Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU PA VARR E ESHTRA, PO ASHTU EDHE E SHOQJA, DONIKA


(Botuar në “Illyria” në 19 korrik 2018)

Pjesa e nëntë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

(Shkrimi i dyzetë e një i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Enver Hoxha pati kërkuar nga qeveria sovjetike që të bëhej prej kinemagografisë së BRSS një film për Skënderbeun dhe Stalini i hapi rrugë realizimit të tij. Qe një sipërmarrje me shpenzime të mëdha, me 65 përqind të xhirimeve të bëra në supershtetin komunist (kryesisht në Sevastopol) dhe pjesa tjetër, 35 për qind, në Shqipëri (kryesisht në Berat).
E nismuar përgjatë veprimit të operacionit të fshehtë anglo-amerikan “Valuable” për të përmbysur në Tiranë regjimin ekzistues dhe pastaj depërtuar në të gjithë brezin mbrojtës të BS, vendet e eurolindjes, kur filmi triumfonte në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës, diversioni i Uashingtonit dhe i Londrës po zbehej deri në fikje.
Madje ndodhi edhe e çuditshmja. Ai u shfaq në SHBA në teatrin më të madh të Nju Jorkut, në Radio City dhe u duartrokit. Shikues të pasionuar të tij nuk qenë vetëm emigrantë shqiptarë, shumë të ardhur për arsye ekonomikë, por edhe jo pak për motive politike, pra që ishin mirëfilli antikomunistë. Sipas kursit politik të Shtëpisë së Bardhë, këta të fundit këtë kohë duhej të stërviteshin nëpër kampet e posaçme diversivë në Greqi, Jugosllavi, Itali dhe Gjermani, kurse në të vërtetë po përplasnin pëllëmbët për një film të prodhuar nga komunistët sovjetikë dhe ata shqiptarë!?
Por krijuesit e filmit qenë inteligjentë po aq sa edhe dinakë, të zotë të thurrnin një art mjeshtëror me një propagandë të hollë. Fejzi Domni, bashkëkombës me banim në Nju Jork, mbi nëntëdhjetëvjeçar, do të na shkruante këto ditë se me shfaqjen e filmit për Skënderbeun “ishte e para herë që populli amerikan po shihte heroizmin e një shqiptari aq të madh në luftime të ashpra kundër Perandorisë Turko-Osmane. Këto komente bëheshin nëpër gazetat e New Yorkut”.
Më tej: “Por dua të shtoj se me anë të këtij filmi dëgjohej emri Shqipëria për herë të parë në qarqet intelektuale amerikane”.
Domni më mirë se çdo studiues e ka pikasur, i ndihmuar prej përjetimit në kohë reale të ngjarjes, vlerat e këtij filmi në të mirë të popullit tonë. Atij i duket ai prodhim kinematografik vërtet “ka të fshehur futjen e një propagande komuniste”, por gjithsesi edhe pse “në pikëpamje artistike kanë dhënë një kontribut të dukshëm artistët sovjetikë, “më kanë pëlqyer disa zakone dhe veprime popullore , ndër to këngë dhe valle të vjetra shqiptare, si “Kënga e beqarit” e kërcyer në fushën e Beratit me vargjet e njohura “Laje, moj goce, laje, shaminë e beqarit!”. Pastaj: “Dhe kur artisti shqiptar Naim Frashëri e fshin djersën e ballit me gishtin e djathtë ka qenë për mua një pamje madhështore. Edhe kur dy vëllezërit e Donikës idhnohen për shumën e pareve që Skënderbeut iu dha si pajë e saj. Disa pamje piktoreske të Beratit me rrethe i kam sodit më ëndje. Kur do të vija në Berat shumë vite më vonë këto pamje do t’i shihja me sytë e mi. Natyrisht mungojnë shumë ngjarje brutale si p.sh. tradhëtia e Moisiut të Dibrës, i cili kishte forcën më të madhe ushtarake të Skënderbeut dhe kthimin e nipit, Hamzait, kur ky e pa se nuk mori trashëgimin e Krujës”.
Duke marrë shkas nga ky shkëmbi mendimesh për filmin bashkëkombësi mbi nëntëdhjetëvjeçar me banim të vjetër në Nju Jork, ai i mëshon idesë se tek jeta e Skënderbeut ka disa mungesa të rënda, siç janë padituria rreth ditëlindjes së tij si edhe zhdukjes së eshtrave dhe përgjithësisht mosgjetjes së varrit.
Ky merak ishte shumë i shprehur në 1952 edhe tek skenaristi sovjetik Mikhail Papava. Ai këmbëngul të dijë përse nuk ka as varr dhe as eshtra të Gjergj Kastriotit dhe si është e mundur kjo zbrazëti. Ai nuk e besonte se këto eshtra qenë zhdukur sepse kur turqit pushtuan Lezhën shkuan menjëherë tek varri i kryengritësit shqiptar dhe ia morën kockat për t’i vendosur poshtë teshave të trupit si hajmali. Mendohej, sipas kësaj legjende, se prania e këtyre shenjave trupore të Skënderbeut do t’i bënte të padërtueshëm nga majat e heshtave dhe tehet e shpatave.
Prandaj, mosbesues ndaj këtij justifikimi të shqiptarëve ai bënte pyetjen: Heroi tuaj, luftëtar i madh i Albanisë, ishte “Mbrojtës i Krishtërimit dhe i Evropës”, për rrjedhojë edhe i adhuruar prej qytetërimit rilindas të kontinentit apo qe idhulli i mercenarëve jeniçerë turq?
Papava, i cili dëshironte të mos i kish skenari asnjë pikë të dobët historike, sepse parashikohej, siç edhe ndodhi, të konkuronte në festivale ndërkombëtarë e të shfaqesj në mjaft vende të botës, e çonte më tej mosbesimin mbi humbjen e eshtrave sepse u morën me nderim nga ushtarët e thjeshtë turq, duke pyetur sërish: “Po të ishte kaq i madh adhurimi për Skënderbeun përse turqit e Mehmetit II nuk i ngritën një tyrbe madhështore në Lezhë?! Ku është kjo tyrbe?!”
Më tej në dyshimin e vet skenaristi sovjetik pyeste sërish dhe kërkonte përgjigje: Gjergj Kastrioti ishte “Atlet i Krishtit” apo me titullin “Shenjtor-Evlija”?!
Mikhail Papava do të shtonte me këtë rast se ai kish mbetur i çuditur edhe kur studiuesit Dhimitër Shuteriqi dhe Zihni Sako e patën çuar të vizitonte turben e Ballaban Pashë Baderës, kundërshtarit të egër të Skënderbeut, dhe aty pati mësuar se në atë faltore nuk ndosheshin eshtrat e tij.
Skenaristi sovjetik kishte mbetur gojëhapur nga kjo mungesë e varreve realë në Shqipëri.
Sidoqoftë pas shumë dekadash nga koha kur dyshonte sovjetiku Papava, shqiptarët kanë ngritur në Lezhë një Memorial, të cilin e quajnë edhe varrin e Gjergj Kastriotit. Gjithsesi sa reale është kjo ndodhje mbetet një çështje e diskutueshme, por megjithatë edhe këtu eshtrat e heroit tonë kombëtar mungojnë.
Me këtë rast duhet të shtojmë një detaj: njëri prej djemve të Gjonit dhe Mamicës, pra një vëlla i Skënderbeut, ka varr të regullt dhe poshtë, në nëndhe, kockat e veta,
Ky është Reposhi, djali i dytë i çiftit Kastrioti.
Ai ndodhet i varrosur dhe i pacënuar në Malin Athos, i cili është bërë edhe vend pelegrinazhi i studieusve të Mesjetës. Historiografia shqiptare e ka bërë me kohë të ditur se Gjoni bëri një akt faljeje prone në favor të manastirit të Hilandarit. Ai u shkrua midis viteve 1425-1426. Në të thuhet: “Unë mëkatari dhe i pamerituari... Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin dhe Kostandinin dhe Gjergjin... dhe pasi u këshillova me djemtë e mi i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë... fshatin Radostushë me kishën e Shën Marisë së Papërlyer që është në atë fshat Radostushë, si dhe fshatin Trebisht...”.
Më tej ky akt vijon me zotimin e Gjon Kastrioti për t’ja deleguar të drejtat e pronës manastirit të Hilandarit.
Reposhi atje, shkruar mbi krye të varrit, thirret me emrin prestigjioz Duka i Ilirisë.
Të paktën pati ai fat të lërë një shenjë të familjes së tij!
Sepse ndonjë fat të madh në punë varresh nuk pati as e shoqja e Skënderbeut, e cila jetoi për afro një gjysmë shekulli pas vdekjes së të shoqit në Itali (dhe Spanjë). Por as asaj nuk i është gjendur ndonjë shenjë e pas jetës.
Kështu burrë e grua, çifti më i lavdishëm i historisë tonë, Gjergj Kastrioti dhe Donika Arianitasi, janë pa varre dhe eshtra.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 korrik 2018


















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com