Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LEZHIANËT PËR TË MOS IA DORËZUAR TURQVE QYTETIN E TYRE, E DOGJËN. PO ESHTRAT E SKËNDERBEUT?


(Shkrimi dyzetë e tre i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

(Botuar në “Illyria” në 2 gusht 2018)

Duke u përpjekur që për shkak të mungesës së paraqitjes së provave nga parashtruesit, ta mbajmë të përjashtuar mundësinë e transportimit në Itali, me të shoqen, Donikën, dhe birin e vetëm trembëdhjetë vjeçar, Gjonin, të trupit të Skënderbeut të vdekur tre muaj më parë, po qëndrojmë një çast në një paketë dokumentesh turke të kohës.
Ato një vit më parë i ka mbledhur prej autorësh shqiptarë, osmanologë, të Kosovës kryesisht, dhe paraqitur për opinionin publik drejtori kulturor i Lezhës, për rrjedhojë edhe i Memorialit të Varrit të Gjergj Kastriotit, Paulin Zef Zefi.
Paraqitjes së tij në një shkrim të përmbledhur, gjithnjë referuar studiuesit të mësipërm, për lexuesin e “Illyria” kemi bërë thjesht një ndërhyrje në radhitjen e dokumenteve si edhe në përmasën e fragmenteve të mara prej tyre.
Besojmë se një mënyrë e tillë parashtrimi do të na ndihmojë të kuptojmë më lehtë se si mund të ketë qenë fati real i eshtrave dhe i vetë trupit të Skënderbeut, para, gjatë dhe pas pushtimit të Lezhës nga trupat osmane.
Kjo ngjarje e fundit ndodhi në 5 shtator 1478, ndërsa armata perandorake pati shtënë në dorë po ato ditë kështjellat e Zhabjakut dhe të Drishtit, qendra të rëndësishme mbrojtëse, bashkë me Krujën dhe Durrësin, të asaj e cila nga studiuesit quhet “Albania Veneta”, “Shqipëria Veneciane”.
Këto pushtime, pra edhe i Lezhës, do të siguronin një prapashpinë të qetë për marrjen prej ushtrisë osmane, të Shkodrës. Për t’ia dalë mbanë gjithë këtij mega operacioni pati ardhur edhe vetë sulltan Mehmeti II, “Pushtuesi i botës”.
E informojmë ndërkaq lexuesin se pas një rrethimi dyvjeçar këtë kohë kishte rënë Kruja (16 qershor 1478) dhe Mehmeti II nuk e mbajti premtimin që u kish dhënë krutanëve për të mos u prekur jetën. Ndërsa këta e dorëzuan kështjellën turqit vranë të gjithë meshkujt e rritur, kurse gratë e fëmijët i kthyen në skllevër.
Sipas asaj çfarë paraqit Paulin Zef Zefi, kronikani osman Sollakzade/Mehmet Hemdemi në motin 1657, tek libri i tij “Fihrist-i Sahan” (“Pasqyra e mbretërve”) ose me një titull të dytë “Tarih-i Solakzade” (“Historia e Sollakzadese”), “Përsëri doli fermani perandorak i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë, që urdhëronte të dy bashkarisht, Daut Pashën dhe Sulejman Pashën, që të shkonin të rrethonin kështjellën e Lezhës dhe ta pushtonin atë”.
Më pas autori osman këmbëngul: “Arbërit kur panë fuqinë e madhe të ushtrisë fitimtare të të dy pashallarëve, hapës të kështjellave, që ishin ngarkuar për të pushtuar këtë kështjellë, hoqën dorë nga lufta dhe kërkuan që të faleshin. Ata futen familjet dhe plaçkën e tyre në disa anije që kishin ardhur aty nga ana e frëngut për ndihmë, me qëllim që të dilnin në det nëpërmjet rrjedhës së shpejtë të lumit që kalonte përpara kështjellës. Ata nuk mundën që të arratiseshin në këtë mënyrë. Kur dolën për së largu anijet armike që po arratiseshin, luftëtarët e ushtrisë osmane që ndodheshin në bregun e atij lumi, ata më trimat, të cilët ishin të etur për luftë me armikun dhe notarët që ishin më të zotët në artin e zhytjes, u zhveshën si shpatat dhe u hodhën menjëherë në ujë”.
Në vijim: “Armiqtë frëngj, kur panë ardhjen si krokodila të luftëtarëve, i kapi më tepër frika dhe po vuanin që të arrinin bregun me qëllim që të shpëtonin. Ata arritën në atë breg, i lidhën anijet njëra me tjetrën dhe kur po i tërhiqnin, arriti përpara tyre ushtria islame. Atëherë të shpartalluarit që u arratisën, hipën përsëri në anijet e tyre, por u ndoqën nga luftëtarët fitimtarë me anije, u kapën, u lidhën me zinxhirë dhe u dërguan në selinë e sulltanit”…
Përsa referuam më sipër arsyetimi nuk të lë shteg hapje për të besuar se eshtrat e Gjergj Kastriotit janë marrë me vete apo edhe fshehur prej banorëve. Ka shumë egërsi të turqve dhe mjaft pamundësi të lezhianëve për të marë me vete për shpëtim trupin eshtror të Skënderbeut.
Në rast se kjo do të kish ngjarë ky kronist osman, por edhe të tjerët, do ta kishin regjistruar dhe lajmin përhapur. Këtë gjykim e përforcojnë edhe fragmentet nga shkrimet e kronistëve të tjerë turq. Ata nuk kanë asnjë rresht për praninë e tyre në brendësi të qytetit të Lezhës dhe ca më pak që ushtarë të armatës së tyre patën guxuar dhe bërë sfidë Sulltanit të tyre, që ish aty, duke i mbajtur eshtrat e prijësit shqiptar si hajmali.
Në botimin tjetër, të cilit i referohet Paulin Zef Zefi, “Vepër mbi fitoret e Sulltan Mehmetit”, shkruhet: “Sulltani urdhëroi që të gjithë komandantët të shkojnë në kështjellën e njohur me emrin “Lesh”, e cila ishte liman dhe ndodhej në bregdetin e atij vendi dhe të përpiqeshin për pushtimin e saj”.
Vijon kronisti: “Menjëherë të gjithë komandantët së bashku me ushtrinë islame marshuan për në atë kështjellë. Këtë do ta godisnin gjithashtu me topa deri sa gjylet ta shembnin dhe që pastaj me anën e forcës së shpatave, ta pushtonin. Kur të gjithë komandantët islamë, d.m.th. komandantët e Anadollit dhe Rumelisë mbërritën tek kështjella e Lezhës që ndodhet në brigjet e detit, të pafetë dhe paganët, kur panë madhështinë e ushtrisë islame, u tmerruan, nuk i nxinte më vendi, por menjëherë futën në anije familjet e tyre, njëkohësisht ngarkuan edhe plaçkat. Nga ana tjetër, ata me duart e tyre i vunë zjarrin kështjellës dhe u larguan në drejtim të detit”.
Më tej në këtë kronikë që duket sikur është shkruar jo pranë ngjarjes, por në oborrin perandorak në Stamboll, thuhet: “Ushtria islame vendosi një top në breg të detit pranë kështjellës, atë e kishin mbushur dhe bërë gati për zbrazje. Pikërisht në kohën kur të pafetë u hipën anijeve dhe duke dalë nga limani u drejtuan për në det të hapur, atëherë ushtarët islamë filluan të godasin me topin e përgatitur që më përpara. Menjëherë gurët e llahtarshëm të topit filluan të binin mbi ta si vetëtima. Disa prej të pafeve u goditën; secili prej tyre i kapur mbi një copë dërrase, po notonte sikur të ishte ndonje zog deti. Të pafetë dhe paganët u mbytën në det. Disa prej tyre i kapën rob, disa të tjerë i shkuan në shpatë, i copëtuan. Ishte një panoramë e jashtëzakonshme”.
Referuar studiuesit Zefi historishkruesi turk Ali/Mustafa bin Ahmed bin Abdullah al-Mavla Celebi, i cili jetoi në periudhën 1541-1600, tek libri i tij “Kunh-ul-ahbar” (“Bërthama e lajmeve”), vë në dukje: “Ata (banorët e Lezhës-shënimi ynë), duke thënë se është e kotë që t’u bëjmë qëndresë, hipën në anije, vendosën në to plaçkat së bashku me familjet e tyre dhe u nisën për në Frëngjistan. Kështjellën e lanë nën kujdesin e pakët të atyre që rrinin në kështjellë. Në kohën kur ata hipën në anije, u panë nga padishahu, mbrojtësi i botës. Meqënëse shtegu kalonte po nga ai vend, prandaj ushtria perandorake synoi marrjen e lejes për plaçkitje”.
Pak më poshtë: “Mbas një lufte të madhe ata i morën anijet; një pjesë të të pafeve që ndodheshin brenda tyre i bënë preh të shpatave, kurse të tjerët i shndërruan në robër të lidhur me zinxhirë. Ata shtinë në dorë skllave, skllevër, sende me vlerë...që s’kishin të mbaruar”.
Në vazhdim: “Disa anije që u arratisën e u përforcuan në limanet e ishullit që ndodhej në ato anë, u bënë gjahu dhe preja e luanëve të aftë; prej tyre nuk shpëtoi as edhe një njeri”.
Ja edhe tabloja më e plotë e asaj që ndodhi pas pushtimit të Lezhës. Autor është kronisti turk Qemal Pashazade, bashkëkohës i ngjarjeve, për pasojë, më i informuari për atë që ndodhi realisht.
Në librin e tij “Tevarih-i al-i osman” (“Historia e Dinastisë Osmane”), tek vëllimi i VII-të, mes të tjerash ai shkruan: “Kur lajmi i fitores (marrjes së Drishtit dhe Zhabjakut-shënimi ynë) ju njoftua selisë së padishahut të islamëve, u urdhëruan ushtritë e sipërpërmendura që menjëherë prej andej, ata të niseshin për në Lezhë, ta pushtojnë atë kështjellë dhe kufomat e atyre të panënshtruarve të asaj kështjelle tua japin si ushqim ujqërve, shpendëve dhe të gjithë egërsirave të atij vendi!!…”
Më tej: “Me të mbërritur urdhëri i lartë perandorak, bejlerbejtë u shperngulën nga Drishti dhe me fat të mbarë u drejtuan për në Lezhë. Fluturuan sikur të kishin krahët më të shpejtë dhe pa u vonuar, arritën pranë rrethimit të kështjellës. Ndërkohë ata hynë në fushën e betejës dhe me dorën e gjatë të shigjetave kalonin muret dhe godisnin të pafetë. Kthetrat e bronxta, torturonjëse të luftës dhe tigrat e fuqishëm të luftës malore, u ndanë dhe u vendosën në dy anët e kështjellës duke e vënë Lezhën në mesin e tyre!..”
Duke vijuar Qemal Pashazede thekson: “Kur ushtria ngadhënjimtare u vendos plot madhështi rrëzë mureve të qytetit dhe kur zgjati dorën drejt fundit të fustanit të fitores, atëherë të pabindurve të Lezhës u iku gjaku nga frika dhe fytyrat e tyre mbetën të thata si të shënjtorëve në afresket e Kishave. Kështu ata u shndërruan në trupa të pashpirt!.. Më në fund ata panë sesi krahinat përreth u pushtuan nga ushtria vërshuese si Nili dhe e rrëmbyeshme si përrenjtë e maleve, dhe se kulla e tyre mbeti si një ishull brenda këtij deti që përmbyt botën!.. Ata e kuptuan mirë se Lezha me përleshje do t’u ikte nga duart e tyre, dhe po të mos largoheshin me kohë për të shpëtuar kokën, atëherë anija e trupave të tyre do të mbytej në vorbullën e luftës!!!..”
Pasi i jep fund tërë kësaj retorike propagandistike dhe për pasojë boshe, pa asnjë informacion, Pashazade nis e pohon faktet: “Kur ata panë që nuk mund të qëndronin më në tokë, preferuan që të arratisen nga ana e detit.. Në darkë ata i vunë zjarrin të gjithë kështjellës dhe dogjën krejtësisht çfarë kishte brenda, ashtu siç thotë verseti kuranor: “Shkatërrojnë shtëpitë e tyre me duart e veta”.
Vijon menjëherë kronisti perandorak turk variatin e tij të rrëfimit zyrtar: “Ata me duart e veta e dogjën vendin e tyre dhe me veprimet e tyre tiranike shkatërruan çdo gjë! Përpara syve të tyre çdo shtëpi e katund u bë shkrumb e hi dhe zemrat e tyre u dogjën nga dëshpërimi”.
Po ashtu Pashazade këmbëngul: “Me qëllim që të ndihmonin kështjellën e Lezhës, kishin ardhur nga Venecia disa galera. Në qoftë se do të fitonte armiku që ndodhej jashtë, ata do të merrnin banorët që ndodheshin brenda në kështjellë dhe do të largoheshin nga ai vend”.
Pastaj: “Banorët zbritën dhe hipën në galerat që qëndronin të gatshme pranë mureve të kështjelles (porti lumor i qytetit të Lezhës dhe kantieri për ndërtimin e anijeve- shënim i Paulin Zef Zefit). Në kështjelëe nuk mbetën as gra dhe as fëmijë, as të rinj dhe pleq, por të gjithë së bashku mbushën anijet me plaçkat e tyre. Gjatë gjithë natës e deri në mëngjes ata ngarkuan anijet dhe e boshatisën brendësinë e kështjellës nga paratë e qëndrimit, ashtu siç u boshatis edhe qesja e durimit té tyre. Ata emigruan nga Atdheu!!! Lotët e tyre që rridhnin rrëke për shkak të kësaj dhimbjeje, lanin gurët e rrugëve. Kur mbi kështjellën e Lezhës ra zjarri i përmallimit, ajo u dogj dhe u bë shkrumb si një kamp armiku!”
Në vazhdim: “Luftëtarët ngadhënjimtarë turq që ndodheshin përreth kështjellës, kur mësuan se të pafetë e lanë kështjellën dhe ikën, atëherë me shpata të zhveshura, grupe-grupe, u vërsulën si valët njëra pas tjetrës në breg të detit! Ato galera ishin mbushur aq shumë me të pafe dhe placka sa nuk mund të nxinin më; secili prej tyre kishte sjellë plaçka sa mund të sillnin banorët e një mëhalle të tërë. Meqënëse ato ishin mbushur plot e përplot dhe me që ndodheshin në breg të detit, fundrat e tyre kishin prekur tokën! Disa nga të pafetë keqbërës, duke mos pasur dijeni për këtë, kishin qëndruar në tokë... Ata, kur panë se turqit po i sulmonin, deshën që të arratiseshin, por anijet nuk lëviznin dot nga vendi! Me gjithë përpjekjet që ato bënë duke përdorur lopata dhe hunj, prapë se prapë anijet nuk lëvizën dot nga vendi! Ata njerëz që mendojnë vetëm per keq, mbetën të pushtuar nga habia; ata qenër u kredhën në dëshpërim! Një shumicë kalorësish mbërriti aty duke vërshuar si një përrua malor dhe si një re shiu në pranverë. Luftëtarët turq, si shpata të mprehta, hynë në ujë deri në grykë. Të guximshmit u kapën pas lopatave, ndërsa disa të tjerë pas litarëve dhe kur hynë në anije, njerëzit që kapën aty brenda i kthyen në robër. Luftëtarët e pafe, që nuk u kishin mbetur më forca për luftë, u hodhën në det për të shpëtuar kokat e tyre. Disa prej tyre i arritën dhe i bënë robër, ndërsa shumica prej tyre u mbytën në ujë dhe shkuan në fund të sketerrës. Në këtë mënyrë u kap një pjesë e atyre anijeve. Ato i pastruan nga ndyrësira e paganëve dhe i lanë me gjak. Kur disa prej ketyre anijeve hapen velat dhe po largoheshin duke përplasur krahët si zogu, osmanet nga bregu e çuan luftën deri në qiell duke hedhur mbi këto anije që ishin afër, gurë dhe drunj, ndërsa ato që ishin larg i godisnin me topa dhe dyfeqe. Ato egërsira u torturuan, u thithën nga vorbulla e habisë dhe duke mos pasur forca për t’u arratisur, ata shkuan në ishullin që ishte përkundrejt kështjellës së Lezhes… Nga kjo anë, një pjesë e luftëtarëve që mbanin shpatat me dhembë, duke qënë të zhveshur si shpatat e ushtat, ata hynë në detin e përleshjes, d.m.th. në atë det që ishte i mbushur plot me ushta dhe duke notuar si krokodilat e zjarrtë, mbërritën afër ishullit, duke dalë si një mjergull avulli nga uji, u vërsulën mbi të pafetë, luftuan dhe i thyen ata keqbërës! Kur turqit dolën nga ujët si krokodila kthetërmprehtë, hardhucat e gjarpërinjtë u asgjësuan”.
Sipas Qemal Pashazedes hardhucat dhe gjarpërinjtë qenë banorët e Lezhës.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 31 korrik 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com