Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

BEOGRADI NË VITET 1964-1967, ÇFARË BËNTE LEGATA SHQIPTARE.




(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 21 tetor 2018)

Kur Nikita Hrushovi do të bënte vizitën e tij në Shqipëri (25 maj – 4 qershor 1959), të cilat qenë jo pak, por dhjetë ditë qëndrimi, madje aq të shumta dhe të dyshimta sa që mobilizuan amerikanët për ta përgjuar me të gjitha burimet e mundshme, Andrea Shkodrani, personazhi real i rrëfimit tonë, kishte një muaj nga përfundimi i një shkolle sekrete sovjetike të KGB-së për vetëm zbuluesit shqiptarë (“Fakulteti Special D” në periferi të Moskës).
Prej pranisë tepër të gjatë të Hrushovit dhe heshtjes së papritur të shtypit të Tiranës deri ato çaste përherë me kritika të ashpra ndaj Titos, studentit të porsadiplomuar dhe në pritje të një emërimi në një komandë shumëkombëshe të Traktatit të Varshavës në periferi të Berlinit në Gjermaninë Lindore, i ra në sy që numrin një të BRSS e shoqëronte rezidenti i ambasadës sovjetike në Beograd. Rezident quhet shefi i grupit të agjenturës së fshehtë të një vendi në territorin e një shteti tjetër, gjithnjë të kamufluar si diplomatë.
Rezidenti kishte marrëdhënie shumë të mira me ministrin e Brendshëm shqiptar Kadri Hazbiu dhe kur ky i dha në fundgusht 1959 porositë e tij shefit të porsaemëruar të Legatës Shqiptare në Beograd, Tahmaz Beqarit, posaçërisht i theksoi se duhej t’i dërgonte kryezbuluesit sovjetik të falat e tij më të ngrohta.
Nikita Hrushovi kishte tre muaj që ishte larguar nga Tirana, prej të cilës pati kërkuar zgjerim dhe shumim të bazave ushtarake sovjetike në Shqipëri, kur Tahmaz Beqari që në ditët e para të mbërritjes në Beograd e takoi rezidentin e agjenturës dhe i përcolli të falat e ministrit Hazbiu.
Kur dy mote më pas, në fundgusht 1961, në Legatën tonë në Beograd mbërriti Andrea Shkodrani, tashmë pothuaj figura dy e saj, rezidentin edhe ky e takoi, për ta përshendetur edhe ai, për protokoll. Por miqësia shtetërore e Shqipërisë me BRSS i kishte ditët të numëruara dhe pasi mori pjesë në një nga mbrëmjet e përmuajshme të zbavitjes të Ambasadës Sovjetike, ai do të vihej përballë, bashkë me shefin e vet Beqari, një kufizimi të madh. Vendet e kampit socialist ua kishin kthyer shpinën dhe Legata Shqiptare qe në cektinë.
Por edhe nga Tirana direktiva qe e prerë: të mos takoheshin me asnjë nga këto përfaqësi “revizioniste”, sidomos me sovjetikët. Vetëm vonë, në 1964, kur Tahmaz Beqari do të rikthehej në Shqipëri dhe vendin e tij në krye të misionit diplomatik do ta zinte Andrea Shkodrani, ky i fundit siguroi një leje të posaçme nga Ministri i Punëve të Jashtme Behar Shtylla që të mund t’i takonte dhe të bënte edhe biseda me diplomatë të Kampit Socialist.
Ndërkaq në kërkim të burimeve të informimit i pari për të u bë europerëndimor. Ishte austriak dhe në ambasadën e vendit të tij në Beograd mbulonte kulturën. Qe i ri në moshë, lindur dhe rritur në Grac, por të dy prindërit e kishte me origjinë nga Kroacia.
Ishte shumë i shkathët dhe dinte me shumë se çdo tjetër koleg i përfaqësisë së tij. Pothuaj të gjithë diplomatët e ambasadave të tjera dëshironin ta takonin atë për çdo temë që rrinte ende nën sipërfaqe dhe duhej zbuluar patjetër.
Andrea Shkodranit ishte pikërisht ky austriak që iu afrua, madje nuk e priti hapin e tjetrit drejt tij, siç nuk bënin pak për t’i dëshmuar Shqipërisë se qe një vend i vogël dhe shtet i dobët. Dukej qartë që diplomati austriak i donte njerëzit e “vendit të shqiponjave” dhe po ashtu nuk kishte opinion të mirë për serbët, ndërkaq që gjuhën e tyre e fliste shkëlqyeshëm.
Atasheu kulturor austriak të habiste: nuk mbante asnjë rezervë ndaj përfaqësuesit të Legatës Shqiptare.
Diplomati i dytë shumë mik vinte prej një vendi të Kampit Socialist. Ishte hungarez. Me moshë njëzetë e pesë vjeç dhe që nuk i donte sovjetikët, madje sllavët në përgjithësi, hungarezi ishte i pari dhe më i hershmi me të cilin hyri në kontakt miqësor Andrea Shkodrani i porsambërritur në Beograd. U njoh me të në festën e 7 nëntorit 1961, përvjetorit të Revolucionit Bolshevik të Tetorit, ndërsa ambasada sovjetike jepte një pritje të madhe. Pasi shkëmbyen përshendetjet e para dhe i dha dorën, diplomati hungarez tha shpejt e shpejt fjalët “E dini shumë mirë përse nuk mund të rri me ju” dhe u largua drejt kolegëve të tjerë. Duke qenë se ky lloj qëndrimi Shkodranit i bëri përshtypje, pyeti për të një diplomat kinez, të cilin ato momente e kishte pranë. Ky iu përgjigj: “Është djalë dhe diplomat i mirë, të afrohet, por nuk të hapet shumë”.
Por Andrea Shkodrani e fiksoi mirë në kujtesë bashkëmoshatarin e tij dhe jo njëherë ai do të qe i dobishëm për shqiptarët.
Kulmore në ndihmën e hungarezit në dhënien e informacionit tepër të rezervuar ishte ajo çfarë kishte mësuar për vizitën në Jugosllavi (maj 1964) të ministrit sovjetik të Mbrojtjes, Mareshallit Rodion Jakovjeviç Malinovskij. Malinovski e pati shoqëruar Nikita Hrushobin gjatë dhjetë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri dhe ishte i pranishëm kur Enver Hoxha e dëgjoi tek në Butrint i thoshte shefit të tij politik për të ndërtuar aty një bazë të madhe të Traktatit të Varshavës.

Sovjetikët kërkojnë bazë ushtarake afër Shqipërisë

Rodion Jakovljeviçi e përfundoi vizitën e tij në Jugosllavi por në majat e rreshtave të gazetave nuk u fol se cila qe arsyeja e kësaj pranie e ministrit sovjetik të Mbrojtjes. Lajmet kishin entuziazëm të shprehur fort, sepse delegacioni kishte qenë i një niveli të lartë, por diplomatët e huaj gërmonin të zbulonin çfarë fshihej pas saj. Sigurisht mes tyre, madje ca më shumë se ata, për shkak arsyesh strategjike, u vu në lëvizje edhe Andrea Shkodrani. Veç qe e vështirë të depërtonte perden mbuluese. Pikërisht kur e humbi shpresën i ra në zyrë me këmbëngulje telefoni.
Ishte diplomati hungarez: “Eja të pijmë një kafe!”
Kur u takuan dhe u gjetën vetëm me njëri-tjetrin, ky i fundit e pyeti të Ngarkuarin me Punë të Legatës Shqiptare: “Di ndonjë gjë rreth kësaj vizite?”
Kur Shkodrani iu përgjigj se kishte mësuar vetëm për aq sa pati shkruar shtypi vendas, diplomati hungarez filloi ta informojë për sa kish siguruar informacion dhe për të cilin i kishte kërkuar të takoheshin. Malinovskij u pati kërkuar autoriteteve të larta të Beogradit që t’u siguronin sovjetikëve një bazë të madhe detare në territorin jugosllav. Me sa dukej po përpiqeshin të kompensonin mungesën e saj prej prishjes që u kishin bërë shqiptarët asaj të cilën patën në Vlorë.
Vendi i bazës i dëshiruar për sovjetikët qe Kotori.
Njerëzit e Titos nuk kundërshtuan gjatë dhe ranë në parim dakord, por vunë menjëherë një kusht: rusët tua dorëzonin jugosllavëve aparaturën speciale me anë të së cilës kontrolloheshin tërë ujrat e Mesdheut, sidomos lëvizja e nëndetëseve në to. Por kjo pajisje ishte tepër sekrete dhe Moska nuk mund t’ja dorëzonte askujt të huaji. Kur e kishin patur në Shqipëri, të vendosur në Porto Palermo, sovjetikët e çmontuan atë në mënyrë të rrufeshme e transportuan në BRSS. Nuk e lanë të binte në duart e besnikëve të Enver Hoxhës.
(Për këtë episod jo vetëm politika e kohës së djeshme dhe të sotme, por as historiografia e dekadave të pas gjashtëdhjetës nuk ka shkruar ndonjë rresht. Ajo është përqendruar në betejën që u bë në bazën ushtarake të Pasha Limanit.
Ushtarakët sovjetikë me në krye mareshallin Rodion Jakovljeviç Malinovskin nuk qenë dakort tua dorëzonin superpajisjen përgjuese jugosllavëve dhe marrëveshja mes dy palëve, ia shpjegoi Andrea Shkodranit diplomati hungarez antisovjetik, përfundoi me mundësinë që në disa porte të sllavëve të jugut të mund të bazonin për pak ditë anije luftarake ruse dhe me këtë rast marinarët e tyre të mund të pushonin.
Ndërkaq Shkodrani krijoi raporte bashkëpunimi me një diplomate bullgare, ndërsa prej kësaj ambasade vinte atmosfera e kundërt: ndaj Shqipërisë shfaqej egërsi. Madje kjo frymë shprehej që nga kreu i saj dhe deri tek atasheu i kulturës. Sjellja ndryshe e diplomates mbase vinte prej një rrethane ndryshe: bashkëshorti qe me punë në Zvicër dhe i komunikonte të shoqes një mendësi më të hapur. Bullgarja e dha shenjën e afrimit me të Ngarkuarin me Punë të Shqipërisë në Beograd një ditë, në një pritje që po jepte ambasada e Kinës.
Ajo sapo u gjend vetëm me Andrea Shkodranin shpërtheu “në zemërim” dhe e pyeti ngultas se si e kishin shqiptarët gjendjen në Byronë e tyre Politike. Ky ia ktheu: “Pse më pyet? Di ndonjë gjë të jashtëzakonshme?” “Jo, u përgjigj tjetra, por di se çfarë po ndodh në Byronë tonë. Pastaj nisi t’i shpjegojë me hollësi se në Sofje në krye të partisë së tyre patën nisur grindjet e forta mes kryetarit, Teodor Zhivkovit, dhe sekretarit organizativ. Çdo ditë e më shumë ky rreth përplasësish shtohej. Nuk qe vetëm një luftë për pushtet personal, por edhe lojë për të gjetur secila palë sa më shumë përkrahje tek Bashkimi Sovjetik. Ky kishte baza të rëndësishme ushtarake në Bullgari, prej ku një agresion ndaj Shqipërisë kryhej në afate kohorë shumë më të shpejtë nga çdo pozicion tjetër përreth.
I Ngarkuari me Punë nuk e largoi kurrë nga vëmendja diplomaten bullgare dhe herë pas here gjuante “zëmërimin” e saj.
Andrea Shkodrani iu afrua edhe ambasadores së Republikës së Gjermanisë Lindore, e cila ishte bijë e udhëheqësit të njohur proletar Vilhelm Pik. Quhej Anna. Ajo kishte shumë simpati për Shqipërinë dhe rasti e pati sjellë që në takime me intelektualë të vendit tonë, përfshi edhe të Ngarkuarin me Punë të Tiranës në Beograd, të kostantonte se ata dinin gjermanisht.
Por Anna Pik qe shumë e kyçur në dhënien e informacionit, zakon që si rregull e kishin të gjithë diplomatët e ambasadës gjermano-lindore.

Panajot Plaku nuk gjen rehat

Andrea Shkodranit kur në gusht 1961 Kadri Hazbiu e thirri për t’i komunikuar direktivat e tij për punën e zbuluesit të kamufluar në Beograd si diplomat, nuk i zuri në gojë Panajot Plakun. Ky, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe po ashtu gjeneral, ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1957 dhe ato çaste qe ende mjaft agresiv kundër regjimit të Tiranës dhe Enver Hoxhës. Sipas rregullit më të thjeshtë për ata që paraqiteshin më agresivë dhe përbënin rrezikshmëri, Hazbiu duhej, mes detyrave që i dha, të përcaktonte edhe ndjekjen e veprimeve të Plakut. Mirëpo ministri nuk bëzajti dhe heshtja e tij i bëri përshtypje Andrea Shkodranit, por e justifikoi këtë çështje topsekreti. Gjykoi se Kadri Hazbiu pati ngarkuar me këtë mision ndonjë person tjetër apo disa të tillë dhe me këta merrte kontakt vetë, të drejtpërdrejtë.
Ose kjo ishte shndërruar në monopol të kryeministrit Mehmet Shehu e në mos të Enver Hoxhës personalisht.
Ndërkaq kur shkoi në Beograd mësoi se Panajot Plaku qe vendosur në kushte ruajtjeje të fortë në një vilë në Dalmaci dhe se prej andej organizonte botime propagandistike me artikuj kundër Tiranës dhe regjimit hoxhist. Pastaj e sollën në Beograd dhe këtu i caktuan një lloj kryeredaktori e njëkohësisht përkthyesi, gazetar i “Rilindjes”, për një emision radiofonik që trasmentohej në shqip dhe serbokroatisht në radion e Prishtinës.
Tekstet i përpilonte përgjithësisht Panajoti, kurse ndihmësi i tij, Tahiri, i cili qe nga Elbasani, thjesht i bënte të pranueshme për t’ju përcjellë publikut dëgjues, shqiptarëve të Kosovës.
Në të vërtetë ky emision nuk zgjati më shumë se një vit e gjysmë dhe nuk pati asnjë sukses. Në dështimin e tij peshoi edhe një frymë e përbashkët e Beogradit dhe e Tiranës për t’i zbutur tensionet mes tyre dhe përmirësuar marrëdhëniet. Me pak fjalë Josip Broz Tito nuk kishte më nevojë t’i rrinin nëpër këmbë njerëz të acarimit, prandaj edhe porositi që Panajot Plaku të lihej mënjanë.
Ishte ky çast kur në Legatën Shqiptare në Beograd u shfaq shoferi i Mehmet Hoxhës, politikan i cili në Kosovë pati qenë udhëheqës i luftës së rezistencës kundër pushtimit gjerman dhe pas vitit 1945 vendosur në poste të rëndësishme shtetërore dhe parlamentare të Serbisë. Po ashtu edhe të vendlindjes së vet, deri edhe kryetar i Këshillit Krahinor të Kosovës.
Shoferi kishte marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, kryesisht si koordinator mes PKSH-së dhe degës së PKJ për Kosovën. Tani, në prag të pensionimit, kërkonte një vërtetim për vitet e angazhuara në këtë luftë. Sipas një ligji jugosllav ato i njiheshin si vite pune.
Nga biseda me të Andrea Shkodrani mësoi se shefi i tij Mehmet Hoxha nuk kishte qenë dakord asnjëherë me pikëpamjen e Panajot Plakut, sipas të cilit Partinë Komuniste Shqiptare e kishte krijuar ajo Jugosllave. Tani ai qe penduar dhe deklaronte se PKSH ishte vetëkrijuar. Për këtë arsye, këmbënguli shoferi i Mehmet Hoxhës, serbët e kanë izoluar në hotelin “Ballkan” në Beograd dhe i kanë vënë, në rolin e bashkëshortes por edhe të përgjueses, një grua vendase.
Shoferi shtoi se edhe Fadil Hoxha, më i dëgjuari shqiptar si mik i Titos dhe udhëheqës i Kosovës, për shkak të pikëpamjeve të mëparshme të Plakut nuk kishte shkuar mirë me të, por pas pendimit të tij po i jepte shenja afrimi.
Kur Panajot Plaku në mes korrikut 1966 vdiq papritur (ishte vetëm 47 vjeç dhe shkak i jetëhumbjes, sipas lajmeve zyrtare të botuara nëpër disa gazeta jugosllave, pati qenë një krizë zemre), Andrea Shkodrani porositi një shqiptar beogradas, i cili në Legatë qe i pajtuar si punëtor i jashtëm shërbimi (mirëmbajtjen e kopshtit, të kaldajës etj) të shkonte në varrim. Çfarë do të shihte atje do t’ia thoshte të Ngarkuarit me Punë. Pas funeralit bashkëkombësi e informoi Shkodranin se çfarë kishte parë qe tërësisht një ceremoni shumë e zymtë dhe se fjalën përcjellëse e pati mbajtur Fadil Hoxha. Ky e kish lavdëruar mjaft Panajot Plakun.
Pas kësaj vdekjeje të paqartë mes shqiptarëve u përhap lajmi se atë e kishte helmuar UDB, mendim që ato kohë e kishte shprehur në mënyrë të tërthortë edhe vetë Fadil Hoxha.
Në 19 korrik 1966 “Zëri i Popullit” do të shkruante: “Do të vijë me siguri dita kur edhe gjithë armiqt e popullit shqiptar që janë grumbulluar në Jugosllavi të japin llogari për veprën e tyre tradhtare. Fati i tyre nuk do të jetë më i mirë nga ai i tradhtarit Panajot Plaku, i cili vdiq (ose u vra nga padronët e tij si limon i shtrydhur), si spiun, si provokator”.
Historia e raporteve të të Ngarkuarit Shqiptar me Punë në Beograd, Andrea Shkodrani, i përjashtuar nga Kadri Hazbiu për ta ndjekur çështjen Plaku, nuk do të mbyllej këtu. Ajo do të vijonte shumë vite më pas, kur nga Enver Hoxha po shpikej një grup armiqësor, në të “dhënat” informative të të cilit kishte një episod sikur në 1971 Panajot Plaku kishte hyrë fshehurazi në Shqipëri dhe qe takuar me njërin nga komplotistët e brendshëm. Menjëherë u tha se kjo provonte që Plaku realisht nuk pati vdekur dhe se funerali në Beograd kishte qenë një skenë teatrore. Ato çaste Kadri Hazbiu i vënë në vështirësi kërkoi të shihej arkivi i Ministrisë së Brendshme, ai i zbulimit me jashtë dhe pas kësaj i kthyen përgjigje se në të për vdekjen e ish-gjeneralit të arratisur nuk kishte asnjë raport nga Legata Shqiptare në Beograd. Por Andrea Shkodrani nguli këmbë se ai kishte dërguar raport të plotë, përfshi edhe artikujt e gazetave beogradase që shkruan për këtë ngjarje,
Kush i kishte zhdukur?
Kur Kadri Hazbiu në 1982 do të akuzohej se në grupin e tij armiqësor dhe të Mehmet Shehut pati qenë edhe Panajot Plaku, me të cilin madje sekretisht ishte takuar, paketa dokumentare e zhdukur apo mos lënë të dilte nga arkivi, do të shërbente për akuzimin e tij si spiun i Beogradit.

Dy teknikët francezë në hotel “Bozhur” të Prishtinës

Andrea Shkodrani shkonte njëherë në muaj në Kosovë, përherë duke marrë leje në degën e Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Në rast se nuk shkonte vetëm për këtë punë, e kalonte territorin kosovar, duke e vëzhguar, ndërsa shkonte për në Shqipëri ose në rrugën e kthimit prej saj.
Njëherë, ku pati shkuar vetëm për të ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pati zënë një dhomë në hotelin “Bozhur” të Prishtinës, ndërsa po pinte kafe në holl dhe ndërkaq të gjitha tryezat e tjera qenë zënë, kërkuan leje të uleshin dy francezë. Gjatë bisedës me ta Andrea u ofroi të pinin një gotë konjak shqiptar. Ky konjak me emrin e Skënderbeut mburrej atë kohë se ishte mjaft i pëlqyer nga të huajt dhe për këtë arsye të gjitha përfaqësitë tona diplomatike jashtë pajiseshin me arka të tëra me këtë pije. Kur dy francezët thanë se do ta provonin konjakun e mirë shqiptar dhe Andrea dërgoi tek makina shoferin për të marrë një shishe, shija e saj në dy gotat e porsambushura dy të huajve la një përshtypje befasuese.
Pasi kthyen lehtas nga një gjysmë gllënkë dhe Andrea, që priste ta mburrnin konjakun “diplomatik”, i pyeti se si u ishte dukur, ata me një gojë u përgjigjën “verë e mirë”. “Si, more verë, ai është konjak!”, shpotiti i Ngarkuari me Punë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Jugosllavi, duke e kuptuar dhe tërthorazi pranuar ironinë e dy francezëve.
Pra konjaku i mburrur shumë “Skënderbeu” nuk ishte në standartet e propaganduara në Tiranë. Këtë Andrea Shkodrani e vuri vëth në vesh.
Megjithatë nga biseda atë ditë me dy francezët nuk doli i humbur. Mori vesh se ata qenë teknikë të radiokomunikacionit dhe patën ardhur nga Parisi në Prishtinë sepse mes qeverisë së tyre dhe asaj në Beograd qe firmosur një marrëveshje për fuqizimin e radiotransmentimit në shqip të radios së Prishtinës, në një nivel të tillë që të mund të depërtonte në çdo skaj të territorit shqiptar.
Njoftoi menjëherë Tiranën.

Rikthimi në Tiranë

Ndërkaq pas shtatë viteve punë në kryeqytetin jugosllav, në korrik 1967 Andrea Shkodrani do të rikthehej në atdheun e vet. Një javë më parë pati mbërritur nga Tirana Lik Seiti, me të cilin niveli i marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi do të ngrihej në nivel ambasade. Po ashtu edhe do të shtohej personeli i punës, pothuaj në trefishim, përfshi edhe grupin e zbuluesve të kamufluar si diplomatë.
Periudha e vështirë kur në krye të Legatës kishte qenë Tahmaz Beqari dhe pas tij ai, pati përfunduar.
Kishte shërbyer me një rrogë mujore prej 83 dollarësh dhe bashkë me të shoqen, Evanthinë, me plaçkat e shtëpisë, nga që përditë pritej t’i dëbonin me ndonjë pretekst, gati për t’u hedhur në kamion. Në Tiranë Andrea Shkodrani solli me vete një kostum të blerë në Beograd, si edhe një pallto. Po ashtu bashkë me një radio edhe një televizor. Me këtë të fundit thjesht pati pasur fat: një firmë gjermano-perëndimore u dërgoi, me çmime mjaft të ulura, aparate të tilla gjithë trupës diplomatike në Beograd.

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 tetor 2018
















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com