Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KONFERENCA E PEZËS DHE ÇANTA E FRYRË E ENVER HOXHËS


Disa të dhëna ndryshe nga ato zyrtare.

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 17 shtator 2018)

Deri në konferencën e parë të PKSH-së, të mbajtur në Labinot nga 17 deri në 22 mars 1943, ku u zgjodh Komiteti Qendror i përhershëm dhe Enver Hoxha sekretar i përgjithshëm i tij, ai për shtatëmbëdhjetë muaj qe thjesht “një anëtar i Komitetit Qendror”. Ja pse thotë të vërtetën, pra jo si person që kishte përgjegjësinë e të parit të PKSH-së, kur në plenumin e dytë të mbajtur në Berat në fundnëntor 1944, deklaroi: “Unë s’isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do të delnin ato skena që dolën, do të delnin gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue nga një referat dhe nga një trakt dhe pastaj ikëm”.
Asnjë eksponent tjetër i Partisë Komuniste Shqiptare nuk ka bërë një deklaratë të tillë dekurajuese dhe çvlerësuese për këtë Konferencë si Enver Hoxha. Ky do të vepronte ndryshe duke filluar nga fundi i motit 1946: do ta rriste përherë e më shumë peshën politike të kësaj ngjarjeje dhe të rolit të parë të tij në të. Hoxha e lartonte veten për të ngritur Konferencën e Pezës dhe këtë të fundit reciprokisht për të gjigandizuar veten.

Kur shkoi në Pezë, dhjetë ditë pasaktësi

Tek “Kur dhashë besën”, botuar në 1987, Myslim Peza shkruan: “Më 1 shtator arritën delegatët e Dibrës e të Çermenikës. Nga Dibra erdhi Haxhi Lleshi, nga Martaneshi Baba Mustafa Xhani ose siç thirrej shkurt Baba Faja”. Pas disa radhëve ai vazhdon: “Mbas katër a pesë ditësh....Te qoshku i shtëpisë, nën degën e arrës, u ndodhëm në krahët e njëri-tjetrit me Enver Hoxhën. Ardhja e shokut Enver na gëzoi të gjithë jashtëzakonisht. Ai u dha një hov të ri punimeve të konferencës”.
Luftëtari e kaçaku i madh Peza, pa e përcaktuar drejt për së drejti datën konkrete (çfarë mund ta bënte, por është i detyruar t’i bëjë bisht), lë të nënkuptojë se Hoxha pati ardhur në vendngjarje rreth 5 shtatorit, pra pothuaj një dyzinë ditësh më përpara se konferenca të niste punimet.
Në librin “Jeta ime me Enverin” Nexhmije Hoxha thekson: “Dhjetëditëshin e parë të muajit shtator delegatët që do të përfaqësonin Partinë Komuniste, shkuan në Pezë. Ata ishin Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Koço Tashko, Ramadan Çitaku (Baca-kosovar), si edhe Mustafa Gjinishi...Për në Pezë u nis bashkë me shokët edhe Nako Spiru...Unë shkova në Pezë aty nga data 12 shtator”.
Edhe shoqja e tij e jetës dhe e luftës çlirimtare e di fare mirë kur Hoxha u shfaq në fshatin e kuvendit të bashkimit pluralist të shqiptarëve, por e ndërton frazën shpjeguese në mënyrën më ngatërrestare dhe shpërqëndruese për vëmendjen e lexuesit. Sigurisht edhe ajo është e shtrënguar që për këtë fakt të mos jetë e drejtpërdrejtë.
Në plenumin e dytë të KQ të PKSH në Berat Enver Hoxha pati pohuar për Miladinin: “Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më përpara”. Po ashtu: “Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë”. Më në fund thotë atë që në çështje të saktësimit të datave duhet të jetë e vërtetë, sepse mes pjesëtarëve të plenumit të Beratit ishin edhe shumica e shokëve që patën qenë të pranishëm në konferencën e para dy viteve dhe, po të ishte gënjeshtër çfarë po deklaronte, do ta kundërshtonin: “Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend ta vëmë këtë apo të mos ta vëmë. Pas një dite dolëm në Konferencë për të mbrojtur platformën tonë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.
Me autorësinë e tij Enver Hoxha pohon se për të marrë pjesë në atë konferencë të organizuar kryesisht prej Miladin Popoviçit, ai ka qenë aty në paraditen e 15 shtatorit.
Me pak fjalë, përveç dhjetë ditëve pasaktësi, nuk është aspak nga të parët. Jo vetëm me prani, por siç do ta shohim më pas, edhe me rol politik.

Pse konferencës nuk iu bë asnjë fotografi: qe konspiracion apo frikë reale për spiunim?

Në “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” Enver Hoxha shkruan se në çastin para fillimit të punimeve të konferencës pjesëmarrësit e ngritur në këmbë kënduan Himnin e Flamurit dhe pastaj u mbajt një minutë heshtje në kujtim të të rënëve në Luftën Antifashiste, “Në këto momente hyri në dhomë një partizan i Çetës së Pezës me një aparat fotografik për të bërë disa fotografi, por, me këmbënguljen e Ndoc Çobës, nuk u lejua të fotografoheshin pjesëmarrësit e Konferencës”.
Më pas ai nuk shpreh ndonjë dyshim dhe nuk bën posaçërisht ndonjë vërejtje rreth këtij gjesti, por gjithsesi jo më kot e vë në dukje. Nuk i ka pëlqyer. Këtë humor të prishur ne e gjejmë më të shprehur tek Myslim Peza. Në “Kur dhashë besën” ai shkruan: “Diskutimet se kush do ta udhëhiqte luftës u banë çorap. Nacionalistët filluan të bajnë teori e politikë të madhe me aleatë e stëraleatë. M’u duk se po lodheshim kot. Propozova të banim pushim. Dolëm jashtë. Në atë kohë shokët tanë të çetës deshën të na banin nji fotografi, po delegatët “nacionalistë” patën frikë e u la kjo punë. Kështu mbetëm pa fotografi”.
(Nexhmije Xhunglini në librin “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, e përshkruan këtë pushim, por nuk flet për ndonjë përpjekje të tillë fotografimi).
Vëmendja për t’i fiksuar në celuloid dhe me këtë rast historiografia kombëtare do të kishte një dokument më të gjallë për Konferencën e Pezës, pa e saktësuar nëse kjo ndodhi në çastet e paranisjes së punimeve apo gjatë pushimit të parë (ose në të dyja bashkë), të bën të mendosh se përreth ngjarjes vërtitej shumë dyshim për sigurinë fizike të pjesëmarrësve. Patjetër rreth e rrotull kishte shumë informatorë të italianëve. Myslim Peza dhe çeta e tij përgjohej.
Ndoshta nacionalistët kundërkomunistë, mes të cilëve një pjesë ndodheshin me punë të ndryshme më afër autoriteteve të pushtimit, e njihnin këtë fakt edhe më mirë se njerëzit e PKSH-së ose, në mos merrnin të dhëna nga ky burim, dinin diçka rreth metodës së punës së bolshevikëve. Koço Tashko në një letër të tij për Kominternin, të hartuar por të padërguar, referuar pikërisht kësaj konference, pati shkruar se “Kur raportet vinin nga shokë që Miladini nuk i kishte në sy të mirë, p.sh., raport të atyre që ishin ngarkuar me punë me nacionalistët, këto raporte mbaheshin në arkiva të ekspozuara, e si rezultat ato ranë në duart e policisë... dhe disa nacionalistë u internuan dhe të tjerë u burgosën”, siç ndodhi me figura kryesore të zgjedhura në Konferencën e Pezës e të tjerë”.


Enigma e çantës së fryrë të Enver Hoxhës

Edhe pse bën dinakërinë e tij të thënies së gjysmë të vërtetave tek “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, atmosferën e fshehtësisë së lartë Enver Hoxha e përshkruan edhe kur, pas përfundimit të konferencës, u duhej të largoheshin: “Ndërkaq unë me disa shokë pasi mbaruam punët që kishim, vendosëm të ktheheshim në Tiranë. Udhëtimi duhej bërë në mënyrë tepër konspirative, sepse dyshohej se armiku mund të kishte marrë vesh për mbledhjen dhe të kishte forcuar kontrollin...Babë Myslimi na premtoi se do të na gjente një makinë me një shok të sigurt, i cili kishte kryer misione të tilla edhe më parë, sidomos në periudhën e përgatitjeve për Konferencën e Pezës. Ky ishte një shofer i lidhur ngushtë me Partinë e me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që më duket se e thërritnin Meti [Muhamet Qoli].
Një ose dy ditë më pas, aty nga dreka, Meti erdhi me një “Mileçento”, që ia kishte marrë borxh një miku të tij, dhe, pasdite, u nisëm për në Tiranë së bashku me Y. Dishnicën e M. Gjinishin. Të tre ishim veshur si “intelektualë”. Unë kisha vënë edhe një palë syze dielli të errëta. Në brez, nën jelek mbaja nagantin, kurse në çantë kisha futur një “njëzetëshe”. (Tek libri i tij “Kur dhashë besën” Myslim Peza këtë çast e përshkruan kështu: “Enver Hoxha u përqafua me ne, veshi xhaketën e kostumit gri, vuri kastetën e zyzet e errëta dhe na përshëndeti me grusht. Ai eci drejt veturës me një çantë të zezë në dorë ku mbante dokumentet, “njëzetëshen” dhe bombat e dorës. Në brez ai mbante të fshehur edhe një nagant”).
Kuptohet që një çantë e tillë, siç e tregon luftëtari Peza, duhej të qe me volum të madh dhe tepër e dukshme, për këtë arsye edhe tepër e dyshueshme në rastin e një kontrolli policor apo ushtarak.
Por e lëmë një çast mënjanë çatën e zezë të shumëfryrë të Enver Hoxhës dhe i rikthehemi rrëfimit të tij: “Në makinë, siç thashë, kishim edhe nja dy thasë me materiale, trakte dhe Rezolucionin e Konferencës.
Rrugën nga Peza deri në hyrje të Tiranës e kaluam pa incidente, por tamam kur kaluam postbllokun e menduam se s\'kishte më rrezik, Tafari (Pseudonimi i Mustafa Gjinishit.), pa u konsultuar fare me ne, i thotë shoferit:
- Ktheje andej!
- Për ku? - e pyeta i habitur. - Do të na çosh tek italianët si cjapin te kasapi? - dhe i tregova me gisht kazermat që ngriheshin afër atij vendi ku atij i shkrepi të futnim makinën.
- Kazermat janë larg, - m\'u përgjigj qetë-qetë, - kurse fare afër prej këtej është hani i një mikut tim. Thasët me dokumente do t\'i lëmë atje që në qytet të hyjmë pa asgjë të rrezikshme!
Nuk arrita dot t\'i kundërshtoja, sepse makina frenoi para njëfarë hani të qelbur e thuajse të shkatërruar. S\'mbetej tjetër veç të zbritnim me shpejtësi, i fshehëm thasët në një qoshe të hanit dhe u futëm në makinë.
Me sa duket qëndrimi ynë prej disa minutash aty tërhoqi vëmendjen e ushtarëve e të milicëve që s\'ndodheshin larg dhe, kur ne u nisëm në drejtim të rrugës së Kavajës (sot “Konferenca e Pezës”), dy-tre karabinierë na bëjnë shenjë me dorë që të ndalojmë”.

Kur Enver Hoxha iku nga Peza, ditë të tjera paqartësi

Hoxha saktëson ditën e kësaj ndodhie: “Ishte ditë e shtunë dhe këtë ditë fashistët italianë e festonin; ushtarët e sidomos oficerët dilnin në qytet e kalonin kohën nëpër kafene e restorante”.
Prej kësaj hollësie ne mund të nxjerrim datën që rrëfyesi nënkupton. Mbështetur tek shprehja “një apo dy ditë më pas”, me një llogaritje të parë, duke qenë se kur filloi konferenca, në 16 shtator, qe e mërkurë, e shtuna e nënkuptuar me episodin e mësipërm është 19 shtatori.
Le të ndjekim tani ciklin e tregimit me gjysmë të vërtetat e Enver Hoxhës: “Për shkak të lëvizjes së madhe në rrugë ne manovronim me vështirësi. Ndërkohë vumë re që dy motoçikleta na ìshin vënë prapa. Por Meti nuk ndali dhe me shkathtësi diti t\'u humbiste atyre nga sytë. Kështu i shpëtuam edhe këtë herë rrezïkut të madh dhe arritëm te Kodra e Kuqe.
Të tërbuar që s\'na kapën dot, fashistët ishin kthyer në palo hanin e Gjinishit, kontrolluan dhe i gjithë materiali që sollëm nga Peza (Rezolucioni dhe traktet) ra në duart e tyre...Më vonë mësuam se edhe Nako Spiru me dy shokë të tjerë, pasi ishin larguar nga Peza dhe shkonin në drejtim të Durrësit, ishin ndeshur në Ndroq me patrulla të armikut dhe ishin arrestuar. Me sa më kujtohet, Nakoja ndenji pak kohë në burg, sepse mundi të arratisej që andej”.
Por Nexhmije Hoxha në kujtimet e veta nuk flet për ndonjë ndërlikim apo rrezikim të fatit të shefit të saj politik dhe njëkohësisht të përzgjedhurit të zemrës. Po ta kishte përjetuar këtë moment si kërcënim apo edhe vetëm dëgjuar si të tillë, ajo nuk do ta anashkalonte në rrëfimet e saj. Ka të ngjarë që Enver Hoxha e zmadhon rrezikun a ndoshta episodin e tregon për të djallëzuar imazhin e Mustafa Gjinishit. (Po ashtu Xhunglini nuk tregon se kur dhe në çfarë rrethana edhe ajo vetë u largua nga Peza, duke u kthyer në Tiranë).
Tek “Kur dhashë besën” Babë Myslimi, siç e kemi paraqitur edhe më parë, ka treguar se pas mbylljes së konferencës të parët ikën nacionalistët dhe se “Enver Hoxhën e përcolla vetë deri në Pezë të Vogël. Bashkë me të do të ktheheshin në Tiranë edhe komisari ynë që nuk rrinte në Pezë, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ishte e shtunë pasdite, 26 shtator. E mbaj mend mirë këtë datë, sepse mbas dy ditëve, më 28, të hënën në mëngjes, na ranë fashistët”.
Pra paska qenë e shtuna tjetër! Hoxha është larguar nga Peza dhjetë ditë pas përfundimit të punimeve të konferencës! Ja pse ai këtë hollësi e shmang nga kujtimet e tij dhe i ndërton frazat në një mënyrë të tillë që të lërë të lexuesit përshtypjen se nga Peza ka ikur pa u vonuar.
Mirëpo dhjetë ditë qëndrim aty ku ka ndodhur ngjarja e rrezikshme për autoritetet e pushtimit, dëshmon se italianët, që e dinin çfarë pati ndodhur, nuk dëshmonin ndonjë mobilizim të veçantë për ta kapur Enverin. Në fund të fundit ai ende nuk qe shefi i komunistëve. Duke u bazuar në procesverbalin origjinal të konferencës, të mbajtur prej Nexhmije Xhunglinit, ai e ka marrë fjalën dhe mbajtur referatin i trembëdhjeti në rradhë.

Dhjetë ditë më pas avionë bombardues mbi Pezë

Babë Myslimi tek “Kur dhashë besën” ka paraqitur shumë hollësi rreth gjendjes së pas konferencës. Shoferi i “Millecento”-s që solli në Tiranë Enver Hoxhën, Ymer Dishnicën dhe Mustafa Gjinishin, karabinierët italianë e arrestuan të nesërmen, në 27 shtator. I kishin mbajtur shënim targën e makinës që një ditë më parë. Dhe e mbajtën në burg për një vit të tërë.
Sipas Myslim Pezës, një grup partizanësh prej njësive të tij, i zgjedhur prej vetë Nako Spirut, e patën shoqëruar këtë të fundit “deri në Ndroq dhe qenë kthyer me kohë. Në fakt Nakoja kishte rënë në duart e karabinierëve në të dalë të Ndroqit. U përpoq mjaft njësiti gueril i Durrësit për ta nxjerrë Nakon nga kuestura, por nuk ja dolën dot. E rregulloi i jati masandaj, ishte tregtar i madh, i bleu rojat me pare, dhe Nakoja u arratis nga çatia e kuesturës”.
Në 28 shtator nisi sulmi masiv ushtarak italian kundër Pezës. Duke pohuar tërthorazi kur në të vërtetë është larguar nga Peza, Enver Hoxha tregon: “Dy-tri ditë pas largimit tonë nga Peza, italianët dhe forcat e qeverisë kuislinge filluan operacionin ndëshkimor në këtë zonë. Fashistët, që tashmë kishin mësuar mbi mbledhjen e mbajtur atje, dhe duke e kuptuar rrezikun e një baze të tillë të Luftës Nacionalçlirimtare pranë Tiranës, kishin vendosur ta spastronin Pezën nga partizanët dhe simpatizantët e lëvizjes. 3000 forca italiane e kuislinge formuan një darë të fortë dhe u sulën mbi Pezë”.
Sipas kronikave të kohës sulmuesit përdorën deri edhe avionë bombardues. Këta goditën mbi çati edhe shtëpinë ku u mbajt konferenca, duke e djegur.

Ylli Polovina

Tiranë, më 4 shtator 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com