|
SKËNDERBEJ, TA SOLLA NIPIN!
(Botuar më “Illyria” në numrin special të Dites së Pavarësisë në 28 Nëntor 2018).
U takuam sërish në Tiranë, për të tretën herë, me arbëreshin Agostino Chiafittella (Agostino Kiafitela) në mbrëmjen e 15 nëntorit, pra vetëm pak ditë më parë. Hoteli “Gloria” është komod e mbi të gjitha ka për klientët një shërbim të devotshëm. Po këtu patëm qënë ritakuar për herë të dytë, disa muaj më herët. Ndërsa takimin e parë e kishim kurorëzuar në 5 shtator 2017 nëkafen verore të hotelit “Colosseo”, i cili në Tiranë, tepër i hijshëm në arkitekturë, ndodhet në një nga pikat më të shumënjohura të kryeqytetit: atje ku gjenden shenja historike nga më të spikaturat: “Rruga e Ambasadave”, gjimnazi “Sami Frashëri”, kryqëzimi “Zogu i Zi” dhe shtatorja e Adem Jasharit.
Atë ditë të 5 shtatorit Agostino qe me bashkëshorten e tij, Pala Marinelën, e cila edhe pse është një italiane pa asnjë kryqëzim gjaku etnik tjetër, e ka mësuar mirë e bukur arbërishten. Madje edhe sikur të dëshironte të kundertën, qëndrimi larg kësaj të folure ballkanike, nuk mund t’i shpëtonte një ligjësie të arbërve të mërguar sidomos pas vdekjes së Skënderbeut: mësimit të detyruar të gjuhës. E martuar me një arbëresh, i cili edhe të dy prindërit i kishte pastërtisht të tillë, gjyshin e gjyshen po ashtu, stërgjyshërit po njëlloj, në shtëpi me vetëm italishten e saj do të mbeste si peshku pa ujë. Njëzetë e katër orë për njëzetë e katër flitej vetëm arbërisht.
Kiafitelat janë arbër të përbetuar, “radikalë” në rast se mund ta përdorim këtë fjalë për të identifikuar “fanatikë” të gjuhës shqipe. Por edhe të shqiptarizmit, të përkushtuar pas saj deri me dhënie jete. Me një ndryshim të vogël prej nesh që jetojmë në Shqipëri dhe nuk e kemi përjetuar procesin e integrimit në Itali gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, Shqipëria për arbëreshë si Agostino Kiafitela është tërësisht e barabartë me emrin Skënderbej, një sinonim i tij. Puna shtetërore si edhe pasioni i historishkrimit më ka bërë të njoh shumë arbëreshë dhe vendbanime të tyre. Ju siguroj se të gjithë ata atdheun e tyre amë dhe po ashtu tonin në emërtim gjeografik do ta zëvendësonin menjëherë me Skënderianë apo ndonjë formë të përafërt, boll që në përbërje të qe fjala Skënderbej.
Pasi në 5 shtator 2017 Agostino pati sjellë në Tiranë të shoqen, në fund të pranverës 2018 kishte në krah të birin, Pietron. Ky jeton në Olbia dhe punon si menaxher në shoqërinë “La Meridiana”. Ka moshën 45 vjeçare dhe është martuar me një arbëreshe nga San Costandino Albanese. Kjo quhet Xhulia Bazile (Giulia Basile). Petro ka një bir, emrin e të cilit e ka vënë Agostino. Ai po shkon drejt shtatëmbëdhjetë viteve jetë. Si edhe një vajzë, 10-vjeçaren Françeska.Kur erdhi këto ditë të nëntorit, siç në hyrje të këtij shkrimi ravijëzuam, mori me vete dhe e zbarkoi në Tiranë, të nipin. Të mos harrojmë se edhe djali i vetëm i Agostinos quhet Pietro, si i gjyshi, ushtar në Shqipëri
Kjo prani e të riut, student i porsadiplomuar për aviacion civil në Itali, në prag të një përgatitjeje tepër speciale dyvjeçare në Spanjë, ku ndodhet shkolla më e mirë në botë për këtë profil, është tepër e shënuar. Agostino junior do të marrte pjesë në një ceremoni pothuaj hutuese, gati magjike. Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë gjyshit të tij të drejtën për të qenë qytetar i Shqipërisë. Kjo parashikon edhe paraqitjen të nesërmen në në lagje të Tiranës (konkretisht tek ajo me numrin 4), për të kryer dokumentacionin e nevojshëm të shndërrimit në banor i kryeqytetit shqiptar.
Por gjithsesi i riu Agostino me po kaq emocion ka paraqitjen para monumentit të Skënderbeut dhe këtu disa foto në krah të gjyshit dhe në sfond të kryeheroit kombëtar. Ky, shtatlart dhe në majë të kalit iu duk se kishte madhësinë e tërë një horizonti.
Çertifikata amerikane që provon mbiemrin Çiftelia
Agostino junior është tepër i përmbajtur në shprehjen e ndjenjave shqiptardashëse, ngjan me një lloj “nacionalisti” të heshtur, që nuk di ta bërtasë këtë karakteristikë. Por pikërisht prej kësaj cilësie të qytetërimit modern, ku një italian i brezit të ri ndihet edhe evropian, ai është shumë bindës se sëbrendshmi është një Kiafitelë.
Ky mbiemër i familjes është pasojë e italianizimit të fjalës shqip çiftelia. Dhe kjo nuk është një fjalë dosido, por tepër përfaqësuese e historisë së popullit arbër, madje deri në ditët e sotme. Ndërsa italisht jeton me emrin Agostino Kiafitela, në arbërisht preferon formën Gustin Çiftelia.
Sipas tij, gjykim i cili niset edhe nga përkushtimi për studimin e botës arbëreshe, procesi i gjatë i hyrjes në territorin italian të më shumë se pesë shekujve më parë, i fjalës çiftelidhe këtu shndërrimi i ngadaltëfonetik në Chiaffitella, nisi kur të parët e Agostinos më 1534 lanë qytetin Korona në Poleponez të Greqisë dhe për t’i shpëtuar pushtimit përfundimtar osman morën rrugën e detit. Mes mërguesve qenë familja me mbiemrin Çiftelia një tjetër, kjo e mbiemërzuar Çiftelinjtë.
Në bregdetin jugor të gadishullit italian Apenin ikësit nga trojet dhe vendbanimet arbëre zbarkuan në Bazilikatë, në një zonë pothuaj të shkretë. Familja Çiftelia (bashkë me disa të tjera) e arriti bregun italian e para dhe territorin ku qëndroi e quajtën, në mirënjohje të kishës ku gjatë rezistencës antiturke qenë strehuar në Koronë, San Costandino. Sot tërë vendbanimi thirret zyrtarisht San Costandino Albanese (Shën Kostandini i Shqiptarëve).
Familja tjetër, Çiftelinjtë, po ashtu edhe ata në nderim të kishës ku në Peloponez i kishin marrë në mbrojtje, e emërtuan vendin ku qëndruan me emrin San Paolo. Sot ky fshat quhet San Paolo Albanese (Shën Pali i Shqiptarëve).
Një kuriozitet: Një dokument martese i vitit 1890 i hartuar në shtetin Nju Xhersi (New Jersey) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshmon se si të afërmit e Agostinos e përdorën mbiemrin e tyre jo në formën e italianizuar, Chiaffitella, me të cilin emigruan, por drejt për së drejti Chiftelia.
(Forma e të shkruarit dhe e të shqiptuarit Chiftelia (po ashtu çiftelia ose qiftelia, ndodh sepse arbëreshët pas disa shekujve jetese në Itali nuk e shqiptojnë dot tingullin “q”, duke u detyruar ta bëjnë si vendasit, me “chi”)
E vëmë në dijeni lexuesin se çertifikata e mësipërme e martesës së gjyshit të kushëririt të Agostinos, Pjetrit, është kryer me prani si dëshmitar të një të afërmi me emrin Giovanbattista (Xhovanbatista), po ashtu edhe ky nga i njëjti fis.
Agostino Kiavitela ka po ashtu edhe një kushëri tjetër, i cili mban drejt për së drejti mbiemrin e tij, pra Çiftelia. Edhe ky ndodhet në SHBA. Quhet Majk Kiafitela dhe në karrierën e vet ka shkuar deri në postin e rëndësishëm të nënpresidentit të siguracioneve të të gjithë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gruaja e tij quhet Perla. Gjyshi kishte emrin Xhuzepe.
Pikërisht ky Kiafitelë emigroi nga San Costandino Albanese dhe duke ndjekur nga pas Garibaldin shkoi në Meksikë. Në këtë vend u bë kolonel.
I jati, Pietro Kiafitela, në vitet e Luftës së Dytë ushtar në Shqipëri
Agostino Kiafitelën me Shqipërinë nuk e lidh vetëm përkatësia arbër, por edhe jeta e të atit, Pietros. I lindur në San Costandino Albanese në 24 qershor 1916 mosha e mobilizimit këtë e zuri me të nisur lufta. Shërbeu për disa kohë si ushtar i thjeshtë në Malin e Zi, në kryeqytet, në Cetinjë. Kohën më të shumtë të përgjakjes me popullin e pushtuar e përjetoi në vendin tonë. Këtu edhe u plagos në pulsin e dorës së djathtë, duke shkaktuar pothuaj vdekjen e saj, mospërdorimin. Kjo fatkeqësi i ndodhi kur sapo Italia fashiste pati kapitulluar dhe Pietro Kiafitela u bashkua me atë ushtarakë italianë që nuk ndoqën rrugën e gjermanëve, por u rreshtuan kundër tyre. Pak muaj më parë nga ky fillim shtator 1943, në 7 korrik, në fshatin e tij arbëresh në Itali pati lindur Agostino.
Kur Pietro ndodhej ende në Korçë, një ditë ranë në duart e nazistëve shumë italianë të paskapitullimit dhe ata filluan pushkatimin, siç ishte urdhri i Hitlerit: vetëm të oficerëve italianë. Ishte tetor 1943. Në një çast të tillë kur skuadra gjermane drejtoi një mitroloz ndaj një grupi ushtarësh të thjeshtë dhe Pietro dëgjoi se dikush prej italianëve që pritej të vriteshin në të kundërt të urdhrit të lartë nazist, foli arbërisht.
Atëherë me të gjithë forcën e krahërorit dhe pa pyetur se kjo sjellje mund t’i kushtonte edhe atij shumë shtrenjtë, klithi sa kishte fuqi: “Jooooo!”
Pas kësaj thirrme që lëkundi edhe ajrin, një grup oficerësh shqiptarë që bashkëpunonin me gjermanët, pjesë e armatosur e qeverisë së Tiranës, por edhe disa ballistë, nga përdorimi i papritur i kësaj fjale shqip brofën nga vendi dhe vrapuan drejt komandantit të skuadrës së pushkatimit. I thanë me ngut diçka, me siguri shqetësimin e tyre që oficerët nën shenjë të mitralozit qenë arbëreshë dhe nuk duhej të vriteshin.
Dhe çudia prej asaj “Jooo” të fortë të Pietro Kiafitelës ndodhi: nuk i pushkatuan.
Kur Pietro u kthye në Itali, bir i një familjeje të varfër të San Costandino Albanese, u përpoq të rihynte në punët e rënda të bujqësisë, kullotjen e bagëtive dhe plugimin e tokës, por tashmë ishte me vetëm një dorë, të majtën. Kështu në luftën për të mbijetuar u bashkua e shoqja, Domenika, çfarë në arbërisht thuhej Diela ose më shkurtimisht Dila.
Edhe ajo qe vendase, bijë nga fshati San Costandino, pra ishte arbëreshe.
Në punën e vështirë të bujqësisë u përfshinë edhe fëmijët e tyre fare të vegjël, pa përjashtuar trup voglin Agostino. Për fat i kishin afër edhe xhaxhallarët, të cilët u dhanë ndihmë.
Pietro vdiq shpejt, kur qe vetëm 56 vjeç. Ndërroi jetë në 14 korrik 1972.
Agostino jo vetëm në faqen personale inline të FB, por edhe në çdo rast tjetër, ku i duhet të paraqisë veten dhe familjen e tij, maje në çdo bisedë kur ajo e kalon rrëfimin në çdo sukses të tij, citon të atin.
Edhe kur këto ditë të fillim nëntorit mes nesh u fol për aktin e shndërrimit të tij në qytetar të Republikës së Shqipërisë, ia kushtoi këtë gëzim të madh kujtimit të të atit.
Përkushtimi për gjakun
Arbëreshët e kanë të fortë kultin e gjakut etnik, si lëndë bashkuese e shqiptarëve. Ata nuk duan që nëpër dekada e shekuj ai të prishet (kanë konceptin e “gjakut të shprishur” si një dukuri që, për shkak të migrimit, nuk duhet të ndodhë).
Por Agostino Kiafitela (Çiftelia), është edhe një hap më përpara. Ai është veprimtar i palodhur për dhurimin e gjakut. Qe një histori gjaku që e solli në Shqipëri, në tetor 2015. Sapo kish dalë në pension dhe qe president i shoqatës së dhuruesve të gjakut të Olbias (AVIS), në ishullin e Sardenjës, ku jeton familja e tij. Një ditë kolegu i tij nga Tirana, dr. Natale Kapodikaza (Capodicasa), president i shoqatës së dhuruesve vullnetarë të gjakut në Shqipëri, edhe ai italian, por jo arbëresh (të tillë kishte bashkëshorten), i shkroi për ta ftuar në një bashkëpunim. Në janar të vitit 2017, ndërsa Agostino Kiafitela bëri vizitën e dytë në Shqipëri, për veprimtarinë e tij Bordi i Drejtorëve të \"Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetare të Gjakut në Tiranë” e caktoi anëtar të Këshillit të Urtëve. Më 4 shkurt në Olbia u nënshkrua zyrtarisht marrëveshja e binjakëzimit me Shqipërinë.
Pasi përfundoi fotografimin e të nipit, Agostino junior, para monumentit të Skënderbeut në sheshin qendror të Tiranës e ndërkohë pati kryer regjistrimin në lagjen 4 të kryeqytetit, pak orë para se të nisej për t’u rikthyer në Sardenjë, më kujtoi një merak që kishte. Me shqipen e tij të bukur e shkroi madje, që të mos më ikte nga sytë: “Unë ftoj vëllezërit shqiptarë, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore për të shkuar për të dhuruar gjak. Mund shkojnë në Qendra Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut (Magi Balkans) në Lg. 1. Tirana e Re, Rr. “Andon Zako Çajupi” 12, përbri Conad te Stadiumi “Selman Stërmasi” (Dinamo) Tirana Tel 042232552”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 21 nëntor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|