|
DEKALOGU I MEHMET SHEHUT PËR 500-VJETORIN E SKËNDERBEUT
(Shkrimi pesëdhjetë e gjashtë i ciklit ekskluziv për “Illyria” kushtuar Vitit të Gjergj Kastriotit)
(Botuar në “Illyria” në 03 nëntor 2018)
Shteti stalinist shqiptar edhe pse mjaft i politizuar dhe nën shtypjen e një doktrine mjaft dogmatike, si makineri administrimi funksinonte me një rregull të hekurt. Si e tillë ajo përballi edhe festimet e 500 vjetorit të Skënderbeut dhe në shkrimin e rradhës së kaluar vumë në dukje se ai u angazhua në një nismë të bukur: atë të dhurimit të busteve të Gjergj Kastriotit për disa nga komunat arbëreshe në Itali, përfshi edhe në qytetet Napoli apo Kozenca.
Ky aksion edhe sot mbetet një ndër më brilantët, i shumëkujtuar dhe nderuar prej bashkëkombësve tanë të emigruar gjysmë mijëvjeçari më parë në trojet e italianëve.
Duhet pohuar se qeveria e sotme në Tiranë si Vit të Skënderbeut, pra si dymbëdhjetë muaj veprimtarish pa ndërprerje në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së tij, ka shpallur periudhën nga janari deri në funddhjetor 2018. Një gjysmë shekulli më parë, në nderim të jubileut të 500 vjetorit, qeveria komuniste e ndërtoi ndryshe aktivitetin për ngjarjen e shënuar kombëtare.
Vit të Skënderbeut ajo konsideroi periudhën nga janari 1967 deri në fundjanar 1968. Përvjetorin e jetëhumbjes së Gjergj Kastriotit e ndërtoi në një mënyrë të tillë që data reale e 17 janarit të përbënte jo fillimin, por kulmin.
Kjo është arsyeja përse edhe në këtë cikël shkrimesh i kemi hapur vend shumë veprimtarive kulturore, por edhe diplomatike, të përqendruara në Itali por të kryera që prej fillimit të motit 1967.
Që qeveria e sotme, në kohë pluraliste, për forcë mobilizimi dhe origjinalitet është tepër larg nga ajo e diktaturës së një gjysmë shekulli më parë, nuk kërkon shumë mundim për t’u konstatuar.
Megjithatë le t’i kujtojmë lexuesit programin festiv të kohës kur sundonte Enver Hoxha, i cili, një për një, u bë realitet, u krye.
Ky program me dhjetë pika u shpall në një një vendim qeveritar të datës 4 qershor 1966, me numrin protokollar 33. Ishin përpara fillimit të veprimtarive plot gjashtë muaj fazë përgatitore.
Në këtë “dekalog” të shtetit shqiptar komunist deklarohet që në fillim me solemnitet: “Këshilli i Ministrave për të festuar me madhështi 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit — Skënderbeut, që bie me 17 janar 1968, për të përjetësuar këtë figurë të lavdishme të popullit tonë, që për 25 vjet me radhë udhëhoqi popullin shqiptar në luftën legjendare kundër pushtuesit Otoman, duke u bërë njëkohësisht mburojë e kulturës dhe e qytetërimit Evropian dhe shembull i shkëqyer i luftës popullore për liri e pavarësi, dhe me qëllim që ky jubile me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare të shërbejë sa më shumë për edukimin patriotik e revolucionar të masave tona punonjëse dhe të brezit të ri, vendosi...
Shihni risitë e kësaj hyrjeje shpjeguese!
Veprën e Gjergj Kastriotit regjimi komunist antipluralist e vlerëson si mburojë mbrojtëse jo vetëm të trojeve shqiptare dhe sigurisht popujve të Ballkanit, por edhe të Qytetërimit Evropian.
Por ky është i përputhshëm me konceptin e Qytetërimit Perëndimor.
Mehmet Shehu dhe pas tij Enver Hoxha, me dëshirë të tyre, por edhe nën trysninë e historianëve dhe akademikëve të Shqipërisë, në mos ta hiqnin, mund ta formulonin disi më ndryshe këtë ide. Të paktën që ajo të mos u hamendësonte bashkëkombësve dhe botës së huaj me fjalën e frikshme dhe të urryer për bolshevikët: Perëndim. Çfarë nënkuptonte Demokracitë Perëndimore, pra Kapitalizmin, armikun e tyre ideologjik.
Risia e dytë në këtë “dekalog” të Mehmet Shehut ka të bëjë me theksimin e një ideje të ditur dhe të pëlqyer prej shqiptarëve si nga studiuesit e huaj: rëndësinë dhe peshën ndërkombëtare të veprës dhe të famës së Gjergj Kastriotit.
Kalojmë tani në vështrimin e objektivave që i vinte vetes për ngjarjen e madhe të 500 vjetorit shteti diktatorial komunist.
Në pikën 1 thotë: “Viti 1967 deri në janar 1968, të shpallet vit jubilar kushtuar pë jetësimit të figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastniotit — Skënderbeut”.
Pika 2: “Për organizimin dhe drejtimin e tërë punës që do të zhvillohet për krenitimin e këtij jubileu, të krijohet një Komision Qeveritar”.
Pika 3: “Të ngrihet në Tiranë monumenti i Gjergj Kastriotit — Skënderbeut dhe në vënde të tjera historike të ngrihen buste, lapidare dhe të vendosen pllaka përkujtimore kushtuar ngjarjeve me të rendësishme të kësaj periudhe, Gjergj Kastriotit — Skënderbeut dhe bashkë-luftëtarëve të tij”
Pika 4 kumton si detyrë: “Në janar të vitit 1968 të organizohet nga Universiteti Shtetëror i Tiranës konferenca e dytë nderkombëtare e studimeve albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit — Skënderbeut”.
Pika 5 përmban këto fjalë direktive: “Ministria e Arësimit dhe e Kulturës të shpallë konkurs për vepra letrare, muzikore, të pikturës dhe skulpturës, kushtuar Gjergj Kastriotit — Skënderbeut, epokës dhe bashkë-luftëtarëve të tij”
Pika me numrin 6: “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” të bëjnë botime shkencore dhe masive, albume, pllakata etj në gjuhën shqipe dhe të huaj, për pasqyrimin dhe popullarizimin e figurës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut dhe luftës së popullit tonë në shekullin e XV-të për liri dhe pavarësi”.
Pika 7: “Ministria e Arsimit dhe e Kulturës dhe Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit të Krujës të marrin masa pë restaurimin e pazarit të qytetit të Krujës dhe të kalasë si dhe për pasurimin e muzeumit të qytetit”.
Pika 8: “Në gjithë vendin të organizohen në bazë të programit të aprovuar nga Komisioni Qeveritar aktivitete të gjëra shkencore, kulturale artistike dhe sportive me pjesëmarrjen e institucioneve qendrore dhe lokale. Organet e shtypit, Radio-Difuzionit, A.T.SH., Kino-Studio, teatrot etj. të hartojnë prograrne të posaçme për të bërë të njohur figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut si dhe luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij”.
Pika apo direktiva 9 shpall: “Universiteti Shtetëror i Tiranës, Komiteti për Marrëdhënie Miqësore e Kulturale me Botën e Jashtme si dhe institucionet e tjera përkatëse, të marrin masa për të propaganduar dhe për të bërë të njohur figurën e Skënderbeut në botën e jashtme, si dhe për të siguruar pjesëmarrjen e institucioneve kërkimore dhe personaliteteve të shquara të vendeve të tjera në kremtimin e këtij jubileu”.
Direktiva ose urdhri përmbyllës i dekalogut të Mehmet Shehut përmban këto fjalë që duken si rutinë lokale, por zbulojnë se qyteti e kalaja e Krujës do të jenë në qendër dhe jo në periferi të veprimtarive jubilare: “Brenda muajit shtator të vitit 1967 të ketë mbaruar asfaltimi i rrugës Ura e Zezë-Krujë”.
Diçka më shumë se një vit më pas nga shpallja e kësaj platforme qeveritare për realizimin e 500 vjetorit të ndërrimit jetë të Skënderbeut, saktësisht në 24 korrik 1967, zevendësministri i Punëve të Jashtme në Tiranë, Reis Malile, do t’i përcillte Ministrisë së Arsimit, drejt për së drejti drejtuesit të saj Thoma Deliana, këtë shkresë: “Bashkëngjitur ju dërgojmë një kopje të raportit të skultorëve O. Paskali dhe A. Mano mbi derdhjen në bronx të monumentit të Skënderbeut, dërguar nga ambasada e jonë në Romë”.
Raporti i nisur nga kryeqyteti italian, i shoqëruar me një shpjegim të ambasadorit Ksenofon Nushi, mbante datën e 17 korrikut 1967, pra të vetëm një jave më parë.
Shkruanin në informacion për eprorët qeveritarë skulptorët Odise Paskali dhe Andrea Mano: “Erdhëm nga Tirana në 6 qershor dhe më 7 filluam nga puna në Pietrasanta (Luca) ku është fonderia e firmës Cocchetti, me të cilën ishte lidhur kontrata për derdhjen në bronx të monumentit të Skënderbeut. Shumica e pjesëve prej allçije që përbënin monumentin (72) e që neve i kishim dërguar nga Shqipëria, simbas kontratës qysh prej dhjetorit 1966, i gjetëm të derdhura në bronx dhe ishte filluar montimi i statujës”.
Më tej: “Duke kaluar mjaft vështirësi për shkak të numrit të madh të pjesëve u arrit me sukses montimi, i cili është besnik me origjinalin të cilit neve i dhamë aprovim të plotë”.
Në vijim Odise Paskali dhe Andrea Mano që nga Roma shkruajnë për Tiranën se “Monumenti përfunduar plotësisht në bronx u nis për Durrës në praninë tonë nga porti i qytetit Viareggio...”
Skënderbeu qe nisur në mbrëmje cdhe do të lundronte tërë natën për të mbërritur në dritën e bukur të ditës së nesërme, tashmë monument i lartë në bronx, në mëmëdheun e tij.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 30 tetor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|