Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ROMË, 16 QERSHOR 1954, AMBASADA SOVJETIKE DHE LEGATA SHQIPTARE SHFAQIN FILMIN “SKËNDERBEU”


Pjesa e shtatë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

(Botuar në “Illyria” në 5 korrik 2018)

(Shkrimi i tridhjetë e nëntë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Mospëlqimi italian, i shprehur edhe zyrtarisht, ndaj filmit sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”, pak nga pak nëpër tërë muajt e gjysmës së parë të vitit 1954 u shndërrua në një telash politik për Tiranën. Marrëdhëniet e saj me Romën mezi jepnin shpresë, pas përfundimit të dështuar të operacionit anglo-amerikan “Valuable” ndaj Shqipërisë, për ndonjë rehabilitim si edhe lejimin më në fund, të ndonjë shkëmbimi të cikërrimtë ekonomik.
Për të kuptuar se filmi me skenat e xhiruara kundër Venetikut (dhe me këtë rast kundër Kishës Katolike), qenë një mbingarkesë për punën e Legatës Shqiptare, ku tani drejtonte një diplomat i shkathët si Behar Shtylla, do t’i referohemi dy raporteve që ky i niste Tiranës në maj dhe gusht 1954, ndërkohë që në mes të këtyre pasqyrave informative filmi për Skënderbeun ishte shfaqur në Romë për vetëm trupin diplomatik.
Kjo veprimtari qe e përbashkët për Ambasadën e BRSS-së dhe Legatën e Republikës Popullore të Shqipërisë. Pas pak do të flasim më gjërësisht për të.
Komunikohet në raportin informativ të majit 1954: “Gjyqi i grupit të spiunëve diversantë në Tiranë: Për këtë nga ana e shtypit reaksionar është shkrojtur pak. Ësht dhënë në fillim lajmi i shpërndarë nga A.T.SH. se do të fillonte gjyqi, në formë të shkurtër dhe pa komente dhe gjat zhvillimit të gjyqit ësht heshtur...Kur u dha vendimi ësht dhënë lajmi dhe janë bërë një seri komentesh nga të cilat më i rëndësishmi ësht ay i i bërë nga “Il Tempo” në datë 15-4-54 siç ju kemi njoftuar edhe në buletinin e po asaj date...Artikulli i “Il Tempo” është shkruajtur nga një farë Erik Frank, d.m.th. i njëjti person që kishte bërë një koment kur u njoftuar kapja e grupit të spiunëve...”
Siç dihet “Gjyqi kundër bandës së diversantëve dhe spiunëve në shërbim të imperialistëve amerikanë”, u hap më 5 prill në Kinemanë e Brigadave. Të akuzuarit qenë 6 persona, mes tyre edhe Hamit Matjani. Paditeshin se qenë agjentë sekretë të shërbimit amerikan të spiunazhit. Matjani kishte edhe akuzën si “kolaboracionist me italianët dhe gjermanët dhe mercenar i Ballit Kombëtar”.
Në sallën e Kinemasë së Brigadave, ndërsa seanca gjyqësore transmentohej edhe në radio e në një cep të sallës dukeshin pushkë, automatikë, pistoleta, granata, aparate radio-transmetues, monedha ari dhe dollarë amerikanë të sekuestruara nga të akuzuarit, ishin të pranishëm edhe disa gazetarë të huaj: Skaçenko nga “Pravda”, Alitovski nga agjencia sovjetike TASS, Piskov korrespondent i Bullgarisë.
Ndodhej edhe Lina Angel, e dërguar e gazetës italiane të Partisë Komuniste “UNITA”.
Në raportin informativ të gushtit 1954 Ministri Fuqiplotë Behar Shtylla, vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se në shtypin italian: “Është shkruajtur mbi kapjen e motopeshkarexhës italiane “San Françesko” në ujërat tona dhe mbasandaj mbi lirimin e saj. Shumë gazeta borgjeze kanë dhënë vetëm lajmin, ndërsa dy prej tyre, “Gazzeta del Popolo” e Torinos dhe “La Gazzeta del Messogiorno” e Barit kanë botuar një artikull plot çpifje mbi trajtimin e këtyre në Shqipëri, në të cilin artikull bien në kundërshtim edhe me njëri-tjetrin kur thonë se kapitenit të barkës i qenka propozuar një punë (“affare”) nga komisari i policisë së Durrësit: ajo e Torinos thotë se kjo i ishte bërë kapitenit, ndërsa gazeta e Barit thotë se propozimi i qenka bërë motoristit...”.
Në vijim, në një çështje tjetër: “Në lidhje me ndryshimet në qeveri dhe në udhëheqjen e partisë tonë, siç ju kemi njoftuar, këtu u bë një fushatë e tërë çpifjesh dhe propagande duke thënë se qenka bërë “devijim Berian”, “lidhje me titistët” e të tjera çpifje të pa krypë e së fundi janë detyruar edhe vetë këta që t’i përgënjeshtrojnë sado që agjensia e mirë njoftuar e çpifjeve...bashkë me gazetat përpiqeshe të përforconte edhe më tej duke dhënë “partikularitete të tjera nga burimet e saj të sigurta”. Është interesante të shënojmë se italianët në lidhje me këtë çështje i kanë kapërcyer gjithë të tjerët. Duke njoftuar se lajmet kanë qënë pa bazë, gazeta e padronëve të Italisë, e përditshmja “The Daily American” e 15 korrikut vë në dukje se u bë një spekullim në lidhje me këtë çështje nga shtypi dhe se në Itali u bë zhurrmë deri edhe për luftime midis ushtrisë Shqiptare dhe policisë së Shehut”.
Më tej, duke e mbyllur raportin: “Në tërësi shtypi borgjez i këtushëm, përveç zhurrmës që u bënë lidhje me ndryshimet në qeveri dhe parti, edhe këtë muaj ka qënë mjaft i kufizuar. Gazeta aty-këtu dhe revista të ndryshme kanë prekur çështje të ndryshme sipas avazit të vjetër si çëstje e “persekutimit të klerikëve”, “rrezikshmëria e Sazanit”... e të tjera. Disa gazeta kanë botuar kujtimet e Quaronit, ambasadorit aktual italian në Francë që ka qenë ministër në Shqipëri dhe një artikull mbi memorjet e Parianit. Për të dyja këto raste nuk e kemi parë të nevojshme tju njoftojmë me radiogram, porse mendojmë se këto kanë një farë vlere të shikohen nga ana e juaj, sepse mund të zbulojnë edhe ndonjë heshtje të paqartë të historisë së marrëdhënieve të tyre me klikën e Zogollit.
Po ju dërgojmë bashkëngjitur një studim mbi Paktin Ballkanik, botuar nga revista e studimeve politike si edhe një përmbledhje të shtypit jugosllav mbi gjendjen e brendshme në Jugosllavi . Këtë të fundit na e kanë dërguar me letër përcjellëse Partia Komuniste e Triestes”.
Shfaqja e përbashkët e filmit sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”, qe në këtë atmosferë tensioni dhe përmbajtja e tij nuk premtonte se do të ishte një përpjekje lehtësuese.
Filmi ishte shfaqur në 16 qershor 1954. Ajo u bë e përbashkët mes Ambasadës Sovjetike dhe Legatës Shqiptare. Ftesat u dërguan drejt ambasadave dhe legatave të tjera prej atasheve kulturorë përkatës.
Strategjia e ftesave qe e përcaktuar politikisht: iu dërguan vetëm përfaqësive diplomatike të kampit socialist, “demokracitë popullore” siç quheshin atëherë, si edhe një numri shumë të kufizuar parlamentarësh italianë të Partisë Komuniste. Po ashtu edhe udhëheqësish të kësaj force politike.
U ftuan edhe disa artistë të kinemasë apo të teatrit, por edhe këta duhej të qenë komunistë.
Kur shfaqja u bë u vu re se nuk ishin të pranishëm udhëheqësit e Partisë Komuniste Italiane. Në vend të tyre qenë disa drejtues të nivelit të dytë. Nuk mungonte kryetari i shoqatës “Itali-Shqipëri”.
Nga artistët komunistë binte në sy regjisori i shumë njohur De Santis.
Pas shfaqjes së filmit nga Ambasada Sovjetike dhe Legata Shqiptare u organizua një koktej, i cili ato kohë quhej “bufé”.
Sipas raportit informaiv që në 18 qershor iu dërgua Tiranës, filmi “u kishte pëlqyer të gjithëve”. Po ashtu; “De Santis tha, ndoshta sepse ky nuk është në gjendje ta gjykojë mirë sepse nuk njeh karakterin e artit shqiptar, filmi qe shumë i mirë; ngjyrat të mrekullueshme dhe sidomos betejat shumë madhështore, por atij i dukeshe shumë e rëndë dhe sidomos nuk kuptonte se pse reçitacioni kishte karakter teatral lirik”.
Vazhdon informacioni për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë: “Edhe të tjerët bënë komente mbi të gjithë filmin dhe mbi çështjet që kanë të bëjnë me republikën e Venecies, me shtetet e Italisë të asaj kohe dhe me klerikët”.
Në raportin informues për Tiranën Behar Shtylla shtonte se dy prej drejtuesve të nivelit të dytë të Partisë Komuniste Italiane që kishin ardhur, “se të paktën në paraqitje në film (pa llogaritur fjalët që në rast se hyn në Itali mund të modifikohen) nuk ka agresivitet që ta shkaktojë ndalimin e tij në Itali- Ata ishin të mendimit se mund dhe duhet të tentohet për prurjen e tij këtu. Edhe De Santis foli për këtë, por ai u paraqit më pesimist për lejimin e tij të hyjë këtu. Sovjetikët gjithashtu ishin pesimistë për këtë, por thanë se duhet të tentohet një herë dhe pastaj të shohim si do të bëhet. Ata thanë se do të tentojnë, porse tani kanë vështirësi, sepse qeveria italiane nuk ka ratifikuar akoma akordin që kanë firmosur ca kohë më parë për çkëmbimin e filmave në vit; këta shpresojnë që ta retifikojnë së shpejti”,
Në mbyllje Ministri Fuqiplotë i Legatës Shqiptare në Romë vuri në dukje se në rast se do të kenë mundësi për shfaqjen e filmit “Skënderbeu” në Itali do ta njoftonte qendrën që t’i dërgonte një kopje.
Fraza e fundit qe se shpenzimet e “bufesë” pas filmit Ambasada Sovjetike dhe Legata Shqiptare i kishin ndarë përgjysëm.
(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 korrik 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com