|
SOVJETIKË TË DASHUR, NA BËNI EDHE MONUMENTIN E SKËNDERBEUT!
(Shkrimi dyzetë e tetë i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)
(Botuar në “Illyria” në 7 shtator 2018)
Në 4 prill 1949 Enver Hoxha që nga Moska, ku ishte në krye të një delegacioni të lartë të vendit të vet, i dërgoi në frëngjisht qeverisë sovjetike kërkesën që të mund kinostudio e BRSS të prodhonte një film për Skënderbeun. Siç lexuesi e di, ai u krijua dhe u shfaq, madje fitoi edhe një çmim ndërkombëtar.
Në vijim të kësaj ngjarjeje do t’u ofrojmë edhe një zhvillim tjetër interesant në raportet e atëhershme kulturore dhe politike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Por na duhet të bëjmë një saktësim: kur u kërkua dhe nisën përgatitjet për xhirimin e filmit për Gjergj Kastriotin ishte gjallë Stalini, kur ndodhi ajo që do t’ju rrëfejmë më pas, ai që prej marsit 1953 nuk ishte më mes të gjallëve.
Historia e kërkesës pranë sovjetikëve që ta ndihmonin Tiranën për një monument në bronx (në dy kopje) të Skënderbeut, nisi në vjeshtën e vonë të motit 1953. Por për ta kuptuar sa më mirë atmosferën kur kjo ngjau, një vështrim i shpejtë mbi gjendjen politike të Shqipërisë gjatë vitit 1953, mot ku ndaj saj dhe regjimit stalinist në vend u mbyll i dështuar operacioni i fshehtë anglo-amerikan “Valuable”, do të na ndihmonte jo pak.
Në 21 shkurt 1953 Këshilli i Ministrave përpiloi një udhëzim “mbi spastrimin e aparateve shtetërore dhe ekonomike, nga elementët e padëshirueshëm dhe armiq”. Pati me këtë rast edhe një diskutim shumë miratues të materialit të paraqitur: spastrimi të mos vonohej.
Dy javë më pas, 6 mars, qeveria bashkë me Komitetin Qendror të PPSH si edhe me Presidiumin e Kuvendit Popullor, mbajtën një mbledhje të përbashkët me rastin e vdekjes së Josif Visarionoviç Stalinit.
Në 6 tetor 1953 Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim një relacion interpretues të Ministrisë së Punëve të Jashtme mbi një vendim të saj dhe të një dekreti të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për ndalimin e martesës së shqiptarëve me shtetas të huaj.
Po këtë kohë qeveria mori aprovoi një projektdekret mbi dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë çamëve që deri ato çaste banonin në Republikën Popullore të Shqipërisë.
Vjeshta 1953 regjistroi në tematikën e mbledhjeve qeveritare edhe gjestin e një letre falenderimi drejtuar Qeverisë Sovjetike nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, Enver Hoxha, për dy automobilat \"Zis\" dhe \"Zim\", dërguar prej Moskës si dhuratë.
Tashmë Kombinati i Tekstileve “Stalin” në Tiranë pati nisur punën dhe qeverisë shqiptare i ra detyra në 20 tetor të caktonte edhe çmimet e metrazheve të pambukta që ai prodhonte. Një javë më vonë, në 27 tetor 1953, mbledhja e Këshillit të Ministrave pati për objekt propozimin, të cilin e miratoi, për dëmshpërblimin në masën 150.000 lekë të fshatarit Llesh Ndreca, nga katundi i vjetër Rubik, “për shtëpinë e djegur në përpjekje me kriminelët”.
Në 10 nëntor qeveria nxorri një dekret të saj për gradimin e Beqir Ballukut \"Gjeneral-leitnant\", emërimin e Teki Kolanecit si nënministër i Punëve të Brendshme, të Petrit Dumes si shef shtatmadhërisë të Ministrisë Mbrojtjes Popullore dhe të Shahin Rukës si këshilltar i përfaqësisë së RPSH pranë Byrosë së Këshillit Ekonomik në Moskë.
Në 24 nëntor 1953 qeveria miratoi një relacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, hartuar mbi bazën e një vendimi të saj si edhe të një dekreti të Presidiumit të Kuvendit Popullor, “mbi pagimin në të holla të të burgosurve që punojnë dhe mbi llogaritjen e punës për zbritjen e afatit të
dënimit”.
Në 8 dhjetor kabineti qeveritar mori në shqyrtim çfarë qe biseduar në takimet e Komisionit Miks Shqiptaro-Jugosllav, në lidhje me incidentet dhe piramidat në kufi.
Por moti 1953 ishte edhe ai i shumë mirëkuptimeve dhe i ndihmës kulturore të Bashkimit Sovjetik për Shqipërinë, jo vetëm në xhirimin e filmit \"Skënderbeu\", por edhe shprehja e mirënjohjes së Tiranës ndaj Ministrisë së Kinematografisë të Bashkimit Sovjetik për prodhimin prej saj të filmit dokumentar \"Shqipëria\". Nuk mungoi me këtë rast nisma e qeverisë Hoxha për bashkëpunim me Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Komitetin e Arteve e të Kulturës, mbi dekorimin e kineastëve sovjetikë e shqiptarë që xhiruan këtë film dokumentar. Po ashtu ka një letër të Enver Hoxhës, në dy variante, shqip dhe rusisht, dërguar ministrit të Kinematografisë së BRSS-së, me të cilën “i shprehte mirënjohjen e thellë për realizimin e dokumentarit me ngjyra \"Shqipëria\" prej regjizorit I.Kopalin”.
Ndërkaq u muar vendim për dekorimin edhe të disa artistëve sovjetikë e shqiptarë, të cilët punonin në Teatrin Popullor dhe në Filarmoninë e Shtetit.
1953 qe viti edhe i projektkontratës së qeverisë shqiptare me Sovekoportfilmin për filmin e Gjergj Kastriotit, si edhe e një vendimi të saj “mbi parashikim fondesh për filmin me ngjyra të Skënderbeut”.
Ky vit, 1953, sidomos në muajt mbyllës të tij, e nxiti qeverinë Hoxha për të sipërmarrë masa të shumta mbi shpalljen dhe zhvillimin e konkurseve artistikë “për nder të 10 vjetorit të çlirimit dhe për himnin e Republikës Popullore të Shqipërisë”.
Jubileu do të ishte në 29 nëntorin e motit pasardhës, 1954.
Pikërisht në stinën e mbylljes së motit 1953 në arkivin e Këshillit të Ministrave të vendit tonë gjendet edhe materiali dokumentar: “Informacion mbi derdhjen në bronx të monumentit të Skënderbeut”.
Në 5 janar 1954, në orën 17.00, Ambasadës Shqiptare në Moskë iu dërgua ky mesazh i shifruar: “Shoku Bedri Spahiu lutet të njoftohet shoku Gogo Nushi se ambasada jonë aty ka njoftuar që qeveria sovjetike pranon derdhjen e monumentit të Skënderbeut në dy kopje prej bronxi. Për këtë i ka dhënë udhëzime përfaqësisë tregtare në Tiranë. Ambasada Sovjetike këtu si edhe përfaqësia tregtare nuk janë njoftuar nga qeveria e tyre, pasi çështja po vendoset të bisedohet me Goroshinovin...”
Në 12 janar nga Moska mbërriti në Tiranë, nisur prej ambasadorit Mihal Prifti në adresë të Bedri Spahiut, ky fonogram: “Njoftoni shokun Bedri se Goroshinovi na informon se për monumentin e Skënderbeut përfaqësia tregtare Tiranë ka njoftim nga Mjezhdunarodnaja Knjiga se mund të kushtojë rreth 600 mijë rubla copa. Mendojmë të shtyhet porosia e tij më vonë, kur gjendja financiare të na lejojë”.
Është një shënim kalimtar i Behar Shtyllës, i cili ruhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, i cili e kthjellon sadopak këtë çështje. Në të me kaligrafinë e vetë Shtyllës bëhet e ditur se “shoku Bedri Spahiu duhet të njoftohet se qeveria sovjetike e ka miratuar derdhjen në bronx të dy kopjeve të monumentit të Skënderbeut. Ndërkohë pyet se sa kushton realisht kjo punë dhe se kur mund të përfundojë”. Behar shtylla sqaron: “Inagurimi i monumentit parashikohet të bëhet më 29 nëntor të këtij viti”. Pra 1954, 10-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë italianë dhe gjermanë.
Në 21 janar Nesti Nase udhëzon që për monumentin e Skënderbeut të ngrihet aty komisioni i kërkuar ta studjojë atë. “Njoftomëni, vijon mesazhin e tij, në se paraqitet nevoja të vijë skulptori Janaq Paço në Moskë. T’i dërgohen vërejtjet komisionit mbi monumentin si edhe fotografinë. Monumenti do të derdhet me çmimin që propozohet, por duhet të pritet autorizimi i Ministrisë së Arsimit para se të derdhet”.
Më 15 shkurt 1954 nga Ambasada Shqiptare në Moskë drejt Tiranës u nis fonogrami me fjalët: “Rreth monumentit të Skënderbeut nuk jemi fare në korent, nuk dimë çéshtjen ky komision që duhet ngritur, pranë cilit institucion ndodhet, kush duhet të marrë pjesë në të e ç’detyra ka. Siç dihet, kjo çështje është trajtuar gjer tani nga organet përkatëse aty drejt për së drejt dhe jemi të mendimit të vazhdojë të trajtohet andej. Në rast se duhet ta trajtojmë ne, për këtë na jepni udhëzime të hollësishme e konkrete si të veprojmë dhe me kë të marrin kontakt”.
Pas kësaj korespodence të ngutshme vijon një pauzë e gjatë, tre mujore, dhe më në fund në 25 maj 1954 ambasadori Mihal Prifti që nga Moska i dërgoi një telegram Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: “Në notën 130 datë 27 maj (kjo datë duhet të jetë bërë gabim gjatë deshifrimit, ka të ngjarë realisht të jetë 17 maj-shënimi ynë), i është kërkuar qeverisë sovjetike dërgimi i një skulptori për monumentin e Skënderbeut pa përmendur mënyrën e pagimit dhe kohën e qëndrimit të tij. M.Kulturës e BS don të dijë për sa kohë kërkohet. Nga koha e dhënies gjegje për sa sipër varet nisja e tij. Njoftonani urgjentisht. Lutemi të kihet parasysh për herë të tjera që çdo kërkesë për dërgim specialistësh të shoqërohet edhe me njoftimin e plotë mbi konditat e pagimit dhe afatin e qëndrimit”.
Në 4 qershor Mihal Prifti i ankohet Tiranës që për çështjen e skuptorit, edhe pse u janë dërguar nga ambasada në Moskë tre radiograme për të marrë një përgjigje, kjo ende nuk ka mbërritur.
Të nesërmen, në 5 qershor, në tryezën e ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme u vendos ky fonogram i porsa deshifruar: “Çështja e skulptorit ka qenë trajtuar ndërmjet Ministrisë Arsimit-Kulturës këtu dhe Ambasadës Sovjetike dhe pala sovjetike është njoftuar që në muajin shkurt. Ndërhyni që skulptori të niset sa më shpejt se puna nuk pret. Të gjitha shpenzimet i heq pala jonë dhe do të qëndrojë këtu deri katër muaj. Vini në dukje se pa ardhjen e shpejtë të skulptorit për të bërë vërejtjet e monumentit nuk mund të fillohet derdhja në bronx. Presim gjegje.”
Në 11 qershor Mihal Prifti nxit Tiranën: “Njoftoni a u nis skulptori për monumentin e Skënderbeut mbasi pritet me urgjencë”.
Pasi iu kthye përgjigja për veprimin e mëpastajmë, nga ambasada në 15 qershor 1954 Mihal Prifti nisi fonogramin: “Skulptori po bëhet gati për t’u nisur sa më parë”.
Pas tre ditësh, në 18 qershor, ambasadori Prifti i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: “Skulptori për monumentin e Skënderbeut u caktua. Mund të niset me vaporin e datës 24. Bëni përgatitjet e nevojshme. Do të njoftojmë nisjen”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 5 shtator 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|