Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PLANI I MUSOLINIT: NË PRILL 1939 BASHKË ME PUSHTIMIN EDHE NGRITJA E MONUMENTIT TË SKËNDERBEUT NË QENDËR TË TIRANËS


Pjesa e katërt e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

(Botuar në “Illyria” në 6 qershor 2018)

(Shkrimi i tridhjetë e pesë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Në shkrimin e herës së shkuar mes të tjerash i paraqitëm lexuesit një dokument të publikuar për herë të parë prej nesh, sipas të cilit provohet se në vitin 1937, përvjetori i njëzetë e pestë i Pavarësisë, krahas shtatores së Gjergj Kastriotit, në qendër të Tiranës Ahmet Zogu pati planifikuar edhe ngritjen e një monumenti të tij.
Më vonë ai kishte hequr dorë nga kjo përpjekje, me siguri i shtrënguar nga rrethana që nuk i vinte dot nën kontroll për t’i nënshtruar dhe hapur udhë projektit vetëpëlqyes.
Gjithsesi Zogu e vijoi udhën e theksimit dhe të përhapjes së imazhit të tij shumë më tepër se të Gjergj Kastriotit, nisur nga parimi tashmë i shprehur deri edhe në himnin shtetëror për të se qe “Nip e stërnip i Skënderbeut”.
Kështu vitin 1938 ai e çeli me projektin e ri: martesën.
Bashkëshortja e tij, kontesha hungareze Geraldina Apponuy, vuri kurorë me të jo në një ditë të zakonshme, por saktësisht në ditën kur 450 mote më parë pati ndodhur martesa e Skënderbeut me Donika Arianitin: 27 prill.
Për këtë qëllim, paraqitjen e tij si Kastriot, Ahmet Zogu organizoi edhe diçka tjetër: ceremoninë paralele të 14 “çifteve Skënderbej” në sheshin qëndror të Tiranës. Në të tërë Shqipërinë këto lloj dasmash arritën numrin 152. Me këtë rast për çiftet e rinj u shpërndanë edhe dhurata. Gjithnjë në emër të tij: Naltadhnisë.
Ndërkaq në 6 korrik 1938 Kryesia e Këshillit të Ministrave dhe Ministria e Punëve të Jashtme shkëmbyen shkresa për përgatitjen e portreteve të Ahmet Zogut me të shoqen.
Në 6 shtator qeveria do të merrte një vendim tjetër. Në të banesa ku kish lindur Ahmet Zogu shpallej “Monument kombëtar”.
Ndodhi pushtimi i pabesë fashist italian dhe Mbreti, “Nipi stërnipi i Skënderbeut”, personi që e kish përhapur imazhin e tij triumfator shumë herë më tepër se atë të Gjergj Kastriotit, pothuaj nuk kreu asnjë rezistencë dhe jo më luftë skënderbejane për liri.
Pas ikjes së tij dhe censurës së zgjatur për imazhin e pamjes së Gjergj Kastriotit, nën pushtimin diktatorial fashist italian, ndodhi një çudi: u thye “rrethimi” viziv që mbreti shqiptar i pati bërë heroit kombëtar të shqiptarëve: u mundësua imazhi i tij.
Këtë e tregon Artisti i Popullit Odise Paskali në librin e tij “Gjurme jete”, të botuar në 1966. Aty përshkruhet në një kapitull të shkurtër vendosja e bustit të Skënderbeut në Kukës.
Në këtë pjesë të librit Paskali shkruan saktësisht: “Busti i Skënderbeut në Kukës është i pari që kam bërë për përjashta. Më doli problemi: populli është mësuar ta shohë portretin e heroit gjithnjë në profil, prej gravurave të shumta gjer te pulla postare e 1913-ës. Si do ta priste një Skënderbe me fytyrën përpara, me përkrenaren përpara. Atëhere më lindi ideja të mbaj portretin në profil dhe të kthej trupin përpara, për të mos iu larguar përfytyrimit tradicional dhe njëkohësisht sillja një paraqitje të re dhe kështu bëra. Ishte viti 1939, 27 nëntor, mbrëmje, në Kukës. Unë po e rregulloja mbi bazament bustin prej bronzi, qëllimisht trajtuar si fragment. Ndalet e kalon përqark popull. Me hap të ngadalshëm sillet një patrullë e armatosur e pushtuesve fashistë. Heshtje. Dikush u ndal e më thërret: “O shok”. Kthehem, është një malësor i gjatë, fytyrë burrërore, me një torbë të rëndë në sup. Duke më treguar me dorë anën e kundërt nga ku shikon Skënderbeu anën e Shqipërisë, më thotë: Këndej, këndej ja sill fytyrën, këndej të shohë!” dhe u largua”.
Malësori kishte dashur që vështrimi i Gjergj Kastriotit të ishte për nga Kosova”.
(Para këtij episodi, vetëm pak muaj më herët, pati ngjarë një tjetër, i kundërt me këtë përkujdesje të italianëve për imazhin e Skënderbeut. Sipas Thimi Nikës dhe librit të tij të shumënjohur “Historia e filatelisë shqiptare”, 2013, në 23 qershor 1939 Drejtoria e PTT-së paraqiti për miratim bocetin me portretin e Skënderbeut. Por më 2 korrik 1939 Drejtori i Përgjithshëm i PTT-së u njoftua se boceti i Skënderbeut nuk ishte miratuar dhe do të zëvendësohej me portretin e mbretit, Viktor Emanuelit III, sipas kërkesës së ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë”.
Por këtë histori do ta tregojmë hollësisht në muajt e ardhshëm).
Ndërkohë sipas katalogut të porsabotuar në Tiranë të Hysen Dizdarit. “më 22-24 nëntor 1939 u emetua një emision me 14 pulla, në përbërje të të cilit është edhe një pullë me pamje të kalasë së Krujës, ku Skënderbeu zhvilloi disa nga betejat e tij më të rëndësishme”.
Ndërkaq që po këtë nëntor në Kukës vendosej busti i Skënderbeut, regjimi fashist italian bëri edhe një gjest më të dukshëm nxjerrjeje në pak të kryeheroit shqiptar: ngriti në mes të Romës një monument të tij gjigand.
Sipas librit të piktorit të njohur Kujtim Buza, “Monumente ekuestër të Skënderbeut”, ende pa ngjarë pushtimi i Shqipërisë skulptori Romano Romaneli po punonte nën kujdesin e Ministrisë Italiane të Luftës për një shtatore të Gjergj Kastriotit hipur mbi kal. Gjithçka bëhej me dijeni të Ahmet Zogut dhe në Romë, e angazhuar me këtë projekt zyrtar pa përfillur konkursin që sapo qe mbyllur dhe fituar emra të tjerë, ishte edhe shefi i Legatës Shqiptare, ministri fuqiplotë Dhimitër Berati. Ec e jaket mbështetëse midis dy kryeqyteteve i kryente plot zell gjenerali Zef Sereqi, i lidhur fort me rrethin e ngushtë të Benito Musolinit.
Ishte pragu i pushtimit të planifikuar të Shqipërisë dhe në Romë parashikohej ta realizonin sa më legalisht para syve të botës: zbarkim gazmor i ushtrisë në Durrës dhe portet e tjera detare, turma të mëdha shqiptarësh që i duartrokitnin dhe pas disa ditësh vendosje në qendër të Tiranës të monumentit të Skënderbeut.
Po të zbatohej kjo do të qe një akt demagogjik i paparë. Kujtim Buza jo pa ironi mendon se “Italia fashiste do t’ia merrte lirinë shqiptarëve nëpërmjet heroit të lirisë së tyre”.
Porse për shkak të rrethanave ndërkombëtare, sidomos ato të krjuara në Ballkan, që papritmas u ngutën, Duçja nuk eci me ritmin e punës artistike të Romano Romanelit. Ky ende e kish në allçi dhe në vjeshtë 1939 e paraqiti në pavijonin shqiptar të panairit të Barit.
Duke e pasur politikën në krah u ndërrua edhe plani i mëparshëm për ta vendosur monumentin në Tiranë. U zgjodh “Caput Mundi”. Tashmë e derdhur në bronc, në një ceremoni të fryrë, në paraditen e vonë të 27 tetorit 1940, ai u vendos në kryeqytetin italian. Përurimin e kreu vetë Benito Musolini.
Ky qe edhe çasti i përurimit për herë të parë të një statuje të madhe të Skënderbeut, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pas këtij çasti pamja e këtij monumenti prej regjimit të pushtimit do të fotografohej dhe shumohej në mijëra pllakate, të gjitha mbi gjysëm metërshe.
Qenë me një cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe statujën e Gjergj Kastriotit e paraqitnin madhështore.
Këto pamje u vendosën kudo nëpër klasa shkollash dhe mjedise publike, madje edhe brenda zyrave të administratës së pushtimit.
Në jo pak raste qëndronin edhe në krah të portretit të madh të Viktor Emanuelit III.
Nazigjermanët nuk do të merreshin me ndonjë propagandim të posaçëm të Gjergj Kastriotit, përveç një përdorimi barbar të emrit e shembullit të tij çlirimtar: do të ngrinin një divizion SS me emrin “Skënderbeu”.
Po referuar studiuesve Shaban Sinani dhe Marenglen Kasmi, të cilët gjykojmë se kanë paraqitur në shkrime të tyre të dhëna të padyshimta si edhe bërë interpretime mjaft shkencore, këtë episod do ta rrëfejmë në çfarë do të vijojmë në këtë cikël për 550 vjetorin e Skënderbeut dhe që do të mbyllet në dhjetor 2018.
Kështu mbërritëm në periudhën e realsocializmit, “diktaturës së proletariatit”, kohës ku sundoi stalinizmi dhe zbatuesi i palëkundur i kësaj doktrine imponimi dhe njëkohësisht dogme, Enver Hoxha.
Ky, shumë ndryshe nga Ahmet Zogu, bëri shumë për popullarizimin e veprës së Skënderbeut dhe nuk u druajt ta përhapte kudo imazhin fizik të tij. Edhe për atë u gjendën bashkëkombës që e emërtonin si Skënderbeun e shekullit të njëzetë, titull që ky nuk e kundërshtoi kurrë publikisht, por kryekomunisti nuk shkoi asnjëherë deri shprehja “Nip-stërnip i Skënderbeut”, vendosur në himnin personal, atë të Presidentit.
Sipas albumit studimor të Hysen Dizdarit “Gjergj Kastriot Skënderbeu në pullat shqiptare, 1913-2017”, pas çlirimit “Emisioni i parë me portretin e Skënderbeut u emetua më 1 mars 1951 dhe u vë në qarkullim me rastin e 48-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Ky emision përbëhet nga tri pulla, të cilat në sfond paraqesin portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por ai nuk ngjason me portretin e Skënderbeut që ndodhet në Galerinë “Uffizi” në Firence të Italisë dhe as me portretin që jepet në veprën “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit”.
Në vijim: “Në literaturën e filetalisë shqiptare të botuar deri më sot nuk jepet cili është autori i këtij boceti dhe as tirazhi me të cilën u shtypën. Një nga veçoritë e këtij emisioni është se pullat janë shtypur në mënyrë cilësore në një shtypshkronjë në qytetin Budapest të Hungarisë”.
Ritheksojmë: është mars 1951.
Ky është një nga momentet më kulmore të operacionit të fshehtë të Perëndimit për rënien e regjimit stalinist prosovjetik në Shqipëri.
Skënderbeu ishte shumë e nevojshëm si shembull propagandistik për të rezistuar.

(Vijon)

Tiranë, më 5 qershor 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com