|
FILOZOFIA E RUGOVËS PËR TAKIMIN ME MILLOSHEVIÇIN
Si e shpjegoi atë në Romë në mbrëmjen e 7 majit 1999
(Botuar në “Illyria” në 10 janar 2019)
Nga Ylli Polovina, Sekretar i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Ky është shkrimi i parë i ciklit me kujtime kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, i cili do të botohet ekskluzivisht për “Illyria”
Ishte 21 maj 1999 kur në Ambasadë mbërriti ministri i Jashtëm Paskal Milo, në një vizitë të tij në Romë. Bashkë me të ishte edhe Arben Imami, gjithashtu edhe ai njëri prej ministrave të qeverisë rozë. Në oborrin e ngushtë të përfaqësisë tonë diplomatike njëri nga kolegët që ishte mjek, pati hedhur në një skaj disa rrota veturash, çfarë e bënte të papëlqyeshëm jo vetëm pamjen, por edhe të papranueshme për ne punonjësit e tjerë, momentin kur doktori merrej me qejfet e tij. Pjesë ndërrimi makinash ai mbante edhe në zyrën e vet në pjesën përdhese të godinës.
Ndërkaq dy të porsaardhurit shkuan në zyrën e ambasadorit Leontiev Çuçi dhe çfarë biseduan qe e drejtë sekrete e tyre. Ne, pjesëtarët e trupës diplomatike, prisnim porositë e reja që do të na jepeshin ose me një mbledhje urgjente, ose në takimin e përditshëm të mëngjesit, pra të së nesërmes, 22 maj.
Paskal Milo, për sa kish shpërthyer sulmi ajror i NATO-s kundër strukturave militareske dhe gjithçkaje tjetër strategjike të Jugosllavisë së mbetur në duart e Sllobodan Millosheviçit, këtë prani të tij në Itali nuk e kishte të parën. Për shkak të numrit të madh të bazave ushtarake të Aleancës Atlantike dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të angazhuara në operacion, por edhe një roli diplomatik shumë të rrëshqitshëm të këtij vendi mjaft të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, ministri qe i shtrënguar ta kapërcente shpesh detin Adriatik. Ndërkohë këtu situata ishte bërë edhe më ndikuese. Në Romë që prej gjashtëmbëdhjetë ditësh ndodhej edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, një eksponent kyç për ta deshifruar qëndrimin dhe rolin e tij pacifist, po ashtu edhe për të bërë trysni që ai të pleksej më fort në zhvillimin ushtarak të gjendjes.
Rugova dhe Milo ishin takuar sëbashku në mbrëmjen e 7 majit në vendin ku edhe qe strehuar prej qeverisë italiane: Villa Pamphilli. Atë takim e pati përgatitur, me porosi të vetë ministrit të Jashtëm shqiptar, ambasadori Çuçi. Pas ambasadorit amerikan Kris Hill ky, mes shumëve që e kërkonin një kontakt me të, nga funksionarët e Tiranës pati qenë personi i dytë të cilin Rugova e priti pas mbërritjes në Romë.
Paskal Milo do të ishte i treti.
Për të vlerësuar këtë hollësi shtojmë se në ditën e 7 majit nga kryetari i komisionit të politikës së Jashtme të Parlamentit ish-udhëheqësi i komunistëve italianë Akile Oketo, qe shprehur i zëmëruar përse qeveria italiane nuk i kishte dhënë mundësi komisionit të merrte një takim me Rugovën dhe të dëgjonte pikëpamjet e tij. Nervozizmi i Oketës qe shtuar edhe më shumë kur nga Këshilli i Ministrave i pati ardhur përgjigja se \\\"varet nga ai\\\", “takimet e përcakton vetëm Ibrahim Rugova”.
Ndërkaq takimi Rugova-Milo i mbrëmjes së 7 majit si gjest kishte qenë i hapët për median vendase, por përmbajtja e bisedimeve krejt e mbyllur. Lajmin për herë të parë e komunikoi teleteksti i RAI-t. Kjo ndodhi rreth orës 23.30 të asaj dite. Në të thuhej se takimi ishte zhvilluar, por pati përfunduar në një \\\"no coment\\\". Sipas lajmit, tema e bisedimeve mes ministrit të Jashtëm shqiptar dhe Rugovës kishte qënë për Kosovën dhe perspektivën e krizës së saj. Lajmi gjithashtu shtonte se nga burime të sigurta në Shqipëri, pas bisedës që ministri kishte bërë me Tiranën, ishte vendosur që \\\"deri nesër të mos ketë asnjë deklaratë shtypi\\\".
Për këtë takim ndërsa \\\"Corriere della Sera\\\", “Il Messaggero”, “L’Unità” të së nesërmes, 8 maj, nuk thoshin asnjë fjalë, gazetari i marrëdhënieve ndërkombëtare Mauricio Molinari i “La Stampa” shkruante me një saktësi të habitshme: \\\"Në frontin diplomatik takimet e Rugovës me Dinin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar Paskal Milo kanë përballur një nyje tjetër për të zgjidhur: mosmarrëveshjet e brendshme midis rezistencës kosovare dhe mungesa e një udhëheqjeje të përbashkët e unike. Në të dy bisedimet është diskutuar hipoteza e një mbledhjeje të të gjitha fraksioneve dhe nuk përjashtohet që Tirana mund të jetë një ndërmjetëse për të afruar Rugovën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në këto momente protagoniste e luftës së armatosur kundër ushtrisë jugosllave\\\".
E mirë informuar çfarë qe biseduar kokë më kokë dhe e premtuar si e mbyllur të paktën për njëzetë e katër orë ishte edhe e përditshmja sadopak afër Vatikanit, “Avvenire\\\": \\\"Në mbrëmje ai pati një \\\"sy për sy\\\" me ministrin e Jashtëm shqiptar Paskal Milo, që kishte mbërritur në Romë pas një turi të tij evropian. Prej shumë ditësh Tirana kërkon që përfaqësuesi kosovar të bëjë një vizitë në Shqipëri: objektivi është që të organizohet një mbledhje me Hashim Thaçin, shef i \\\"qeverisë së përkohshme\\\" të Kosovës, në të cilën Rugova akoma formalisht nuk ka marrë pjesë\\\".
Kjo brendi e çsekretuar prej njërit nga dy pjesëmarrësit kryesorë ose nga bashkëpunëtorë shumë të ngushtë të secilit, të cilët qenë jo më pak se tre vetë, do të konfirmohej kur Paskal Milo pas më shumë se një dekade në 2009 do të botonte librin e tij “Konflikti i Kosovës 1997-2001”, temë të cilën do ta plotësonte sërish më vonë.
Sipas Milos, “Vila ruhej mirë nga policë dhe njerëz të shërbimeve sekrete italiane”, “Na priti Adnan Merovci, roja dhe këshilltari më i afërt i Rugovës”, “Rugova erdhi disa minuta më vonë. U përshëndetëm dhe pak minuta më vonë zbritëm poshtë, në dhomën e bukës për të ngrënë mocarela dhe domate që italianët na dhanë për darkë”.
Ministri i Jashtëm shqiptar vë në dukje se “E urova që kishte ardhur shëndoshë e mirë në Romë dhe që këtej e tutje do të bashkojmë përpjekjet nga afër për t\\\'u çliruar sa më shpejt Kosova”. Pastaj: “I thashë që e prisnim në Tiranë, se populli i tij donte ta shihte dhe ta dëgjonte, se duhej t\\\'i jepte një mesazh opinionit publik, për të shpërndarë dhe ndonjë \\\"keqkuptim\\\" që ishte krijuar për të. E informova se pritëm delegacionin e LDK-së në Tiranë para disa ditësh dhe biseduam me ta për nevojën e një takimi të të gjithë faktorëve politikë shqiptarë të Kosovës në Tiranë për të rikonfirmuar qëndrimet e përbashkëta të marra në Rambuje dhe për të krijuar përfundimisht Qeverinë e Përkohshme”.
Milo në librin e vet gjithashtu shpjegon: “Filloi të flasë duke më falënderuar për ftesën që i kisha bërë për të ardhur në Tiranë bashkë me familjen e tij dhe për solidaritetin që kisha treguar. Pastaj më tregoi për shkatërrimet në Kosovë, për shkretimin që ndihej aty, aq sa edhe qentë e lopët e ndjenin mungesën e njerëzve dhe ishin në kërkim të tyre. Më tregoi se gjatë kohës së izolimit në Prishtinë kishte pasur kontakte telefonike të shkurtra, por të përditshme me ambasadorin Hill, që e quajti mikun e tij”.
Po ashtu Paskal Milo informon: “Ftesës time në emër të qeverisë për të ardhur në Tiranë iu përgjigj se do të vinte së shpejti, pasi të kryente disa angazhime ndërkombëtare në Evropë, Francë, Gjermani, Bruksel, Londër etj. Për propozimin tjetër për të mbledhur gjithë faktorët politikë të Kosovës në Tiranë, nuk e kundërshtoi, por tha se do te bisedojë me bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të shpërndarë. Deklaroi se mbështet marrëveshjen e Rambujesë për krijimin e qeverisë së përkohshme, ndonëse la të kuptohet qartë se ai u kishte lëshuar pe në Rambuje njerëzve të UÇK-së për hir të unitetit”.
Gjithnjë sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, “Me sa kuptova, ai nuk e dëshiron tani këtë qeveri, me përkrahjen që po rigjen në Uashington, Romë, Paris e Londër, dhe mendon ta përmbysë situatën në favor të tij”. Pastaj Milo saktëson: “Më shpjegoi se qëllimi kryesor pse kishte ardhur në Romë, ishte që të punonte që shqiptarët të riktheheshin në Kosovë, që të koordinonte përpjekjet me ne dhe me Fuqitë e Mëdha që kjo të realizohet sa më shpejt”.
Në vijim Paskal Milo e fut rrjedhën e rrëfimit të vet në hollësi më problematike të takimit: “Në moment ndërhyri Adnani, i cili shtoi se ka pasur keqkuptime për qëndrimet e Rugovës për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Më kërkoi që të sqaroja se Rugova është për vajtjen e NATO-s në Kosovë. \\\"Filozofia që përdor Rugova, vazhdoi Merovci, është një filozofi pacifiste, për të nuk ka njerëz të liq dhe ndonëse ata mund ta sulmojnë, denigrojnë, keqtrajtojnë, e ka të pamundur të thotë fjalë të keqe.\\\"
Por ajo që më bëri shumë përshtypje ishin fjalët e tij, se Rugova ndonëse i izoluar nga bota, në asnjë mënyrë nuk ka për të thënë një fjalë të keqe për Millosheviqin a ndonjë njeri tjetër, sepse kjo është jashtë mënyrës së tij të të konceptuarit të realitetit dhe të marrëdhënieve në shoqëri.
Ajo që kërkoja të sqaroja më tepër, por edhe më habiti më shumë, ishte çështja e bisedimeve të tij me Millosheviqin, Milutinoviqin dhe nënshkrimi i komunikatës së përbashkët.
Nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar përshtypjen se kishte qenë peng dhe se kishte qenë i detyruar që t\\\'i bënte këto takime dhe të mbante këto qëndrime. Më deklaroi se kishte qenë i ndërgjegjshëm se këto takime duheshin bërë, se ai e kishte takuar edhe më parë Millosheviqin (maj 1998), se duhej krijuar besimi dhe se ishte në interes të të dy palëve të bisedonin.
Më habiti kur më tha se Millosheviqi, Milutinoviqi, Shahinoviq etj. ishin treguar realistë, se e kishin kuptuar situatën dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje se edhe këta njerëz janë, njerëz që mendojnë e kërkojnë një zgjidhje, çka do të thotë se pikërisht me këta jo vetëm duhet të bisedohet, por edhe të bashkëjetohet. Madje edhe për largimin e tij nga Prishtina më tha: \\\"U thashë serbëve që të më lëshojnë se nuk kam se çfarë të bëj në Prishtinë, se po të jem jashtë do të jem më i dobishëm dhe do të punoj edhe për juve që të arrihet një marrëveshje.\\\"
U hoq se nuk i bënte përshtypje që disa njerëz e kishin quajtur tradhtar dhe këtu u referohej njerëzve të UÇK-së dhe se nuk do të jepte llogari për veprimet e tij si kërkonin ata”.
Këto dëshmi të mësipërme që pohon me shkrim ministri i Jashtëm shqiptar dhe i kanë dëgjuar dhe aspak kundërshtuar dy shoqërues të tij në takim, ambasadori Çuçi dhe shefi i kabinetit të Milos, Eduard Sulo (të cilët edhe ata mbajtën shënime për të rritur saktësinë e regjistrimit të atyre që do të thoshte Presidenti i Kosovës), nuk janë përgënjeshtruar konkretisht as prej vetë Adnan Merovcit. Në 2012 kur botoi në Prishtinë librin e tij mjaft interesant “Në hap me Rugovën”, ku pasi paraqet një fragment nga shënimet e Paskal Milos për doktrinën pacifiste të Rugovës, në vend që t’i pohojë apo mohojë ato, duke i sqaruar një për një, reagon vetëm me këtë frazë të shkurtër të përgjithshme: “Z. Milo, duhet provuar ta njohësh RUGOVËN. Kurrë nuk është vonë”.
Sigurisht që kështu nuk mund të mbrohet nga manipulimet imazhi i presidentit historik të Kosovës. Katër ditë pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, në 11 maj, Ibrahim Rugova dha në “La Repubblica” intervistën e tij më të plotë që nga dita e mbërritjes në Itali. Pyetjes së gazetarit “Çfarë mund të thoni për takimin e famshëm me Millosheviçin?”, ai iu përgjigj: “Në një ditë të nesërme do ta tregoj këtë ngjarje me detaje, por tani jo. Por kam mbajtur qëndrimin tim siç edhe po bëj tani. Ishim të dy nën presionin e ngjarjeve. Punova për kthimin e njerëzve të mi. Patëm diskutime politike, kulturore e bile edhe shpirtërore. I u luta qeverisë së Beogradit që të mos përballet me të gjithë botën, por të shpëtonte Kosovën, Sërbinë dhe Ballkanin”.
E përditshmja e të Majtës Demokratike Italiane, “L’Unità”, të nesërmen e takimit Rugova-Milo e pati informuar lexuesin e vet me bisedën që Presidenti i Kosovës kishte kryer me liderin e kësaj force politike, Valter Veltronin. Sipas kësaj gazete, Rugova pati kërkur paqe mes Sërbisë dhe NATO-s dhe kjo gjë duhej të arrihej sa më parë. \\\"Duhet bërë paqe sa më shpejt për të shmangur diasporën e popullit kosovar”, e kishte shpjeguar ai tezën e vet. “L\\\'Unita\\\" pati shkruar se Presidenti i Kosovës i kishte treguar Veltronit për ditët e vështira që kaloi në Prishtinë, ndërsa lagjia ishte pa njerëz dhe ai qe nën vëzhgimin e policisë serbe. Po kështu, nënvizonte e përditshmja, “të dy liderët kanë vendosur që menjëherë të forcojnë bashkëpunimin mes të dy partive të tyre”.
Këtë ditë të 8 majit gazeta \\\"Avvenire\\\" thoshte po ashtu se një ditë më parë, pra disa orë para se Ibrahim Rugova të takohej me Paskal Milon, kishte folur gjatë me telefon edhe me sekretaren amerikane të Shtetit Mejdlin Ollbrajt dhe sipas saj në përfundim të bisedës kishte rezultuar se \\\"tani Rugova pranon aksionin e NATO-s\\\" dhe \\\"e kupton çfarë është e nevojshme për të bërë që të kthehet në Kosovë populli i vet\\\".
Ndoshta ishte pasoja e kësaj bisede telefonike që i bëri shtypin italian të gjente sadopak hapësirë për të theksuar se Rugova nuk pati shqiptuar gjatë tërë asaj dite asnjë kritikë ndaj NATO-s, madje sipas një titulli të \\\"La Repubblica\\\", \\\"Rugova mbështet aksionet e NATO-s\\\".
Ish-ambasadori P.P. shkakton incident
Në orën katër e gjysmë të 21 majit, ditë ku nisi rrëfimi ynë i këtij cikli me rastin e 20-vjetorit të fitores së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes ndërkombëtare të Aleancës Atllantike në mbështetje të saj, e mori në telefon ambasadën sekretarja e Stafan De Misturës, funksionar i njohur i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili kishte edhe një lidhje jetësofre të vet me Shqipërinë. Ishte dukshëm në favor të Kosovës dhe të qëndrimit përkrahës të Perëndimit.
Në receptor sekretares i dola unë, sepse atë pasdite isha edhe në rolin e dezhurit. Pasi iu prezantova ajo u ndje më e sigurtë në realizimin e kërkesës së saj. Dëshironte ta ndihmoja që zoti De Mistura të fliste në telefon me ambasadorin P. P.
U detyrova ta sqaroja se që prej gushtit të vitit të shkuar P. P. nuk qe më ambasador i Republikës së Shqipërisë në Itali, por pas tre muajve të një të Ngarkuari me Punë, ish-ambasadorit tonë në Rusi, Shpëtim Çuçka, në këtë funksion ishte Leontiev Çuçi, dikur ministër i një kabineti qeveritar të pas vitit njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë. Sekretarja u zu ngushtë dhe kërkoi leje të duroja sa të trokiste në derën e shefit të saj për t’ja shpjeguar këtë rrethanë të papritur. Pas një pauze ajo u rindje në receptor, duke thënë se Stafan De Mistura ishte duke folur në telefon dhe se i duhej të priste sa ai ta përfundonte atë.
Më pas ajo nuk rimori në telefon, duke shpresuar se kështu kishte gjetur një mënyrë elegante për të anashkaluar incidentin.
Njëzetë e një maji do të mbyllej edhe me një të papritur tjetër: në ambasadë mbërriti letra e një qytetari italian , i cili kërkonte të rreshtohej vullnetarisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq një raport i brendshëm që kishim thoshte se serbët në veri të Italisë qenë në mësymje të plotë për të paguar kryesisht emigrantë rusë dhe polakë që t’i bashkonin me trupat e tyre luftuese në Kosovë.
Në 24 maj ishte në zyrën e ambasadorit mbledhja e përditshme e trupës diplomatike, ku sipas një rregulli të vendosur nga Leontiev Çuçi i pari në rradhë për raportim duhej të isha unë. Në të vërtetë bëja një vështrim informativ mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë, të dhëna që i merrja njëzetë e katër orë për njëzetë e katër nga “marifetet” e mia teknike. Në apartamentin ku banoja bashkë me familjen time, në Viale Eritrea, megjithëse pozicioni i pallatit ishte në “gropë” dhe në drejtimin gjeografik të Tiranës ai kishte një kodër, pas kërkimeve të shumta pata gjetur dhe blerë një radio shumë të fuqishme me valë të shkurtëra, për të mundur interceptimin në Romë të Radio-Tiranës. Për të kapur radio BBC-në, “Zërin e Amerikës” dhe “Zërin e Gjermanisë” qe më e lehtë.
Në orën tetë të mëngjesit të 24 majit, kur niste mbledhja dhe minutat e informimit nga unë, i kisha dëgjuar edicionet e tyre që pa gdhirë. Pasi përfundova i kërkova leje ambasadorit të vija në dijeni trupën diplomatike për rastin e ish-ambasadorit P. P., i cili nuk qe hera e parë që krijonte incidente duke u hequr si ende në detyrë. Leontiev Çuçi, të cilit ia kisha raportuar bisedën me sekretaren e Stafan De Misturës, më tha “Thuaje!” Ai vetë ia pati njoftuar rastin ministrit Paskal Milo dhe ky e kishte ngarkuar të hartonte një notë për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, në të cilën kërkonte ndihmë që kjo t’i sqaronte përfaqësitë e huaja në Romë për mosqenien ambasador i Shqipërisë të zotit P. P. Për formulimin e kësaj note Çuçi pati caktuar zëvëndësen e tij të parë, Venera Domin.
Çështja P. P. u diskutua edhe në mbledhjen e mëngjesit të së nesërmes, 25 maj, kur në raportimin e tij Visar Zhiti, i cili mbulonte kulturë-arsimin, pasi foli për një veprimtari artistike në qytetin e Barit, ku përveç tij si autor qenë ftuar nga Shqipëria edhe Xhevair Spahiu me Ylljet Aliçkaj, por ku nuk mungonte edhe Ali Podrimja, kishte marrë vesh një lajm të rëndësishëm: në 2 qershor në Romë do të vinte Ismail Kadare. Merrte një çmim letrar.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 8 janar 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|