|
MOSKË PERIFERI, 1956, BAZA E FSHEHTË “FAKULTETI SPECIAL D”
(Botuar nè “Shqiptarja.com” nè 11 gusht 2018)
Baza e KGB-së për 24 studentë shqiptarë që do të specializoheshin si zbuluesë politikë.
Pjesa e dytë
Po ashtu në një fragment tjetër të telegramit të 3 shtatorit 1961 të dërguar nga Beogradi prej Tahmaz Beqarit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, thuhet se “Sot parashifet të flasë Titua, flitet se i detyruar nga situata do të mbajë qëndrim pozitiv për problemet e mësipërme”. Në tekst mes të tjerash ndodhet edhe ky pohim: “Në bisedë të Fejzos me korespodentët Indian dhe Hindonezian thanë se kemi marë vesh se gazetat tuaja kanë shkruar kundra konferencës së Beogradit. Kur ai u shpjegoi se kanë shkruar për politikën demagogjike që Jugosllavia bën s gjoja është vend asnjanës dhe në fakt ajo bën pjesë në Paktin Ballkanik, i cili është vegël e Natos, Jugosllavia nëpërmjet Greqisë mer ndihmë ushtarake. Ata thanë se artikulli juaj për këtë është shumë i drejtë...”
Në telegramin tjetër të spikatur nga Arkivi Dixhital i Willson Center në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atë të 3 shtatorit 1961, por me numër 5200, Tahmaz Beqari i komunikon qendrës së vet në Tiranë se “Fjalimi i Titos nga ambasadori çek është quajtur pozitiv dhe se për këtë Perëndimi mund ta shajë”.
Më pas Beqari vë në dukje: “Mbasi mbajti fjalimin, Titua thirri ambasadorin sovjetik, bisedoi me të dhe pastaj ambasadori sovjetik u largua nga konferenca. Nuk di gjë përse e thirri dhe çfarë bisedoi”.
Tre vite më pas nga raportimet e mësipërme, në 26 qershor 1964, sipas Arkivit Dixhital të Willson Center, Tahmaz Beqari i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë një analizë raportuese shumë të hollësishme mbi konferencën e parë të Vendeve të Paangazhuara, mbajtur në fillim shtator 1961 dhe përgatitjet që po bëheshin për të mbajtur të dytën. Informacionin për këtë të fundit ai e pati siguruar prej mbledhjes përgatitore në rangun e ambasadorëve të mbajtur në Kolombo në 23 mars 1964.
I thërriti Kadri Hazbiu, por fillimisht nuk pranuan
Pas një kërkimi të gjatë të autorit të këtyre rradhëve u gjet edhe personi, prej të cilit mund të merrnim të dhëna të gjalla, jo thatësisht shkresore, për veprimtarinë e Tahmaz Beqarit gjatë mandatit të tij në Beograd, madje për tërë punën e Legatës në ato vite të nxehta raportesh mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, e cila konsiderohet edhe një ndër më të vështirat në historinë e tyre.
Quhej Andrea Shkodrani, pas viteve nëntëdhjetë autor i dy librave për profilin e tij të Sigurisë (njëri posaçërisht për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar), si edhe leksiondhënës në një universitet shqiptar në Maqedoni. Me Andrean në 1 nëntor 2017 dhe në 12 janar 2018 bëmë dy biseda hollësisht të përqendruara në temën e veprimtarisë së Legatës tonë në Beograd gjatë mandatit të Tahmaz Beqarit si edhe periudhës kur vetë Andrea e drejtoi këtë përfaqësi diplomatike.
Historia e jetës së tij pak a shumë është kjo: Pati ndodhur djegia e tretë e Voskopojës, më 1913, kur familja Shkodrani prej kësaj qyteze të shquar, tashmë në rënim, qe vendosur në Korçë. I zoti i shtëpisë hyri çirak tek një tregtar. Kështu u rritën me vështirësi katër djem dhe dy vajza, mes tyre edhe protagonisti i dytë i këtij shkrimi mbi çfarë ndodhte në Beograd në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar: Andrea.
Gjatë luftës shtëpia Shkodrani kishte qenë bazë e rezistencës, ndërsa njëri prej bijve, Leonidha, pati dalë partizan. Gjatë operacionit gjerman të dimrit ky edhe ishte plagosur.
Kur në 1955 mbaroi gjimnazin në Korçë, papritur Andrea Shkodrani e gjeti emrin e vet në një listë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte vendosur ta rinovonte personelin e saj me më të shkolluar. Shumica e punonjësve të mëparshëm, ardhur nga rreshtat partizane, qenë me e shumta arsim shtatëvjeçar. Për shkak të mprehtësisë së lindur dhe vullnetit të madh për punë, vetëdisiplinës po ashtu, kjo gjeneratë e pati përballuar, e ndihmuar edhe prej specialistëve sovjetikë, periudhën 1949-1953, operacionin e fshehtë anglo-amerikan “Valuable”, i cili synonte përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe prej këtej shpërthimin e një efekti “domino” për të neutralizuar dhe shkatërruar të gjithë “kampin socialist” të eurolindjes.
Por kohët dhe metodat e luftës mes Lindjes bolshevike dhe Perëndimit pluralist ishin sofistikuar edhe më. Në Tiranë planifikonin të rritnin masën dhe cilësinë e informacionit që u duhej të merrnin prej vendeve të tjera, sidomos atyre që cilësoheshin si shtete kyçe në çështje të sigurisë së saj si sovranitet territorial, por edhe për mbrojtje të sistemit shoqëror komunist: Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë.
Nga gjimnazistët e Korçës atë vit 1955 qenë në listën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, tre të rinj. I thirri në zyrë vetë ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. U komunikoi se u kishte dalë bursë studimi në Bashkimin Sovjetik në degën e Zbulimit. Të tre e kundërshtuan, i thanë se nuk e dëshironin këtë profesion. Tjetri i mbajti dy orë në bisedë. Të nesërmen shkuan për ta refuzuar në Komitetin Qendror të Partisë, ku sektorin e Punëve të Brendshme e mbulonte Rita Marko. Ky nuk i priti fare dhe nëpërmjet sekretarit të tij u kujtoi si një javë më parë qenë sjellë me pesë maturantë vlonjatë. U kishin prerë çdo lloj burse dhe me që ishin anëtarë partie, përjashtuar edhe prej saj. Këtyre as biseda me Mehmet Shehun nuk ua pati ndërruar mendjen.
Kështu të tre korçarët e ndërprenë protestën dhe nisën procedurën e shkollimit. Morën vesh se grupi i përzgjedhur nga e tërë Shqipëria qe prej 24 vetësh.
“Fakulteti Special D”
Duke qenë se nga Moska kishte ardhur mesazhi se ende KGB nuk ua kishte bërë gati vendin sekret ku të rinjtë shqiptarë do të specializoheshin, për gjashtë muaj në Tiranë gjithsecili prej tyre u mor në Ministri me punë rutinë, sistemim dokumentesh për arkivim, pajisje mësimore për Shkollën e Zbulimit, e cila do të hapej shumë shpejt në kodrat jugore të Tiranës, etj.
Ndërkohë u kishin dhënë një uniformë, të cilën nuk e mbajtën, sepse kjo veshje qe thjesht për formalitet. Do të rrinin civilë tërë kohës që do të shërbenin.
Po ashtu të 24-ve u dhanë edhe gradë: u bënë nëntogerë.
Në janar 1956 Andrea Shkodrani me shokët e vet u nis për në Moskë.
Pas udhëtimit katër ditor me anije dhe zbarkuar në Odesa, pastaj me tren deri në kryeqytetin sovjetik, njëzetë e katër studentët shqiptarë që do të specializoheshin për zbulim politik dhe për këtë arsye më pas me mundësi të dukshme punësimi nëpër ambasadat shqiptare jashtë vendit, besonin ta mbushnin gropën e thellë të krijuar nga pushimet dhe deri dënimet masive që u ishin dhënë zbuluesve të periudhës së Koçi Xoxes. Aq “gjer në rrënjë” pati qënë ky spastrim sa nga turma e këtyre të fundit kishte shpëtuar vetëm njëri: Zoi Themeli, Ky u emërua drejtor i degës së tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, për kërshëri të lexuesit, tre prej të shkarkuarve, sipas një marrëveshjeje Tiranë-Beograd, patën shërbyer nëpër ambasadat jugosllave në vendet ku Shqipëria nuk kishte përfaqësi diplomatike. Kështu ai që kishte punuar me titistët në Australi, pas motit 1948, kur marrëdhëniet e mëparshme mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u prishën, u la në mes të katër rrugëve dhe iu desh mjaft mundim që më në fund nga përtej kontinentet, të rikthehej në atdheun e vet.
E informojmë lexuesin se të njëzetë e katër studentët që do të profilizoheshin për zbulim politik në Bashkimin Sovjetik, para se të udhëtonin për këtu gjatë gjashtë muajve kalimtarë të pritjes për nisje kishin mësuar se strategjikisht qendra dhe baza kryesore e veprimtarisë së zbulimit shqiptar ishte Italia, ku edhe qenë grumbulluar në Romë, në Legatë, më shumë se gjithkund tjetër agjentë të punësuar dhe të kamufluar si diplomatë.
Por atje tepër shpejt gjithçka qe bërë rrokopujë prej goditjeve sistematike që u patën dhënë shërbimet e fshehta italiane, bashkërenduar me këta të fundit edhe ato perëndimore, veçanërisht amerikanët. Në të vërtetë pothuaj i shkatërruan.
Vendi ku 24 studentët shqiptarë u sistemuan me të mbërritur ishte një pyll 45 larg nga Moska, në drejtimin gjeografik i cili thirrej “rruga e Kurskut”. Territori qe pa fshatra apo shtëpi banimi të afërta, kurse stacioni i vetmuar i trenit lokal dhe hapësira përreth tij quhej Smederovska.
Godina e shkollës së tyre ishte një vilë, ku më parë pati mbajtur të strehuar në mënyrë sekrete gjeneralin gjerman të kapur rob gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fridrih Paulus. Ai kishte marrë detyrë nga Hitleri pushtimin e Stalingradit dhe pas tre muajsh përpjekjesh të përgjakshme të divizioneve të tij, por edhe heroizmit të pashoq nga banorët mbrojtës, misioni pati dështuar dhe gjenerali përfunduar në 2 shkurt 1943 i kapitulluar. Gjatë burgimit Paulus kishte ndërruar qëndrim: qe shpallur kundër Hitlerit dhe bashkuar me lëvizjen çlirimtare gjermane. Në 1953 ishte riatdhesuar, por në pjesën lindore të Gjermanisë, ku ndodheshin trupat sovjetike.
Pranë vilës së shkollimit, e porsarikonstruktuar, në katër hektarë tokë gjithsej, ndodhej edhe mensa e fjetina. E tërë kjo strukturë e fshehtë e ngritur vetëm për specializimin në zbulim politik e 24 studentëve shqiptarë u quajt “Fakulteti Special D”.
Të porsaardhurit i bënë menjëherë togerë dhe u dhanë uniformat e oficerit të KGB-së. Edhe teserën e kishin si agjentët e saj efektivë, por me një vijë të kuqe sipër, çfarë qe shenjë identifikimi se ishin studentë dhe jo persona në veprim operativ.
Pagesa mujore ishte shumë e mirë: 1200 rubla.
Rregulli i sekretimit qe shumë i rreptë. Ata nuk lejoheshin të shkonin në ambasadë, as këta të fundit të vinin për t’i vizituar apo ndonjë punë propagandistike, edhe pse e dinin në parim në cilën pjesë të periferisë së Moskës ndodheshin të 24 të rinjtë shqiptarë. Nga autoritetet sovjetike gjetën përherë pengesë që nga ambasadori shqiptar deri tek atasheu. Nga KGB mezi u lejua njëherë vetëm drejtori i Zbulimit, Zoi Themeli, por edhe këtij iu bënë disa gjeste të hapta censurimi.
Gjithsesi një herë rregulli u prish. Në Moskë po mbahej Kongresi XX-të, në të cilin Nikita Hrushovi denoncoi Stalinin dhe në punime mori pjesë edhe Enver Hoxha. Në atë shkurt 1956, pothuaj sapo të mbërritur në Smederovska, studentëve të “Fakultetit Special D”, si tërë studentëve që ato çaste shkolloheshin në BRSS, iu dhanë leje në ceremoninë e pritjes së tij në stacionin e trenit në Moskë.
Kjo vizitë e Hoxhës dhe sidomos një artikull i tij i botuar në 14 prill 1956 në gazetën “Zëri i Popullit”, në të cilin ai mbështeti vendimet e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke pohuar se “Stalini në vitet e tij të fundit të jetës, kishte kryer gabime”, u krijuan nga autoritetet vendase një atmosferë edhe më të ngrohtë studentëve zbuluesë të ardhshëm. Gjatë më shumë se dy vjetëve të specializimit pedagogët rusë u dhanë çdo dijeni që kishin, pa mbajtur asnjë rezervë. Në Smederovska sigurisht besohej se ai grup shqiptarësh në Tiranë dhe kudo gjetkë të caktohej për operativitet, do të bashkëpunonte me KGB-në, siç edhe ato çaste në Tiranë këshilltarët e saj imponoheshin në vetë udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pushimet shkollore të verës të 24 togerët herën e parë i kaluan 15 ditë në Leningrad, ku nuk mungoi edhe vizita në Muzeun e famshëm botëror Ermitazh, pastaj në Soçi, në një hotel të shtrenjtë. Herën e dytë qenë në Jaltë. Në të gjitha rastet dorën në xhep e vinte shteti sovjetik.
Kthimi në Tiranë dhe disa surpriza
Rruga e kthimit për në atdhe, në mars 1958, ndoqi të njëjtin intenerar të udhëtimit hyrës, por në drejtim të kundërt: Moskë-Odesë-Kostancë-Ngushtica e Dardaneleve, por këtë herë me një qëndrim disa orësh në portin e Pireut, për furnizim të anijes. Pastaj vapori sovjetik nuk kaloi nëpër detin Jon, por hyri në Kanalin e Korinthit. Kështu në ujrat e gjëra doli fare afër Shqipërisë.
Kur mbërriti në Tiranë Andrea Shkodrani mësoi se e priste një vend pune në Gjermaninë Lindore, në një shtab operativ të Traktatit të Varshavës. Ky ndodhej në Potsdam. Byroja Politike e Partisë Komuniste Gjermane (Partia e Unitetit Socialist) kishte miratuar edhe praninë e katër zbuluesve shqiptarë, çfarë me kalimin e ditëve u reduktua në vetëm dy. Kështu kandidatëve, përfshi edhe Andrea Shkodranit, iu dha detyra të martoheshin sa më shpejt. Kjo i ndodhi në 29 nëntor 1958 dhe bashkëshortja, Vanthi, ishte korçare.
Qe e shtunë kur u bë dasma. Urdhri nga qendra ishte i prerë: me t’u martuar nisuni në Tiranë! Të hënën, në 1 dhjetor, të dy kandidaturat, tashmë të miratuara edhe nga Byroja Politike e PPSH-së, qenë në kryeqytet për t’u nisur menjëherë për Potsdam, por ndodhi e papritura.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|