|
TAKIM SHUMË I NGUTSHËM ME KËSHILLTARIN POLITIK TË AMBASADËS GJERMANE
(Botuar në “Illyria” në 7 shkurt 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i pestë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Nga dita fortësisht intensive e 19 majit 1999 do të më nguliteshin në vëmendje dhe detyrimisht do t’i regjistroja me hollësi në videokaseta mjaft ngjarje dhe jo vetëm ato që përshkrova në shkrimet pararendëse: pjesëmarrjen në debatin televiziv pro ndërhyrjes së NATO-s të Edi Ramës dhe Ana Oksës, gjithsecili në një emision jo të njëjtë të Radio Televizionit Publik Italian, kanali i parë.
Nëntëmbëdhjeta ishte ditë e ngjeshur edhe me përpjekjen e tretë, sa kish filluar lufta, të një pakice në parlament për ta rrëzuar qeverinë e Masimo D’Alemës, ndërsa ky rezistoi me të gjitha dhelpëritë e mundshme të një burokrati të vjetër partie të majtë ish-komuniste, siç ishte ai.
Në 19 maj dinakëria e tij shkëlqeu.
Aq e habitshme dhe spektakolare ishte kjo ndodhi politike, aq fort e domosdoshme dhe urgjente qe si informacion imediat për Tiranën, sa që brenda dyzetë minutave hartova një raport informativ të mpiksur çështje për çështje në 3 faqe, të cilin ambasadori Leontiev Çuçi, pasi e lexoi dhe e firmosi, e nisi menjëherë.
Vraponim të gjithë, por pa u ngutur. Nxitimi të thyente qafën, sidomos në vërtetësinë e të dhënave që mblidhje dhe ja nisje qartë e shpejt Tiranës. Me luftën e Kosovës koha kishte marrë një ritëm tjetër, ndonjëherë e bërë lëmsh.
Për çështjen e besimit ose jo tek vazhdimësia e punës së kabinetit D’Alema parlamenti italian i kishte mbyllur punimet në orën 11.20. Në 12.00 fiks raportimin tonë për Ministrinë e Punëve të Jashtme e gëlltiti aparati i faksit në zyrën e shifrantit.
Paqësorët e sinqertë si edhe pseudopacifistët patën qenë në paraditen e 19 majit kërcënimi më i rrezikshëm për Masimo D’Alemën dhe qeverinë e tij, por edhe ai i mundi me tezën e paqes.
Mes shumë duartrokitjeve katër më të gjatat kryeministri italian i mori saktësisht kur foli për paqen. Në rastin e parë tha: “Ne duam paqen, kjo është e padiskutueshme, por nuk mund ta harrojmë se një paqe e vërtetë kalon nëpër dështimin jo të Jugosllavisë, por të një politike të pastrimit etnik, të një politike masakrimi të mijra e mijra njerëzve në Kosovë”.
Duartrokitja e dytë e gjatë, si të ishte një pëllumb gufues, e përshkoi fluturimthi shumicën parlamentare ndërsa kundër Sllobodan Millosheviçit D’Alema shqiptoi “Kjo politikë duhet bërë të dështojë, paqja e drejtë kalon nëpër këtë dështim”.
Për herë të tretë brohorima e pushtoi sallën e parlamentit, kur kryeministri italian kumboi fjalët: “Unë nuk besoj shumë në kthimin e refugjatëve në rast se nuk ka forca të mjaftueshme sigurie për t\'u garantuar rikthimin”.
Duartrokitje të forta dhe të gjata pati edhe kur D’Alema tha: “Refugjatët kosovarë nuk kanë frikë nga ushtarët tanë”. Këtë çast dikush nga auditori shqiptoi diçka që nuk u dëgjua mirë, por kryeministri italian reagoi me shpejtësi duke i dhënë përgjigjen: \"Kanë frikë nga ata që u djegin shtëpitë, që i përdhunojnë\".
Menjëherë rishpërthyen shumë duartrokitje që zgjatën.
Kështu Masimo D’Alema me “baletin” e tij mjeshtëror e shpëtoi atë ditë të 19 majit qeverinë e vet dhe tërë aksionin e Aleancës Atllantike, sepse shkërmoqja e kabinetit qeveritar italian do të ngecte igranazhe të tëra të makinës politike, luftarake, por edhe diplomatike, të gjithë Aleancës Atllantike.
Kur t’i vijë momenti në këtë cikël shkrimesh do të rrëfej se si, për gjithçka të vështirë që kapërceu, Masimo D’Alema bëri një libër (“Kosovo, gli italiani e la guerra”, “Kosova, italianët dhe lufta”) dhe se në shqip, rrufeshëm, por edhe cilësisht bukur, ia përktheu një shqiptar i ditur, profesor albanologjie, me banim në Romë dhe mësimdhënie në Universitetin Oriental të Napolit, Edmond Çali.
Në mbrëmjen e vonë të 19 majit 1999 me të vërtetë kisha ndjesinë se ajo ditë pati qenë si e kaluar në një planet tjetër, tokë me pak ajër dhe që e godisnin parreshtur meteorë.
Më në fund sekuencat televizive me vullnetarin italian në Tiranë Natale Kapodikaza (Capodicasa) ishin ato që m’u duk sikur më dhanë oksigjen dhe një lloj shplodhjeje mendore. Ato më dhanë edhe gëzim të hovshëm dhe u bëra si fëmijë t’u jepesha i tëri.
Natale Kapodikazën e pashë tek emisioni “Prima” i RAIUNO, drejtuar përditshëm nga David Sassoli.
Para se të shkonte në Shqipëri, në një specializim të gjatë në Romë për mjek mikrobiolog, Natale kishte jetuar në Via Sabrata, rrugë që ndodhej në të djathtë të ecjes sonë të përditshme nga apartamentet e banimit në Viale Eritrea, nëpër Via Asmara, dhe për të mbërritur pas e shumta dhjetë minutash në Ambasadë.
Kishim qenë fqinjë dhe tashmë, sipas çfarë po trasmentonte RAIUNO, Natale Kapodikaza ishte edhe nëndrejtor i një qendre grumbullimi dhe përkujdesjeje për refugjatët kosovarë, një kampi të tërë në Tiranë, afër Kinostudios.
Bëhej fjalë ato çaste, siç ia tha televizionit të vendit të tij, për 512 njerëz. Brenda pak ditësh të tjera masa e refugjatëve do të shkonte në 730.
Intervista me Natalen qe një kronikë e ardhjes prej vendlindjes së tyre përtej kufirit shtetëror në kushte mjaft të dhimbshme dhe sistemimi e menjëhershëm nëpër çadrat e shumta.
Ai seksion i emisionit të David Sassolit quhej “Pleq dhe fëmijë, prova e vështirë e eksodit”. Siç e paraqiste gazetari i RAIUNO në kryeqytetin shqiptar, Natala Kapodikaza, qe siçilian, mjek mikrobiolog, italian që u trondit prej asaj që i ndodhi një populli të dëbuar nga shtëpitë dhe tokat e tij dhe u bashkua me ta për t’i ndihmuar. Nuk pati ardhur në Tiranë posaçërisht për këtë, por sepse si mjek i specializuar do të pajiste, vinte në punë dhe drejtuar një laborator mikrobiologjik, i cili më pas do të transferohej në një spital të ri që ishte në ndërtim, me emrin e pritshëm “Nënë Tereza”.
Gazetarit televiziv Natale i tha se që nga ora tetë e deri pasdite punonte me ekipin e tij në laborator dhe me të mbaruar orarin zyrtar atje ishte i lirë të bënte vullnetarizëm. Kështu, kur nisi fluksi i madh i refugjatëve nga Kosova, femra, pleq dhe fëmijë, hipur mbi traktorë, makina, qerre dhe shumica në këmbë, vrapoi menjëherë për hapjen e njërit prej kampeve të shumtë pritës, dhe qëndronte atje në shërbim shpesh herë edhe deri në orën njëmbëdhjetë të natës.
Natale Kapodikaza u shpjegoi në RAIUNO miliona italianëve në atdheun e vet se shumica e vullnetarëve në kamp qenë shqiptarë, madje mes tyre edhe një ekip i tërë mjekësor, por për ta plotësuar dhe lehtësuar shërbimin njëzetë e katër orësh po prisnin të vinte ato ditë edhe një ekip mjekësor nga Padova.
Një pjesë tjetër e emisionit tregonte Natalen duke folur në radiotrasmentuesin telefonik të kampit, ndërsa ato çaste po e njoftonte drejtori se sapo patën mbërritur makina me ndihma ushqimore dhe veshje, ilaçe po ashtu. Shprehja e gëzimit të Natales nuk u shpëtoi kamerave të RAIUNO.
Jeta do të ma sillte ta takoja Natalen dhe të merrja prej tij hollësisht gjithçka mbresëlënëse që kish përjetuar gjatë Luftës së Kosovës. U binda se Kapodikaza ishte nga ata që nuk kishte ardhur tek refugjatët vetëm për kaq, vullnetarizëm disamujor. Ai do të martohej në Tiranë me një vendase, do të lindnin bashkë tre fëmijë dhe do të bëhej një vullnetar edhe më i famshëm, shumë i admiruar: president i Shoqatës Shqiptare të Dhuruesve të Gjakut.
Atë ditë të 19 majit, po e theksoj këtë për lexuesin, në mbyllje të fjalës së tij në Parlament, pra kur ende nuk kishte ardhur mesdita, kryeministri D’Alema pati thënë edhe këto fjalë: “Ndihmojmë në Shqipëri pothuaj 50 mijë refugjatë kosovarë Kaq sa ka bërë Italia vështirë se ka bërë vend tjetër (duartrokitje të gjata)”.
Dhe i kishte falënderuar të gjithë vullnetarët e vendit të tij që kishin shkuar përtej Adriatikut në shërbimin e tyre të çmuar.
Sigurisht ishte rastësi po atë ditë emisioni i David Sassolit me Natale Kapidikaza, por gjithsesi duke qenë mjaft i vërtetë dhe i merituar, shembulli i tij do të rezultonte edhe më i pranuar nga italianët.
Massimo D’Alema në raportimin e vet në parlament pati thënë se në takimin e bërë në qytetin e Barit me kolegun e tij gjerman, kancelarin Shrëder, konfirmonte që mes të dyve kishte përputhje të shumta, sidomos që nismën e zgjidhjes politike ta kryejë OKB dhe po ashtu në inkurajimin e pjesëmarrjes së diplomacisë ruse.
Tha gjithashtu: \"Ne duam një ndalim të menjëhershëm të dhunës, tërheqje e trupave ushtarake dhe paraushtarake, rikthim i refugjatëve me prani civile dhe sigurie, pra ushtarake. një administrim ndërkombëtar tranzitor për të krijuar një qeveri demokratike të Kosovës brenda kufijve jugosllavë, çmilitarizimi i UÇK-së, ndihma për rimëkëmbjen ekonomike\".
Më pas: “Ka rëndësi uniteti brenda NATO-s. Bashkë me Gjermaninë ishim të bashkuar për këtë problem”.
Ndërkaq në mbrëmjen dhe natën e 18 majit televizionet nuk qenë shumë të përkushtuara për t’i çelur vend të rendësishëm këtij lajmi. Kjo do të sillte një mungesë të dukshme informacioni edhe për trupat diplomatike të akredituara në Romë, sigurisht ca më shumë për ne shqiptarët, të cilët ndodheshim në qendër të ngjarjeve të luftës së NATO-s.
Nga gjendja e dobët e pasqyrimit në shtypin e 19 majit kjo situate urie për informacion më të plotë u nxit edhe më shumë. Gazetat kishin me të vërtetë shumë pak, thua e paten bojkotuar, çfarë nuk qe posaçërisht e tillë. \"La Repubblica\" titullonte: \"Do të jetë OKB që do të zhvillojë bisedimet\". Nën të pati rreshtuar fjalët \"Shrëder-D\'Alema, hidhet në erë dokumenti i përbashkët për Kosovën\". \"Corriere della Sera\" theksonte: \"Jo e Shrëderit për planin e D\'Alemës\". “La Stampa\": \"Kosovë, gjysmë marrëveshje D\'Alema-Shrëder\". “Il Giornale\" e kishte nderur titullin me formulimin \"Italia dhe Gjermania mbeten të vendosura në zgjidhjen e G-8\".
Kjo varfëri dhe monotoni informative qe një hermetizëm i vërtetë.
Ministrisë së Jashtme në Tiranë ia dërguam shumë shpejt raportin mediatik dhe me siguri atje nuk ishin të kënaqur nga aq pak. Kështu nga ministri Paskal Milo mbërriti kërkesa që të bënim përpjekje për sa më tepër të dhëna rreth takimit të Barit.
Ambasadori Çuçi më thirri dhe më vuri përpara detyrën: të takohesha menjëherë me Detlev Bakshtain dhe prej tij të merrja sa më shumë informacion.
Doemos që nuk i thashë se këshilltari politik i Ambasadës Gjermane, me të cilin bashkëpunoja që sapo pati nisur lufta ajrore e Aleancës Atllantike, ishte në procedurë rikthimi në atdhe, çfarë do të thoshte vëmendje për punë personale dhe takime ceremoniale me kolegët në Romë, se ai gjithashtu qe mjaft i zëmëruar me qeverinë e tij, doemos edhe me Gerhard Shrëderin, partinë e majtë të të cilit pak ditë më parë ma kishte emërtuar si fole nepërkash.
Qenë të gjitha gjasat që Detlev të më jepte ndonjë thërrime informacioni, në mos edhe këtë, për shkak se nuk e donte Shrëderin, edhe të djallëzuar.
Por gjithsesi gjermani mbetet gjerman. Detlev Bakshtain ndihej njëqind për qind në detyrë dhe më trasmentoi gjithçka dinte.
Kështu Tiranës iu dërgua menjëherë ky raport: “Me kërkesën e tij Sekretari i Parë Ylli Polovina takoi sot në mjediset e Ambasadës Gjermane në Romë Këshilltarin politik të saj, z. Detlev Bakshtain.
Biseda u zhvillua rreth ngjarjeve më të fundit që kanë ndodhur, veçanërisht z. Ylli Polovina u interesua për takimin e Barit mes kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe kryeministrit italian Masimo D\'Alema.
Këshilltari Detlev e vlerësoi shumë veprimin politik të kryeministrit italian dhe mënyrën se si ai përballon disensin e gjerë pacifist në përbërje të koalicionit. Ai shtoi se, megjithëse e vlerësuan, nuk e mbështetën nismën italiane për një ndërprerje të menjëhershme dhe të njëanshme të bombardimeve për të mos inkurajuar një çarje mes vendeve aleate të NATO-s.
Gjithashtu tha se deklarata e kancelarit Shrëder në Bruksel, ku u shfaq kategorik në mohimin e një sulmi tokësor kundër Jugosllavisë, ishte një veprim me synim konsumin e brendshëm politik në Gjermani, sepse \"qeveria jonë e kuqe-gjelbër është e dobët\" sqaroi Detlev. \"Kancelari me siguri mendon ndryshe nga ç\'thotë\", shtoi Detlev.
Biseda më pas u përqëndrua në situatën në kufijtë veriorë të Shqipërisë, ku diplomati gjerman kërkonte hollësi nëse ushtria shqiptare atje kishte shkuar për të mbrojtur vendin e vet apo paralajmëronte ndonjë veprim tjetër.
Po kështu ai pyeti edhe për situatën korente mes Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së.
Këshilltari i Ambasadës Gjermane disa herë këmbënguli se një armëpushim tani do të favorizonte Millosheviçin, se presidenti serb që është një diktator, duhet mundur patjetër e duhet bërë të kapitullojë, ndryshe do të jetë Aleanca që ka dështuar.
Por zoti Detlev u shpreh se pas një rezolute të OKB-së, e cila përmban ato që ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës mund të bëhet, në shenjë vullneti të mirë, një pushim fare i shkurtër i bombardimeve.
Por kurrë të bëjmë pushim, pastaj hajde mblidhemi në OKB për të hartuar rezolutën, sepse kjo do të bënte shtyrje të kohës dhe shumë shpejt do të vinte çasti që Aleanca nuk do të vepronte më ushtarakisht dot kundër Beogradit.
Aq më tepër ky \"pushim\" nuk duhet të jetë i gjatë, sepse shumë shpejt do të kalojë kjo verë dhe do të vijë dimri, momenti ku problemi i refugjatëve dhe i kushteve të tyre të jetesës do të bëhet mjaft i mprehtë.
Detlev Bashkshtain mendonte se Sllobodan Milloheviç është shumë afër dorëzimit të tij”.
Pas dërgimit të këtij raporti nga Ministria e Jashtme në Tiranë nuk erdhi asnjë kërkesë për informacion shtesë. Patjetër kishin dhënë kontributin e tyre për ta plotësuar pamjen e takimit të Barit edhe kolegët e Ambasadës Shqiptare në Berlin.
Por Ministri Milo do të jepte për mua njëherësh edhe një ngarkesë tjetër të ngutshme. Ankohej se një deklaratë e tij e bërë në Shqipëri jo vetëm ishte keqkuptuar në Itali, por edhe shtrëmbëruar keq.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 shkurt 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|