Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
“Komunizmi, siç e pashë”


“Komunizmi, siç e pashë”

224 faqe. Botim i Botart, Tiranë maj 2019

Dy fragmente prezantues nga fillimi dhe mbarimi i librit.

.....
15 prill 1965

Tani ora duhet të jetë afër 11.30 e natës. Lexova “Leninin” dhe u mundova të përqendroj vëmendjen atje, por sukses të madh nuk arrita dot në këtë drejtim. Më mbysin mendime të tjera.
Kam ndërmend të shkruaj një novelë satirike për të ironizuar tipin mikroborgjez modern të kohës sonë...
Tani do të lexoj pak “Proza antike greke”. Më duhet të studjoj lashtësinë që të përpij mënyrën e të pasqyruarit artistik të heronjve dhe ambjenteve (pluhurosur, sigurisht, me thërrime modernizmi).

18 prill

Dje më kthyen vëllimin me poezi “Fllad” që kisha dërguar për ta botuar. Ata kërkojnë që ta daktilografoj. Me siguri ata e kanë lexuar, por për të mos lodhur daktilografistet e tyre, që të merren me punë të tjera, e bënë këtë. Sa mirë do të ishte të gjej një të tillë!
Bela!
Më duhet që ta kem gati para 1 Majit, që këtë ditë të vete vet në Tiranë. Besoj se ky vëllim do të dalë i mirë.
Akrepat thonë 10 e gjysëm. Natën e mirë!

20 prill

Është natë vonë. Nuk mund ta them me siguri, por ora duhet të jetë 2. Ndjej pak nxehtësi në kraharor dhe një ngatërresë në kokë. Jashtë era fryn herë me vrull dhe herë bredh lehtë midis pemëve gjelbëroshe, rrugëve të fjetura në shkëlqimin e lakmueshëm të dritave neon dhe shtëpive të zhytura në paqen e harrimit e të shplodhjes.
Radio po më qeras me një muzikë të bukur.
Sot nuk vajta në shkollë për një arsye fare të kotë: se s’desha.
Kjo gjë sa më hidhëron, aq edhe më frikëson...
Tani sapo mbarova studimin mbi “Materializmin naiv dhe dialektikën spontane të lashtë si dhe për idealizimin e lashtë”.
Më përpara kësaj lexova “Aventurat e gjarpërit me pendë” të Pjer Gamares. Më pëlqeu shumë. Ai e mban gjithnjë ngritur interesin dhe fantazinë e lexuesit. Gjuha është e mirë (megjithëse kjo varet nga përkthyesit).

22 prill

Sot bisedova me profesorin e letërsisë, Luan Myftiu, për disa gjëra të letërsisë. I shfaqa mendimin tim për krijimin e novelës humoristike “Ka krimba të tillë” dhe i tregova shkurtimisht si do të shtjelloj veprën. Ai në fillim u entuziazmua dhe pastaj tregoi se mund të ish interesante.
Sa i thjeshtë është ai njeri dhe sa e pamëshirshme është të ndrydhet talenti i tij për faj të një të kaluare të hidhur! Ndoshta thjeshtësinë, çiltërsinë dhe padjallëzinë e tij unë s’do ta kem kurrë. Ai studjon, punon shumë....
Në këto çaste dua t’i thurr një hymn të madhërishëm, një apoteozë!
Mua më duhet të lëviz, të dal, të jetoj.
Dëgjo Ylli! Mundohu të mbysësh krimbin e demoralizimit dhe çdo gjë çmoje ashtu siç është dhe mos e mbivleftëso!


......
9 shkurt 1991

Oli Konomi, veprimtare e Gruas dhe anëtare e PPSH-së, pas leximit të shkrimit tim në “Kushtrimi” për Festim Këlcyrën me shumë fëmijë e në gjendje ekonomike shumë të varfër, po përpiqet në fshehtësi dhe pa i rënë në sy ta ndihmojë. Për shëmbull, një herë i hodhi në ballkon një bluzë fëmije. Priti një a dy ditë mos e kishin marrë a vjedhur të tjerët, por ia pa djalit të vogël veshur në trup. Një ditë tjetër pa që Festimi po çante një dru. Në darkë mori një krah nga drutë e saj dhe ja vuri para derës së hyrjes. Trokiti dhe iku me vrap. Kur dolën njerëz nga shtëpia e Festimit, ajo kishte ikur.

Partia Demokratike po bën protestë për telefonat. Ka marrë numrin 889, por Posta ia solli aparatin me ngjyrë të kuqe në rozë. Ashtu i kanë në magazinë. Ata të PD-së ia kërkuan jeshil.

11 prill

Kanë qënë muaj të tendosur të fushatës elektorale, prandaj edhe nuk kam shënuar në ditar. Kandidate për deputete në emër të PPSH-së dhe të Organizatës së Gruas qe edhe ime shoqe, Bardha. Fitoi në raundin e parë, 31 mars (me 48.5% të votave, kundrejt 46.3% kandidati i PD-së). Humbi në të dytin, balotazh, më 7 prill.
Fakt: Prej ditësh një beratas i bashkuar me Partinë Demokratike ushqen e mban pëllumba mu në mes të bulevardit të qytetit, tek ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv. Kjo është një mrekulli politike e shoqërore bashkë.
Është spektakli më i mahnitshëm i Beratit.

Në fletët e votimit të qytetit njëri kishte shkruar “Poshtë PPSH!”, “Të fitojë PD e PR!” Diku tjetër “Rroftë PPSH!” Dy pleq që e hodhën të bardhë fletën e votimit, qëndronin e nuk largoheshin, sepse “nuk e hodhëm për Partinë”. Në një qendër votimi fëmija që hyri në kabinë me të jatin, kur doli i tha: “Babi, pse fshive PPSH-në?”
Në një fletë votimi ishte bërë një vjershë për Partinë e Punës.

11 korrik 1991

Botova në “Kushtrimi” një shkrim kundër Nexhmije Hoxhës “Moj zonjë e zezë!” Hysni Milloshi dje në një faqe tek “Zëri i rinisë” botoi një shkrim entuziast për shoqatën e tij “Vullnetarët e Enverit”.

Shkrimi:
“Moj zonjë e zezë
Kur u shkrua se nëpër dhjetëra dhomat e tua në “Bllok” u gjendën 25 frigoriferë, mua m’u kujtua në shkallën tonë Josifi që ka akoma nima prej dërrase, Rahmiu që harxhon rrogën modeste për gruan e sëmurë prej vitesh, Sadeti me korridorin bosh e ku i rrinë vetëm këpucët që përdorin; m’u kujtua Festimi, fëmijët e të cilit televizorin e shohin nëpër fqinjë; më kujtohet një plak i mirë fqi, që gjersa vdiq vinte deri tek prindërit e mi vetëm për të pirë një gotë me ujë të ftohtë nga frigoriferi.
Kur morëm vesh se shtroje nën këmbë 3 dynymë sixhade e tapete, m’u rëndua e u bë plumb ajo e trokitura e përditshme e një bujku që vjen prej një fshati të periferisë e shet disa shishe kos. Është “i pajtuar” nga halli ai, nga halli ne. Ah, moj zonjë zemërgure, mua më duket se kështu është katandisur në argat ai njeri i mirë që akoma na kujton se jemi nga ata nëpunësit e qytetit, ndaj të cilëve është druajtur tërë jetën e brez paz brezi. Dhe kur thotë sinqerisht e akoma atë “shoku” si duhet të ndihem sipas teje? Krenar?!
Jo, ndihem i penduar çdo çast që shfaqet ai në derë, i djersitur dhe me atë trastë të varfërisë. Po ti, “shoqja” Nexhmije nuk ndien asgjë, nuk sheh asgjë. Ti ke shkelur butë nëpër 3 dynymët e pushit të sixhadeve, kurse ai atë hapësirë e ka dhe, e ka gurë që plasin nga vapa, e ka baltë që mbyt bimën, e ka djersë pëllëmbë për pëllëmbë.
Kur mësuam se vetëm në një tremujor paske ngrënë 310 kg mish, 110 kg sallam, 210 kg djath, 50 kg gjalp, 60 litra vaj ulliri dhe nga “shqetësimet” marksiste-leniniste për vendin paske pirë edhe 25 kg kafe, atë natë nuk fjetën shumë ish-partizanë, të cilët të nesërmen, më herët se çdo ditë, prapë u ulën nëpër stolat e tyre si të harruar, të verdhë limua, të bërë sa një grusht, të zhgënjyer në mënyrë cinike për një jetë të tërë.
Dëgjova t’i dhimbte shpirti njërit prej tyre: Oh, kur kujtoj që ia kishte marrë gjysmën e fytyrës predha Irakli Tërovës e jepte shpirt në krahët e mi, i pagojë më tregonte një çantë ushtarake që duhej ta merrja se kishte atje brenda dokumentin e Partisë. Nuk m’u lut Irakliu i shkretë për t’i marrë trupin.
Moj ti, bejlereshë, e di ç’bëmë në shtëpi? Për herë të parë atë ditë u bëmë të paqytetëruar dhe u dhamë fëmijëve libra dhe vepra të “Institutit” tënd për t’i bërë me gërshërë vetëm fije letre e lodra.
Ja pse po i shkruaj këto radhë e do të lehtësohesha sadopak që ato të vinin e të të gjenin atje ku je futur e rri”.










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com