Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AZEM HAJDARI, VRASJA E GABUAR
PËR MEMORIALIN TURK NË TIRANË
FILLIM SHTATOR 1998, NË SHBA SKANDALI EPSHOR I BILL KLINTONIT, NË LISBONË FATOS NANO THOTË SE KOSOVA KA KRYEQYTET BEOGRADIN
EDHE KËSHILLTARI I JAKOMONIT E DO SHQIPËRINË
PARA KRYEMINISTRISË PROVA E PARË DEMOSTRUESE ME ARKIVOL NË DUAR: 4 SHTATOR 1998
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJU JORK, FUNDI I VITEVE SHTATËDHJETË, TAKIMET VERIFIKUESE ME ANTIKOMUNISTË JO TERRORISTË


Pjesa e katërt

(Botuar në “Shqiptarja.com” në 2 nëntor 2018)

Meno Dedaj, në vitet 1978-1983 anëtar i Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork, njëkohësisht edhe i ngarkuar me punë konsullore dhe diplomatike në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së, në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, shkruan se “Kur me Avdul Banushin zhvillohej hetuesia, vazhdonin njëkohësisht masat e kontrollimit ndaj personave që ky i implikonte në mënyrë tendencioze. Konvejeri i vëzhgim-gjurmim-zbulim-hetimit lidhur me “Frontit të Rezistencës” hynte në një fazë të re”.
Sipas Banushit, të implikuar në bashkëpunimin me të rezultonin një armatë e tërë: rreth treqind individë. Prej këtyre 128 qenë rezidentë banues në shtete të ndryshme si në SHBA, por edhe në Belgjikë, Itali, Greqi etj.. Pjesa tjetër, gjithnjë sipas tij, ndodheshin në Shqipëri.
Gënjeshtra ishte e dukshme, ca më shumë se gjatë hetimeve, më tepër se prej vullnetit politik të dy hetuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, qe Abdyl Banushi përhapësi i tezës se kjo strukturë e tij e stërmadhe e gatshme të rrëzonte regjimin komunist në Tiranë, mbështetej ditënatë jo vetëm nga CIA, por edhe nga shërbime inteligjente të Perëndimit.
Për ta ndarë qartë se çfarë qe e vërtetë dhe kush ishte përmasa e mashtrimit, Kundërzbulimi i Brendshëm në Shqipëri nisi procesin e verifikimit të personave “të implikuar” dhe nuk vonoi shumë të dilte në sipërfaqe bllofi. Shumica e tyre as e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e Abdyl Banushit. Me këtë rast duhet thënë se askujt prej afro të ashtuquajturave lidhje apo baza të brendshme të tij nuk i hyri gjemb në këmbë. U lanë të lirë në jetën e tyre të mëparshme.
Procesin e verifikimit të personave të shumtë, të cilët Banushi i implikonte si bashkëpunëtorë të tij në qëllimin për të kryer vepra të dhunshme, madje edhe terroriste, për ta vrarë Enver Hoxhën dhe shembur shtetin e tij stalinist, e nisi paralelisht edhe Sigurimi i Jashtëm.
Në katin e katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku ndodhej sektori i tyre i zbulimit i vendosur nëpër përfaqësitë diplomatike në Perëndim dhe në Lindje, pas evidentimit, filloi verifikimin një për një. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte rezidenca e Abdyl Banushit dhe selia e “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (Antislainiste)”, u ngarkua për të kryer këtë proces Njësiti Special i Zbulimit në Nju Jork. Ky proces do të zgjaste 4-5 vjet.
Njësiti, nëpërmjet takimesh të rregullta dhe të drejtpërdrejta, aspak grackave me qendrime të dyfishta, kontaktoi 67 nga të implikuarit në Amerikë prej Banushit, shumica personalitete të dëgjuara antikomuniste, mospajtuesë të palëkundur ndaj qeverisë së Tiranës, bashkëkombës të palidhur me shërbime agjenturore jugosllave, por edhe greke. Për të tjerët qe fare e panevojshme dyshimi se mund të kishin bashkëpunuar me Abdylin. Provat për këtë zbuluesit e kamufluar si diplomatë të Misionit të Përhershëm pranë OKB-së, i dinin, siç edhe ua konfirmuan kolegët në qendër.

Thanas Mërkuri

Meno Dedaj shkruan në librin e tij “......” se “Logjika operative na shtynte të shtronim një hipotezë: në qoftë krijimi i “Frontit të Rezistencës” iniciativë shqiptarësh, do të përzgjidhej Thanas Mërkuri ndër më kryesorët për drejtim. Në ekuacionin me mjaft të panjohura, prezupozohej se do të kishte ndodhur kështu nisur edhe nga e kaluara e Thanas Mërkurit, edhe për shkak se A. Banushi në deponime -për ta implikuar- e prezantonte si një drejtues me rëndësi, me autoritetin e prestigjin e duhur, i njohur e mjaft i aftë për të organizuar veprime të këtij karakteri. Mbante miqësi me shumë zbulues të vjetër amerikanë e anglezë, të cilët më parë kishin vepruar në drejtim të vendit tonë. Dikur gëzonte besimin e plotë të Ahmet Zogut, për të cilin ushqente simpati. Shërbeu për një kohë të gjatë me besnikëri në “Oborrin Mbretëror„; aty fitoi dhe gradën e kolonelit”.
Pak më pas: “Thanasi spikaste midis personave përgjegjës në Kompaninë 4000, Heidelberg në Gjermani, ku grupe diversive u përgatitën për në Shqipëri...asaj kohe. Gjeti shtegun, u tërhoq me shumë zgjuarsi nga veprimet konkrete të periudhës së bandave. Llogjikisht habiteshim: kur Thanas Mërkurin - në një moshë ende të re- për të vepruar me grupet diversive nuk arritën dot ta bindnin “tre musketierët anglezë”: Xhulian Emeri, Deivid Smaili e Bill Maklini, as komandanti direkt i kësaj kompanie shqiptaro-amerikani Thoma Mangelli, si e bindka një A. Banushi tani, kur Thanasi ishte i moshuar, rreth 70 vjeç!? Punonte super (përgjegjës) në një pallat banimi dhjetëkatësh në Manhatan, Nju-Jork. Cilësohej si mjaft i ashpër në qëndrimet ndaj nesh”.
Në vijim: “Mbas shumë analizash, vendosëm t’i bënim një thirrje telefonike dhe t’i kërkonim... takim. Përgjigjja na u kthye e prerë, e ashpër, e ftohtë: “S’pranoj!” Iu përsërit më vonë ftesa “për të pirë një kafe dhe të diskutonim një çështje që lidhej me dinjitetin e tij”, sepse “nuk ishte mirë të përhapeshin fjalë që e rëndonin pa të drejtë”. Prapë refuzoi! Na rikujtoi “kufirin te thana”: “Ne u ndamë që më 1944-ën” etj.
Shkoi pak kohë; nga një telefon rruge, përballë vendit ku qe i punësuar, i telefonuam dhe - duke ia vrojtuar lëvizjet - i thamë: “Të vimë ne aty tek ndodhesh ti?” U ngrit në këmbë dhe kërcënoi që, po të shkonim aty, do të na vriste... Punonjësi i shërbimit informativ iu përgjigj se, “sido që të jetë puna, unë do të vij. Po e ke vendosur ashtu, edhe mund të më vrasësh”. Punonjësi operativ në dhënien e përgjigjes gjykoi: “Thanasi ka moshën e babait tim. Im atë, po t’i trokiste Thanasi në shtëpi - megjithëse kundërshtar - do t’i thoshte “Bujrum!” sipas zakonit. Të njëjtën gjë, besoj, do ta bëjë edhe Thanasi ndaj meje!” Prandaj pati vendosur: në rast se Thanasi nuk i përgjigjej ftesës për ta pirë një kafe ndokund aty pranë, do t’i shkonte vërtetë patjetër tek vendi i punës”.
Episodi i takimit me kolonelin zogist dhe antikomunistin e vendosur Thanas Mërkuri shkon më tej i rrëfyer me këto fjalë nga Meno Dedaj: “Mbas diskutimesh në telefon, më në fund u kandis të vinte në takim, me kusht që “do të qëndronte vetëm pesë minuta dhe nuk donte që ta merrte vesh njeri, se turpërohej tani në pleqëri” etj., etj...
...U takuan në një bar që zakonisht frekuentohej nga njerëz me ngjyrë.
Erdhi rëndë-rëndë, me trupin e tij të bëshëm, paksa të përkulur përpara, me një pamje aristokratike. Një pamje burrërore: fytyrë me brazda të thella ballit, paksa të pjerrta; një hundë si sqep shqiponje vendosur midis dy mollzave fare normale; mustaqe të dendura mbi dy buzë të holla; sy të vegjël e të qartë, që puliteshin kohë pas kohe për të parë me ngulm; sy depërtues që ndërronin ngjyrë si të ndriçuar papritmas e që lëshonin xixa në një rrjetë të dendur rrudhash e brazdash. Sytë -nga një herë bosh e pa shprehje- si të shtangur në atë sëmbimin e një vullneti këmbëngulës ose, më mirë, plot e përplot me një dinakëri të hollë, për t’ia lënë vendin një shprehjeje melankolie... Ndërsa zëri shpesh ndryshonte timbër: herë i qetë e herë tinëzar. Qafa e gjatë dhe shpatullat si të rëna ravijëzonin lodhje nga jeta. Ky njeri (në dukje i butë) zotëronte një forcë bindëse të jashtëzakonshme për ato që pohonte apo kundërshtonte. Tip tepër krenar e impulsiv. Si për çdo malësor, nderi ishte virtuti më i çmuar prej tij”.
Në fillim të bisedës Thanas Mërkuri nguli këmbë ta dinte arsyen pse mbas kaq e kaq vitesh një përfaqësuesi i shtetit shqiptar dëshironte të takohej me të. Pastaj tha: “Se mos ju gënjen mëndja të më bëni spiun të Sigurimit?”
I kthyen përgjigjen: “Personi Juaj, edhe pse i papajtueshëm me Qeverinë e sotme Shqiptare, cilësoheni burrë me shqiptarizëm dhe për këtë arsye klasifikoheni një kundërshtar i respektuar i regjimit. Si moshatar keni jetuar kushedi se sa ndodhi e zhvillime, keni parë e dëgjuar ngjarje e persona, dini të shkoqitni marrëdhënie lloj-lloj të mërgatës sonë e cila mund të jetë kundër komunizmit, por nuk ka se si të jetë kundër Shqipërisë”.
Zbuluesit, pasi arritëm njëfarë mirëkuptimi, e pyetën për Mexhit Dibrën e Avdul Banushin. Thanas Mërkuri u përgjigj lirshëm se Mexhitin e njihte mirë, por aludoi për të si njeri i jugosllavëve. Për Banushin tha se “nuk e njoh mirë, por e di që shërben pastrues në pallatin ku punon Mexhiti”. Pohoi më pas se e kishte mësuar që ai provoi të hynte në Shqipëri, por qe kapur nga Sigurimi. Theksoi: “Nuk dimë të jetë përfaqësues i ndonjë organizate”.
Mjaft interesante ishte kjo thënie e Thanas Mërkurit: “Të vetmen gazetë, të shaptilografuar diku në një bodrum në Manhatan, e kanë shpërndarë në disa qindra kopje; më tepër biznes aventurierësh e inatçinjsh, sesa e ujdisur me tru që vështon larg. Ma ha mendja që Ju do jeni në dijeni se unë si i përfaqësues i Pallatit Mbretnor kam pasë kontaktime, bile zyrtare, me anglezët... Ndaj, kur nuk qemë në gjëndje atëhere të bënim gjë, këto tashti më duken lodra kalamanësh”.
Mëshoi po ashtu se veprimet e Abdyl Banushit mund të viheshin në hesapet e UDB-së. “Sa për mua, shtoi, as kam, as kam pasur lidhje me ta. Ne jemi e anojmë më mirë tek ideja që le të jenë në fuqi kundërshtarët tanë, armiqtë tanë komunistë, por fundi i fundit janë shqiptarët, sesa serbi në trojet tona!”.
Kur po ndaheshin, ndërsa gjatë vitit të hetimit Banushi e kish kallzuar si bashkëpunëtor të tij, e përsëriti më shkoqur: “Me Abdyl Banushin në asnjë rast nuk kam pasur kontakte”!

Nikolin Martini

Sipas deponimeve në hetuesi Banushi personin e mësipërm e përshkruante si një ndër më agresivët e “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (Antistaliniste)” dhe se qe shumë i vendosur të kryente edhe vetë akte terroriste. E konsideronte edhe atë përkrahës të tij.
Por cila ishte jeta e mëparshme e Nikolinit?
Në revoltën e Postribës qe, bashkë me të vëllanë, pjesëmarrës. Ishte një drejtuesit i rangut të ulët. Pati nxitur shumë fshatarë të krahinës për t’u ngritur me armë, duke i siguruar se prej Jugosllavisë do t’u dërgoheshin në ndihmë njerëz, armatime, ushqime e çdo gjë tjetër që e çonte kryengritjen drejt fitores.
Pas shtypjes së kësaj të fundit u arratis në Jugosllavi dhe bashkë me dy vëllezër të tij i hyri bashkëpunimit me UDB-në. E patën hedhur (së bashku me të vëllanë) diversant në Shqipëri dhe në një rast u rrethuan dhe Forcat e Ndjekjes në ndeshje i vranë të vëllanë. Në motet 1950-1951 e vunë zëvendëspërgjegjës njësie luftarake në rang brigade, e cila u krijua në Mal të Zi dhe qe e planifikuar nga UDB-ja për ndërhyrje kundër Shqipërisë. Sipas Sigurimit të Jashtëm Shqiptar, Nikolini “numërohej ndër të paktët që i pëlqente ta zgjidhte me pushkë shumëçka”.
Ndërkaq Meno Dedaj në librin e tij shkruan se Nikolin Martini “njihej për njeri i besës, fjalëpakë, shumë trim, gjithaq i vendosur kundër Qeverisë Shqiptare”.
Pasi e informon lexuesin se qe martuar me shqiptare nga krahina e Ulqinit dhe se të dy kishin disa djem e një vajzë, shton: “Jetonin së bashku me familjen e vëllait të madh, qysh nga koha e arratisë”.
Njësiti Special i Zbulimit që po merrej me verifikimin e personave të cilët gjatë hetimit Abdyl Banushi i implikonte si bashkëpunëtorë të tij, fillimisht takuan të vëllanë e Nikolin Martinit. Me këtë gjetën mirëkuptim. Iu sugjerua ta sillte për bisedim të vëllanë. Më në fund Nikolini erdhi. “Në pjekjen e parë, shkruan në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, Meno Dedaj, ndonëse shtirej i qetë, nervozizmi e rrënqethte të tërin. I menduar, para se të ulej, e zgjodhi me shumë kujdes vendin: qëndroi me fytyrë nga dera, shpatullat nga muri...Ndërsa punëtori operativ i drejtonte fjalë të mirëseardhjes, Nikolini të jepte përshtypjen se po përpiqej të merrte me mend me ç’njerëz kishte të bënte. Si i zënë ngushtë, fliste thatë, me fjalët si shtiza të mprehura. S’e dëshironte takimin; i vëllai e shihte thellë e në mënyrë parandaluese. Ndërkohë, vjen kamerieri me porosinë.
Befas, Nikolini u ngrit në këmbë, me ngut dhe pa mendim, pështjelluar nga ai lloj zemërimi që - kur e mban të shtypur përbrenda - shpërthen tek s’e pret e të mbërthen menjëherë: Biseda mbaroi, shfreu, s’kemi ç’të themi dhe nuk e kam me zemër të bisedoj me ju”. Pasi heshti pakëz, shtoi: “Sipas kanunit, zakoni don mos me e pi kafen, se ju quaj... vrasës të vëllait!”
Shpjegon këtë rrethanë të ndërlikuar Meno Dedaj: “Situata mund të dilte nga kontrolli. Punëtori operativ vendosi qetësisht dorën e tij te parakrahu i Nikolinit e gati instiktivisht po e ulte ngadalë përsëri në karrige. Ndërkohë dy njerëz lëvizën në fund të lokalit, përtej shpinës së punëtorit operativ.
Si tigull muzikor në interval, u ndie zëri i të vëllait: “Jam vëllai i madh, që për ty kam lënë familjen dhe s’të tradhtoj kurrë. Tashmos po tutesh? Mblidhe veten!...Se zotërinjtë kanë ardhë në besë time. Unë u kam treguar dhe ata dinë gjithçka... Prandaj tregoje veten se je shqiptar!”
Ndërhyrja i dha tonin bisedës në vazhdim.
-Si persona zyrtarë vijmë për të biseduar. E mira e do të merremi vesh si burra, si shqiptarë,- këmbënguli qetë e serioz punëtori operativ.
Dramaciteti ra, Nikolini u qetësua; dhe të dy hijet - në fakt ishin djemtë e tij - me shenjë nga i ati u larguan nga lokali...
Te Nikolini shihej një portret stoik i skalitur në dru të bardhë. Fizionomi e çuditshme e një malësori mbi 60 vjeç, i mendueshëm e me halle të pashprehura... Dukej si një trung lisi: i gjatë rreth 1.60 m. Një floknajë e dendur, e zezë, me pak thinja i mbulonte kokën; ballë i gjerë, i lëmuar për momentin i mbushur me bulëza djerse; vështrim akull i ftohtë nga sytë e mëdhej, të zezë, përherë në lëvizje, e, nganjëherë, si të përgjumur e të hutuar. Një hundë e madhe, paksa e harkuar përpara, mes dy mollëzash të dala; gojë e gjerë, ku dukeshin në një rend krejtësisht të përhapur dhëmbë të zverdhur, të ngrënë e të parregullt si dhe një palë buzë të trasha, sipër të cilave qëndronin një palë mustaqe të zeza, të dendura e të prera me kujdes. Një mjekër katrore, në një nofull të gjërë. Me krahë të gjatë e pëllëmbë të mëdha të cilat, të bëra grusht, të shkaktonin ndjesinë se ndodheshe përbri një boksieri, që ndeshjes s’ia përtonte”.
Pak më pas rrëfimi i shkruar vijon me fjalët: “Ku gjeni kurajë të takoheni me mua?...A nuk e dini ju se neve vetëm...pushka duhet të na i zgjidhë punët? Më keni vrarë vëllain... Unë jam i koritur, se nuk e kam marrë akoma gjakun! Dhe tani të pi kafe me ju?!
Punëtori operativ, fare i qetë, iu përgjigj: “Në rast se ti e fiton përsëri vëllain, mund të qesësh revolen që mban me vete, dhe ...më vra!
Flakë për flakë e me ngulm, kundërpërgjigjet Nikolini:
-A jeni i armatosur?
-Nuk kam ardhur që të vritemi me njëri-tjetrin!
Në çast ngrihet më këmbë, u kthen krahët bashkëbiseduesve, ecën lirshëm 3-4 hapa më tej dhe heq xhaketën, të cilën e hodhi si një rroburinë mbi një varësen e harkuar plastike. Teknikë demonstrative në mënyrë që tjetri ta shihte me sy e të bindej se armë me vete nuk mbante. Veprim i papritur që, sigurisht, la përshtypje. Nikolini ndezi një cigare, e thithi thellë... U mendua gjatë. I kthehet përballë, përkulet pak drejt tij, e vështron thellë në sy dhe shqiptoi porosinë më të beftë: “Ma së parit, meqenëse jena në moshën e babës tand, po ta jap nji kshillë: “Nji budallallik si ky mos ta aplikosh ma me njerëz si puna eme!”
Mbas pakëz, i qetësuar, përshkroi episode të ndryshme të jetës së vet, p.sh. 48 (dyzet e tetë) raste që kishte hyrë me detyra të UDB-së në vendin tonë...Tregoi për momentin e rrethimit, për vrasjen e të vëllait; rrëfeu se si ushtari shqiptar i kufirit u gjend aq afër për ta zbuluar, sa e kishte prekur pa e kuptuar, duke vendosur këpucën mbi dorën e Nikolinit (tregoi një gisht të thyer nga pesha e trupit të ushtarit) ndërkohë që Nikolini, nga ana e vet, e mbante në shënjestër të revolverit... Ngaqë ishte natë dhe vend i pyllëzuar, nuk e diktuan dot. Tha që tri ditë më vonë pati shkuar te varri i të vëllait e iu betua se do t’ia merrte hakun. Numëroi persona që i kishte vënë në shërbim të UDB-së; ndërmjet të tjerësh renditej edhe një ish-kapter, por në kohën që bisedonim, zinte një post të rëndësishëm në sistemin e Ushtrisë sonë”.
Më pas: “Për rreth tri orë - si në një vetëpërtëritje shpirtërore - foli jo me pëshpërima, foli jo me përulësi, por çuditërisht i vendosur rreth problemeve që edhe i vëllai na i pati parashtruar më herët... Me kujdes, u interesuam për liderët e “Frontit të Rezistencës”... që implikonte Abdyli. I njihte të gjithë, por “një pjesë e tyre janë të plakur dhe si intelektualë nuk u pëlqen të rrinë shumë me ne që kemi vepruar më parë në terren”. U shpreh me hollësi për Mexhit Dibrën, për të cilin saktësoi se “edhe aktualisht punon e merr shpërblim nga UDB-ja”. A. Banushin, siç tha, nuk e njihte mirë: “Ndoshta ai personi që ka punuar pastrues në pallat, atje si super punonte Mexhiti”; “u dërgua (në Shqipëri) nga UDB-ja dhe që u hodh në grackë nga Sigurimi”. Që në Nju-Jork vazhdonte të kontaktonte me emisarë të UDB-së, Nikolini e pohoi si të vërtetë”.
“Me raste, në rrethana të caktuara, jam takuar edhe me një oficer të FBI-së, i quajtur Rajerson, me një zyrë në Manhatan; atje thërriste herë pas here e takohej me emigrantë shqiptarë”; prej tyre ai mblidhte informacione për gjendjen në Shqipëri.
E pyetëm drejpërdrejt: -A je anëtar i “Frontit të Rezistencës”? A je ftuar në ndonjë mbledhje me Abdyl Banushin e Mexhit Dibrën? - Jooo, - u përgjigj,- s’kam marrë pjesë në asnjë mbledhje me ta, as nuk di që të ketë organizatë me këtë emër”.

Theodhori Pasuni

Sipas Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork Theodhori qe një njeri që ndrynte në vetvete urrejtje kundër jugosllavëve e agjenturës së tyre. Qe arratisur në moshë të re dhe, i ndihmuar nga të afërmit e vet, u largua nga Jugosllavia për në Amerikë. Në pikëpamje organizative pozicionohej i dyti - zëvendëskryetar - në njërën nga shoqatat më të dëgjuara të emigracionit. Burrë rreth 45-vjeçar, shtati afro 1.65 m, por një trup mjaft i ngjeshur. Ngjante së tepërmi si ngritës peshash, jo vetëm nga trupi muskuloz, por edhe nga lëvizjet e ecja e tij.
Shkruan Meno Dedaj: “Me portret ekspresiv: kokë e madhe tullace. Ballë i gjerë, i ndritshëm. Hundë e vogël me një si të ngritur. Sy bojëqielli, me pamje të qetë. Faqe të mbushura, ngjyrë rozë në të kuqe. Buzë të holla, të puthitura me merak. Mjekër e rrumbullakët, paksa e dalë përpara. Qafë e shkurtër, e ngjitur me shpatullat e tij të gjëra. Tepër energjik, fjalëshpejtë, i mprehtë, me një kujtesë të kthjellët; seç anonte disi nga njeriu që flet shumë e që do të duket; hiqej si nga më të diturit në radhët e emigracionit dhe, në fakt, i dëgjohej fjala kudo. Tip mendjemadhi, një karakteristikë kjo e përgjithëshme e krahinës së tij. Paraqiste një vendosmëri të imponuese në ato që thoshte”.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com