|
BOMBA KUNDËR DY AMBASADAVE TONA NË ROMË DHE NË PARIS
Njësiti special i zbulimit shqiptar në Nju Jork, vitet shtatëdhjetë, në kërkim të bombëhedhësve. Në Romë ambasada shqiptare nuk kupton asgjë, përveç ideologjisë.
Pjesa e dytë
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 1 nëntor 2018)
Shpjegon më tej zbuluesi në Nju Jork në vitet 1978-1983, Meno Dedaj: “Ndër personat e ngarkuar të kryenin aktet (përveç Avdul Banushit, që ishte përgjegjësi kryesor), prej tij implikoheshin edhe I. Lama, A. Sula, I. Rushiti, P. Luma, N. Plasoti, S. Hasnedari e ndonjë tjetër. Rrezikshmëria e organizatës u bë më evidente, sepse në radhët e personave që thuhej se do të vepronin, listoheshin disa që jo vetëm kishin baza për t’u strehuar e furnizuar, por sipas të dhënave, dhe kjo e vërtetuar, paskëshin vepruar këtu edhe herë të tjera. Na rezultonte që (me “kërkesë” të Avdul Banushit) qenkej vendosur: këto grupe për t’u pajisur me armatime e mjete të tjera të nevojshme të furnizoheshin në një bazë amerikane në Prevezë të Greqisë. Gjithashtu, na thuhej, se Avduli lidhej me një kolonel amerikan; ai i furnizonte me armatime dhe dinamit…. I transportonte drejt kufirit shqiptar; shpesh i kishte çuar në bregdetin e Ksamilit e të Vlorës me një nëndetëse të vogël, që drejtohej nga tre persona … Këto grupe u përgatitën për disa javë rresht në një bazë sekrete amerikane…. Me kolonelin e bazës sekrete në Prevezë ne kishim një kontratë, të cilën unë (Avduli) e kisha firmosur qysh më parë”.
Shkon më tej në argumentimin e tij Meno Dedaj: “Atëherë ne nuk arritëm të vërtetonim: takohej apo jo Avduli me oficerë amerikanë, a ndihmohej prej tyre? Ndaj ato informata vazhdimisht i merrnim me shumë rezervë”.
Antikomunisti që pëlqente terrorin
Në aktakuzën e hetuesve prokurorë Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri kundër Abdyl Banushit, të shpallur në 13 prill 1976, në kapitullin “Kontaktet me CIA-n dhe Pentagonin”, thuhet: “Në zbatim të detyrave të vëna nga zbulimi amerikan, në qershor të vitit 1974, Vasil Gërmenji e Rexhep Krasniqi, drejtuesit kryesorë të kësaj organizate terroriste, takuan në Uashington zyrtarë të lartë amerikanë në Departamentin e Shtetit, në Pentagon dhe në CIA, të cilëve, pasi u raportuan për gjendjen, aktivitetin e deriatëhershëm të organizatës dhe planet që kishin për të ardhmen kundër RPSH, kërkuan ndihmë financiare, mjete transporti për futjen e grupeve diversioniste në vendin tonë nga ana e detit si dhe mbështetjen ushtarake të tyre për realizimin e kundërrevolucionit të armatosur në Shqipëri. Zyrtarët e lartë amerikanë kërkuan që organizata të intensifikonte veprimtarinë e saj kundër RPSH. Ata theksuan: “Regjimet komuniste nuk rrëzohen me fletushka, por me anën e forcës së imponuar, mbi bazën e një lëvizjeje të organizuar brenda vendit. Kur ju të na sillni fakte të dokumentuara për veprime të organizatës brenda vendit, fotografi të grupeve të dërguara në Shqipëri… atëherë ne do t’u ndihmojmë me mjete financiare, mjete transporti për futjen e grupeve diversioniste në Shqipëri si dhe do t’u mbështesim me forcat tona ushtarake për të realizuar përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”.
Vazhdon aktakuza e dy prokurorëve: “I pandehuri Abdyl Banushi, pavarësisht nga kontaktet direkte e të vazhdueshme të Vasil Gërmenjit dhe të Rexhep Krasniqit me zyrtarët e lartë amerikanë, duke qenë i bindur se organizata e tyre nuk mund të kishte sukses në veprimtarinë e saj kundër pushtetit popullor pa përkrahjen e imperializmit amerikan, në gusht të vitit 1974, me ndërmjetësinë e agjentit të zbulimit amerikan, Ferdinant (Muhamet) Selami Çela, u takua dy herë me shefin CIA-s të Nju Jorkut, i cili iu paraqit me emrin Xhon Silvermen. I pandehuri e vuri në dijeni për aktivitetin e kryer nga organizata, planet e saj për të ardhmen dhe kërkoi ndihmën e tij në këtë drejtim. Shefi i CIA-s, pasi i vuri në dukje se ai ishte në dijeni për organizatën e tyre dhe rolin që luante Abdyli në të, iu përgjigj se “do të bënte të tëra përpjekjet për t’i ndihmuar në të ardhmen dhe se dëshironte që të kishin sukses në veprimtarinë e tyre”.
Më tej në aktakuzën e dy hetuesit punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruajnë vendosmërisht se “Gjithashtu, në muajin shkurt 1975, Vasil Gërmenji është takuar përsëri me zyrtarë të lartë në Uashington, të cilëve, pasi u raportoi mbi intensifikimin e veprimeve terroriste nga ana e organizatës, midis të tjerave kërkoi prej tyre që edhe radio “Evropa e Lirë” të rifillonte transmetimin e emisioneve të saj në gjuhën shqipe kundër RPSH”.
Ndërkohë referuar analizës së zbuluesit Meno Dedaj, “Sipas Avdulit, për gjithë ç’do të kryheshin, Mexhit Dibra shkëmbente bisedime me një kuadër të shërbimit sekret amerikan (Majorin Tomas Smith). Ai i vinte konditën që “bisedat të ngeleshin konfidenciale, si për hyrjet e grupeve në Shqipëri ... ashtu edhe për atentatin ndaj Enver Hoxhes”. )Pak a shumë po të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe një “punonjës i Departamentit të Shtetit Amerikan i quajtur Zhisko”.
Në aktakuzën kundër Abdyl Banushit mes të tjerash thuhet edhe: “Për të intensifikuar veprimtarinë e tyre armiqësore kundër RPSH, duke qenë në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan, në vitin 1974, me rastin e vitit jubilar të 30 vjetorit të çlirimit të Atdheut, drejtuesit e organizatës “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare” vendosën të kryenin disa aksione armiqësore brenda dhe jashtë territorit të RPSH dhe konkretisht: në muajin maj, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit, të futej ilegalisht nga Greqia në Shqipëri një grup diversantësh me detyra për të vendosur lëndë eksplozive në ndërtesën e Komitetit të Partisë së Rrethit dhe në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës; në maj-shtator të vendosnin lëndë eksplozive në përfaqësitë diplomatike të RPSH në Romë e Paris dhe në nëntor të shkatërronin me lëndë eksplozive ndërtesën e ambasadës së RP të Kinës dhe monumentin e J.V. Stalinit në Tiranë; për realizimin e të cilave do të dërgohej një grup tjetër diversantësh”.
Diku më tej, në kapitullin “Aksionet e suksesshme të organizatës”, dy hetues-prokurorët shprehen se “Disa nga veprat terroriste që u planifikuan nga organizata dhe që u përmendën më sipër, u realizuan; hedhja e lëndëve eksplozive në Ambasadat e RPSH në Romë e Paris, ndërsa aktet terroriste që do të kryheshin brenda territorit të vendit tonë, me gjithë veprimet konkrete të ndërmarra, për të cilat me hollësi do të flitet më poshtë, mbetën në tentativë”.
Po ashtu: “Më 2 maj 1974, në zyrën e organizatës “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare” kryesia e saj organizoi një mbledhje, në të cilën ngarkoi të pandehurin Abdyl Banushi, që së bashku me të arratisurin Ibrahim Rushiti dhe Prenk Lumaj, anëtarë të organizatës me banim në Nju Jork dhe Sabaudin Haznedari, me banim në Itali, të kryenin aktet terroriste në qytetin e Korçës dhe në Ambasadën e RPSH në Romë. Më 12 maj 1974, grupi i udhëhequr nga i pandehuri Abdyl Banushi, pasi u pajis me pasaporta amerikane e letërnjoftime shqiptare të falsifikuara, materiale propagandistike e materiale të tjera të nevojshme, u nisën me avion nga Nju Jorku për në Athinë. Në Greqi u takuan me Nikolla Plasotin, i cili njihet si agjent i zbulimit grek dhe amerikan, që vepron aktivisht kundër vendit tonë. Pasi morën prej tij lëndët eksplozive që u nevojiteshin, vazhduan udhëtimin në grup deri në Titovelec të Jugosllavisë. Në këtë vend, i pandehuri Abdyl Banushi, pasi u dha udhëzimet e fundit për detyrat që Ibrahim Rushiti dhe Prenk Luma do të kryenin në Shqipëri,
vazhdoi udhëtimin për në Romë, ku mbërriti më 18 maj 1974. Në Romë u takua me Sabaudin Haznedarin, i cili qysh më parë kishte marrë udhëzimet përkatëse nga kryesia e organizatës për veprimin që do të kryenin dhe pasi studiuan konkretisht mundësinë e kryerjes së aksionit, në mesnatën e datës 20 maj 1974, vendosën lëndë eksplozive me veprim të vonuar në ndërtesën e Ambasadës së RPSH në Romë. Në orën 08:40 të datës 21 maj 1974 u realizua shpërthimi i lëndëve eksplozive, si rezultat i të cilave u shkaktuan dëme të rëndësishme materiale dhe krijuan një gjendje rreziku e pasigurie për jetën e personelit të ambasadës…”
Shkruan për këtë rast Meno Dedaj: “Në përpjekje të ethshme që ta paraqesë “Frontin e Rezistencës” si një organizëm të fuqishëm që kryen çdo lloj veprimtarie, Avdul Banushi realizon disa akte të bujshme. Në vitin 1974, me ndihmën e Sabaudin Hasnedarit, vuri katër pako dinamiti brenda murit rrethues të Ambasadës sonë në Romë; plasi vetëm njëra: dëmtoi dy makina, theu dhe xhamat e ndërtesës, në pjesën ku banonin punonjës të ambasadës.
Qysh më parë qenë evidentuar, p.sh., hyrje të Hasnedarit në Ambasadën Shqiptare në Itali, duke u hequr si qytetar italian i atashuar mes grupesh të ndryshme studiuesish e profesorësh, si duket për të bërë rikonjicion të terrenit. Po ashtu disa informata që nuk u vlerësuan seriozisht në kohën e duhur, flisnin për lidhje dhe lëvizje të intensifikuara të Hasnedarit me punonjës të ambasadës jugosllave në Romë, nën preteksin e tregtisë në Jugosllavi etj.”
Shpërthim në Romë, ambasada shqiptare thotë se bombat ia kanë vënë fashistët italianë
Sipas lëndës dokumentare që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, shpërthimi shkaktoi disa dëme në ndërtesën e ambasadës, po ashtu rrezikoi jetën e familjes së punonjësit “kafaz” dhe ndonjë tjetri. Nga policia italiane, e cila erdhi në vendin e ngjarjes, qenë gjetur edhe tri bomba të tjera të paplasura.
MPJ në Tiranë i dha porosi menjëherë ambasadës të protestonte energjikisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe t’i kërkonte asaj marrjen e përgjegjësisë për kapjen dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Deri këto çaste ambasada shqiptare qe e bindur se autorët e aktit terrorist duhej të qenë mes militantëve të organizatës ekstremisht të majtë “22 Tetori”. Gazeta vendase skajshëm e djathtë, e vlerësuar si fashiste nga trupi ynë diplomatik në Romë, “Il Secolo d’Italia” (“Shekulli i Italisë”), një ditë më parë pati përhapur lajmin se ndaj grupit të Mario Rosit i “22 Tetorit” (ky i fundit i dënuar me burgim të përjetshëm për atentate dhe rrëmbime personash), prej Brigadave të Kuqe qe kërkuar të lirohej dhe se pikërisht ditën e shpërthimit në oborrin e Ambasadës Shqiptare, përfundonte afati i këtij ultimtumi.
Lidhja e dy ngjarjeve argumentohej nga “Il Secolo d’Italia” me arsyetimin se në këmbim të Mario Rosit ekstremistët e majtë të Brigadave të Kuqe do të jepnin prokurorin Mario Sossi, të cilin e kishin marrë peng.
E përditshmja italiane skajshëm e djathtë një ditë më parë nga shpërthimi thoshte se prokurori Sossi qe njeri i frymëzuar nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe se njerës të këtij vendi, të gjithë të shërbimit të fshehtë, po përgatiteshin ta transportonin këtë person në vendin e tyre për ta marrë në mbrojtje dhe shpëtuar nga drejtësia italiane.
Në të vërtetë kjo ishte një gënjeshtër politike diversive e skajshëm të djathtëve dhe për ta demaskuar këtë nga ambasada shqiptare në Romë u vu në lëvizje kryetari i Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Italiane, Fosko Dinuçi, me një artikull të përgatitur të botohej në “Nuova Unità” (“Bashkimi i Ri”).
Nga Tirana gjuha e notave verbale ndaj MPJ së Italisë ishte jo vetëm nervoze, por edhe me ton aspak diplomatik, duke kërcënuar deri edhe me ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike, çfarë Ministria e Jashtme Italiane me mosaprovim e vuri në dukje në përgjigjet e saj. Ajo theksoi se nuk mund ta pranonte akuzën e Tiranës se për çfarë pati ndodhur qe përgjegjësi e qeverisë së vendit të saj dhe se ngulte këmbë pa u lëkundur në kursin e vet: forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme mes dy shteteve.
Në Shqipëri duket që zyrtarët nuk e dinin se autorët e shpërthimit qenë bashkëkombës dhe mes tyre një antikomunist i paepur dhe i papërmbajtur, i etshëm të bënte histori, Abdyl Banushi. Gazeta “Zëri i Popullit” në një artikull të saj të 23 majit që në gërmat e para thoshte “T’i jepen fund provokacioneve të fashistëve italianë”.
Ndërkohë një ditë më parë, në 22 maj 1974, e përditshmja e madhe italiane “Corriere della Sera”, vinte në dukje se po të shpërthenin të katër pakot e eksploziveve një pjesë e ndërtesës së ambasadës do të shkatërrohej fare dhe do të kishte pasoja katastrofike për atë pjesë të personelit që ndodhej ato çaste aty.
Gazeta e mbyllte lajmin me tezën e saj se eksplozivi i përdorur kishte markën e prodhimit amerikan, “Made in USA”.
Ndërkohë shtypi italian nuk qendroi mënjanë, por u përfshi në pasqyrimin e ngjarjes së bujshme të atentatit me shpërthim ndaj ambasadës shqiptare. Kjo e fundit i ndoqi nga afër dhe mbajti shënim pjesëmarrjen e tyre. Qenë shtatë të përditshme. Përveç “Corriere della Sera” dhe “Secolo d’Italia” ishin edhe “Popolo”, “Il Messaggero”, “Avanti” dhe “Unità”.
Ndërkaq në 28 maj grupe fashiste kryen një shpërthim në stacionin e trenit në qytetin Bresha, ku pati 11 të vdekur dhe 80 të plagosur. Të nesërmen gazeta e ekstremistëve të majtë, “Lotta Continua” (“Lufta Vazhdon”) mes akteve të mëparshme të dhunës të MSI, Movimento Sociale Italiana (Partisë Fashiste), për vitin 1974 rreshtonte edhe këtë episod: “21 maj, Romë: shpërthen një bombë fashiste në ambasadën e Shqipërisë”.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë i ktheu më në fund ambasadës përgjigje sqaruese për shpërthimin por kjo ndodhi vetëm në 6 qershor 1974. Në të parashtroi gjithçka që kishte hetuar policia. Po ashtu edhe komunikoi përfundimin: nuk kishin gjetur hë për hë asnjë autor.
Kështu Abdyl Banushi mbeti i padiktuar.
Ndërkohë duhet shtuar se pala shqiptare dhe shërbimi i saj i fshehtë rezident në Romë, duke mbetur në errësirë të hollësive për çfarë ngjau ndaj një përfaqësie të saj të rëndësishme diplomatike, kishte harruar se për mundësinë e një akti dhune ndaj asaj selie vetë Enver Hoxha pati mbajtur me kohë një shënim. E kishte fiksuar në ditarin e tij për çështjet ndërkombëtare, datuar 14 qershor 1972.
Në të shkruante: “Disa miq italianë njoftuan ambasadën tonë në Romë se fashistët kanë në mend të bëjnë një provokacion kundër selisë së saj. I lajmëruam shokët të jenë vigjilentë dhe të marrin masa. Të venë, gjithashtu, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ta denoncojnë këtë gjë, pa zbuluar burimin, dhe të bëjnë përgjegjëse qeverinë italiane në rast se ngjet gjëkafshë”.
Siç e shihni, edhe Hoxha që dy vite të shkuara ishte mbërthyer nga sindroma se ndonjë eksploziv ndaj përfaqësisë shqiptare në Romë mund ta përdornin vetëm fashistët italianë dhe aspak të tillë nga etnia e tij.
Megallomani politike në Tiranë: kapitalizmi botëror na e ka frikën
Por përveç se akt i mirëfilltë terrorist, i dënueshëm edhe prej shteteve të Perëndimit, shpërthimi i kryer në selinë e ambasadës sonë në Romë nga Abdyl Banushi dhe njëmëndësit e tij ishte në kundërshtim flagrant edhe me interesat politike të kësaj bashkësie demokratike. Mbi të gjitha edhe për vetë Italinë.
Shqipëria si vend, duke përfshirë edhe vetë udhëheqjen e saj, me të cilën perëndimorët nuk qenë dakortd ideologjikisht, ishte si një mur për të ndalur vërshimin e rrezikshëm të Bashkimit Sovjetik në Mesdhe.
Sipas raportimit të vetë ambasadës shqiptare në Romë në prill 1974, një artikull i revistës italiane “Espresso” i një muaji më parë pati shkruar se “Bullgaria e rreshtuar në mënyrë të përsosur në politikën sovjetike, ashpërson “çështjen” maqedhonase. Maqedhonia do të ishte edhe rruga më direkt për atë që do të dëshironte të bashkonte edhe Shqipërinë në bllokun lindor”.
Në një raport tjetër të përfaqësisë diplomatike të datës 29 korrik rreth përmbajtjes së shtypit italian në tremujorin e dytë të vitit 1974, në kapitullin “Mbi provokacionin kundër ambasadës tonë”, spikatet se “Vendosja e bombave në 21 maj, e bërë nga forcat fashisto-klerikale tregoi àrmiqësinë e tërbuar të borgjezisë italiane e të Vatikanit kundër vendit tonë, i cili duke mbrojtur me besnikëri marksizëm-leninizmin dhe ndërtuar me sukses socializmin, pa mos hyrë në kompromis e lëshime politike, ideologjike dhe ekonomike me shtetet kapitalisto-revizioniste, është bërë shëmbull frymëzimi për popujt që luftojnë për pavarësi si edhe ndikon pozitivisht në rritjen e lëvizjes revolucionare në botën kapitaliste. Ky shembull dhe kjo influencë e trembin tmerrësisht borgjezinë italiane për arsye se Italia është vendi fqinj me një situatë të brendshme të ndërlikuar dhe nën goditjen direkte të propagandës tonë. Me qëllim për të parandaluar dhe frenuar përhapjen e tyre brenda vendit ajo organizon provokacione dhe përhap me anë të shtypit shpifje nga më të ndryshmet...kjo veprimtari armiqësore, me kalimin e kohës, vjen sistematikisht duke u intensifikuar duke arritur deri edhe në përdorimin e formave më të rënda, siç ishte minimi i ambasadës për të shkaktuar vrasje në personelin e përfaqësisë dhe për të trembur e terrorizuar miqtë e vendit tonë në Itali”.
Duket qartë se në këtë pjesë hyrëse të kapitullit informativ për Tiranën me temë edhe shpërthimin, ambasada jonë në Romë me në krye drejtuesin e saj Pirro Koçi, firmues zyrtar i këtyre raporteve, ndodhen krejtësisht jashtë analizës realiste. Të tejpolitizuar ata edhe më shumë se dy muaj më pas nga ngjarja vazhdojnë të jenë të bindur se bombat nuk ua hodhi ndonjë apo dy-tre bashkëkombës, por drejtpërsëdrejti shteti italian.
Pak më tej në raport shkruhet: ”Lidhur me provokacionin duhet vënë në dukje se shtypi italian botoi vetëm ditën e plasjes së bombës 7 artikuj e njoftime të shkurtëra. Më vonë me urdhër të organeve qeveritare u ndalua të botoheshin materiale për këtë çështje, notën tonë të protestës si edhe komunikatën e shoqatës Itali-Shqipëri, sepse provokacioni i kryer, jo vetëm demaskonte qeverinë italiane para opinionit publik të brendshëm, por edhe në fushën ndërkombëtare dhe për më tepër dëmtonte edhe politikën italiane në drejtim të vendit tonë dhe të Ballkanit”.
Këtu ky kapitull mbi shpërthimin e bombës mbyllet. Pa thënë asgjë të qenësishme.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|