Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LUFTË KUNDËR OSMANËVE, DASHURIÇKA NË NAPOLI, SJELLJE E PAHIJSHME ME NËNËN, DONIKA KASTRIOTIN


Një portret i djalit të vetëm të Skënderbeut.

(Botuar në 10 gusht 2018 në “Gazeta Shqiptare”

Rreth 23 majit 1468 bashkëshortja e Skënderbeut, tashmë katër muaj më parë, në 17 janar, jetë ndërruar, Donika, regjente e principatës Kastrioti, e kaloi detin me një anije të posaçme të dërguar prej aleatit të parë të tyre strategjik, mbretit të Napolit, spanjollit Ferdinand (i Aragonës).
Po ikte bashkë me trashëgimtarin e pushtetit dhe të pronave të princit Gjergj, të birin e vetëm, Gjonin. Ky ishte sapo duke kapërcyer të trembëdhjetat. Po mërgonin jo përfundimisht, por për t’u rikthyer sa më parë. Në anijen e posaçme për ta ndodheshin edhe disa të veja komandantësh të rëndësishëm të ushtrisë arbëre.
Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe aksione të gjëra çlirimi, ajo ikje e pranverës 1468 kishte qenë pa rikthim.
Një dekadë më pas nëpërmjet një superoperacioni gjigand, komanduar nga dy gjeneralë turq dhe për dy-tri muaj edhe në krye me vetë sulltanin Mehmet II, të famshmin “Pushtues i Botës”, armata osmane pushtoi pas një qendrese heroike kështjellën e Krujës, të Zhabjakut, të Drishtit, të Lezhës dhe motin e ardhshëm edhe vetë Shkodrën.
Këtë zhvillim të ngjarjeve as regjentja Donikë dhe ca më pak shumë i riu Gjon, atë 23 maj nuk e përfytyronin dot. Po ashtu me sytë nga rikthimi në Arbëri ata qenë edhe kur zbarkuan e ndoqën jetën në Itali. Kështu familja princërore Kastrioti e vijoi kronikën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare.
Ky shkrim është një përpjekje modeste për të shkëputur diçka prej këtij terri.

\"Tri princeshat e trishtuara\"

Princeshës Donikë dhe të birit mbreti Ferdinand (Ferrante) i lidhi një pension të përvitshëm prej njëmijë dukatësh të arta. Si provë të kësaj përkujdesjeje për bashkëshorten e Skënderbeut ka ekzistuar edhe një dokument, tashmë fizikisht, si origjinal, i humbur.
Atje emri i saj shkruhet në formën Donike Areniti.
Pas afro dy muajsh nga zbarkimi, qysh nga 27 gushti 1469, e veja e Skënderbeut u transferua në shtëpitë e të njohurit Pietro Kola d’Alesandro (Pietro Cola d’Alessandro), në afërsi të Santa Kiarës (Santa Chiara). Disa vite më pas, në shtator 1477, kur në Napoli erdhi Xhovana III (Giovana III), nusja e re e mbretit Ferdinand, u lidh një marrëveshja midis Donikës dhe saj. Ajo do të rrinte pranë dy mbretëreshave, të cilat më pas do të quheshin “Dy Xhovanat e Trishtuara”.
E para e tyre do të qe vetë bashkëshortja e Ferdinandit. Kur ky vdiq në 25 janar 1494, ajo mbi çdo dekret filloi të firmoste me bashkëngjitur shprehjen “Mbretëresha e trishtuar”. Ndërkaq në 20 prill 1479 çifti pati lindur vajzën e vetme të tyre, të cilës i vunë emrin Xhovana. E shpallur mbretëreshë kur qe shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe e martuar me kushëririn, Ferranten, pas disa muajve martesë të kryer në 1496, ky vdiq para kohe prej malaries (infeksion të marrë gjatë gjahut) apo, siç edhe përflitej, nga një helmim. Pas kësaj edhe Xhovana e re firmoste njëlloj si e ëma.
Prej vitit 1477, kur nis ngjitja e saj, e deri sa në fillim të shekullit pasardhës ndërroi jetë, Donika përfaqëson në Napoli një figurë me autoritet. Përqark saj u mblodh një rreth jo i vogël arbërish, që nga Aranitët dhe Muzakët, por sidomos pasardhës të fisnikut krutan Vrana Konti.
Këta u bënë jo vetëm mbështetës të këtij prestigji politik të së vesë së Skënderbeut, por edhe për shumë dekada me radhë njëri prej pinjollëve vranakontë, Bernardo, lehtësuar nga kjo lidhje, u bë edhe më i pasuri, pas monarkut, i të gjithë mbretërisë së Napolit.
Është një kulmim i autoritetit të shqiptarëve hapësira gjysmëshekullore e viteve sa qe gjallë Donika, madje vijoi edhe për tre-katër dhjetëvjeçarë të tjerë më pas. Në 1508 apo 1510, kur mendohet që është shkruar dhe publikuar libri i Marin Barletit për Skënderbeun, ishte kulmi i prestigjit të këtij lobi arbëreshësh në Napoli, edhe pse tashmë, në ditët mes marsit 1505 dhe shtatorit 1506, stërgjyshja e tyre nuk jetonte më.
Siç e tregon edhe skënderologu i njohur italian, Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone), Donika banonte në katin e dytë të Castel Nuovo (Kështjellës së Re), rezidencës mbretërore, dhe bashkë me formën e shqiptuar Andronaka në këto mjedise ajo thirrej më së shumti “Scannalibeca”. Duket është ruajtur mënyra arbëre e emërtimit të një bashkëshorteje, e përhapur fort edhe në Dibër, ku emrit të bashkëshortit, tek gruaja e tij, gjuhësisht femërizohet. Me një fjalë Donika ishte ndryshe edhe Skënderbegia.
Në 18 gusht 1489, ka një dokument tjetër të shfaqjes së emrit të saj. Bëhet fjalë për një urdhër të monarkut Ferrante, në të cilin “Andronika Areniti” merr pranë vetes, për t’i shërbyer, një djalë arbër me emrin Kola.
Në dokumente ajo duket sërish në 20 tetor 1494, kur nipi i Alfonsit V, edhe ky mbret me emrin e gjyshit, i beson Donikës kujdesin për dy Xhovanat e mbetura. Këtë çast, thekson Xhankarlo Valone, ka fjalë shumë të bukura të tij për shpirtin e mirë të saj.
Kur në vitin 1496 u rindërtua në Castel Nuovo apartamenti i mbretëreshës së re Xhovana, “zonja Andronika” kishte një dhomë mbi të. Ajo ndodhej në katin e dytë të krahut perëndimor.
Mbreti Ferrandino, siç thirrej nipi i Alfonsit V, i cili vdiq në moshë të re, në 7 tetor 1496, shkaktoi në Castel Nuovo dëshpërimin e madh të bashkëshortes së tij Xhovana dhe dëshirë të saj për ta braktisur menjëherë Napolin. Megjithatë qe kryekujdestarja e saj, Donika Kastrioti, ajo që e bindi të mos vepronte ashtu.
Në 13 shkurt 1498 Donika gjendet në një dokument tjetër, i cili dëshmon përqafimin e sinqertë të mbretit të ri, Federikos, me “la mogliere de Scannalibecho” (“gruan e Skënderbeut”). Sipas studiuesit Valone, qe pikërisht ky monark, i cili më 1 prill 1498 i dha një feud më vete, tokën e Galianos, brenda Kepit të Leukës.
Kjo u bë që të mund të jetonte e pavarur, e çliruar prej varësisë së të birit, i cili ndodhej në Pulie, në Galatina, dhe kishte dhënë shenja se mbante me të marrëdhënie të ftohta.
Në 7 shtator 1499 dëshmohet se ajo ende ndodhej në Napoli dhe nuk dëshiron të shkojë në Spanjë me Xhovanën e vogël, por do t’i vejë pas më vonë, atje, Xhovanës tjetër, për ta shoqëruar.
Studiuesi arbëresh, profesor në Universitetin e Kozencës, Atilio Vakaro, në konferencën ndërkombëtare për Skënderbeun, të organizuar në Universitetin Orientale të Napolit në 1-2 dhjetor 2005, do të thoshte se Karlo Padilione, me gjithë të metat e tij, në librin e vet paraqet një dokument origjinal, ku provohet se në 1500 Donika ndodhej në Napoli
Është viti kur ajo kryen gjestin që do të mbetet i fiksuar njëherë e përgjithmonë në këtë qytet: një varr-monument për nipin e saj Constandinus de Scanderbechis, i cili kishte qenë peshkop i qytetit të Izernias dhe vdiq në moshë fare të re, atë vit 1500.
Në tekstin e gjatë përkushtues, të gdhendur në mermer, dallohen qartë fjalët “Constandinus Castrayotus” si edhe vetë emri i saj “Andronica Cominata”.
Ndërkaq një dokument i legatës veneciane në Napoli e regjistron qartë Donikën në janar 1501: “la moglie fo dil sinor Scandarbecho” (“gruaja e zotit Skënderbe).

I humbën eshtrat në Spanjë

Sipas Prof. Valones, grupi shoqërues i mbretëreshës Xhovana do të nisej nga Napoli për në Sicili më 2 dhe 3 gusht 1501 dhe në Spanjë do të arrinte vetëm në korrik 1502. Në 8 mars 1505 është dokumenti i fundit i Donikës gjallë. Ajo i shkroi nga Spanja një letër mjaft prekëse nipit të saj Ferrante, i cili kishte toleruar në Galatina, feudin e tij, sjelljen arrogante të një reparti ushtarësh spanjollë që ishin në ndjekje të një opozitari të mbretit.
Këta, për pesëmbëdhjetë ditë, e patën plaçkitur qytetin. Donika i shkroi të nipit edhe një letër tjetër. E pati qortuar pse në një rast të dytë banorët galatinas, të futur në Mitropoli para rezidencës së tij kështjellore, patjetër në një protestë, i kishte qëlluar me top. Nga çfarë del prej dokumenteve të pakta të kohës, në këtë veprim të rëndë Gjonin e pati shtyrë e shoqja, Erina.
(Gjon Kastrioti qe martuar në vitet 1475 apo 1476, e shumta tetë vite pas emigrimit, në moshën njëzetë e apo njëzetë e një vjeç, me Jerina Brankoviç, vajzën e princit serb Llazar. Edhe këta, për shkak të pushtimit osman, qenë të emigruar në Itali. Siç dihet vetë Jerina (Erina italisht) ishte bijë e lidhjes martesore të Llazarit me Helena Paleologun, pjesëtare e familjes perandorake të Bizantit).
Aq të acaruara përfunduan marrëdhëniet e Ferrantes, nipit të Skënderbeut, me vendasit sa ky u detyrua ta braktiste Galatinën dhe të fshihej në Soleto. Iu desh nënës së tij fjalëbutë që t’u shkruante një letër ndjese banorëve të feudit dhe kështu të mund të riparohej kjo marrëdhënie arrogance e të birit.
Kur në ditët e para të shtatorit 1506 dy Xhovanat u kthyen sërish në Napoli, Donika nuk jetonte më.
Varri i saj nuk gjendet.
Sipas njërës prej Xhovanave, të madhes, strehë e fundit e bashkëshortes së Skënderbeut ka qenë nëntoka e Kishës së Trinisë së Shenjtë në Valencia. Madje në testamentin e saj ajo urdhëron zhvendosjen e eshtrave të Donikës për në Napoli. Cakton edhe vendin e prehjes: një kishëz në varësi të kishës së madhe Santa Maria dela Konçencione (Santa Maria della Concenzione).
Por kjo gjë nuk u krye, sepse hyri në mes një grindje mes vranakontëve, që tashmë administronin prestigjin e Donikës me një person plot pushtet në oborrin mbretëror napolitan.
Kështu varri i saj mbeti në Spanjë. I humbur

Jo mirënjohës me të ëmën

Donika jetoi më gjatë se i shoqi, 78 vjet. Skënderbeu pati shkuar dri në moshën 63 vjeçare. Në qiell, tek Zoti, ekzistencën e të cilit e besonte shumë, Donika shkoi pothuaj në të njëjtën kohë me të birin, Gjonin, çfarë ka qenë një dhimbje jo e vogël. Ajo grua e fortë e familjes Kastrioti pa vdekje tek të vetët më tepër nga sa duron një zemër njeriu.
I pari qe nipi Kostandin, biri i dytë i Gjonit. Peshkopi i Izernias për vetëm dy vite e pak muaj, vuajti nga një sëmundje e rëndë.
Por Donika do të vuante edhe historinë e nipit më të madh, fëmijës së parë të Gjonit: Gjergji (Giorgio). Ai nuk mbante vetëm emrin e të shoqit, por edhe qe trashëgimtari i drejt për drejtë i dinastisë së tyre. Në shkurt 1500, kur përafërsisht mund të ketë ngjarë vdekja e Kostandinit, Gjergji i ri qe 23 vjeç e disa muaj.
Ishte ky që në 1501, duke filluar nga muaji shkurt, kreu ekspeditën fatkeqe për çlirim në Shqipëri dhe pas dështimit nuk u kthye më në shtëpinë prindërore. Lajmi i parë për të mbërriti në Napoli dhe në kështjellën dukale të Galatinës vetëm në 18 dhjetor 1505. Kishte ardhur nga Kostandinopoja. Thoshte as më shumë dhe as më pak: “Skënderbeu është bërë turk”.
Donika nuk duhet ta ketë kaluar pa dhimbje marrëdhënien me djalin e saj të vetëm, Gjonin. Siç më sipër e vumë nën vëmendjen e lexuesit, sipas një dokumenti të 26 nëntorit 1499 është dyshuar për një mosinteresim të tij për të ëmën. Ndoshta ftohja ka qenë edhe më tepër se kaq. Sipas website-it të familjes Kastrioti në Itali, dega e Leçes, castriotascanderbeg.it, një vit e gjysmë më parë, në 1 prill 1498, mbreti i Napolit, Federiko, i dha gruas së Skënderbeut, që ajo të ishte ekonomikisht e vetëmjaftueshme, feudin Galiano del Kapo (Gagliano del Capo). Ndërkaq website i kësaj komune italiane shkruan se kjo gjë ka ndodhur jo në 1498, por në vitin 1495. Sipas këtij burimi informimi, “pasardhësit e familjes Castriota Scanderbegh jetonin në kështjellën e Gagliano-s, të vendosur përballë kishës”.
Një ballafaqim i këtyre të dhënave lë shkas të besohet se historia e zotërimit të kësaj prone, si atëherë dhe sot një qytezë fare e vogël, ruan brenda vetes një konflikt të heshtur e të gjatë mes Gjonit dhe nënës së tij.
Kur komuna Galiano del Kapo, në faqen e saj të internetit, shkruan për pasardhës të Skënderbeut të vendosur në kështjellën para kishës, patjetër e ka fjalën jo për Donikën. Ajo nuk lëvizte prej atij qyteti, e ngarkuar, siç ju kemi informuar, me detyrën non stop të kujdesjes për dy mbretëreshat e trishtuara Xhovana. Ndërkaq kronikat e Napolit regjistrojnë të birin e saj, i cili sapo rritet pak, largohet nga e ëma dhe vendoset pranë pronave në anën tjetër të gadishullit, në bregdetin adriatiko-jonian.
Mbështetur mbi njohjen që profesor Valone i ka bërë kësaj teme, ndërsa në krye të Mbretërisë së Napolit qe për pak kohë monarku francez Karli VIII (Carlo VIII), “Gjon Kastrioti kishte bërë një përpjekje të pahijshme për ta marrë feudin e Galianos”.
Sapo mbreti francez iku dhe mbretëria u rikthye tek zotëruesit e vjetër, Aragonët, ndodhi akti i 1 prillit 1498, kur Federiko ia mori këtë pronë modeste Gjonit (që kishte dy të tjera të mëdha) dhe ia dha nënës së tij.
Dokumentet e kohës, të ruajtura në Napoli dhe Pulie, dëshmojnë se, ndërsa Donika në çështje të ndryshme civile ndërhynte shpesh në favor të të birit, ky i fundit nuk vepronte aspak ashtu.
Zemërgjerësia e së ëmës nuk ishte kurrë tek i biri.
Valone e rrëfen jetën e Gjon Kastriotit si një person të ngarkuar nga Mbretëria për mbrojtjen e zonave të saj të jugut prej turqve. Ndërsa në qershor 1484 ai pati luftuar kundër venecianëve, në 7 shtator 1481 bëri zbarkim dhe diversion në Shqipëri, në brezin Vlorë-Himarë. Synoi thyerjen e darës turke në Otranto, e cila qe e pushtuar prej osmanëve që në 28 korriku 1480. Dhe detyrës së tij luftarake ia doli. Otranto u çlirua tri ditë më vonë, në 10 shtator 1481.
Ndërsa më pas kreu edhe sipërmarrje të vogla ushtarake, diversion zbarkimi në bregdetin shqiptar, po aq kanosës si në 1481, Gjon Kastrioti realizoi edhe në vitin 1488.
Për ta vizatuar sa më qartë të birin e vetëm të Skënderbeut Xhankarlo Valone shkruan: “Në Itali Gjoni nuk kishte luajtur kurrë role të dorës së parë dhe sidomos pas lidhjes me Erina Brankoviçin, një princeshë serbe, nuk kishte lidhje të ngushta as me klasën feudale të mbretërisë, e cila qe armike e monarkut Ferdinand”. Sipas tij, “Gjoni ishte mirënjohës dhe i devotshëm ndaj mbretit të Napolit...”. Më pas: “Banorët e Salentos, kur iu dhanë pronat, nuk deshën as ta prisnin, as ta njihnin, por ua imponoi Ferdinandi. Feudalët e terrenit nuk e donin mbretin dhe Gjoni hynte në njerëzit e tij”.
Po ashtu Valone vijon: “Mënyra e të qenit ushtar përcakton mendësinë e tij për të jetuar në provincë si një feudal prepotent, po jo kryeneç, fillimisht në Pulien e sipërme dhe pastaj në atë të largët”.
Profesor Valone njëkohësisht vë në dukje se “Gjon Kastrioti, që kur ishte pronar i feudit të San Giovanni Rotondo-s, kishte pritur në këtë vend një bërthamë të konsiderueshme prej 20 familjesh shqiptare”.
Siç duket, i biri i vetëm i Skënderbeut nuk është arbër shpirtkeq, ca më pak mohues i viseve dhe i mëmëdheut të vet. Megjithatë ngjan shumë i ndikueshëm nga e shoqja.
Xhankarlo Valone ngul këmbë se “Thjeshtësia e tejskajshme e sjelljes dhe e shpirtit të Andronikës nuk gjendet tek i biri mujshar. Veç arroganca e të parit qe ves feudal më shumë se e metë e vetë Gjonit”.
Sidoqoftë e trishtueshme mbetet jetëgjatësia e tij. Gjon Kastrioti jetoi shumë më pak se i ati, Skënderbeu. I mbylli sytë pesëdhjetë vjeç.

Përfolje të ndezura për dashuriçka të Gjonit

Napoli, ky qytet gazmor dhe i mbushur me fjalënaja, ka të shkruar në një nga faqet internetike më të ndjekura, ku rrëfehet për historitë e secilës familje fisnike të tij, edhe thashetheme rozë për Gjonin.
Pasi thotë se ky djalosh i ri erdhi prej Shqipërisë me të ëmën dhe qe mik i Ferdinandit të Aragonës, pati si dhuratë prej mbretit kështjellën e Galianos në Tokën e Otrantos.
“Kur u rrit, shkruan website www.nobili-napoletani.it, princi i Shqipërisë, i konsideruar luan i aristokracisë napolitane, u bë dashnori i dy mbretëreshave “të trishtuara”. Pasi “ngushëlloi” mbretëreshën Xhovana III, u magjeps nga hiret e bijës së saj, mbretëreshës Xhovana IV, e veja e Ferrantinos (Ferrante II i Aragonës).
Për t’i mbajtur të fshehta marrëdhëniet e tyre, të dy të dashuruarit takoheshin në kështjellën Somma Vesuviana, rezidenca e veçuar e sovranes në rrëzë të malit të Vesuvit, larg nga e ëma që jetonte në Kastel Kapuano”.
Por a mund të jetë e vërtetë e gjithë kjo histori rozë? Si edhe të tjera?
Kastriotët janë meshkuj të fortë e të bukur, shtatlartë po ashtu. Mbase Gjoni ndaj femrave ka qenë edhe i ëmbël. Prania e Donikës në rrethin mbretëror të dy Xhovanave, si kryekujdestarja e tyre, mund t’i ketë krijuar pa dashje rrethanat lehtësuese për aventurat e të birit.
Veç nuk duhet të harrojmë se Gjoni kryesisht jetonte larg, në Pulien jugore, dhe i duhej shumë rrugë të vinte aq shpesh në Napoli sa të mbante të gjalla këto flirte.
Por legjenda (apo e vërteta) popullore për Gjonin si “Don Zhuan” i thekur gjallëron përherë në Napoli. Këtë vit autori i këtij shkrimi ka bërë dy takime me lexues në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, me të paraburgosur, në Vaqar të Tiranës dhe në të dy herët ka biseduar me një napolitan (Ciro) që priste dënimin për shpërndarje droge. Origjina e tij ishte prej familjeve të dikurshme të fuqishme spanjolle të qytetit dhe ai e njihte historinë e Skënderbeut (por edhe të Donikës e të Gjonit) më mirë se shumë shqiptarë. Çiro këmbëngulte për natyrën e shpenguar të raporteve dashurore me gratë të birit të vetëm të Gjergj Kastriotit.
Gjithsesi, qe apo jo tip dashnori, kjo histori e trëndafiltë dëshmon se Gjoni në Napoli kishte emër dhe bëmë. I ati e fitoi famën me sakrifica të mëdha spartane, me jetë lag qejfeve, por i biri gjeti një mënyrë tjetër protagonizmi si Kastriotas.

Ylli Polovina

Tiranë, më 31 korrik 2018






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com