Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Hyrja per ne Kala
Foto: Hyrja per ne Kala
Kur ne Berat luhej fati i Romes

Korrieri, 22 korrik 2005

Duke qënë beratas përherë ka qënë e pranishme të jetën time, me siguri edhe e bashkëqytetasve të mi, një ndjenjë e trazuar “faji” përse pikërisht në vendlindjen tonë heroi më i madh kombëtar, Gjergj Kastrioti, kishte pësuar një humbje të rëndë ushtarake. Për këtë ngjarje librat shkruanin se ishte dhe e vetmja humbje e Skenderbeut mes 22 betejave të tij triumfale. Të gjithë e dinim në qytetin tonë se jo vetëm brezi ynë apo edhe ai i etërve e gjyshërve tanë nuk kishin asnjë përgjegjësi për atë gjëmë që kishte ndodhur, por me sa kishim shfletuar edhe në librat shkollorë të historisë, asnjë faj nuk kishin edhe ata stërgjyshër që në çastin e nëmur banonin jashtë mureve të kalasë, pra nëpër varoshe, lagjet e atëhershme. Askush dhe në asnjë kohë e regjim për këtë rastësi të hidhur nuk kishte ngritur gishtin akuzues ndaj Beratit, as historian dhe as zyrtar. Në humorin e përgjithshëm kombëtar, ku gjenden me bollëk edhe nofkat që populli i një qyteti apo krahine i vë qytetit apo krahinës tjetër, ne kishim përfunduar me një cilësim miqësor pak a shumë përqeshës, por as këtu nuk aludohej për ndonjë përgjegjësi të Beratit në humbjen e Gjergj Kastriot Skenderbeut. E megjithatë kompleksi i “fajit”, në thelb i “fajtorit pa faj”, rrinte atje, mes nesh. Ishte herë gur i rendë që të shtypte gjoksin dhe herë bark i zi reje që të shkarkonte mbi krye shi të ftohtë e trishtim. Këtë përjetim e rendonte edhe ai gjykim i politizuar i diktaturës, ku sipas të cilit vetëm brenda një viti (vjeshtë 1943-vjeshtë 1944) qyteti ynë citohej bollshëm si vendndodhje e “kompromisit të Beratit” dhe e “plenumit të zi të Beratit”. I pari e ndotëte imazhin e qytetit tonë për shkak të një kompromisi që kreu lokal komunist Gjin Marku paskej bërë me pushtuesit gjermanë dhe i dyti na bënte pis biografinë e qytetit sepse një grup komunistësh kishin dashur të rrëzonin nga kreu Enver Hoxhën. Cilësime të tilla “afrofè” që tek ne i bën vetëm politika, janë shumë të ngjashme me termin e krijuar tash katër vitet e fundit: Dushku apo Megadushku. Nuk e di si ndihen banorët e kësaj qyteze të urtë myzeqare që ua përdorin vendlindjen në këtë mënyrë, si të jetë shpella e Ali Babait që vjedh vota bashkë me dyzetë hajdutë, kur ata realisht nuk kanë asnjë faj. Ndonjëherë do të ishte më e udhës që një pjesëtar apo grup i kësaj bashkësie të ngrihet e t’i bëjë thirrje opinionit dhe të gjitha mediave që termin “Dushku i vogël” apo “Megadushk” ta zëvendësojnë me emrin e ndonjë politikani apo partie që e ka kryer veprën e parodizuar dhe jo me të vendlindjes së tyre.
Ja përse ideja se gjatë gjithë epopesë skenderbejane Berati mbetej i regjistruar në histori si vend disfate, duke të të bërë të vuaje fare kot, i kishte shtyrë banorët e këtij qyteti që të veselitnin për shumë kohë iluzionin se të paktën ruanin në biografi ngjarjen e gëzuar se në Drobonik, në një pikë të bukur verimi mbi Berat, Skenderbeu kishte bërë dasmën e tij me Donikën. Por një gjë e tillë nuk ishte aspak e vërtetë. Ceremoninë e martesës Gjergj Kastrioti e ka bërë në hapësirën mes Lushnjës dhe Fierit, në Manastirin e Ardenicës.
Të mbetur përfundimisht të fajshëm pa faj, nga ky kalvar i brendshëm, nga kjo “golgotha” e pakuptimtë, ndoshta autori i këtyre rradhëve ka kërkuar vazhdimisht nëpër libra e dokumente, për aq sa ka patur mundësi, prova e dëshmi se ndaj kësaj humbjeje të rendë ushtarake të Skenderbeut mund e duhet mbajtur edhe një qendrim tjetër. Jo sepse kështu shpëtojmë psikologjinë e vetmbyllur të beratasve për të mos vuajtur më heshturazi kompleksin e pamerituar të fajit, por edhe vetë dështimi i ndodhur mund të rishihet me sy pak më të qetë dhe të vlerësohet me parametra të kohës që jetojmë. Sidomos me standarte të asaj kohe që në të ardhmen na pret.
Kështu pritëm 26 korrikun e këtij viti, pesëqind e pesëdhjetë e pesë vjetorin e kësaj ngjarjeje, për të dërguar tek “Korrieri” këtë shkrim, i cili duke mos qënë një zbulim, sepse ato i bëjnë historianët e nderuar, shpresojmë të jetë një interpretim i ri.

oooooo

Që nga fundnentori 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti në Krujën e çliruar flamurin e kryengritjes së përgjithshme kundërosmane, për një dekadë të tërë bëma e tij kishte patur një kurbë vetëm ngritëse, shumë shkëlqimtare. Kishte manifestuar në mënyrë të kompletuar inteligjencë politike, talent ushtarak, dhunti diplomatike dhe aftësi organizative shtetërore. U bë shëmbulli më i përparuar në rajon, figura numër një, emri më i famshëm ballkanik. Prosperonte emri i tij edhe në kontinent, rritej e lartohej, monumentohej me shpejtësi. Kronikat që nga Napoli e Roma, Raguza e Venediku, tej në Spanjë, Francë, Gjermani e Poloni, akoma më larg në hapësirat e thella ruse, regjistronin me ethe çdo veprim të tij. Viti 1554 ishte zeniti i Skenderbeut. Pse jo edhe fati i një strategu që i kishte bërë shumë mirë llogaritë e tij që jo vetëm të gëzonte pronat feudale të të jatit, Gjonit, por edhe, duke amortizuar prirjet partikulariste të princërve të tjerë shqiptarë, të mund të realizonte një shtet homogjen. Me gjuhën e kohës kjo donte të thoshte që principata e tij të zhndërrohej në një mbretëri dhe ai, sigurisht, kurorëmbajtësi. Kur e përshkruajmë këtë dinamikë të objektivave të tij nuk kemi parasysh mentalitetin që një bashkëkombas të tillë e cilëson posaçërisht si arrivist. Në eurokontinent e sidomos në hapësirat më të emancipuara të tij, proçesi i likujdimit të partikularizmave feudale, pra i ndasive të tyre, përbënte ato çaste një akt shumë të emancipuar dhe një hop të qytetërimit europian. Gjergj Kastrioti këtë bashkim të trojeve arbërore më shumë se për të mirat që gëzonte një treg i madh e unik apo një kulturë parakapitaliste me kufij të gjërë, e dëshironte për të rritur forcën e rezistencës antiosmane. Një përqendrim pushteti tek ai nuk ishte aspak ambicie e një sovrani të etur për pushtet personal, por një mundësi më shumë për të menaxhuar “me dorë të fortë” të gjitha burimet materiale dhe energjitë e arbërve. Të mos harrojmë se megjithë zgjerimin që i dha principatës së tij Skenderbeu nuk kishte nën administrim më shumë se një të pestën e trojeve abërishtfolëse.
Në këtë sipërmarrje që deri ato çaste, brenda dekadës së parë, kishte patur edhe probleme me ndonjë princ koleg e ca më shumë me përpjekjet e Republikës së Venedikut për të mos e lënë të forcohej e shkonte deri tek autoriteti e fuqia e një mbreti, Skenderbeun e favorizuan disa zhvillime pozitive në luftën e shteteve dhe principatave të krishtera të eurokontinentit kundër pushtimit osman. Një dështim i këtyre të fundit në Serbi si edhe një tërheqje taktike e Sulltanit nga dërgimi i ushtrive në Arbëri, rigjallërimi i rezistencës së fuqishme hungareze, i krijuan hapësirën fatlume për manovër. Gjergj Kastrioti do të bënte përpjekjen e re për t’u zgjeruar. Sipas historianëve dhe dokumentave të bollshme që ata kanë shfletuar dy ishin drejtimet e shigjetave të kuqe në hartë: në lindje marrja e kështjellës së Sfetigradit, në jug ajo e Beratit. E para e lejonte të bllokonte më mirë ushtritë osmane, të cilat pëlqenin këtë hyrje për t’iu drejtuar kryeqytetit të tij, Krujës. Drejtimi i dytë i operacioneve luftarake, po të çlirohej Berati, lehtësonte depërtimin e mëtejshëm të ushtrisë arbërore çlirimtare në jug, drejt Gjirokastrës, kryeqytetit të Sanxhakut Arvanid, pra pjesës së Shqipërisë të pushtuar nga turqit.
Ky superoperacion i Gjergj Kastriotit, veçanërisht ai drejt “Qytetit të Bardhë”, Beratit, nuk mund të realizohej dot me forcat që zotëronte, prandaj kërkoi bashkëpunim me të krishterin agresiv, mbretin Alfons V, mbretin e Napolit dhe me shtetin papal, kryeqendrën e Krishtërimit, Romën. Me një shkathësi mahnitëse për të pritur me durim e pastaj kombinuar gjenialisht rrethanat e brendshme me ato të jashtme, presingu diplomatik i Skenderbeut tek mbreti spanjoll i Napolit ishte përputhja me kursin dhe ambicien e tij të përhershme për ta bërë mbretërinë e vet një perandori mesdhetare. Për Alfonsin V Sulltani ishte një rival rajonal që duhej mundur. Gjersa këtë gjë e kërkonte vasali i tij i fuqishëm, Gjergj Kastrioti, dhe e merrte ai përsipër pjesën dërmuese të forcave njerëzore si edhe mundin e luftës së drejtpërdrejtë, përse të mos i jepte një dorë. Në rast se për Skenderbeun marrja e Beratit ishte një stacion i parë zgjerimi lirie drejt Gjirokastrës dhe Vlorës së pushtuar, për objektivat strategjikë të mbretërisë së Napolit ky superoperacion i përbashkët me arbërorët do të likujdonte një plastdarmë shumë të rrezikshme për të. Brezi Berat-Vlorë ishte vija e parë e reparteve sulmuese turke në synimin e tyre të qartë për t’u hedhur në Gadishullin Apenin e shkatërruar mbretërinë e Alfonsit V. Ndërsa kështjella e Beratit për turqit mbronte shpinën e Vlorës, për Alfonsin V, ishte tulla që binte duke marrë me vete edhe kështjellën e Kaninës dhe portin në det. Një kombinim të shkathët të planeve të tij Gjergj Kastriotin bëri edhe me Papën Nikola. Ky dhe gjithë kardinalët e tij, e gjithë Roma, përfshi edhe njerëzit e thjeshtë e deri tek lypësit, e dinin se turqit, pasi të nënshtronin Ballkanin, do të hidheshin në trojet italiane. Në Romë gjykonin se detyrimisht turqit do të përlesheshin njëherë me Alfonsin V, por më pas mbërritja aty, në “qytetin e përjetshëm”, ishte synim ekskluziv i zbarkuesve të një qytetërimi tjetër. Ajo që pritej nga çasti në çast të kapërxente Adriatikun ishte edhe një kryqëzatë muslimane kundër krishtërimit.
Ja përse në Berat luhej për fatin e Romës. Nëse kështjella shumë e fortë binte nën çlirimtarët e Skenderbeut do të katandisej vetëm një ëndërr në diell plani i stërholluar në Divanin e Sulltanit, pra në këshillin e kabinetin e tij, për ta vënë çallmën e gjysmëhënën mbi kupolën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në ndodhte që Berati mbetej në duart e turqëve për dekada të tëra, siç edhe ndodhi, Roma do të vuante përditë ankthin e ditës së pritshme të pushtimit musliman. Mbase edhe të masakrimit total.

oooooo

Fjalën Beligrad (Berati i saj kohe) mund ta gjesh në Itali edhe në kronika dokumentare para 26 korrikut 1455, edhe më pas. Berati përmendet deri edhe tek një kengë e trupave alpine të Italisë së veriut, e cila akoma kendohet. Ajo tregon se të shkatërruar nga kundërpërgjigja greke gjatë vitit 1940, duke zbritur në qytet të cfilitur prej një lufte pushtuese, ushtarët italianë i bëjnë himn gëzimi “Urës së Beratit”, simbolit të hyrjes në këtë qytet nga jugu i Shqipërisë. Qyteti ishte larg frontit dhe ushtarët italianë këtu më në fund mund të shplodheshin.
Mirëpo dendësia me të cilën fjala Beligrad e Berat gjendet në arkivat e përtejdetit për ngjarjen e 26 korrikut 1455 i kapërxen të gjitha përfytyrimet. Sigurisht ngjarja që ndodhi atje do të kishte një rezonancë kontinentale. Beratit kësaj rradhe i kishte rënë rasti të bënte histori. Edhe pse nuk do ta kishte dashur kurrë duke lënë gjurmën e një humbjeje.
Ngjarja nisi në mes të qershorit, sipas kronikave më 13 qershor, kur Gjergj Kastrioti në krye të një ushtrie të përbashkët shqiptaro-italiane, e mbylli marrshimin e sforcuar drejt Beratit me rrethimin e plotë të kështjellës. Mbreti i Napolit i kishte dhënë Skenderbeut 5 topa të mëdhenj dhe 13 bombarda, bashkë me përdoruesit e tyre. Njëmijë ushtarët e tjerë napolitanë dhe katalanë (spanjollë) ishin 500 pushkatarë dhe 500 shigjetarë. Nga sulmi i furishëm i topave një mur u ça dhe sulmi final për të hyrë në kala mund të kryhej. Në këtë çast komandanti i garnizonit turk tregoi se kishte patur një mendje diabolike. Jo më kot nga perandoria ishte vendosur atje, në Berat, në pikën gjeostrategjike të rëndësisë së veçantë. Ky i propozoi Skenderbeut një armëpushim të kufizuar vetëm në dhjetë ditë. Pastaj, premtoi, se do të dorëzohej pa bërë asnjë rezistencë. Gjergj Kastrioti dëshmohet se e nuhati mundësinë e një dredhie dhe se të njëjtën gjë e menduan edhe disa anëtarë të tjerë të shtabit. Një debatin që u bë në Këshillin e Luftës ai nguli kembë në qendrimin e tij të prerë: garnizoni të dorëzohej menjëherë, ndryshe të riniste sulmi. Mirëpo Këshilli, me shumicë, i hapi rrugë armëpushimit. Sipas tezës fituese edhe pse me ndonjë pjesë muri pjesërisht të rrëzuar garnizoni turk, për shkak të epërsisë që i jepte superfortesa, mund të rezistonte edhe për shumë kohë e kështu shkaktonte të vrarë të tjerë mes trupave shqiptaro-italiane. Dhjetë ditë durim, duke e mbajtur kalanë rreptësisht të qarkuar, nuk ishin shumë. Shërbimet e informimit që kishte tendosur Skenderbeu deri afër qendrës së perandorisë si edhe trupa e Rojës Kufitare e drejtuar nga komandanti i klasit të parë, Moisi Golemi, nuk kishin asnjë të dhënë për ndonjë lëvizje të mundshme ushtrie turke të nisur në ndihmë të garnizonit të rrethuar. Kështu filluan dhjetë ditët që do të mbartnin gjëmën dhe për shekuj me rradhë do të analizoheshin e nëpërgojoheshin. Gjer në ditët tona është bërë e lehtë të gjenden shkaktarët dhe fajtorët gjithandej. Shumë nga opinioni ynë, edhe pse dy-tre dekadat e fundit historiografia shqiptare ka bërë mjaft ndriçime të dobishme të kësaj ngjarjeje, kujtojnë se Gjergj Kastrioti me shokë gabuan në Berat si disa analfabetë të artit luftarak.
Gurët e hedhur mbi këtë ngjarje fatale, si mbi një varr të harruar, janë të shumtë. Duket sikur shqiptarët me këtë mënyrë të sjelluri emocionale duan ta harrojnë atë, ta largojnë nga vetja derisa të mos kujtohet më. Shumë nga bashkëkombasit tanë janë mësuar me interpretimin tradicional se gjithçka ndodhi për një shkujdesje totale të trupave shqiptaro-italiane dhe të vetë Skenderbeut që la në komandë kunatin e tij të papërvojë, Muzakë Topinë. Por nuk është aspak kështu. Nuk duhet lejuar më të interpretohet kaq sipërfaqësisht. Gjergj Kastrioti në 26 korrik 1455 ka rënë prehë e një manovre ushtarake e politike mjaft inteligjente, viktimë e së cilës mund të binin dhe kanë rënë edhe gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohrave. Truri i lojës gjigande niste nga komandanti i garnizonit turk e deri tek Sulltani. Ishte i pari që, kur ende Skenderbeu ndodhej në Krujë, pati mbledhur të dhëna se ky po projektonte një sulm ndaj Beratit dhe menjëherë informoi Sulltanin. Jo kur nisën dhjetë ditët e armëpushimit, por kur ushtria shqiptaro-napolitane duhej të kishte të paktën ditën e parë të rrethimit, duke vlerësuar peshën e madhe gjeopolitike të kështjellës së Beratit në hartën e përgjithshme të perandorisë osmane për të marrshuar drejt kryeqytetit të Krishtërimit, Romës, Sulltani veproi energjikisht. Sipas skenderologut më të njohur, Profesor Kristo Frashërit, Mehmeti II, ushtrinë e tij që sapo kalonte ngushticën e Bosforit dhe marrshonte në Azinë e Vogël kundër Perandorisë së Trapezundës, e ndali në vend. E anulloi menjëherë operacionin dhe të gjithë kalorinë e asaj trupe, plot tridhjetë mijë vetë, i nisi urgjentisht për në Berat. Komandant u caktua Isak Beu, një specialist i njohjes së Shqipërisë dhe i terrenit të saj pëllëmbë për pëllëmbë. Ky zgjodhi si rrugë marrshimi të tejsforcuar (të paktën pesëdhjetë kilometra në ditë) një intenerar shumë larg brezit kufitar të principatës së Gjergj Kastriotit dhe ku vigjëlonte Moisi Golemi. Ai kaloi nëpër troje të pushtuara e kontrolluara nga turqit, nëpër male dhe në mesnatën e 25 korrikut mbërriti në shpinë të afro gjashtëmijë trupave të komanduara nga Muzakë Topia, tek Porta e Kalasë. Të tridhjetë mijë kalorësit u fshehën në lartësitë e kodrave dhe ata që e kanë vizituar këtë kështjellë e sidomos beratasit e kuptojnë menjëherë se mbi çfarë kurrize malesh të vështirë e larg syve të njerëzve kishte rendur Isak Beu, njeriu që “kopsiste” në një treshe gjeniale mes tij, Sulltanit dhe komandantit të garnizonit turk, aksionin e rendësisë së veçantë gjeopolitike për të gjithë kontinentin.
Pasi u dha disa orë pushimi kalorisë së tejlodhur dhe brenda mureve të kalasë garnizoni osman u rreshtua heshturazi në formacion luftimi, në mpik të vapës së 26 korrikut, në zheg të saj, nisi gjëmimi i tambureve të luftës. Pesëmijë njerëzit e Muzakë Topisë, të cilët në hapësirën para Portës së Kalasë po merreshin me përforcim të disa masave për sulmin e ardhshëm në rast të një mosdorëzimi të turqve, u gjetën të befasuar nga kjo uturimë daullesh dhe panë të shtangur se porta e kështjellës u hap. Prej saj dolën furishëm ushtarët osmanë, të cilët me klithma u vërsulën mbi ta. Në këtë kohë të tridhjetë mijë kalorësite Isak Beut, pesëfishi i shqiptarëve dhe i italianëve, goditën në shpinë. Muzakë Topia me të tijtë rezistoi me sa mundi, për orë të tëra, gjersa të pesëmijët e tij, bashkë me të dhe pesëqind napolitanët, u vranë. Në këtë përleshje heroike u derdh edhe gjak pushtuesi osman, por deri tani ka patur përkujdesje vetëm të numërojnë trupat e shumtë të arbërve dhe aleatëve të tyre të masakruar në pabesi.
Jo sipas legjendave apo thashethemeve, as sipas mendjes së këtij apo atij interpretuesi, por sipas dëshmive dokumentare të mbledhura menjëherë pas kësaj gjëme, në grackë nuk ra pjesa tjetër e ushtrisë skenderbejane. Në një kodër tjetër, poshtë Mangalemit të sotëm dhe përgjatë luginës së Osumit, nuk ranë në pritë repartet e komanduara nga Tanush Topia, Gjergj Arianiti dhe vetë Gjergj Kastrioti. Ky dhe Arianiti, me një pjesë të njerëzve, ishin larguar në pyjet më të afërta për të mbledhur lendë drusore në përgatitje të sulmit mbi kështjellë. Sipas një relacioni të posaçëm të 1 gushtit 1455 të dogjit të Venedikut Françesko Rosari, bërë publik nga historiografia shqiptare, “Arianiti dhe Skenderbeu, duke dëgjuar zhurrmën dhe duke parë pluhurin, rrëmbyen armët dhe u lëshuan për t’i ardhur në ndihmë Muzakës, por me të arrirë rëzë malit panë se ai kishte vdekur. Turqit e rrethuan nga të gjitha anët Skenderbeun, duke u përpjekur t’i presin çdo shteg për tërheqje në drejtim të malit. Sipas të dhënave të këtyre katalanëve, Skenderbeu porsi luan u fut midis turqve duke vrarë shumë prej tyre vetë ai me dorën e vet. Kështu që ata u detyruan t’i hapin shteg Skenderbeut për t’u tërhequr tok me ushtarët e tij”.
Duke qënë ushtarakisht humbje kjo që më 26 korrik 1455 ndodhi në Berat, përse është një disfatë? Asgjëkundi në ngjarjen realisht të ndodhur nuk ka disfatizëm. E gjitha është trimëri. Guxim e sakrificë e madhe. Ja përse ajo nuk mund të kategorizohet në librat tanë si “disfata e Beratit”. Shqiptaro-italiani Gavril Dara i Riu në poemën e tij mahnitëse “Kenga e Sprasme e Balës” këtë ngjarje e titullon “Kenga e Beratit”. Aty gjenden vargjet “gjak në erë, gjak në re, gjak në ujë, gjak në dhe, gur më gur një copë mish, kreje e llërë trimash kish!” E përsërisim vargun e fundit: “kreje e llërë trimash kish!”
Farën e nëpërgojimit të kësaj beteje e kanë bërë, për fat të keq, jo pak mes nesh dhe shumë prej të huajve. Eshtë arritur që të thuhet se Skenderbeu ishte larguar në Malin e Tomorrit për gjah. Në Konferencën e Dytë Albanologjike për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, 12-18 shkurt 1968, është thënë se “në luftën e Beratit Skenderbeu, thuhet nga historia, u largua disa ditë, se ku s’dihet” (Zihni Sako). Kurse dëshmia dokumentare e dogjit provon menjëherë pas ngjarjes se dy Gjergjët, Kastrioti dhe Arianiti, po punonin aq afër sa dëgjuan zhurrmën e kasaphanës dhe panë pluhurin të ngrihej. Me dramën e betejës së Beratit është sajuar se pabesinë e spiunimit e ka bërë Moisi Golemi dhe se kampi ushtarak i shqiptarëve bënte orgji. Për fat të keq nën këtë gënjeshtër bie edhe autori më i fundit italian i një libri për Gjergj Kastriotin, miku i mirë i shqiptarëve, Xhenaro Françone. Ai shkruan se turma e ushtarëve arbërorë poshtë mureve të kalasë ishte e mbushur me njerëz që flinin, luanin e pinin gjersa deheshin, që kendonin e shkonin për gjah apo shëtitnin buzë lumit.

ooooooo

Njëzetë e gjashtë korriku i vitit 1455 meriton në Berat një obelisk të madh përkujtimi dhe nderimi. Jo heshtjen. Aq më pak kompleksin e harrimit se na paska ndodhur ndonjë turp. Ne për fat të mirë nuk jemi popull që një disfatë të madhe me osmanët, si përshembëll atë të Fushë Kosovës më 1389, ta zhndërrojmë në plastdarmë urrejtjeje kundër ndonjë etnie. Kemi shumë arsye për ta respektuar këtë datë pikërisht në mirënjohje për bashkëkombasit tanë arbër dhe popujt e tjerë që në kohë të vështira na janë gjendur pranë dhe kanë derdhur gjak bashkë me ne. Në këtë obelisk të madh në çdo 26 korrik duhet të vendosim tufa me lule. Jo vetëm ne. Por edhe italianët apo spanjollët. Përse jo edhe të gjithë evropianët që për turizëm vijnë e do të vijnë përherë e më shumë në këtë “qytet të bardhë”.
Në Berat, me jetën e afro gjashtëmijë luftëtarëve të lirisë, u mbrojt Roma jo vetëm si qendër globale e Krishterimit, por edhe e qytetërimit perëndimor.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com