|
SI NDODHI QË NUK MUNDA T’I THEM HAVIER SOLANËS “FALEMINDERIT ÇFARË BËTË PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS!”
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i nëntëmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Shpallja publike e Aleancës Atllantike të Veriut se në mbrojtje të popullit kosovar jo do t’i zbuste por do t’i intensifikonte sulmet ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur dhe sidomos Serbisë, duke përfshirë edhye ditën e festës së Pashkëve Ortodokse dhe depërtuar deri në objekte në mes të Beogradit, ndërsa krijoi një pështjellim të madh tek Sllobodan Millosheviçi, vuri në lëvizje frenetike gjithë përkrahësit e qëndrimit të tij nëpër kontinent e më tej.
Më së pari rusët.
Këta intensifikuan diplomacinë, por hodhën në veprim edhe tetë anije lufte, të cilat në gjendje gatishmërie në 1 prill 1999 ende ndodheshin në portin e Sevastopolit, por shumë shpejt do të kapërcenin ngushticën e Bosforit dhe do të hynin në Detin Mesdhe “për të kontrolluar aksionet e NATO-s dhe ruajtur sigurinë e Rusisë”.
Kësaj teme do t’i rikthehemi gjatë paraqitjes së këtij shkrimi dhe në pasardhësin, por një çast do të qëndrojmë në një karakteristikë tjetër të ngjarjeve. Ato kryen disa spikatje më të thekshme për disa protagonistë të tyre. Kishte një javë që kishin nisur bombardimet e NATO-s dhe gjithçka dukej si një erë tjetër e zhvillimit të historisë së botës. Përjetoheshin efektet e një revolucioni të madh, ku disa emra kthehen kokëposhtë e të tjerë ngriheshin lart, si sfinkse.
Në këtë profil të ri dukshmërie të Ballkanit dhe të Evropës 31 marsi dhe 1 prilli qenë nga më intensivet e tërë luftës së Kosovës.
Nuk e kemi fjalën për Ibrahim Rugovën, përmasat e të cilit, edhe pse mes shumë diskutimesh pro dhe kundër, u lartuan shumë dhe u bë emri i ditës. Nuk duam po ashtu të rikujtojmë posaçërisht se në mesditën e 31 marsit ai mbajti një konferencë të shkurtër e të shpejtë për shtyp. Në mëngjesin e asaj dite siç për Fehmi Aganin, Rexhep Qosen dhe Adem Demaçin, qenë përhapur fjalë se ishte vrarë edhe Rugova.
Madje këtë pasaktësi e kish ndihur të përhapej edhe vetë Aleanca Atllantike e Veriut.
Duke e theksuar se 31 mars-1 prill 1999 ishte një nga kulmimet e spikatjes protagoniste të disa personazheve të rinj të politikës, sigurisht nuk e kemi fjalën edhe për takimin e presidentit të Kosovës me Sllobodan Millosheviçin në pallatin e tij të pushtetit, në “Beli Dvor”.
Vëmendjen do ta përqendrojmë në një emër tjetër, i cili u vetëndriçua fuqishëm me lëshimin e një deklarate tërmetore që nga Brukseli, por të cilës fuqi mediatike i dhanë menjëherë televizionet dhe gazetat amerikane: shefin politik të NATO-s, Havier Solanën.
Kësaj here doli gjithnjë e më e qartë se ishte socialist.
Mjaft teleshikues italianë këtë gjë e mësonin për herë të parë. Në historinë e vendit të tyre socialistët italianë që prej fillimit të shekullit, kur edhe u krijuan dhe nisën të vepronin, njiheshin si pacifistë të paepur, si të përkushtuar tërësisht kundër luftës. Në motin 1920 ata ia kishin dalë, me anë protestash të fuqishme, të pengonin luftën e ushtrisë italiane në Vlorë dhe të qenë, pas rolit historik të rezistencës së armatosur të shqiptarëve, një ndër faktorët e rëndësishëm të ikjes së shpartalluar të saj.
Nuk mbaj mend që ky fakt, pra që Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atllantike qe një i majtë politikisht, të tërhiqte vëmendjen e shtypit të Tiranës, por mbase ndonjë theksim periferik i qe bërë dhe që prej Romës, edhe pse disa gazeta nga Ministria e Jashtme na vinin rregulisht të vonuara me ditë, këtë gjë nuk e kishim diktuar.
Veç italianët në 31 mars nuk e humbën rastin ta nxirrnin në pah këtë çudi: pra eurosocialistin “luftënxitës”.
Gazetat e tyre në 1 prill 1999 i referoheshin kryesisht “The News York Times\". Aty, që në titull, ishte shkruar emri i tij i plotë: Javier Solana Madariaga.
Titulli i bujshëm: “Nga armik i NATO-s në shef i saj”.
Historia e karrierës së tij të habitshme, të kthyer përmbys dhe tashmë për shkak të ngjarjeve të Kosovës të hyrë në historinë botërore, përputhej edhe me një element tjetër favorizues për spikatje.
NATO ishte me moshë jubilare: 50-vjeçare.
Kështu ishin takuar të dy pjesët me “neutron” mediatik për të realizuar “shpërthimin” e publicitetit të hovshëm.
Duhet thënë (midis nesh) se kjo autorin e këtij cikli shkrimesh e ngazëllente, sepse thellë zemrës dhe ndërgjegjes së tij ai e adhuronte Solanën.
E kishte zgjedhur simbolin e eurosocialistit demokrat, atij që Enver Hoxha në librin e vet “Eurosocializmi është antikomunizëm” e kishte vënë në shenjë si armikun më të madh ideologjik , pikërisht sepse e vërteta qe ndryshe.
Por me sa duket Havier Solana kishte mjaft cilësi që e bënin tërheqës edhe për dhjetra milionë qytetarë të Evropës dhe të krejt botës. Dukej sikur kjo joshje e figurës së tij gjatë fushatës së sulmeve ajrore kundër objekteve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur ishte zgjedhja më inteligjente për ta pranuar dhe mbështetur këtë eurosocialist në një luftë të vërtetë me armë, të cilën krahu luftarak i Perëndimit, por e kryente kundër një komunisti të shndërruar në diktator, siç qe Sllobodan Millosheviçi.
Kështu në 31 mars 1999 dhe veçanërisht në 1 prill, nëpër gazeta dhe televizione buçitën shkrimet dhe rrëfimet, për biografinë e këtij 56 vjeçari me fytyrë shumë simpatike, thua qe një poet apo aktor filmi. “The News York Times\" dhe pas saj disa nga të përditshmet kryesore italiane, nuk linin të harrohej se kur Solana kishte qenë një djalë i ri i Partisë Socialiste Spanjolle, në fillim të viteve 80-të, i qe kundërvënë me manifestime të mëdha proteste hyrjes së vendit të tij në Aleancën Atllantike të Veriut.
Pati lindur në Madrid në 14 korrik 1942, kur vendi i tij gjendej nën diktaturën fashiste të gjeneralisimit Françisko Franko. Me PSS ishte bashkuar në 1964, në kushte ilegaliteti të plotë. Pjesëmarrjen në luftën politike e kishte paguar më pas me dëbimin nga universiteti.
Por ky tip politik me fytyrë artisti ishte diplomuar për fizikë, madje edhe pati marrë një gradë shkencore. Këto studime i kishte kryer në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Universitetit të Virxhinias. Pas kësaj, në 1974, u bë profesor fizike në Universitetin Komplutense në Madrid.
Këto i thoshin të përditshmet italiane masivisht në mëngjesin e 1 prillit 1999. Ato këmbëngulnin se fizikantin Havier Solanën ende vazhdonte politika ta tërhiqte më shumë dhe qe ajo, e cila e pati afruar tek historia, shndërrimi në një figurë botërore. Megjithatë me këtë rast, kur e pyesnin për bindjet e tij politike, ai pohonte se ndihej socialdemokrat. Emërtimin “socialist” nuk e kish me qejf.
Kur këtë hollësi të fundit të pikëpamjeve të tij e mësova për herë të parë në atë ditë të 1 prillit 1999, u emocionova shumë. Nuk e prisja këtë ngjashmëri. Katër vite më parë, në 12 mars 1996, ku disa rrethana të luftës së brendshme politike kishin sjellë arrestimin tim me rrëmbim nga SHIK me duart e Policisë Kriminale, si edhe një burgim politik të shkurtër për trembëdhjetë ditë, në sallën e gjyqit, ku po atë seancë më liruan, pata ripërsëritur atë që kisha shkruar më parë: “Jam socialdemokrat”.
Atëherë bëja pjesë në Partinë Socialiste Shqiptare dhe kush më emërtonte si “socialist” më bezdiste për shkak të kujtimit të rëndë që kjo fjalë pati lënë gjatë gjysmëshekullit të Diktaturës së Proletariatit.
Gazetarit të “The News York Times” Havier Solana Madariaga i qe përgjigjur në një rast se “Jeta dhe vetë furtuna e jetës e kishte hedhur në vende pune as të menduara ndonjëherë më parë”.
“Unë jam evropian, i pati thënë, vij prej një vendi i cili ka vuajtur shumë prej luftës civile” dhe kishte shtuar se pikërisht për këtë arsye ndjente dhimbje tek shihte këto turma dhe kollona të mëdha civilësh shqiptarë të Kosovës që shpërnguleshin prej trojeve të tyre. “Ata shtypen, prandaj edhe ikin” pati saktësuar mendimin e solidaritetit të vet me kosovarët, Solana. “Duhet ta themi me plot gojën, këmbëngulte ai, se nuk mund të jetojmë në Evropë me persona që në fund të shekullit të 20-të sillen me këtë mënyrë”.
“Jam ndjerë keq, vijonte më tej, kur duke u marrë me Ballkanin, kam ndeshur atje në udhëheqës me kokën e kthyer nga e shkuara dhe jo drejt të ardhmes”.
Havier Solanës në cilësinë e porsamarrë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, para se të ndodhnin ngjarjet e Kosovës, i ishte dashur të dërgonte në Bosnjë 60.000 ushtarë paqeruajtës.
“The News York Times” dhe pas saj gazetat kryesore italiane të 1 prillit 1999 i spikatnin edhe jetën personale. E shoqja, Koncepcion Gimenez, si edhe vajza Vega dhe djali Diego, jetonin në Madrid dhe Solanës çdo fundjavë apo edhe pas dy javësh i duhej të udhëtonte për atje që nga Brukseli, më saktë nga rrethinat e tij, ku edhe ndodhej selia e NATO-a dhe në katin e parë të saj zyra e tij, ku jo pa mund përpiqej të bënte të një mendjeje 19 anëtarët e saj.
Siç Havier Solana, ky Kosovë dashës i madh për të cilin në ato troje, në Prishtinë apo kudo tjetër qytet e kënd të saj, nuk ka, me sa dimë, ndonjë bust të tij, nuk e kish menduar kurrë se mund të bëhej një mandat ministër i Jashtëm i vendit të tij, por kurrë drejtues politik i aleancës më të madhe ushtarake të Perëndimit, këtë befasi do ta provoja edhe unë.
Në fillim të qershorit 1999 (ndoshta data nëntë) Solana pasdite do të vinte në Romë dhe fati do të më “buzëqeshte”. Bashkë me takimet zyrtare, ku si përfaqësues i shtypit në Ambasadën Shqiptare në Romë, madje për shkak të protokollit të ngushtë edhe vetë Ambasadori, nuk mund të shkonim, ndodhi çudia. Kryeministri italian Masimo D’Alema njoftoi se bashkë me Havier Solanën, ashtu si fillimisht pati vepruar me Ibrahim Rugovën, do të bënte një konferencë të madhe shtypi.
Kështu m’u hap rruga për ta parë nga afër të adhuruarin tim politik.
Konferenca u bë në godinën e qeverisë, Pallatin Kixhi, dhe zgjati gati një orë e gjysmë. D’Alema e çeli në italisht dhe tha fjalë shumë të bukura e të sinqerta për Solanën, sidomos për luftën e tij të ndërlikuar për ta mbajtur të bashkuar NATO-n dhe 19 protagonistët e saj dhe çuar deri në fund aksionin ushtarak ndaj Sllobodan Millosheviçit.
Pas tij me një anglishte shumë të rrjedhshme, por me pak akcent spanjoll, nisi të flasë Havier Solana. Në këtë gjuhë vijoi tërë konferenca e shtypit. Edhe pyetjet e gazetarëve u kryen në anglisht.
Kur ajo përfundoi dhe rregulli e donte që D’Alema me Solanën të largoheshin, ata ndenjën në sallë për disa minuta. Kryeministri italian qëndroi në tribunë i rrethuar nga gazetarët, të cilët e intervistonin njëri pas tjetrit.
Për Havier Solanën asnjë prej tyre nuk u kujtua.
Mbase kishin një arsye: atë ditë sapo kishin shpërthyer festime në Beograd, sepse qe përhapur lajmi i përfundimit të luftës dhe i largimit nga Kosova, për t’u kthyer në Serbi, i trupave policore dhe madje ushtarake.
Pra lufta kishte mbaruar dhe Solana nuk ish më “mbreti” i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme. Po ashtu atë ditë qe përhapur lajmi se ai do të largohej nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për të marrë postin e shefit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian.
Pra i adhuruari im ishte në rrethana të pezullta.
Kështu ai, ndërsa Masimo D’Alema vijonte të jepte intervista, mori fillikat shkallët e lehta të ngjitjes nëpër sallën me pjesën e mbetur të gazetarëve, sepse shumica tashmë qenë larguar. Dukej sikur kërkonte dikë për të shkëmbyer dy fjalë. Me siguri ai nuk e dinte që mes njerëzve të shtypit kishte hyrë edhe një diplomat shqiptar, madje ky jo vetëm autor librash që do të linte çdo projekt botimi për një shumëfaqësh për të, por edhe që e kishte fshehtas dhe pa ja pohuar kurrkujt, një të adhuruar politik.
Ky diplomat modest, në atdheun e vet kishte luftuar për komunizmin dhe socializmin sipas një modeli dhe doktrine të gabuar, kurse në të vërtetë duhej të ishte frymëzuar prej ideve të Havier Solanës dhe shokëve të tij nëpër Evropën Perëndimore.
Pa shih! Unë ngela pa gojë. Po ndodhte mrekullia.
Solana kishte zgjedhur të ecte shpenguar dhe vetmitar në atë mesore të sallës, nga dy që ajo kishte, e cila po e afronte drejt meje.
Ai kalonte ngadalë dhe për trishtimin tim asnjë prej pjesëmarrësve të mbetur nuk gjeti shtytjen për ta takuar një çast, qoftë edhe sa për t’i shtrënguar dorën.
E vendosa: në rast se Havier Solana do të bariste deri tek unë, për hir të përkatësisë kombëtare dhe të detyrës shtetërore, duhej ta takoja.
Fati në fund të fundit ato çaste në Romë më kish rënë mua!
Vendimin për ta kryer këtë gjest po ma lehtësonte edhe vetë Solana. Ma nguli vështrimin dhe buzëqeshi. Me siguri e kishte lexuar në fytyrën time shenjën e qartë që e çmoja dhe e doja shumë. Edhe pse ishim pothuaj moshatarë. Unë 51 dhe ai 56 vjeç.
Shiheshim ndër sy sikur thua qemë dy të dashuruar!
Kur distanca mes nesh u bë një metër dhe mjaftonte madje edhe të përqafoheshim, unë u mpiva. U ngurrosa. Nuk komandoja dot asnjë gjymtyrë.
Një kaos fjalësh të ndërlikuara me formula diplomatike, të zgjedhura aty për aty dhe që më kërcyen të pafre në kokë e zbritën rrëmujshëm në majë të gjuhës, për t’ia thënë të gjitha, u bënë edhe më shumë lëmsh.
I vetmi gjest që ja dola: i buzëqesha edhe më gëzueshëm, me shumë venerim, pothuaj si nxënës gjimnazi.
Buzëqeshi fort edhe ai.
Priti një çast një të shndërruar papritur në ngathësirë, mos nxirrja një fjalë e zgjasja dorën, pastaj pa e hequr buzagazin, u kthye të zbriste pjerrësinë e mesores e të shkonte atje ku ndodhej kryeministri italian.
Si i tërhequr me magnet, Solana m’u duk sikur pati ardhur vetëm drejt meje?
Kështu e humba marrëzisht rastin e fatin t’i thosha me fjalë, madje solemnisht, atë që çdo bashkëkombës e kish në zemër: Faleminderit zoti Havier Solana për atë që bëtë për shqiptarët e Kosovës!
Pse ngjau kjo? Enigma për ta shpjeguar paralizën time fizike dhe mendore, këtë bllëkaut të pak sekondave, më ka munduar tërë vitet e mëpasshme, duke e mbajtur këtë ngjarje në njërën prej të pathënave të jetës time. Për këtë në më të shumtën e herëve fajësoj ndjenjën ngulçuese të neverisë që kam për ata të cilët përfitojnë t’i afrohen me çdo përrulje një personi shumë të njohur. Ndërkaq unë nuk e kam ulur kurrë kokën. Ndonjëherë më duket se vetëbllokimi ndodhi automatikisht prej trurit tim, i cili nuk qe dakord me zemrën, sepse e dinte që anglishtja ime krahasuar me atë shumë të rrjedhshme të socialistit të shquar spanjoll dhe evropian, ishte si e një bëlbacuku.
Por gabimi ndodhi, duke m’u shndërruar në peng.
Derisa erdhi ky çast i 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe vendi në të cilin u rrëfeva qe “Illyria”, për mua gazeta-altar, ku besoj sekrete të mira.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 14 maj 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|