|
LUFTË CIVILE, PO APO JO?
(Botuar në “Panorama” në 21 qershor 2018)
Në historiografinë perëndimore (veçanërisht), por edhe në atë në kahje të tjera gjeografiko-politike të kontinentit e globit, përveç ndonjë rasti sporadik, nuk gjen të shprehur konceptin e pranisë së një lufte civile në Shqipëri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore jo e jo, por as më parë dhe as më pas. Disa historirrëfyesve të huaj, por edhe shkruesve të saj, u është mbushur mendja se kjo gjëmë ka ndodhur në vitin 1997. Ata më së shumti kanë prirjen të akuzojnë për këtë presidentin atë kohë të vendit, Sali Berishën.
Mirëpo për fat kjo ngjarje ende është e afërt dhe e përjetuar nga shumica. Bindja është se gjatë këtij viti plot trazirë dhe provokime destabilizuese, luftë civile nuk pati. Më saktë: ajo nuk ndodhi.
Shqipëria është e tillë që nga tradita e saj: luftë vëllavrasëse nuk bën. Ndoshta sepse është popullsi e vogël numerikisht apo nga që fqinjët kanë dashur ta zhdukin si etni, ajo ka ruajtur njerëzit e vet. “Numrin në vend!” thotë një urim i saj.
Në rastin kur luftën vëllavrasëse e nxitin pushtetarë vendas ajo i bën bisht, ia zbeh vrullin e provokuar nga lart, ia ul në fare minimum, pothuaj afër zeros. Gjatë vitit 1924, me të quajturin revolucion të qershorit, këtë mjeshtëri e luajtën pothuaj të gjithë pjesëtarët e tij me në krye Fan Nolin. Të njëjtën gjë bëri edhe Ahmet Zogu me urdhrin dhënë ushtrisë për të shmangur ndeshjet e armatosura me “revolucionarët”. U duk sikur në dhjetor 1924 ajo që nuk ndodhi gjashtë muaj më parë, do të ngjante atë prag dimri, por edhe pse lufta civile shfaqi ndonjë element sipërfaqësor, ajo u fik pa iu këlershur flakët.
Lufta ndërqytetare ndodhet jashtë biografisë tonë. Asnjë meritë nuk ka kurrkush dhe njëkohësisht të gjithë kanë pjesën e tyre të meritës.
Ndërkohë që në historiografinë evropiane dhe botërore njihet dhe nuk vihet aspak në dyshin, për shembull, “lufta civile greke 1946-1949”, ajo italiane gjatë gjysmës së dytë të motit 1943 dhe tërë vitit pasardhës, madje duke hyrë edhe 1945, kur ai vend u nda më dysh: poshtë Romës me trupat çlirimtare anglo-amerikane dhe me e mbi kryeqytet ku sundonte Benito Musolini me Republikën e tij fashiste.
Kontinenti ynë njeh edhe luftën civile spanjolle.
Por ndërkohë që bota vijon të mospranojë ekzistencën në Shqipëri të luftës civile përgjatë muajve të fundit të motit 1943 dhe pothuaj tërë 1944-tës, deri sa ikën gjermanët, prej disa vëzhguesve të historisë brenda vendit, pas rënies së diktaturës, përherë e më shumë po ngulëkëmbet se ajo ka ekzistuar. Madje me dimensionin e saj të plotë.
Përmasa e saj e plotë, sipas përcaktimit klasik, është “një konflikt i armatosur me proporcione të gjëra, në të cilin palët pjesëmarrëse janë popullsi e të njëjtit vend”. Formulimi i saj shkencor thotë po ashtu se “duke ngjarë brënda një shteti me qëllim vendosjen me dhunë nga njëri fraksion i monopolit të pushtetit mbi gjithë territorin ose tek një pjesë e tij, objektivi është shkatërrimi total fizik dhe ideologjik i kundërshtarit”. Kjo luftë nuk përfundon veç në çastin kur njëra palë eliminohet, këmbëngul formulimi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas pikëpamjes se mes shqiptarëve ka ndodhur përleshje e plotë civile, palë të kundërta politiko-ideologjike qenë PKSH dhe Balli Kombëtar. Legaliteti ka pasur një pozicionim më specifik, herë pas here të baraslarguar.
Teza se kanë qenë komunistët internacionalistë ata që bënë luftë civile kundër nacionalistëve (siç vetëquhej organizata e BK) ka si platformë pikëpamjen se qe LANÇ realizuesja e kësaj përleshjeje ndërqytetare. Sipas kësaj, Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk ka luftuar pushtuesin italian dhe më pas atë gjerman, por më së pari, me përparësi, kohë dhe mjete ushtarake, rivalin e saj politik të Ballit Kombëtar. Gjithnjë sipas kësaj teze, BK është tërësisht viktimë e kësaj strategjie dhune e përjashtimi nga e drejta për pushtet në pasluftë dhe se vetë kjo organizatë nuk ka asnjë rol aktiv dhe përgjegjësi në zhvillimin e vijimin, deri sa në betejën vëllavrasës u mund (sepse mund të ndodhte edhe e kundërta).
Duke akuzuar LANÇ se e ka pasur grykën e pushkës vetëm ndaj shqiptarëve, shuhet kontributi i Shqipërisë në krah të aleancës së madhe anglo-amerikano-sovjetike kundër fashizmit. Sepse dihet që ballistët nuk bënë dukshëm ndonjë luftë të tillë dhe se disa pak të rënë që kanë, edhe kur ua kanë vrarë italianët, si në Gërhot të Gjirokastrës në shtator 1943, ua kanë adresuar partizanëve.
Duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo, si një dëshmi e papërmbysshme, numërohen të rënët atje ku janë, bashkë me emrat konkretë të tyre, vitlindjet e vitvdekjet, eshtrat në varre po ashtu. LANÇ më e pakta ka dëshmorë të vetëdijshëm për çlirim 6436 vetë.
Për këtë sakrificë të madhe mes 28 mijë shqiptarëve që gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë humbur jetën, Ismail Kadare ka shkruar fjalët monumentale “Lufta ka ndodhur vërtet. Të vrarët kanë ikur nga kjo botë vërtet”.
Përpjekja që teza e luftës civile të barazohet me akuzën se paralel me të nuk ka ekzistuar qëndresë antifashiste (ç’ka bie ndesh edhe me qëndrimet zyrtare, duke filluar nga dhjetori 1942, të qeverive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik), përse të mos ketë një arsyetim tjetër, ku të ruhet jo vetëm e vërteta historike, por edhe interesat kombëtare, sidomos fitorja me gjak e të drejtës për rikthim të Shqipërisë në fundnëntoe 1944 në pavarësimin e shkelur prej pushtimit?
Aq shumë për një gjysmë shekulli u fsheh kontributi anglo-amerikan për çlirimin e shqiptarëve sa që edhe tani, mbi një çerek shekulli nga shëmbja e diktaturës, mjaft prej nesh nuk e kanë të ngulitur në kujtesë se në përkrahje të rezistencës, veçanërisht të LANÇ, janë kryer prej aviacionit aleat perëndimor (jo nga sovjetikët), 12.500 fluturime. Prej tyre 9.211 kanë qenë të suksesshme. Armatim dhe veshje të hedhura nga ajri qenë jo dy thasë dhe gjoja pak këpucë të mëngjëra apo vetëm të djathta, por plot 1200 ton. Monedha floriri po ashtu në mijëra copë. Partizanët u thoshin “anglezka”, edhe ballistët.
Brigada e Parë vërtet kishte në krye një mendje ushtarake shumë të zotë si ajo e Mehmet Shehut, por tërë njësia u stërvit, u armatos dhe madje u vesh nga britanikët. Pa merak se gjymton ndonjë parim historik asaj sot mund t’i bashkëngjitësh emrin Brigada Shqiptaro-Angleze.
Kur në 28 nëntor 1944 në bulevardin kryesor të Tiranës u bë parakalimi ceremonial partizanët qenë të veshur me rroba angleze dhe shumica mbanin armë të prodhuara në këtë vend. Po të qe ajo ushtri e luftës ndërqytetare nga tribuna do të zbriznin në shenjë proteste të paktën delegacionet e misioneve amerikane dhe britanike e do të uleshin flamujt e tyre që binin në sy më shumë se të tjerët. Po ashtu në fundgusht e fillimshtator 1946 Enver Hoxha nuk do të lejohej të qe i ftuar në Konferencën e Paqes në Paris në rast se do të ishte një drejtues lufte civile.
Ja pse mbetemi të gjithë të humbur, përfshi edhe akuzuesit, se Lëvizja Nacionalçlirimtare Shqiptare qe vetëm luftë ndërqytetare, në rast se nuk mirëkuptojmë që ka pasur edhe prej yllkuqmbajtësve rezistencë kundër pushtimit, por edhe luftë civile në përmasën që tolerojnë shqipëtarët: në minimum të minimumit.
Të parët kishin “këllqe” për të dyja, të dytët të paqartë ku synonin, nuk grumbulluan dot forca as për të parën dhe as për të dytën. PKSH, e cila ka meritën e saj të pamohueshme në betejën kundër pushtimit fashist, falë direktivave pragmatike të Kominternit dhe intrigës jugosllave, qe mjaftueshëm dinake për ta realizuar diktaturën e ardhshme duke mbajtur në plan të parë luftën kundër pushtuesve dhe në plan të dytë, në sfond, si të qe skenë teatri të përgjakshëm, betejën civile. Ishte po ashtu aq shumë e organizuar në fushë të propagandës sa që të mund t’i fshihte këmbët e së vërtetës: që ishte ajo, PKSH, që e vuri e para në lëvizje mekanizmin e luftës ndërqytetare që në shtator 1943.
(Ndërkohë janë bërë tashmë shumë burime që pohojnë se po të mos e kishin shpërthyer luftën civile komunistët, në kushtet e epërsisë ushtarake të Ballit Kombëtar, do ta niste ky, madje edhe Abaz Kupi i Legalistëve).
Ishte luftë ndërqytetare ajo që kryen, me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, njësitë partizane në çlirimin e parë të Beratit, në fund shtator 1943, ndërsa goditën me pabesi ballistët e vendosur paqësisht në qytet. Po aq luftë civile qe bashkimi i këtyre të fundit me gjermanët dhe sulmi për t’i dëbuar partizanët nga Berati. Shfaqje e një lufte civile ishte kapja e komisarit partizan Ajet Xhindoli dhe vrasja e tij në Qafë të Kumbullave. Bashkë me ballistët, kur ndodhi tërë kjo, nuk kishte asnjë ushtar të huaj. Luftë ndërqytetare qe ajo që kryenin çeta të BK në Tomoricë e më tej, ku shpesh pa asnjë gjerman në afërsi, gjuanin grupe të vogla partizanësh për t’i vrarë në vend.
(Ndërsa këto kohë shkrova një libër, tashmë të publikuar, u njoha hollësisht me gjendjen e luftës në qarkun e Korçës dhe sidomos krahinën e Kolonjës. Raste të luftës ndërqytetare atje ka që nga ballistë të vrarë e gjymtuar fizikisht e deri familje partizanësh të pushkatuar nga të parët brënda një kishe. M’u desh të vëzhgoj po ashtu djegiet e shtëpive të mbështetësve të njërës dhe tjetrës palë. Janë shifra dhe sjellje tronditëse se si i lënë gra e fëmijë në mes të borës, vetëm me rrobat e trupit dhe me tërë drithin të përvëluar. Më shtëpidjegësit qenë njerëzit e lidhur me LANÇ, por edhe ato të BK nuk mbeteshin tepër larg. Zotëronin boll zell për këtë krim të llahtarshëm).
Prandaj qëndrojnë lirshëm pranë njëra-tjetrës ekzistenca e luftës patriotike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare me, mbajtur në minimum, betejën civile për pushtetin e ardhshëm. Prej kësaj të vërtete deri tani nuk janë tutur në qëndrimet e tyre që nga presidentët shqiptarë, përfshi edhe të ardhur nga PD, po ashtu edhe deklaratat nga kjo parti e madhe e të djathtës. Luftën patriotike nuk e kanë mohuar.
Ata që zhurrmojnë tezën e luftës së plotë civile janë të afërt me mendësinë e dikur bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe të pushtuesve, të cilët nuk mund të pranojnë këtë faj të gjyshërve të tyre, shumica në periudha të tjera të Shqipërisë, me kontribute të mëdha kombëtare.
Por për atë që ka ngritur flamurin në Vlorë apo qeverisur denjësisht atdheun në motet njëzetë apo tridhjetë, pas lufte po ashtu bashkëpunuar me Perëndimin për qëllimin e drejtë të shuarjes së regjimit bolshevik në Shqipëri, gabimi i bashkëpunimit me pushtuesin gjatë viteve të fundit të Luftës, është pjesa më e vogël.
E bën me faj të përkohshëm, por nuk e çnderon në mënyrë të përhershme.
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 qershor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|