Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

FESTIME TĖ 500 VJETORIT TĖ SKĖNDERBEUT NĖ TIRANĖ, POR PĖRSE U ZEMĖRUA AMBASADORI TURK
TIRANA POROSIT MISIONIN TONĖ NĖ NJU JORK: NĖ SALLĖN E OKB-sė MOS BĖNI ASNJĖ VEPRIMTARI PĖR SKĖNDERBEUN!
JANĖ AMERIKANĖT PAS AKTEVE TĖ TERRORIT?
DEKALOGU I MEHMET SHEHUT PĖR 500-VJETORIN E SKĖNDERBEUT
NJU JORK, FUNDI I VITEVE SHTATĖDHJETĖ, TAKIMET VERIFIKUESE ME ANTIKOMUNISTĖ JO TERRORISTĖ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

VJEN SOVJETIKU NIKOLLAJ VASILIEVIÇ TOMSKIJ


(Shkrimi pesëdhjetë i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

(Botuar në “Illyria” në 21 shtator 2018?

Ndërsa gjatë vitit 1952 në Moskë dhe në Tiranë punohej për të mundësuar prodhimin e filmit për Skënderbeun shtabi anglo-amerikan me objektiv realizimin me sukses të operacionit “Valuable” (rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri dhe duke krijuar këtë pykëzim edhe depërtimin ushtarak për ta rënuar grehinën bolshevike në të tërë eurolindjen) ankohej se në Romë për operacionet ndaj Tiranës kishin të ngarkuar vetëm një specialist.
Por edhe ky punonte me orar të reduktuar, jo i shpërblyer me pagë të plotë.
Emri i tij i koduar qe GS-7.
Eprorëve u ishte kërkuar edhe caktimi i një të dyti shqipfolës në Romë.
Sipas raporteve të vetë CIA-s gjatë periudhës së vitit 1952 do të bëheshin përpjekje “për krijimin e “rrjeteve të rezidentëve” brenda Shqipërisë”. Ndërkohë me këtë rast vinin në vetëdukje se “pritshmëritë në lidhje me këto operacione nuk duhet të ekzagjerohen, pasi në këtë rast, ashtu si në raste të kaluara grupet nuk kanë bërë shumë përveçse të mbijetonin, duke dhënë disa kontakte periodike me anë të informatorëve të rastit”.
Gjatë motit 1952 u krye lokalizimi edhe rekrutimi i një agjenti shqiptar në Trieste “pasi ish-agjenti ynë atje emigroi dhe ndodhemi pa mbulim në këtë zonë”.
Gjatë vitit 1953 dhe në vijim, përfshi motet 1954, 1955 dhe 1956, u planifikua nga shtabi anglo-amerikan i “Valuable” për Shqipërinë, që të ngulej këmbë për bashkëpunimin me UDB-në jugosllave. “Nuk janë parashikuar misione të përbashkëta në Shqipëri me UDB, mendohej në CIA, Ndërkaq saktësohej: “Edhe sikur jugosllavët të lejonin pjesëmarrjen tonë, pasi fillimisht operacione të tilla do të kryhen fillimisht kundër Rumanisë e Bullgarisë, të cilat gjithashtu kanë kufij me Jugosllavinë”.
CIA ndërkohë theksonte se “Roli i luajtur nga Shqipëria në sferën sovjetike është kryesisht i parëndësishëm, kryesisht prej izolimit të saj gjeografik dhe mungesës së ligjeve tokësore me satelitët e tjerë”.
Por edhe theksonte: “Informacionet mbi qëllimet e mundshme sovjetike mund të përftohet nëse përfitojmë akses ndaj deshifrimeve të trafikut mes Tiranës e Moskës, apo kryeqyteteve satelite sovjetike, por siç shpjegohet më poshtë përpjekjet tona për dezertimin e dy diplomatëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e kodeve të deshifrimit, ishin të pasuksesshme. Prandaj ne jemi të kufizuar të vëzhgojmë sa mundemi në rast ndryshimet të rëndësisë strategjike të vendit, dhe në rast të tillë mund të lindin objektiva prioritare, kur dhe bëhet e nevojshme për ne të nisim operacione për t’i trajtuar”.
(Për operacionet e rekrutimit të dy diplomatëve shqiptarë, me qëllim që të merrej kodi i deshifrimit, autori i këtyre rradhëve ka shkruar më parë në dy të përditshme të Tiranës).
CIA gjatë vitit 1953, ndërsa më në fund operacioni “Valuable” ndodhej në dështim të plotë dhe as pati energji të zgjatej në motet 1954, 1955 apo edhe 1956, vinte re se “Spiunazhi shqiptar në Evropë po kryhet kryesisht me anë të legatave shqiptare në Romë e Paris”, aktivitetet e të cilave i gjykonin të parëndësishme për t’u eliminuar me ndonjë operacion të veçantë.
CIA shtonte: “Ndërsa një mbulim i mirë i aktiviteteve të legatës së Romës na jepet nga oficerët e ndërlidhjes normale në shërbimet italiane, me mirëkuptimin që edhe ne të ndajmë me ta informacione të ngjashme... Sa i përket aktiviteteve në Paris nuk kemi të njëjtin mbulim për arsye të këmbimeve të kufizuara mes pikës tonë në Paris dhe shërbimeve të inteligjencës Surete Generale atje”.
Ndërsa tabloja e ndeshjes agjenturore mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik (dhe vendeve të tij satelite në Europën Lindore) qe e tillë, në Tiranë (viti 1953) Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu vijuan strategjinë e spikatjes sa më të madhe të Skënderbeut, duke e vënë atë në shërbim propagandistik komunist antiperëndimor.
Ata të dy shkuan në studion e Janaq Paços, boceti i monumentit të Skënderbeut të të cilit në konkursin kombëtar pati fituar të drejtën të ripunohej, të derdhej në bronx dhe të vendosej në qytetin e Krujës.
Skulptorit i qe vënë në dispozicion një studio e madhe në mjediset e uzinës “Dinamo” në Tiranë.
Gjatë vizitës së tij Hoxha e pati këshilluar skulptorin që në procesin e ripunimit dhe të përsosjes së bocetit të njihej sa më shumë me krijimtarinë popullore për Gjergj Kastriotin, me të gjitha gojëdhënat për të, me gjithçka në folklor shqiptarët e thjeshtë i patën kushtuar heroit të tyre legjendar. Enver Hoxha, siç do të tregonte Janaq Paço më pas, qe mjaft këmbëngulës që tek monumenti i ardhshëm të shihej i mishëruar vetë koncepti i popullit për të, këndi i tij i vështrimit.
Ai gjithashtu i pati tërhequr vëmendjen skulptorit se duhej shfrytëzuar në përsosjen e figurës së Gjergj Kastriotit edhe mënyra se si e kishin interpretuar edhe autorë profesionistë. “Na duhet një figurë të afërt dhe të dashur për njerëzit tanë, trimin kordhëtar, simbolin e lirisë së popullit tonë”, tha ai.
Pas kësaj vizite Janaq Paço i shtoi ditët e qëndrimit në Krujë, por edhe në Bibliotekën Kombëtare. Shkoi deri edhe në Lumë, ku sipas piktorit dhe studiuesit Kujtim Buza “gjeti një malësor të gjatë, me trup të lidhur e fytyrë si kreshtat e maleve, i bukur e fisnik, me hundën zhgabë e sy si vetëtima. Ky portret të cilin e modeloi e ndihmoi shumë në punën e tij”.
Nga vizatimet e shumta të kuajve në lëvizje Janaq Paços i vlejti ai që thirrej nga të zotët me emrin “Ylli”. Ky, sipas Kujtim Buzës, “i ngjante kalit të heroit, plot elegancë dhe linja të qarta plastike, që zbulon hijshëm shpërthimin dinamik të kafshës”.
Kur puna krijuese e Janaq Paços qe në këtë fazë të vet, siç edhe e kishte shkruar në mesazhin e vet për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ambasadori ynë në Moskë Mihallaq Prifti, mbërriti në Durrës me vapor të nisur nga Odesa skulptori sovjetik që do të ndihmonte.
Ky nuk ishte një emër apo artist zyrtar i rëndomtë. Qe tepër i famshëm, më i miri i realizmit socialist sovjetik. Punë të tij qenë vendosur në disa prej kryeqyteteve të kampit socialist të kohës.
Madje një krijim i tij ishte vendosur në mes të Tiranës, në sheshin e tij qendror.
Ky qe Nikollaj Vasiljeviç Tomskij.
Monumenti i Stalinit, i cili qe vendosur në sheshin Skënderbej në fundnëntor 1951, atje ku shtatëmbëdhjetë mote më pas do të lartohej ai i Gjergj Kastriotit, ishte vepër e tij.
Në të vërtetë qe një kopje e asaj që ky skultor pati ekspozuar në Tashkent të Uzbekistanit dhe në Baku të Azerbajxhanit.
Tomkij ishte po ashtu në vitin 1950 autor i bustit të Stalinit në stacionin e metrosë moskovite Kurskaja (linja për Kolshevaja) si edhe i bustit tjetër, atij mbi varrin e kryebolshevikut sovjetik në Murin Nekropolis (varrezat e Kremlinit).
Ky ishte vendosur në 1953.
Monumenti i Tomskit për Stalinin në kryeqytetin shqiptar, kopje e atyre në BRSS (shtatoreve në Tashkent dhe në Baku), ishte një punë shumë e mirë artistikisht dhe jo vetëm në mjeshtërinë e derdhjes së tij në bronx, hollësi që do ta shpjegojmë më dukshëm në shkrimin e ardhshëm, kur të rrëfejmë heqjen e tij me vinç nga qendra e sheshit Skënderbej dhe vendosur pak më tej, në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Nikollaj Vasiljeviçi që erdhi në Shqipëri në mes të viteve pesëdhjetë, kur këtu ishte në ritëm të plotë ai i krijimit përfundimtar të monumentit të Skënderbeut për Krujën, por qe në proces fillimi edhe aksioni politik për ngritjen e një monumenti tjetër të tij në sheshin me emrin e vet në qendër të Tiranës, për çështjen e mishërimit artistik të heroit shqiptar vetëm do të jepte këshilla.
Nuk do të krijonte asgjë, edhe pse Enciklopedia Sovjetike e vitit 1958, duke paraqitur një monument të Skënderbeut në qendër të Tiranës, kur ky aspak nuk ekzistonte (sepse do të bëhej realitet një dekadë më vonë), pa i vënë një emër krijuesit të saj skulptor, përpiqet të manipulojë lexuesin se një shtatore e tillë e madhe kishte për autor dhe vend mbështetës Bashkimin Sovjetik.
Përserisa realisht për shqiptarët patën prodhuar një film përse nëpër botë të mos shpërndanin lajmin se qenë edhe prodhuesit e atij monumenti? Siç e kemi informuar lexuesin në shkrimet e mëparshme një kërkesë e tillë i qe drejtuar Moskës në mars 1954.
Sidoqoftë edhe pse pa e cituar tekstualisht emrin e tij, por megjithatë nënkuptuar, profesionalisht punimet skulturore të Nikollaj Tomskijt ishin me nivel shumë të lartë dhe larguar shumë nga prirja propagandistike, që ishte trysni e kohës dhe e metodës së realizmit socialist. Stalini i tij në Baku, Tashkent dhe Tiranë e kanë mishëruar artistikisht diktatorin sovjetik më të butë nga sa brutal qe, më të thellë në mendime nga sa të jepte përshtypjen kur e shihje realisht.
Tomskij në atdheun e vet, ku ndërroi jetë në vitin 1984, mbetet autori i spikatur edhe i shtatores së Leninit në stacionin hekurudhor të Shën Petërsburgut në Varshavë, hequr në 2001, në Sheshin Lenin (Leninplatz) të Berlinit Lindor, të hequr dhe të djegur në 1992. Po ashtu ai ka krijuar shtatore dhe buste të shkencëtarit Lomonosov, të shkrimtarit Gogol, të politikanit Kirov, të mareshallit Kotuzov apo të Ushtarit të Panjohur në Moskë.
Anëtar dhe më vonë kryetar i Akademisë së Arteve të Bashkimit Sovjetik, ai qe njëkohësisht edhe Hero i Punës Socialiste të BRSS, pesë herë fitues i çmimit “Stalin” (1941, 1947, 1949, 1950, 1952), fitues po ashtu i çmimit “Lenin” (1972), si edhe i mjaft urdhërave, përfshi edhe atë “Karl Marks”.
Ky kolos po vinte, si të qe një Akaki Horava tjetër, po jo i kinematografisë. Ishte i skulpturës sovjetike.
Si do të sillej në Tiranë dhe përse ndodhi që mes shtatoreve të Skënderbeut dhe të Stalinit tërë dekadës së viteve pesëdhjetë do të kryhej një rivalitet i fortë, patjetër edhe mjaft i çuditshëm?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 shtator 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com