|
NË ROMË NË TË NJËJTËN KOHË IBRAHIM RUGOVA I ARDHUR NGA BEOGRADI DHE THOMAS PICKERING NGA UASHINGTONI
(Botuar në “Illyria” në 4 prill 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i trembëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
U duk sikur me falënderimet që Ibrahim Rugova u bëri treqind gazetarëve italianë dhe të huaj të mbledhur për konferencën e tij të shtypit në orën 18.10 të 6 majit në sallën e madhe Stenditoio të Kompleksit San Kamilo, veprimtaria u mbyll.
Por nuk ndodhi kështu. Kur nuk pritej, një gazetar i agjencisë italiane të lajmeve ANSA i bëri një pyetje ministrit të Jashtëm italian. Thelbi i saj qe: a pritej në ditët e ardhme ndonjë zgjidhje e konfliktit për çështjen e Kosovës.
Lamberto Dini iu përgjegj shkurt. Prej çfarë shqiptoi ai tingëlluan me shumë si mesazh fjalët: \"Edhe veprimet e Beogradit duken inkurajuese ose të paktën paqësuese. Hapen, pra spirale shprese, që më parë nuk i kishim\".
Kjo donte të thoshte se vetëm kështu, si përparim i kauzës së paqes, mund të deshifrohej lejimi prej Sllobodan Millosheviçit i ardhjes së Rugovës në Itali. Për këtë arsye, sipas nënkuptimit, ky vend, Italia, kishte një rol tepër të veçantë dhe special për zgjidhjen e krizës së rëndë në gadishullin ballkanik, ku avionët e Aleancës Atlantike e bombardonin ish-Jugosllavinë ditënatë.
Ndërkaq prej rradhëve të ngjeshura të gazetarëve në pjesën e parë të sallës disa prej tyre u ngritën në këmbë, ndoshta duke dalluar se një sforcim të tillë fizik u duk sikur e kreu më parë vetë kryeministri italian Masimo D’Alema.
Por edhe kësaj here konferenca e shtypit nuk do të mbyllej. Befas dy të pranishëm, patjetër gazetarë sepse së paku nga pamja qenë të panjohur si politikanë, shpërthyen një polemikë të ashpër me ministrin e Jashtëm Dini.
Përdornin zë të lartë, si nëpër mbledhje partish të organizuara nëpër sheshe.
Që të dy kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të bombardimeve të NATO-s. Për qeverinë e Romës kjo ishte thirrje e drejtpërdrejtë që të ndalonte ngritjen e avionëve bombardues amerikanë nga bazat e tyre të shumta në gadishullin italian ose Apenin, siç i thuhet ndryshe.
Në përgjigje, nga presidiumi, edhe pse pa gërvishur zërin, u ndërhy vendosmërisht që të mos e shndërronin konferencën e shtypit në një miting. Pastaj u deklarua se \"konferenca e shtypit u mbyll\".
Ata dy sherrxhinjtë, sikur një force qiellore t’ua kishte marrë gojën, në shenjë proteste lëvizën dhe shkundën në ajër vetëm duart.
Këtë herë, të sigurt se konferenca më në fund qe kyçur, disa gazetarë bënë hapat e parë të largimit prej karrigeve të tyre. Në këmbë të gatshëm për të dalë nga salla qenë edhe Masimo D’Alema dhe Lamberto Dini. Po tentonte të ngrihej nga poltroni edhe Ibrahim Rugova.
Prej kësaj zhvendosjeje të madhe njerëzore ato çaste u krijua jo pak zhurrmë dhe mes saj mezi i dëgjua një zë. Me sa dukej qe një pyetje për presidiumin. Regjistratori im personal, i blerë me pagën time dhe sipas hobeve të mia teknologjike, pra pajisje posaçërisht cilësore, i vendosur që në fillim të konferencës së shtypit pranë një altoparlanti të sallës, mundi të fiksojë, në brendi të poteres së ikësve, përgjigjen e Rugovës: \"Unë do të punoj për rikthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre, do të punoj për paqtimin, që të mos ketë luftë mes etnive, mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse edhe pse shqiptarët ishin shumica absolute ata nuk bënë luftë etnish në Kosovë. Unë jam optimist\".
Të nesërmen, në mëngjesin e 7 majit 1999, këtë frazë nuk e gjeta në asnjë faqe të të përditshmeve. U kishte ikur nga duart gazetarëve, ndërsa qe një formulim politik dhe diplomatik i përsosur.
Këtë deklarim të fundit të Ibrahim Rugovës, si edhe këtë rrethanë me një pyetje në ikje e sipër, do ta vendosja në raportin e menjëhershëm informativ që i paraqita ambasadorit dhe pas miratimit të tij, Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Pjesëmarrësit e konferencës po iknin me ngut. I prisnin redaksitë dhe artikujt që duheshin shkruar sa më shpejt. Salla Stenditoio kishte dy dalje, një të vogël prej ku u larguan njerëzit e presidiumit, Rugova i vënë në mes nga D’Alema, Dini dhe nënkryeministri Marko Miniti, si edhe një të madhe, prej ku rrodhi, pothuaj duke shtyrë njëri-tjetrinm, lumi i madh i gazetarëve.
Dola edhe unë mes tyre, ende pa qenë i ndërgjegjshëm se atë pasdite të vonë pata bërë një gabim të pafalshëm. Jo në shpinë të shtetit dhe qeverisë time, por të vetvetes.
Nuk e kisha lënë veten, qoftë edhe për një minutë, të merrja masat që të siguroja një foto të pranisë time në atë konferencë shtypi të rrallë, në atë ngjarje të jashtëzakonshme, ku një bashkëkombës imi, edhe pse me të cilin në disa pikëpamje nuk gjeja asnjë përputhje, po tundte ato çaste opinionin publik italian, evropian dhe madje botëror.
Nisa ta mendoj këtë gafë timen kur tërë mbrëmjen dhe natën e 6 majit duke u gdhirë dita e shtatë e muajit, nga të gjitha telekronikat që pashë dhe regjistrova, e dallova veten në sfond të një plani filmik vetëm në televizionin Monte Karlo.
Dhe u qetësova. Të paktën e kisha në arkivë kryengjarjen.
Mirëpo kalimi nga figura shumë e qartë e aparatit tim televiziv Philips në apartament (edhe ai i blerë me pagën time të vogël të ambasadës), kur u regjistrua në videokasetë, i humbi një pjesë të cilësisë, çfarë ndodhi edhe kur pas përfundimit të mandatit, i rikthyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, në studion time në shtëpi i dixhitalizova të gjitha videokasetat.
Kur për nevojat e këtij cikli shkrimesh, pas afro dy dekadash, ripashë këto regjistrime, një person tjetër me sy të lirshëm rezultoi se nuk e kap dot imazhin tim mes asaj turme të madhe, grumbulluar në fund të sallës.
Megjithatë ngushëllohem që unë sidoqoftë e “dalloj” vetveten.
I dhashë rëndësi këtij detaji personal me qëllim që t’i përcjell lexuesit një fakt, të cilin nga ora 18.10 deri në 19.00 të 6 majit 1999, e provova vetëm unë: Ajo konferencë shtypi ishte një kryevepër prestigji kombëtar për të gjithë shqiptarët.
Gjithsesi nga kujtesa atëherë, por edhe tani, nuk më është tretur përshtypja se herë pas here Ibrahim Rugova binte nëpër humbellë mendimesh, dukej sikur nuk e kish çdo çast mendjen atje, me pak fjalë shfaqte temperament të përhumburi. Por kjo nuk ia dëmtoi imazhin.
Në qytetin tim të lindjes, Berat, një kompozitor i talentuar, i cili i pati përfunduar studimet në Bullgari, i paharuari Sotir Konçi, na kish treguar sesi një student shqiptar, gjatë koncertit të pjesës së tij, me të cilin diplomohej, i futur edhe vetë në orkestër (me hoboje), në fragmentet e fundit të saj, duke qenë se nuk kishte muzikë të shkruar për instrumentin e tij, mbyllte sytë dhe flinte. Duke e parë në këtë gjendje të gjithë bashkëkombësit e tij studentëi i zuri meraku nëse do të luante kur për dy-tri sekonda në fund të koncertit i duhej, sipas pjesës së kompozuar nga vetë ai, të ndërhynte me hoboje.
Ankthi nëse kandidati shqiptar për diplomim nuk do të dilte nga gjendja e gjumit u bë aq shtypës sa studentët bashkëkombës nuk u gjetën gati ta shijonin mrekullinë që ndodhi: vetëm dy nota më përpara se t’i vinte rradha e ekzekutimit, diplomanti hapi sytë, i ra notave me shkathtësi dhe pastaj i mbylli sytë sërish, deri në fund të koncertit.
Kjo ndodhte edhe me Ibrahim Rugovën në atë konferencë shtypi të mbasdites së vonë të 6 majit 1999. Kur bëhej fjala për statusin e Kosovës ai dilte nga letargjia dhe me fjalë tingëlluese deklaronte se kjo duhej të ishte vetëm e vetëm pavarësimi i saj i plotë.
Që konferenca e shtypit ia kishte dalë fare mirë qëllimit të saj e provoi shtypi italian i të nesërmes. Tema e Kosovës kishte marë hov. Madje në media vihej re edhe një optimizëm i dukshëm për zgjidhjen e konfliktit. Mendohej masivisht se kjo zgjidhje ishte afër dhe do të qe politike.
“La Repubblica\" e titullonte artikullin e saj \"Për paqen në Kosovë një forcë e OKB-së\". Nëntitull mbante fjalët: \"Rugova kërkon tërheqjen e ushtrisë së Millosheviçit\". “Il Giornale\": \"Vetëm NATO mund të na rijapë Kosovën\". Nëntitulli: “Kushte thelbësore për rikthimin e refugjatëve dhe prania ushtarake e aleatëve\". \"La Stampa\": \"Na ndihmoni të na ktheni në shtëpitë tona\", \"Në Kosovë isha një i burgosur\", \"Kështu e kemi dërguar Rugovën në Roma\".
\"Il Manifesto\" e komunistëve spikaste titullin kryesor \"Unë jam udhëheqësi i ligjshëm i Kosovës\", por edhe një të dytë: \"Tirana nuk beson tek Rugova\".
Mbarësinë e 6 majit nuk do ta cënonte një deklaratë provokative nga Begradi e famëkeqit Arkan, sipas të cilit “Ibrahim Rugova është një personalitet i respektueshëm si për serbët ashtu edhe për shqiptarët”.
Në largim nga konferenca e shtypit presidenti i Kosovës do të pritej në një takim nga presidenti i Republikës Italiane Oskar Luixhi Skalfaro dhe më pas në Villa Doria Pamphili ai do të takohej dhe bisedonte me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme Paskal Milo.
Si për ditën e mbarë të 6 majit të ishte “qershia mbi tortë”, në mbrëmjen e vonë në apartamentin dhomë-kuzhinë në Viale Eritrea të konsullit dhe njëherësh punonjësit të kamufluar të Shërbimit Sekret (Civil) Shqiptar, Drini Bellos, nga kolegu i tij amerikan në shpërblim të informacionit të saktë që i kish dhënë për çështjen e ardhjes së Rugovës në Romë, i mbërriti një dhuratë.
Qe një shishe e madhe uiski i shtrenjtë si edhe një shall.
Në 7 maj ndërkohë do ta lexoja dhe kuptoja edhe më plotësisht këtë entuziazëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ripozicionimin më afër platformës së tyre të Ibahim Rugovës, teksa në “La Repubblica” do të lexoja, në një shkrim të shkurtër dhe që ishte faqosur të mos binte në sy, për praninë në Romë të një funksionari shumë të lartë të administratës së SHBA: Thomas Pickering.
Nga gazeta e mësipërme ai cilësohej “numuri tre i Departamentit Amerikan të Shtetit”.
Shkrimi komunikonte faktin se kjo vizitë ishte e tipit “rrufe” dhe se Pickering në 6 maj qe takuar me “disa udhëheqës politikë italianë dhe disa drejtuesë të Ministrisë së Jashtme”.
“Tema, nënvizionte e përditshmja me shumë tirazh dhe e prirë të ishte afër të majtës liberale, ka qënë kriza e Kosovës”.
Sipas \"La Repubblica\", “Kriza në Ballkan në disa faza ka provokuar tensione dhe moskuptime mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara \"por tani lufta e ka sjellë të dy vendet tona edhe më afër për të bashkëpunuar ngushtë\".
Thomas Pickering, po sipas kësaj gazete, pati deklaruar se \"është në interesin e dy vendeve për të stabilizuar Ballkanin\". Njëkohësisht pati theksuar se lufta nuk ishte drejtuar kundër popullit serb”.
Pickering kishte vënë në dukje posaçërisht se \"Serbia ka një të ardhme demokratike, por nuk ka të ardhme për Sllobodan Millosheviçin në një Serbi demokratike\".
Një detaj: ky “numër tre i Departamentit Amerikan të Shtetit”, Thomas Pickering, ishte ndodhur në Romë në paraditen e vonë të 6 majit, pra para orës dymbëdhjetë, ndërkohë që Ibrahim Rugova ishte në Villa Doria Pamphili i zënë, pas takimit kokë më kokë me ambasadorin amerikan në Shkup Kristofer Hill, edhe, mes të tjerash, në një bisedë telefonike me ministren e Jashtme të SHBA, Mejdlin Ollbrajt.
Nga Villa Doria Pamphili Rugova pati dalë në 13.00 dhe në Kryeministri (Pallatin Kixhi), ku do të drekonte me Masimo D’Alemën dhe pas kësaj do të niste turin e tij të ngjeshur me takime, përfshi edhe konferencën e shtypit, do të mbërrinte pas një gjysmë ore.
Pickering, mendojmë, se paralelisht i ka paraprirë me bisedime, të paktën me dy orë, të gjitha takimet e Presidentit të Kosovës me politikanët vendas.
Kjo ecuri e supozuar ngjarjesh, por që nuk ka përse të mos jetë afër të vërtetës, do të thotë se Thomas Pickering është nisur nga Uashingtoni urgjentisht, patjetër duke marrë të dhëna prej kanaleve të nëndheshme të informatorëve të tyre në Beograd, se Millosheviçi po e niste Ibrahim Rugovën drejt Romës, gjithnjë me mision të ishte silurë goditëse ndaj Perëndimit, SHBA dhe NATO-s.
Ka shumë të ngjarë që Pickering e ka marrë avionin më të parë të shtetit të vet, kur Rugova ende nuk qe nisur nga Beogradi, por ai dhe familja e tij hë për hë zhvendosur drejt aeroportit.
Kështu “numri tre i Departamentit Amerikan të Shtetit” ka mbërritur në kryeqytetin italian afër mesnatës së 5 majit.
Në këtë kohë mbase Rugova i tejlodhur nga orët e gjata të qëndrimit të ankthshëm në Beograd, pastaj fluturimit me “Falcon” dhe takimeve ceremoniale në Romë me Marko Minitin e më pas Masimo D’Alemën dhe Lamberto Dinin, përpiqej të flinte sadopak.
Misioni tepër i rëndësishëm dhe urgjent, shumë i vetëtimtë, i Thomas Pickering me siguri qe përpjekja nga afër, në vend, për ta amortizuar dhe likujduar diversionin e Sllobodan Millosheviçit me “lejimin” dhe dërgimin e pacifistit Ibrahim Rugova në vatrën e forcave që po e bombardonin për ta mundur dhe përjashtuar nga roli i ndikimit në Jugosllavinë e mbetur dhe në gadishullin e Ballkanit.
Rugova, sipas presidentit serb, duhej të ishte zjarrfikësi i bombardimeve të NATO-s, një dëshirë që e kishte të fortë jo vetëm shumica e klasës politike të Italisë, por edhe pjesa dërmuese e opinionit publik të këtij vendi.
Me një Rugovë që e kishte kredo të tij të palëkundur kundërshtimin e çdo veprimi me armë dhe për shkak të doktrinës së tij pacifiste si edhe famës ndërkombëtare se ishte “Ghandi i Ballkanit”, gjithçka nën një influecë të tij mund të ndodhte. Rugova sadopak zotëronte forcë ndikuese reale dhe mund ta rrezikonte me të vërtetë platformën e luftës me bombardim kundër diktatorit Millosheviç.
Prandaj qe e domosdoshme t’i vihej përballë jo personalisht Rugovës, por personave me të cilët në Itali ai do të bisedonte, një mjeshtër i mbushëmendjes si Pickering,
Në fund të fundit zjarri i luftës me armë kundër Sllobodan Millosheviçit nuk duhej shuar dhe SHBA nuk mund të lejonte ta përçanin kjo apo ajo qeveri vendi aleat. Doemos nuk do t’i lëshonte pe as Ibrahim Rugovës.
Kështu 5 maji 1999 nuk duhet fiksuar në historinë e luftës çlirimtare të Kosovës me vetëm praninë e paralajmëruar të Rugovës në Romë, por edhe me atë të Thomas Pickering, funksionarit të fuqishëm amerikan të mbajtur qëllimisht larg syve të kuriozëve apo armiqve të Perëndimit dhe të NATO-s që vërtiteshin nëpër Romë.
Një detaj tjetër: afro tre javë nga “blic” i tij në kryeqytetin italian, i cili siç do t’ja ndjekim rrjedhën në këtë cikël shkrimesh, përfundoi me sukses, pra në 27 maj 1999 Thomas Pickering u emërua nga presidenti Bill Klinton, Nënsekretar Shteti për Çështjet Politike (Under Secretary of State for Political Affairs).
Këtë detyrë të rëndësishme ai do ta mbante deri 31 dhjetor 2000.
Detyra kryesore e këtij posti të lartë në adminitratën amerikane është koordinimi i harmonishëm i të gjitha zyrave që në SHBA merren me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare.
Sërish detaj i ri për të kuptuar misionin Pickering në detyrën e tij që të neutralizonte në Romë çdo ndikim të mundshëm të doktrinës pacifiste rugoviane, e cila, e përsërisim, mund të rezultonte paralizuese për NATO-n: ndërsa “numri tre i Departamentit Amerikan të Shtetit” i hipte në Uashington avionit për ta zbarkuar sa më shpejt në kryeqytetin italian një burim zyrtar i Pentagonit njoftonte se prej SHBA sapo qenë nisur për në bazat e Aleancës Atllantike në Evropë edhe 167 avionë ushtarakë.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 2 prill 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|