Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TAHMAZ BEQARI, KUNDËRZBULUESI DIPLOMAT NË BEOGRADIN E TITOS


Personazhi real i një libri dhe i një filmi të Kinostudios “Shqipëria e Re”, i cili rrëmbeu arkivin sekret të italianëve në 1943, si u emërua në krye të Legatës Shqiptare në kryeqytetin jugosllav.

(Botuar nè “Shqiptarja.com” nè 10 gusht 2018)

Pjesa e parë

Me Tahmaz Beqarin nuk isha njohur ndonjëherë nga afër, sepse në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar qesh fare i ri, kurse ai një burrë me moshë të pjekur. Por një kahje kontakti e kishim: me fëmijtë e tij në Berat ishim shokë, me njërin prej tyre edhe shok klase. Familja Beqari shpërndante përreth mirësi dhe edukatë, madje edhe butësi, edhe pse babai i asaj shtëpie qe kryetar i Degës së Punëve të Brendshme.
Ishin mjaft ndikuese në emrin e mirë të familjes së tij fjalët e përhapura për të se i ri, nëntëmbëdhjetë vjeçar, pati kryer një aksion të papërfytyrueshëm për njerëzit e zakonshëm, përtej heroizmit: gjatë periudhës së pushtimit italian kishte rrëmbyer nga Ministria e Punëve të Brendshme një pjesë të arkivit të fshehtë të saj dhe ja pati dorëzuar Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Në pasluftë, kur do të ndodhej në Berat, Tahmazi që prej këtij qyteti do të dërgohej në Beograd si shef i Legatës Shqiptare dhe më tej familja e tij, ndërsa kaluan disa mote, do të shpërngulej. Koha futi në mes pauzën e heshtjes, por emrin e tij do ta gjallëronin vitet tetëdhjetë, kur shkrimtari Neshat Tozaj do të botonte një libër për aksionin e dikurshëm të Tahmazit (“Rrëmbimi i arkivit”) dhe më pas do të vijonte edhe një film i Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Nga mesi i errësirës”.
Në këtë pak informacion si edhe me të tjera jo fort të spikatshme, do të më zinte viti 2015, kur në Arkivin Dixhital të Wilson Center, SHBA, qendrës studimore nga më të rëndësishmet në botë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe raportet politike mes shteteve, do të ndeshja edhe në dy raporte informative të Tahmaz Beqarit nisur nga Beogradi për eprorët e tij në Tiranë.
Kjo përzgjedhje e njerësve të ditur të Amerikës ndaj diplomatit ish-kryetar i një dege të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më habiti, sepse, siç ende mendoja, ai mund të qe i aftë për vëzhgime kriminelësh apo edhe survejime politike personash jopajtues me regjimin, por kurrsesi për të njohur të fshehta shtetesh.
Këtu nisi ngasja dhe ngulmimi për të zhbiruar më tej, ca më shumë se në mes gjendej një temë që e përpin përherë vëmendjen e lexuesve: raportet shqiptare me serbët.

Arkivi i rrëmbyer i Ministrisë së Brendshme bie në duart e Enver Hoxhës

Një vit më parë, në 2017, do të ishte studiuesi Kastriot Dervishi që do të shpjegonte në mënyrë më të çliruar nga propaganda e para nëntëdhjetës ngjarjen e rrëmbimit të arkivit sekret të Ministrisë së Brendshme si edhe rolin e Tahmaz Beqarit. Po ja përcjellim lexuesit të plotë pjesën thelbësore të këtij shkrimi, atë me vlerë informuese.
Vë në dukje autori: “Tahmaz Bahri Beqari (1924-1976) më 18.9.1941 filloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme si shërbëtor me ndërmjetësinë e Emin Bilibashit, por dhe me përkrahjen e Harito Haritos, me pagën 2.7 franga në ditë. Më parë, në vitet 1941–1942 ka punuar kamerier në pijetoren e Hamit Kroit në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë. Që prej shkurtit 1943 kalon në një grup edukativ komunist ku bënin pjesë Jashar Menzelxhiu dhe Haxhi Kroi...”
Më pas Kastriot Dervishi shkruan: “Në vitin 1942 Zyra Politike dhe e Personelit ishte ndarë, ndërsa një vit më vonë pas disa paqartësish kjo zyrë u vu në drejtim e Mahmut Çelës. Në kohën e rrëmbimit të arkivit, Zyra Politike nuk kishte drejtor të dekretuar. I favorizuar edhe nga rrethanat politike (pozitat e Musolinit në Itali, zbarkimi aleat atje dhe rrëmuja politike në Itali), Tahmazi arriti të kopjonte çelësat e Zyrës Politike. Aksioni ndodhi në 21 korrikun e vitin 1943, kur Tahmazi rrëmbeu një pjesë të fondit sekret të zyrës në fjalë”.
Vijon shpjegimin Kastriot Dervishi: “Në njoftimin e datës 5.8.1943 të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë thuhej ndër të tjera: “Tamam ditën e martë, më 20.7.1943, kishte marrë çelësin e vendit ku ndodhej termosifoni prej kafexhiut Thoma Çaçi nga Ogreni i Përmetit me pretekst se ishte urdhëruar prej z. Dervish Dobi - sekretar në Zyrën Sekrete, për të djegë si nga hera disa akte në atë termosifon.
Më 21.7.1943 kafexhiu kishte kërkuar çelësin me qenë se i duhej të mbushte me ujë musllukun që ndodhej në atë vend, por Tamasi kishte refuzuar me pretekst se do ta dorëzonte të nesërmen meqë i duhej për djegien e akteve.
Më datë 17.7.1943 i përmenduri Tamas për të lehtësuar në zbatim planin e tij, ka zbritur të flejë në katin nëntokë në depon e ministrisë, afër penxheres së termosifonit nga e cila ka dalë.
Tamasi më 21.7.1943 në orën 22.00 ka ardhur nga jashtë me biçikletë të Zyrës, të cilën e ka lënë jashtë derës dhe mbasi është ngjitur lart në ministri, nuk është parë që të zbriste më poshtë. Xhandari i trupit të rojës Ibrahim Shaqiri e ka parë duke shkuar lart në zyrat e ministrisë, por nuk ka formuar as më të voglin dyshim ndaj tij, pasi siç u tha më lartë, i përmendur ishte autorizuar të flinte në ministri.
I pandehuri nga pallati ka dalë duke përshkruar nëpër shkallët e fshehta, duke hapur derën e termosifonit me çelësin që kishte marrë nga kafexhiu dhe penxheret i ka hapur me anën e ndonjë vegle, duke thyer hallkat e drynave, nga të cilat njëra paraqitet.
Aktet kuptohen se i ka hedhur nga penxherja e ministrisë me ndonjë thes e mundësisht nga penxherja e nevojtores e cila nuk ka qenë edhe aq e siguruar, prej nga e cila ka dalë edhe vetë pasi ka pasur frikë mos shihej nga ushtarët e rojës së kuesturës ose atyre që flenë në katin e poshtëm”.
Duke e mbyllur shkrimin e tij studiuesi Dervishi sqaron se “Dokumentet të paketuara me thasë e valixhe përfunduan në Valias. Pas kësaj Zyra Politike u dogj. E gjithë sasia e fondit të hequr nga Zyra Politike, pas një qëndrimi në mal, ku u shfrytëzua personalisht nga Enver Hoxha. Pas lufte iu bashkua Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u emërtuar “Fondi trofé”. Në fund të viteve ’50 u bë edhe ndarja e këtij fondi në dosje sipas emrave të personave që përmendeshin në të, duke cenuar gjithë integritetin e fondit në fjalë. Përveç kësaj u hartua edhe një inventar, i cili në disa raste për germat “E” (për shembull Enver) dhe “H”, është i censuruar, grisur fleta dhe hartuar më pas një shtojcë vazhduese. Gjithashtu është hartuar dhe ndarë sipas zërave listave e agjentëve të Zyrës Sekrete, e zbulimeve të huaja, etj, ku më e “dëmtuara” është ajo e agjentëve jugosllavë”.

Drejt Beogradit, ku më parë pati qenë kryediplomat edhe Tuk Jakova

Disa biseda me Nekiun, njërin prej djemve të Tahmaz Beqarit, mjek stomatolog, përfundojnë me grumbullime të dhënash krejtësisht familjare dhe aspak të punës së të atit në Legatën Shqiptare në Beograd, çfarë ai nuk mund ta dinte. Gjithsesi sipas Nekiut, me Tahmazin shkuan në kryeqytetin jugosllav e shoqja, Shpresa, vajza Tatjana, e cila u rikthye në Shqipëri pas një viti, kurse djali tjetër, Shkëlqimi, qendroi në Beograd gjithë mandatin e të atit. Këta atë kohë qenë fare të vegjël.
Sidoqoftë hë për hë prej Nekiut siguruam të dhëna më të plota për jetën e të atit. Babai i Tahmazit, Bahriu, i martuar me gjirokastriten Rahimé, pati qenë partizan. Në vitin 1948 u vra në postën e Libohovës në mbrojtje të kufirit nga sulmi i një grupi diversantësh grekë.
Nëpërmjet një dokumenti origjinal të arkivit familjar, të daktilografuar, të datës 17 nëntor 1975, çfarë do të thotë shtatë muaj para se Tahmazi të ndërronte jetë nga një sëmundje e parakohshme (vdiq në 30 qershor 1976, pra kur ishte 52 vjeç), mësojmë për dhjetë urdhërat e medaljet me të cilat qe dekoruar. E para e tyre, dhënë në 26 qershor 1946, ishte “Medalje e Kujtimit”. E fundit sa qe gjallë: “Për Shërbime Ushtarake”, klasi I (21 nëntor 1974).
Bie në sy se gjatë periudhës së shërbimit të tij si diplomat i parë i Shqipërisë në Jugosllavi, ai është dekoruar me “Urdhërin e Skënderbeut”, klasi II (1 qershor 1963).
Në këto dokumente zyrtare Tahmaz Beqari shënohet i lindur në Nepravishtë dhe gjatë viteve të para të pushtimit italian, 1939-1941, ka punuar si bujk. Në motet 1941-1942, shënohet se ka punuar si kamarjer në një “Pijetore, Tiranë”. Qëndrimin në Ministrinë e Punëve të Brendshme si “shërbëtor” Tahmazi e ka të vendosur në periudhën 1942-qershor 1943. Nga 20 qershori deri në 15 gusht 1943 pohon se ka qenë partizan në çetën e Krujës. Me gjendjen “i sëmurë”, rikthehet në Tiranë në 15 gusht 1943 dhe qëndron këtu deri 15 tetor. Këtë ditë shkon partizan në Brigadën III. Por në 3 janar 1944 për shkak se risëmuret nuk është aktiv në veprime luftarake deri në 5 maj. Këtë ditë regjistrohet si partizan (skuadërkomandant), në batalionin e dytë të Grupit të Pezës. Në 5 shtator u rikthye në Brigadën III, ku qëndroi si partizan i thjeshtë deri në 10 dhjetor 1944. Në po këtë njësi u bë komisar kompanie dhe në 30 dhjetor 1945 oficer Sigurimi, duke kaluar në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshne. Prej këtij çasti deri në 10 maj 1946 punoi si shef i Sigurimit në Divizionin III Korçë, për të kaluar më pas referent në Ministri. Në 30 dhjetor 1948 deri në 20 dhjetor 1949 punoi si shef i seksionit të Sigurimit në Divizionin V.
Këtë ditë, për dy vjet rresht (deri në 15 janar 1951) u shkollua në BRSS. Në këto dokumente kjo periudhë shpjegohet si “me studime”, pa treguar profilizimin, por në të vërtetë Tahmaz Beqari u specializua për kundërzbulim.
Rikthimi në Shqipëri u shoqërua me emërime të tij si kryetar i degës së Punëve të Brendshme në Skrapar, pak kohe punë në Ministri (dega e Kufirit) dhe në 1 shtator 1956 në krye të degës së MPB në Berat.
Aty që prej gushtit 1955 ishte vendosur, i dënuar nga PPSH, Tuk Jakova dhe familja e tij. I kishin shkarkuar nga të gjitha funksionet, i patën hequr gradat si edhe titullin “Hero i Popullit”. I kishin sekuestruar edhe armët: një për gjah dhe tjetra një pistoletë e vjetër e modelit turk, të cilën e pati kujtim nga vitet e rezistencës dhe luftës antifashiste.
Me vendim të Komisionit të Dëbim-Internimeve të 24 majit 1956 Tuk Jakova u internua në Porto Palermo, në kalanë e Ali Pashë Tepelenës. E patën dërguar atje me kamion e të shoqëruar me disa ushtarë e oficerë, më së pari duke e prangosur.
Për një rastësi dhe fat njëkohësisht, në këto ngjarje Tahmaz Beqari nuk kishte asnjë rol. Ai, siç thamë më sipër, erdhi në Berat si kryetar i Degës së Punëve të Brendshme disa muaj më pas nga burgim-internimi i Jakovës, në fillim shtator 1956. Gjithsesi atij për tre vite do t’i binte detyra e hidhur e mbajtjes nën vëzhgim të familjes së Tukut, bashkëshortes së tij trimërore e të zgjuar, Mitës, si edhe tre fëmijëve fare të vegjël.
Pas plot tre vitesh pune në Berat, në 1 shtator 1959, Tahmaz Beqari u nis për në Beograd. Për një rastësi shumë të trishtueshme dhe pa asnjë lidhje me të, pak ditë më parë, në 26 gusht, pati ndërruar jetë Tuk Jakova. E kishin lënë pa asnjë kujdesje të vëmendshme shëndetësore pas një krize akute të apendisitit. Prej një gjëlpëre të bërë me ngut dhe pa dhënë asnjë shpjegim për çfarë ishte, vijon edhe sot një dyshim i madh i familjes.
Tek nisej drejt Beogradit, ku prej dy muajsh u prit të jepej pëlqimi i autoriteteve jugosllave për ta pranuar si shef të Legatës, Tahmaz Beqari do të kujtonte se komunisti shumë i njohur dhe shpirtbutë shkodran kishte qenë dikur njëlloj si ai: diplomat i parë i Republikës Popullore të Shqipërisë (I Deleguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë). Kjo detyrë e Tuk Jakovës pati ngjarë në mars 1947.
Tashmë në 1 shtator 1959 qe rast i rrallë ai emërim i Tahmaz Beqarit dhe në Berat, një natë para përcjelljes së tij, u bë një darkë e madhe ku nuk mungoi edhe një këshilltar i lartë i Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Ishte një njeri gazmor, por që disa mote më pas, ndërsa do ta ritakonte në Beograd këtë herë si diplomat të ambasadës së BRSS, një ditë do të merrte vesh se ai qe gjetur i mbytur në lumin Sava. Pati shumë fjalë si për një krim spiunazhi.
Sidoqoftë në atë 1 shtator nga qendra e Beratit deri në afërsi të Lushnjës makinën me ambasadorin e ri shqiptar në Jugosllavi do ta shoqëronte edhe një motocikël i oficerit të parë të qarkullimit rrugor të qytetit. Kështu ceremonia u bë e plotë.
Brendësia e asaj që Tahmaz Beqari pati kryer për gjashtë vite rradhë në kryeqytetin jugosllav nuk mund të plotësohej nga sa pak kishte familja dhe doemos një ndihmë mund ta jepte çfarë përmbante arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë. Por edhe mundësisht ndonjë koleg pune. Kjo rrugë e fundit informimi mbetej më e pëlqyera për autorin e këtyre rradhëve, sepse shkresat, edhe kur janë të hollësishme, nuk përmbajnë asgjë nga detajet njerëzore, kaq të domosdoshme për të krijuar, nëpërmjet rrëfimit, një mënyrë kontakti të ngrohtë dhe mbresëlënës me lexuesin.
Por një merak ishte i kuptueshëm: patën kaluar shumë dekada dhe a do të kishte ndonjë të gjallë mes bashkëpunëtorëve të Tahmaz Beqarit në Beograd?

Dy konferencat e Vendeve të Paangazhuara

Dy raportet që nga Tahmaz Beqari ruan dhe bën të njohura për studiues të të gjithë botës Arkiva Dixhitale e Willson Center në SHBA, ai i 3 shtatorit 1961, ka për tematikë punimet e Konferencës së Vendeve të Paangazhuara, të mbajtur ato ditë në Beograd. Mes të tjerash në atë telegram të gjatë diplomati i parë shqiptar thekson: “Tepër sekret, nr. 5179. Ministris së Jashtme. Në seancat e djeshme të konferencës në fjalimin e mbajtur nga Nkruma nuk tha asnjë fjalë për Titon si gjithë të tjerët që e falënderuan, ay ngriti çështjen se ekzistojnë dy Gjermani, kufirin në Oder, foli shumë për Kinën që pranimi i R.P. të Kinës do të thotë forcim i paqes. Nkruma në kundërshtim me Titon dhe Naserin tha duhet të diskutojmë probleme konkrete dhe jo në përgjithësi e dolli me propozime. Tito, Naseri dhe nga diplomatët e vendeve kapitaliste çfaqeshin sinjalizime nervozizmi kur fliste Nkruma. Kur filloi nga diskutimi Dortikasi diplomatët e vendeve të Perëndimit gati që të gjithë një nga një u larguan. Ay demaskoi mirë intrigat e imperializmit sidomos atij të SH.B.A.” (Kwame Nkrumah qe kryeministër dhe president i Ganës, Dortikas ishte presidenti i Kubës- shënimet tona).
Në një pjesë tjetër të tij telegrami i shifruar i Tahmaz Beqarit vë në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë se: “Nga bisedimet me korespodentët e vendeve të ndryshme që ka patur Fejzua rreth punimeve të konferencës dhe fjalimeve të delegatëve, në përgjithësi shprehen të njihen nga të gjithë dy shtetet gjermane dhe R.P.Kinës duhet të pranohet në OKB. Korespodenti italian tha se këta po krijojnë blloqe...”

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com