|
SI U PËRDOR MASAKRA E 4 SHKURTIT 1944 PËR TË KRYER ATË TË GJYQIT SPECIAL NË PRILL 1945
(Botuar në 3 shkurt 2019 në “Shqiptarja.com”)
Bujë për 4 shkurtin, heshtje për 3 shkurtin. Artikuj të Ymer Dishnicës, Sejfulla Malëshovës, Nako Spirut. Fryrja e numrit të të vrarëve dhe fati i katër atentatorëve guerrilierë të PKSH. Surpriza e një dëshmitari të masakrimit të tyre.
Gazeta “Bashkimi”, “Organ central i Frontit Nacional Çlirimtar”, nr. 36, i 2 fruer (shkurtit) 1945, ditë e premte, botonte si kryeartikull të faqes së parë “Një nga klikat e tradhëtisë Mustafa Kruja me shokë”.
Autor ishte Ymer Dishnica.
Bashkëngjitur me të ngulitej shkrimi “Tradhtia ësht e vjetër”, në të cilin thuhej se në kohën e sundimit të Ahmet Zogut nga organizatat shqiptare në emigracion vetëm “Çlirimi Nacional” ishte me të vërtetë organizatë demokratike, kurse grupi “Bashkimi Kombëtar” qe shtrati ku u ngrit më vonë “Balli Kombëtar”.
Me këtë rast ky artikull i dytë shumë i spikatur i faqes së parë të “Bashkimit” të 2 shkurtit 1945, vetëm gjashtëdhjetë e gjashtë ditë prej dëbimit nga territori të pushtuesve nazigjermanë, citonte edhe shumë emra përfaqësuesish të kësaj organizate të fundit: Ali Këlcyra, Rexhep Mitrovica, Kol Tromara, Bahri Omari, Mustafa Kruja, Xhevat Korça, Dom Llazër Shantoja...
Pikërisht në trup të këtij shkrimi (“Tradhtia ësht e vjetër”), vendosur në një kornizë, lajmërohej me germa relativisht të mëdha, për një miting që do të mbahej në kinema Kosova të dielën “Për të përkujtuar ditën e dhimbshme të 4 shkurtit”.
Të nesërmen, në 3 fruer, “Bashkimi”, sërish në faqen e parë, por këtë herë shumë më dukshëm, me germë të mëdha dhe në trup të vetë kryeartikullit “Shqipërija e re në mes të popujve të Ballkanit”, me autor Siri Shapllo, i rikthehej këtij njoftimi: “....miting i madh në kinema Kosova për të përkujtuar viktimat e terorit të 4 shkurtit. Në këtë miting të madh historik do të asistojë Qeveria, misionet ushtarake aleate, përfaqësonjësit e ushtërisë, përfaqësonjësit e pushtetit dhe të organizatave të Frontit Nacional Çlirimtar, popull e katundarë.
Me këtë rast do të flasë midis të tjerëve edhe Nënëkryetari i Frontit Nacional Çlirimtar, gjeneral lejtnant KOÇI XOXE”.
Në paragrafin e fundit të njoftimit tregoheshin edhe tre dyert e përcaktuara për hyrje nga populli, nga të ftuarit, si edhe prej delegacioneve të huaja. Këtyre u ofrohej dera përballë.
Po në faqen e parë të “Bashkimit” të 3 shkurtit 1945 impononte vëmendje, nëpërmjet germave të mëdha të titullit, shkrimi “5000 vetë demostrojnë nëpër rrugët e Vlorës”. Nëntitulli thoshte: “Kriminelët e luftës Para Gjyqit!”, Nënat e motrat e dëshmorëvet thërasin: “Hakmarrje!” Populli i kërkon Misionit Aleat dorëzimin e kriminelëve t’arratisur”.
Teksti më poshtë niste me fjalët: “Vlorë (Telegrafisht). Sot, më 2 shkurt në orën 10.30 para dreke, Rinia e Vlorës bëri një meeting të gjerë, ku muarën pjesë, përveç popullit të qytetit, edhe shumë fshatarë që kishin ardhur për ditë pazari. Numuri i demostronjësve i afëronte të 5000 vetët. Demostronjësit, me flamuj e pankarta, kaluan nëpër shumë rrugë, duke kënduar, duke brohoritur dhe duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës. Kaluan para burgut duke kërkuar dënimin e këtyre kriminelëve me këto fjalë: “Përpara gjyqit!”, “Përpara gjyqit!”
Me të vërtetë mallëngjeheshe duke dëgjuar nënat, gratë, motrat e fëmijët e dëshmorëve dhe të internuarve kur thërrisnin “Hakmarje!”, “Hakmarrje!” Përpara banesës së Misionit Aleat u mbajtën fjalime, u brohorit për Aleatët dhe u kërkua që kriminelët e luftës që ndodhen jashtë t’i dorëzohen popullit. Misionarët anglezë i siguruan demostronjësit që me një herë do të telegrafohej kërkesa e tyre në misionin e Barit dhe se përgjigja do t’i njoftohej popullit.
Demostrata vijoi deri në orët e para të pasdrekës....”
Në përfundim të shkrimit të mësipërm, futur në një kuadrat spikatës, ishte edhe ky tekst germëzi: “Ftohen familjet, far’e fisi ose shokët dhe çdo qytetar, që di emra të martirëve të 4 shkurtit 1944 t’i njoftojnë brenda ditës së sotme pranë Këshillit Nac. Çl të Qytetit të Tiranës”.
Ndërkaq me shkronja shumë të dukshme në mes të artikullit “5000 vetë demostrojnë nëpër rrugët e Vlorës”, kuadratuar gjithashtu, thuhej: “Nesër “Bashkimi” botim 6 faqesh, komemoron 4 Shkurtin”.
Ndërkaq “Bashkimi” i 4 fruer si editorial kryesor kishte një artikull të Sejfulla Malëshovës, firmosur “Lame Kodra”, të titulluar “4 Shkurti dhe lufta jonë”. Ai i quante “plehrat e vendit tonë” Mehdi beun (Mehdi Frashërin, shënimi ynë), Midhat Frashërin, Abaz Kupin e Mustafa Krujën.
Në fund të artikullit të Sejfulla Malëshovës, tepër dukshëm e të futur në një kuadrat të zi, “Bashkimi” kishte edhe këtë njoftim: “Programi i përkujtimit të 4 Shkurtit.
I gjithë tregu do të rrijë i mbyllur për gjithë ditën, kafet e restorantet do të mbyllen.
1. Në ora 8.30 do të bëhen lutje në faltore për viktimat e terrorit.
2. Në ora 10 metingu në Kinema Kosova dhe fjala e general Koçi Xoxe.
3. Në orën e metingut i gjithë populli do të rrjeshtohet simbas lagjeve, organizatave, dikastereve dhe organeve të pushtetit në shesh nga ku do të transmetohen metingu me altoparlant”.
Në faqen e parë të edicionit të 4 shkurtit qëndronte thekshëm edhe një shkrim tjetër. Titullohej “Kriminelët e Luftës para Gjyqit! Dorëzimin e kriminelëve të arratisur!” Nëntitulli shprehej me fjalët: “Më tepër se 6000 veta në Berat e 3000 veta në Elbasan demostrojnë duke thirrur “Hakmarrje!”
Në të dy qytetet turmat kishin demostruar edhe para burgjeve. Në Berat, në sallën e kinemasë së qytetit, ndërsa ishte duke u mbajtur një konferencë e rinisë për Kongresin e Dytë të saj, “u kërkua që të nxirren para gjyqit kriminelët e luftës dhe të dënohen sa më parë”. Pjesëmarrja, sipas gazetës, ishte madhështore dhe në Berat qenë mbyllur të gjitha dyqanet. Para burgut turma e madhe pati kërkuar dënimin e të burgosurve atje si kriminelë, “Jakup Shalësi, Muharrem Kapllani, Tefik Sfiri, Asqeri Lumani dhe të tjerë”.
Në qytetin e Elbasanit demostrata ishte bërë në kohë të drekës.
Mbyllja e faqes së parë të “Bashkimit” të 4 shkurtit, theksonte i futur në kuadrat: “Sot ora 10 Meeting i Madh në Kinema Kosova. Flet Gjeneral Leutenant KOÇI XOXE”.
Dy faqet e brendshme të premtuara si shtesë për numrin special përmbanin shkrimin “Gjaku don gjak”, marrë, siç në krye e paraqet gazeta, prej “Bashkimi i Kombit”, Viti i II, Nr.20, datë 4-II-1944”. Në fund të kolonës së tretë të tij ka një “SHENIM: NJE VIT SI SOT këlyshët e zaptonjësit nazifashist xhveshën shpatën dhe vendosën të çfarosnin lëvizjen e një populli që kërkonte të jepte jetën për liri. U derdhën si bisha të tërbuara mbi popullatën e kryeqytetit, vranë, therrnë, varnë e çnderuan...”
Në krah të këtij shkrimi me dy pjesë të montuara, dje dhe sot, Lame Kodra firmoste një tjetër artikull, i cili titullohej “4 shkurt 1944”. Ai është krejt i përgjithshëm dhe propagandistik, nuk ka gjithashtu asnjë të dhënë për çfarë realisht ndodhi në 4 shkurt. Xhaferr Devën e quan agjent të Gestapos, duke e nënkuptuar si shkaktarin numur një të masakrës.
“Bashkimi” i 6 fruer, e martë, me germa shumë të mëdha në krye të faqes së parë boton titullin “Fjala e Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe në meetingun e madh të kryeqytetit. I tërë Populli kujton 4 Shkurtin me Demostrata të mbëdha në të gjitha qytetet e Shqipërisë”. Nëntitulli kumton: “Populli kërkon me këmbëngulje dënimin e kriminelëve të luftës-Kërkon nga Aleatët dorëzimin e kriminelëve të arratisur në Itali”.
Edhe ky fjalim nuk përmban asgjë konkrete për çfarë ndodhi në Tiranë në 4 shkurt 1944, por histori propagandistike të luftës. Në fund të tij Xoxe shpallte se shumë shpejt mbi kriminelët do të binte pa mëshirë dora e drejtësisë. Nuk mungonte edhe fjalia “Vdekje dhe mallkim kiminelëve të luftës dhe trathtarëve t’Atdheut!”
Bashkëngjitur me fjalimin e Xoxes rrinte shkrimi “Oshëtima e 4 Shkurtit në Shqipëri”. Ky fliste për demostrata të bëra në Gjirokastër dhe Vlorë gjatë ditës së 4 shkurtit 1945. Në lajmin për Gjirokastrën përmendet për herë të parë shifra e të vrarëve: ”Dora gjakësore e reakcionit në Tiranë rrëzoi përtokë 84 shokë”.
Në raportimin tjetër telegrafik thuhej “i gjithë populli i Vlorës, pa përjashtim, u gjent në sheshin e Flamurit për të dëgjuar fjalimet e ditës 4 shkurt, të transmentuara nga radjo Tirana. Tregu, kafet dhe restaurantet ishin mbyllur. Rrugëve flamurët në gjysmë shtizë. Flamurët aleatë ishin vendosur përpara Këshillit të Qytetit”.
Në shkrimin “4 Shkurti në Tiranë” theksohet që në nëntitull “Përmi 20.000 vetë parakalojnë nga Altari i Martirëve dhe demostrojnë para misioneve aleate duke kërkuar dorëzimin e kriminelëve të luftës arratisur në Itali”. Një shkrim tjetër thotë se në Korçë për të njëjtin qëllim patën demostruar 11.000 vetë. Në këto dy faqe speciale nuk mungon edhe një poezi e Petro Markos.
Në “Bashkimi” të 7 fruer editoriali mban titullin “4 shkurt 1945” dhe autor ka Nako Spirun. Asnjë shifër të të masakruarve nuk gjendet në të. Ngjitur me kryeartikullin e tij botohet shkrimi “Gjyqi i Popullit në Bullgari dënon pa mëshirë kriminelët e luftës”.
Në 10 shkurt, e shtunë, rishfaqet dr. Ymer Dishnica me editorialin e tij kuptimplotë: “Si gjithnjë: Vdekje fashizmit!”
Blofi i dy atentateve të dështuara
Ishte shumë e qartë: masakra e 4 shkurtit, terrori i saj, po përdorej nga PKSH dhe qeveria në pushtet për hakmarrjen, pra për një terror tjetër, për një masakër të re, e cila në të gjithë territorin e Shqipërisë, siç do të dëshmohej, do të kishte të pushkatuar përditë.
Mbi gjithçka përdorimi i 4 shkurtit 1944 do të justifikonte vendimet ekstreme të “Gjyqit Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, i cili, i paralajmëruar me një vendim shtetëror që në 25 dhjetor 1944, nisi menjëherë punën pas fushatës së mësipërme propagandistike: në 1 mars 1945.
Ai u mbajt po aty ku pushteti pati shpërthyer mësymjen e përdorimit të ngjarjes së një moti më parë: në kinema “Kosova”.
Për t’i shkuar deri në fund simbolikës edhe drejtuesi i Gjykatës Speciale ishte Koçi Xoxe.
Por a i kishte 3 dhe 4 shkurti 1944 të gjitha të dhënat e domosdoshme, të paktën të mjaftueshme, për të shërbyer si argument, justifikim apo edhe si pretekst për vrasjet e reja, për pushkatimin e shtatëmbëdhjetë vetëve nga gjashtëdhjetë të akuzuar për krime lufte që u nxorrën në gjyq?
Jo, aspak.
Masakra e 4 shkurtit 1944 nuk përmbushte asnjë minimum. Ajo pati nisur në 3 shkurt dhe këtë ditë ndodhën dy episode të një ngjarjeje të çoroditur, kaotike, anarkiste, pse jo edhe terroriste. Deri tani, pra pas shtatëdhjetë e pesë viteve, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë më së pari çfarë ndodhi në 3 shkurt 1944. Këtë ditë, paradite dhe pasdite, u kryen dy atentate kundër dy krerëve të lartë të bashkëpunëtorëve me nazigjermanët dhe në përfundim që të katër atentatorët u vranë. Ka edhe filmime të trupave të tyre pa jetë hedhur në bulevardin para Hotel Dajtit, tek ura.
As emrat e tyre nuk u bënë të ditur kurrë nga gjysmëshekulli realkomunist, edhe pse kishin dhënë jetën duke zbatuar një urdhër politik të eprorëve të tyre. Enver Hoxha për ta nuk ka asnjë citim në mbi njëqind librat e tij, përfshi dhe ditaret si edhe memuarët.
Madje gjatë historishkrimit shtetëror të para nëntëdhjetës pothuaj heshtet për 3 shkurtin, atentatet, duke u mëshuar tërësisht tek e nesërmja, 4 shkurti. Gjithashtu janë bërë përpjekje për t’ia ngarkuar dy atentatet e bujshme vetë qeverisë së kohës, Xhafer Devës posaçërisht, gjoja si një mënyrë e kurdisur veprimi për të provokuar, nxitur dhe justifikuar më pas masakrën e planifikuar të së nesërmes.
Kjo heshtje dhe manipulim i saj për konkretisht pritat dhe autorët e tyre në mes të Tiranës mund të ketë qenë i detyruar, ndoshta sepse në organizim nuk ka pasur dorë asnjë organ epror qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe gjithçka ka ngjarë me urdhër lokal, të qarkorit të PKSH-së për Tiranën. Arsye të tjera po ashtu mund të kenë ndikuar, por njëra prej tyre mbetet themelorja: ato atentate përfunduan në fiasko të vërteta.
Jo vetëm nuk u vra asnjë prej hierarkëve të lartë profashiste dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve të vënë në shenjë, por u shkaktuan edhe viktima të pafajshme: vdiq nga plumbat e guerrilasve një ndihmës i Kadri Cakranit dhe po ashtu një i ri, nip i Xhafer Devës.
Nako Spiru, i cili ishte drejtues i lartë i rinisë së Partisë Komuniste si edhe i angazhuar fort në shtypin e saj, i ndodhur ilegalisht në Tiranë që prej janarit 1944, në 13 shkurt i bëri një letër Miladin Popoviçit, Koçi Xoxes dhe Liri Gegës, në të cilën mes të tjerash vinte në dukje se “Në Tiranë reaksioni është shumë i madh. Më 3 shkurt vranë në rrugë katër të rinj, njëri prej tyre kishte qenë partizan. Shpifën se këta do bëjshin reaksion. Tue gdhi 4 shkurti… pushkatojnë ndër rrugë gadi 80 njerës...”
Në një letër tjetër të Spirut, katër ditë më pas, ndodhen të shkruar elementë më të hollësishëm mbi rrethanat kur ndodhi ngjarja e 3 shkurtit (dy atentatet e dështuara) dhe 4 shkurti (masakra). Në të theksohet se “Më duket se në disa gjëra kemi qënë mjaft sektarë. Populli nuk kupton mirë vrasjet politike”. Nako Spiru në vijim spikat edhe emrat e dy atentatorëve të njohur të Lëvizjes NÇl, të cilët sipas tij, “nuk gëlltiten nga populli”.
Spiru në këtë letër të dytë nuk flet më për shifrën e 80 të vrarëve. Hesht për këtë detaj. Ndërkohë ky numur u përdor prej pushtetit të pas çlirimit, duke u tejkaluar dhe ngurrosur në 84. Siç duket i shtuan shifrës së Nako Spirut edhe katër guerrilierët e vrarë.
Vitet pas nëntëdhjetës dhe procesi i hapjes së arkivave e vunë tërësisht në dyshim shifrën e të vrarëve në 4 shkurt. Ata tashmë rezultojnë të kenë qenë të paktën katër herë më pak, çfarë pa asnjë dyshim nuk ndikon në emërtimin e asaj që ndodhi: ishte masakër (“Gjaku don gjak!” e shpallën në shtyp vetë autorët).
Gjithsesi edhe pse numri u fry për qëllime djallëzimi politik e sidomos për të justifikuar gjakun tjetër të derdhur, 17 të pushkatuarit e Gjyqit Special, ajo që ndodhi në 4 shkurt shkaktoi diferencim në qeverinë shqiptare bashkëpunuese si edhe largimin, pothuaj dëbimin, e Xhaferr Devës nga ajo. Këtë hollësi nuk duhet ta anashkalojmë.
Një dëshmi që publikohet për herë të parë: flet Abaz Alizoti
Për ta plotësuar edhe më shumë pamjen e 3 shkurtit, sepse ajo e të nesërmes ka deri edhe emër rruge qendrore në Tiranë, para disa muajsh biseduam në telefon me të birin e Fejzi Alizotit (i pushkatuar nga Gjykata Speciale), Abazin, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas rrëfimit të tij, gjithçka e regjistruar fort në kujtesën e tij ngjan rëndom tek të miturit, në afërsi të Hotel Dajtit, në bulevard, ndodhej një barakë me ngjyrë jeshile. Prej andej rreth mesditës u dëgjuan disa krisma. Pas pak ranë të tjera. Banesa e Alizotëve ishte afër, në krahun tjetër, diçka më tutje nga vendi ku sot janë tre bustet e vëllezërve Frashëri. E tërë familja, përfshi edhe vetë Fejziun mbi 75 vjeçar, ndodheshin në shtëpi. Dritaret kryesore shihnin nga të dy krahët, sidomos në kahun e bulevardit, pikërisht andej ku ndodhej edhe kasollja e blertë.
Prapa banesës Alizoti qe shtëpia e kryetarit të Partisë Fashiste, Tefik Mborja, përballë gjendej ajo e kolonelit Bilal Nivica.
Kadri Cakrani, i cili banonte në Pallatet Moskate, vend që ishte skaj i Tiranës dhe prej aty niste fusha e hapët, po kalonte në bulevard hipur në një “Fiat”. Në krah kishte ndihmësin e vet, një të afërm, i cili qe veshur me tesha të Kadriut. Persona që ndodheshin tek kasollja jeshile, numri i të cilëve fillimisht për të voglin Abaz Alizoti nuk kuptohej dot, shtinë mbi makinë. Cakranin nuk e kapi asnjë plumb.
Pas një farë kohe nga kasollja e blertë qëlluan sërish. Në shenjë këtë herë vunë të nipin e Xhafer Devës, një njëzetë vjeçar. E plagosën rëndë dhe i riu, këmbadoras, i përgjakur, mezi mbërriti tek dera e shtëpisë së Xhaferr Devës, e cila ishte aty ku sot pothuaj është shtëpia e dikurshme e Enver Hoxhës. Tek dera ra në komë, por jetë ndërroi në spital.
Pas kësaj, siç në familjen Alizoti e morën vesh pak më vonë, Deva telefonoi kolonelin Bajazit Boletini, të birin e Isa Boletinit, dhe e urdhëroi që bashkë me mbi njëmijë të armatosurit që kishte, regjimentin “Kosova”, të bënte “piaca pulita”, pra siç i tha konkretisht: “Bëje tym për çfarë të të dalë përpara!”
Ndërkohë me rrëmujë të madhe dhe rendur me një frymë, në qendër të Tiranës mbërritën një masë e madhe kosovarësh të regjimentit dhe iu drejtuan kasolles jeshile. Ata që ndodheshin fshehur atje dolën prej andej dhe tashmë u pa se qenë katër persona. Që të katër mbanin pardesy ngjyrë qumështi. Duke vrapuar për t’iu larguar furisë së ardhësve, ata u futën pas një pirgu gurësh që ndodheshin atje ku sot janë dy kullat. Ky vend gjendej në krahun tjetër të shtëpisë së Alizotëve dhe Abazi i vogël vrapoi tek dritaret e asaj ane.
Prej këtej grumbulli i gurëve qe afër, pesëdhjetë metra e shumta, dhe pamja ishte si në pëllëmbë të dorës. Ata me pardesytë karakteristike shiheshin qartë. Që të katër qenë të rinj.
Ndërkaq kosovarët e shumtë po u afroheshin me shpejtësi. Nuk i mbanin pushkët krahëqafë, por rripat i patën hedhur mbi zverk dhe të dy krahët i vendosur sipër armëve. Ata bënin ulërima të çuditshme, bërtitje të mëdha, vikama të vërteta. Në këtë moment doli nga banesa e tij me pistoletë në dorë koloneli Bilal Nivica, duket për të vënë qetësi, por konkretisht kur pa rrëmujën mbeti pa ditur çfarë të bënte.
Në të njëjtën kohë ia behu një oficer shqiptar nga të ushtrisë qeveritare. Ai menjëherë shkoi tek dera e banesës së Alizotëve dhe trokiti. U tha të zotërve se do të dërgonte dy vetë për të vendosur në terracën mbi garazhin e shtëpisë së tyre një mitroloz me dy këmbë. Prej andej sheshi përballë, drejtimi i Hotel Dajtit, shihej krejtësisht. Të dy ushtarakët e tjerë erdhën menjëherë dhe e instaluan armën e rëndë, por nuk qëlluan.
Në këtë kohë shoferi i të jatit të Abazit, prefektit Hasan, i cili e kishte emrin Nasi, pati shkuar në furrë të merrte një tepsi me byrek, dhe me të në dorë, tashmë po kthehej. Oficeri shqiptar sapo e pa iu hodh mbi shpinë, e shtriu përtokë dhe i vuri revolverin në kokë. “Kush je, çfarë je!”, i klithte. Ky edhe pse i tha se shofer i kujt qe, u desh të dilte nga shtëpia vetë Hasani për ta bindur oficerin ta lëshonte.
Ndërkaq metra më tej kosovarët patën mbërritur tek pirgu i gurëve dhe nisën vrasjen e katër atentatorëve të rinj. Nuk i qëlluan me plumba, por me kondakë, shkelma dhe grushta, duke ja hedhur secilin njëri-tjetrit që ta vazhdonin masakrimin. I godisnin dhe i shanin, deri sa më në fund të katër personat e veshur me pardesy ngjyrë qumështi dhanë shpirt. Pas kësaj përreth ra qetësi, por tensioni mbeti.
Një hollësi tjetër e rrëfyer prej Abaz Alizotit: pikërisht kur drejt kasolles jeshile vraponin njerëzit e regjimentit “Kosova”, në derën e shtëpisë Alizoti pati trokitur një vajzë e re dhe kishte kërkuar ndihmë të fshihej. Kishte me vete një trastë me bomba dore dhe ata e futën në bodrum. Vetëm kur jashtë pushoi trazira, duke i falënderuar të zotët e shtëpisë, iku.
Asnjëherë ajo vajzë, edhe pas çlirimit nga nazigjermanët, nuk u ndje. Ishte gjallë apo jo, sepse kohë lufte qe? Apo heshti sepse mbi familjen Alizoti u bë akuza për bashkëpunim me pushtuesit dhe tradhëti kombëtare. Por as Alizotët nuk e kërkuan për të lehtësuar sadopak gjendjen e tyre, që përveç pushkatimit të Fejziut, do të pësonin edhe një pushkatim tjetër: të të birit të tij, Rizait.
Ndërkaq, duke e mbyllur këtë shkrim për 3 dhe 4 shkurtin 1944 dhe manipulimin që u është bërë, duke rikujtuar lexuesin se për katër atentatorët në Tiranë nuk ka asnjë pllakë përkujtimore, asnjë emër rruge apo bërryli të saj, asnjë lapidar, pyesim: Mos ata qenë të katër të rinjtë me emrat Todo Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku dhe Mihal Koço?
Sepse thjesht duhet t’i regjistrojmë në kronikën e historisë ashtu siç kanë qenë dhe bërë, mirë dhe keq.
Ylli Polovina
Tiranë, më 30 janar 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|