|
1949-1953, ENVER HOXHA PËRDOR SKËNDERBEUN PËR T’IU KUNDËRVËNË OPERACIONIT ANGLO-AMERIKAN “VALUABLE”
Pjesa e pestë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.
(Shkrimi i tridhjetë e gjashtë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)
(Botuar në Illyria, më 14 qershor 2018)
Pushteti i ri i bolshevikëve tregoi interesim shumë të madh për Skënderbeun që në ditët e para të pushtetushtrimit t tij. Kjo ishte edhe vijim i qëndrimit kur PKSH zhvillonte rezistencë ndaj pushtimit të huaj.
Sidoqoftë ndonjë simbol nga imazhi i Gjergj Kastriotit nuk qe aq fort i shpeshtë nëpër tribunat e veprimtarive politike dhe agjitative të komunistëve. Nuk e vije re këtë spikatje as edhe në ngjarjet kryesore të Ballit Kombëtar.
Dukej sikur të dy palët, madje tërë shoqëria shqiptare qe mësuar me ritmin dhe teknikën propagandistike të periudhës së Ahmet Zogut.
Gjithsesi gjatë luftës ka pasur një rast të dukshëm kur një eksponent nacionalist nga Skrapari, Mestan Ujaniku, i cili më pas u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit u mënjanua, të vendoste mbi kapele edhe një shenjë të Skënderbeut: përkrenaren e tij.
Tek nacionalistët mbizotëroi shqiponja e zezë dhe tek komunistët ylli i kuq.
Ndërkohë pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit të diktaturës së proletariatit, në vitin 1945 dolën “Urdhëri Hero Kombëtar” dhe “Urdhëri i Skënderbeut”. Po ashtu imazhi i Gjergj Kastriotit u shfaq në një kartmonedhë të re të lekut.
Shkrimin e shkuar nxorëm në pah se, referuar katalogut të porsabotuar të studiuesit Hysen Dizdari, në 1 mars 1951 u vu në qarkullim në Shqipëri një emision i përbërë nga tri pulla, të cilat në sfond paraqitnin portretin e Gjergj Kastriotit. Ky nuk ngjasonte me portretin e Skënderbeut që ndodhet në Galerinë “Uffizi” në Firence të Italisë dhe as me portretin që jepet në veprën “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit. Këta konsiderohen më afër realitetit të pamjes së tij të vërtetë.
Në Tiranë, përfshi edhe vetë Enver Hoxhën, e dinin fare mirë cila qe pamja reale (zyrtare) e Skënderbeut dhe nuk kishte asnjë arsye që të lejohej e paditura më parë, por edhe më e pangjashmja, e krijuar, siç hamëndësohet prej një piktori hungarez.
Atëherë përse u përdor një imazh krejt i panjohur?
Mos ishte një pamje e Gjergj Kastriotit e sponsorizuar nga ish-kampi socialist, pra edhe nga Traktati (Ushtarak) i Varshavës?
Përveç autorësisë hungareze, duke pasur parasysh se ky emision pullash u prodhua me rastin e 483-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, pra jo të një jubileu, si edhe fakti që ditëvdekja e tij është 17 janar, të shtyn drejt arsyetimit se nxitje kjo thirrje në skenë e heroit kombëtar ka rrethana të tjera. Për të duket ka një nevojë të çastit.
Nëpër arkivat shqiptare nuk janë gjetur shpjegime përse ky gjallërim i fortë i propagandimit të Skënderbeut. Autori i këtij shkrimi mendon se mund t’i jetë afruar një shpjegimi të kësaj dukurie: në 1951 qe në zhvillim të plotë operacioni i fshehtë anglo-amerikan, më saktë i gjithë Perëndimit, për rrëzimin e regjimit të Tiranës.
Ai njihet me emrin e koduar “Valuable”.
Pas dëbimit të pushtuesve regjimi i ri i Tiranës, duke ngritur një strukturë të Batalioneve të Ndjekjes, të cilat kishin qënë më parë forca partizane, nisën likujdimin e grupeve kundërshtare të mbetura në vend si edhe atyre të dërguara pas prishjes me jugosllavët. Kjo ishte një periudhë tensioni të brendshëm dhe “Udhëri i Skënderbeut” përdorej për të inkurajuar më të dalluarit në asgjësimin e këtyre grupeve të armatosura.
Gjithsesi në 15 janar 1949 një anije jugosllave iu afrua bregut të detit në Shëngjin dhe mori në bord afro pesëdhjetë mbështetës të Koçi Xoxes, i cili ishte goditur politikisht nga Enver Hoxha dhe izoluar. Në mes të datave 25-30 janar në zonën Dibër-Peshkopi ndodhën përplasje shumë të ashpra mes njësive kufitare shqiptare dhe jugosllave. Në këtë zonë u dërguan me urgjencë përforcime nga Tirana dhe Durrësi.
Ditë pas dite shërbimi i informacionit i pushtetit të ri në Tiranë mblodhi të dhënat e para. Ato linin të besoje se Josip Broz Tito planifikonte në mos një pushtim, një sulm të madh ushtarak ndaj Shqipërisë, një destabilizim të saj. Njeriun e Titos, Koçi Xoxen, i cili pritej të përfundonte në plumb, kishte ende kohë për ta shpëtuar.
Ja pse në Kosovë qenë nxjerrë nga burgjet ata që jugosllavët nuk i kishin dashur kurrë: nacionalistët. Teza e tyre për bashkimin e Kosovës me trojet e vendit amë këtë herë shihej e dobishme të shfrytëzohej për të kundërtën: bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Pra, shqiptarët do të bashkoheshin patjetër, por në kuadrin e shtetit federativ titist.
Në 4 prill Enver Hoxha kryen gjestin e tij kundërveprues më të sofistikuar: thërret në skenë, për ndihmë, Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe lavdinë e tij në luftën për mbrojtjen e atdheut të vet.
Këtë ditë, në frëngjisht, ai i drejtoi një letër qeverisë së Bashkimit Sovjetik. Këtë tekst e kish marrë nga Tirana për t’ja përcjellë Moskës një delegacion shqiptar. I ndodhur në kryeqytetin sovjetik ai e kreu misionin e vet që në ditën e parë të takimeve të punës.
Në këtë letër Enver Hoxha i propozonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS “krijimin e një filmi artistik kushtuar jetës së heroit kombëtar të popullit shqiptar, SKENDERBEUT, dhe të luftës së tij kundër pushtimit otoman”.
Hoxha kërkonte që prodhimi i këtij filmi të bëhej nga pala sovjetike, me pjesëmarrje të aktorëve të saj.
Ai lutej që për këtë qëllim nga Moska të vinte në Tiranë, mundësisht brenda vitit 1949, një shkrimtar sovjetik, i cili në bashkëpunim me institutin përkatës në kryeqytetin shqiptar, do të shkruante skenarin, mbi bazë të të cilit kinematografia sovjetike do të xhironte filmin.
Kundërveprimi propagandsitik i Enver Hoxhës për t’i rezistuar dhe thyer sulmin anglo-amerikan (dhe jugosllavo-grek), ku qe aktivizuar edhe Ahmet Zogun, kishte nisur. Mbrojtja e integritetit territorial të Shqipërisë ishte çështje e drejtpërdrejtë e kampit socialist. Uashingtoni dhe Londra synonin ndërrimin e regjimit në vendin e vogël ballkanik për të bërë diversion dhe pykëzuar në vetë bashkësinë bolshevike të vendeve të Evropës Lindore.
Hoxha, i cili drejtonte një vend të varfër dhe pa asnjë burim financiar, teknik apo artistik për të krijuar një film të thjeshtë dhe jo më një me vëllim të madh aktorial, e kish gjetur momentin e duhur.
Skënderbeu i duhej atij, por edhe Stalinit,
Kështu në 4 prill 1949 zuri fill historia, në thelb për shkaqe politike, krijimit të filmit të bukur, të dashur, por edhe të vetëm deri tani, për Gjergj Kastriotin.
Ditët që po vinin në verën e vitit 1949, po e përkeqësonin gjendjen e konfliktit mes dy palëve, Perëndimit dhe Lindjes, Shqipërisë dhe fqinjëve të saj të angazhuar ta mundnin. Në gusht kufijtë jugorë i sulmoi ushtria greke. Për këtë atmosferë autori i këtyre rradhëve zotëron tërë pasqyrën e shtypit italian, grek, francez dhe më tej, e cila informon mbi gjendjen. Nëpër gazeta nuk mungojnë shkrimet që paralajmërojnë sulme të drejtpërdrejta të armatosura kundër regjimit të Tiranës dhe këmbëmguljes për ta rrëzuar atë me forcë.
Në këto luftime, në mbrojtje të sovranitetit territorial të vendit, dhanë jetën shumë ushtarë, shumica prej tyre ish-partizanë. Në ditët e sotme ka një çinteresim të paedukatë për këta bij të mëmëdheut, sepse ka fyte që janë gati të çirren duke i mëkatuar, nga që e humbën jetën e tyre në 1949, se qenë thjesht shërbëtorë të diktaturës dhe nuk e lanë Shqipërinë në duart e grekëve apo të jugosllavëve, për të na e sjellë ata demokracinë.
Në Moskë dhe në Tiranë në vjeshtë të atij moti shumë të trazuar, 1949, tashmë e dinin, falë të dhënave që u dërgonte agjenti Kim Filbi, se prej anglo-amerikanëve pati nisur operacioni tepër sekret “Valuable”.
Në librin e vet \"Lufta ime e fshehtë\" ky ndër të tjera do të shkruante: \"Shumë shpejt, pas mbërritjes time në Uashington, qeveritë amerikane dhe angleze sanksionuan në parim kryerjen e operacioneve të fshehta që kishin për qëllim të shkëpusnin një nga vendet e Europës Lindore nga blloku socialist. Sipas arsyes, radha ra mbi Shqipërinë. Kjo ishte më e vogla dhe më e dobëta nga shtetet socialiste”.
Në rezolucionin e plenumit III të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, të mbajtur në 11 deri në 13 tetor 1949, do të thuhej “Imperializmi anglo-amerikan, i përkrahur nga Greqia manarko-fashiste, nga klika trockiste e Titos dhe nga reaksioni Italian, është munduar që të organizonte forcat e reaksionit shqiptar për kundër Pushtetit tonë. Koha që nga dalja e rezolucionit të Inform-Byrosë mbi gjendjen në Partinë Komuniste Jugosllave dhe deri më sot karakterizohet nga intensifikimi i veprimtarisë armiqësore të klikës së Titos, të monarko-fashistëve grekë dhe t’imperializmit anglo-amerikan, me qëllim të përmbysin Pushtetin tonë popullor dhe të coptonin Shqipërinë. Këto tentativa deri më sot kanë falimentuar...”
Në fillim të rezolucionit të plenumit III të KQ të PPSH-së thuhej qartë: “Imperialistët amerikanë, anglezë dhe shërbëtorët e tyre, mbasi shkelën paturpësisht marrëveshjet e Jaltës dhe të Postdami, mbi të cilëat duhej të ndërtohej paqja e vërtetë në Evropë dhe në botë, kan treguar edhe më haptazi politikën e tyre agresive dhe grabitqare...”
Duke i këputur frazat propagandistike dhe duke iu rikthyer temës se si Enver Hoxha mundi të vendosë përballë “Valuable” superoperacionin e tij “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në shkrimet e mëtejshme do të ndjekim se si ja doli ai.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 qershor 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|