia më e madhe shqiptare, i kërkoi presidentit jugosllav pavarësinë e rajonit. Millosheviçi ishte gati të bisedonte vetëm për autonomi të kufizuar”. Gazeta nënvizonte se me këtë rast “Ushtria Çlirimtare e Kosovës që dje deklaroi se nuk e konsideron të vlefshëm asnjë bisedim në të cilin ajo nuk merr pjesë\".
“La Stampa” theksonte se “Rugova shkoi drejt për drejt në ambasadën amerikane të kryeqytetit jugosllav. gjest ky i qartë për të bërë të kuptohet që SHBA i kanë dhënë garanci të plota për angazhimin e tyre në zgjidhjen e krizës”.
Shtypi italian i mëngjesit të 16 majit nuk harronte të spikaste edhe disa detaje të tjera: \"Asnjë buzëqeshje, vetëm një shtrëngim i ftohtë duarsh, por një rezultat politik shumë i rëndësishëm pas tre muajsh betejash dhe atentatesh që kushtuan jetën e 150 njerëzve\"; “Mbledhja e Beogradit paraqet pa dyshim një sukses të politikës së forcës (Task Force) ballkanike të Shteteve të Bashkuara”; Sipas “Il Manifesto”, “Kriza e Kosovës, takimi Millosheviç-Rugova. Dhe NATO \"vëzhgon\" nga Shqipëria\", \"Një shtrëngim i pabesueshëm duarsh midis Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviçit në takimin e djeshëm\".
Të tjera: “Me të mbaruar bisedimet Rugova takoi ambasadorët në Beograd të vendeve të Grupit të Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Italia), duke i siguruar se \"edhe pse qendroi në pozicionin e kosovarëve për pavarësi\" takimi ballë për ballë me Millosheviçin u zhvillua \"në një atmosferë shumë pozitive\". Millosheviçi, tha ai. \"më ngjau i sinqertë\" dhe jemi dakort \"mbi faktin se duhet të neutralizohet dhuna në provincë...\".
Ja edhe diçka interesante nga çfarë raportonte “Il Manifesto”, duke theksuar se nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte më pak euforik se shefi i tij, më mosbesues se Sllobodan Millosheviçi qe person i sinqertë: “Më i matur këshilltari i tij Fehmi Agani...”
Ja pse që në 15 maj 1998, nga mënyra se si Millosheviçi u soll “shumë përzemërsisht” me profesor Aganin specialisti i sigurive fizike Adnan Merovci parandjeu dhe kuptoi se presidenti jugosllav synonte eliminimin e tij.
Kështu edhe ndodhi. Si të gjithë të pabesët priti një vit të tërë sa e ndihmuan rrethanat ta kryente krimin e tij.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 7 maj 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|