Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEUT IU SHFARROS VARRI


(Shkrimi dyzetë e katërt i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

(Botuar në “Illyria” në 9 gusht 2018)

Në numrin e shkuar të këtij cikli, në vijim të mospajtimit me tezën se trupin e Skënderbeut, eshtrat e të cilit nuk gjenden në Lezhë, e mori me vete e shoqja, Donika, e cila me të birin në fundmaj 1468 kaloi detin dhe u vendos në Mbretërinë e Napolit, paraqitëm dëshmi të kronistëve turq të kohës, të cilët provojnë se për shuarjen e qëndresës së pas Gjergj Kastriotit, u përdorën krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve, në mos edhe përkohësisht një genocid.
Prandaj nuk ka asnjë mundësi që jetë e vërtetë rrëfenja e Marin Barletit, sipas të cilës ushtarët turq hynë në qytet me një gjendje shpirtërore të urtësuar dhe pa asnjë mllef sa kur shkuan tek varri i Skënderbeut, e hapën atë dhe ia morën eshtrat jo për ta profanuar, por bërë të kundërtën, mitizuar,
Ata i morën eshtrat dhe i vendosën fshehurazi në gjoks, nën tesha, si hajmali mbrojtëse të jetës, sigurisht edhe për fate të tjera të dëshiruara.
Prifti i talentuar katolik dhe mjaft patriot, disi shqiptar dhe ndopak italian, ose të paktën dykulturësh, Barleti, ky kronist gjenial i veprës skënderbejane si edhe i tërë qëndresës kundër Perandorisë Osmane, tridhjetë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit ka ndeshur patjetër në një të vërtetë: eshtrat e tij nuk ekzistonin.
Kësaj drame të madhe si edhe fakti dekurajues jo vetëm për shqiptarët, por edhe tërë Evropén e krishterë që po përballohej me rrezikun e rëndë të pragpushtimit turk, nuk e shpjegoi këtë mungesë me ndonjë shkujdesje të vendasve në vitin 1478 për ta ruajtur apo sepse prej përgjakjes dhe zjarrit masiv të Lezhës, prej djegies së përgjithshme nuk iu krijua mundësia për ta mbrojtur vendvarrimin, por gjeti një zgjidhje propagandistike, siç qe tërë fryma e veprës së tij në kushtrim kundër turqve: thurri një legjendë.
Ajo është e përshkruar aq bukur dhe vijon të jetë dukshëm mbresëlënëse sa edhe sot jo vetëm nuk dyshohet, por besohet me gjithë shpirt. Dëshirohet të jetë e tillë, si këngë. Refuzohet si krejt i papërshtatshëm çdo variant tjetër.
Në pamundësi ta bëjmë të pranueshme pikëpamjen se gjatë furisë së pushtimit osman të Lezhës mbi varrin dhe trupin e Gjergj Kastriotit ka ndodhur hataja e shfarrosjes dhe e fyerjes, me paraqitjen e kronikave të palës tjetër, kundërshtare, shpresojmë që këtë tezë të fatit tragjik të atyre eshtrave ta bëjmë të nënkuptueshme.
Kështu, duke ndjekur këtë logjikë, po vijojmë pjesën tjetër të mënyrës së rrëfimit, në të kundërt të Marin Barletit, të kronistit turk Qemal Pashazade, bashkëkohës i ngjarjeve, jo i pas zhvillimit të tyre. Prej mjaft historianëve osmanë ai mund të konsiderohet më i informuari, edhe pse çfarë shkruajnë këta kronistë zyrtarë të Sulltanit, është e depërtuar tej për tej nga fryrja e propagandës.
Në librin “Tevarih-i al-i osman” (“Historia e Dinastisë Osmane”), tek vëllimi i VII-të, mes të tjerash Pashazade përshkruan trazirën që po ndodhte në Lezhë nën hakmarrjen e përgjakshme dhe të papërmbajur të osmanëve kundër arbërve, të pafeve, atyre që kundërshtuan për mbi një çerek shekulli sulltanin: “Një grup burrash heronj gjetën barka dhe disa të tjerë përgatitën me të shpejtë lundra, hipën mbi to dhe zbarkuan në ishull. Edhe disa qindra kalorës të shpejtë u futën në ujë së bashku me kuajt, notuan dhe si një valë deti mbërritën në bregun e ishullit. Kur ata dolën në tokë, disa prej atyre të prapëve me natyre divi që gjetën atje, i goditën ashtu sikur të kishte rënë ndonjë gur nga qielli dhe disa i dogjën sikur t’u kishte rënë rrufeja. Ata të poshtër me natyrë të zjarrtë, u rrethuan nga vala e shpatave të mprehta të detit të luftës. Disa nazemëdhenj me trup argjendi që ju shëndriste si ujë, duke u dridhur si gjethet e shelgut nga frika e shpatave të bardha, u hodhën në ujë, u mbytën. Zemrat, si zemra mali të mbushura me urrejtje të këtyre luftëtarëve të paudhë, e me natyrë të çeliktë si themelet e Sheddadit, u bënë copë-copë nga rrebeshi i shpatave”.
Më tej: “Kokat e këtyre keqbërësve, të prera që në zverk nga shpata, e që ishin si pjeprit e kopshtit të sheshit të luftës, notonin në sipërfaqen e ujit si kungujt”.
Pas kësaj pamjeje makabre: “Trupat e tyre të brishtë lëviznin si flluska uji dhe sa herë që dallga i prekte si një shpatë, ato rrudhnin ballin, i cili merrte pamjen e një mburoje të trëndafiltë dhe mbyllnin gojën, e cila merrte pamjen e një mburoje që i shëmbëllente një burbuqeje të porsaçelur. Luftëtarët ngadhënjimtarë i ranë anëmbane ishullit dhe e grabitën; morën me vete robërit që u ranë në dorë dhe më pas u kthyen. Në atë vend disa nga njerëzit e anijeve u zunë robër dhe disa u mbytën në ujin e luftës. Në këtë anë, kështjella kishte marrë zjarr dhe çfarë kishte brenda, të gjitha morën flakë dhe u shndërruan në një varr të të pafeve”.
Në vazhdim, duke ngulur këmbë se të paktën gjysma e qytetit brenda mureve mbrojtës po digjej dhe njerëz e objekte përvëloheshin: “Kryengritësit që gjendeshin brenda kështjellës së Lezhës dhe kufomat e të vrarëve u dogjën krejtesisht; tymi i tyre pushtoi horizontin dhe gjer kupën e qiellit…”.
Po ashtu Pashazade shkruan tepër i gëzuar prej kësaj masakre të lezhianëve, ndërkohë që bashkë me to fare afër luftimeve për të shtypur tërë rezistencën shqiptare të pas Skëndebeut, pati ardhur edhe vetë sulltan Mehmet II: “Në këtë mënyrë, ushtria e zjarrtë pushtoi edhe këtë kështjellë me luftë… Ajo u shndërrua në pirgje dheu! Këtë rajon e pastruan nga ndyrësia e paganëve me anë të ujit të shpatave me ngjyrë të përhimtë. Ata u kthyen në Shkodër, të pasuruar, fitimtarë dhe me shumë plaçka. Ata mbërritën pranë ushtrisë perandorake, e cila i ka rënë botës anëmbanë, ndërsa komandantët zunë vendet e tyre të mëparshme. Disa prej pjesëmarrësve të luftës u lavdëruan dhe disave ju dhanë dhurata. Secili u gradua në përshtatje me pozitën e tij…”
Pra armata osmane që sulmoi Lezhën, nuk kishte nevojë ta mbante lart gjendjen e saj luftarake me historinë e eshtrave-hajmali, ajo u stimulua ta digjte Lezhën, kryeqytetin politik të Skënderbeut, ta zhdukte nga faqja e dheut.
Më tej, por tashmë duke e mbyllur përshkrimin e përgjakshëm të pushtimit, kronisti turk i kohës, Qemal Pashazade, thotë me ngazëllim: “Pasi qenë marrë kështjellat që ishin në ato anë, vendin e të pafeve e pushtoi hutimi dhe konfuzioni.. Ndërkaq në mes, akoma qëndronte kështjella e Shkodrës;…”
Sipas jo pak historianëve profesionistë dhe të paangazhuar në favor të Perandorisë Osmane apo të Krishtërimit, shumë prej lezhianëve robër turqit i nisën drejt Shkodrës dhe për të dekurajuar mbrojtësit e saj të paepur, i masakruan buzë mureve. Vetëm pas kësaj, rreth 8 shtatorit, sulltan Mehmeti II bashkë me një pjesë të trupave mori rrugën e kthimit për në Kostandinopojë (Stamboll).
“Pushtuesi i Botës”, Mehmet Fatihu, pati ardhur vetë për të zhdukur qëndrat e rezistencës shqiptare, por edhe dëbuar ndikimin venecian nga trojet arbëre. Këtë të fundit nuk e pati pasur shumë të vështirë, sepse që disa vite më parë të dërguarit e tij të fshehtë i kishte dërguar tek dozhi i Republikës për të bërë një kompromis: ta braktisnin paqësisht çfarë kishte mbetur prej Skënderbeut.
Bisedimet u hoqën zvarrë për shumë kohë, por gjithsesi përparuan, madje ndër seancat e fundit të tyre u kryen kur Mehmeti II ndodhen vetë në Arbëri, ndërsa dy nga gjeneralët e tij më të famshëm, përfshi edhe shqiptarin Gjedik Pasha, po shtypnin kështjellat e fundit rreth Shkodrës.
Ka disa historianë që kanë shfletuar jo vetëm arkivat e Republikës së Fenedikut, por edhe ato të Portës së Lartë, të cilët kanë paraqitur pikëpamjen se shfarrosja e kalave që patën qenë me Gjergj Kastriotin u bë nëpërmjet një tradhëtie të republikës detare. Janë regjistruar në një vetëm një rast komandntë venecianë të kështjellave arbëre, të cilët e ndërprenë luftën e rezistencës kundër sulmit osman.
Janë turqit, mendojmë, ata që qëllimisht e përdhunuan dhe e shfarrosën varrin e Skënderbeut dhe zhduken eshtrat e tij. Kjo përputhej me strategjinë e tyre politike dhe ushtarake. Sulltani pati ardhur vetë në këtë betejë, ku u pushtuan një pas një kështjellat e Zhabjakut, të Drishtit, të Krujës dhe të Lezhës, sepse donte të mos i linte asnjë shenjë Gjergj Kastriotit dhe veprës së tij të qëndresës.
Nuk është gjest i mënçur që për hir të ruajtjes së tezës së paprovuar të Marin Barletit, por që përkëdhel njenjat tona të adhurimit nacionalist për Skënderbeun dhe shtatin e tij historik vigan, të këmbejmë një legjendë pendëfryrë për të humbur një fakt të fuqishëm dëshmie heroizmi arbër dhe shpirti sakrifice për liri.
Lexoni, po të kini ndopak kohë, çdo tekst historie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave tona për të parë se për shkak të këtij paragjykimi, sa vend minimal dhe sa rrëfim të sipërfaqshëm do të gjeni për periudhën e moteve 1476-1478!
Ajo ka brenda saj shumë lavdi ende të mbajtur në mostrajtim dhe spikatje të domosdoshme.
Asnjë eshtër e trupit të Skënderbeut nuk është transferuar në Itali edhe për një arsye tjetër. E veja e tij, princesha Donikë, qe mjaft e ndjeshme ndaj ndërtimit të varreve për të vetët. Të shoqit, pikërisht edhe për këtë dhunti të saj, do t’ja ngrinte të dukshëm në mes të Napolit, qendrës mbretërore më të madhe të një shteti brenda Italisë, atë kohë me disa të tillë.
Sepse ajo e bëri me nipin e saj, i cili varr ruhet edhe sot.
Në pak fjalë kjo histori është kjo:
Gjoni, biri i vetëm i saj dhe i Gjergj Kastriotit, i cili bashkë me të jëmën emigroi në Mbretërinë e Napolit që kur ishte diçka më tepër se trembëdhjetë vjeç, u martua aty me Irena Brankoviç Paleologun. Kjo ishte vajzë e mbretit Llazar të Sërbisë dhe e Elena Paleologut, bijë nga dera perandorake e Bizantit.
Nga kjo martesë lindën pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Njëri prej djemve qe Kostandini, i cili në fund të vitit 1497 u bë peshkop i qytetit të Izernias, por dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe rreth 1500-tës, në moshë fare të re, ndërroi jetë.
Sipas dokumenteve origjinalë të gjetur prej skënderologut më të mirë italian të ditëve tona, Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone), në 7 shtator 1499 dëshmohet se Donika ende ndodhej në Napoli dhe nuk dëshironte të shkonte në Spanjë me mbretëreshën, Xhovanën e vogël, sipas lutjes së kësaj të fundit.
Arsyeja, mendojmë, është sëmundja e rëndë e të birit, Kostandinit, sepse vajtjen në Spanjë ajo do ta bëjë më vonë, këtë herë duke i plotësuar lutjen Xhovanës tjetër, të madhes, për të cilën kujdesej në oborrin mbretëror napolitan. Që Donika ndodhet në Napoli në vitin 1500 e dëshmon edhe historiani italian Karlo Padilione.
Ky është viti kur ajo kryen gjestin që do të mbetet i fiksuar njëherë e përgjithmonë në këtë qytet: një varr-monument për nipin e saj Constandinus de Scanderbechis. Në tekstin e gjatë përkushtues, të gdhendur në mermer, dallohen qartë fjalët “Constandinus Castrayotus” si edhe vetë emri i saj “Andronica Cominata”.
Sipas Prof. Valones, grupi shoqërues i mbretëreshës Xhovana do të nisej nga Napoli për në Sicili më 2 dhe 3 gusht 1501 dhe në Spanjë do të arrinte vetëm në korrik 1502.
Donika iku pa e dëshëruar të mbetej atje. Sipas Xhovanës së madhe, strehë e fundit e bashkëshortes së Skënderbeut ka qenë nëntoka e Kishës së Trinisë së Shenjtë në Valencia. Madje në testamentin e saj ajo urdhëron zhvendosjen e eshtrave të Donikës për në Napoli. Cakton edhe vendin e prehjes: një kishëz në varësi të kishës së madhe Santa Maria dela Konçencione (Santa Maria della Concenzione).
Por kjo gjë nuk u krye, sepse hyri në mes një grindje mes arbërve vranakontë, që tashmë administronin prestigjin e Kastriotëve me një person plot pushtet në oborrin mbretëror napolitan.
Kështu varri i saj mbeti në Spanjë. I humbur. Tjetri, i të shoqit, Gjergjit, mbeti pas asnjë shenjë pothuaj tre dekada më parë, që kur turqit me hekur e zjarr morën Lezhën.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 6 gusht 2018




















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com