Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

OPERACIONI I FSHEHTË ANGLO-AMERIKAN “VALUABLE” DHE FILMI SOVJETO-SHQIPTAR “SKËNDERBEU”



(Botuar në Illyria, më 20 qershor 2018)

Pjesa e gjashtë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

(Shkrimi i tridhjetë e shtatë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Herën e shkuar mes të tjerash rrëfyem e si në 4 prill 1949 Enver Hoxha, në një vizitë në Moskë pasi ishte këshilluar me Stalinin si do të shtypte grupin e Koçi Xoxes, i bëri një letër në frëngjisht edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, me anë të së cilës i propozonte “krijimin e një filmi artistik kushtuar jetës së heroit kombëtar të popullit shqiptar, SKENDERBEUT, dhe të luftës së tij kundër pushtimit otoman”.
Me këtë rast theksuam se ky ishte një veprim kundërveprues ndaj anglo-amerikanëve dhe planit të tyre sekret për të bërë diversion me grupe të armatosure ndaj Shqipërisë, realizuar dobësimin e saj si edhe rrëzimin e regjimit.
Prej këtej për të njëjtin qëllim parashikohej të ndërhyhej edhe më në thellësi të kampit socialist.
Në korrik Xoxe u pushkatua, por pasi u detyrua të pohojë se ishte rekrutuar gjatë luftës nga shërbimi i fshehtë britanik, ashtu dhe nga ai amerikan dhe se bashkë me Titon pati marrë pjesë në një intrigë ndërkombëtare për t’ia aneksuar Shqipërinë Federatës Jugosllave.
Tensionet e forta të motit 1950 kulmuan një vit më pas, kur më 19 shkurt 1951, në orën 17 e 47 minuta, u hodh në oborrin e ish ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë një sasi e vogël dinamiti, por që shkaktoi vetëm një krismë të fortë, asnjë rënim të godinës apo viktimë njerëzore. Mbledhja urgjente e Byrosë Politike pati pasojë arrestime masive si edhe pushkatimin e 22 mospajtuesve politikë aspak të pleksur në këtë ngjarje.
Në maj u krijua në Prizren një bashkësi antienveriste me emrin Komiteti i Refugjatëve, i cili kishte objektiv nxitjen e arratisjeve nga Shqipëria. Po ashtu në SHBA në fillim korrik nisi jetën politike, i drejtuar nga eksponenti i njohur i Ballit Kombëtar Hasan Dosti, një Komitet Kombëtar i Shqipërisë së Lirë.
Por viti 1951 ishte edhe ai i kundërofensivës propagandistike të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Këtë çast shfaqen projektet e para të rëndësishme të Tiranës zyrtare me “Sovjeteksport Film” (“Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike Sovjetike”). Brenda këtij moti qenë mbyllur të gjitha proçedurat e firmosur marrëveshjet, pastaj edhe prodhuar, dy dokumentarë.
Njeri titullohej “Rruga e lavdishme” dhe i kushtohej 10-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Regjisori ishte rus (Kapalin), kurse skenari dhe muzika me autorë shqiptarë. Dokumentari u prodhua në Moskë dhe pagesat, përfshi edhe për bashkëpunëtorët që vinin nga Tirana, ishin sipas tarifave dhe monedhës sovjetike.
Ky prodhim sovjetiko-shqiptar u pasua pa u vonuar edhe nga produkti i dytë i përbashkët, dokumentari “Populli shqiptar për mbrojtjen e Paqes”. Regjisori ishte po i njëjti: rusi Kapalin.
Tani i ishte hapur rruga bashkëpunimit realizues për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Skenari kinematografik u përgatit nga sovjetikët, sipas të dhënave që kishin marrë në Shqipëri dhe po ashtu këtu edhe ndihmës historike të specializuar. Gjithçka po procedonte sipas kërkesës që pati bërë në fillim të prillit 1949 Enver Hoxha.
Ndërkaq prodhimi i atij filmi qe shumë i ndërlikuar, sidomos për numrin e madh të pjesëmarrësve në aktrim si edhe larmisë së sheshxhirimeve. Megjithatë në ditët e para të janarit 1953 ky skenar kinematografik ndodhej në Tiranë dhe më në fund Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, pasi e kishte lexuar, nëpërmjet Komitetit të Arteve dhe Kulturës, i përcolli grupit të punës në Moskë vërejtjet përkatëse.
Ishte niveli i dytë i tyre, sepse edhe më parë u kishin dërguar një tufë të tjera.
Sapo kaloi mezi i janarit përfaqësia diplomatike shqiptare në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik njoftoi se ja kishin dalë që vërejtjet zyrtare të Tiranës për skenarin e filmit “Skënderbeu” t’ja jepnin dorazi njërit prej tre drejtuesve kryesorë të ministrisë sovjetike të kulturës.
Pas kësaj gjithçka zhvillohet me ritëm të lartë.
Regjisori i parë Sergej Jutkjeviç ishte një makinë e madhe pune. Në 16 shkurt grupi realizues ishte gati për t’u nisur në Shqipëri, atje edhe ku do të bëheshin një pjesë jo e vogël, në mjedise konkrete, e xhirimeve.
Regjizor i dytë i filmit do të ishte Gomorov, piktor rusi Kariakin, përgjegjës administrate Sidorov, asistent për kostumet...Ende nuk i dihej emri instruktorit sovjetik për luftimet me kuaj.
Ky do të ishte grupi i parë që do të mbërrinte në Shqipëri. Rruga qe e gjatë, bëhej me vapor nga Odesa, duke kapërcyer tre dete për të mbërritur tek i katërti, Adriatiku dhe porti i Durrësit.
Grupi i dytë do të nisej nga Bashkimi Sovjetik midis 5 dhe 15 marsit 1953. Atë e zuri ngjarja e vdekjes së papritur të Stalinit. Ky nuk ishte më mbi këtë tokë që të ushtronte pushtet, megjithatë hë për hë në kursin e udhëheqjes sovjetike nuk pati ndonjë ndryshim.
Ky ndodhi në operacionin anglo-amerikan “Valuable”. Vdekja e Stalinit, mundësia e arritjes së qëllimit për destabilizimin e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve socialiste me rrugë të tjera, pas ndonjë udhëheqjeje të re të Moskës, si edhe dështimet e sipërmarrjes, kushtëzuan ndërprerjen e tij.
Lufta e Ftohtë vazhdonte edhe pa kryebolshevikun që nuk jetonte më. Kështu në Moskë dhe në Tiranë, kishin nevojë për prodhimin e filmit për Gjergj Kastriotin. Prandaj edhe nga sovjetikët për të luajtur rolin e Skënderbeut u zgjodh njëri prej aktorëve më të njohur të kinematografisë së saj: Akaki Horava.
Pas përfundimit të xhirimeve në Shqipëri dhe atyre që u bënë në mjedise të ngjashme në vendin e sovjetëve, u krye edhe montazhi.
Nga e tërë trupa aktorë shqiptarë qenë Naim Frashëri (luante Palin), Besa Imami (Donikën), Adivije Alibali (Mamicën), po ashtu Ndrek Shkjezi, Kadri Roshi, Lec Shllaku dhe Marie Logoreci. Nga sovjetikët përveç Horavës ishin Semion Sokolofski, Veriko Andjaparizhe, Georgij Çernovolenko, Aleksandër Vertinski, Oleg Zhakov, Sergej Zaqariazhe, Vladimir Belokurov dhe Vahram Papaziankanis
Sipas marrëveshjes së mëparshme mes dy palëve, filmi do të dublohej edhe në shqip.
Mbasi më 31 tetor 1953 prodhimi në gjuhën ruse kishte përfunduar, njoftohej Tirana se edhe varianti në shqip do të mbyllej brenda gjashtë-shtatë ditëve të ardhme. Dublantët e aktorëve rusë do të ishin kolegët e tyre shqiptarë.
Kur në fillim të nëntorit regjisori Sergej Jutkjeviç pa variantin në shqip të filmit shpërtheu në pakënaqësi. Sipas tij, vlera e filmit kishte rënë njëherësh në pesëdhjetë përqind.
Nuk e fshehu humorin e keq edhe vetë aktori Akaki Horava. Shprehja e thënë prej tij ishte pesherëndë: “Po të isha unë qeveria shqiptare nuk do ta pranoja atë dublazh dhe do ta ribëja që nga fillimi Skënderbeun. Propozoj Naim Frashërin për të më dubluar”.
Por asgjë nga këto nuk ndodhi. Regjisori Jutkjeviç u nis nga Odesa për të marrë pjesë në shfaqjen e parë të filmit në Tiranë, kurse, megjithë kërkesën që autoritetet shqiptare i bënë Akaki Horavës, ky nuk u nis asnjëherë. U tha se ishte shumë i zënë me disa shfaqje teatrore.
Në Tiranë filmi u shfaq në kinema “Kosova”. Ishte i pranishëm bashkë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun edhe Sergej Jutkjeviç.
Suksesi i plotë dhe entuziami mbërriti në qiell.
Mijra kilometra më larg, në sallën “Dom-Kinon” të Moskës, shfaqja e parë publike e filmit nisi në orën 21.00. Në fillim ajo ishte parashikuar të fillonte në 18.30, por pas konsultës së përfaqësisë tonë diplomatike me Protokollin e Shtetit të Bashkimit Sovjetik, ajo u vendos të shtyhej në orën 21.00.
Kjo ndodhi sepse atë ditë, 28 nëntor 1953, ambasada jugosllave kishte pritje me rastin e festës kombëtare.
Në hollin e “Dom-Kinon” kishte një ekspozitë fotografike me ngjyra me pamje nga xhirimet e filmit, ndërsa kudo, edhe brenda në sallën e madhe, përhapeshin melodi popullore shqiptare.
Para se ambasadori shqiptar të fliste salla e “Dom-Kinon” ishte e mbushur me afro njëmijë vetë. Qenë përfaqësues së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, të Ministrisë së Tregëtisë me Jashtë, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të dikastereve të tjera qendrore. Nuk mungonin as të dërguar nga organizata të ndryshme kulturore dhe artistike të Moskës, artistë të kinemasë dhe grupi i aktorëve që luante në film.
Mes të pranishmëve ishin në vende të dukshme diplomatë e ambasadorë nga vendet, të cilat atëhere quheshin “demokraci popullore”, po ashtu edhe nga shtetet perëndimore. Mbi njëqind në atë sallë të madhe qenë studentë shqiptarë në kryeqytetin sovjetik. Në raportin e asaj dite, dërguar Tiranës nga ambasada jonë, nënvizohej se ajo asnjëherë nuk kishte patur në një veprimtari të saj aq shumë diplomatë të huaj.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 18 qershor 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com