Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“KINI KUJDES NGA KY GAZETAR EDEPSËS”, POR ITALIANI GOFFREDO PARISE SHKROI MIRË PËR SHQIPËRINË DHE ENVER HOXHËN


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 6 shkurt 2019)

“Corriere della Sera”, 31 korrik 1969: pse Shqipëria është avantpost i Maoizmit në Evropë, por Hoxhizmi ka edhe disa ndryshime.

E përditshmja italiane me tirazh të madh, afro një milion kopje ditore, “Corriere della Sera”, në 31 korrik 1969 botoi një intervistë me gazetarin, shkrimtarin dhe njëkohësisht bashkëpunëtorin e saj, Goffredo Parise.
Titulli qe “Miqtë e heshtur të Kinës”.
Në intervistë Goffredo ishte marrë prej njërit nga gazetarët më të njohur të “Corriere della Sera”, autor edhe i mjaft librave të mirë: Xhuliano Xinkones (Giuliano Zincone).
Në rreshtat e parë të hyrjes për paraqitjen e bisedës redaksia shkruante se “Para pak ditësh Goffredo Parise u kthye nga Shqipëria, ku kish shkuar me ftesën zyrtare të qeverisë shqiptare nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Itali dhe Shoqatës Itali-Shqipëri.
I kemi bërë bashkëpunëtorit tonë një sërë pyetjesh lidhur me gjendjen politike, psikologjike e kulturore të këtij vendi që përfaqëson pikën më të avancuar të influencës maoiste në Evropë”.
Pyetja e parë e kësaj interviste, nga më të rrallat dhe spektakolaret e botuara në shtypin italian gjatë gjysmëshekullit realkomunist shqiptar, lëndë e shkruar që zuri hapësirën e një faqeje të tërë të “Corriere della Sera”, ishte kjo: “Ç’është Shqipëria?”
Përgjigja e Goffredo Parise u formua me fjalët: “Një enciklopedist fenomenolog, jo pa humor, e ka përcaktuar Shqipërinë kështu: Një vend prej afro 2 milion banorësh, sipas formulës së re (New Formula). Një enciklopedist politik aktualist dhe snob, do ta përcaktonte: vend i vogël marksist-leninist që shumë pak e njohin, i mbrojtur nga Kina dhe, për të cilin ka filluar të flitet”.
Në vijim pjesa tjetër e përgjigjes së Goffredo Parise për pyetjen e parë ishte kjo: “Vulgarët e përcaktojnë si një vend delesh. Personalisht, duke qenë i detyruar ta përshkruaj me pak fjalë, do të thosha: vend gjeografikisht shumë i ngjashëm me disa krahina të Italisë (Friuli, Karnia, Pulia), me banorë që kanë karakteristika somatike dhe temperamenti shumë të afërta me fshatarët dhe malësorët e këtyre krahinave, të shënuar në fytyrë nga një ndjenjë shumë e fortë (patriotizmi) dhe nga një detyrë shumë e rreptë (puna); vend që mbahet me dorë të fortë dhe nganjëherë të hekurt, nga një ideologji (marksiste-leniniste), por në rradhë të parë nga njerëz politikisht shumë të aftë në realizimin dhe zhvillimin e kësaj ndjenje nacionaliste dhe të kësaj detyre produktive”.
Më tej: “Nëqoftëse kohët e fundit ne e shohim Shqipërinë të paraqitet në një farë mënyre para Evropës, kjo nuk i detyrohet vetëm, sikundër mund të besonte politikani aktualist, snob, mbrojtjes që i bën Kina, por faktit se pas 25 vjetëve punë politike, bujqësore e kulturore shumë të rëndë, ajo (Shqipëria) është, me gjithë varfërinë, e pjekur për t’u paraqitur: sepse u ka mësuar shkrim dhe këndim banorëve të saj të rinj, analfabetë në më shumë se 80 përqind para përfundimit të luftës; sepse u ka mësuar tyre të bonifikojnë kënetat, gjatë gjithë bregdetit të kultivojnë terracat, që nga baza deri në majë të maleve të xhveshura, duke treguar se për të ngrënë duhet jo vetëm prodhim, por edhe shfrytëzim i çdo rripi toke buke; sepse ka mësuar përveç këtyre, se një vend i vogël duhet të dyshojë gjithnjë tek fqinjët e mëdhenj dhe të ketë besim nga shumë të mëdhenjtë që janë larg; dhe u ka mësuar më në fund se, duke ndjekur këtë politikë të papërkulshme fshatare, mund të arrihen rezultate që nuk merren me mend, ashtu si përshembull lindja e industrive siderurgjike, mekanike, tekstile dhe kimike, me dimensione të konsiderueshme, në krahaim me nevojën e brendshme dhe, sidoqoftë të tilla që i lejojnë vendit të bëjë hapat e para drejt Evropës si një shtet që dalëngadalë në rrugën që do ta bëjë atë modern, dhe jo një vend bagëtish”.

Kërkoi takimin me një të burgosur politik, por u tërhoq vetë

Do t’i rikthehemi përgjigjeve që Goffredo Parise i dha Xhuliano Xinkones, por lexuesi me siguri e ka një kërshëri: si ja dolën stalinistët shqiptarë në pushtet në Tiranë dhe trupa diplomatike e saj në Romë, këtij aksioni mediatik për imazh pozitiv të vetvetes, duke shënuar realisht një kulm, çfarë atëkohë qe gjë tepër e rrallë, sepse bota demokratike nuk mund t’i kryente shërbime bojatisjeje një regjimi me shkelje të rënda e të përsëritura të të drejtave të njeriut.
Deri në vitin 1969 një aksioni të tillë të suksesshëm ja kishte dalë vetëm ambasada shqiptare në Paris me “Le Monde”. Në këtë të përditshme të fundit, edhe pse pati ndikuar i fuqishmi i redaksisë së saj, Robert Escarpit, një intelektual, shkrimtar dhe dijetar me përmasa shumë më të famshme se Goffredo, aksioni i depërtimit dhe i botimit kishte zgjatur disa muaj.
I Romës ndodhi brenda më pak se gjashtëdhjetë ditësh, pothuaj me shpejtësinë e një blici. Për stilin burokratik dhe dogmatik të Tiranës zyrtare kjo qe e papërfytyrueshme, pothuaj një habi.
Fillimi i kësaj historie të pazakonshme suksesi mediatik ka të pleksur me rol të spikatur dy persona: Ksenofon Nushin, ambasadorin shqiptar në Romë, realisht një nga më të shquarit diplomat të regjimit komunist, si edhe Fosko Dinuçin (Fosco Dinuci), të shumëdashurin nga Enver Hoxha, të cituarin e shpeshtë prej tij, kryetar i Partisë Marksiste-Leniste Italiane.
E realizuar me një intervistë në 31 korrik 1969 kjo ngjarje filloi në 4 qershor të atij viti, kur ambasadori Nushi i nisi Ministrisë së Jashtme në Tiranë, radiogramin nr. 689. Me të e vinte në dijeni organin e saj epror se në 1 qershor kishte biseduar me gazetarin dhe shkrimtarin, po ashtu edhe mikun e Partisë Marksiste-Leniniste Italiane, Goffredo Parise. Tema e saj pati qenë një kërkesë e shprehur prej italianit: dëshironte të bënte një vizitë në Shqipëri. Në prill ai kishte vizituar Kinën dhe Hanoin, duke shkruar dhe botuar pas kësaj një reportazh të gjatë pozitiv për këto dy vende komuniste. Nisur nga kjo, por edhe prej faktit që për Goffredo Parise diplomatët kinezë në Romë i kishin folur shumë mirë Ksenofon Nushit, ky propozonte që t’i jepej mundësia edhe për të ardhur në Shqipëri. Kohë të përshtatshme për këtë ambasadori shihte fundin e po atij muaji: qershorit.
Dukej vërtetë shumë shpejt, por Nushi nuk donte asnjë vonesë, me siguri nga që e dinte se në Ministrinë e Jashtme qenë të predispozuar për t’i zvarritur nisma të tilla, të cilat nuk kishin asnjë siguri si do të përfundonin. Niseshin për imazh të mirë dhe pasonin të kundërtën: vetënxirrjen.
Sipas radiogramit 706 të nisur prej Ksenofon Nushit në 9 qershor Tirana vihej në dijeni se ambasadori e kish ftuar Goffredon për darkë dhe gjatë saj patën biseduar për hollësi të tilla siç ishte edhe qëndrimi i ftohtë që mbante gazetari ndaj Moskës zyrtare. Kjo garantonte se ai nuk ishte prosovjetik.
Pesë ditë më vonë, në 14 qershor 1969, një informacion i kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturale e Miqësore me Botën e Jashtme, Misto Treska, i firmosur prej një zëvendësi të tij, i komunikonte instancës eprore, ministrit të Jashtëm, se ambasada në Romë propozonte ardhjen në Shqipëri të gazetarit shkrimtar Goffredo Parise dhe se për këtë vetë Komiteti qe dakord. Italiani dashamirës dhe mik i marksist-leninistit Fosko Dinuçi do të vinte dhe ikte me shpenzimet e tij, porse për qëndrimin në Tiranë dhe në çdo qytet tjetër, të cilin do ta vizitonte, do të paguante shteti shqiptar. Për një dëshirë të tij që të merrte me vete edhe të shoqen, patën bërë sikur nuk kishin dëgjuar.
Me penë bojëkuqe në anë të këtij informacioni të 14 qershorit bëhej shënimi se qene dakord me çfarë propozonte ambasada dhe Komiteti për Marrëdhënie Kulturale e Miqësore me Botën e Jashtme. Shënimi shkronjëkuq porosiste marrjen e masave të nevojshme për pritjen dhe shoqërimin e Goffredo Parise.
Kështu para se të merrte udhën për në Shqipëri, Goffredo në 4 korrik hëngri në Romë një drekë të shtruar nga Ambasada Shqiptare, në të cilën ishte Fosko Dinuçi si edhe diplomati Ferdi Karagjozi. Pas kësaj ky i fundit e informoi menjëherë Tiranën se prej bisedës kishte rezultuar një e papritur: Parise nuk dinte asgjë të hollësishme rreth Partisë Marksiste-Leniniste Italiane. Kjo mangësi, pra meraku se mos deri ato çaste qe treguar një hipokrit, alarmoi jo vetëm Ministrinë e Jashtme, por edhe aparatin e Komitetit Qendror, të cilët vunë menjëherë në dijeni Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Prej këtyre erdhi porosia që gazetari Parise ta nguliste mirë në kokë se PPSH njihte në Itali si formacion politik komunist vetëm këtë parti.
Ferdi Karagjozi gjithashtu e informonte qendrën e tij se në takimin e parë me Goffredon ky u tha se nuk kishte vendosur të shkruante artikull për Shqipërinë, por kur u ritakuan në 4 korrik pohoi se pati vendosur të kundërtën: do të shkruante
Karagjozi qe personi i ngarkuar që tashmë mbulonte çështjen Goffredo Parise në Romë. Sipas një informacioni të hollësishëm të tij në 8 korrik 1969 ”Parise nuk bën pjesë në ndonjë parti politike, simpatizon partinë Marksiste-Leniniste. Është shkrimtar dhe gazetar i njohur në Itali dhe përveç botimit të librave ka shkruar rrallë edhe artikuj në gazetën “Espresso” dhe “Corriere della Sera”.
Sipas Karagjozit, Goffredo dukej njeri me pikëpamje progresive, qe mik i Shqipërisë dhe fliste mirë për Partinë e Punës. Në vitin 1966 pati vizituar Kinën dhe më vonë Vietnamin e Jugut. Për këto vizita ai kishte bërë një libër: “Kina e dashur”. Po ashtu pati botuar edhe një mbi Vietnamin: “Dy tri gjëra mbi Vietnamin”.
Gjithnjë sipas raportimit të Ferdi Karagjozit, Perise kishte publikuar në dy numra të “Espresso” një shkrim për Kinën. Ndërkohë shtonte se “Libri dhe artikulli mbi Kinën nuk janë ndonjë gjë e madhe, sigurisht ato janë parë e shkruar me syrin e stilin e një shkrimtari borgjez, për të krijuar edhe sensacione, bile ka edhe ndonjë shtrëmbërim dhe interpretim të gabuar, por megjithatë, në përgjithësim, ato janë shkruar me dashamirësi dhe nuk flasin kundër Kinës”.
Informonte më tej diplomati Karagjozi: “Këto botime deri në një farë mase hedhin poshtë propagandën shpifëse të shtypit reaksionar italian lidhur me Kinën”.
Ferdi Karagjozi po ashtu u bënte të ditur eprorëve se Goffredo Parise ishte autor i disa romaneve, dy prej të cilëve titulloheshin “Padroni” dhe “Prifti i bukur”. Në to ai, theksonte diplomati në infon e tij të 8 korrikut 1969, “dënon shfrytëzimin kapitalist dhe demaskon qëndrimin e priftërinjve të borgjezisë dhe të Vatikanit”. “Padroni”, vinte në dukje Karagjozi, ishte përkthyer edhe në disa vende të perëndimit, ndërkohë edhe në Hungari, Çekosllovaki, Rumani dhe në Bashkimin Sovjetik. Në këtë të fundit, theksonte Karagjozi, qenë përkthyer edhe “Dy tri gjëra për Vietnamin”.
Ferdi Karagjozi informonte eprorët se përveç librave Goffredo Parise njihej edhe si autor i mirë i shumë skenarëve kinematografikë. Diplomati shqiptar në raportimin e tij të 8 korrikut shtonte se gazetar-shkrimtari italian gjatë vitit 1969 kishte qenë për vizitë dy-tri muaj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Finlandë, po ashtu si edhe në Kubë.
Gjatë bisedës-drekë Gofredo Parise pati parashtruar edhe disa kërkesa të tij me qëllim që të pesëmbëdhjetë ditët e qëndrimit në Shqipëri për të mbledhur lëndën e nevojshme të shkrimit pozitiv të qenë të frytshme. Më së pari, e informonte Tiranën diplomati Ferdi Karagjozi, ishte takimi me një nga udhëheqësit e vendit, duke dëshiruar Enver Hoxhën dhe në pamundësi të këtij të fundit Mehmet Shehun. Prej tyre synonte të merrte një deklaratë rreth Partisë Komuniste Italiane (Marksiste-Leniniste). Me këtë rast Karagjozi shprehej për eprorët se çështja e nevojës për këtë deklaratë duhej të qe pasojë e trysnisë që i kishin bërë Gofredo Parisë njerëzit e kësaj partie për nevoja të luftës kundër një fraksioni tjetër komunist, siç ishte “Servire al Popolo” (“T’i shërbesh popullit”).
Goffredo po ashtu, ende pa u nisur nga Roma, i kish parashtruar Ambasadës Shqiptare që gjatë vizitës së tij “të njihej me luftën kundër burokratizmit, për ushtrimin e kontrollit të klasës punëtore, mbi inisjativat për revolucionarizimin e jetës së vendit, mbi strukturën politike të vendit dhe sidomos punën politike në fshatrat e thellë dhe të shpërndara”. Diplomati Ferdi Karagjozi e vinte në dijeni Ministrinë e Jashtme se për të gjitha këto çështje Goffredon e kishin informuar me gojë si edhe dhënë literaturë të shkruar.
Sipas Karagjozit, Parise pati shprehur edhe dëshirën të takohej në Shqipëri me specialistë kinezë, gjithnjë me objekt për të parë nga afër lidhjet e tyre me vendasit. Diplomati Ferdi Karagjozi ia shpjegonte Tiranës këtë kërkesë të gazetarit sepse, siç shkruante ai për Parise, “siç duket, është i influencuar nga propaganda reaksionare italiane se në Shqipëri kinezët janë kudo. Prandaj kur të paraqitet rasti në ndonjë ndërmarrje ose kantjer do të bindet së pari ai vetë mbi këto marrëdhënie të drejta dhe do të ketë material për të demaskuar shtypin reaksionar”.
Në raportin e tij informativ për qendrën Ferdi Karagjozi shkruan edhe këto radhë: “Ka kërkuar që të ketë takim me një të burgosur politik, por mbasi i thamë se për çfarë do i shërbente kjo, se në vendin tonë ai ka për të parë plot probleme të tjera, ai u tërhoq. Bile edhe kur e bëri këtë, ai theksoi se po bënte një kërkesë që do të dukej e çuditshme, por që ai nuk do të ngulte këmbë në qoftë se kjo do të na vinte në vështirësi, sepse nuk ishte çështja kryesore etj”.
I shkruante më tej Ministrisë së Jashtme Karagjozi: “Kërkon gjithashtu të ketë takim me autorin e romanit “Tuneli” (Dhimitër Xhuvani)”. Po ashtu: “Disa herë ka kërkuar që të ketë një takim me ndonjë ushtarak për të mësuar mbi përgatitjen luftarake të popullit dhe gadishmërinë. Këtë ja ngriti në bisedë edhe Dinuçit, duke theksuar se nuk do të dijë as formacionet, as armatimet, por lidhjet ushtri-popull”.
Shkruan më poshtë Ferdi Karagjozi: “Përveç faktit se ai si gjithë gazetarët borgjezë që kërkojnë të ngrejnë sensacione, për natyrën e kërkesave që bën ai, të bën të mendosh se do t’i ketë shtruar vetes tjetër objektiv”.
Shtojmë se Parise që në ditët e para të ardhjes, sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, shfaqi dëshirën që të bënte një vizitë në Ambasadën Italiane, duke thënë se ai ishte një emër në botën letrare dhe publiçistike dhe nuk dëshironte që në ambasadë mosvajtja t’i interpretohej si shpërfillje.
Ndërsa raporti përfundimtar i diplomatit Ferdi Karagjozi përmbyllej me një shtesë “Shënime” të Misto Treskës dhe firmosej prej vetëm këtij të fundit, funksionari i lartë që përdorte boje të kuqe shënonte se “Pavarësisht nga kush është rekomanduar juve duhet të kini kujdes, siç e kemi biseduar. Këta “edepsëzë” fundja borgjezë janë, prandaj çdo gjë në masën e duhur”.

Shqiptarët nuk lexojnë Maon, por Enver Hoxhën

Në intervistën dhënë tek “Corriere della Sera” pyetjes së Xhuliano Xinkones “Çfarë përfaqëson ky vend në formacionin komunist ndërkombëtar?”, Goffredo i qe përgjigjur: “Pothuaj asgjë dhe në të njëjtën kohë shumë. Asgjë nëqoftëse do të marrim parasysh entitetin numerik efektiv (megjithëse i gjithë populli është i armatosur dhe mund të organizohet në maksimum në guerrilje difensive), asgjë në strukturën e (ortodoksisë) komuniste që ka lidhje me Bashkimin Sovjetik. Kurse shumë, po të merret parasysh prestigji që gëzon në formacionin tjetër komunist (Kina dhe partitë ose grupet marksiste-leniniste të të gjithë botës)”.
Pyetjes tjetër: “Cilat janë format konkrete që ka marrë prania kineze në Shqipëri?”, Parise i ishte përgjigjur: “Një stabiliment për plehrat kimike në Fier që më duket se përfundoi vitin e kaluar, projektuar dhe ndërtuar nga Montekatini, me një kosto prej 15 milion dollarësh paguar nga kinezët. Një kombinat tekstili, me emrin “Mao Ce Dun” me pesë mijë punëtorë, projektuar nga kinezët dhe pajisur nga kinezët me makineri të reja moderne dhe ndihmuar për funksionim dy vitet e para nga teknikë kinezë. Një tjetër uzinë për fabrikimin e shtatëdhjetë e pesë përqind për pjesëve të ndërrimit të veglave për traktorët kinezë me emrin “Lindja është e kuqe” në Tiranë. Projektimi dhe ndërtimi i një stabilimenti siderurgjik për mijëra punëtorë në qytetin e Elbasanit. Mjetet e komunikacionit janë kineze, duke filluar nga kamionat, traktorët gjer tek biçikletat e të tjera e të tjera. Këto janë ekujvalenti sovjetik në afro pesëmbëdhjetë vjet miqësie, që përbëhet nga kombinati “Stalin”, një stabiliment tekstili me pesë mijë punëtorë që ndodhet në periferinë e Tiranës dhe që është dhuratë personale e Stalinit, me makineri tashmë të vjetëruara.
Përsa i takon pranisë fizike të kinezëve në Shqipëri, mund të them se ata janë shumë pak, të matur dhe pothuaj krejt të padukshëm. Jetojnë pak si të thuash të përgjumur, ngrihen në orën shtatë të mbrëmjes, hanë, bëjnë një shëtitje dhe mandej shkojnë në shtrat të flenë. Buzëqeshin ose qeshin. E ç’mund të bëjnë tjetër?”
Pyetjes “Megjithatë në kuptimin ideologjik a ka ndonjë prani kineze më të gjërë?”, iu dha përgjigja: “Në kuptimin e platformës së përbashkët të marksizëm-leninizmit mund të thuhet se kjo prani më e gjërë ekziston.
Por unë nuk do ta përcaktoja Shqipërinë si një koloni ideologjike kineze, maoiste. Përkundrazi. Shqipëria e tërheq ujin në mullirin e vet. Unë nuk kam parë libra të kuq, megjithëse të gjithë më kanë siguruar se kryetari Mao Ce Dun lexohet dhe rilexohet dhe për këtë as që dyshoj. Por këto nuk tunden nëpër rrugë, aty nuk hyjnizohen, nuk ngrihen portrete, nuk bëjnë lajka, palaçollëqe. Shqiptarët janë njerëz seriozë, të rezervuar nga pikëpamja ideologjike (në kuptimin që mendimi i Mao Ce Dunit nuk është “mall” ideologjik, por “ideologji”).
Sigurisht unë kam parë portrete të Mao Ce Dunit në shumë shtëpi fshatarësh shqiptarë, por, e përsëris, ato mbahen me droje. Ata lexojnë para çdo gjëje veprat e Enver Hoxhës, të bashkatdhetarit të tyre, i cili e ka parë të udhës, për shkak të moshës së tij (gjashtëdhjetë vjeç) të botojë dy volumet e para pikërisht këta muajt e fundit, në një lidhje elegante me lëkurë dhe me germa të arta, si të gjitha veprat e të mëdhenjve të komunizmit.



Intervista e Xhuliano Xinkones me Grofredo Parise ka edhe pak pyetje të tjera si edhe përgjigjet respektive, të cilat po i anashkalojmë sepse që të gjitha janë tepër dashamirëse për regjimin në Shqipëri si edhe vetë shqiptarët (Njëra prej tyre na duket e nevojshme t’i bëhet e ditur lexuesit: “Si i kundërshpërblen Shqipëria të gjitha këto favore që merr nga Kina?, “Me anën e ideologjisë dhe vetë politikën e Shqipërisë, në koiçindencë me pozitën e veçantë ideologjike të saj, trasmentimet e Radio Tiranës që nuk mund të mos vlerësohen aspak nga pikëpamja propagandistike; dhe marrëdhëniet me marksistë-leninistët evropianë (për shembull me Partinë Komuniste të Italisë, “Nuova Unità”, që njihet zyrtarisht nga Kina dhe nga Shqipëria si e vetmja parti e vërtetë komuniste)”.
Në fund të fundit Goffredo Parise kishte këndvështrimin e tij politik për gjërat, përfshi edhe diktaturat bolshevike, por në thelb duket krejt i sinqertë. Në pesëmbëdhjetë ditët e qëndrimit në Shqipëri ai vizitoi, përveç Tiranës, edhe Durrësin, Beratin, Vlorën, Gjirokastrën, Sarandën, Shkodrën dhe Elbasanin. Nga zyrtarët e lartë takoi vetëm Misto Treskën, kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie Kulturale e Miqësore me Botën e Jashtme, por kjo nuk iu duk pak, e gëzoi. Ndërkohë bëri disa takime me ambasadën italiane, me një teknik italian që bashkë me të shoqen punonte në Vaun e Dejës, shkoi në ambasadën kubane dhe në atë të Vietnamit.
Nga kjo liri krijoi në Tiranë edhe shqetësim dogmatik, kur, siç thotë një informacion, “Gjatë kohës së udhëtimit i bënte shumë pyetje shoqëruesit, shokut Aleks Çaçi, si ku e ka bazën ky aeroplan që fluturon, mund të shkojmë në kufi e të shohim, çfarë shtrese e popullit ka televizorë etj”.
Për Tiranën zyrtare Gofredo Parise mbetej një gazetar borgjez, një “edepsës”. Prandaj për tërë qëndrimet e tij që nuk u pëlqyen Ministria e Jashtme i dërgoi një informacion ambasadës në Romë. Porosia: T’i keni parasysh në kontaktet me të!
Pra, mund të ndodhte hataja, artikulli të mos ishte i mirë për imazhin që pretendonin. Kështu në 23 korrik 1969, kur Goffredo i sapo kthyer nga Shqipëria, kish venë këmbë në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, ambasadori Ksenofon Nushi e ftoi për drekë. Pas kësaj i dërgoi Ministrisë së Jashtme një radiogram të koduar, në të cilin thuhej se Perise kishte nisur të përgatiste artikullin, por ende nuk pati vendosur ku do ta botonte.
Dy ditë më pas këtij ankthi, i vënë në lëvizje prej ambasadorit Nushi, Goffredon e takoi Fosko Dinuçi. Prej bisedës me të kryetari i Partisë Marksiste-Leniniste Italiane kuptoi që miku i tij nuk kishte asnjë prapaqëllim për ta dëmtuar mediatikisht Shqipërinë, “socializmin” e saj.
Por në Tiranë gjithsesi nuk kishte qetësi deri sa më 31 korrik u publikua intervista. U përkthye menjëherë nga ATSH për të ngjitur me shpejtësi dhe entuziazëm shkallët e Komitetit Qendror të PPSH-së, pastaj hyrë në zyrën e Enver Hoxhës.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 shkurt 2019

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com