|
DORA BAKOJANIS, PËRSE NA ERDHE NDËRMEND?
4-5 janar 1991, si e përshkruan Dorën ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës dhe konsulli special i Ramiz Alisë për marrëdhëniet lokale me Greqinë, Flamu Çani. Si bëri karrierë politike të spikatur dhe i vranë të shoqin. Mendimet e saj për Shqipërinë.
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 3 tetor 2018)
Kur Dora Bakojanis, ministre e Punëve të Jashtme e Greqisë, bëri vizitën e saj në Shqipëri dhe u takua me homologun e vet Lulzim Basha, më bëri përshtypje një ndjenjë e saj gëzimi. Për sytë e shumëve nga ne kjo mund të ngjante me një sjellje diplomatike, pra me paraqitjen e mesazhit se kishte ardhur miqësisht dhe jo të bënte grindavecen e formulës së vjetër helene se po nuk do t’ja plotësonim qeverisë greke ndonjë kërkesë të saj ajo do të bënte presion në Bruksel për të na bllokuar procesin e kandidimit në Bashkimin Evropian.
Pamjet e saj pothuaj të hareshme mund të kishin edhe strategjinë e Bakojanis të atyre çasteve, e cila qe për një bashkëpunim mjaft aktiv në Ballkan, aksion që po shoqërohej me investime të mëdha greke në gadishull. Mundet që ajo sjellje e gëzueshme të ishte edhe pasojë e ceremonisë së dhënies të “Çelësit të qytetit të Tiranës”, kryer në 21 mars 2008.
Fotot ngazëlluese Lulzim Basha-Dora Bakojanis pse të mos kishin edhe ndopak arsye “estetike” (të dy janë të bukur)? Po ashtu pse jo edhe shprehje të simpatisë reciproke nga që përveç hijeshisë fizike të dy janë edhe të një krahu politik, atij konservator evropian.
Por autori i këtyre rradhëve atë vit kishte edhe një arsye tjetër për ta deshifruar harenë e ministres greke të Punëve të Jashtme: dinte një “sekret” të vogël. Ajo nuk qe vizita e parë e saj në Shqipëri. Dora pati qenë tek ne që në kohën e komunizmit në rënie, kur në pushtet ende qenë njerëzit e PPSH-së.
Për këtë prani të saj media zyrtare e kohës nuk pati folur dhe ajo e shkruar e opozitës së parë antikomuniste, “Rilindja Demokratike”, gazetë e cila do të dilte në ditën e fundit të vizitës së Kostandin Micotaqis, sa e kish prekur përciptas.
Kryeministri grek pati bërë vizitë në Tiranë në datat 4 dhe 5 janar 1991 dhe midis shoqëruesve të tij qe edhe e bija, Dora Bakojanis. Sipas librit “Te Rrapi në Mashkullorë”, pjesa e parë, Flamur Çani, ato kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Gjirokastrës, por edhe i ngarkuar special i Ramiz Alisë në rolin e konsullit shqiptar me Greqinë për jugun, tregon një detaj të paditur.
Shkruan Çani: “Në drekë kaluam mirë, aty ishte edhe vajza e tij, Bakojanis, e cila ishte në dijeni për takimet e mia me burrin e saj në gusht 1985. Ai ishte një zotni i vërtetë. Në një moment Dora m’u drejtua mua: “Po të kesh nevojë, hajde në Greqi, se aty do ta gjesh ndihmën tonë të pakursyer”, tha ajo.
Kur Flamur Çani në fillim të takimit i pati kërkuar kryeministrit grek njëzetë milionë dollarë ndihmë ekonomike për Gjirokastrën dhe Dropullin, Bakojanis qe treguar e vëmendshme për një mundësi ndërhyrjeje tek i ati kryeministër.
“Hap kufijtë, jemi gjitonë të mirë!”
Referuar librit tjetër të Flamur Çanit, “Me porta të hapura”, botuar në 2010, “Në 4-5 janar 1991 erdhi në Tiranë kryeministri grek Micotaqis, një burrë serioz rreth të 70-ve. Ai shoqërohej nga e bija, Dora Bakojanis, nga Samaraj, Teodoraqis etj. Biseduan me Ramiz Alinë për problemet që ata kishin, por nuk gjetën dot fjalën për disa çështje. Bisedimet me Adil Çarçanin dhe Reiz Malilen për problemet e tjera kishin kaluar mirë”.
(Antonis Samaras qe ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, kurse Mikis Teodoraqis kompozitor i shquar helen me famë botërore)
Më pas në librin e tij “Me porta të hapura” kryetari i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës tregon se bashkë me dy të tjerë drejtues lokalë, pasi në Tiranë ndoqën një pjesë të takimeve, u nisën në orën dy të natës drejt qytetit të jugut për të organizuar pritjen e delegacionit zyrtar grek. Ky mbërriti të nesërmen në ora 10.00.
Pasi i shqiptoi formulën e mirëseardhjes, Flamur Çani i tha kreut të qeverisë helene: “Mor kryeministër, zoti Micotaqis, të shikojmë në televizorë dhe flet për probleme të ndryshme dhe kënaqemi që flet rrjedhshëm, bukur dhe seriozisht. Kënaqemi që një kryeministër i një shteti mik flet kështu. Ju kemi ndjekur edhe gjatë vizitës në Tiranë e për aq sa u dëgjuam, u kënaqëm, por kuptomëni drejt e mendoni edhe për ne që jemi kufitarë e me minoritet të madh grek e kemi nevoja sidomos për lëndë të parë industriale. Unë dua t’ju bëj dy kërkesa e besoj se ju do t’i merrni në konsideratë”.
Shkruan më poshtë kryetari i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës, për pesë vite të mëparshme edhe i ngarkuar personal nga Ramiz Alia me rolin e konsullit shqiptar me Greqinë për popullsinë e jugut të Shqipërisë: “Shoku Adil që e shoqëronte, shqyente sytë. Nuk më kish dhënë porosi e nuk e priste këtë ndërhyrje. Në të kundërt z.Micotaqis më tha të flisja pa ndrojtje. Dhe unë vazhdova.
-Ju dhatë në Tiranë ca ndihma, jepini ato. Por jepni edhe nja 20 milionë dollarë për ne, të dalim nga kjo gjendje që jemi.
-Dakort, tha ai dhe i dërgoi ato më pas, por tek ne nuk erdhi asnjë qindarkë.
-Hë, tjetër, tha Micotaqis.
-O ti Kryeministër, vijova unë më me shumë kurajë e me kokën time, hapni kufirin e të kalojnë për në tokën greke të rinjtë, sepse po nuk u hap kufiri, këtu do të vejë gjaku gjer në gjunjë.
Ai nuk doli publikisht për sa sugjerova. Por diçka i tha vajzës së tij, Dora Bakojanit. Ndërkohë shoku Adil u befasua dhe kur vamë për drekë, m’u drejtua:
-More Flamur, ku e gjete ti atë kurajo?
Unë nuk i ktheva përgjigje, por edhe shoku Adil nuk e vijoi më mendimin apo debatin”.
Në vazhdim të këtij episodi kryetari i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës, i cili qe njëkohësisht edhe deputet, nuk harron të spikatë edhe një detaj tjetër, i cili hedh dritë të ngrohtë mbi Kostandin Micotaqis
Një rapsod vendas, ndërkohë për sa pa dhe dëgjoi, thurri një bejte, e cila në çast shumë shpejt u përkthye në greqisht dhe iu dha ta lexonte kryeministrit helen: “Pa dëgjo, o mik i rrallë, /Që nga Kreta je o djalë, /Na gëzove me ato fjalë, /Do thomi edhe ne dy fjalë /Hap kufirin mor i mirë, /Te ju fëmijtë të vijnë /Dhe të rritin ekonominë,/Se jemi gjitonë të mirë”.
Micotaqis e lexoi dy herë bejten dhe tha: “More, megjithëse janë të varfër, këngën nuk e lënë dhe gjejnë kohën ta thonë e ta këndojnë”.
Pastaj kryeministri grek, mbase edhe nga emocioni që ndjeu prej fjalëve të përzemërta ndaj tij të vjershës shqiptare, shqiptoi menjëherë: “Më kanë thënë se këtu në Dropull është krijuar Organizata e “Omonias”, por ne nuk duam krijimin e saj. Ne jemi që sa më shumë djem e vajza, nuse e dhendurë dropullitë, të futen nëpër partitë e tjera dhe aty të luftojnë për të drejtat e minoritetit”.
Shkruan më tej Flamur Çani: “Kur po hanim drekë në qytetin e Gjirokastrës, pashë vajzën e tij të dilte në ballkon dhe të shikonte lagjet e rrugët e Gjirokastrës. Dikur më kërkoi të shkoja pranë saj.
-Bravo, bravo për ato që i the babait. Ai më porositi që të vlerësojmë kërkesat e tua”.
Dorëheqjet e tre antifashistëve të fundit në Evropë: Kohl, Çarçani, Micotaqis
Adil Çarçani dhe Kostandin Micotaqis po atë mesditë shkuan për një vizitë në fshatin Derviçan dhe atje kur foli kryeministri shqiptar një grumbull djemsh dropullitë filluan ta fyenin. Micotaqis ndërhyri menjëherë: “Lëreni të flasë, është kryeministri juaj, i urtë dhe i mirë. Unë e kam mik”.
Pas kësaj gjendja sikur u qetësua disi dhe kur e mori fjalën kreu i qeverisë helene premtoi për ndihma. Pas mitingut shkuan në Kakavijë, ku rreth katër mijë grekë dhe dropullitë, simpatizantë të Micotaqisit qenë grumbulluar për ta përshendetur me brohorima.
“U ulëm në klub dhe pimë kafe”, shkruan në librin e tij “Porta të hapura” Flamur Çani, unë dhe kryeministri grek pimë edhe nga një dopio raki të mirë. Dora Bakojanis e Samarai pinë vetëm kafe.
-Ah more zoti Adil, tha kolegu grek, situatën e keni të keqe, madje edhe më të keqe nga sa më thonin në Greqi. Të paktën kështu mendoj unë. Në Gjermani kryeministri Kohl, si antifashist, dha dorëheqjen si kryministër. Por pas një muaji do ta japësh edhe ti Adil si antifashisti i parafundit. Në qershor do ta jap edhe unë dorëheqjen si antifashisti i fundit. Mjerë njerëzimi me këtë brez që rritet. Hajde, më e mira u bëftë!”, tha ai.
U ngritëm dhe bëmë edhe një fotografi para se të ndaheshim, foto që nuk e morëm kurrë. Kur po takohesha me Dora Bakojanis ajo, si në konfidencë më tha: “Flamur, për çdo problem që të kesh hajde në Athinë, do të të ndihmojmë”.
Por unë kurrë nuk shkova atje për probleme të rrethit. Luftonim t’i zgjidhnim ato me mundësitë e mjetet tona të kufizuara”.
Vrasja terroriste e Pavllo Bakojanis
Dora (Theodhora), është më e madhja e katër fëmijëve të Konstandin Micotaqis dhe Marikës, një familje nga ishulli i Kretës. I angazhuar me politikë nuk qe vetëm i jati i saj, por edhe i gjyshi, Qirjako. Sot po ashtu edhe vëllezërit e saj Aristomenis dhe Qirjako i ri. Micotaqis është një familje tipike greke nga ato me traditën e marrjes me politikë në mënyrë dinastike.
Dora i takon asaj që në Greqi quhet “Shkolla Gjermane”, siç edhe ne shqiptarët në vitet tridhjetë të shekullit e krijuam një dukuri të tillë me ata që thireshin se i takonin “Dojçe Kulturës” (“Kulturës Gjermane”).
Familja Micotaqis kur në Athinë e hodhën në dorë pushtetin Junta Ushtarake e Kolonelëve, në 1968, mërgoi në Paris. Gjithsesi edhe në kryeqytetin francez Dora ndoqi shkollën gjermane. Më pas studjoi në Mynih në Universitetin Ludwig Maximilian për shkencat politike dhe të komunikimit. Kur Junta Ushtarake ra u kthye në Athinë dhe i vijoi studimet akademike për të drejtën publike në Universitetin Kombëtar Kapodistria. Tashmë ajo qe edhe njohëse e mirë e anglishtes, e frëngjishtes dhe e gjermanishtes.
U martua në dhjetor 1974 me gazetarin e shumënjohur Pavllo Bakojanis dhe bashkë lindën dy fëmijë: Aleksian dhe Kostas. Në 1977 Dora dha provimet në Ministrinë e Koordinimit Ekonomik dhe u emërua në Drejtorinë për Çështjet me Bashkimin Ekonomik Evropian. Kur i jati në 1984 u zgjodh kryetar i Partisë Demokracia e Re, ajo u bë shefe e kabinetit të tij deri në 1989.
Në 26 nëntor 1989 bashkëshortin, Pavllo Bakojanis, i cili qe edhe deputet i porsazgjedhur, organizata revolucionare (terroriste) “17 Nëntori” e vrau ndërsa ende pa shkuar ora tetë e mëngjezit po hynte në ndërtesën ku kishte zyrat e tij. Ngjarja ishte shumë tronditëse, sepse Pavllo qe një mit i frymës së bashkimit të grekëve, i mbushur me frymë kundërdiktatoriale dhe mjaft i përkushtuar për kursin e ri grek të jetës demokratike. Pas përvojës së hidhur me Juntën e Kolonelëve ishte edhe shumë i pasionuar pas “ripajtimit kombëtar” dhe kurimit të plagëve të luftës civile të ndodhur përgjakshëm në fund të viteve dyzetë.
Pavllo Bakojanisit iu bë profetike kredua e tij “nuk mund të jemi dakord, por fare mirë mund të bashkëjetojmë”.
(E trishtueshme është që sot vrasësi i tij Dhimitër Kufatis, i dënuar me burgim të përjetshëm, është hequr nga kushtet e ruajtjes në siguri së lartë dhe vendosur në një burg pune bujqësor. Të mos harrojmë se Kufatis është i akuzuar për vrasjen e 11 personave në Greqi).
Duke u rikthyer në muajin e dhimbshëm të Dorës, në nëntor 1989, këto çaste ajo rifitoi për të dytën herë vendin e deputetes në parlamentin e vendit dhe kur i jati u bë kryeministër nisi punën pranë tij si Nënsekretare e Shtetit për Parlamentin. Në këtë nivel të lartë posti qe kur bëri vizitën në Shqipëri.
Në shtator 1991 Dora Bakojani nisi shërbimin në Sekretarinë e Përgjithshme për Çështjet Ndërkombëtare të partisë “Demokracia e Re” dhe e përfaqësoi atë në Bashkimin në Ndërkombëtar Demokratik.
Në dhjetor 1992 Dora u bë ministre e Kulturës e Greqisë dhe pas pak vitesh në opozitë në motet 2002-2006 u ul në poltronin e kryetares së bashkisë të Athinës, duke përballuar me këtë rast shkëlqyeshëm edhe Lojrat Olimpike.
Ministre e Punëve të Jashtme qe në vitet 2006-2009.
Në 1998 ajo u martua me bisnesmenin Isidoros Kuvelos, por mbajti mbiemrin e Pavllos së paharruar.
Duhet vënë në pah ndërkohë se Dora Bakojanis është femra më e lartuar në karrierën politike në të gjithë historinë e Greqisë.
Dy-tre vitet e fundit ajo e ka radikalizuar lehtësisht gjuhën e saj (më shumë se qëndrimin), për çështjen e emrit të Maqedonisë si edhe është shprehur kundër qeverisë aktuale Cipras dhe sidomos ministrit të Jashtëm Nikos Kocias për çështjen e rimarrëveshjes për kufijtë detarë me Shqipërinë. Ajo mendon se në variantin e ri po i bëhen lëshime qeverisë së Tiranës dhe se pakt i mirë për të dy palët qe ai i mëparshmi, i vitit 2009, kur ajo negocioi si Ministre e Jashtme e Greqisë.
Si e njohu shqiptari Tajar Vëndresha Dora Bakojanis
Në fillim të gushtit të këtij viti, i rekomanduar të takoj një të vuajtur politik të para nëntëdhjetës e të bisedoj me të për t’i njohur jetën e vështirë, shkova në Divjakë, ku jeton familjarisht. Quhet Tajar Vëndresha. Pas rënies së diktaturës për afro një dekadë e gjysmë ai jetoi dhe punoi në Greqi.
Mes kujtimeve të tij nga ky mërgim qenë edhe puna një muaj e gjysmë në vilën e ish-ministrit grek të Mbrojtjes, arvanitasit Akis Xohaxopulos, si edhe të së motrës, banesën e të cilës e kishte ngjitur.
Po ashtu në fund të vitit 2004 Tajar Vëndresha kishte qenë figurant në xhirimet e një filmi për Andrea Papandreun, politikanin legjendar të së majtës greke.
Skena e pjesëmarrjen e tij qe kjo: Andrea i vogël bashkë me të jëmën zbrisnin nga makina për të hyrë në shtëpinë e tyre. Tajari (në rolin e shërbyesit të familjes) u dilte përpara dhe e merrte të voglin për dore. Fjalët e vetme që shqiptonte me këtë rast qenë ato të mirseardhjes. Pastaj të porsaardhurit i shoqëronte dhe i fuste në shtëpi.
Gjatë kësaj skene xhirimi pati qenë i pranishëm edhe i biri i Andreas, Jorgua, i cili më pas u bë për disa kohë edhe kryeministër i Greqisë. Ai kishte ardhur aty me të bijën. Pasi e pa këtë skenë i tha faleminderit regjisores dhe shqiptoi fjalë të mira për figurantin. Ajo i shpjegoi se aktori amator qe një emigrant shqiptar dhe Jorgo u shpreh se ky aktor diletant ishte megjithatë mjaft simpatik, ca më shumë që “e keni veshur me një kostum të bukur”. “Jo, u përgjigj regjisorja, kostumi është i tij, ne vetëm i ndërruam kravatën, sepse na voliste një lloj tjetër i tyre”.
Jorgo ato çaste e kishte përqafuar Tajar Vëndreshën.
Kujtim tjetër mbresëlënës për të emigruarin shqiptar ish-të persekutuar politik pati qenë ai me Dora Bakojanis. Firma e ndërtimit ku ai punonte po kryente restaurime në godinën e bashkisë dhe një ditë Tajarit i qëlloi të lyente me bojë speciale muret e koridorit ku shkohej në zyrën e saj. Ai përfitoi nga kjo mundësi dhe ndërsa Dora po kalonte pranë, i tha oficerit të saj shoqërues, por me zë fare të ulët, që kryetarja t’i jepte leje të shkonte deri në zyrat e përgatitjes së dokumenteve të qëndrimit në Greqi. Por Dora, edhe pse nuk e dëgjoi gjithçka çfarë shqiptari tha konkretisht, ndali hapat dhe e thirri “Hajde Tajar!” Pastaj të dy u futën në zyrë. Këtu e pyeti: “Për çfarë dokumentesh e ke fjalën?” “Unë i përsëris, shqiptoi Tajari, çdo tre vjet dokumentet e lejeqëndrimit dhe këtë herë të fundit kam më shumë se një vit që nuk më kanë kthyer përgjigje”. “Çfarë thua?!”, u shtang Dora Bakojanis, pa m’i jep t’i shoh!”
I pa dhe u shpreh jo pa zemërim: “Po ty të paska mbaruar afati! Ti duhej ta marrje lejeqëndrimin që para një viti e gjysmë. Pse nuk e ke marrë?” “Sepse nuk ma kanë dhënë. Ka ndodhur më parë që e kam marrë me afat të skaduar dhe kam mundur të shkoj në Shqipëri vetëm kur hapen kufijtë për pak kohë sa për të shkuar në festat tona”.
Dora ngriti dorezën e telefonit dhe mori drejtpërsëdrejti drejtorin e përgjithshëm që merrej me lejeqëndrimet e emigrantëve. Pasi pyeti se cili person po punonte ato çaste në zyrën operative të lëshimit të tyre, i komunikoi se pas pak do të vinte aty një emigrant shqiptar me kërkesë prej mbi një viti pa i dhënë përgjigje dhe, me t’u paraqitur, kjo t’i bëhej menjëherë. Madje si datë fillimi të mos ishte ajo e paraqitjes së dikurshme të kërkesës, por ajo ditë.
Pastaj i tha Tajar Vëndreshës të nisej sa më parë dhe se të nesërmen në orën dhjetë, për t’i rrëfyer se si kishin shkuar punët, e priste në zyrën e saj. Shqiptari, doemos, shkoi tek zyrat përkatëse dhe gjithçka u krye siç kishte folur në telefon Dora Bakojanis.
Ylli Polovina
Tiranë, më 1 tetor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|