Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LIBRI I AKADEMISË BEOGRADASE: ASNJË FJALË NËSE NËNA E SKËNDERBEUT ËSHTË SËRBE


(Botuar në “Dita” në 14 dhjetor 2018)

Është prapaecje shumë e mundimshme dhe kohë e harxhuar të riprovosh atë që e ka konfirmuar dhe ngulitur me shekuj në historinë e shqiptarëve, të ballkanasve dhe të vetë Evropës: Gjergj Kastrioti nënën e tij nuk e ka pasur patjetër sërbe, mundet as etnikisht edhe sllavo-bullgare. Asnjë provë e sigurt për këtë tezë nuk është paraqitur. Duke qenë se edhe po të ishte e tillë nuk ndryshonte asgjë në vlerën e jashtëzakonshme të veprës antiosmane të shqiptarëve në mbrojtje të sovranitetit të tyre e sidomos të kontinentit, dijetarët e huaj nuk do të mungonin ta shkruanin të zezë në të bardhë përkatësinë sërbe. Do të ngjante si këto ditë ndodhi me gjestin e UNESKO-s për t’ja njohur lahutën vetëm trashëgimisë kulturore të Serbisë.
Ndërkaq po kaq dukshëm nuk janë gjetur dhe parashtruar në mënyrë bindëse dëshmi dokumentare që Vojsava Tribalda (Kastrioti) është pastërtisht arbëre. Me pak fjalë kjo çështje ka mbetur e pezullt dhe vetëm shqiptarët e brezave që do të vijnë mund të kenë shpresë që kjo çështje të sqarohet nga shkencëtarët, njohësit e gjuhëve të vjetra dhe kërkuesit profesionistë të arkivave të huaja. Sepse kjo nuk është punë amatorësh.
Gjithsesi fakti që i ka qendruar kohës është ky: për afro gjashtë njëqindvjeçarë qëndresa e prirë nga Skënderbeu i është njohur botërisht kombit tonë dhe nuk e kanë ndarë me ndonjë tjetër. Nuk ndryshoi ky raport edhe kur i biri i vetëm trashëgimtar i heroit tonë kombëtar, Gjoni, në mërgim, në Itali, u martua me një serbe të mirëfilltë dhe të njohur nga historiografia si e tillë.
Ndërkaq (dhe kjo bie shumë në sy) bota shkencore sërbe asnjëherë nuk është preokupuar të harxhojë energji të tepërt me këmbënguljen e ekzistencës patjetër të një Vojsave të etnisë së vet. Këtë e kanë bërë shumë pak dijetarë të huaj si para një shekulli e gjysmë gjermani Karl Hopf apo në kohët tona austriaku Oliver Jens Schmidt. Në Serbi ndonjë zullum në këtë favor propagandistik e kanë kryer disa ultranacionalistë, provokatorë politikë dhe etnikë, mosdashës të një roli të rëndësishëm historik të shqiptarëve.
Duke qenë se përmban një informacion mjaft të veçantë dhe të dobishëm për lexuesit kuriozë, pra aspak i krijuar si një përpjekje për të argumentuar paqenien serbe të Vojsava Tribaldës, po tregojmë një episod nga veprimtaria e të Ngarkuarit me Punë në Legatën Shqiptare në Beograd, Andrea Shkodrani, në vitet 1964-1967.
Në fillim të motit 1967 ai shkoi në pallatin Allbania aty në Beograd, i cili kishte atë kohë edhe librarinë më të madhe të kryeqytetit jugosllav. Shefi i tij, Ministri i Jashtëm Behar Shtylla, pa i thënë përse i duhej, i qe lutur t’i gjente një libër për mirërritjen e luleve japoneze. Kur kishte hyrë në librari Andrea Shkodranit i kishin zënë sytë një libër për Skënderbeun. Ishte 318 faqe dhe i papërdorur. E bleu menjëherë (kushtonte 200 dinarë), sigurisht me paret e rrogës së tij mujore vetëm 83 dollarëshe, sepse përfaqësia diplomatike shqiptare nuk kishte asnjë fond për veprime të tilla.
Dy-tri muaj më pas në Beograd, në një udhëtim për të marrë pjesë në një kongres historie në Vjenë, kaloi Aleks Buda dhe Shkodrani e vuri në dijeni. I tha se, duke qenë që profesori në atë prag jubileu të 500-vjetorit të Skënderbeut, po merrej posaçërisht me këtë temë, librin ja dhuronte atij me shumë dëshirë. Por ndodhi që Buda në Tiranë u rikthye nga Roma.
Kështu “Đurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku” (“Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV”, botim në vitin 1942 i Akademisë Mbretërore Serbe, do të qëndronte në biliotekën personale të Andrea Shkodranit deri në ditët e sotme dhe shkruesi i këtyre rradhëve do të njihej me të vetëm para pak muajsh.
Autori i këtij libri në serbisht për Skëndebeun është dijetari sllavist dhe bizantolog i shumënjohur i atdheut vet, anëtar i Akademisë Sërbe të Shkencave dhe të Artit, Jovan Radojniç.
Radojniç, i lindur në 9 shkurt 1873, ka përfunduar studimet në Vjenë dhe ka pasur si profesor Kostandin Jireçek. Botimet e shumta i ka nisur që në 1905 dhe përfunduar një mot pas vdekjes, në 1957. Libri për Skënderbeun konsiderohet prej historiografisë serbe si më i miri i tij dhe më i pajisuri nga ana dokumentare. Ai është miratuar nga Akademia e Shkencave Shoqërore në një mbledhje të posaçme të datës 25 dhjetor 1939.
Në fillim ka një hyrje të vetë autorit, parathënie ku Doktor Jovan Radojniç rrëfen jetëshkrimin e Skënderbeut, që kur u muarr peng nga turqit e deri në vdekje të tij. I tërë shpjegimi është në përputhje të plotë me atë që themi edhe ne shqiptarët. Në vijim autori paraqet burimet e informacionit si edhe jepen në mënyrë kronologjike ngjarjet duke filluar nga viti 1410 deri në 1469. Në një kapitull të dytë, i vëllimshëm, parashtrohen konkretisht dokumentet përkatëse nga studiues të huaj, perëndimorë, serbë dhe turq. Në mbyllje të librit ndodhen referencat si edhe një shtojcë me foto. E para e tyre është një portret i Gjergj Kastriotit i vitit 1575, pastaj ka faksimilje dokumentesh origjinale dhe në fund pamja e vulës së tij.
Në të 318 faqet e këtij libri të Akademisë Mbretërore Serbe nuk ka asnjë fjalë apo rrokje që nëna e Skënderbeut i takon sllavëve dhe konkretisht serbëve.

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 dhjetor 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com