|
BERATI, “KRYEQYTETI” SHQIPTAR I SHPËTIMIT TË HEBRENJVE
(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, më 3 maj 2018)
Si ndodhi që me qytetarët beratas u bashkua edhe qark-komandanti ballist Kadri Cakrani dhe tërë familja e tij në Mallkastër. Përshendetja e hebrenjve për Enver Hoxhën në tetor 1944. Një spiune çifute.
Dhjetë vite më parë, në 25 janar 2008, në sfondin e nderimit të ndërkombëtares “Ditë e Kujtesës”, në qytetin e Beratit u mbajt një konferencë tepër e veçantë, e cila duhet domosdoshmërisht të rikthehet në vëmendje të opinionit publik gjithshqiptar.
Tubimi e pati objektin e tij të përmbledhur në këto fjalë të qarta: “Berati për shpëtimin e hebrenjve”.
Organizues përveç vendit pritës, bashkisë së qytetit, ishin edhe subjekte me shume autoritet si Akademia e Shkencave dhe Konsullata e Nderit e Izraelit në Tiranë.
Kumtuesit me shkrim po ashtu, qenë mendje të spikatura, dijetarë të vjetër si Ferit Duka, Shaban Sinani apo Pëllumb Xhufi e të rinj si Monika Stafa apo studiues beratas si Simon Vrusho, Marela Guga. Njëkohësisht i paharuari që më pas do të ndërronte jetë krejt papritur, Arshin Xhezo, familja e të cilit është një ndër strehuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të hebrenjve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në Berat.
(Gjithsesi “kampioni” mbetet Qani Civeja në lagjen “Murat Çelebi”. Ai strehoi shtatë familje çifute, duke u liruar gjithë shtëpinë e re dykatëshe të ndërtuar vitet e fundit dhe vetë me njerëzit e tij iu rikthye banimit tek e vjetra, e cila ishte fare e vogël dhe krejt përdhese).
Një dekadë më pas nga ditëmbajtja e konferencës “Berati për shpëtimin e hebrenjve”, këtë fillimmaj 2018, në qytet do të kryhet edhe çelja e një këndi muzeal për këtë kontribut të këtyre “kryeqetësve” historikë të etnisë sonë. Tërë Mesjetën, por edhe më pas, Berati është konsideruar si “kryeqyteti i Toskërisë”. Po ashtu nuk përbën asgjë të pasaktë t’i parashtrojmë lexuesit faktin që Berati ka qenë në 12 shtator 1922, me Kongresin e Bashkësisë Ortodokse Shqiptare, shpallës i Autoqefalisë (Pavarësisë) së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Ky popull për më afro dy muaj, tetor-nëntor 1944, u rindje “kryeqytetas” me krijimin e Qeverisë Demokratike, për fat të keq në pas luftë me kujtim të kompromentuar prej regjimit të mbyllur diktatorial që u vendos.
Ja tashmë Berati sërish “kryeqytetas”: me cilësinë e njohur dhe të konfirmuar kombëtarisht e ndërkombëtarisht si qyteti kryesor shqiptar që i strehoi me dashuri dhe i mbrojti me mjaft vetëmohim familjet hebreje.
Ndaj tyre, po t’i gjenin, nazi-gjermanët i dërgonin nëpër kampet e tyre të përqendrimit për t’i shfrytëzuar në punë të rëndë dhe në rastin më të parë asgjësuar fizikisht me mënyrën më kriminale: gazin helmues.
Të fshehur e të mbrojtur shtëpi më shtëpi
Sipas të dhënave, përveç se në shekujt e Mesjetës, prani e dukshme e hebrenjve në Berat është shënuar në motet 1938-1939. Ishin të ardhur tranzit nga Greqia.
“Bumi” i tyre ndodhi në vitet 1942-1943, pasojë e drejtpërdrejtë e egërsimit përherë e më të madh të nazi-gjermanëve, por edhe e Italisë musoliniane, tërë shteteve evropiane aleate të Boshtit Fashist kundër këtij populli të pafajshëm. Prej çifutëve Berati u zgjodh si qytet për t’iu shmangur represionit racist hitlerian jo vetëm sepse ndodhej në thellësinë e brendshme të trojeve shqiptare, por nga që aty vendasit kishin mundësi strehimi dhe ushqimi relativisht të madhe. Po ashtu edhe traditë mikpritjeje për ardhësit, bujarë me ta.
Beratasit me lagjet e shumta dhe shtëpitë të gërshetuara me rrugica labirinthe në të shtatë kodrat e qytetit, zotëronin cilësi ruajtjeje të madhe të sekretit. Banorët e Kalasë ia kishin dalë të mbanin fshehur prej gjermanëve Kodikët e shkëlqyer mesjetarë, të cilësuar sot si vlera kulturore të nivelit botëror.
Mendohet prej studiuesve se gjatë Luftës së Dytë numri i hebrenjve të strehuar dhe mbrojtur në Berat të ketë shkuar deri në 600. Kjo shifër, e cila është “e fortë”, aq e bujshme sa të tërheqë jo vetëm faqe të para të gazetave kryesore të globit, por edhe regji filmash hollivudianë, u kumtua edhe në konferencën e një dekade më parë, duke shkaktuar tek disa pjesëmarrës një lloj habie.
Pse jo edhe dyshimi për ndonjë teprim patriotizmi lokal.
Por që kjo prani është numerikisht në disa qindra e vërteton edhe një letër që Qarkomandanti (ballist) i Beratit, Kadri Cakrani, i dërgonte në fillim të shtatorit 1943 xhaxhait të vet në Mallakastër, veprimtarit politik me gjurmëlënie shumë pozitive gjatë Rilindjes dhe viteve tridhjetë, Bektashit.
Atje thuhet fjalë për fjalë “çifutët këtu tek ne që janë me qindra”.
Kjo dëshmi në fundjanar 2008, pra kur u mbajt konferenca, nuk dihej. U zbulua dhe u bë publike nga pasardhësi aktual i familjes, Kujtim Cakrani, jo me shumë se dy-tri muaj më parë.
Simon Vrusho, më i përkujdesuri prej njerëzve lokalë të kulturës për këtë çështje, në librin e tij regjistron 38 familje beratase të konfirmuara se kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj.
Familja balliste Cakrani në aksion për shpëtim të hebrenjve
Mbetet një e vërtetë e palëkundur që familjet çifute të ardhura në Berat nga Prishtina e Kosova në fund të motit 1942, kur 8 shtator 1943 italianët papritur kapitulluan, i përfshiu alarmi i sigurisë fizike. Më të shumtit qenë të moshuar, po ashtu edhe mjaft fëmijë dhe femra. Nazi-gjermanët, pasi më parë kishin marrë aeroportet, nisën brënda të njëjtës ditë të 8 shtatorit ripushtimin e Shqipërisë. Doemos nuk u kursye edhe “qyteti i një mbi një dritareve”.
Atmosfera e shqetësimit të madh mos arrestoheshin dhe niseshin drejt zhdukjes masive në Aushvic apo Dakau, ndihet në letrën të cilën Kadri Cakrani i dërgoi me korier special në xhaxhait të tij në 11 shtator 1943.
Po veçojmë disa fragmente të saj: “Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati tek ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i prurë aty. Bëhet llaf për çifutët këtu tek ne që janë me qindra dhe halli është se po të merret vesh kush janë, kanë për t’i shkuar në plumb të tërë dhe Beratin vetë që aq është i gjithi”.
Pak më tej: “Nuk duhet të bjenë në dorë të Armatës Gjermane që është duke ardhur asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëvet për t’a. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës të tyre, për arsye së do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori”.
Nipit xhaxhai ia dërgoi përgjigjen menjëherë pa mbushur dy ditë nga intenerari i vështirë që bëri korieri i ardhur nga Berati. Kjo ndodhi më 13 shtator:”...Me gjithë që lutja jote më zuri ligsht dhe ky hall më gjeti befas, i dërgova Kujtimit haber për këtë. Mallakastrën e Butë e kemi në dorë vërtet, po Ai është nisur me fuqitë e çetave dhe 2 kumandantë për të njëjtën punë, po atë të italianëvet që kanë mbetur me mijëra pas kapitullimit. Duhet që t’i marrë pa rënë në dorë të gjermanëvet sa të mundë nga Divizionit Perugia që janë dhe aty në Berat dhe e fjalosëm që t’i strehojmë këtu në Cakran, në çifliqet e Gorishovës e të Vreshtazit se mund t’i vrasin”.
Në vijim: “Për çifutët që t’i thua duhet të vijnë o me maqina, që udhës mund t’i zënë, o me kafshë, kush janë më në rrezik fshatërave, jo udhëve. Ky që po dërgoj i di mirë, se atë udhë bën”.
Vazhdon teksti i Bektash Cakranit: “Këta duhen ruajtur mirë, ndaj e mendova gjatë që t’ë themi se janë muhaxhirë e u janë djegur fshatërat dhe t’i çojmë në çifliqet e Romësit, po dhe të Selishtës e Mortajasit, që t’ë kenë lundrën afër nga rreziku”.
Ndërkohë propozon: “Mirë do jetë që po proftase pa ardhur gjermanët xhadeve t’i çoje nga Lushnja nëpër çifliqet e Hajredin Beut, të Hasturkasit, të Petoshanjit e Korkutasit, se andej jo që janë njers të butë po s’i vete mëndja njeriut”.
Në 19 shtator 1943 drejt Kadri Cakranit rikthehet ky mesazh prej Kujtimit, kapiten i një batalioni qeveritar në Fier: “Balli Kombëtar Mallakastër, 19/IX/943 Shqipni e Shqiptarëve Vdekje Tradhëtarëve
Kadri Cakranit, Komandant usht. Balli Kombëtar, Berat (Sekret, Rezervate)
Italianët që muarrmë në Skrapar nuk i kalova dot nga Ura Vajgurore se Gjermanët e kishin zënë dhe vetëm maqinat mezi i kalova një nga një se kontrolluan ushqime e plaçka. Mezi kalova dhe ato familjet çifute që më dhe me placka se kanë ikur nga lufta që plasi”.
“Po atje ka Berat?”
Me një hamendje, duke u përpjekur të dëshifrojmë vetëm një frazë të shkurtër që përmban letra e Kujtim Cakranit, ky mund t’ia ketë dalë në ato rrethana të vështira të nxjerrë nga Berati dhe t’i fshehë nëpër çifliqet e familjes së vet të pasur mbase edhe 40 apo 50 hebrenj. Një pjesë tjetër, edhe ajo numerikisht e vogël, për t’u mbrojtur nga nazi-gjermanët, shkoi drejt fshatrave të thellë, ku më dyerhapuri qe Molishti.
Kështu shumica e çifutëve, sepse ndiheshin të sigurt, mbeti në qytet. Kjo masë duhet të kenë qenë disa qindra, dy apo tre të tilla. Berati mbeti “kryeqyteti” dhe streha e tyre e shpëtimit. Në pak muaj prestigji i qytetit me besë ndaj hebrenjve u bë mit. Kur ndodhte që në kërkim të një vendi më të sigurt, edhe jashtë qytetit, në fshatra malorë, ndonjë familje çifute ishte e shtrënguar të shpërngulej fshehurazi, pyetja e parë që bënin për strehën e re ishte “Po atje ka Berat?”
Duhet thënë se ky mision shpëtimi i sipërmarrë prej beratasve nuk ishte gjë e thjeshtë, qe i rrezikshëm dhe mund të paguhej me kokë. Në qytet ishin vendosur pothuaj dyqind ushtarë dhe oficerë të Wermachtit dhe bashkë me Urën Vajgurore dhe zonën naftënxjerrëse të Kuçovës kjo ushtri arrinte numrin e frikshëm të pesëqindëve. Zotëronin edhe tanke të vegjël si edhe dy mezatarë, të cilët ecnin shpejt dhe mund të gjendeshin, bashkë me motociklet me kosh e mbi të një mitroloz trikëmbësh, shumë shpejt para portës së shtëpisë.
Për të krijuar sadopak një përfytyrim të kësaj rrethane kanosjeje për çdo qytetar do të ishte vetëm një provë ajo që Kadri Cakrani në letrën e tij për xhaxhanë Bektash e shprehej krejt qartë: “...po të merret vesh kush janë, kanë për t’i shkuar në plumb të tërë dhe Beratin vetë që aq është i gjithi” apo “...nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës të tyre, për arsye së do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori”.
Ka edhe mjaft dëshmi të tjera. Në kumtesën e tij në konferencën e dhjetë moteve më parë Arshin Xhezo në kapitullin “Një hebre në shtëpi, një bombë me sahat”, shkruante se “Dy makina gjermane parkonin çdo natë pranë Xhamisë së Sahatit të lagjes. Hebrenjë tek ne, hebrenjë një portë më poshtë, tek Avdullah Zaganjori. Avdullah Shkodrani njihej në Berat shoferi e makinë të bukur italiane”.
Xhezo spikat më tej: “Hebrenj tek porta përballë sonës, tek Hysen Nallbani, nallbani i mirë dhe hokatar që kishte zakon të hante gotën pasi pinte raki”. Në vijim: “Hebrenj fare pak më poshtë rrugicës sonë, tek Isuf Qolja, tregtar ushqimesh tek “Mulliri i Zakes”, tek Ura e Goricës. Kur Isufi kalonte para portave tona, e kuptonim menjëherë: trokiste paterica, sepse mbante protezë në njërën këmbë”. Më pas Xhezo shkruan se kur mbario lufta Jahovi, hebreu që strehoi, i solli që nga vendi i vet një protezë të mirë.
Për kaq shumë familje çifute të strehuara në fqinjët e tjerë përreth shkruan Arshin Xhezo sa të krijohet përshtypja se vetëm në pak qindra metra katrorë të një pjesë të lagjes “Murat Çelepi” gjatë periudhës gjermane të pushtimit janë sistemuar fshehurisht të paktën pesëdhjetë prej tyre.
Xhezo në një shkrim më pas nga konferenca e 25 janarit 2008 do të tregonte për lexuesit se në shtëpinë e tyre një ditë krejt papritur, ndërsa në dy nga dhomat e saj, me hyrje nga brenda, ndodheshin dy familje hebreje (7 persona), edhën tre gjermanë me automatikë në krahë. Hynë në portën e madhe pa trokitur, kaluan mes për mes bahçes dhe pastaj drejtpërsëdrejti në dhomën e ndënies. Ishte një shqiptar që bënte përkthyesin. Kërkuan mos kishin persona të fshehur dhe kontrolluan skaj më skaj. Nuk gjetën, por kur u larguan hebrenjtë e strukur në një qoshe tjetër të banesës, ishin bërë në fytyrë të bardhë si kartë e hollë. U pati ndodhur kjo frikë edhe pak ditë më parë, kur dy tanke gjermane kishin ardhur nga Parku (lulishtja) pranë, patën dalë prapa Xhamisë së Sahatit, por më pas qenë hedhur në rrugën automobilistike dhe ikur.
E motra e madhe e Arshinit, atë kohë pothuaj nëntë vjeçe dhe me kujtesë shumë të fortë, tek e takuam këto ditë për një përditësim të asaj që u kishte ndodhur në shtëpi me strehimin e fshehtë të dy familjeve hebreje, konfirmon fillimisht historinë e një jugosllaveje, e cila ndodhi në drekë të e asaj dite, kur në mesnatë në portën e tyre trokitën, të shoqëruar prej një veprimtari të rezistencës ilegale në lagjes, 7 çitutët, gra, burra dhe fëmijë.
Jugosllavja qe një zeshkane e gjatë dhe shumë e bukur, me fytyrën e gjakosur dhe lakuriq. Mbante një pallto të madhe, e cila i hapej ndërsa mjaft e frikësuar trokiste nëpër portat e shtëpive që të merrej në mbrojtje. Thoshte vetëm “Jugosllavia, Jugosllavia”. Gjuhën e saj nuk e merrnin dot vesh dhe e zonja e familjes Xhezo e mori dhe e futi në shtëpi, ku bëri banjë, u vesh dhe nisi të hante. Ashtu, në gjendje njerëzore normale, edhe pse me një ndjenjë turpi që i dukej në fytyrë, u bë edhe më e hijshme.
Emine Xhezo këtë herë na tregoi edhe një detaj të panjohur: përballlë shtëpisë së tyre, në rrugë, ishin vazhdimisht dy kuzhina të lëvizshme ushtarake dhe pesë gjermanë përgatitnin ushqim për njësitë në terren. Kur mbaronin gatimin dhe intendentët e tërhiqnin, ata të pestë, pasi hipnin mbi trupin e njërës kuzhinë, vinin këmbën në murin e shtëpisë së madhe dy katëshe Xhezo dhe zbrisnin në oborr duke rrëshqitur nëpër trungun e një mëni. Rehatoheshin rreth çesmës, ku edhe pushonin, madje edhe duke bërë ndonjë dremitje. Kjo zgjaste dy-tri orë. Më pas ata kapeshin pas trungut të mënit, arrinin buzën e lartë të murit, hidheshin tek kuzhina metalike dhe zbrisnin në tokë.
E gjithë kjo ndodhte kur në banesë qenë të fshehur shtatë hebrenj. Emineja tregon se kur rrinin brënda oborrit dhe shtriqeshin për t’u shplodhur asnjëri nga gjermanët nuk e kthente kokën nga shtëpia, në mos për të diktuar çifutët, të kundronin femrat e shtëpisë.
Spiunia çifute M.
Sidoqoftë historia e shpëtimit të hebrenjve në Berat, si kudo nëpër toka të shqiptarëve, do të plotësohet me detaje të tjera dhe në qytet patjetër me shenjat përkatëse për ta bërë më të dukshme këtë kontribut jo aq për turistët e huaj sa për vetë historinë kombëtare.
Tani që po ndahemi dhe u përpoqëm t’i shtonim kësaj hijeshie sjelljeje humane të beratasve ndonjë fakt të ri si kontributi i familjes mallakastriote Cakrani, le të pohojmë një detaj, të cilin besoj në Berat e dinë fare pak, në mos prej të gjallëve të tanishëm askush. Është një e dhenë që autori i këtyre rradhëve e ka siguruar në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar: në qytet ka vepruar edhe një informatore çifute e italianëve, e cila spiunonte bazat e rezistencës kundër pushtimit dhe ia kishte dalë të kallzonte, bashkë me agjentë të tjerë, praninë e 39 hebrenjve. Por kuestura italiane në Berat nuk veproi për t’i internuar.
Pas kapitullimit të italianëve informatorja M. iu dorëzua gjermanëve dhe vijoi shërbimin e saj të mëparshëm. Mister përse edhe përsa kohë nazistët qenë në Berat, kurrkush prej hebrenjve nuk u kallzua për t’u dërguar në kampet e shfarrosjes.
Ja edhe një hollësi e fundit: studiuesja Marela Guga ka nxjerrë në pah, krahas mjaft rasteve që çifutë janë bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kanë luftuar nazistët, edhe këtë fakt: “Hebrenjtë e Beratit, më 22 tetor 1944, në emër të gjithë hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri, shreheshin: “Falënderojmë kryetarin e Komitetit Antifashist të Shqipërisë, Enver Hoxhën, për gjithë çka populli shqiptardhe ai i Beratit bëri për hebrenjtë gjatë luftës”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 27 prill 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|