Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

YLLI POLOVINA NË NJË LIBËR TË RI “KONTRAKORRENT”
ME MIELL, SHEQER, ORIS: A I KA BLERË VOTAT PPSH NË BERAT NË ZGJEDHJET E 31 MARSIT 1991?
“KADAL ADNAN!”, PARA MILLOSHEVIÇIT IBRAHIM RUGOVA FRENON NDIHMËSIN E TIJ ADNAN MEROVCI
PERSE HESHTET PËR NJË KONFERENCË SHTYPI TË IBRAHIM RUGOVËS NË PRISHTINË NJËZETË E KATËR ORE PARA SE TË TAKONTE NË BEOGRAD SLLOBODAN MILLOSHEVIÇIN?
NË ROMË NË TË NJËJTËN KOHË IBRAHIM RUGOVA I ARDHUR NGA BEOGRADI DHE THOMAS PICKERING NGA UASHINGTONI
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË


(Botuar në “Illyria” në 14 janar 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i dytë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Megjithëse nuk pati ardhur në rrugë zyrtare, pra si njoftim dhe detyrë e ngarkuar nga qendra jonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, lajmi i pranisë së pritshme në Romë në 2 qershor 1999 i Ismail Kadaresë në mënyrë të padyshimtë përbënte një të vërtetë. Ndërkohë e dinim, prej komunikimeve me kolegët në Paris apo Londër, Bukuresht apo Athinë e Beograd, gjithkund, se shkrimtari i shumënjohur pas vitit nëntëdhjetë të shekullit të shkuar nuk u avitej ambasadave, përveç rasteve kur qenë këto që lëviznin drejt tij.
Doemos nuk kishte përse Kadare dhe çdo tjetër krijues pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri me rënien e realsocializmit, ta kishte rregull apo detyrim të vinte në dijeni, për çështje të raporteve të tij me botën letrare, shtetin në Tiranë apo ambasadat e tij në vendet ku ftohej. Kur kolegu Visar Zhiti, i cili gjithsesi përveç se poet ishte edhe zyrtar që mbulonte në përfaqësi kulturën, e bëri të ditur në mbledhjen e mëngjesit të trupës diplomatike çfarë pati mësuar prej shkrimtarëve bashkëvendas të ftuar në veprimtarinë e qytetit të Barit, kishte parasysh vetëm faktin.
Ky mund të zhvillohej lirisht edhe pavarësisht nga ne.
E nisur në orën tetë të 25 majit, kështu u mbyll kjo çështje atë ditë deri sa ra mbrëmja dhe bashkë me të edhe nata e secili punonjës i Ambasadës më në fund u kthye në apartamentin e vet në Viale Eritrea. Për disa ditë të tjera në vijim prania e ardhshme e Ismail Kadaresë do të mbeste jashtë bisedave zyrtare të punës së përditshme, por doemos jo i larguar nga pulsimi i natyrshëm i mendimeve të gjithsecilit, pse jo edhe nga feksja e hamendjeve të ndryshme.
Autori i këtyre rradhëve do ta ndiqte nëpërmjet medias dhe kontakteve me gazetarët vendas ngjarjen e ditëqëndrimit të shkrimtarit në Romë, për fatin e tij edhe për një arsye tjetër: kronikën historike e kishte hobi dhe lëndë krijimtarie personale.
Sigurisht do ta vëzhgonte këtë prani jo duke qendruar fizikisht pas Kadaresë, sepse as që i shkonte në mendje se një rast i tillë mund t’i jepej nga vetë shkrimtari apo afrohej nga linja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke qenë se në Ambasadë në fund të fundit mbulonte median.
Në të vërtetë të gjithë diplomatët e këtij profili në të tëra përfaqësitë diplomatike të akredituara në Romë kishin statusin e gazetarit për të marrë pjesë nëpër konferencat e ndryshme të shtypit, përfshi këto të mbajtura edhe në raste pranish të figurave të shquara botërore, të politikës apo kulturës. Pas mbërritjes së Ibrahim Rugovës unë do të isha në sallën ku ai kreu takimin e parë me përfaqësuesit e shumtë të medias italiane, por për këtë ngjarje me të vërtetë spektakolare do ta çel rrëfimin në një shkrim vijues.
Ndërkohë që as e shkoja ndërmend se më takonte, për ta fiksuar me hollësi në mos në historinë e shkruar kombëtare, në atë shtetërore të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, t’i rrija pranë Kadaresë për pak orë, të paktën si kronist. Ai mund të mos dëshironte fare pjesëmarrje protokollare as nga Ambasada. Po të ndodhte që Ismail Kadare të dëshironte prani të përfaqësisë diplomatike të atdheut të vet në veprimtarinë e marrjes së çmimit i pari ishte detyrimisht ambasadori, tjetri pa asnjë diskutim Visar Zhiti.
Ky e kishte për detyrë të hartonte edhe raportin informativ për Tiranën.
Isha atëherë dhe jam edhe tani, se kjo përmasë pjesëmarrjeje zyrtare, po ta sillnin rrethanat, qe e mjaftueshme, madje në përputhje me një protokoll elegant. Ndërkaq duhet ta pohoj dhe në kohën e duhur më vonë ta shpjegoj, se as unë vetë nuk e ngulmoja të isha “i ngjitur” pas Kadaresë. Më e vogla pasojë që do të kisha, në rast se do të veproja kështu, ishte se fare lehtë mund të vihesha në pozicionin e të tepërtit, në mos edhe të adhuruesit servil, ndaj të cilëve njerëzit e pushtetshëm publikisht, ku nuk përjashtohej as Ismail Kadare, sa kanë neveri aq edhe ngazëllehen për t’i përdorur si skllevër.
Gjithsesi prania për disa ditë në Romë e shkrimtarit më të famshëm që në historinë e tyre kishin pasur ndonjëherë shqiptarët, më tërhiqte shumë. E prisja me shumë dëshirë çastin e zhvillimit të saj, më së pari si nëpunës i shtetit, por modestisht edhe si studiues dhe autor librash me tematikë historinë kombëtare.
Sigurisht nëpërmjet medias vendase, siç kisha bërë deri në ato momente, këtë fenomen do t’ja raportoja përditshëm eprorëve të hierarkisë zyrtare, sidoqë të qe niveli gjurmëlënës dhe ndikues i tij. Po të ishte e jashtëzakonshme do ta regjistroja hollësisht në ditaret e mia, atyre me shkrim dhe me zë.
Kadare i ardhur në Romë në pikun e luftës së Aleancës Atllantike dhe të UÇK-së për çlirimin e Kosovës në parim përbënte histori, gjithnjë sipas meje. Por mund të ndodhte edhe e anasjella: të qe bëmë e flashkët dhe të mos linte asnjë mbresë jetëgjatë. Atmosfera mediatike në atë fund maji 1999 ishte aq fort e përndezur dhe e mbushur me spikatje figurash të shquara botërore sa që t’ia delje të bëje vend special qe mjaft punë e vështirë, edhe pse Ismail Kadare zotëronte aftësi për të përpirë vëmendje të opinionit si edhe një forcë tejet të madhe debatuese.
Ndërkohë, siç herë pas here do ta dëshmoj në këtë cikël shkrimesh, në atë pranverë-verë 1999 në përleshjen publike nëpërmjet shtypit dhe televizionit me ata që nuk donin ta kuptonin se shqiptarët e mbetur në ish-Jugosllavi e meritonin shkëputjen dhe mëvetësimin, qenë vetëmobilizuar, por disa edhe inkurajuar nga Ambasada, me dhjetra bashkëkombës të emigruar në Itali. Ata vepronin energjikisht në debatet e të gjitha ekraneve kryesore, por gjithsesi në shtyp e kishin të pamundur të depërtonin. Këtu hapësirat më të shumta i zinin vetë gazetarët dhe politikanët vendas, ndonjëherë edhe ata nga Tirana.
Besoja megjithatë që Ismail Kadare, sapo të vinte këmbë në aeroportin Fiumiçino të Romës, i kërkuar zellshëm nga njerëzit e medias, veçanërisht gazetat, do të hynte patjetër dhe menjëherë në veprim, madje pa shkaktuar asnjë mbajtje fryme. E pohoj: besoja fort se ai në territorin italian tepër të lëkundur dhe të pezullt do ta përmirësonte shumë raportin e forcave, duke e rritur në favor të shqiptarëve.
Unë ndodhesha me punë në Romë që nga fillimi i dhjetorit 1997 dhe tashmë, i lidhur mjaftueshëm me gazetarë apo intelektualë vendas, pata qartësuar veten se ndryshe nga sa e kisha krijuar përshtypjen prej jetës në Shqipëri, prestigji i Ismail Kadaresë në Itali qe shumë më i madh dhe me më pak probleme penguese nga sa përflitej atje.
Mes shumë përditësimeve (dhe reformimeve diturore) që i kisha bërë vetvetes në muajt e shërbimit diplomatik në Romë, dy nga surprizat që ndesha këtu dhe më transformuan sadopak, do të qenë pothuaj në nivel përmbysjeje, më saktë të një revolucioni të brendshëm: që Gjergj Kastriot Skënderbeu Italinë e kish atdhe të dytë dhe se Ismail Kadare qe këtu i famshëm pothuaj aq sa në Francë, në vendin ku gjeti strehimin e parë letrar dhe politik më vonë, atje ku edhe jeton.
Mes njerëzve të angazhuar në profesorate apo albanologji, gjithashtu tek përfaqësues të ideve politike nga më të kundërtat, përfshi edhe komunistët apo pasfashistët, Kadare vlerësohej si shqiptar shumë i thekur, tepër i zjarrtë dhe fanatik, madje jo gjithnjë i vetëpërmbajtur. E quanin herë pas here, sipas konceptit të tyre, edhe “nacionalist”. Në polemika të tij në këtë terren të fundit, më thoshin miqtë italianë, Ismail Kadare ishte vullkan, të merrte përpara me shkulmën e fjalëve-llavë.
Në të vërtetë, për sa përjetova në tetëmbëdhjetë muajt e punës në Ambasadë para se shkrimtari i njohur të mbërrinte në Romë, kështu edhe ishte: dallohej njëkohshëm për veprën e tij letrare dhe energjinë buçitëse të polemistit për temën e shqiptarizmit.
Pikërisht kjo “artileri” e fundit trupës tonë diplomatike po i vinte në ndihmë, duke filluar nga 2 qershori. Madje Kadare e kishte nisur gjëmimin ende pa shkelur në aeroportin Fiumiçino, pothuaj në muaj më parë, në 5 maj.
Ishte, për rastësi, dita kur në Romë mbërriti në pasdrekë Ibrahim Rugova.
Një ditë më parë nga ky çast qeveria italiane pati marrë vendim të mbarte që nga Maqedonia 10 mijë refugjatë kosovarë. Transportimi do të kryhej nëpërmjet ajrit. Pesë mijë prej tyre do të vendoseshin në ish-bazën ushtarake të Komizos, në jug të vendit, në Siçili.
Në mëngjesin e 5 majit, bashkë me këtë lajm relativisht pozitiv, gazeta e komunistëve, \"Il Manifesto\", botonte një shkrim denoncues për 32 kamionë ushtarakë zviceranë të blerë nga qytetarë kosovarë dhe që ndodheshin të bllokuar në portin e Barit. E përditshmja pyeste se për ku qenë nisur këta kamionë dhe po vetë përgjigjej: për UÇK-në.
Në të vërtetë herë pas here doganierët në Bari, por edhe policia kufitare detare e bënin një sy gjysmë të verbër dhe lejonin ta kapërcenin detin jo vetëm vullnetarë të paduruar që visheshin me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kur niseshin nga Evropa Qendrore apo SHBA, por edhe dëngje me tesha lufte, poshtë të cilave jo rrallë fshiheshin municione, herë pas here edhe armë të sofistikuara, sidomos pushkë snajper.
“Il Manifesto” këtë herë synonte ta sensibilizonte opinionin dhe t’i shtrëngonte strukturat shtetërore italiane që ta bllokonin këtë hyrje ndihmash për shqiptarët.
Saktësisht këtë mëngjes të 5 majit mediatikisht shumë problematik, sepse në disa gazeta qenë futur lajme shumërradhëshe se “Uashington Post” e 4 majit publikonte një artikull sipas të cilit luftëtarët separatistë të UÇK-së janë stërvitur nga Bin Laden, se \"Il Giornale\" këtë gjë e besonte, sepse zotëronte një konfirmim prej shërbimeve sekrete amerikane, Ismail Kadare kishte botuar në “La Stampa\" një shkrim. Ky qe i publikuar paralelisht edhe \"Le Monde\".
Nëpërmjet tij ai tërhiqte vëmendjen se e keqja e krijuar në Serbi nuk qe vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Evropën dhe Perëndimin. Madje shqiptarët e Kosovës, sipas tij, me atë po u ndodhte paralajmëronin çfarë mund t\'u ndodhte vendeve të tjera demokratike të kontinentit.
Kadare ngulmonte edhe në një pikëpamje tjetër shumë të fortë. Ai qe i bindur se serbët kishin një traditë negative, shumë mizore: masakrimin e trupave njerëzorë. Kjo, këmbëngulte ai, dëshmonte jo vetëm egërsinë dhe primitivizmin e tyre, por provonte se në gadishullin ballkanik nuk qenë autoktonë, por ardhës. Sepse, spikaste Kadare, në traditën historike të Ballkanit popujt vendas e kanë të ndaluar sakatimin e trupit.
Vetëm kaq do të ishte me efektin e një “bombe atomike”.
Por shkrimtari i dëgjuar edhe përtej Evropës, në akuzat e tij të alarmuese dhe njëhershëm edhe tmerruese, në shkrimin e vet të 5 majit për italianen “La Stampa” dhe francezen “Le Monde”, shkonte më tej. Ai thërriste me buçimë se “Edhe njëherë tjetër krimi ngadhënjen në zemër të Evropës”, se “Në aksionin e tij Perëndimi po e dëshmon veten si të jetë humbameno dhe i përfshirë nga dyshimi e mëdyshja si të veprojë”, “Për kosovarët e mbetur si mall në duart e barbarëve çfarëdo vonese është fatale”, “Por edhe për të tjerët, ata të dëbuar mizorisht nga toka dhe shtëpitë e tyre, me kalimin e javëve dhe stinëve u rritet rreziku që fshatari të shkëputet nga toka e tij dhe kështu shtuar vështirësia për t’u rikthyer”, “Ky është saktësisht qëllimi i diktaturës sërbe”.
Më tej: “Pa dyshim që Jugosllavia e sotme është diktatura e vetme në Evropë”, “Ajo paraqet të gjitha tiparet e totalitarizmit, por me një element më shumë se diktaturat klasike si ato të Hitlerit dhe të Stalinit, të cilin këto të dyja nuk e kishin: anarkinë e krimit. Që kur fashisti me patentë Vojisllav Sheshelj deklaroi me zë të lartë qëllimin e tij “të masakronte të gjithë kroatët jo me goditje thike, por të një luge të ndryshkur”, ai hyri në qeverinë jugosllave; pas asaj që edhe Vuk Drashkoviçi, ky palo opozitor i Sllobodan Millosheviçit, i cili midis të tjerash ka kërcënuar se “do t’u presë duart të gjithë shqiptarëve që bëjnë shenjën V”, u vu në shërbim të tij, u kuptua se në Serbi mori revansh doktrina e krimit. Pas të gjitha këtyre si është e mundur që Perëndimi ushqen iluzionin më të vogël për këtë regjim?”
Paragrafe më poshtë Ismail Kadare mëshon: “Mënyra e vetme për të ndihmuar me të vërtetë “popullin mik serb” duhet të ishte kjo: t’ia përplasësh të vërtetën në sy. Sepse e vërteta është shpëtimi. Në rast se popullin serb nuk e akuzojmë se më të egrit e tij kanë kryer krime, kjo do të thotë se ato mund të rishfaqen në të ardhmen. Pak zëra mes serbëve janë ngritur kundër këtyre akteve barbare”, “Rrënjët e të keqes së sotme janë shumë të thella. Në historinë serbe krimet kundër popujve të tjerë shpesh janë shpallur madje si programe kombëtare, nacionaliste. Por asgjë nuk është bërë për ta shkulur nga rrënjët ose të paktën ër ta neutralizuar këtë aparat të krimit”

Në 13 maj

\"La Gazzetta del Mezzogiorno\" këtë ditë botonte një artikullin tim me titullin “Ne shqiptarët jemi kundër mureve\".
Në të shpjegohej se lufta që ato çaste po bëhej për zgjidhjen e çështjes së Kosovës qe edhe një luftë e gjithë shqiptarëve për të rrëzuar të fundmin mur të komunizmit, mbetur pas rënies së atij të Berlinit, murit të Beogradit.
Përpiqesha në këtë shkrim të sqaroja se ky mur kërkonte të ndante si në kohën e Luftës së Ftohtë Lindjen dhe Perëndimin, ndërkohë që edhe Lindja po shkonte me shpejtësi drejt demokracisë.
Shkruaja gjithashtu se italianët kishin një njeri të madh më 1945, De Gasperin, i cili e shpëtoi Italinë nga influenca e komunizmit. Tani për shqiptarët që po luftojnë, theksoja, \"emri i De Gasperit është ai i Bill Klintonit, Zhak Shirakut, dhe Lionel Zhospenit. Ka emrin e Masimo D\'Alemës, Silvio Berluskonit, Norberto Bobios, Indro Montalellit...\".
Isha i vetmi mes kolegëve diplomatë në Romë që ia dola të botoja një artikull të drejtpërdrejtë me firmën time. Po zbatoja një direktivë që na erdhi prej drejtorit të Drejtorisë së Shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, Sokol Gjoka. Ai orientonte që të bënim gjithçka për t’u shfaqur edhe individualisht në median vendase në mbrojtje të çështjes së Kosovës.
\"La Gazzeta del Mezzogiorno\" kishte atëherë një tirazh të përditshëm në afro nëntëdhjetë mijë kopje.
E solla këtë dëshmi jo thjesht se ky cikël shkrimesh është nga pak edhe një përmbledhje e kujtimeve personale nga puna në Ambasadën tonë në kryeqytetin italian, por edhe për të bërë më të dukshme sa lart qëndronte autoriteti dhe forca ndikuese në Itali e Ismail Kadaresë. Të përditshmet ku gjëmonte, ishin veç e veç, nga më shumë se një milion kopje.
Pesë ditë më pas do të shfaqej në RAIUNO, Edi Rama. Ishte ministër i kulturës.
Rishihemi në shkrimin e ardhshëm për këtë episod që plotëson tablonë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 janar 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com