Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PALLATI SKËNDERBE NË ROMË, HISTORIA E NJË INDIFERENCE SHTETËRORE


(Shkrimi pesëdhjetë e tre i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

(Botuar në “Illyria” në 12 tetor 2018)

Në 30 qershor 1956 me dekret nr. 2278, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, mbështetur mbi një propozim të qeverisë, e emëroi Koço Thoma Priftin ambasador të Jashtëzakonshëm dhe FuqipIotë në Republikën Çekosllovake.
Në 14 gusht të dy viteve më pas, 1958, me dekret nr. 2729 të të njëjtit institucion emërtese, Prifti u largua nga Praga dhe u shvendos në Romë, tashmë si i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë pranë Republikës Italiane.
Këtu kishte zëvëndësuar Edip Çuçin, i cili do të niste punë si ambasador i jashtëzakonshën dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë pranë Republikës Popullore të Hungarisë.
Në një farë mënyre Koço Prifti prej një vendi miqësor për regjimin e Tiranës, siç ishte kampi socialist, qe vënë në krye të përfaqësisë diplomatike të vendit të vet në një shtet armiqësor, kapitalist dhe imperialist, siç quhej atëherë me konceptin ideologjik komunist.
Prifti ishte njeri mjaft i besuar i rrethit të Enver Hoxhës, qe natyrë e ashpër dhe dogmatike, pjesëmarrës në gjyqe shtypëse ndaj kundërshtarëve politikë dhe pas rënies së diktaturës u shënua si persekutor në listat denoncuese të të vuajturve nga bolshevizmi.
Gjithsesi njerëzit janë qenie mjaft komplekse dhe asnjëherë vetëm “të zinj” apo “të bardhë”. Pikërisht ai Koço Prifti që pëlqente përdorimin e shtypjes me dhunë dhe nuk shkëlqente aspak për dhunti të veçanta diplomatike, si i Ngarkuar me Punë në Romë, ka lënë në një rast një gjurmë të bukur, e cila lidhet me Skënderbeun.
Kjo ka ndodhur në gjysmën e parë të vitit 1960 dhe ne e kemi gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në raportin kulturor të ambasadës shqiptare për këtë periudhë.
Për ta kuptuar më mirë vlerën e gjestit të kryer nën propozimin e Koço Priftit, po kapërcejmë disa dekada dhe rikthehemi në kohën aktuale.
Në Romë nuk ekziston vetëm një shesh me emrin e Shqipërisë (“Piazza Albania”) dhe në mes të tij monumenti i madh i Skënderbeut. Kryeqyteti italian ka edhe një hapësirë tjetër të tij që i kushtohet kryeheroit shqiptar. Në rast se zona e parë gjendet në një nga pjesët më historike të Romës, pra në “krahërorin” e saj, e dyta ndodhet drejt për drejtë në zemër. Gjendet midis shatërvanit të njohur botërisht Fontana di Trevi dhe kompleksit të pallatit Kuirinale, selisë së Presidencës italiane.
Sapo lë sheshin e madh para Kuirinales dhe poshtë shkallinave të tij zbret në rrugën Dataria, në të djathtë, ku mbaron butaz kompleksi i pallatit, gjendet ANSA, Agjencia Italiane e Lajmeve. Pak hapa më poshtë, vetëm pak çape më tej dhe menjëherë ndesh rrugicën e gjerë “Vicolo di Scanderbeg”. Këtu merr poshtë saj dhe gjendesh përballë “Pallatit Scanderbe”, (“Palazzo Scanderbeg”).
Sheshi para tij mban po të njëjtin emër: Piazza Scanderbeg.
Kur në shkurt të vitit 1998, duke qënë se në përfaqësinë tonë diplomatike në Romë mbuloja çështje të marrëdhënieve me median, bëra vizitën dhe takimin e parë në ANSA, njeriu që më priti, shef i departamentit të Ballkanit, ma citoi miqësisht këtë hollësi. “Kemi një shqiptar këtu afër”, më tha.
Në disa nga shënimet udhërrëfyese turistike të kryeqytetit italian për Vicolo Scanderbeg (“vicolo” saktësisht quhet një rrugë qytetëse e përmasave mesatare, shpesh pa dalje) shkruhet se ai “e merr emrin nga pallati i vogël, të cilin princi shqiptar Gjergj Kastrioti i quajturi Skënderbe (që do të thotë Aleksandri i Madh) e ndërtoi në sheshin Skënderbe (në numrin 117) atëherë kur erdhi në Romë më 1466 për t’i kërkuar ndihmë Papës Pali II në favor të popullit të krishterë shqiptar në luftë kundër turqve. Mbi portalin e pallatit, të rinovuar tërësisht më 1846, gjendet një portret i princit nën një veshje të ruajtur në mënyrë të përsosur. Princi e ka lënë në trashëgim pallatin me kushtin që portreti i tij të restaurohej çdo herë që gjykohej e nevojshme. Kjo rrugë ka qenë e para në Romë, e cila ka pasur një emër të huaj dhe në fakt emrit, duke qenë i vështirë, menjëherë iu komprometua shqiptimi dhe u shndërrua në Skanabeki (\"Scannabecchi\").
Një dukuri e tillë pa dashje shtrëmbëruese, ndodhi për arsye të një përngjasimi me një emër vendas shumë të rëndësishëm: Roma në qeverisjen e saj kishte pasur, midis viteve 1124 dhe 1130, edhe papën Onorio II. Emri i tij qe Lamberto dhe mbiemri Scannabecchi.
Po qe se duhet të pranojmë variantin autokton se në Romë emri i Skënderbeut është i pari i një të huaji që i vihet një rruge, atëherë na bëhet shumë e qartë se çfarë fame ka pasur Gjergj Kastrioti ynë në metropolin më të madh të kohës.
Studiuesi i paharruar Kristo Frashëri në librin e tij për Gjergj Kastriotin ka shkruar se “Në Romë, Papa e konsideroi Skënderbeun si mysafir të Selisë së Shenjtë dhe e nderoi duke i vënë në dispozicion për t’u strehuar Pallatin e Shën Markut në sheshin që sot quhet Piazza Venezia. Por Skënderbeu nuk pranoi me pretekstin se zakoni i vendit të tij e donte që ai të strehohej në shtëpinë e një bashkatdhetari që banonte në Romë…»
Emri i këtij të fundit nuk është regjistruar në kronikën historike që lidhet ne praninë e heroit të madh shqiptar në qendrën e Papatit, por gjithsesi ka mbetur me fjalën e përgjithshme “epirot”, që do të thotë “arbër”, pra shqiptar.
E informojmë lexuesin se në portalin e Pallatit Skënderbe ka një medalion me portretin e tij si edhe një tekst shpjegues. Ky i fundit është: “GEORG CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI AD FIDEM. ICONIS REST AN DOMINI MDCCCXLIII».
E përkthyer kjo do të thotë “Për nder të Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe, Princ i Epirit. Piktura është riparuar në vitin 1843 të kohës sonë».
Ritet e përvitshme të përkujtimit zyrtar të ditëvdekjes së Gjergj Kastriotit, por edhe çdo vizitë tjetër e pakushtëzuar prej ndonjë përvjetori, si rregull bëhen tek monumenti i tij i madh në Piazza Albania, përuruar nga Benito Musolini në fundvjeshtë 1940. Për këtë arsye ka një anashkalim të pashpjegueshëm dhe të krhyer në rutinë të vendit më historik dhe përfaqësues të lavdisë shumë shekullore të Skënderbeut jashtë vendit, në Evropën e krishterë të moteve njëmijë e katërqind e deri tani.
Në vitet kur autori i këtij shkrimi punoi si Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, dhjetor 1997-mars 2002) ndeshi atje me përpjekjen që bënte në mënyrë të përsëritur ambasadori P.P. për ta shndërruar Pallatin Skënderbe në një seli të Ambasadës Shqiptare.
Kjo dëshirë dukej jo vetëm e parealizueshme për shkak të çmimit tepër të lartë që kishte objekti, prej kohësh të hershme me pronar italian dhe ku shteti vendas pati ngritur “Museo Nazionale delle Paste Alimentari” (“Muzeu Kombëtar i Makaronave”).
Gjithashtu çdo hamendje se strehën e famshme të Skënderbeut do ta kishte një ambasador, të linte shije megallomanie për çdo person me këtë funksion të fundit. Ajo godinë, po të zotërohej ndonjëherë prej shtetit shqiptar, paraqitjen do ta kishte vetëm si muze.
Në një farë mënyre Palazzo Scanderbeg me tabelën sipër portës dhe portretin e tij, po ashtu disa mjedise të brendshme, do të qe me po atë prestigj si vendndodhja e përkrenares dhe e armëve të tij në Vjenë.
Sepse realisht nuk është më pak.
Por nuk ishte kjo nismë, pra që Pallati të bëhej Seli dhe bashkë me portretin e Gjergj Kastriotit para njerëzve të krekosej edhe fytyra e ndonjë ambasadori, arsyeja që të dëshpëronte. Ajo që këtë kohë binte më shumë në sy dhe të shqetësonte ishte se P. P. ngulte këmbë se ishte ai i pari mes tërë ambasadorëve shqiptarë në Romë, që e sipërmerrte këtë nismë patriotike.
Në vitin 2006 një botues i vogël italian, mik i Shqipërisë, banues në Romë, Kostanco Dagostino (Costanzo D’Agostino) nisi një fushatë me pamflete, pllakate dhe mesashe email, që të mund të mblidheshin fonde të mjaftueshme për ta blerë këtë godinë. Palazzo Scanderbeg kushtonte jo pak.
Duke e mbështetur këtë nismë edhe autori i këtyre rradhëve botoi në 20 shtator të atij viti (2006) në gazetën “Korrieri” shkrimin “Shqiptarë, jepni për Skënderbeun!”
Momenti i botimit të këtij shkrimi kishte të bënte me çastin konkret: Fondacioni Anjeze, pronari i atëhershëm i Palazzo Scanderbeg, kërkonte ta shiste godinën. Prandaj duke qenë se “i gjithë Pallati Skanderbeg në zemër të Romës së mbushur njëzetë e katër orë për njëzetë e katër me turistë nga i gjithë globi, kushton rreth njëzetë milionë euro” do të ishte e dobishme që “Kjo pikë strategjike e përhapjes dhe e mbrojtjes së identitetit shqiptar e vendosur realisht në zemër të Romës, por në të vërtetë para syve të të gjithë botës, të blihet nga shqiptarët. Një fushatë e madhe mund të nisë kombëtarisht për grumbullimin e fondeve. Nismëtar mund të bëhen parlamentet e Tiranës apo të Prishtinës, lobe politikanësh, intelektualësh dhe bisnesmenësh nga të gjitha trojet shqipfolëse dhe nga e tërë diaspora”.
Në këtë shkrim vija në dukje se “I pari që ka deklaruar dëshirën se mund të kontribuojë me pjesën e tij është pasardhësi Alesandro Kastriota Skanderbeg. Ai na shkruan se në rast të mosfunksionimit të një blerjeje të të gjithë pallatit nga shqiptarët kudo ku gjenden, “familja ime është shumë e interesuar të blejë në porcion të vogël. Na duket një rast historik”.
Sigurisht pas kësaj asgjë nuk ndodhi dhe Pallatin Skënderbeg e bleu një vendas, duke e shndërruar në një hotel shumë të lakmuar për turistët.
Por tani le të rikthehemi në krye të shkrimit, kur deshëm të citojmë një kontribut të të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën Shqiptare në Romë në vitin 1960, Koço Priftit.
Në shtator të këtij viti ai i shkruante Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: “Mendojmë që nga ana jonë të vendoset një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku ka qendruar Skënder-beu në Romë. Se si do të vendoset pllaka dhe në emër të kujt do të dalë nga studimi që do t’i bëjë qendra. Pllaka përkujtimore në vende të ndryshme janë vënë edhe nga vendet e Demokracive Popullore dhe këto janë vënë me ceremoni, kështu mendojmë të bëjmë edhe neve. Lutemi që kjo çështje të merret në studim dhe të mbrrihet po pati mundësi në atë që edhe neve të vëmë pllakën përkujtimore për Skënder-beun”.
Sa mirë do të qe të përfillej ky propozim, por shteti shqiptar i çdo ngjyre të jetë, nuk humbet rast pa dëshmuar se është një qenie administrative pa vullnet për të kryer punën e duhur në kohën e duhur.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 tetor 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com