Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1943-1946, HISTORIA E HAPËT DHE E FSHEHTË E MISIONIT USHTARAK SHQIPTAR PRANË KOMANDËS ALEATE NË BARI TË ITALISË


(Botuar në “Shqiptarja.com” në 3 mars 2019)

Që nga furnizimi gjatë luftës i njësive partizane me armë, ilaçe dhe ushqime, deri në tregti të ligjshme dhe trafik klandestin njerëzish në pas luftë, kontrabandë mallrash e të floririt, veprimtari propagande dhe spiunazhi.

Në 19 shkurt 1946 prefektura e qytetit të Barit, Itali, hartonte një raport me të dhëna të mbledhura kryesisht prej shërbimeve të fshehta dhe policisë vendase mbi Misionin Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate.
Zyrat e tij ndodheshin në Via (Rrugën) Dante, 149.
Në po atë seli gjendej edhe Misioni Ushtarak Jugosllav.
Po ashtu dhe zyrat e udhëheqjes së Partisë Komuniste Italiane për krahinën e Pulies.
Pjesëtarët e Misionit godinën, ku banonin, e kishin jo larg nga vendpuna: dyqind metra më tej.
Sipas raportit special top-sekret të prefekturës së Barit, dërgata ushtarake shqiptare konsiderohej e përbërë nga partizanë duarpërlyer me gjak në krime lufte kundër ushtarëve dhe civilëve italianë në Shqipëri. Madje vetë drejtuesi i tyre, Kadri Hoxha, gjithnjë sipas çfarë ishte shkruar në raport, qe akuzuar se pati marrë pjesë pas armëpushimit (në të vërtetë kapitullimit të Italisë fashiste) në masakrën e vrasjes së mbi njëqind karabinierëve në një pritë në afërsi të qytetit të Beratit.
(Në të vërtetë masakra ndodhi në rrethinat e Elbasanit).
Për këtë vrasje masive të kryer realisht në 6 tetor 1943, në pasluftë në Itali u bënë hetime dhe gjyqe me jehonë të madhe mediatike e në përfundim u akuzua si përgjegjës kryesor Kadri Hoxha. Në rradhë të dytë edhe Xhelal Staravecka.
Ky opinion qëndron këmbëngulshëm edhe tani, në vitin 2019, edhe pse pas rënies së diktaturës në Shqipëri gazetarë italianë janë takuar sy për dy me Kadri Hoxhën dhe ai u ka shpjeguar një të vërtetë të tij, e cila nuk e bën aq fort përgjegjës personal.
Në raportin e prefekturës së Barit të datës 17 shkurt 1946 edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në Misionin Ushtarak Shqiptar, Qazim Hoxha dhe Riza Leka, qenë të tillë. Këta të dy ishin pajisur me lejekalimi të lëshuara nga Policia Aleate (anglezët) dhe duke mos i dorëzuar pas përfundimit të punës në Mision (në të vërtetë qenë pushuar), i patën përdorur ato ilegalisht.
Raporti i prefekturës së Barit akuzonte po ashtu për veprime të paligjshme të kryera në territorin italian edhe Selim Islamin. Tek ky përqëndrohej më tepër në veprimtari kontrabande mallrash dhe materialesh të ndryshme. Këtë trafik me dërgim në Shqipëri sipas raportit top-sekret ai e kryente prej aeroportit krahinor Palese si edhe portit detar të Barit.
Në të gjitha rastet e dërgesave, përfshi edhe bagazhet e tyre personale, dyshja Qazim Hoxha dhe Riza Leka, thoshte raporti, patën refuzuar çdo kontroll nga dogana italiane.
I tillë, mëshonte fort ai raport i prefekturës së Barit i hartuar me të dhëna nga shërbimet e fshehta dhe prej policisë lokale, qe edhe punonjësi tjetër i Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Shtabit Aleat, Lil Doga. Madje ky ishte edhe një rast më i ndërlikuar moskorektese sjelljeje në territorin italian. Ky kontrabandist në përbërje të MUSH ishte i kamufluar si anëtar i një gjoja “Komisioni Ekonomik Shqiptar”, por në të vërtetë merrej me veprimtari spiunazhi dhe në të gjitha rastet që policia italiane e arrestonte Kadri Hoxha dhe bashkëpunëtorët e vet drejtues të Misionit kërkonin lirimin e tij të menjëhershëm.
Ata paraqitnin dokumente se Lil Doga qe “personalitet i ngarkuar me mision delikat dhe të rëndësishëm diplomatik”.

Funksionet “zyrtare” të Misionit

Misioni ushtarak shqiptar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Aleate të Mesdheut në Bari e nisi aktivitetin e tij pas Kongresit të Përmetit, ndërkaq që këtu, siç dihet, komunistët shpallën qeverinë e tyre të përkohshme.
Në një farë mënyre Misioni, edhe pse ushtarak, ishte tashmë “ambasada” e parë e shtetit të tyre të ardhshëm jashtë vendit.
Ajo përfaqësi ushtarake e nisi punën në korrik të vitit 1944, duke pasur personel vetëm katër vetë. Në krye ishte koloneli Bedri Spahiu.
Qe nismë e britanikëve ky përfaqësim i misioneve ushtarake të forcave çlirimtare antinaziste në Ballkan, madje këta bashkë me grupin përfaqësues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Bari dhe Itali dërguan veças edhe dy njerës të Ballit Kombëtar: Halil Maçin dhe Sulejman Meçon, prania e të cilëve për komunistët u bë shqetësim, sepse këta të fundit shpërthyen në një propagandë të fortë ndaj LNÇl dhe në vetëparaqitjen e tyre si antikomunistë patriotë.
Kur lufta përfundoi, dy të dërguarit ballistë u rilidhën me të ikurit e organizatës së tyre dhe ndihmuan në sistemimin dhe mbrojtjen prej aleatëve anglo-amerikanë, të cilët i konsideronin ende bashkëpunëtorë të nazifashizmit.
Me në krye tashmë drejtuesin e dytë të Misionit Ushtarak Shqiptar dhe njëkohësisht të fundit, Kadri Hoxhën, me nënkryetarë majorin Iljaz Sevrani dhe pas tij kapitenin Nuri Resnja, personeli i tij mbërriti në pothuaj një kompani të tërë: 33 vetë.
Ndërsa gjatë periudhës së luftës puna e tij kryesore qe sigurimi i furnizimit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare me armatim, ilaçe dhe ushqime, po ashtu kurim të të plagosurve, në pasluftë Misioni u përqendrua tek rikthimi në atdhe i këtyre të fundit si edhe i të internuarve dhe të burgosurve prej pushtuesve italianë dhe gjermanë.
Misioni Ushtarak Shqiptar pranë Komandës (ose Shtabit) Aleate të Mesdheut në qytetin e Barit u muar posaçërisht edhe me mbushëmendjen e atyre kundërshtarëve të komunizmit dhe mospajtuesve me LNÇl, të cilët qenë arratisur nga frika e ndonjë hakmarrje politike prej Tiranës zyrtare.
Disa prej tyre i riatdhesuan, veç jo për të gjithë funksionoi mbajtja e fjalës së dhënë nga pushteti i ri se do t’i lejonte të bënin jetën normale të një nënshtetasi të respektuar.
Përfaqësia ushtarake e pushoi veprimtarinë e saj në qershor 1946, hollësi të së cilës ngjarje do të tregojmë në vazhdim të këtij shkrimi.

Një ndërhyrje e pafat e diplomacisë italiane

Në 17 nëntor 1944, thjesht për një rastësi edhe ditëçlirimi i Tiranës, një raport tjetër top-sekret i prefekturës së Barit, krijuar më së shumti prej përgjimeve të fsheshta, vinte në dukje se kush më shumë e kush më pak pjesëtarët e Misionit Ushtarak Shqiptar ishin të përzjerë me veprimtari të paligjshme. Këto qenë trafik klandestin personash dhe mallrash nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas, eksportimi ilegal i valutës, spiunazh dhe propagandë politike.
Raporti informativ theksonte se deri për sa kohë vazhdonte lufta, për këtë aktivitet të mbrapësht Aleatët, me që partizanët shqiptarë i kishin mbështetës kundër fashizmit, e patën mbyllur një sy, por me përfundimin e saj kjo gjendje nuk mund të tolerohej më shumë. Madje ky shqetësim mbërriti në Romë deri tek kryeministri De Gasperi, i cili jo një herë iu drejtua autoriteteve ushtarake anglo-amerikane që të ndërhynin e ndikonin tek shqiptarët për një zgjidhje sa më të shpejtë të shkeljeve që bënin. Por Aleatët nuk dukeshin të interesuar ta hidhnin vendosmërisht këtë hap. Ftohtësi dhe refuzim vinte edhe prej autoriteteve politike të Tiranës.
Në një situatë të tillë qe diplomacia italiane ajo që afroi një rrugëzgjidhje: të kryheshin bisedime të drejtpërdrejta jo me Tiranën, ku mosmarrëveshja dukej më e mundshme, por me krerë të Misionit në Bari. Më i frytshëm një takim i tillë do të qe pikërisht me vetë Kadri Hoxhën. E konsideronin inteligjent dhe praktik.
Hoxha, kur u takuan të dy palët, që në fjalët e para të shkëmbimit të mendimeve i mbylli shtigjet e një mirëkuptimi. Ai u tha italianëve se në vendin e tij akoma kishin një lloj mosbesimi tek ta në çështjen e shkuljes së vërtetë të rrënjëve të fashizmit prej Italisë Demokratike. Po ashtu ai i vuri në dijeni se në Tiranë akoma nuk besonin se tek fqinjët qe braktisur përfundimisht nacionalizmi dhe imperializmi, të cilët patën karakterizuar politikën e jashtme italiane para lufte.
Sipas raportit të 17 nëntorit 1944, Kadri Hoxha pati qenë i ashpër edhe në një gjykim tjetër: për familjen mbretërore Savoja, e cila sipas tij, akoma synonte gllabërimin territorial të Shqipërisë dhe ajo nuk ndihej e qetë deri në momentin kur Italia do ta largonte nga vetja sistemin politik të Mbretërisë dhe do të përqafonte atë të Republikës.
Por Kadri Hoxha në atë takim nuk qe mjaftuar me kaq. Ai kishte shtuar si pengesë edhe Selinë e Shenjtë, mplekjen e paradokohshme, gjatë luftës, të Papatit me fashizmin musolinian dhe atë nazist.
Dhe koloneli shqiptar nuk e mbylli bisedën këtu: Hoxha nguli këmbë se qeveria italiane tregohej mjaft e lidhur dhe e përkushtuar ndaj forcave konservatore dhe kapitalizmit të huaj, sidomos me Britaninë e Madhe, të cilat sipas shefit të Misionit Ushtarak Shqiptar, qenë kundërshtare të lëvizjeve popullore ballkanike.
Kadri Hoxha me këtë rast u ankua se italianët u kishin hapur shumë rrugë, nga brigjet e tyre, vajtje-ardhjeve nëpër det të anijeve luftarake të Flotës Mbretërore Britanike.
Takimi i dështuar u mbyll me këtë refuzim të fundit dhe kur u bindën se bisedimet me Kadri Hoxhën nuk i çonin diplomatët italianë në atë që dëshironin, në një zbutje të klimës mes dy vendeve dhe të miqësimit progresiv reciprok, Roma zyrtare e vijoi përpjekjen e kursit të saj në një mënyrë tjetër, por kjo nuk është pjesë e këtij shkrimi.

Një raport i Kadri Hoxhës edhe për kontrabandën e francezëve, jugosllavëve dhe grekëve

Koloneli Kadri Hoxha u kish përcjellë përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane aspak atë që mendonte dhe besonte në të vërtetë dhe madje sinqerisht. Ishte për hapje dhe jo për mbyllje. Kjo mund të verifikohet prej një raporti të tij dërguar Tiranës pak javë më vonë, në 16 prill 1945.
Përse veproi ashtu me dërgatën e specializuar të Ministrisë së Jashtme Italiane mbetet një lloj misteri, por ka të ngjarë që gjithçka e kreu për t’u zënë çdo shteg që t’i bënin trysni apo shanrazh për veprimtaritë e paligjshme të personelit të Misionit.
Në kapitullin “Marrëdhanjet Italo-Shqiptare”, faqja 19 e materialit të shkruar, i cili ruhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, thuhet mes të tjerash: “Përgjithësisht partitë politike t’Italisë nuk janë të disponueme keq karshi Shqipnisë megjith disa lajme jo të favorshme që ka botue shtypi mbi sekuestrime, keqpërdorim kundrejt italianëve në Shqipëni etj. Me gjithë njohunitë e paka që kanë mbi Shqipninë e Re, dëshirojnë me i zhdukë përshtypjet e këqija që ka lënë fashizmi në Shqipni, dhe do të dëshirojshin me vendosë sa më parë marëdhënje të regullta ekonomike dhe diplomatike. Por nuk mungojnë me vue në dukje nji tok problemesh e çështjesh të mbetuna pezull midis dy vendeve. Gjashtëmbëdhjetë vjetë të politikës së Zogut dhe pesë vjet okupacioni, kanë krijue lidhje dhe interesa të ndërlikueme ekonomike e financiare dhe na kanë lanë trashëgim nji seri problemesh, pa zgjidhjen e të cilave asht vështirë me pasë nji pamje të qartë në marëdhnjet t’ona me Italinë”.
Më tej në raport bie në sy ky informacion: “Nuk duhet harue se tregu italian asht i vetmi treg i natyrshëm për prodhimet shqiptare. Jo vetëm tregtarët italianë, por edhe të gjithë tregtarët shqiptarë dhe komisionarët, të cilët tash tridhjet vjet punojnë në tregun e Italisë, na kanë deklarue se vetëm n’Itali mund të shiten lëkurat t’ona të dobëta, vezët t’ona të vogla, leshi jonë që vlen vetëm për dyshekë, peshku, drutë, shuka etj. Shtetet e mëdhenj kanë kolonitë e tregjet e tyne me raca e prodhime të përmirësueme, dhe shtetet ballkanike janë vetë eksportonjës prodhimesh të mira e të preferueme. Kështu që edhe në t’ardhmen tregu italian do të mbetet i vetmi për të tërhekë prodhimet t’ona”.
Po ashtu në këtë raport që duket i një njohësi shumë të mirë të zhvillimeve të ditës në Itali, Kadri Hoxha mëshon: “Brënda mundësive të pakta që kemi pasë na nuk kemi mungue të bjem në kontakt me tregëtarët italianë që kanë qënë në Shqipni dhe jemi interesue se ç’mund të gjindet në tregun italian që i nevojitet Shqipnisë. Të gjitha prodhimet që na janë kërkue me listë kemi mundë me i gjetë, por me çmime shumë të nalta, sepse Lireta ka psue këtu një shvleftësim të madh dhe pëson një oshilacion të vazhdueshëm. Nga ana tjetër duhet dijtun se këtu çdo gjë gjindet në tregun e zi. Në Romë kemi pasur raste me vërejtë se Grekët, Jugosllavët dhe Francezët kanë organizuar një tregëti miliardash dhe po e çveshin tregun e Italisë prej çdo prodhimi. Ata sjellin n’Itali Liretat e bllokueme ndër bankat e tyne ose bajnë tregti floriri dhe duke fituar miljona në kambion. Monedha këtu ka oshilacione të çuditshme nga nji qytet në tjetrin. Për shëmbëll, kur stërlina në Bari shitet 8500 Lireta, në Firence kishte arrijtë 14.000. Këtu n’Itali vetëm Misionet ushtarake kanë privilegjin me pasë ndërlidhje telefonike dhe me ba udhtime të denduna e të shpejta duke bajtun flori prej nji vendi në tjetrin. Neve vetë kemi parë në bursën e Romës, në Piazza Colonna, se si punojnë shtetet e tjerë, natyrisht gjithmonë me anën e civilave e që nuk kompomentojnë aspak misionet ushtarake ose përfaqësitë diplomatike. (Për shembëll brënda dy javëve të fundit që ndenjëm në Romë, Francezët kanë blerë 10 miliarda mall duke mbledhë gozhdë e brava të ndryshkura)”.
Pasi rrëfen se me kontrabandë në Itali merren edhe Misionet Ushtarake të dy shteteve fqinj të pas Luftës, Jugosllavisë dhe Greqisë, madje edhe të Francës, raporti nuk lë pa vënë në dukje se janë në krye të punëve për furnizimin me mallra të domosdoshme të vendit të tyre: “Përveç acideve që u kërkuan disa kohë më parë kemi gjetë edhe maqina tipografike Rotocalco, koagulatora për Tumori vescicale (kërkue nga gjeneral Spiro Moisiu), maqina për voj, traktora, eskavatora, etj, natyrisht me çmime pjace të zezë. Këtu ka me bollëk hekur, cemento, tel, gozhda, prodhime kimike e farmaceutike e çdo gja që mund të nevojitet në Shqipni”.

Dëbimi

Natën e 20 marsit 1946, siç ka treguar në një të përditshme shqiptare ish-punonjësi i Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate, Stavri Bita, në një nga rrugët periferike të Barit u godit me thikë dhe më pas me plumb në kokë ushtari me punë në Mision, Nazif Ibraj. Menjëherë në Tiranë kjo u konsiderua vrasje politike me autor qarqet zyrtare të reaksionit italian. Enver Hoxha këtë ndodhi e citoi me frymën e denoncimit të një krimi politik, edhe në Konferencën e Paqes në Paris, bashkë me shumë akuza të tjera ndaj Romës.
Ishin çaste kur Italia dhe Jugosllavia e Titos përlesheshin mediatikisht, por dhe me tërë forcën e diplomacisë së tyre, për çështjen e përkatësisë së qytetit port të Triestes.
Por në raportet e prefekturës së Barit Nazif Ibraj shpjegohej se kishte ndërruar jetë në një përplasje interesash me bandat e krimit ordiner në qytet, sidomos me atë pjesë të saj që merrej me tregtimin klandestin të prodhimeve të naftës. Këtë kohë Komanda Aleate qëndroi indiferente ndaj një sinjalizimi që i erdhi prej Misionit Britanik në Tiranë se Kadri Hoxha nuk kishte të punësuar dhe në vartësi të tij në Bari 33 vetë, por jo më pak se 50-të. Madje shumicën e këtyre i kishte shpërndarë në pika kyçe të Italisë me një detyrë fare të paligjshme: të vrisnin kundërshtarët ideologjikë të regjimit të Enver Hoxhës.
Në këtë veprimtari gjuetie, nënvizonte e dhëna e erdhur nga Tirana, i ndihmonte dega e Partisë Komuniste Italiane për krahinën e Pulies.
Të nxitur nga kjo ndërhyrje më në fund në qytetin e Barit në 15 mars 1946 prej kapitenit anglez Ellis i Divizionit të Sigurisë Publike u dorëzua një raport i brëndshëm, sipas të cilit punonjësit që në Misionin Ushtarak Shqiptar merreshin me veprimtari ilegale qenë plot “21 partizanë”.
Kapiteni i propozonte Ministrisë së Brendshme në Romë që të gjithë shqiptarët e Misionit ishte koha të linin sa më shpejt territorin italian. Por gjithsesi u desh edhe një ndërhyrje e një niveli më të lartë britanik që autoritetet e vendit të mos i druheshin më merakut se dëbimi i Kadri Hoxhës dhe i njerësve të tij mund të shkaktonte pasoja të rënda në marrëdhëniet Itali-Shqipëri.
Kështu më në fund Komisioni Aleat urdhëroi Misionin Ushtarak Shqiptar ta linte Italinë. Kjo ndodhi në 9 maj 1946.
Kadri Hoxha dhe stafi i tij i hipën një piroskafi të UNRRA-s, i cili ende ndodhej në portin e Brindisit. Nuk u përfill një përpjekje e fundit e Kadri Hoxhës për të shprehur pikëpamjen se ndihej i hidhëruar për këtë përkeqësim të raporteve mes Romës dhe Tiranës, por që ende shpresonte se shumë shpejt do të rifillonte tregtia mes dy brigjeve.
Këmbëngulës në ashpërsinë e tyre autoritetet lokale menduan që para nisjes t’u bënin një kontroll pesë kamionëve të mëdhenj që ushtarakët shqiptarë të Misionit tashmë të mbyllur po i merrnin me vete pa raportuar se me çfarë qenë ngarkuar, por këtë herë anglezët ndërhynë që të mos trazoheshin.
Ishte një shpërblim reciprok, sepse në Shqipëri ngarkesat e tyre në dalje të kufirit nuk kontrolloheshin prej autoriteteve shqiptare.
Enver Hoxha nuk e priste këtë goditje, edhe pse ajo po i jepej më shumë e ndikuar nga mbështetja që në çështjen e Triestes po i bëhej Jugosllavisë. Ai udhëroi rinisjen e një fushate mediatike kundër vendit fqinj, e cila do të vazhdonte gjatë.
Gazeta “Bashkimi” e 12 majit dhe akoma më dukshëm, nëpërmjet një editoriali, edhe ajo e 15 majit 1946, shpallnin se “Italia duhet të paguajë” dëmshpërblimet e luftës. Për këtë arsye ata i kishin kërkuar me shkrim Konferencës së Ministrave të Jashtëm në Paris që qeveria e Romës tua kompensonte dëmet duke u dhënë një pjesë të flotës italiane.

Ylli Polovina

Tiranë, më 28 shkurt 2019

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com