Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mungesa e madhe e Donika Kastriotit

Korrieri,18 nentor 2005

Ishte gruaja e Skënderbeut dhe fatin e ka patur të njëjtë me shumë bashkëshorte të tjera njerëzish shumë të famshëm: është eklipsuar prej lavdisë së tyre. Eshtë mbajtur në hije. Eshtë terrur. Ka mpakur dhe zvogëluar dimensionet historike të saj. Bashkë me to edhe vlerat që ka mbartur. Madje një nga pasuritë që mund t’u rikthehet shqiptarëve kudo ku janë është personaliteti i Donika Kastriotit dhe cilësitë që ka mishëruar. Gjergj Kastriotit kemi afro gjashtë shekuj që i kthehemi dhe i rikthehemi, përherë duke zbuluar prej tij mesazhe të reja. Edhe gjashtë shekuj apo gjashtëdhjetë nuk do t’i mungojë kjo përkujdesje. Por ajo padrejtësisht i ka munguar shoqes së tij të jetës, Donikës. Me këtë gjë nuk mund të mburremi në këtë vit të 600 vjetorit të lindjes së kryeheroit tonë, vit që tashmë po shkon drejt mbylljes. Dymijë e pesa nuk mund të ikë pa kujtuar të munguarën e madhe dhe një nga krijesat më madhështore të femrës shqiptare.
Disa muaj më parë në një letërkembim me Alesandro Kastriotin, një nga pasardhësit e Skënderbeut, ky më rrëfeu intimisht një nga planet që kishte bashkë me motrën Paola, avokate dhe vëllanë Xhulio, gjyqtar. Ata kishin ndërmend të blinin bashkarisht një jaht. Do ta përdornin për fundjava apo për të kaluar pushimet e vitit nëpër Adriatik e Jon. Këtë gjë e bëjnë shumë italianë, madje edhe prej atyre që nuk banojnë në qytete buzë detit. Kurse dy vëllezërit Kastrioti dhe motra e tyre jetojnë në Leçe. Pra janë njerëz të lindur e të rritur me detin poshtë dritares. Me këtë rast kishin bërë edhe një listë të shkurtër të emrave që do t’i vinin jahtit. Midis tyre ishte edhe fjala Kroja (Kruja italisht) dhe Adronica (Donika shqip).
Kur ndërtimi i anijes së vogël turistike përfundoi dhe u lëshua në det për udhëtimin e saj të parë më mbërriti me postë elektronike edhe emri i përzgjedhur nga të tre pasardhësit. Ishte Adronica. I kishin vënë emrin e stërgjyshes së tyre. Nuk kisha dyshuar se do të fitonte, mes shumë variantesh të tjera, vetëm ai emër i bukur. Besoja se kështu do të ndodhte, sepse kisha ruajtur në kujtesë një detaj nga njëri prej takimeve me të tre. Paola, motra e tyre, në një bisedë kishte thenë pak a shumë kështu “Kam kuptuar se Shqipëria dëshiron ta shohë të ardhmen e saj e nisur nga tradita e vet dhe nga një krenari e panënshtruar ndonjëherë, gjë që e sheh tek vepra e Skënderbeut, por edhe e të gjithë shqiptarëve. Madje dëshiroj të them edhe të krenarisë së grave shqiptare, si Donika, e cila e shtrenguar nga ngjarjet e la vëndlindjen e saj të dashur, por që edhe në trojet italike jetoi si shembull i një shqiptareje”.
E megjithë këtë ndjenjë fisnike të Paola Kastriotit dhe të përkujdesit të të tre pasardhësve të saj dhe të Skënderbeut e mira Donika është një e harruar e madhe edhe në trungun e tyre familjar. Në këtë pemë gjenealogjike, të ndërtuar me skrupulozitet për afro gjashtëqind vite, kujtimi i saj është tepër i rrallë. Mes qindra trashëgimtarëve në mbi njëzetë breza ajo është ringjallur me emër vetëm tre herë. Në pemën gjenealogjike të Kastriotëve masivisht e dhjetrafish është ruajtur ciklikisht emri Xhorxho (Gjergji) dhe Alesandro (Aleksandër, pra Skënderbe, sepse turqisht Skënder do të thotë Aleksandër).
Kështu edhe familja Kastrioti në Itali ka bërë pothuaj të njëjtën gjë si edhe ne, shqiptarët këtej, në trojet tona. Kemi mbetur borxh me të. I kemi hyrë padrejtësisht në hak. Donika Kastrioti mes shqiptarëve në të gjitha trojet e veta apo atje ku emigrojnë, po ashtu edhe brenda shtetit të tyre, është përpjekur të përjetësohet në kujtimin e saj me ndonjë emër rruge. Ka disa qytete tek ne që e kanë një rrugë me emrin Donika Kastrioti. Mund të ketë edhe ndonjë shkollë, nëse të tillë ka, sepse edhe në pastë nuk është ndonjë e dëgjuar. Sigurisht në Muzeun Kombëtar apo në atë të Krujës ajo citohet dhe paraqitet me pamjen e saj të vetme që ka. Portretin e saj dhe ndonjë rradhë e gjen edhe në disa libra shkollorë. Veç vetëm kaq, ç’ka është tepër pak për shumë arsye. Mbi të gjitha sepse ajo nuk ka qënë një grua e rendomtë, thjesht një bashkshorte apo një nënë. Ose thjesht një princeshë. Donika para se të ishte një Kastriote ishte një Komnenë. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Hipotezat ndonjëherë janë fare pa vend, siç ky që po bëjmë tani: në rast se nuk do të kishte ekzistuar dhe vepruar në histori Gjergj Kastriot Skënderbeu, njeriu të cilin do ta bënim model e monument të rezistencës së madhe në shekullin e pesëmbëdhjetë ky do të ishte Gjergj Arianiti, i jati i saj.
Ishte bijë princi të famshëm dhe liridashës Donika, pra ishte një dukeshë. Lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare Donika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Sot për të marrë këtë status ka ligje dhe pretendime, madje ca kohë pati edhe një debat. Një zonjë e parë në një vend të qytetëruar e hijeshon atë. Ato dinë t’u shërbejnë me vetmohim shtresave të pambrojtura dhe në politikën moderne zonjat e para merren dukshëm me bamirësi. Dhe a e dini se të dhëna mjaft të tërthorta, verifikimi i të cilave është dhunti e aftësi e historianëve, sjellin deri në kohën tonë faktin se Donika Kastrioti bashkë me dy princeshat e tjera të Mbretërisë së Napolit, atje ku edhe emigroi më 1468, menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, bënte bamirësi për të vobegëtit dhe sidomos fëmijëve jetimë të ushtarëve të vrarë në luftë? Në Napoli dhe në Valencia, Spanjë, ku jetoi, ajo nuk ishte një grua e dorës së dytë, por një princeshë që rrinte në shoqërinë e dy të tjerave, më të rëndësishmet e fuqisë së madhe mesdhetare të mesjetës, Mbretërisë së Napolit. Ato ishin të njohura në të gjithë hapësirën kontinentale, thirreshin “tri princeshat e trishtuara”. Ishin që të treja vejusha dinjitoze. Dy Xhovanat ishin bashkshortet e dy mbretërve atë bir dhe e treta ishte Donika jonë, e veja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ato e thërritnin mikeshën e tyre të ngushtë me emrin Skanalibeka. Edhe pse në shqiptimin tingullor pak e deformuar kjo donte të thoshte Skënderbesha, e shoqja e Skënderbeut.
Donika Kastrioti, kjo e shquar e madhe dhe e terrësuar nga vepra gjigande e bashkëshortit të saj si edhe nga pakujdesja e të gjitha brezave të shqiptarëve, në mungesë të Skënderbeut ka drejtuar shtetin. Ky drejtim nuk ishte për një javë apo dy, sepse pesë apo gjashtë shekuj më parë koha ecte shumë më ngadalë se tani. Të niseshe për një betejë në Berat, Ohër, Sfetigrad e Dibër, duhej të kalonin tufa të tëra ditësh dhe javësh. Ishin me muaj periudhat kur Gjergj Kastrioti për nevojat e rezistencës së tij shkonte në Republikën e Raguzës, Dubrovniku i sotëm, apo në Itali, në Pulia, Napoli dhe Romë.
Adronika nuk bëri jetë aq të qetë në emigrimin e saj të dhimbshëm me djalin e saj të vetëm Gjonin dhe nipat e mbesat e vet. Njëri nga nipat e saj, vetëm njëzetëvjeçar peshkop i qytetit të Izernias, i vdiq kur kishte bërë vetëm njëzetë e tre vite jetë. Varri bashkë me një bazoreliev madhështor që e gjyshja i ka ngritur në një nga kishat më me emër të Napolit, “Santa Maria la Nova”, është i denjë vetëm për shpirtin e saj të madh si edhe klasin e lartë social që kishte. Studjuesit thonë se gjyshja shpirtdhembshur i ka bërë edhe një varr madhështor një nipi tjetër, sipas tyre të quajtur Alfons. Ky gjendet në Manastirin Real San Trinidad në Spanjë.
Prej këtyre varreve si monumente rrojnë gjer në ditët tona kujtimet e dy nipërve të saj dhe të Skënderbeut, por është Donika ajo të cilës nuk i dihet ku e ka strehën e saj të fundit në këtë tokë. Princesha nuk ka varr. Nuk i gjendet. Më saktë askush nuk e ka kërkuar me kembëngulje, sepse ai me siguri ekziston. Edhe për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, dimë që ka vdekur dhe është varrosur në Lezhë, por për vendin e saktë se ku saktësisht ka shumë hipoteza. Kënaqim krenarinë tonë me faktin se kur qytetin e pushtuan turqit ushtarët iu turrën varrit të tij, e hapën dhe gjithsecili i mori nga një eshtër për ta mbajtur si hajmali e u bërë sa fitimtar aq edhe i pavdekshëm. Të dy, Gjergjin dhe Donikën, i kemi të shkruar në historinë tonë me këtë mungesë të pikëllueshme.
Të paktën dimë ditëlindjen e Skënderbeut dhe kështu të sigurtë shkencërisht i përkujtojmë këtë vit 600-vjetorin. Por Donikës jo vetëm nuk i dihet ku e ka varrin, por nuk i njihet as ditëlindja dhe as ditëvdekja. Dhe ishte një shqiptare shumë e madhe. Ka dokumenta se si në Shqipërinë e rënë përfundimisht nën pushtimin osman që nga trojet italike, ku princesha bënte emigracionin e saj të trishtuar, u dërgonte falas ngarkesa me grurë bashkëkombasve të vet.
Për ta nderuar siç e meriton është pak, shumë pak, një emër lagjeje për të apo ai jaht vetmitar që stërnipërit e saj e lëvizin nëpër dallgët e detit, të atij deti të trazuar të cilin ajo e kapërxeu me djalin e saj vetëm dhjetë vjeç, në atë fundshkurt 1468. Ndërsa akoma kishte të gjallë në sy fytyrën e pajetë të të shoqit, tingëllimat e përzishme të këmbanave dhe vajtimet e shqiptarëve. Ndërsa i gëlltiste fshehurazi lotët dhe i mbyste në gjoks. Nuk do të kthehej më kurrë më në Shqipërinë e saj.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com