|
SHTATOR 1943, VRASJA NË BERAT E DEPUTETIT HYSNI TOSKA NGA NJË MAFIE LOKALE KOMUNISTO-BALLISTE Pjesa II
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 3 korrik 2018)
Mbahen fsheshur autorët, por që në kohën e komunizmit janë distancuar prej këtij krimi Mehmet Shehu, Bilbil Klosi, Zylyftar Veleshnja. Heshti Enver Hoxha.
Pjesa e dytë
Në shkrimin e djeshëm, mbështetur mbi librin e porsabotuar të studiuesit Nuri Plaku, si edhe plotësuar prej disa të dhënave që kishte autori i këtij shkrimi, nisëm të hedhim dritë për të gjitha fijet e fshehta të një krimi të shëmtuar, vrasjen e një deputeti të Mallakastrës, Hysni Toskës, si edhe të djalit të tij të vetëm, Skënderit. Në të vërtetë, siç do ta shihni edhe në këtë pjesë të dytë të këtij shkrimi denoncues, ai krim, nëpërmjet vrasjesh të tjera, shkoi zinxhir i pandalur për tërë një gjysmë shekulli.
Të gjitha gjurmët kryesore të kësaj llahtare të çojnë mbi të gjitha tek njerës të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe të PKSH-së, por ku Enver Hoxha apo Mehmet Shehu, ky i fundit vendas nga Mallakastra, nuk kanë qenë urdhërdhënës. Ata gjithsesi e dinin.
Këtu edhe për ta nis përgjegjësia, por le ta vijojmë rrëfimin e rrjedhës së pabesisë së kryer në shtator 1943 në lagjen “Murat Çelepia” të qytetit të Beratit, gjithnjë mbështetur mbi librin e botuar rishtazi, të tejmbushur me informacion, dokumente të shkruara dhe dëshmi të folura, i Nuri Plakut, autor i shumë krijimeve në fushën e vet si edhe me mjaft dijeni për historinë e zonës, ku edhe është drejtor i Muzeut Historik: Fierit.
Herën e shkuar u ndamë me lexuesin kur Hysni Toska, deputet në tre legjislatura gjatë periudhës së Zogut, kur pa se njeriu që kish mbështetur për të mirë të Shqipërisë në 7 prill 1939 u largua pa qëndresë, pasi vetë me vullnetarët e tij luftoi agresorët në Bestrovë të Vlorës dhe u tërhoq në Berat për të vazhduar atje me armë rezistencën, duke i thënë faqezi theu bustin e Mbretit ikës. Qau ndërsa pa që atdheu i tij u pushtua.
Ish-partizani Llazar Bane, prej të cilit shkrimin e shkuar cituam një artikull të tij pendese botuar në “Zërin e Popullit” në 2007, për këtë çaste vë në dukje çfarë i ka thënë një bashkëqytetës: “Kur Hysniu u kthye nga Italia ku qe burgosur pas pushtimit të vendit, unë i vajta në shtëpi. Në mes të tjerash i them se ç’do të bëhet me Isa Toskën që po bën shumë krime në popull. Ai m’u përgjigj se Isai duhej vrarë por s’kishte kush ta vriste.”
Isa Toska, gjenerali fals i italianëve
Sipas librit të Nuri Plakut, Isa Toska “e kishte filluar veprimtarinë e tij kriminale në vitin 1937 me vjedhjet e ndryshme në pronat e bashkë-fshatarëve të vet. Një vit më vonë u arrestua dhe u burgos prej forcave të rendit. Me pushtimin e vendit doli sërish nga burgu. Nga fundi i vitit 1940 formoi një çetë me elementë të diskredituar dhe filloi të grabiste e të bënte terror në gjithë zonën e Roskovecit dhe Mallakastrës. Për të gjitha ekzekutimet ishte caktuar një vend në kufirin Luar-Kuqan, që ndaheshin nga Përroi i Siqecës, i quajtur gropa e Haraçit...” Në vijim: “Partia Komuniste u përpoq të tërhiqte...në Frontin Nacionalçlirimtar” dhe se dështuan. “Pikërisht në këtë periudhë, nënvizon Plaku, fashistët i dhanë atij gradën e gjeneralit, e cila ishte një mashtrim për ta joshur e përdorur kriminelin në punët e pista”.
Kjo çudi ngjau në 26 nëntor 1942. Sipas tekstit shpallës mareshal Maxhiore Martini Antonio, Komandant i Stacionit Karabinierisë Mbretërore Berat, e njoftonte Isa Toskën se, sipas propozimit të kësaj komande, me urdhër të N.M. tij, Viktor Emanuelit III, ishte falur dhe emëruar me gradën “Gjeneral”, që të punonte me fuqitë civile për të ruajtur si zonën e Luarit, ashtu dhe gjithë prefekturën e Beratit, “për të mos u shkelur, grabitur e plaçkitur nga disa të poshtër dhe të ashtuquajtur komunista. Me vullnetin tuej si një fashist i përsosur, - thuhet në dokument, - ne do ja arrimë qëllimit tue i çduk këta elementa rusë nga gjithë rrethi i Prefekturës t’onë, sidomos nga nënprefektura e Skraparit”.
Loja e italianëve dhe hileja politike e Isa Toskës ishte: çeta e tij të quhej nacionaliste, pra balliste. Roli i tij, sipas nesh, ndërsa në libër thuhet se startoi për veprim në janar 1943, qe në thelb diversion për të nxitur vëllavrasjen mes shqiptarëve, pasues të PKSH-së apo të BK të ishin. Kjo intrigë, këmbëngulim, përkon me nismën e dy palëve, pasuesve komuinistë dhe atyre të Ballit, për mbarëvajtjen e pranverës sp bashkëpunimit të tyre që zgjati pak a shumë mbarë deri në përfundimin e Marrëveshjes së Mukjes.
Këto rrethana rrezikshmërie të lartë, mendojmë, Hysni Toska i ka ditur, siç edhe partizanët sigurisht. Sipas Nuri Plakut dhe librit të tij mjaft të veçantë, “...Hysni Toska, më 12 mars të vitit 1943, organizoi eliminimin e kriminelit, nëpërmjet Tafil Pajës, bashkëfshatarit të tij i cili sapo kishte dalë nga burgu fashist së bashku me të birin, Skënderin. Tafili ishte djali i Islam Pajës, bujk i Hysniut, i cili jetonte në Luar në një shtëpi të dhuruar nga Hysniu. Këtë të dhënë e gjejmë në ditarin e Kristaq Tutulanit, mbajtur vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 1943.” Pikërisht në një nga faqet e këtij ditari, atë të datës 21 shkurt 1943, thuhet konkretisht se: “Isa Toska ble armë me të holla për italianët në Doshnicë. Një nac(ionalist) lidhur me Hysninë gati të ndërhyjë për të vrarë Isanë. Është i vetmi i besuar tek Hysniu.”
Vijon libri i studiuesit Plaku: “Atentatori Tafil Paja, i doli ballë për ballë Isa Toskës, në rrugët e fshatit kur po vinte me një grup bashibozukësh dhe i hodhi bombën mu përpara këmbëve. Por, për fat të keq bomba nuk plasi. Tafilin e kapën bashibozukët e Isait dhe e ekzekutuan në moment, në një dru ulliri ndanë udhës së fshatit, duke e tërhequr me litar nga të dyja këmbët deri sa e shqyen më dysh. Pastaj trupin ia hodhën nga ledhi në përrua në gropën e Haraçit”.
Referuar librit të Nuri Plakut, “Më 23 mars 1943, njëmbëdhjetë ditë mbas atentatit të organizuar nga Hysni Toska, Isa Toskës iu bë një pritë e organizuar nga çeta e Jagodinës dhe një pjesë e partizanëve të Skraparit, që ndihmonin gjallërimin e lëvizjes çlirimtare në Myzeqe. Midis tyre ishin edhe Zylyftar Veleshnja, Tofik Lapani, Xhevahir Spathara etj. Prita u bë në kufirin ndarës të fshatrave Marinëz e Belinë, të cilët i përshkonte një kënetë e midistë dhe pikërisht në pjesën e quajtur “Vau i Rosave”. Por nga kjo pritë Isai nuk u asgjësua. Nga radhët partizane mbeti i vrarë djaloshi nga Skrapari Tofik Lapani, ndërsa nga banda kriminale u vranë 4 vetë”.
Për këtë episod autori i këtij shkrimi ruan në arkivin e tij edhe një bisedë, të bërë në vitin 1976, me ish-partizanen e njohur beratase Urani Kudra. Sipas saj, njësiti i Zylyftar Veleshnjës e kishte pritur në pusi Isa Toskën dhe bandën e tij për plot dy javë dhe se ai pati shpëtuar për shkak “të rolit të dy anëtarëve të qarkorit me origjinë klasore të pasur që bënë lojën e agjentit. Ata u dënuan më vonë”.
Vazhdon Nuri Plaku në librin e tij: “Sipas kujtimeve të së bijës së Hysniut, Ervehesë, e cila ka qenë dëshmitare okulare pranë të atit, Hysni Toska e ndiqte luftën në Vaun e Rosave me dylbi nga papafingoja e shtëpisë së tij në Luar. Sipas saj, ai ishte në dijeni të plotë për rrethimin dhe luftën që do t’i bëhej Isait në Marinëz. “Unë, - kujton ajo, - kam qenë në papafingo, kur ai ndiqte luftën me dylbi dhe fliste me vete duke thënë: “e rrethuan qenin”. Pas pak dëgjoj shprehjen: “shpëtoi qeni!”. Mbas kësaj prite, kur u pa që krimineli nuk u asgjësua, babai shaloi kalin dhe u nis menjëherë për në Berat...” Më tej: “Në Berat ai u vendos fillimisht në shtëpinë e dhëndrit të tij, Selman Pobratit deri sa gjeti një banesë dykatëshe, në lagjen Murat Çelebiu, të cilën e mori me qira”.
Dy muaj më pas, në fundmaj, Isa Toska me ndjekësit e vet u shfaq në qytetin ku ishte strehuar Hysniu. Rrëfen e bija: “Ai kaloi vetëm një herë para shtëpisë tonë, me autoblindë dhe ushtarë, duke parë me egërsi nga dritaret tona, qëndroi një moment dhe iku. Babai dhe komplet familja ishim bërë gati për luftë po të sulmonte.”
Nuri Plaku përshkruan edhe vrasjen e Isait, të interpretuar për shumë dekada si vepër e nacionalçlirimtarëve, partizanëve. Ai dokumenton se kjo ndodhi në mesditën e 13 shtatorit 1943, në Fier. Isa Toska së bashku me një grup bashibozukësh të tij, synonin ikjen për në Vlorë për të kaluar në Itali. “Variantin e plotë të vrasjes së tij, shkruan Nuri Plaku, po e japim duke iu referuar një dokumenti të kohës, hartuar nga zëvendëskomandanti i Rrethit të Xhandarmërisë, aspirant Abas Sevrani dhe sekretari i Komandës të Rrethit Xhandarmërisë, Kapter i Parë, Jakup Kadri Kepi. Të dy ushtarakët ishin pjesë e Komandës së Armatës së Xhandarmërisë Mbretërore të rrethit Fier dhe ky dokument, i është dërguar komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë në Tiranë më 25 shtator 1943. Sipas tij, në datën 11 shtator, në Fier erdhi nga Vlora një kolonë gjermane e cila filloi menjëherë marrëveshjen me komandën italiane për dorëzimin e trupave dhe armatimit të rëndë. Të nesërmen më datë 12 shtator gjatë natës, ushtria italiane u nis për në Vlorë. Në Fier mbeti vetëm kolona gjermane, e cila po merrej me grumbullimin e armatimit italian. Ndërkohë në mesditën e datës 13 shtator, në Fier erdhi kolona ushtarake italiane e Kumanit, e cila do të shkonte në Vlorë. Së bashku me ta ishte edhe krimineli Isa Toska me të vëllanë Faslliun dhe 50 bashibozukët e tij, të veshur me uniformën ushtarake italiane të Divizionit “Brenero”.
Në orën 15. 00 Komandanti i Rrethit, Kapiten Hilmi Beluli dhe oficerët Abas Sevrani e Rushit Çarçani, takuan nënprefektin Zef Pepa dhe i thanë të vinin në Komandën Gjermane për të kërkuar dorëzimin e kriminelit Isa Toska dhe vëllait të tij në xhandarmëri, pasi për arrestimin e tyre kishte një urdhër të përhershëm. Më pas, thirrën edhe Kryetarin e bashkisë, Arshi Shehun me përkthyesin Abedin Hoxha dhe së bashku shkuan në komandën gjermane. Komandanti gjerman e mirëpriti kërkesën e tyre dhe thirri menjëherë një skuadër me tre ushtarë. Nga xhandarmëria kërkoi t’i shoqëronte dikush sa për t’u treguar ushtarëve se kush ishin vëllezërit Toska. Përfaqësuesit e qytetit i shpjeguan komandantit se dy të kërkuarit ishin persona të armatosur dhe shumë të rrezikshëm. Por komandanti gjerman nuk i dha rëndësi këtij fakti, buzëqeshi dhe kërkoi vetëm t’i tregohej se kush ishin.
Ndërkohë, kapiten Hilmiu urdhëroi aspirant Rushit Çarçanin të organizonin pritat e xhandarmërisë nga të gjitha anët e mundshme, nga mund të ikte krimineli në rast se shpëtonte. Abas Sevrani së bashku me Komandantin e Postës së Qendrës kapter Selami Barutin e rreshter Qemal Hapshin, shoqëruan tre ushtarët gjermanë te grumbulli ku ishte Isa Toska me të vëllanë, ndërsa Komanandi i Rrethit Hilmi Beluli, nënprefekti Zef Pepaj, sekretari Zybi Goxhaj, Kryetari i bashkisë Arshi Shehu, përkthyesi Abedin Hoxha së bashku me të vëllanë togerin Fiqiret Hoxha, u drejtuan për në komandën e rrethit. Por, para se të arrinin atje, filluan gjuajtjet me armë.
Sipas informatave, Isa Toska, sapo pa aspirant Abas Sevranin së bashku me dy shokët dhe tre ushtarët gjermanë e kuptoi se çfarë e priste dhe, pasi iu drejtua Abasit me cinizëm e fyerje, zbrazi armën kundër tij. Abas Sevrani iu përgjigj flakë për flakë me revolver dhe gjuajti vetëm një herë kundër tij, duke i hapur një plagë në gjoks. Në moment, Isa Toska u largua “me shpejtësinë e zotësinë e një tigri” , në drejtim të kazermës së xhandarmërisë, ku u prit me plumbat e xhandarëve dhe mbeti i shtrirë për tokë i larë në gjak pikërisht para portës së saj. Ushtarët gjermanë së bashku me xhandarët shtrinë të vdekur për tokë rreth 16 shokë të Isait, kurse i vëllai iku përmes plumbave në drejtim të Gjanicës dhe mundi të shpëtonte”.
Vrasje një pas një
Deputeti Hysni Toska do të vritej dy ditë më vonë, në 15 shtator 1943. Pasi në datën 10 gjermanët hynë në Fier, Lushnjë dhe në Berat pa zhvilluar asnjë luftim e ndeshje me njësitë balliste apo partizane, Nuri Plaku në librin e tij shkruan se Hyniun: “Në paraditen e datës 15 shtator, e thirrën për një takim konsultativ në hotel “Kolombo.” Në takim ishin përfaqësuesit e forcave partizane të qarkut: Zylyftar Veleshnja, Sadik Mbolani, Neshat Hysi e Gjin Marku. Ndërsa nga forcat e Ballit Kombëtar merrte pjesë Kadri Cakrani me të tjerë”.
T’i fiksojmë një çast këta emra! Janë eksponentët më të lartë të lokalë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare (PKSH) dhe të Ballit Kombëtar. Ato kohë Berati përjetonte kompromisin e trefishtë: partizanë, ballistë, gjermanë.
Vijon studiuesi Plaku: “Sipas autorit të librit “Toskët e Luarit të Mallakastrës”, Sh.A.Toska, të dhënat konkrete mbi këtë takim, janë nxjerrë nga dëshmia gojore e nipit të tyre, partizanit Asqeri Hoxha, i cili atë ditë, bënte shërbimin e rojes tek dera e dhomës ku zhvillohej takimi. Sipas këtij dëshmitari, flamurin e llogarisë kundër Hysni Toskës e mbante ngritur Kadri Cakrani, zëri i të cilit dëgjohej deri jashtë”. Nuri Plaku e paraqet në libër gjithë bisedën e kryer, me akuzën përse Hysniu nuk e kish vrarë më parë se kjo të ndodhte, Isa Toskën. Autori ndërkohë ka rrëfyer edhe bashkëpunimin, por njëherësh edhe kundërshtimet e forta, që kishin pasur më parë, në paspavarësi, Hysni Toska me xhaxhanë e Kadriut, Bektash Cakranin.
Referuar Ervehesë, dëshmitare e rëndësishme e kësaj pabesie, kur i ati doli nga hotel “Kolombo” dhe hipi në një pajton nga ata që prej qendrës së qytetit të çonin në lagjen “Murat Çelepi”, drejt tij u hodh një bombë dore. Sipas saj, Hysniu “e mori bombën në mënyrë të rrufeshme dhe e hodhi larg karrocës, e cila plasi pa bërë dëm. Pastaj nxori nagantin dhe qëlloi në drejtim të autorëve, të cilët ishin të veshur me rroba partizane dhe po largoheshin duke vrapuar përgjatë bregut të lumit”.
Sipas shënimeve që autori i këtyre rreshtave ruan nga biseda me ish-partizanin C.Xh., kryer në 1977, ata që hodhën bombën ishin dy vetë. Rrëfyesi nuk e përcakton identitetin e tyre politik apo ushtarak, sepse duhet të kenë qenë civilë. Doemos nuk mund të dekonspiroheshin nga veshja.
Gjithsesi thelbi i përpjekjes për ta vrarë sapo Hysni Toska del nga takimi provon se gjithçka për fatin e tij ishte paravendosur prej po atij grupi udhëheqës të PKSH dhe BK për qarkun. Biseda “konsultative” qe teatër dhe dinakëri e përbashkët për ta nxjerrë deputetin nga banesa e tij, e cila për nga konstrukti ndërtimor ishte një kështjellë e vërtetë. Ndërkohë në rast se nuk do ta kishin komplotuar atë vrasje, menjëherë pas hedhjes së bombës, do ta merrnin në mbrojtje Hysni Toskën. Por ai grup komunisto-ballist bëri të anasjellën.
Referuar librit të historianit Nuri Plaku, “pas atentatit të dështuar, Hysniu u kthye në shtëpi mjaft i tronditur...Pak pas kthimit të tij, shtëpia u rrethua nga forca të shumta partizane. Në shtëpi ndodhej edhe i biri, Skënderi i cili kishte ardhur për të ndërruar veshjet dhe për të marrë ushqime... Ishte kohë dreke...”
Mbas dy-tre orësh nga fillimi i luftimeve mes 68 vjeçarit dhe njësisë vetëm partizane dhe dukshëm pa asnjë ballist, praninë e njëanshme të së cilës e pohon edhe kryetari i Komitetit të Veteranëve të Beratit, Orhan Frashëri, “në rrugën që vinte nga Ura Vajgurore, u panë të futeshin në qytet një numër forcash naziste të shoqëruara me një autoblindë. Nazistët ndaluan përballë shtëpisë së Hysniut ndërsa një grup partizanësh u dolën përpara dhe përpiqeshin të komunikonin me shenja duke treguar me dorë nga shtëpia e rrethuar...Nazistët zbritën në pozicion luftimi...” Më pas ata “goditën me armë të rënda dhe muri i avllisë u hap”. Këto çaste bashkëshortja e Hysniut u hodhi gjermanëve dekoratën e trimërisë dhënë të shoqit tre dekada më parë nga austro-hungarezët. “Ata e morën, shkruan Nuri Plaku, folën diçka me njëri-tjetrin dhe u larguan andej nga erdhën. Luftën e vazhduan partizanët.”
Gjatë luftimeve, vëren studiuesi, edhe pse Hysni Toska qe një snajper, nuk goditi në trup asnjë prej rrethuesve. I qëllonte tek këmbët. Nuk mund të vriste partizanët, shokët e të birit të vetëm, sepse Skënderi qe i ri komunist antifashist i burgosur për gjashtë muaj nga fashistët dhe ato çaste luftëtar në batalionin “Margarita Tutulani”. Skënderi gjatë tërë orëve të luftimeve mes të atit dhe partizanëve, nuk preku me dorë asnjë armë, tepër i befasuar dhe i tronditur nga ajo çfarë po ndodhte.
“Në orën pesë të mëngjesit, shkruan Nuri Plaku referuar Ervehesë, me fishekët e fundit që i kishin mbetur në nagant, hyri në dhomën e gjumit, ngriti mbulesën dhe dyshekun, u ul në sustën e krevatit, këmbë mbi këmbë dhe i mbështetur pas murit, qëlloi veten me dy plumba, njërin mes brinjëve dhe tjetrin në kokë.”
Më tej rrëfen se kur e shoqja hapi derën e shtëpisë dhe partizanët hynë brenda, ata arrestuan Skënderin, ndërsa trupin e Hysniut e nxorën nga shtëpia dhe e shtrinë në anë të rrugës. Mbi gjoks i vendosën një letër ku shkruhej “tradhtar”.
Pas tre ditësh Skënderi erdhi në shtëpi i shoqëruar nga tre partizanë. Qe shumë i mërzitur dhe fliste pak. Pasi qëndruan dy orë, përshkruan Nuri Plaku, ata katër ikën për të shkuar përsëri në batalion. Skënderi mori me vete një triko se nata ishte e ftohtë.”
U vra në passhpinë po atë natë, por trupi iu gjet pas tri ditësh. Rrobat e trupit ia kishin marrë. Komisari Ajet Xhindoli kishte porositur të mbrohej posaçërisht Skënderi dhe të mos i dorëzohej askujt që mund të vinte nga lart. Por po të lexosh librin e studiuesit Nuri Plakut, veçanërisht prej një letre që pak muaj më pas Ramiz Alia i ka dërguar Komitetit Qendror të PKSH-së, pra Enver Hoxhës, emri i vrasësit të Skënderit del i qartë: është njëri prej katër udhëheqësve lokalë komunistë të bisedës “konstultative” në hotel Kolombo.
Ndërkohë, siç thekson historiani Plaku, “Disa ditë pas vrasjes së Hysni Toskës, buletini i “Zërit të popullit”, jepte këtë njoftim: “BERAT: Isa Toska u vra. Bashkë me Isanë u shfarosën edhe disa nga farefisi i kriminelit, që kishin marr pjesë aktive në krimet e tij. Kush nuk i di krimet e tmerrshme të Isait? Nuk ka shqiptar që të mos u thotë hakmarrësve të popullit: ”JU LUMTE DORA!”, goditini pa mëshirë çdo armik të kombit.”
Pas një kërkimi të posaçëm dhjetë vjeçar, Nuri Plaku nuk ka gjetur ndonjë dokument apo dëshmi gojore se Hysni Toska ka qenë i lidhur politikisht me Ballin Kombëtar e ca më pak nuk ka qenë kurrë komandant ushtarak i ndonjë çete të kësaj organizate.
Që në kohën e komunizmit distancohen nga krimi Mehmet Shehu, Bilbil Klosi, Zylyftar Veleshnja
Arshini, nipi i Hysni Toskës, me detyrën e Kryetarit të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit Luar, më 4 prill 1945 u ekzekutua pa gjyq nga Forcat e Ndjekjes. Mersini, vëllai i Asllanit u burgos dhe më vonë, në vitin 1953 u ekzekutua me akuzën për sabotim ndaj pasurisë së popullit. Më 1951 Miftar Xhindole, dhëndri i Hysni Toskës, ish komandant i një njesiti partizan në zonën e Lushnjës, u arrestua e u dënua me 20 vjet burg për arsye politike. Familja e Hysni Toskës dhe gjithë pasardhësit e toskallarëve u shpallën kulakë dhe iu sekuestruan pa shpërblim të gjitha pasuritë të luajtshme e të paluajtshme. Në 1955 toskallarëve iu sekuestruan edhe shtëpitë e banimit, pa asnjë shpërblim dhe u kthyen në spital për lebrozët. Në vitin 1976, pasi deri ato çaste në varrezat jugore të Beratit at e bir, Hysni dhe Skënder, nuk i kishin emrat sipër, u vunë prej familjes. Urgjentisht dy varret u prishën. Eshtrat u futën në një thes plasmasi dhe u mbuluan në një gropë afër.”
Në 15 janar 1964 Mehmet Shehu në zyrën e tij i deklaroi një bashkëvendasi: “Hysni Toskën rrallë e njohin burrat”.“Në vitet ‘60 në Hekal erdhi Bilbil Klosi”, shkruhet në librin e Nuri Plakut. Ky ka thënë: Hysni Toska ka qenë burrë i rrallë. Vrasja e tij u bë shumë e nxituar. Më keq puna e djalit të tij, se Hysniu moshë e vjetër ishte”. Aktori i teatrit “Bylis” në Fier, Hasan Bregu, kujton: “Një ditë kur kthehej nga Vlora Zylyftar Veleshnja u fut në zyrën e drejtorit tonë dhe kërkoi të thërrisnim Myzafer Trebeshinën... Pasi erdhi Myzaferi më dërguan mua për të marrë kafe. Kur u futa në zyrë me tabaka në dorë, dëgjova që po flisnin për Hysni Toskën. Ka qenë patriot i madh, i thoshte Zylyftari Myzaferit”.Unë çova kafet mbi tavolinë dhe ndërhyra në bisedë: Shoku Zylyftar, më fal po ne e njohim si kriminel Hysni Toskën”. Ai më pa në sy, tundi kokën dhe tha si nëpër dhëmbë: “Kriminel?! Eh, lëre mor djalë se s’di gjë ti, kush ishte ai.”
Ish-partizani dhe pjesëmarrësi në rrethimin e Hysni Toskës në Berat, Llazar Bane, në shkrimin e tij botuar në “Zëri i Popullit” më 10 nëntor 2007, ka këto fjalë përmbyllëse: “Më dhemb shpirti kur dëgjoj se kërkohet të hidhet baltë mbi luftën tonë që e bëmë të çveshur dhe të uritur, por me një moral shumë të lartë. Njëkohësisht nuk ndjehem mirë, kur kujtoj vrasjen e patriotit dhe luftëtarit të madh Hysni Toska dhe shokut tonë Skënder Toska. Koha do nxjerr fakte dhe do tregojë se vrasja e tyre nuk ka qenë vepër e vijës dhe objektivit të luftës sonë, por ka qenë vepër personash të veçantë që ngatërruan forcat partizane në realizimin e qëllimeve të tyre.”
Ylli Polovina
Tiranë, më 29 qershor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|