Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MUND TË KETË NDODHUR MBARTJA E ESHTRAVE TË SKËNDERBEUT NË ITALI?


(Shkrimi dyzetë e dy i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

(Botuar në “Illyria” në 26 korrik 2018)

Fotaq Andrea, studiues i përkorë dhe mjaft origjinal, kontribues i veçantë në interpretimin e historisë kombëtare, parë sidomos prej kendit frankofon, dy-tri vitet e fundit në bisedë më ka bërë të ditur një ide të tij mjaft të befasishme.
Njohës i thellë i veprës dhe sidomos i jetës së Gjergj Kastriotit, ndikimit të tij të madh në ngjarjet kontinentale të kohës, ai na ka përsëritur se mosgjetja e eshtrave të Skënderbeut mund të ketë edhe një shkak të qartë: Donika, e shoqja, kur bashkë me të birin e vetëm, Gjonin, mori rrugën për t’u vendosur në Itali, mbarti me vete edhe trupin e Gjergjit.
Duke qenë se hyj në ata persona që diçka di për bëmën dhe jetën e heroit tonë kombëtar, gjithnjë për aq sa kam dijeni, një zhvillim i tillë nuk mund të ketë ndodhur, prandaj edhe e kam kundërshtuar mikun tim. “Dorëzohesha” veçse në rast se vetë Fotaqi kishte rënë në dokumente mbështetës ose edhe të paktën hamendësues të pikëpamjes së tij përmbysëse.
Por ai nuk zotëronte asgjë të tillë. Thjesht përpiqej të jepte një shpjegim përse pati ndodhur ajo zhdukje pa nam e nishan i eshtrave të princit kryesor të Shqipërisë, pothuaj mbretit të saj.
Atë çfarë na e kishte thënë me gojë studiuesi Fotaq Andrea deri pak kohë më parë nuk e kishte shkruar në letër, ca më pak publikuar.
Ndërkaq kjo ndodhi në 6 maj të këtij viti, kur tek e përditshmja “Shqiptarja.com”, botoi shkrimin “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut”.
Shkruan konkretisht Fotaq Andrea: “...tashmë tre kodikë të tjerë me emblemë kastriotase i ishin bërë dhuratë Skënderbeut (në vitet 1450-1465) qoftë nga Alfonsi e Ferdinandi i Aragonës, qoftë nga Vatikani, dhe konkretisht “Libri i Uratave”, “Libri i Petrarkës” dhe “Libri i Skënderbeut”, ky i fundit një lloj enciklopedie e kohës. Pra, për mendimin tonë, “De Romanorum Magistratibus - 1465” i Fiocco-s, me portretin origjinal të Skënderbeut ka qenë kështu kodiku i katërt i “Bibliotekës Kastriotase”, në pronësi të drejtpërdrejtë të Familjes Kastrioti në Krujë për aq kohë sa ishte gjallë vetë Heroi Kombëtar. Më pas, këto libra të çmuar për kohën dhe për personin që i zotëronte, krejt kancelaria kastriotase, objektet më me vlerë të Heroit, nga shpatat (dhe jo një, por shumë!), deri te përkrenarja, u morën dhe u mbartën të gjitha në Itali me anije të posaçme (ndoshta dhe vetë trupi i Heroit?) nga Donika Kastrioti për t’i mbrojtur nga rrënimi osman e për t’i pasur pranë vetes si thesare dhe si trashëgimi për të birin dhe pasuesit e tij, e mbi të gjitha si dëshmi historike të çmuara për Bëmat e KryeHeroit shqiptar. A nuk ndodhi kështu edhe me “Zojën e Këshillit të Mirë”, ikonën shpirtërore dhe partonen e gjithë Arbërisë dhe të arbërve?”
Siç e shihni studiuesi Andrea për tezën e tij nuk paraqet asnjë provë dhe mjaftohet me një “ndoshta” për ta mbajtur atë thjesht në planin e një hamendjeje ose opinioni të pakushtëzuar nga prani dokumentesh.
Por në fund të fundit mund që të ketë ndodhur ashtu siç e parashtron hipotezën e tij kolegu i ditur dhe që nuk i pëlqen analizat rutinore?
Duhet thënë se ky variant e emigrimit të trupit të Skënderbeut bashkë me të shoqen dhe djalin e tyre të vetëm nuk është shtruar ndonjëherë prej asnjë skëndereologu të huaj apo vendas për mbi pesëqind vjet, po ashtu shënuar prej asnjë kancelerie të huaj, nuk përfshihet në asnjë raport ambasadori apo agjenti, brendi letre të shkruar apo nëpër skajime thashethemnesh.
Ai nuk është gjetur asnjëherë si pohim i të shoqes apo i të birit, në vazhdim nipërve apo mbesave të tyre.
Asnjë përfolje të tillë nuk kanë gjetur në korrespodencën e sulltan Mehmetit II apo të arkivit të Portës së Lartë.
Nuk është folur dhe shkruar për këtë zhvillim as në Vatikan, kur skënderbejada ndiqej me vëmendje, regjistrohej me çdo hollësi dhe çfarëdo shenjë e saj mbrohej me përparësi si vepër e shenjtë.
Gjithashtu asnjë pikë doganore portuale apo tokësore e Mbretërisë së Napolit, Itali, ku e veja Donika Kastrioti zbarkoi bashkë me të vejat e tjera shqiptare, nuk ka të regjistruar një sjellje trupi jo vetëm të Skënderbeut, por edhe të ndokujt tjetër.
Ato që zbarkuan ishin të gjallë. Madje nuk kish as të plagosur.
Ikja, tre muaj më pas nga vdekja e Gjergj Kastriotit siç edhe ndodhi realisht ajo e Donikës me të vejat e tjera të Arbërisë, të vë përpara një pengesë serioze për transportimin e të ndjerit, tashmë kufomë në prishje, sepse dihet që trupi i Skënderbeut nuk u balsamos. Madje as që mendohej një gjë e tillë.
Gjergj Kastrioti qe simbol bashkimi të shqiptarëve në luftë kundër pushtimit osman, ishte një kushtrim edhe pse i vdekur, mbetej prijës aktiv edhe pse varrosur nën tokë. Familja e tij kastriotase nuk la pas ndonjë të rritur e të sprovuar për udhëheqje në rezistencë, i nipi Hamzai kishte tradhëtuar e ndodhej i mbyllur në Napoli, në burgun e mbretit Ferdinand.
Moisi Golemi dhe disa gjeneralë të tjerë të zotë në artin ushtarak dhe bërjen e politikës qenë kapur dhe vrarë nga sulltan Mehmeti (Pushtuesi i Madh), madje nëpërmjet një vdekjeje të mundimshme, rrjepjes së lëkurës.
Me aftësinë e komandantit pati mbetur vetëm një: legjendari Lekë Dukagjini.
Në rast se do të ndodhte që Donika bashkë me të birin trembëdhjetë vjeçar do të merrte me vete edhe trupin e Skënderbeut, kjo do të konsiderohej nga populli si gjest braktisjeje e tij, gati-gati tradhëti.
Por Donika Kastrioti i hipi anijes së dërguar posaçërisht prej mbretit të Napolit me planin e palëkundur se pas disa vitesh qëndrimi përtej detit i biri do të rritej dhe rikthehej në atdheun e vet për të vijuar udhëheqjen e qëndresës si edhe trashëguar pasurinë, tërë një principatë.
Në fillim të majit 1468 ajo qe fort e bindur se nën mbështetjen e Republikës së Venetikut dhe të Mbretërisë së Napolit, shqiptarët do të rezistonin dhe nuk do të pushtoheshin. Kur kjo ndodhi dhe ngjau hataja me varrin dhe eshtrat e të shoqit, ajo me siguri është tronditur mjaft. Ishte gjë që nuk e priste.
Autori i këtyre rradhëve përherë ka menduar se ajo historia barletiane që ushtarët osmanë me të pushtuar Lezhën shkuan tek Katedralja dhe e hapën varrin e Skënderbeut për të marrë si hejmali mbrojtëse eshtrat e tij, përbën një të pavërtetë, mënyrë për ta legjenduar dhe mitizuar Gjergj Kastriotin, por edhe dredhi politike për të fshehur të vërtetën. Përdhunimin.
Kjo do të shkaktonte tronditje demoralizuese në popull nëpër vitet e fundit të shekullit të pesëmbëdhjetë, kur ende arbërit po rezistonin, e ca më tepër nëpër shekujt pasardhës, kur lufta e Evropës së krishterë ndaj Perandorisë Osmane mori epërsi, u bë strategji e saj.
Mirëpo pikërisht sepse edhe i vdekur, pra edhe në formën e varrit, Gjergj Kastrioti qe simbol lufte për liri, ishte monument rezistence kundër turqve, ai për nevojat e objektivave ushtarake turke duhej prishur, shfarrosur, zhdukur pa nam e nishan.
Shkruesi në kohë i ngjarjes, Marin Barleti, përhap gojëdhënën e mosdhunimit, madje të adhurimit ekstrem nga armiqtë e tij, por këtë temë e mbyll këtu. Ai nuk hap asnjë shteg për ndonjë mundësi të nxjerrjes prej të vetëve të eshtrave të Skënderbeut ose të fshehjes së tyre brenda Lezhës në ndonjë vend të mbajtur tepër sekret. Ai nuk hap rrugë për të hamëndësuar se lezhianët e kanë marrë me vete kur dolën nga qyteti dhe u strehuan nëpër bregun e shndërruar në kënetë.
Këmbëngulim ndërkohë se marrja e Lezhës prej osmanëve me siguri ka pasur si objektiv ekstra edhe nëpërkëmbjen e varrit të Gjergj Kastriotit. Pushtimi i këtij qyteti, seli e besëlidhjeve antiturke, nuk mund të kryhej plotësisht pa zhdukjen e shenjave të kryeprijësit shqiptar.
Gjithsesi eshtrat e Skënderbeut nuk kanë kapërcyer detin as me Donikën dhe as më pas me ndonjë dërgatë lezhianësh të emigruar në trojet italiane. Për shkak të emrit të madh që kishte pasur Gjergj Kastrioti, ca më tepër edhe një prestigji në rritje të hovshme pas vdekjes, vendi ku ai do të varrosej do të regjistrohej në kronika. Ai, madje, do të shndërrohej në monument, objekt adhurimi.
Këtij arbëri të cilit Evropa i ruajti dy shpata dhe një përkrenare, si të mos i ruante eshtrat?
Ndërkohë Donika nuk ishte e pakujdesshme me ritet e varrimit të pjesëtarëve të familjes së saj, qe e anasjella. Po ta kish marë me vete trupin e të shoqit do të vepronte siç edhe bëri me nipin e saj, Kostandinin.
Ky ishte peshkop i qytetit të Izernias, por ndërroi jetë mjaft i ri, duke pikëlluar pa fund gjyshen e tij. Donika e varrosi në mes të Napolit, në Kishën Santa Maria la Nuova, duke ia bërë funeralin e vendprehjen madhështore.
Ai ekziston edhe sot.
Ja pse, dhe jo vetëm për këtë arsye, na duhet që shkrimin e ardhshëm ta shohim më nga afër, për ta njohur, cila qe kjo madhështi: Donika Kastrioti (Arianiti).
Me siguri gruaja më e shquar që ka historia shqiptare. Vetëm nëpërmjet të dhënave që kemi siguruar prej studiuesve italianë mund ta rikrijojmë për lexuesin siluetën e jetës së saj përtej detit dhe vetë personalitetin e saj të jashtëzakonshëm.
Sepse Donika në mënyrë figurative ka dy jetë: të parën që e kaloi në Shqipëri, pa pasur fat të regjistrohej nga kronikat, të cilat përpinin vetëm të shoqin, dhe të dytën, kur jetoi në Itali, madje në majë të oborrit mbretëror.
Atëherë, për të treguar të gjitha këto mirë u pjekshim javën e ardhshme!

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 24 korrik 2018





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com