Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ME VARRE TË SHKULUR DHE ESHTRAT E TË ATIT NË NJË ARKË QË E MBAN ME VETE


Vijon historia e persekutimit absurd: konsideroheshin kushërinj të kriminelit Isa Toska, kur asgjë farefisnore nuk i lidhte me të. Për të shpëtuar nga marrëzia shtetërore të gjallë e të vdekur ndërrojnë emrat.

Pjesa e tretë

(Botuar në “Shqiptarja.com në 11 shtator 2018)

Jeta, sado e vështirë ndodhtë, është me guximtarin. I përndjekuri politik për arsyen më absurde në botë, se gjoja ishte në lidhje gjaku me banditin dhe terroristin Isa Toska, kurse në të vërtetë nuk kishte asnjë lloj farefisnie, njëzetë vjeçari Shyqyri Toska, pasi u dëbua nga qyteti i Beratit u bashkua me të jëmën në një fshat periferik të Lushnjës.
Ndërkohë, ndërsa shumë prej Toskallarëve përfunduan të pushkatuar për arsyen pa arsye të lidhjes kushërirore me Isanë famëkeq, u vetëmbrojt duke u përpjekur të tjetërsojë identitetin e tij të gjendjes civile. Nuk qe më Shyqyri Arshin Toska, por Shyqyri Arshin Arshini.
Në librin e tij me kujtime nga kjo histori mizore, pasi u kurua nga i ftohti i rëndë që mori duke kaluar në fund të dhjetorit 1965, nëpër natë, lumin plot ujë të Osumit, së bashku me të ëmën, prej më shumë se një dekade mbetur e ve për shkak të pushkatimit të të shoqit nga forcat qeveritare të Ndjekjes, iu iu avitën fshehur Tiranës. Po t’ja delnin të strehoheshin aty mund të gjeje edhe punë. Qyteti ishte i madh dhe ishte më e lehtë të mos kujtoheshin më për ta.
Fillimisht u duhej që nga këshilli popullor i vendlindjes së tyre, Luarit, t’u jepej me shkrim një e drejtë shpërnguljeje. Një kushëri i tyre këtu, i lidhur me pushtetin, i ndihmoi. E vulosi shkresën në Roskovec dhe ua dha. Nënë e bir u lumturuan nga mrekullia që u ndodhi. Në Tiranë hyri në veprim një shumë i afërm tjetër, dajë Myzaferi. Ky e ndihmoi Shyqyriun të futej në një kurs të rezervave të punës për elektriçist. “Pasi mora dëshminë e zanatit të elektriçistit, shkruan në librin e tij “Toskët e Luarit” Shyqyriu, fillova punë në N.I.Sh. Elektrike dhe N.Sh.Montimeve ku montonim makineritë e rënda në veprat e ndryshme industriale që ndërtoheshin në gjithë vendin. Punoja edhe në N.I.Sh. të Tullave Vorë, në Uzinën e Traktorëve Tiranë, etj. Hyra në prova dhe mora kategorinë V-të”.

Drejtori ndihmon, shefja e kuadrit, ish-partizania Gjinushi, e flak nga puna

Më tej rrëfimi i tij i drejtpërdrejtë: “Pas 3 vjet pune në festën e 1 Majit drejtori na premtoi se do na bënte listën e të gjithë neve që ishim pa pashaportizim e do ta paraqiste në Komitet. E mbajti premtimin. Quheshim specialistë të montimit. U gëzuam pa masë. Ishim të gjithë të mbledhur si me kokra dhe të gjithë me kleçka në biografi.
Pasi bëra pashaportizimin, një fis më gjeti një bodrum të boshatisur. Bleva një derë e dritare dhe e rregullova disi sa për të futur kokën e të mos gdhihesha rrugëve”.
Ja edhe historia, e cila duket si qershia mbi tortë, por pas saj megjithatë rinis përndjekja e vjetër: “Ndërkohë isha njohur me një shok pune dhe kisha krijuar miqësi. Ishte Xhemal Bajram Gega, tiranas i vjetër. Ai më propozoi të më njihte me një vajzë, “përsëmbari”, siç thonë tiranasit. Ishte fjala për një vajzë nga Shijaku e cila ishte kunata e tij, motra e së shoqes. Rabija ishte mami në Konsultoren e gruas dhe fëmijës në Sukth. Qe bijë e një emigranti boshnjak, ardhur shumë herët në Shqipëri. Ishin njerëz të nderuar dhe nuk ju futën fare përbërjes biografike”.
Për fat i vëllai i Rabies, Ibrahim Baçi, ishte gazetar në “Zëri i Popullit”. Kashtu dasma u bë e qetë dhe e gezuar në 30 prill 1967.
Por viti 1967 ishte me dy tehe: qe edhe i Letrës së Hapur, një vetëtime të lëshuar nga Enver Hoxha, e cila godiste dhe përvëlonte çdo “armik” që gjente përpara. “Tre, katër muaj pas martese, shkruan autori i librit “Toskët e Luarit”, më thërresin urgjent në Kuadrin e Ndërmarjes. Shefja e Kuadrit ishte bashkëshortja e gjeneral Ethem Gjinushit nga Hormova. Kishte bërë kontrollin e librezave dhe kishte gjetur shënimin e ndërmarjes së Beratit ku unë isha murator me kategorinë e V-të dhe mbiemrin Arshini. Në librezë ishte edhe vërtetimi i shpërnguljes që kisha marrë nga Luari para 4 vjetësh.
Kësaj i kishte bërë përshtypje dhe më kërkoi letër njoftimin. Pastaj filloi të më bënte pyetje dhe me ton të ashpër më tha: “Pse e ke ndërruar mbiemrin dhe ke bërë Arshini kur ti e ke Toska?” U mundova të justifikohem por qe e kotë. Shefja kishte vënë gishtin në plagën time më të madhe. “Ti je nga Luari, po Isa Toskën xhaxha e ke?” “Jo, mundohesha t’i spiegoja”. Zonja ulur në karrike e unë në këmbë kaluam dy orë debat. Teksa fliste, mbante herë pas here shënime në një letër. “Mirë, më tha xhaxha nuk e paske Isan, mos e ke gjysh?” “Jo shoqja shefe, mundohesha unë, prindërit e mi kanë vuajtur prej tij”. “Ore çun, mua do më gënjesh ti? Unë kam qenë partizane dhe e njoh me pëllëmbë Mallakastrën. Kemi luftuar dhëmbë për dhëmbë me atë Isanë tënd. Ik tani dhe hajde nesër të marësh librezën se do të presësh marrëdhëniet financiare me ndërmarjen”. “Pse shoqja shefe?” “Ik të them!”, urdhëroi shefja duke hapur derën.
U pikëllova. Sërish pa punë, sërish në rrugë. Madje tani edhe më keq, sepse kisha 3 muaj që isha martuar. Zyra e kuadrit në komitetin ekzekutiv dhe këshillat e lagjeve i kishin bërë gati listat me emrat e atyre familjeve që do largonin, sidomos nga Tirana. Komisioni i Dëbim- Internimeve e kishte lexuar vërtetimin e shpërnguljes që kisha marë nga Këshilli i Luarit, ku thuhej se isha larguar para 20 vjetësh dhe në fshat nuk kisha as shtëpi as prona, por m’u desh ndihma e një të afërmi nga fisi i gruas të më çonin për fuqi punëtore në fermën e Sukthit. Mos të ishte kjo ndërhyrje, ndoshta do më çonin në Luar me ndonjë hangar duhani, apo në Dushk të Lushnjës”.

Vjen kamioni “Skoda” t’i shpërngulë, pastaj një i njohur që u thotë për çvarrime të reja

Vijon rrëfimi i Shyqyri Torkës: “Afër mezit të natës erdhi “Skoda” dhe na heqin të tre nga Tirana. Nëna gjithmonë me lot në sy që nuk na u ndanë fatkeqësitë për gjithë jetën dhe unë isha në kulmin e helmit. Në Sukth na vendosën në një stallë kuajsh në një sipërfaqe shumë të ngushtë 12 m2. Po aty kishin sistemuar edhe një familje nga Burreli...
Por fati ende nuk më kishte braktisur. Bashkëshortja ime kishte familjen në Shijak. Fal familjes dhe farefisit të saj arrita të filloj punë pas dy muajve në sektorin e ndërtimit që përfshinte të gjithë sektorët e Fermës së Sukthit”.
Rrëfen më tej Shyqyri Toska, tashmë baba i dy vajzave të vogla: “Ishte 1 maji i vitit 1973. Ishte ditë e diel dhe dilnin dy ditë pushim. Të dyja ditë ja kushtova punimit të bahçes me bel... Teksa punoja, nga rruga më thirri një person. Nuk e njihja, por lashë punën dhe shkova ta takoja. Ai më tha se vinte nga Fieri dhe m’u prezantua si një dashamirës dhe mik i të parëve tanë. Ishte më i moshuar se unë dhe dukej burrë serioz. E ftova ftohtë në shtëpi, më tepër për respekt të zakonit të mikpritjes, se nuk mund t’i besoja askujt. Por gjatë bisedës me mua e me nënën u binda se ishte mik i vjetër, pasi na njihte me dhëmbë e dhëmballë. Nuk e zgjati shumë bisedën dhe hyri drejt e në temë: “E dini pse kam ardhur sot tek ju? Kam ardhur kastile...”
I porsardhuri dëshmoi se njihej me të atin e Shyqyriut, Arshinin, dhe pastaj mëshoi rrokjet: “Më ka dërguar fjalë Kryetari i Këshillit të Luarit, Tajar Hoxha...që të njoftoj edhe të birin e Arshinit se do prishen varrezat e fshatit me traktor e do kthehen në toka buke. Më vjen keq dhe po i ruaj disa ditë, por më shumë nuk kam ç’të bëj.” “Të mjerët ne, tha nëna, pak halle kemi edhe kjo na duhej, të shkulin të vdekurit nga varri. Në tokën e tyre i kanë varret të zestë ata, akoma nuk u ngopën me mallin e marë edhe varret duan t’ua marin? Paska ngelur eksiq kooperativa për ato 3-4 metra vend që zënë varret e tyre? Me sa shoh, tha nëna, kjo është dava inati. Nuk duan të duken as varre nga fisi ynë”.
“Pasdite, e vazhdon më poshtë Shyqyriu dëshminë e tij të shkruar tek libri “Toskët e Luarit”, e përcolla mikun dhe kur u ktheva nuk më mbante vendi. Edhe natën e kalova pa gjumë duke menduar se si do ta zgjidhja këtë hall. Ndërhynë dy vajzat dhe kërkuan t’i sillja eshtrat e gjyshit në Sukth. ”Do të çojmë lule çdo të dielë!”-tha njëra. “Unë do mbjell trëndafila te koka e gjyshit”,-tha tjetra. Por kjo ishte e pamundur për shkak të opinionit. E përzunë nga Berati, do thoshin, e përzunë edhe nga Tirana, e tani as eshtrat e të atit nuk ja pranojnë në vendlindje, edhe ato ja shkulën pas 30 vjetësh. Dhe të gjitha gojët e këqija do të thoshin të kënaqura: “Ja ç’i bënë të nipit të Isa Toskës.” Dhe babai im do quhej i vëllai Isa Toskës. Më vinte shumë zor nga farefisi i gruas. Do besonin vërtet se mund ta kisha xhaxha Isanë që më luftonin kaq shumë.... Nëna thoshte nuk ka lezet t’i bjesh këtu. Gjithë ajo kaza e Beratit nuk paska një pash vend për varr?
Të gjitha këto mendime më bëheshin lëmsh në kokë dhe në fyt më zinin frymën. “I thuaj Asqeriut, më tha nëna, se ai ka qenë partizan dhe ka luftuar për këtë qeveri dhe i takon të interesohet, se e ka daj tët atë.” Të nesërmen shkova në ndërmarrje dhe mezi munda të rregulloja lejen e zakonshme jashtë planifikimit. Mora lekët parapagim dhe u nisa në Berat. Sabriu u gëzua, sapo më pa dhe më tha se më priste. Llogaritëm shpenzimet dhe vendosëm t’i sillnim eshtrat e prindërve në Berat. Nëna e Sabriut ndërhyri e tha, që para se të bëni zhvarrimin të shkonim në komunalen e Beratit dhe mereshim vesh paraprakisht. Ishte mendim shumë i drejtë dhe na bindi. Të nesërmen shkuam në zyrat e komunales, por përgjegjësin e varrezave nuk e gjetëm. Ja lamë porosi Asqeriut ta soste këtë punë dhe të dy me Sabriun u nisëm menjëherë për në Luar. Mbritëm me dy orë ditë. Të dy kushërinjtë tanë, Saliu me Qerimin na pritën shumë mirë...”
Shyqyriu tregon se si iu dha vërtetimi se në një arkë do të mbante eshtrat e të jatit dhe ndërkohë mësoi se heqja e tyre nga Luari qe mundësia e vetme për t’i shpëtuar zhdukjes së tyre. Tjetërsuesit e varrezave për t’i bërë tokë buke i kishin shfarrosur qivuret e Asllanit dhe të Shuaipit.
Ngjarja tronditëse vijon: “Të nesërmen...me lopata në dorë u nisëm për në vorreza. Rrugës pashë se ishin prishur varrezat shekullore te oborri i xhamisë. Pashë edhe rrënojat e dy qivureve të bukur të Shuaip Toskës, babait të Hysniut dhe Asllanit, gjyshit tim. Qivuret qenë ndërtuar me gurë të skalitur, me harqe e me bedena. Rreth e qark kishin 12 kollona guri të skalitur në formë cilindrike, nga 1.5 m. të larta. Të gjithë gurin e skalitur e kishte marë zv. Sekretari i partisë K. Meto dhe kishte bërë verandën e shtëpisë së tij. Prindërit e tij ishin komshinj me ne dhe njerëz shumë të mirë e, po të ishin gjallë nuk do ta lejonin kurrë të birin të fuste në shtëpi gurët e qivurëve të toskallarëve.

Me në krahë arkën e eshtrave të të jatit

Kur Shyqyri Toska mbërriti te varri i të jatit ra në gjunjë dhe pasi e mbështeti dorën mbi pllakën e mbishkrimit, ia nguliti vështrimin tekstit ”Këtu prehet Arshin Asllan Toska, lindur 1913, vdekur 4 prill 1945.” Pastaj ndezi një cigare, por megjithatë bashkë me shtëllungat e tymit i dilte nga thellësia e krahërorit edhe ndonjë psherëtimë. Më në fund Shyqyriu hodhi cigaren ende të papirë deri në fund, hoqi xhaketën dhe me duar të dridhura mori lopatën. Nisi të hapë varrin.
Siç tregon në librin e tij “Pas gurëve dheu ishte i tëri shtuf dhe hapej lehtë. Pas një çasti u panë slanicat e drurit. Ishin punuar prej dru ulliri dhe u habita, kur pashë se ishin të padëmtuara. 28 vjet në dhe e dukeshin sikur i kishe vendosur rishtaz...Hyra në gropë dhe fillova t’i hiqja drurët një nga një... Në fund të gropës pash skeletin e tij të rregullt që për çudi m’u duk shumë i gjatë. Merakun e kisha të gjeja gjurmën e plumbit. Fillova të hiqja me radhë të gjitha pjesët e skeletit e t’i vendosja në një arkë të vogël që e kishim sjellë enkas nga Berati...Të katër qanim. Më dilte para syve dita e parë e varrimit të babait, kur unë isha fëmijë 7 vjeç dhe nuk doja të largohesha nga kufoma e tij që e mbaja të përqafuar. Para syve më doli nëna duke u lutur të mos qaja, se ishte gjynah për xhenazenë të binin lotët përsipër dhe më kujtonte porosinë e hoxhës për mëkatin e madh që bënin të gjallët, kur qanin mbi kufoma… Pastaj duart e një burri që më rrëmbyen dhe… nuk i harrova këto çaste të cilat më shumë së kurrë po më shfaqeshin tani, të gjalla e të ndezura përpara eshtrave të tim eti, kur unë sërish po derdhja lotë mbi to. Tashmë nuk kishte më hoxhë, as xhami, as porosi për të vdekurit. Madje as nder…as vend për t’u prehur…
U hutova dhe ndjeva një mpirje të përgjithshme të trupit. Nuk po më punonte më as truri, as duart. Kushërinjtë e kuptuan gjendjen time dhe më kapën nga krahu të më nxirrnin jashtë, por unë kundërshtova me forcë... Fillova përsëri të mblidhja eshtrat, një nga një. Pastaj mora kafkën, nxora shaminë e duarve dhe e pastrova nga dherat. Kjo ishte gjëja më kryesore për mua, të shikoja gjurmën e plumbit, që i mori jetën, atë plumb që u thurën shumë intriga e mistere. Kafka ishte pjesa e fundit e skeletit dhe dola jashtë. Pastaj të katër e morëm në duar dhe e pamë me kujdes. Mbrapa kokës, në bulb ishte një vrimë e hapur me diametrin e një lapsi. Dukej qartë se ishte plumb pistolete. Ishte qelluar fare pranë. Ndërsa në ballë, bira ishte më e madhe, gati dyfishi i të parës. Pra ishte goditur nga mbrapa. Një dëmtim tjetër e kishte mbrapa qafës, në fund të atlasit të kokës. Dukej si një goditje e fortë, por jo plumb. Pra, mund ta kenë goditur në fillim me send të fortë në qafë, pastaj e kanë qëlluar me armë.”
Më tej rrëfimi i Shyqyri Toskës sikur dëshiron t’i thotë të gjitha sa më shpejt, mundësisht njëherësh, siç përherë ndodh me një brengë të madhe: “U nisëm për në Berat...Në mbrëmje arritëm në shtëpinë e Sabriut në lagjen “Goricë”. Aty më priste hallë Naxhije Velçani dhe nipçja ynë, Asqeri Hoxha që i kishim lënë detyrë të bisedonte në komunale. Ora po shkonte dy e natës kur ramë për të fjetur, por mua nuk më zuri gjumi”. Kishte përherë pranë arkën me eshtrat e të jatit. Të nesërmen vajza e dajës së tij punonte banakiere në Klubin e Oficerave të Beratit dhe ajo kish kunat përgjegjësin e vorrezave në komunale. Kjo lidhje, kur ia thanë, i dha shpresë Shyqyri Toskës.
Natën e dytë, shkruan ai, “isha vetëm në dhomë dhe rashë gjysmë i zhveshur. Piva disa cigare duke u menduar pastaj më pushtoi një ngashërim i thellë sikur të isha fëmijë. Nuk e njihja veten të lëshohesha deri në këtë pikë. Aty nga mesnata ndjeva mall për babanë, ndjeva një afrim sikur më ndiqte hap pas hapi gjithë ditën dhe tani natën po prehej në krevat bashkë me mua. I dërmuar e i lodhur edhe ai si unë. Kisha bredhur me të në krahë gjithjë ditën dhe më dukej sikur ishte ringjallur sërish e ishim afruar sërish si atëherë kur më shtypte hundën. Më dukej se ishte një hap nga zgjimi i përjetshëm dhe më dukej sikur çelësin e atij zgjimi e kisha unë në dorë. Më fshihej diku brenda vetes dhe më shfaqej në formën e një enigme të frikshme.
U çova dhe afrova arkën pranë vetes. Ndeza dy cigare dhe njërin e vura në tavull mbi arkë e tjetrën e vura në buzë. Një për atë e një për vete. Në errësirën e plotë të dhomës, unë pija cigare me tim atë. Dhe ai pinte me mua”.

Pa mbiemër, pa ditën e lindjes dhe ditëvdekjen, pa vendlindje

Përgjegjësi i varrezave i tha se tani qenë shumë vështirë për vende. Shtoi se po presnin nga Komiteti Ekzekutiv të merrnin një truall të ri. Pastaj u shpreh më drejtpërsëdrejti: “Rastin tuaj e shoh me frikë se jeni nga toskët e Luarit të Mallakastrës dhe keni nam të keq. Po ju tregoj një ngjarje që ndodhi kur fillova punën këtu. Ishte bërë problem në Komitetin e Partisë dhe atë ekzekutiv se në varrezat publike ishin edhe tri varre të armiqve të popullit. Ishte varri i Hysni Toskës me të birin, Skënderin dhe një nipin e tyre Refat Muharrem Siqeca. Siç më thanë edhe ky Refati qenka vrarë atë ditë kur ishte rrethuar Hysniu dhe se e paska ndihmuar atë gjatë përpjekjes. Dhe gjithë këtë gurgule e paska bërë një fshatari juaj nga Luari, një Kondo…Kondo, Qani Kondo që banon e punon këtu në Berat. Të tre personat u zhvarrosën me urdhër nga Komiteti i Partisë dhe të më besoni nuk di nga përfunduan ato eshtra”.
Përgjegjësi i varrezave shtoi ndërkohë: “Do t’ju vë ca kushte që edhe unë të mos dëmtohem. E para, dua që askush të mos e mari vesh për rivarrimin. E dyta, do ju jap një letër e do shkoni në arkë të paguani 3600 lekë shpenzime varrimi. E treta, në pllakë do shkruhet vetëm Arshin Asllani dhe jo Toska. Madje nuk do vendoset as datë lindje as vdekje dhe as Luar. Dhe e fundit, unë po e bëj gati vendin dhe ju do vini në kohë darke, errur e pa errur, vetëm ju të dy dhe askush tjetër. Unë po lë dy punëtorë nga të mitë që ju besoj. Po patët jepuni ndonjë lekë atyre, megjithëse unë do t’ju jap nga dy ditë pune. Kaq mund të bëjë për ju”.
Tregon Shyqyri Toska: “Menjëherë u ngjitëm lart në llogari dhe paguam taksën e varrimit. Pastaj sipas porosisë kryem të gjitha veprimet e tjera...” Kështu edhe pse me një gjysmë emri dhe pa asnjë të dhënë tjetër që mund ta identifikonin, Arshin Toska, u fut në strehëzën e tij të fundit, nën nëntokë. Kur të nesërmen Shyqyriu hipi në autobuzin e linjës Berat-Rrogozhinë dhe kur ai duke dalë nga qyteti mori kthesën, në krahë të djathtë u shfaqën vorrezat. Iu lagën sytë. “Diku, shkruan në librin e tij “Toskët e Luarit”, ktheva për herë të fundit kokën mbrapa dhe ndjeva nga brenda një ngashërim të thellë e të rëndë që erdhi në fyt e po më mbyste. Kisha lënë aty gjënë më të shtrenjtë që kisha në jetë. Kisha lënë tim atë…”
Më tej: “Kur hypëm në tren zura vend nga ana e dritares dhe ndezja cigaret njëra pas tjetrës. Befas njëra shtëllungë e tymit m’u bë si re e bardhë dhe mbi të rrinte një njeri që ecte bashkë me trenin. Nuk ja shihja fytyrën, por ai mundohej të më kapte me njërën dorë të zgjatur në drejtimin tim dhe nuk arrinte. E ndiqja si me ankth këtë shfaqje haluçinative dhe po më dukej sikur reja e bardhë e qiellit u kthye në eshtër. Një eshtër e zgjatur në drejtimin tim… “Zot, - thashë, ti je? Ti je baba?”

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 shtator 2018



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com