Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PERSE HESHTET PËR NJË KONFERENCË SHTYPI TË IBRAHIM RUGOVËS NË PRISHTINË NJËZETË E KATËR ORE PARA SE TË TAKONTE NË BEOGRAD SLLOBODAN MILLOSHEVIÇIN?


(Botuar në “Illyria” në 11 prill 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i katërmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Ato pesëdhjetë minuta të konferencës së shtypit të Ibrahim Rugovës para mbi treqind gazetarëve italianë dhe të huaj do të shkaktonin atë mbrëmje të 6 majit 1999, si edhe të nesërmen, një stuhi të vërtetë informative. Presidenti i Kosovës e veçanërisht kryeministri italian Masimo D’Alema qenë kujdesur që ajo furtunë të mos ngrinte në ajër dhe shkatërronte gjithçka që deri atëherë qe kryer në përputhje me platformën e Aleancës Atlantike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve demokratike të Perëndimit.
Rugova me shkathtësi i kishte rrëshqitur “bombës me sahat”, takimit të tij me Sllobodan Millosheviçin. Një gjykim i pamatur për të, një fjalë më tepër, një minutë vëmendje më shumë për të, një gjest i pakontrolluar mirë i mimikës, do ta zhvendoste misionin e konferencës për shtyp drejt një teme-humnerë, gropë e zezë, e cila mund të gëlltiste tërë kronikat televizive të mbrëmjes së 6 majit dhe gjithë faqet e para të gazetave të 7 majit.
Ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo, i cili do ta takonte po atë mbrëmje Ibrahim Rugovën, sigurisht pasi duhej të kishte lexuar raportin tim për përmbajtjen e konferencës, do ta ketë vënë re që presidenti i Kosovës në takimin e tij më të madh deri atëherë me median e Perëndimit dhe të Lindjes, i kish shpëtuar gjykimit të opinionin publik përse e kish kryer atë takim dhe sidomos për çfarë arsye pati buzëqeshur në krah të Sllobodan Millosheviçit.
Por nuk duhet të ketë qenë mjaftueshëm i bindur dhe i qetë se këtë temë duhej ta linte jashtë bisedimeve që kryen atë mbrëmje në Villa Doria Pamphili. Këtë merak të tij e dallon qartë dhjetë mote më pas, kur një 2009 botoi në Tiranë librin “Konflikti i Kosovës 1997-2001”.
Siç ju kemi informuar në një shkrim të mëparshëm të këtij cikli dhe tani jemi të shtrënguar pjesërisht episodin ta rikujtojmë, sipas librit të Ministrit të Jashtëm Shqiptar, njëkohësisht edhe historian, “Më shpjegoi se qëllimi kryesor pse kishte ardhur në Romë, ishte që të punonte që shqiptarët të riktheheshin në Kosovë, që të koordinonte përpjekjet me ne dhe me Fuqitë e Mëdha që kjo të realizohet sa më shpejt”.
Në vijim Paskal Milo shkruan: “Në moment ndërhyri Adnani, i cili shtoi se ka pasur keqkuptime për qëndrimet e Rugovës për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Më kërkoi që të sqaroja se Rugova është për vajtjen e NATO-s në Kosovë. \"Filozofia që përdor Rugova, vazhdoi Merovci, është një filozofi pacifiste, për të nuk ka njerëz të liq dhe ndonëse ata mund ta sulmojnë, denigrojnë, keqtrajtojnë, e ka të pamundur të thotë fjalë të keqe.\"
Por ajo që më bëri shumë përshtypje ishin fjalët e tij, se Rugova ndonëse i izoluar nga bota, në asnjë mënyrë nuk ka për të thënë një fjalë të keqe për Millosheviqin a ndonjë njeri tjetër, sepse kjo është jashtë mënyrës së tij të të konceptuarit të realitetit dhe të marrëdhënieve në shoqëri.
Ajo që kërkoja të sqaroja më tepër, por edhe më habiti më shumë, ishte çështja e bisedimeve të tij me Millosheviqin, Milutinoviqin dhe nënshkrimi i komunikatës së përbashkët.
Nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar përshtypjen se kishte qenë peng dhe se kishte qenë i detyruar që t\'i bënte këto takime dhe të mbante këto qëndrime. Më deklaroi se kishte qenë i ndërgjegjshëm se këto takime duheshin bërë, se ai e kishte takuar edhe më parë Millosheviqin (maj 1998), se duhej krijuar besimi dhe se ishte në interes të të dy palëve të bisedonin.
Më habiti kur më tha se Millosheviqi, Milutinoviqi, Shahinoviq etj. ishin treguar realistë, se e kishin kuptuar situatën dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje se edhe këta njerëz janë, njerëz që mendojnë e kërkojnë një zgjidhje, çka do të thotë se pikërisht me këta jo vetëm duhet të bisedohet, por edhe të bashkëjetohet. Madje edhe për largimin e tij nga Prishtina më tha: \"U thashë serbëve që të më lëshojnë se nuk kam se çfarë të bëj në Prishtinë, se po të jem jashtë do të jem më i dobishëm dhe do të punoj edhe për juve që të arrihet një marrëveshje.\"
U hoq se nuk i bënte përshtypje që disa njerëz e kishin quajtur tradhtar dhe këtu u referohej njerëzve të UÇK-së dhe se nuk do të jepte llogari për veprimet e tij si kërkonin ata”.
Siç kam vënë në dukje në shkrimin e paradokohshëm, këto dëshmi të mësipërme që i pohon me shkrim Paskal Milo dhe i kanë dëgjuar dy shoqërues të tij në takimin me Rugovën, ambasadori Leontiev Çuçi dhe shefi i kabinetit të ministrit, Eduard Sulo (të cilët edhe ata mbajtën shënime për të rritur saktësinë e regjistrimit të atyre që do të thoshte Presidenti i Kosovës), nuk janë përgënjeshtruar konkretisht as prej vetë Adnan Merovcit.
Ndërkohë në vend që historinë e takimit të tij me buzëqeshje në mes me Sllobodan Millosheviçin ta fikte dalngadalë dhe me përgjigjet apo shpjegimet e tij të detyruara ta shkëpuste nga zelli i kuriozitetit të të tjerëve, për pasojë edhe i çdo mos mirë interpretimi, katër ditë më vonë nga konferenca për shtyp, në 11 maj, në një intervistë në gazetën me tirazh të lartë “La Repubblica”, do ta përballonte kështu pyetjen e gazetarit “Çfarë mund të thoni për takimin e famshëm me Millosheviçin?”
Përgjigja e Ibrahim Rugovës fjalë për fjalë do të ishte kjo: “Në një ditë të nesërme do ta tregoj këtë ngjarje me detaje, por tani jo. Por kam mbajtur qëndrimin tim siç edhe po bëj tani. Ishim të dy nën presionin e ngjarjeve. Punova për kthimin e njerëzve të mi. Patëm diskutime politike, kulturore e bile edhe shpirtërore. I u luta qeverisë së Beogradit që të mos përballet me të gjithë botën, por të shpëtonte Kosovën, Sërbinë dhe Ballkanin”.
Ky shpjegim jo brenda ndonjë zyre apo në takim kokë më kokë me dy-tri të tjerë, siç qe edhe biseda me Paskal Milon, por publikisht, para tërë Italisë, Evropës dhe botës, provon se në mbrëmjen e vonë të 6 majit me bashkëkombësit e tij funksionarë të Tiranës Ibrahim Rugova e ka pohuar këtë logjikë.
E ka justifikuar, e ka mbrojtur.
Sipas një arsyetimi të thjeshtë, rezulton se ministri i Jashtëm Milo ka shkruar në librin e tij të vërtetën e mundshme, atë reale, që ka ndodhur, edhe pse e zbulon që nuk ka simpati maksimale për Rugovizmin.
Ndërkaq në librin e vet “Në hap me Rugovën” Adnan Merovci shkruan se në drekën orës 14.00 të 6 majit 1999, shtruar prej kryeministrit italian Masimo D’Alema, ku edhe ai në tryezë qe i pranishëm, ndodhi kjo situatë: “Është interesante se në këtë drekë pune, Kryetari shumë pak foli për ditët e vështira të arrestit shtëpiak dhe takimin me MILOSHEVIQIN. Ai kryesisht e orientoi bisedën në gjëra të lashta historike”.
Kur në 23 maj 1999 revista e Vatikanit, “Famiglia Christiana”, nr. 20, do të botonte një letër të Rugovës, atje mes të tjerash shkruar prej dorës së tij janë edhe fjalët: “Millosheviçi duhet të ndërpresë dhunën kundër popullit tim dhe të bjerë dakord me një prani ndërkombëtare. Të gjithë kosovarët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre”. Këtë, ndryshe nga propaganda që është bërë, ia thashë drejt për së drejti edhe Millosheviçit kur e takova”.
Por a kishte ndodhur kështu, pra ashtu siç presidenti i Kosovës po ja paraqiste italianëve?
Le t’i rikthehemi librit të Adnan Merovcit. Në krye të faqes 292 ai nis kapitullin “Takimi i GANDIT me kasapin e Ballkanit”. Shkruan: “Rreth orës 20.00, kur bombardimet ndiheshin gjithandej, energji elektrike nuk kishte, ndriçoheshim me disa llamba emergjente, të cilat i mbulonim me peshqir, sepse reflektonin dritë që t’i vrisnin sytë, ...në errësiën e ndriçuar vënde-vënde me një dritë të zbehtë, një polic tha: “RUGOVA treba izaci vani”, “RUGOVA duhet të dali jashtë”), u stepa dhe thashë me vete: “Ndihmona Zot!”
U ngrita unë dhe iu paraqita policit, i cili më tha: “Duhet të vijë RUGOVA, jo ti”.
“Unë jam bashkëpunëtor i RUGOVËS dhe paraprakisht duhet të dimë për ç’ka po flitet dhe se për çdo gjë duhet të jem edhe unë me të”, ia ktheva.
Doja ta kurseja Kryetarin dhe të fitonim kohë. Nga korridori u dëgjua zëri i një personi civil, i cili tha se duhet të bisedojmë me RUGOVËN.
Së bashku me Kryetarin shkuam në një dhomë tjetër dhe kuptuam se qëllimi i këtyre dy njerëzve, njëri prej tyre ishte punëtor sigurimi shtetëror serb, ishte gjetja e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Kuptova se vrasjen fizike të Kryetarit tani po përpiqen ta shndërrojnë në vrasje politike. Megjithatë ishim të kujdesshëm, sepse këtu zhvillohej lufta për jetë a vdekje. Ne zgjodhëm jetën, por ruanim fytyrën. Ata kishin ardhur për të na paralajmëruar se Kryetari duhet të reflektojë në funksion të ndaljes së bombardimeve, gjë të cilën Kryetari nuk e pranoi, nuk e bëri dhe nuk e tha kurrë. Kryetari u shpreh se ai ndodhej në shtëpinë e vet dhe se tani asgjë nuk funksionon, nuk ka bashkëpunëtorë të tjerë përveç meje, anëtarët e Kryesisë së LDK-së ishin shpërndarë dhe se s’ka atmosferë për zhvillime politike. U larguan duke thënë se do të lajmërohen më vonë.
....
Rreth mesnatës erdhi i njëjti person dhe tha se nesër do të udhëtoni për në Beograd për ta takuar MILOSHEVIQIN dhe iku”.
Shkruan më tej Merovci: “Të nesërmen në mëngjes erdhi njëri nga policët dhe kur na pa se ne nuk ishim përgatitur, si i tërbuar na tha: “Vi çete se sastati sa Presednikom, Za pet minuta kreçemo” (“Ju do të takoheni me Presidentin. Për pesë minuta do të nisemi!”)...
Adnan Merovci saktëson: “As më ftuan dhe as më penguan që ta shoqëroj Kryetarin deri në veturën e zezë BMV, e cila ishte parkuar afër derës së oborrit. U ula mbrapa me Kryetarin. Para ishte shoferi dhe personi tjetër që ishte po ai që kishte qenë natën e mbrëmshme. Para kishim një veturë policie. Në pjesën nën ndërrues të veturës pashë një automatik të vogël UZI. Për një çast mendova me vete sikur të provoja ta rrëmbeja dhe të luftoja me ta. Menjëherë u binda se nuk isha unë për këtë punë. Njeriu lind dhe nuk krijohet për disa punë”.
Pastaj Merovci arsyeton kështu:
“Sa ishte data sot?
Kisha dëshirë të më pyeste Kryetari edhe mua, sepse atë ditë ishte 1 prilli dhe thuajse përshtatej me atë që po ndodhte, “dita e rrenave”...
Prishtina ishte qytet mister, pa njerëz, pa zhurmë, aty-këtu ndonjë makinë policie ose e civilëve serbë.
Në vijim Adnan Merovci dëshmon se “Rreth orës 11.00, ditë e enjte, datë 1 prill 1999, pas rreth katër orë vozitjeje, arritëm në “Beli Dvor” (“Pallati i Bardhë”), ku për ta takuar “Gandin e Ballkanit” po priste një ballkanas tjetër, por ky “kasap”.
Sipas asaj që lexon tek “Në hap me Rugovën” hamendëson se policia serbe dhe njerës të sigurimit shtetëror të Beogradit në banesën e Ibrahim Rugovës dhe të familjes së tij të mbledhur aty (21 frymë njerëzore), duhet të kenë mbërritur rreth orës 10.00 të 31 marsit.
Ndërkohë kanali i tretë i televizionit publik italian, RAITRE, në mbrëmjen e vonë të kësaj dite, 31 mars, transmentoi një intervistë me presidentin e Kosovës, duke lënë të kuptohej se qe e atyre orëve.
Këtu do të qëndrojmë pak, për ta zbardhur sa më shumë episodin, sepse për këtë intervistë të Ibrahim Rugovës ndihmësi i tij i parë Adnan Merovci në librin e vet nuk shkruan asnjë fjalë.
E ka fshehur, e ka nënvleftësuar apo, nën trysninë e ngjarjeve të forta e të shumta që kaluan atë fundmars, e ka harruar?
Nga sasia e mikrofonave që sipas pamjes televizive i ofrohen Ibrahim Rugovës për të regjistruar gjithçka çfarë deklaron (sepse siluetat e gazetarëve nuk janë filmuar), mediat e përfaqësuara duhet të jenë minimalisht mbi pesë. Sipas Merovcit dhe librit të tij, por edhe thënieve pas ardhjes në Itali, të vetë presidentit të Kosovës, kur erdhën serbët në banesën e tyre në Prishtinë ndodhej vetëm një gazetare gjermane, Renata Flottau, praninë e të cilës ata nuk ja treguan policëve, sepse do ta rrëmbenin menjëherë.
Renata vuri një shami në kokë dhe u përzje me gratë e familjes Rugova, duke bërë që të mos dallohej fare. Më pas ia doli të arratisej dhe tërë këtë histori ta rrëfente në formë ditari në disa numra të gazetës “Der Spiegel”.
Atë kohë Flottau do të konsiderohej gazetarja e vetme perëndimore që hyri në Kosovë, të paktën sipas entuziastëve pro saj, e ngrysi natën e 31 marsit 1999 në Prishtinë. Ndërkaq prej një dëshmie të një kolegu të saj italian Antonio Ruso, korespodent i Radio Radikale, media e Partisë Radikale, me redaksi në Romë, në kryeqytetin e Kosovës, nëpër lagjet e saj, ishte edhe ky. Pra në mbrëmje të 31 marsit ka pasur në të njëjtën kohë dy gazetarë.
Për të parën flitet dhe të dytin heshtet, prandaj autorit të këtij cikli shkrimesh i takon në momentin e duhur të rrjedhës së ngjarjeve të hapë sadopak vend për Antonio Ruson.
Pikërisht natën e 31 marsit kur Rugova siguronte opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar se ishte gjallë dhe i pacënuar fizikisht, korespodencat e Antonios me radion e tij papritur u ndërprenë dhe heshtja që po zgjatej bëri që në vendin e vet të hapeshin fjalë se qe vrarë. Në kërkim për ta shpëtuar ose nxjerrë gjallë nga Prishtina dhe Kosova e përmbytur nga milicë e vullnetarë ushtarakë, u vu edhe ambasadori italian në Beograd, Rikardo Sesa.
Ndodhi që pas disa ditësh Antonio ia doli të rikthehej në Romë dhe gjashtëmbëdhjetë minutat e deklaratës së tij befasuese i kam ndjekur live, sepse Radio Radikale ishte në top listën e mediave që ndiqja non stop.
Pikërisht ky Antonio Ruso një ditë më parë nga tridhjetë e një marsi dhe rënia në heshtjen e përndjekjes nga serbët, pati njoftuar median e vendit të tij se nëpër Prishtinë kishte një histeri të madhe serbësh të shumë armatosur, të cilët dukej sikur nëpër duar mbanin hartat e shtëpive që duhej të shkatërronin duke i djegur. Ruso me këtë rast tha se këta të armatosur deri në dhembë kishin si detyrë të tyre edhe asgjësimin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Disa, këmbëngulte ai, ata ndërkohë, sipas tij, i patën vrarë. Krahas emrit të Fehmi Aganit korespodenti Antonio Ruso shqiptoi edhe këto fjalë: “Pak çaste më parë mësova se kanë vrarë edhe Rexhep Qosen, njërin prej gjuhëtarëve më të njohur shqiptarë”, personalitet që kisht e qenë në Konferencën e Rambujesë etj
Në mbrëmjen e 31 marsit 1999 drejtuesja e emisionit special të TG3 të RAITRE, Xhovana Berlinguer, pasi nëpërmjet të dërguarve të saj në Shqipëri, sidomos në Kukës dhe Tiranë, intervistoi të dërguarën e OKB-së për refugjatët, italianen Laura Boldrini, pastaj edhe komisaren e Bashkimit Evropian Ema Bonino, më vonë këshilltarin ushtarak italian në kryeqytetin shqiptar, gjeneralin Rikardo Shartru, në vijim gazetarin e shumënjohur të shtypit të shkruar Enco Betica, më tej korespondentin e RAI-it në Beograd Enio Remondino, po ashtu filozofin Xhani Vatimo, etj, përcolli edhe një kronikë të hollësishme të asaj që pati deklaruar Ibrahim Rugova.
Ishte një konferencë shtypi në banesën e tij.
Sipas Antonio Rusos, në paraditen e 31 marsit, sapo turmat e çakërdisura e plot mllef të milicëve dhe paraushtarakëve serbë vërshuan nëpër rrugët e Prishtinës, të gjithë gazetarët e huaj që ndodheshin deri ato çaste aty, u dëbuan. Kujt nuk u arrit t’i jepej ky ultimatum, u largua vetë, sepse gjithkund kishte frymë masakre për këdo që dukej se mbështetnin NATO-n.
Sipas Rusos, brenda gjashtë orësh të 31 marsit 1999 të gjithë gazetarët e huaj e zbrazën Kosovën, ndërkohë që gjermania Renata Flottau dhe italiani Antonio Ruso mbetën të fshehur atje.
Atëherë pyesim: Kur për TG3 është dhënë kjo konferencë shtypi?
Kush e ka organizuar dhe përse?
Pse për të, në historinë e kujtimeve të luftës së Kosovës, u hesht nga pala e Ibrahim Rugovës?
Sigurisht kjo konferencë shtypi është bërë brenda 31 marsit 1999, ndoshta paradites, sepse presidenti i Kosovës mes të tjerash në të pohoi se “që prej sot jam nën mbrojtjen e policisë serbe”.
Donte të komunikonte këtë mesazh Ibrahim Rugova apo ndonjë tjetër?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 9 prill 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com