Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PREFEKTI I BERATIT QË NDIHMOI LËVIZJEN NACIONALÇLIRIMTARE


Duke u bashkuar me qëndrimin e Aleatëve kundër Boshtit Fashist.

Enver Hoxha fsheh një takim sekret

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 20 dhjeor 2018)

Enver Hoxha midis shumë të pathënave të jetës së vet politike nuk ka rrëfyer edhe një takim që ka kryer në fshehtësi me kryeministrin Mustafa Kruja, mandati i të cilit u ushtrua prej janarit 1942 deri në të njëjtin muaj të vitit të mëpasshëm. Qe ky i fundit, i cili ndërmori një cikël takimesh sekrete me drejtues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare për të gjetur një kompromis mosluftimi me ta.
Kontakti me Hoxhën, duke qenë se nuk ka burime të shkruara dhe na është pohuar vetëm prej Abaz Fejzi Alizotit, bashkëkombës afro tetëdhjetëvjeçar, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka të ngjarë të ketë ndodhur në periudhën e gjysmës së parë të motit 1942, ndoshta kur ende E. H. nuk qe zgjedhur shefi i partisë së komunistëve dhe po ashtu i armatës së saj partizane.
Takimi mes Mustafa Krujës dhe Enver Hoxhës u bë në rrugën me emrin e sotëm “Siri Kodra”, në shtëpinë e një komunisti nga Libohova, emrin të cilit Alizoti nuk e mban mend. Ai pohon se, sipas asaj që i ka thënë i jati, Hasani, i cili ishte ndërmjetësi i i realizimit të këtij kontakti, të dy bashkëbiseduesit vajtën në takim natën, në errësirë të plotë dhe biseduan gjatë. Megjithatë nuk ranë dakord për asgjë. Qenë në pozita shumë të kundërta.
Kur Mustafai u ngrit të ikte dhe po dilte nga dera e dhomës, saktësisht duke filluar të zbriste shkallët poshtë, i tha Hasan Alizotit turqisht këto fjalë: “allta kellanen xhani ceksen”. Këto donin të thonin: “Të fundit i daltë shpirti”. Kjo në turqisht nënkuptonte “Hiqe qafe këtë!”
Ndërkaq Hasani iu përgjigj: “I kam dhënë fjalën, nuk e bëj dot”.
Hasan Alizoti ishte këtë kohë prefekt i Beratit, pra nëpunës i caktuar ato çaste prej vetë kryeministrit Mustafa Kruja. Kur kishte mbërritur me këtë detyrë pati vënë re se qyteti i lashtë qe përfshirë në një aktivitet rezistence antiitaliane shumë të fortë, dalluar mjaft prej qyteteve të tjera. Për ta shuar apo dobësuar atë, sigurisht, e dërguan ata të qeverisë bashkëpunuese me komandën e trupave italiane të pushtimit, por ndërkohë rrodhën rrethana që i dhanë një drejtim tjetër qëndrimit të Hasan Alizotit.

Takimi top sekret në Manastirin e Ardenicës

Një ditë Hasani i erdhi në rrugë private një mesazh tepër i veçantë, as i imagjinuar. E kërkonte për një takim “kokë më kokë” një oficer madhor britanik. Anglezi me këtë rast i pati përcjellë edhe temën e bisedimeve: “Problemet e kohës”. Ai e analizoi gjatë ofertën e rrezikshme po ta merrnin vesh eprorët e tij e sidomos ata të strukturave fashiste italiane, përfshi edhe Mëkëmbësinë, por duke qenë adhurues i demokracive perëndimore, pranoi.
Takimi u krye në Manastirin e Ardenicës. Oficeri i lartë britanik erdhi deri në bregdet me një mjet lundrues, ndoshta i zbarkuar prej ndonjë nëndetëseje. Prej andej erdhi në Manastir. Nga çfarë tha dhe si u soll gjatë bisedës shfaqi personalitetin e një njeriu të kulturuar. Fliste frëngjisht dhe me këtë gjuhë që të dy shkëmbyen mendime rreth luftës që po zhvillohej jo vetëm në Shqipëri. Në fund anglezi shqiptoi: “Misioni im është t’ju rekomandoj: të lutem shumë, mos ia prish qejfin Lëvizjes Nacionalçlirimtare!”
Pas kësaj u ndanë secili në punën e vet. Ndërkaq më vonë Hasan Alizoti do të merrte vesh se po ai ushtarak, si edhe të tjerë, nuk e kishin të parin këtë takim të fshehtë me prefektë të veçantë shqiptarë. Gjithsesi kjo bisedë e bëri Hasanin të kuptonte më mirë se për shtetet perëndimore antifashiste ato çaste bashkëpunimi me grupet e armatosura të inkurajuara apo të drejtuara edhe prej komunistëve, kishte një rëndësi shumë jetike, madje edhe për vetë ekzistencën e demokracisë. Përballja strategjike me bolshevizimin hë për hë duhej pezulluar, sepse Hitleri dhe Musolini, po ta fitonin Luftën e Dytë Botërore, do ta mbytnin demokracinë kudo ndodhej, në Londër apo deri edhe në Uashington. Tashmë e patën kryer këtë dhunë në Paris, Vjenë, Pragë, Varshavë, Bruksel...Falë këtij takimi Hasan Alizoti kuptoi kahun e lëvizjes së ngjarjeve në ato momente dhe vendosi të ndjekë këtë kurs, me pak fjalë të zbatojë çfarë i propozoi oficeri i lartë britanik.
Në Berat edhe më parë kësaj bisede ai qe munduar të qëndronte jashtë përplasjes mes palëve, në një pozicion baraspeshimi, përherë për të siguruar një jetë të qetë të banorëve dhe sipërmarrjeve të tyre ekonomike. Megjithatë ndaj të rinjve të rezistencës antifashiste, komunistë ose jo, shprehte anësim. Kur ndodhte që ata binin pre e italianëve, sidomos e një drejtuesi lokal karabinierie, individ i egër, marshallit Antonio Martini, mundohej t’i shpëtonte nga thonjtë e tij. Në një rast iu bë krah, në mos edhe nismëtar, edhe vetë i jati, Fejzi Alizoti.
Në atë kohë Fejziu qe emëruar në Kosovë si komisar civil për tokat e çliruara. Mbante afër edhe dy oficerë të milicisë shqiptare. Njëri ishte Xhevat Libohova, kunat i të birit, Hasanit, domethënë vëllai i gruas së këtij, Hiqmetes. Tjetri oficer milicie shoqërues i Fejziut qe Xhelal Staravecka. Që të dy ishin njerës të aksionit dhe sapo Hasani nisi punën e prefektit në Berat, i jati ia dërgoi në përforcim.
Kur PKSH vendosi që nga Tirana për të organizuar rininë e saj antifashiste në Berat të dërgonte Alqi Kondin, njerëzit e marshall Martinit e arrestuan që të nesërmen e mbërritjes. Ia filluan menjëherë torturimin e rëndë. Atëherë Fejzi Alizoti e telefonoi të birin dhe i tha: “Bëj çfarë të duash, por Alqin, djalin e doktor Kondit, ta lirosh!” Hasani thirri menjëherë drejtuesit e kuesturës dhe tërthorazi e pyeti për të arrestuarit që kishin. I përmendën edhe emrin e Alqi Kondit. “Me çfarë pune të ndaluar është marrë?”, i pyeti. “I ka pohuar vetë fajet që të gjitha”, iu përgjigjën shkurt. “Atëherë ma bini këtu ta pyes njëherë vetë!” Ia sollën të nesërmen. Porsa hyri në zyrën e prefektit Alqi nderoi me dorën lart si fashist. Ishte me shumë plagë e shenja të gjakosura. Mezi qëndronte në këmbë. “Ule dorën”, i tha Hasan Alizoti. Kondi i ri u hutua, sepse nuk e priste këtë prej një prefekti të emëruar nga fashistët. “Je shqiptar, shtoi ky, dhe ne kemi nderim tjetër”. Në vijim Hasani e këshilloi që sapo të rikthehej në burg të kërkonte një vizitë mjekësore për gjendjen e tij shumë të rëndë shëndetësore. “Madje bërtit, i tha, thirr me të madhe deri sa të të sjellin doktorin”. Alqi Kondi veproi si i tha prefekti dhe fitoi mundësinë të shtrohej në spitalin e burgut të Tiranës. Hasani informoi të jatin për sa kishte bërë si edhe lajmëroi njerëzit në kryeqytet të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Këta shumë shpejt organizuan arratisjen e Alqi Kondit.
Ndërkaq pas takimit sekret me oficerin e lartë britanik Hasan Alizoti kishte nisur komunikimet e fshehta me drejtuesit lokalë të rezistencës së armatosur antifashiste: Kahreman Yllin, Mestan Ujanikun, Gjin Markun, Zylyftar Veleshnjën, Ramiz Aranitasin. Iu krijuan mbresa pozitive prej tyre. Kahreman Ylli iu duk njeri jashtëzakonisht i kulturuar, Mestani vërtet i pashkollë, por mjaft të drejtë. Gjin Markun e vlerësonte si inteligjent, kurse Ramiz Aranitasin si shumë trim dhe të ndershëm.

Në Vjenë i kishte luftuar me armë bolshevikët

Të gjithë këta në atë kohë nuk i përdornin shpesh termat ideologjikë “komunistë” dhe “komunizëm”, edhe pse të linin përshtypjen se besonin në atë kauzë dhe po të ngadhënjenin në luftën çlirimtare, në Shqipëri do të qenë dakord të vendosej sistemi shoqëror i Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq Hasan Alizoti në rininë e tij e pati luftuar me armë bolshevizmin. Kjo kishte ndodhur në Vjenë, menjëherë pas triumfit të revolucionit proletar dhe marrjes nga kryengritësit rusë të Pallatit të Dimrit në Shën Petërburg.
Në 1914 i jati i pati siguruar Hasanit një bursë në Vjenë për të studiuar në një shkollë ushtarake. Atje e zuri edhe Lufta e Parë Botërore me situatën kaotike që ajo solli. Në 1917-1918 u shtri nëpër Evropë dallga e revolucionit rus. Pasi “të kuqtë” morën Budapestin, pra një pjesë të perandorisë austrohungareze, kjo dallgë erdhi edhe në Vjenë. Një pjesë e vendasve u ngritën të rrëzonin Habsburgët dhe për të mbrojtur pallatin e tij nga revolucionarët bolshevikë i nxorën të gjithë studentët ushtarakë të armatosur, përfshi edhe bursistët shqiptarë, të cilët ato çaste qenë dhjetë vetë me kujdestar një major austriak. Pas goditjes me armë kryengritësit u tërhoqën dhe Vjena nuk u bë një Shën Petersburg i dytë.
Jeta e Alizotëve, edhe pse nuk qenë aspak pronarë tokash apo pasurish të tjera private, por përherë nëpunës administrate shtetërore (edhe i jati i Fejziut kishte punuar e më pas vdekur si nënprefekt në Novi Pazar), ishte mospajtuese me çfarë flitej atë kohë për Marksin dhe Leninin. Fejziu kishte shërbyer në Turqi, ku edhe qe shkolluar. Nëntori i Pavarësisë 1912 e zuri këtu, në Selanik ku pak më vonë do të ishte i transferuar, bashkë me familjen. Ataturqit e paguanin, por e shihnin me dyshim, madje e konsideronin tradhëtar të mundshëm të Perandorisë. Në 1913 u kthye në Vlorë, duke iu përgjigjur ftesës së Ismail Qemalit, Kur mbaroi Lufta e Parë botërore, në 1918, i përfundoi studimet ushtarake edhe Hasani. U kthye edhe ai në atdhe dhe detyrimisht do të hynte në punë, sepse ndryshe nuk jetonte dot. Fillimisht shërbeu si doganier në një pikë më në veri të Morinës, e cila lidhej me Kosovën. Më pas u transferua në Ministrinë e Financave dhe në këtë dikaster qeveritar mbërriti deri sekretar i ministrit Kol Thaçi. Më vonë, viti 1927, do të emërohej sekretar i dytë në Legatën Shqiptare në Athinë.
Në vijim u emërua prefekt në Ballsh, qytezë ku zuri miqësi të madhe me të jatin e Liri Belishovës, ndërsa kjo e fundit qe fëmijë në vitet e para të shkollën fillore. Në familjen e Abaz Alizotit edhe sot ruhet një foto e nxënësve të vegjël të Ballshit. Pas këtij qyteti Hasani u transferua nënprefekt në Libohovë, më tej nënprefekt në Zerqan. Pastaj hyri Italia. Pushteti i ri fashist e mbajti ca kohë pezull, por dalloi shpejt se kishte të bënte me një nëpunës të lindur për punë administrimi shtetëror dhe i ofroi qytetin e Beratit.

Në veprim kolaboracionist mercenarët e Halil Alisë

Në skaj të vitit 1942 italianët e pikasën që në luftën e tyre ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Berat diçka nuk shkonte. U shkoi në mendje edhe mundësia e një dopioloje të prefektit. Ndërkaq në Vlorë gjendja u dukej edhe më e dalë prej duarve të tyre. Prefekti i këtij qyteti, Lele Koçi, i përkushtohej më shumë se Hasan Alizoti mbështetjes së rezistencës të lidhur me LNÇl. Prandaj dërguan në Vlorë mercenarin Halil Alia, i cili kreu terror mbi qytet, vrau në 2 janar 1943 patriotin e famshëm Qazim Koculi si edhe prefektin Lele Koçi. (Siç dihet i revoltuar nga këto vrasje të frymëzuara prej komandës së pushtimit kryeministri Mustafa Kruja dha dorëheqje të menjëhershme).
Ndërkaq njësitë mercenare të fashistëve italianë, pasi përgjakën Vlorën dhe rrethinat që mbështetnin Lëvizjen Nacionalçlirimtare, iu kthyen qendrës tjetër të rezistencës: Beratit. Sapo hynë në qytet filluan të shtijnë në ajër me mitroloza dhe pastaj drejt rrugëve. Në kushtet e këtij terrori që mund të përfundonte si në Vlorë, me të vrarë të tjerë, në mos edhe me jetëshuarjen e tij, një togë italiane të drejtuar nga një toger, i cili kishte për detyrë mbrojtjen e institucioneve, Hasan Alizoti e përdori për të frenuar mercenarët e Halil Alisë. Një autoblindë që këta e kishin në dispozicion, e vuri para prefekturës dhe lajmëroi popullatën që të mos kishte qarkullim njerëzish. Kur vërtet jashtë banesave nuk kishte gjë të gjallë dhe përdhunësit ku panë autoblindën i rralluan të shtënat, në rrugën kryesore u shfaq një siluetë. Ishte Hiqmetja, e shoqja e prefekti. Familja Alizoti e kishte shtëpinë tek banka, pra pothuaj në fillim të rrugës kryesore që të çonte pas të paktën treqind metrave deri tek ndërtesa e prefekturës. Bashkëshortja, e alarmuar se mos kryhej edhe në Berat vrasja e qëllimshme e prefektit, tek ecte fillikat i ndjeu plumbat që filluan t’i binin fare afër. Ishin vetëm dy mercenarë që e kishin këtë zell. Sapo i pa ku qenë strukur, prapa Hotel Kolombos, u bërtiti: “ Po të jeni trima u shtini burrave!” Pas kësaj ata ja mbathën. Një çast më pas në mbrojtje të Hiqmetes vrapuan disa ushtarë italianë.

Fejzi Alizoti: Nuk dua ta takoj Miladin Popoviçin

Kur Popoviçi në pranverë të vitit 1943 iu afrua ilegalisht Beratit, i tha Gjin Markut se donte të takonte Hasan Alizotin. Takimi mes komunistit të rëndësishëm jugosllav me shumë ndikim në PKSH dhe prefektit u krye pa asnjë problem. Nga biseda Alizoti do të dilte me përshtypje të mirë për Popoviçin. Por pas pak kohe i erdhi kërkesa se ky i fundit dëshironte të takonte edhe të jatin. Hasani i ktheu përgjigjen se këtë gjë nuk mund t’ja premtonte: “Babai ka qëndrimin e tij, por unë do t’i them”.
Kur çfarë kërkonte Miladini ia komunikoi të jatit, Fejziu u mendua një çast, por më në fund ra dakord. Takimi do të bëhej në banesën e Hasanit në Berat dhe që të dy, në kohë të ndryshme, në ditën e caktuar u ndodhën aty. Veç qëndruan në dhoma të ndryshme. Kur u duk se gjithçka ishte gati për bisedën dypalëshe, Fejziu papritmas refuzoi: “Unë nuk do ta takoj, sepse po e takova do të merret vesh e çfarë mbetet për mua kur të dalë një gjë e tillë”.


7.
Pas Beratit Hasan Alizoti do të emërohej prefekt në Shkodër. Pastaj erdhën gjermanët dhe këta, edhe pse e liruan nga detyra, gjithsesi vijuan ta pagonin. E konsideronin kandidaturë në rezervë. Kështu nuk kaluan vetëm muajt e fundmotit 1943, por pothuaj tërë viti pasardhës. Në shtator ata që kishin mbështetur pushtuesit për të luftuar komunistët, përfshi edhe qeveritarë, filluan të iknin jashtë vendit. Shefqet Verlaci, më i pasuri në Shqipëri, i shkoi në shtëpi Fejzi Alizotit. “Hajde, mos ri”, i tha. I shkoi edhe Safet Libohova, i vëllai i të shoqes së të birit, Hasanit, nënprefekt në Libohovë. Ky i tha troç: “Eja të ikim, mos rri këtu, sepse komunistët të kanë dënuar me vdekje”. “Jam plak, nuk kam ku vete”, iu përgjigj Fejziu. “Para nuk kam, shtoi, do të rri këtu. Çfarë të më gjejë të më gjejë”. Kështu nuk iku ai, por as Hasani. Ku ta linte vetëm?
Derisa filloi Lufta e Tiranës.
Në kryeqytet familja Alizoti shtëpinë e kishte tek ura e madhe mbi Lanë afër Hotel Dajtit. Ato kohë aty kanë qenë disa vila, ku pas lufte banuan Myslim Peza dhe Adil Çarçani. Jo e para vilë nga rruga, por e dyta, qe strehë e Alizotëve. Në pasditen e 16 nëntorit shtatë gjermanë patën mbetur të izoluar tek cepi i urës, atje ku ishte një barakë me ngjyrë jeshile e ndërtuar prej italianëve. Ata vazhdimisht shtinin mbi partizanët. Prej këtij zjarri të dëndur këta nuk guxonin të bënin përpara. Pastaj mbërriti një çast, sapo kish rënë nata, kur gjermanët e lanë barakën, kërcyen rrugën dhe trokitën në derën e banesës së Alizotajve. Kërkuan të mund të strehoheshin për pak kohë, për t’iu dorëzuar më vonë partizanëve, veç jo në ato momente të nxehta, sepse kishin për t’i vrarë në vend. Hasani që i dëgjoi pa u hapur derën, u shpjegoi në gjuhën e tyre se nuk mund ta bënte dot këtë gjë, në shtëpi kishte fëmijë dhe gra, madje qe edhe babai i tij shumë plak. Shtatë gjermanët u rikthyen sërish tek baraka jeshile dhe vazhduan të rezistonin. Mbijetuan deri në mëngjes herët, ora gjashtë, kur më në fund, përballë partizanëve të shtuar numerikisht, u vranë njëri pas tjetrit. Për aq sa shihej qartë nga dritaret e banesës së familjes Alizoti, nacionalçlirimtarët nisën t’i grabitnin pa i lënë radhë njëri-tjetrit. U hiqnin unazat dhe kërkonin çtë gjenin nëpër xhepa. Pa shkuar ora shtatë e asaj dite, 17 nëntor 1944, jashtë vilës së tyre Alizotët dëgjuan se si fitimtarët e thërritnin njëri-tjetrin me zë të lartë dhe gëzim “O Rrapo” apo “O Çelo!” Ishte e qartë: e kishin marrë qendrën e Tiranës dhe komanda e tyre pati hyrë dhe vendosur në Hotel Dajti. Atje më i madhi nuk dukej se qe Mehmet Shehu, por Dali Ndreu.
Pa u afruar ora nëntë tek porta e vilës erdhi një grup partizanësh dhe thanë se do të bënin një kontroll. Gjetën tri pushkë dhe pyetën se të kujt qenë. Hasani iu përgjigj se njëra qe e truprojës së tij. “Kush është i pari i shtëpisë?”, pyetën ardhësit prerë, pa pritur sqarimin e plotë. Hasani tregoi të jatin. “Epo ky do të vijë me ne”, thanë ata. “Ky është plak njeri, ndërhyri Hasani. do të vij unë me ju”. Partizanët e vunë në mes dhe e morën me vete. Ndërsa iknin rrugës lart, drejt qendrës, Hasani pa gjithkund të vrarë dhe kuaj të ngordhur. Kur iu avitën Kullës së Sahatit dhe Xhamisë, një gjerman i plagosur dhe i shtrirë tek dera e njërës prej godinave, të cilat më pas u bënë ministri të ndryshme, filloi t’i qëllonte me mitroloz. Hasani i thirri: “Mua më kanë arrestuar, mos qëllo se do të më vrasësh!” “Ik ti se do t’i vras ata të tjerët!”, u përgjigj gjermani. Atëherë Hasani u thotë partizanëve: “Jepjani vrapit dhe fshihuni pas godinës tjetër!” Këta ia dhanë vrapit vërtetë dhe shpëtuan nga breshëritë e gjermanit të plagosur. Kur mbërritën në Hotel Kontinental, i cili ishte fare afër dhe deri një ditë më parë pati qenë komandë e gjermanëve, Hasanin e futën në bodrum. Në dhomën nëntokësore, ku i ndrynë, ndodhej edhe një oficer nazist. Ky filloi t’i thoshte me alarm se pas një gjysmë ore hoteli do të hidhej në erë. “E kam minuar vetë unë!” këmbëngulte gjermani. Atëherë Hasani nisi t’i binte me grusht derës dhe të thërriste dikë për ta dëgjuar. Më në fund tek dera u shfaq një partizane dhe kjo mezi e kuptoi përse duhej të njoftonte komandantin e saj për ta hapur sa më shpejt derën. Pas kësaj oficeri vrapoi menjëherë tek eksplozivi dhe ndërsa dolën jashtë ndërtesës të gjithë ata që kishin qenë brenda, e çminoi.
Por Hasanin dhe nga dy të tjerë që sapo i kishin arrestuar, për shkak se burgu akoma nuk qe marrë nga që bënte rezistencë kokëfortë Osman Gazepi me disa nga të tijtë, i mbyllën tek Pallati i Zogut. Këtu kishte miell dhe sheqer dhe ardhësit gjetën mundësi, për t’u ushqyer, të paktën të gatonin hallvë.
Ndërkaq Hasani nuk e dinte që një orë pasi e patën arrestuar një grup partizanësh kishte rihyrë në shtëpinë e tyre dhe marrë të jatin. Ishte ftohtë dhe plaku shtatëdhjetë e gjashtë vjeçar mori me vete një brucë. Bashkë me të tjerë të porsaarrestuar i vendosën për më shumë se një javë në terracat e Pallateve Moskate. Natë e ditë me roje ngryseshin e gdhiheshin, ndërkaq nuk u mor vesh kurrë nëse hanin ndonjë copë bukë. Më në fund ndërtesa e “Burgut të Ri” qe marrë dhe i futën të gjithë në birucat e tij. Në një kaush të madh u gjetën pranë njëri-tjetrit, për një rastësi apo qëllim të prapë të pushtetarëve të rinj, baba e bir.
Në fillimpranverë 1945 u organizua Gjyqi Special dhe mes të 17 të dënuarve me pushkatim qe edhe Fejzi Alizoti. Pas kësaj dite atë dhe të tjerët i vunë në një qeli përballë birucës së mëparshme. Hasani me të jatin shkëmbenin mesazhe me copra të vogla letre, të cilat i futnin nëpër brimat e kyçit të dyerve sa herë që dilnin për të shkuar në banjë. Abazi, i biri i Hasanit, i cili është edhe burimi kryesor i informacionit për këtë shkrim, i ruan ende ato copra pusullash tronditëse.
Djali tjetër i Fejziut, Rizai, erdhi që nga Kuçova për ta takuar babanë e vet, priti dy ditë, por nuk e mundësuan. Thuhej se të dënuarit i kishin shvendosur në një banesë afër, shtëpi e tregtarit Ali Qorraliu, ku u patën dhënë për të ngrënë e sidomos pirë që të ishin të trullosur. Ditën e tretë të mbërritjes së pafat të Rizait për ta takuar të jatin, në 14 prill 1945, të shtatëmbëdhjetët i hipën në kamionë dhe i dërguan tek Kodra e Priftit. Atje i ekzekutuan. Pesëmbëdhjetë prej tyre i zunë plumbat, ndërsa arbëreshi Terenc Toçi pati rënë përdhe pak çaste më parë nga një infrakt zemre. 76-vjeçarin Fejzi Alizoti plumbat e kishin marrë njëri në pëllëmbë të dorës së djathtë dhe tjetri e kish fshikur në grykë, në fikthin e gurmazit. Qe rrëzuar dhe ato çaste u dëgjua zëri i tij i dobët, tek i thoshte Bedri Spahiut: “Edhe zoti nuk më dënoi me vdekje. E drejta ndërkombëtare e ka që kur një të dënuari i këputet litari apo nuk e zë plumbi, i falet jeta”. Por tjetri nxorri pistoletën dhe pasi i kërciti fjalët “Nuk ka falje për ty”, e qëlloi në kokë.
Kur Hasan Alizoti në fund të prillit, bashkë me nëntë të tjerë, doli në gjyq në sallën e kinemasë në vendin ku sot ndodhet selia e Partisë Socialiste, kryetar gjyqi qe Bilbil Klosi dhe prokuror Gjon Banushi. Populli në sallë thërriste pa pushim: “Prefekt i fashizmit në litar!” Kur u dhanë dënimet nëntë qenë me pushkatim, kurse kur u shpall ai i Hasanit prokurori shqiptoi: “Ka qenë prefekt i fashizmit dhe bashkëpunëtor i okupatorit, por e shikoj në lidhje të ngushtë me krerët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Pas kësaj salla e madhe e kinemasë e mbushur plot filloi të duartrokiste. Tre vjet burg kërkoi Gjon Banushi, dy e bëri Bilbil Klosi. Në 29 nëntor 1945 u njoftua amnistia e parë dhe një ndër ata të ndodhur në fillim të listës ishte Hasan Alizoti. Kështu bëri gjithsej një vit burg.
Pjesa tjetër e jetës së tij janë shpërngulja me forcë nga Tirana për në Durrës dhe më në fund 30 vjet qëndrimi në Lushnjë, me punë në një nga sektorët e fermës, në Savër kryesisht. Në 1978 Hasan Alizoti ndërroi jetë, kurse e shoqja, Hiqmetja, në 1985.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 dhjetor 2018





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com