|
AVIONI BOMBARDONJËS AMERIKAN QË RA NË 10 GUSHT 1944 DHE UNAZA E XHAKETA E VJEDHUR PILOTIT WALTER GREEN
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 15 mars 2019)
Regjimi realkomunist, duke qenë shumë kohëgjatë, pothuaj një gjysmë shekullor, arriti të hedhë mbi shumë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri terrin e harrimit. Heshtja shpesh është më e diabolike se manipulimi tjetërsues që mund t’i bëhet një ndodhie apo figure historike. Ajo e kryen më lehtësisht diversionin e censurës, shplarjes dhe shuarjes nga kujtesa kolektive.
Kështu ka ndodhur edhe me kontributin e dukshëm të aleatëve anglo-amerikanë për rezistencën shqiptare antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën vetëm disa libra kujtimesh të misionarëve të tyre ushtarakë kanë mundur sadopak ta rehabilitojnë pjesërisht, në fragmente të vogla.
Gjithsesi mbeti pothuaj në boshllëk informimi jo vetëm lufta dhe ndihma e tyre me aksione konkrete luftarake, me armë e veshje, me flori po ashtu, por sidomos ajo nëpërmjet bombardimeve nga ajri.
Evropa të vetat i kujton një për një, madje të filmuara, ne jo, na duket si çështje e një bote tjetër, jo që e kanë përjetuar gjyshërit apo baballarët tanë.
Fragmentet e këtij kontributi të censuruar po mblidhen pak nga pak, por tepër ngadalë, shpesh me shumë ç’interesim, ndërsa me kohë duhej të përbënin temën e një apo disa librave të posaçëm, të një e më shumë dokumentarëve, lapidarëve po ashtu.
Që kjo ngathtësi ka qenë e mbetet një dukuri e shtriqur sa gjërë gjatë, ndërsa realiteti dëshmon një rol shumë aktiv të flotës ajrore anglo-amerikane në qiejt shqiptarë në betejë me nazigjermanët, e provon edhe një korespondencë midis Hary Fultzit dhe Enver Hoxhës.
Është 26 tetor 1945, kur në emër të Shërbimit të Jashtëm të SHBA, zëvendës Përfaqësuesi amerikan në Tiranë i shkruan kryekomunistit shqiptar:
“I nderti Gjeneral-Kolonel Hoxha!
Tuj folur me Kapiten Fred Philby, i cili erdhi në Shqipëri më 29 shtator 1945, për të mbledhur informatat e përkohshme të Amerikanëve të vrarë në Aeroplanët e Rrëzuar, mora vesht se koha që i asht dhanë asht vetëm për 1 muaj për vizitën e Tij këtu. Mbasi nuk ka pas mundësi me ba planin e origjunuem, aj ndien që duhet ta ndjekin urdhërat e përparshme për t’u kthye në bazën e Tij në Itali.
Në kjoft se mund të bahen pregatitjet tjera, Kapiten Philby ka me ba vizitën e dytë për të kompletue investigimin e aeroplanave të rrëzuar si mbas planeve të përgatiturë.
Ju falenderoj për interesimin t’Uaj në kët çështje dhe me respekte të veçantë mbetemi, i dashur Gjeneral-Kolonel Hoxha”.
Kjo letër e Fultzit u përpilua dhe u dërgua në adresë të Enver Hoxhës në të njëjtën ditë, 26 tetor 1945, kur një të tillë hartoi dhe nisi edhe Fred C. Philby.
Ky, duke e nënshkruar “Kapiten i Ushtrisë të Shteteve të Bashkuara”, i thoshte numrit një të Shqipërisë së pas Luftës: “I Nderti Gjeneral-Kolonel Hoxha! Lutem pranoni mirënjohjen t’ime personale për fisnikërinë që treguat kundrejt meje gjatë qëndrimit t‘im në vendin t’Uaj në këto kohët e fundit. Më vjen keq që konditat atmosferike dhe veçanërisht në Zona t’ izoluara më ndalojnë të plotësoj misionin. Me lejen t’Uaj shpresoj të këthehem në Prandverë ku moti do të jetë më i përshtatur”.
Por Phibly, duke saktësuar këtë herë se qe Kapiten i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara pranë Misionit Amerikan në Tiranë, i pati nisur Enver Hoxhës, katër ditë më herët, në 22 tetor, një tjetër letër.
Duke lënë të nënkuptuar se para kësaj ka qenë edhe një letër e mëparshme, patjetër e para 22 tetorit 1945, Fred Philby shkruan: “Unë përsëri kam nderin t’Ju kërkoj leje që t’i vizitoj ato pjesë të Shqipërisë ku janë rrëzuar aeroplana të Shteteve të Bashkuara dhe ku ndodhen eshtrat e dëshmorëve t’anë, me qëllim që të siguroj informata të sakta në lidhje me lokalitetin dhe indentifikimin para se t’i transportojmë për në Shtetet e Bashkuara.
Lutemi na njoftoni sa më parë që të jetë e mundur”.
Rrëzimi i avionit të parë
Në Berat, prej nga ku vjen edhe vendlindja e autorit të këtij shkrimi, gjatë viteve të Luftës ka pasur dy avionë luftarakë aleatë, të cilët kanë rënë. Që të dy janë rrëzuar në periferi të tij, madje në të njëjtin kah gjeografik: në verilindje.
Rasti i parë i rrëzimit ka qenë, gjatë periudhës komuniste, përherë ngjarje e ditur dhe i cituar në mjedise të mbyllura, në mënyrë absolute pa e nxjerrë publikisht dhe përhapur. Për këtë ndodhi kam mundur që në vitin 1972 të mbledh të dhëna shumë origjinale, të cilat nuk janë ende publikuar. Por ndërkohë për këtë episod historia jonë ka pasur fat: është shkruar fillimisht një libër në anglisht, tashmë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Më pas është botuar në të njëjtën gjuhë edhe një libër i dytë.
Autorja e parë quhet Agnes Jensen Margerich, libri i saj titullohet “Albanian escape” (“Shpëtimi në Shqipëri”). Autorja e dytë e ke emrin Cate Lineberry dhe libri “The secret rescue” (“Shpëtimi sekret”).
Sipas botimit të Agnes Jensen Margerich, në 8 nëntor 1943, pra kur Italia fashiste pati kapitulluar dhe Shqipërinë e kishin pushtuar gjermanët, në fshatin Çestije të Belshit, Elbasan, kreu një gjysmë rrëzimi një avion amerikan transporti “Dakota C-53”. Ishte nisur nga aeroporti i Katanias në Siçili për t’u ulur në Bari, por gjatë fluturimit një stuhi e paparashikuar i këputi lidhjen radiofonike me bazën dhe mes resh të dëndura e në pështjellim e sipër të motit, kur kishin kaluar pesë orë udhëtim të ankthshëm, karburanti qe në pikën e fundit dhe nga toka (qyteza e Kuçovës) gjermanët qëlluan me artileri, gjeti menjëherë një vend të sheshtë dhe bëri ulje emergjence.
Ata tridhjetë persona që ndodheshin në bord (13 infermiere nëntogere të skuadrës së evakuimit ajror, 13 meshkuj sanitarë dhe 4 të ekuipazhit), panë t’u afroheshin njerës të armatosur që nuk flitnin italisht. Qenë, siç rezultoi për fat të tyre, partizanë shqiptarë. Po të mbërrinin të parët gjermanët, të cilët e panë çfarë ndodhi dhe u nisën edhe ata, fati i amerikanëve do të ish më e pakta një kamp përqendrimi.
Të mbetur në duart e partizanëve, gjatë dhjetorit, përmes një udhëtimi shumë të rëndë, ia dolën të dilnin në bregdetin jonian dhe të riktheheshin në Italinë e Jugut.
Rasti i dytë kishte një datë tjetër, dhjetë muaj më vonë: 10 gusht 1944.
Këtë herë avioni qe një bombardues. Si edhe i pari ishte i flotës ajrore luftarake amerikane.
Rrëzimi i avionit të dytë
Në 1 tetor 1945 Legata Jugosllave në Tiranë i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë një notë verbale me numrin 256. Kur shkresa mbërriti në MPJ, ajo ra në dorë të punonjësit me emrin Beni.
Ishte e nesërmja, 2 tetor.
Pikërisht këtë ditë, 2 tetor 1945, me siglat identifikuese “VF LP” (Vdekje fashizmit-Liri Popullit) si edhe “Mbretnija Shqiptare Ministrija e Punvet të Jashtme” (Megjithë një vit çlirim, për shkak të mungesës së letrës së bollshme përdoreshin sidomos nga MPJ, formate shkresore të periudhës së pushtimit), i protokolluar me numrin 478/1, i dërgohej ky mesazh “Komandës së Përgjithshme t’ Ushtrisë Kombëtare, Tiranë”.
Teksti i saj thoshte: “Me lutje që të na jipni informatat e duhura, këtu poshtë, ju komunikojmë, në përkthim, notën Nr. 256, datë 1 Tetor 1945, të Legatës Jugosllave në Tiranë, e cila interesohet për fatin e Togerit t’aviacionit amerikan Walter O. Green që është rrëzuar me aeroplanin e vet, më 10 gusht 1944, afër Beratit”.
Më pas: “Simbas kërkesës së Ministrisë së P. të Jashtme të Belgradit, Legata e Jugosllavisë Demokratike-Federative ka nderin të vrapojë në ndërmjetësinë dashamirëse të Ministrisë së P. të Jashtme të Shqipërisë dhe t’i lutet të ketë mirësinë t’interesohet pranë Autoriteteve kompetente shqiptare mbi fatin e Walter O. Green, toger i aviacionit amerikan. Aeroplani i tij ka qenë rrëzuar në 10 Gusht 1944, ora 13 e gjysmë afër Beratit. Në qoftë se nuk është karbonizuar (djegur) ose i zënë rob lufte prej Gjermanëve, familja e tij beson se Walter Green-i dhe shoku i tij Cloer kanë marrë pjesë në lëvizjen nacional-çlirimtare të Shqipërisë. Togeri Green ishte 20 vjeç. Ay ishte i gjatë nga shtati, afro dy metra, dhe flokët i kishte shumë kuqurume”.
Dhjetë ditë më vonë, në 12 tetor, nga vetë Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, komandant i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, Ministrisë së Jashtme i erdhi përgjigja si më poshtë po ja paraqesim lexuesit: “Simbas informatave që disponojmë, rezulton se në muajin korrik 1944 është rrëzuar në katundin Gorenjë të Beratit një aeroplan tip “bombadonjës”.
Ekuipazhi i përbërë prej katër pilotash është hudhë me parashuta dhe ka zbritë në katundin Lapardha të Beratit.
Aty janë marrë në dorzim nga ushtarët e Ballit Kombëtar dhe u janë dorëzuar Gjermanëve.
Katundari që i ka kap quhet Jusuf Miraku, i cili posedon edhe një unazë me inicialet B.D. dhe që pretendon se ja ka dhuruar njëri prej pilotëve.
Mbasi ushtari i Ballit është në duart e drejtësis për ndjekje ligjore, u pyet mbi karakteristikat e aviatorëve dhe deklarojë:
Nuk ishim më të mëdhenj se 20-21 vjeç, kishin shtat mezatar dhe flokët që të katër i kishin si të kuqërremë.
I nalt përnduri nuk di ma gjatë mbi fatin e tyre.
Jemi në kërkim e sipër nëpër elementa të tjerë Ballistë dhe porsa t’informohemi do t’u vëjmë në dijeni”.
Si vijim plotësues të kësaj shkrese të 12 tetorit 1945 Enver Hoxha në 8 dhjetor i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme, nën siglat “Komanda e Përgjithshme e U. K. Shqiptare”, “Vdekje fashizmit Liri popullit”, “Rezervat”, këtë tekst: “Simbas hetimeve të ma vonshme rezulton që ekuipazhi i aeropllanit amerikan rrëzuar në katundin Lapardha të Beratit të jetë dorëzue ke gjermanët.
Këto informata i marrim nga Komandanti i Rrethit asi kohe Gani Zhapova si edhe nga Abil Qamili. Të dy dekllarojnë se ekuipazhi përbëhej prej katër vetash dhe se gjermanët i kanë nisun për Tiranë të shoqnuem prej forcave të tyne”.
Këtu, fillim dhjetor 1945, duket sikur çfarë kërkonte nota e 1 tetorit 1945 e Legatës Jugosllave në Tiranë qe plotësuar, por nuk ishte kështu. Pati mbetur në mes. Prandaj edhe për ta çuar gjer në fund të gjithë këtë proçes mirë informimi se çfarë fati kishte pasur togeri i aviacionit amerikan Walter O. Green, Legata Jugosllave i nisi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë një notë të dytë verbale.
Ajo, siç edhe qe rregulli, ishte në frëngjisht dhe mbante numrin e protokollimit 194.
Është 7 maj 1946.
Po atë ditë Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Naltë të Shtetit (ka vetëm firmën dhe jo emrin) i dërgoi një shkresë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, duke e vënë në dijeni për notën e dytë të Legatës Jugosllave në Tiranë, gjithnjë për fatin e aviatorit Walter O. Green.
Teksti vinte në dukje: “Aparati që ka qenë pilotuar nga togeri Green është rrëzuar në datën 10 gusht 1944. Greem kishte një shtat të gjatë prej afro dy metrash dhe leshrat i kishte të kuqe. Njeriu që ndodhej me të në të njëjtin aeroplan ishte 27 vjeç dhe me një shtat më t’ulët. Motra e Walter O. Green i ka shkruar mëmës së një mitralieri që u varros prej dy anëtarëve të tjerë të ekuipazhit t’aeroplanit të rrëzuar, në mënyrë që të mund të konstatohet, nëse ay, para se të bëhej rob lufte prej ballistëve, ka pasur në dorë hunazën me inicialet e veta.
Ministria e P. të Jashtme është e lutur të bëjë demarshet e nevojshme pranë organeve kompetente shqiptare për të mundur eventualisht të nxirren disa informata të reja mbi fatin e Walter Green në virtut të komunikimit të parë.
Ma njoftoni përfundimin”.
Në 14 maj Komanda e Përgjithshme e U.K. Shqiptare, Komisioni Informativ Qendror, i dërgoi MPJ.së një shkresë, në vijim të mëparshmeve.
Përmbajtja e saj: “Për hollësina dhe informata më të gjana drejtojuni organeve kompetente të Pushtetit në vendin e ngjarjes ku asht rrëzu Aeroplani i Pillotuar prej Togerit Amerikan Walter O. Green dhe në vendin ku asht hudhë Ekuipazhi me Parashutë. D.M.TH. drejtojuni Këshillave Nacional Çlirimtare të katundve Goranjë dhe Lapardha ndërmjet Komitetit N/Prefekturës Berat.
Kryetari i Shtabit Madhor
Gjeneral major
Spiro Moisiu”.
Pas kësaj dhe në vijim të korespodencës Ministria e Punëve të Jashtme i nisi Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare mesazhin: “Lutemi që, me anën e organeve kompetente, t’i kërkohet të burgosurit Jusuf Miraku hunazën e pilotit amerikan Walter O. Green, me inicialet B.D. dhe mandej të na dërgohet, mbasi motra e të lartpërmendurit është interesuar për atë hunazë, me anën e Legatës Jugosllave në Tiranë”.
Në fund të shkresës sërish “Sekretari i Përgjithshëm”, me firmë dhe pa emër.
Ballisti që i vodhi pilotit amerikan jo vetëm unazën, por edhe xhaketën
Ndërkaq dy ditë më parë, në 12 maj 1946, “Komanda e Përgjithshme e UKSH, Adjuntatura e Shtat Madhorisë”, i dërgoi misionit amerikan në Tiranë: “Bashkëngjitur ju dërgojmë për dijeni nji kopje t’akt-gjykimit mbi të pandehurin Jusuf Miraka, i cili siç do të shifet dhe në akt-gjykimin, në kohën t’okupacionit Gjerman u ka dorëzuar nazistave katër aviatorë Amerikanë, të cilët ranë me parashutë n’afërsitë e Beratit dhe për këtë gjykata në fjalë e ka dënuar të përmendunin me 30 vjet burg.
Të pandehurit Jusuf Miraka ju gjet dhe nji unazë e marrun nga Pilotët, e cila bashkë me këtë shkresë ju dërgohet.
Mundësisht na njoftoni marjen në dorëzim.
Shef i Kabinetit Ushtarak
Major
Qazim Kapisyzi
Më 28 maj 1946 J.E. Jakobs, Përfaqësues Amerikan në Shqipëri, i ktheu këtë përgjigje:
I ndershmi Major Kapisyzi,
Me falenderime njoftoj marjen e letrës t’uaj të datës 26 mars 1946, me kopjen bashkëngjitur të vendimit të Këshillit Gjyqësuar Ushtarak të Qarkut Tiranës, mbi dënimin e Jusuf Miraka me 30 vjet burgim, pse ka bashkë-punue me dy të tjerë në Korrik 1944 në dorëzimin e katër aviatorve Amerikanë, të cilët kanë ra me parashutë, mbasi aeroplani ishte shkatërrue nga Gjermanët afër Beratit dhe pse i ka vjedh nji aviatorit Amerikan nji unazë dhe nji xhaket.
Gjith’ashtu njoftojmë marjen e unazës për të cilën i dhashë një deftesë prurësit më 26 maj 1946.
Kopjen e letrës bashkë me vendimin e Gjyqit Ushtarak, si edhe unaza ju dërgua Departamentit të Ministrisë s’Luftës.
Kortezia e juaj për t’ja pru në dijeni këtij Misioni asht shumë e mirënjoftës”.
Kur u formulua letra e mësipërme marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë nuk qenë në periudhë qetësie, por trazimi të plotë. Në 28 shkurt 1946 Jakobs i pati shkruar qendrës së vet se ishte e domosdoshme që ai të rikthehej në atdhe dhe përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë të reduktohej e gati mbyllej. Atje propozonte të rrinte për pak kohë vetëm Harri Fulci.
Nëpër glob po ashtu tensionet ishin shtuar. Po skicohej silueta e Luftës së Ftohtë, çfarë donte të thoshte se për Uashingtonin, në luftë kundër komunizmit, i nevojiteshin të gjitha llojet e antikomunistëve, përfshi edhe ata që patën bashkëpunur me fashistët dhe nazistët.
Megjithatë kur bëhet fjalë për rastin e Jusuf Mirakës, Jakobs nuk lëkundet: jo vetëm e quan përgjegjës për kapjen, dorëzimin tek gjermanët dhe për pasojë zhdukjen fizike të katër pilotëve amerikanë, por edhe si hajdut dhe mashtrues ordiner.
Robit të luftës, të pambrojturit Walter Green, i pati xhvatur jo vetëm unazën, por edhe rrobën e trupit, xhaketën, e cila ishte jetike për kushtet që do të kalonte në burgje apo kampe përqendrimi. Gjer ditën e kobshme kur nazistët do t’ja merrnin realisht jetën.
Ndërkaq jo me emrin Jusuf, por Isuf Miraka, në Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 354, gjendet edhe kjo e dhënë: “Lindi më 1910, në Lapardha të Beratit. Më 22 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi \"kriminel lufte\" dhe \"armik të popullit\", se \"ka qenë komandant i çetave të organizatës tradhtare e mercenare të Ballit Kombëtar me gradën toger dhe se me këtë cilësi ka dorëzuar në duart e gjermanëve 4 aviatorë amerikanë\", dhe në bazë të neneve 14, 15, 18 dhe 19 të ligjit nr. 41, e dënoi me 30 vjet burg, humbjen e të drejtave civile e politike dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 mars 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|