Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SOFJE, DHJETOR 1949. ZBULOHET NJË POEMË E MADHE PËR SKËNDERBEUN


(Shkrimi dyzetë e shtatë i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

(Botuar në “Illyria” në 29 gusht 2018)

Siç edhe në shkrimin e mëparshëm vumë në dukje në 4 janar 1950 drejtori i Shtëpisë Botonjëse Shtetërore Juridike të Bashkimit Sovjetik i dërgonte një letër Universitetit Shtetëror të Moskës si edhe Dekanatit të Fakultetit Juridik, në të cilën i komunikonte se ajo po ja kthente dorëshkrimin “Zhvillimi i shtetit shqiptar” studentit Jusuf Alibali së bashku me reçensionin e bërë prej Docentit Z.M.Çernillovski, duke propozuar ripunimin e tij tërësor.
Po ashtu spikatëm që edhe më parë nga kjo ngjarje, për më shumë se një vit, midis Legatës Shqiptare në Moskë dhe Degës së Shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, gjallëroi jo pak nervoz një debat mbi përbërjen e ushtrisë së Skënderbeut, çështja a ishte apo jo gabim politik të shkruhej se ajo përbëhej më së shumti nga fshatarë të lirë dhe kryesisht barinj.
Ndërsa në Moskë qe e dukshme një prirje për ta komunistizuar e madje krishtëruar sipas fesë ortodokse dhe njëkohësisht sllavizuar kryeheroin shqiptar, në kryeqytetin bullgar ndihet një atmosferë më të çliruar nga përpjekje të tilla.
Një vit më vonë nga polemika e nxehtë në kryeqytetin sovjetik, në 10 janar 1951, nga Legata Shqiptare në Sofje u nis drejt Tiranës, Degës së Shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një letër e Ministrit Fuqiplotë Vasil Konomi.
Në të thuhej: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë një album ku është fotokopje e poemës “Skanderbeg” nga poeti bullgar Grigor Perliçev, shkruar 90 vjetë më parë në gjuhën greke”.
Më tej: “Albumi ju dorëzua titullarit në një darkë të organizuar posaçërisht nga Komiteti Bullgaro-Shqiptar si dhuratë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë”.
Vazhdon lajmi befasues: “Së bashku me albumin është edhe një libër rumanisht mbi Skënderbeun, të cilin e dhuron Prof. Trajkov për Bibliotekën Kombëtare”.
Pastaj: “Materiali në fjalë lutemi t’i përcillet Bibliotekës Kombëtare aty”.
Më 9 shkurt Dega Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, firmosur nga nënministri Mihal Prifti, i dërgonte në Tiranë Institutit të Shkencave këtë letër: “Me këtë shkresë po ju përcjellim një album me fotokopinë e një poeme mbi Skënderbeun të shkruar nga poeti bullgar Grigor Perliçev në 1861. Poema është shkruar në gjuhën greqisht dhe është pranuar në një konkurs letrar në Athinë. Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën shtetërore “Vasil Kolarov” në Sofje dhe një fotokopi është punuar nga biblioteka në fjalë me shpenzimet e Komitetit të Shkencës, Artit dhe Kulturës. Albumi përmban 116 faqe (dorëshkrim në rreth 30 vargje secila)”.
Pasi i thuhej se prej kujt dhurohej, bëhej propozimi që të falënderohej Këshilli Nacional i Frontit dhe Komiteti Bullgaro-Shqiptar
Në 20 shkurt 1951 Legata Shqiptare në Sofje me firmë tashmë të të Ngarkuarit me Punë Musin Kroi, i dërgoi Degës së Shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme mesazhin tjetër: “Bashkëngjitur ju dërgojmë një relacion mbi poetin Grigor Perliçev që ka shkruar poemën “Skanderbeg”.
Nga zbulimi i papritur i një poeme të panjohur rreth Gjergj Kastriotit, lajm i gjykuar në Tiranë si marramëndës, që të linte pa fjalë, shkresa e re informative e plotësonte edhe më me detaje ngjarjen e jashtëzakonshme.
Tashmë ishte e qartë edhe kur kishte ndodhur ajo: në fund të dhjetorit 1950.
Thuhej në mesazhin e dërguar prej përfaqësisë tonë diplomatike në kryeqytetin bullgar: “Në 27.12.1950 në një darkë të shtruar posaçërisht nga ana e Komitetit Bullgaro-Shqiptar në Sofje, iu dorëzua ish-titullarit të RP të Shqipërisë në Sofje, sh. Vasil Konomi, fotokopja e poemës “Skanderbeg” shkruar nga poeti Grigor Perliçev në gjuhën greke. Fotokopja e poemës i dhurohet si shenjë miqësie midis dy popujve, nga ana e Komitetit Nacional të Frontit Patriotik dhe Komitetit Bullgaro-Shqiptar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Në darkën ku u bë dorëzimi një anëtar i Komitetit bullgaro-shqiptar, Prof. Trajkov (i cili është marrë me shkrimet e Perliçevit), foli shkurtër për jetën e poetit dhe mbi poemën e tij “Skanderbeg”.
Reagimi i Tiranës do të vinte në 13 mars 1951 dhe qe firmosur nga nënministri i Punëve të Jashtme Koço Tashko. Ai i konfirmonte Legatës Shqiptare në Sofje marrjen e materialit të dërguar dhe shtonte: “Me këtë rast bashkëngjitur ju dërgojmë dy letra në gjuhën frëngjisht me anë të të cilave Instituti i Shkencave të Shqipërisë falënderon Këshillin Nacional të Frontit Patriotik si edhe Komitetin Bullgaro-Shqiptar të Sofjes, për dhuratën e çmuar që i kanë dërguar Bibliotekës Kombëtare, për t’i dorëzuar institucionave përkatëse”.
Ndërkaq në relacionin e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Sofje të 20 shkurtit vihej në dukje se “Legata me qëllim që të ndihmojë Institutin që do merret me studimin e poemës, për të pasur një ide mbi poetin dhe poemën, iu lut Komitetit Bullgaro-Shqiptar që t’i jepte materialin e nevojshëm. Këto ditë, anëtari i Komitetit Bullgaro-Shqiptar Pavel Deliradev, na dha materialin që po radhitim më poshtë”.
Ms të tjerash në jetëshkrimin e Grigor Stavrev Perliçevit thuhej se ai pati lindur në 1830 në Ohër në një familje të varfër bullgare dhe se qysh në vitet e fëmijërisë mbeti jetim, duke e rritur i gjyshi. Kujdes të madh për të kishte dëshmuar e jëma, e cila vlerësohej si një grua trime.
Sipas relacionit, pra Pavel Deliradevit, Perliçevi ishte i dobët, i sëmurë, dritëshkurtër, por edhe lexues i apasionuar qysh në fëmijërinë e vet. Saktësohej se duke qenë që në territorin maqedonas ku banonte, nuk ishte çelur asnjë shkollë në këtë gjuhë, ai mësoi në greqisht. Shkruhej ndërkohë se poetit “varfëria nuk i qe ndarë gjer në varr”.
Po përse ndodhte ky zbulim i vonë, gati një shekullor, i kësaj poeme? Përgjigja vjen e thjeshtë: sepse ajo nuk qe botuar kurrë.
Për rrjedhojë nuk kishte luajtur asnjë rol shoqëror e publik, politik apo kulturor në luftën e popullit maqedonas dhe atij bullgar, në Ballkan dhe në trojet shqiptare për çlirimin nga pushtimi i gjatë osman.
Duke mos u botuar dhe përhapur në misionin për të cilin prej autorit ishte ngarkuar, ajo u harrua në një kënd arkivor të kryeqytetit bullgar. Gjithsesi ishte gjest fisnik ai i palës vendase, e cila po ja dorëzonte Tiranës që sa më shpejt poema t’i bëhej e ditur popullit shqiptar. Në fund të fundit më mirë vonë se kurrë. Nuk luajti rol në luftën konkrete çlirimtare, por tashmë kishte plot hapësirë të ndikonte në edukimin e brezave të rinj të shqiptarëve.
Por a e dini çfarë ndodhi? Poema “Skanderbeg” e Perliçevit nuk u përkthye dhe as u botua e plotë.
Në Tiranë çuditërisht u kujdesën përgjysmë.
Sado shkurtër po e rrëfejmë këtë sjellje.
Qarqet shkencore shqiptare realisht dëshmuan interes dhe vëmendje. Emrat e kësaj përpjekjeje të nderuar fillimisht qenë Spiro Çomora, Androkli Kostallari, Koço Bihiku, Petraq Pepo e të tjerë. Por kjo ndodhi vetëm nëpër kumtesa dhe konferenca dijetarësh, për rrjedhojë mbeti në rrethe tepër të ngushta.
Madje prej Spiro Çomorës u bë edhe përkthimi nga greqishtja, pastaj botimi dy herë, në fillim në ish-Jugosllavi (1970) dhe më pas në Maqedoni (1998). Në Tiranë ende jo e plotë, por fragmente të veçanta. Më e spikatura është ajo e Niko Stylos dhe po ashtu një përpjekje ndihmëse për këtë e Llambro Rucit.
Ka mbetur në mëndjen e lexuesve një reportazh i Xhevair Spahiut, por edhe ky i botuar në maqedonisht në revistën “Perla” të Fondacionit “Saadi Shirazi”. Në formën e një libri të vogël ky shkrim u publikua sërish në gjuhën maqedone.
Një fragment prej tij: “Paksa e çuditshme kjo ardhje: 164 vjet më parë, pra më 1847, poeti shkonte drejt Tiranës. Mësues i greqishtes në një shkollë të sapoçelur prej bashkisë orthodokse tiranase. Ishte një shkollë dollmallie me katër salla të mëdha, me korridor në mes dhe me një oborr të madh përqark, atje ku ishte baçja e kishës së re...Pas përçapjeve, arrita të përcaktoj se kisha Vangjelizmoi ndodhej atje ku lartësohet ngrehina e 15- katëshit, shkolla – atje ku sot gjelbërojnë tri pisha, me një palmë e një manjolë anash, – buzë sheshit Skënderbej.
Çfarë parandjenje! Poeti paskësh qenë pikërisht tek ky shesh që pas 100 vjetësh do të mbante emrin e heroit të kënduar prej tij!”
Ishte e vërtetë: Grigor Perliçevi pati jetuar dhe punuar jo vetëm pranë shqiptarëve të Ohrit, por edhe në mes të Tiranës. Nga kjo njohje dhe dashuri pati lindur ajo poemë gjëmimtare me pothuaj tre mijë vargje.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 gusht 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com