|
KUR RUSËT MERREN ME GJERGJ KASTRIOTIN
(Shkrimi dyzetë e gjashtë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)
(Botuar në “Illyria” në 22 gusht 2018)
Në shkrimin e mëparshëm ravijëzuam debatin që gjatë vitit 1949 dhe fillimit të motit 1950 pati përfshirë Legatën Shqiptare në Moskë, të drejtuar nga Reiz Malile dhe Drejtorinë e Shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë për çështjen e përbërjes së ushtrisë së Skënderbeut. Sipas Legatës, në revistat rusisht dhe frengjisht “La Nouvelle Albanie” (“Shqipëria e Re”), që vinin nga vendi i tyre për propagandë me të huajt, armata e Gjergj Kastriotit ishte përshkruar se kishte në rradhët e saj kryesisht dhe me shumicë fshatarë të lirë, pra edhe barinj.
Kjo konsiderohej si gabim politik dhe për këtë arsye përfaqësia diplomatike i ishte ankuar edhe Nexhmije Hoxhës, të ndodhur ato çaste në Moskë për një vizitë pune.
Drejtoria e Shtypit e MPJ, me firmën e një nënministri të saj, në mënyrë të vazhduar dhe jo për herë të parë në janar 1950, e kundërshtonte akuzën e vartësve të vet, duke pranuar ndonjë pasaktësi gjuhësore në botimet e revistës së sipërpërmendur, por kurrsesi se qenë gabime politike.
Në mbështetje të logjikës së saj ajo referonte shkrime të profesorit Aleks Buda, “Fshatarësia e lirë mban barrën kryesore të luftës” dhe “Karakteri popullor i ushtrisë së Skënderbeut”, botuar në “Zëri i Popullit” nga 22 deri në 25 janar 1949”.
Periudha e ngjarjes së kësaj polemike të brendshme mes vetë punonjësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ndodhte kur Enver Hoxha në 4 prill 1949, i pranishëm në Moskë në krye të një delegacioni, i pati bërë një kërkesë me shkrim qeverisë sovjetike që ta ndihmonte nëpërmjet kinostudios së saj të prodhonte një film për Skënderbeun.
Në rrethana të tilla kjo polemikë duket si anomali burokratike, veprim në sens të kundërt.
Ka diçka që nuk shkon në këtë vërtitje stërprapthi të akrepave të orës, po t’i drejtohemi edhe një ngjarjeje tjetër, të cilën publikisht e ka spikatur kohët e fundit studiuesi Dashnor Kaloçi. Me botimin e dokumentit të mëposhtëm ai ka pasur tjetër objektiv: denoncimin që studenti në Bashkimin Sovjetik Fatmir Gjata, më pas shkrimtar mjaft i njohur i realizmit socialist shqiptar, i kishte bërë një kolegu të tij, të quajtur Isuf Alibali. Ky më pas do të ishte edhe përkthyes i njohur nga gjuha ruse.
Por çfarë pati ndodhur konkretisht në Moskë në atë fillim janari 1950?
Në 4 janar drejtori i Shtëpisë Botonjëse Shtetërore Juridike të BRSS, i dërgonte një letër Universitetit Shtetëror të Moskës dhe Dekanatit të Fakultetit Juridik, në të cilën i komunikonte se ajo po ja kthente dorëshkrimin “Zhvillimi i shtetit shqiptar” studentit Jusuf Alibali së bashku me reçensionin e bërë prej Docentit Z.M.Çernillovski, duke propozuar ripunimin e tij tërësor.
Çfarë thoshte ky reçension?
Për interesat tematike të këtij shkrimi po shkëputim prej tij vërejtjet që studiuesi sovjetik i bënte për pasqyrimin që Alibali i kishte kryer figurës së Skënderbeut.
Më së pari, ai i mëshonte idesë se “Tema e zgjedhur nga autori është mjaft aktuale. Lexonjësi sovjetik prej kohësh pret librin mbi Shqipërinë, historia e së cilës, duke përfshirë edhe të renë, është e sqaruar në mënyrë të zbehtë në literaturën tonë”.
Duke theksuar se “me keqardhje të sinqertë konstatojmë se dorëshkrimi i Alibalit në gjendjen e tij të tanishme nuk është i përgatitur për shtyp dhe ka nevojë për punim serioz” dhe se “Libri është shkrojtur në mënyrë aq skematike dhe aq pa sistem, sa nuk të jep asnjë dijeni të përpiktë mbi historinë e Shqipërisë”, vinte në dukje në pikën “c” të vërejtjeve: “Fillimi i historisë së Shqipërisë “hapet me njëherë” me feudalizmin dhe shtjellimi i saj bëhet në një mënyrë të tillë që lexonjësit i tregon më tepër ngjarjet sesa zbërthimin e tyre. (Me njëherë dhe pa pritur del p.sh. Dushani, lexuesi shkel e shko mëson se Skënderbeu ka luftuar kundër princave etj.).
Më pas, në vërejtjen “d” docenti Z.M.Çernillovski theksonte: “Është e dyshimtë që Skënderbeu (figura e të cilit është idealizuar në mënyrë të tepërt, jashtë klasave dhe luftës së klasave) mundi të krijojë një shtet të centralizuar dhe unitar”.
Mjafton kjo këmbëngulje e fundit e reçensionistit sovjetik për të kuptuar se doemos që ai libër, temë diplome studentore, nuk mund të përballonte dot një histori të tërë Shqipërie, por veç duket sheshit se Jusuf Alibalit i kërkohej komunistizimi i Skënderbeut, interpretimi i luftës së tij çlirimtare sipas teorisë marksiste-leniniste të luftës së klasave.
Ky këndvështrim, i cili u provua më pas vitit 1950 edhe nga historiografia zyrtare shqiptare, rezultoi një gjymtim i veprës reale të Gjergj Kastriotit dhe të popullit shqiptar në mbështetje të tij.
Kjo frymë qortimi stalinist vijon edhe më tej, në vërejtjen “e”: “Fakti që autori flet mbi elementët e tri periudhave historike gjatë sundimit të Skënderbeut, tregon qartë mbi mungesën e të gjithë metodës historike të autorit. Për autorin, forma hierarkike e qeverisjes ose absolutizmit është një formë qeverisjeje e mundshme për të gjitha kohët. Për marksistin si njëra formë, ashtu edhe tjetra lidhet me një sistem social-ekonomik të caktuar në shkallët e ndryshme të zhvillimit të tij. Për absolutizmin kërkohet veçanërisht zhvillimi i borgjezisë “ekuilibër” i fuqive të borgjezisë dhe të feudalizmit etj. Aq më tepër është për t’u habitur kur lexon mbi përzierjen e elementëve të demokracisë ushtarake, dmth., të komunizmit primitiv dhe të absolutizmit, pra etapat e fundit të feudalizmit”.
Në vërejtjen “g” docenti Çernillovski mëshon: “Thëniet e Skënderbeut janë dhënë pa sistem, në një plan admirimi entuziast dhe në këtë formë nuk të jep asnjë ide mbi karakteristikat e pushtetit të tij “nga pikëpamja e interesave të klasës e shtresave të caktuara të kësaj klase etj.” si dhe mbi pikëpamjet politike të tij. Ç’kuptim ka për shembull në këtë formë “kontrolli personal i zbatimit” për të cilin autori flet si për një nga principet e politikës së Skënderbeut”.
Me pak fjalë këto janë qortimet korigjuese të docentit sovjetik dhe duket qartë që janë plotësisht politike dhe ideologjike.
Në shkrimet e mëparshme kemi spikatur veçansi të debatit mes skenaristit rus të filmit “Skënderbeu” dhe ndihmësave të tij shqiptarë, ku janë vënë në dukje prej sovjetikut shfaqjet e mitizimit të Gjergj Kastriotit, por ndërkohë edhe interpretimi i tij në përputhje me interesat politike të Bashkimit Sovjetik dhe të Kampit Socialist.
Gjithsesi kjo dukuri komunistizimi dhe sllavizimi do të zbutej, në ndonjë rast edhe rindizej fort pas rënies së diktaturave bolshevike në të gjithë eurolindjen si edhe vetë Shqipërinë.
Një përflakje e vërtetë politike dhe ideologjike do të ndodhte kur në 11 shkurt 2010, pas botimit në Tiranë në 2008 të librit të studiuesit zviceran Oliver Jens Schmitt, gazeta më e madhe zvicerane \"Neue Zürcher Zeitung\" do të publikonte një recension nga Ekkehard Kraft.
Referuar librit, Kraft vinte në dukje se “Lufta gati njëzetepesëvjeçare e Skënderbeut nuk ishte një \"qëndresë kombëtare\", se “Ndër pasuesit e Skënderbeut bënin pjesë arbër, sllavë të jugut, arumunë”. Po ashtu se “Ai u përkrah në mënyrën më të vendosur nga kleri katolik, edhe pse shumica e luftëtarëve të tij barinj e fshatarë ishin të krishterë ortodoksë”.
Paraqitja e ushtarëve të Gjergj Kastriotit si barinj, çfarë e kishte theksuar në libër vetë Schmitt, në sipërfaqe dukej si reale dhe një e vërtetë parimore, por nuk jepej shpjegimi se më së pari këta barinj ishin fshatarë të lirë, pra për shkak të mjaft rrethanave, malësorë jo në gjendje bujkrobërie. Ata kishin dhe ruanin pronat e tyre të vogla dhe ndaj feudalit kryenin shpërblimin përkatës në përqindje.
Duke i keqinterpretuar si thjesht barinj, pra qënie të pashkolluara dhe aspak qytetare, pa theksuar karakteristikën shumë thelbësore të tyre se qenë me prirje pavarësie dhe për pasojë luftëtarë të paepur për liri, Jens shtrëmbëroi vlerën kryesore historike të veprës së Gjergj Kastriotit.
Bëri të prapambetur ata që ishin të përparuar.
Jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht e kreu këtë diversion për ta fshatarizuar deri në ekstrem këtë armatë, e cila pati luftuar me vetëmohim edhe për të mbrojtur Evropën dhe Krishtërimin.
Ndërkohë nuk ishte aspak e vërtetë që ushtria e Skënderbeut nuk kishte në rradhët e saj krutanë, lezhianë deri edhe të ardhur nga qyteti i Shkodrës.
Në mbështetje të saj kishte edhe spanjollë, napolitanë dhe venecianë. Nuk mungonin as vullnetarë gjermanë e francezë.
Garda e tij ishte e tillë: elitë qyteti dhe fshatarësh të lirë.
Në fund të fundit si mund të realizoheshin aq shumë beteja fitimtare kundër perandorisë më të fuqishme të kohës, po qe se armata e Skënderbeut do të përbëhej nga “barinj”, me nënkuptimin tinzar të bazhibozukëve.
Në rast se edhe në Rusi do të kishin paragjykimin në vazhdimësi të trajtimit të Skënderbeut si prijës periferik fshatarësh të pyjeve të humbura, nuk do të ndodhte të botohej pothuaj një gjysmë shekulli më vonë nga polemika e brendshme mes Legatës Shqiptare në Moskë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, apo në reçensionin e docentit sovjetik për tezën e diplomës të studentit Alibali, një libër rusisht për të, i titulluar “Skënderbeu”. Kjo ndodhi në 2007, pothuaj paralelisht me Schmitt.
Këndi i vështrimit kryesor, edhe pse jo me shumë volum faqesh: arti ushtarak i Gjergj Kastriotit.
Autori i atij libri me 110 faqe dhe me gjashtë kapituj ishte një shqiptar: Jani Lufi, ato çaste prej afro pesë dekadash qytetar rus. Publikimi i librit do të kryhej në Krasnodar nga shtëpia botuese “Sovjetskaja Kuban”, në pesë mijë kopje. Deri në fund të vitit ai qe shitur i gjithë.
Jani Lufi ka qënë një oficer i Ushtrisë Shqiptare, i cili pas prishjes për arsye ideologjike të marrëdhënieve mes dy vendeve, në rrethana që nuk lidhen aspak me ndonjë braktisje të vendit të vet, zgjodhi vijimin e studimeve ushtarake në Moskë dhe më pas, për 48 vite deri sa doli në pension, shërbeu në rajonin e Krasnodarit.
Në karrierën e tij të rregullt ai u bë gjeneral.
“Skënderbeu” ishte libri i tij i dytë. I pari sipas “Sovjetskaja Kuban”, pati patur sukses të plotë. Titullohej “Nga partizan shqiptar në gjeneral sovjetik”.
“Skënderbeun” Jani Lufi e kishte shkruar i frymëzuar nga një entuziasëm i përhershëm për heroin e vendit të vet, gjendje që jeta në BRSS dhe më pas në Rusi nuk ja kishte fikur, por ndezur. Në Shqipëri e pati nisur karrierën e tij si nxënës në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ishte një nga ata që akoma edhe sot thirren “skënderbegas”.
Në kopertinë botimi ka pamjen evropiane të Gjergj Kastriotit, atë princërore. Duke treguar në dy kapitujt e parë jetën në fëmijeri, pastaj në shkollën e Ic-ogllanëve, gjenerali ish-partizan ia rrëfen lexuesit rus heroin e tij kombëtar si themelues i shtetit shqiptar dhe si diplomat i talentuar.
Në krijimin e tij Jani Lufi shkruan se ka qënë mbështetur në të dhënat e dymbëdhjetë autorëve rusë e të vendeve të tjera.
Dy janë shqiptarë.
Një është Kristo Frashëri dhe tjetri Ismail Kadare.
Ky i fundit me romanin “Kështjella”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 21 gusht 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|