Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

FESTIME TĖ 500 VJETORIT TĖ SKĖNDERBEUT NĖ TIRANĖ, POR PĖRSE U ZEMĖRUA AMBASADORI TURK
TIRANA POROSIT MISIONIN TONĖ NĖ NJU JORK: NĖ SALLĖN E OKB-sė MOS BĖNI ASNJĖ VEPRIMTARI PĖR SKĖNDERBEUN!
JANĖ AMERIKANĖT PAS AKTEVE TĖ TERRORIT?
DEKALOGU I MEHMET SHEHUT PĖR 500-VJETORIN E SKĖNDERBEUT
NJU JORK, FUNDI I VITEVE SHTATĖDHJETĖ, TAKIMET VERIFIKUESE ME ANTIKOMUNISTĖ JO TERRORISTĖ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NEXHMIJE HOXHA NDËRMJETËSE PËR MONUMENTIN E STALINIT. I SKËNDERBEUT PRET


(Shkrimi pesëdhjetë e një i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

(Botuar në “Illyria” në 28 shtator 2018)

Ardhja e skulptorit sovjetik Nikollaj Vasilieviç Tomskij në Tiranë kishte pasur një parathënie të vet shumë të hershme miqësimi me shqiptarët dhe sidomos me autoritetet e larta të vendit. Kësaj lidhjeje i qe bërë ndërmjetëse edhe bashkëshortja e numrit një të pushtetit, gruaja e hirshme në pamje, Nexhmije Hoxha. Ajo ishte zv.kryetare e Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-BRSS dhe qe fort e mobilizuar për festimet në vendin e saj të 70 vjetorit të lindjes së Stalinit.
Sekretar i Përgjithshëm i këtij Këshilli qe Nasho Nathanaili.
Kjo çudi miqësimi pak u shumë u zhvillua kështu.
Pasi në 4 prill 1949, i pranishëm në Moskë në krye të një delegacioni të lartë qeveritar, ku nuk mungonte edhe Nexhmija, Enver Hoxha i kërkoi qeverisë sovjetike bërjen e në filmi për Skënderbeun, njëmbëdhjetë muaj më pas u shfaq kërkesa e dytë.
Në të vërtetë këtë datë ajo u përsërit me shkrim, sepse me gojë Nexhmije Hoxha ua kishte komunikuar autoriteteve sovjetike jo vetëm kur kishte qenë në Moskë me të shoqin, por edhe edhe në ditët e fillim vitit 1950, ndërsa bëri vizitën me kolegë dhe bashkëpunëtorë të saj të Shoqatës. Këtë të fundit e drejtonte Tuk Jakova, por ky pas pak muajsh, për ngathtësi në udhëheqje të saj, u hoq.
Sipas librit “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse” të historianëve Hamit Kaba dhe Ethem Çeku, dokumenti nr. 26, faqja 116, në 13 mars 1950 prej sekretarit të dytë të misionit të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, B. S. Sotin, drejt kryeqytetit të vet u nis një raport special. Ai përmbante thelbin e bisedës së tij me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Lidhjes Kulturore Shqiptaro-Sovjetike, Nasho Nathanaili, për bashkëpunim në marrjen e një pjese teatrore sovjetike, e cila duhej të vihej në skenë në Teatrin Kombëtar.
Por jo vetëm kaq.
Nga procesverbali i bisedës rezultonte se Tiranës i duhej patjetër edhe një monument për Stalinin, piedestalin e të cilit do ta ngrinin jo në një vend të zakonshëm të kryeqytetit shqiptar, por në bash të tij: sheshin qendror. Pikërisht atje ku në kohën e mbretit të dëbuar, Ahmet Zogu, qe projektuar të lartohej shtatorja e madhe mbi kal e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Stalinit të gjallë, tashmë mik i palëkundur i Enver Hoxhës, vërtet i lypej ta ndihmonte kryebolshevikun shqiptar në prodhimin e një filmi për heroin e madh kombëtar, por në këmbim të saj i jepej vendi i Skënderbeut në mes të Tiranës.
Nuk dimë sa ka ndikuar tek Josif Visianoroviçi kjo manovër e Hoxhës, sepse vetë nuk është shprehur në asnjë rast, por patjetër ka qenë një shtysë për t’u nisur përgatitja e filmit për Gjergj Kastriotin. Ajo nuk kishte dhënë asnjë shenjë të rëndësishme lëvizjeje para se në Moskë të mbërrinte ky raport i ambasadës sovjetike në Tiranë, i cili në thelb përsëriste kërkesën e njohur të Nexhmije Hoxhës.
Kështu “më jep një Skënderbe, të të jap një Stalin” nisi të bëhej stili i ri i komunikimit mes dy regjimeve dhe udhëheqësve të ngjashëm, parim që i pëlqente dhe i duhej Enver Hoxhës për qeverisjen e punëve të brendshme.
Ato çaste të ndarjes me Jugosllavinë dhe për rrjedhojë edhe të ashpërsimit më të madh me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky binom propagandistik Stalin-Skënderbe i duhej Hoxhës më shumë se kurrë.
Një raport i CIA-s këto kohë, i cili merrte në analizë vitin 1950, thoshte se deri në vjeshtë as që mund të mendohej realizimi i një rrëzimi konkret e të sigurt të regjimit të Tiranës. Në fund të fundit, gjykonin amerikanët e shërbimit të fshehtë, në rast se kjo i hipte në kokë Titos, i cili zotëronte një armatë, bashkë me refugjatë politikë antienveristë, në masën e 400 mijë të armatosurve mirë, duhej të llogariste një kundërpërgjigje të Bashkimit Sovjetik. Po qe se sulmi ndaj Shqipërisë bëhej dëshirë e grekëve, të cilët e kishin më të nevojshme një ndërhyrje për të prerë mundësinë e forcave të armatosura komuniste të vendit të tyre që strehoheshin në Shqipëri, sërish një llogaritje duhej ta bënin: ushtria e Tiranës mund t’u bënte ballë.
Ajo kishte afro 80.000 njerëz.
Gjithsesi, mëshonte analiza e CIA-s, brenda Shqipërisë kishte ende mjaft pakënaqësi dhe po ashtu persona kundërshtarë deri edhe brenda partisë së Hoxhës. Pra çështja e mundësisë së rrëzimit të atij regjimi e kishte akoma një shteg të çelur.
Uashingtoni mendonte se Bashkimi Sovjetik, duke e ditur që Shqipëria ishte e dobët dhe në momente tepër delikate, e kishte intensifikuar ndihmën për të, por edhe kontrollimin e saj. Ky vend i duhej Moskës si bazë kundër Titos dhe po ashtu si plastdarmë për të inkurajuar dhe nxitur guerriljet komuniste në Greqi.
Ja pse vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1949 drejt Tiranës qenë nisur njëri pas tjetrit 60 anije me 250.000 ton armatim, tanke dhe topa, por edhe pjesë avionësh, të cilët do të montoheshin sapo të mbërrinin.
Paralelisht Moska i kish dhënë vendit të vet satelit edhe furnizim me drith për gjashtë muaj që në treg të mos kishte mungesë buke.
CIA ishte e bindur se Moska e kontrollonte fort Shqipërinë nëpërmjet këshilltarëve të shumtë sovjetikë, por edhe jo pak bullgarëve. Këta qenë të shumëfuqishëm sidomos në Sigurimin e Shtetit dhe në Ushtri.
Thoshte në raportin e tij sekret për Moskën në 13 mars 1950 diplomati sovjetik Sotin: “1. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Lidhjes Kulturore të Shqipërisë me BRSS, Nasho Nathanaili, më kërkoi që ta ndihmoja nëpërmjet VOKS (Shoqata Pansovjetike e Lidhjeve Kulturore me Botën e Jashtme) t’i dërgohej drama “Zëri i Amerikës”, e cila tani shfaqet në skenat e teatrove të Moskës. Ai më njoftoi se Teatri Popullor i Shqipërisë e ka përfshirë në planin e këtij viti vënien në skenë të kësaj drame dhe se në muajin prill do të fillojë punën për realizimin e këtij projekti”.
Kjo pjesë dramatike ishte kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët në vitin 1947, kur sapo pati nisur dukshëm Lufta e Ftohtë, e ngritën këtë radiostacion, ku Bashkimi Sovjetik qe në shenjë të tij. Në një farë mënyre me dramën e shfaqur nëpër teatrot e Moskës BRSS po i përgjigjej këtij sulmi propagandistik.
Autor i saj ishte Boris Lavrenjov, shkrimtar por edhe korespodent lufte i Ushtrisë së Kuqe, krijues ideologjik dhe pa ndonjë nivel artistik të posaçëm. Kjo dramë kishte 4 akte dhe 6 tablo, vënia e saj në skenë po përhapej me shpejtësi edhe në qytete të tjera të Bashkimit Sovjetik.
Më tej Sotin në raportin e tij për eprorët vë në dukje: “2. Nathanaili na tha se Nexhmije Hoxha, gjatë kohës së qëndrimit të saj në Moskë, ka biseduar me shokun V. G. Jakovlev mbi synimin e qeverisë shqiptare për të vendosur në Tiranë një skulpturë të shokut Stalin dhe më kërkoi të ndihmoheshin shqiptarët në mundësinë e projektimit dhe realizimit të kësaj vepre monumentale. Duke iu referuar kësaj bisede, Nathanaili më kërkoi që nëpërmjet VOKS-it të sqaroheshin të dhënat orientuese mbi këtë skulpturë dhe, në veçanti, gjithçka mbi formën dhe përmasat e bazamentit, të cilin shqiptarët do të fillojnë menjëherë ta bëjnë, me qëllim që ngritja e të gjithë këtij monumenti të pëfundojë në datën 1 maj”.
Në dokumentin origjinal në fund të tekstit të kësaj pike thuhet se është pyetur Grogorian Jakovlev, zv.kryetar i Drejtorisë së VOKS, dhe se çfarë ai shkruan është si më poshtë:
“KQ të PKPS (b). Shokut V.G.Grigorian.
Ambasada e BRSS në Shqipëri njofton se shoqja Nexhmije Hoxha kërkon që të sqarohen në V. O. K. S. Të dhënat orientuese (përmasat, pesha etj), lidhur me vendosjen e skulpturës së shokut Stalin, të cilën miqtë shqiptarë e presin nga BRSS dhe të cilën ata mendojnë ta vendosin në Tiranë në datën 1 maj të këtij viti. Këto të dhëna fillestare shqiptarët i duan për sistemimin e bazamentit.
Siç u sqarua, shoku P. I. Lebedjev, i cili u ngarkua të plotësonte kërkesën e Enver Hoxhës lidhur me përgatitjen në BRSS të skulpturës, mori udhëzimin e qeverisë që të bëjë formalitetet e duhura për dorëzimin e kësaj vepre monumentale të shokut Stalin (skuptor Tomskij, bronx) nëpërmjet shitjes dhe jo dhuratë. Vlera e skulpturës është rreth 140 mijë rubla.
Tani për tani ky operacion nuk është realizuar dhe, me sa duket, shqiptarët nuk dinë asgjë për kushtet e marrjes dorëzim të skulpturës.
Pres udhëzimin në rast se duhet t’i trasmentoj shoqes Nexhmije Hoxha të dhënat që ka kërkuar, duke pasur parasysh, se, në përgjithësi, ende nuk është zgjidhur problemi mbi dorëzimin e skulpturës”.
Në raportin e ardhur nga Tirana, prej Sekretarit të Dytë të Ambasadës Sovjetike, autoritetet e larta moskovite kanë bërë edhe shënimin “Pjesa “Zëri i Amerikës” u dërgua”.
Ajo do të vihej në skenë në Teatrin Popullor gjatë vitit 1951 dhe disa aktorë shqiptarë të saj do ta referonin, edhe pas viteve nëntëdhjetë të rënies së diktaturës, nëpër biografitë e tyre artistike.
Ndërsa prodhimi i filmit për Skënderbeun ende nuk kish nisur dhe po ashtu akoma jo zgjidhur problemi i derdhjes në bronx të dy busteve të tij, çështja e shkëmbimit me Stalinin qe tërësisht në favor të këtij të fundit.
Në 18 dhjetor 1949 në një mbledhje të përbashkët të Byrosë Politike dhe Qeverisë qytetet naftëmbajtës së Kuçovës iu vu emri i kryebolshevikut sovjetik.
Në 8 nëntor 1951 kombinatit të tekstileve në Tiranë, dhuratë e BRSS, iu vu emri i Stalinit.
Ndërkohë që një mot më parë, në dhjetor 1950, Nexhmije Hoxha bënte kërkesë për 50 mijë tekste të mësimit të gjuhës ruse në shkollat shqiptare dhe këmbëngulte se Shoqata e Miqësisë që ajo drejtonte, i kish bërë gati dhuratat për ditëlindjen e Stalinit dhe po ashtu grumbulluar 600 mijë firmat e shqiptarëve, të cilët e uronin nga zemra udhëheqësin jo vetëm sovjetik, por edhe botëror të komunizmit.
Të gjitha këto do të bëheshin, siç edhe në 5 nëntor 1951 në sheshin qendror të Tiranës, në vendin e parashikuar për monumentin e Gjergj Kastriotit, do të ngrihej ai i Stalinit, punë e Nikollaj Vasilieviç Tomskit.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 25 shtator 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com