|
Foto: | Faturist në banjat popullore të qytetit, Muharrem Butka letër Enver Hoxhës
(Botuar nè “Gazeta Shqiptare” nè 29 prill 2018)
Fatmira Nikolli
Një libër për historinë e Shqipërisë dhe gjurmët e familjes Butka
“Historia e Shqipërisë, kalon edhe nga Butka”. Studimi i Ylli Polinës i kushtohet në tërësinë e tij, ngjarjeve të ndryshme të familjes Butka, kohës së luftës, përplasjes mes partizanëve e ballistëve, por edhe jetëve njerëzore që u shuan a u shndërruan në harkun kohor mes Luftës së II Botërore dhe ardhjes së demokracisë. Një shikim pas në kohë, mes dokumentesh e rrëfimesh, fragmentesh njerëzore a kujtimesh, zbardh detaje të harruara të historisë së madhe, përmes copëzave të historisë së vogël.
Libri i Ylli Polovinës, që do të jetë në libraritë kryesore javën e ardhshme, përmbledh të dhëna për inatet e Enver Hoxhës, histori me Safet Butkën, një histori intrige me kolonelin e Zbulimit Ushtarak Italian, Anxhelo de Mateis, krimin e Teqesë së Turanit, traktin e vonuar të Ballit Kombëtar, pikëpyetje nëse ishte “Luftë civile” apo “Luftë vëllavrasëse”?, përplasjen greko-italiane, masakrën në ditëthemelim të PKSH, historinë e një familje të tërë në mal, atë të Mestan Ujanikut, zhdukjen nga Konferenca e Pezës e ndonjë emri pjesëmarrësi, ‘pranverën’ e fshehtë njëvjeçare ballisto-komuniste, hyrjen e komunizmit, mbështetjen fillestare për qeverinë e re të Tiranës, tmerret e Burrelit, vrasje dhe mbytje në qeli dhe vrasjen e një gjermani të vetëdorëzuar. Doemos, në pothuaj 350 faqe, libri, ka shumë më tepër se emërtime kapitujsh, që veçse grishin në zbulimin e një sërë fatesh njerëzore në Shqipërinë komuniste. “GSH”, ka përzgjedhur sot disa pjesë nga libri i ri i Polovinës. Muharremi për të cilin flasim, ishte djali i Sali Butkës dhe vëllai i Safet Butkës.
LETËR ENVER HOXHËS
Mes shumë episodesh botojmë atë që hedh dritë mbi takimin e Muharrem Butkës me Enver Hoxhën.
Ai, pas më shumë se një viti me një ndihmë sociale fare të vogël dhe banesë ende të zënë prej të shpërngulurve, gjendje jo e mirë ekonomike, e cila e pati shtrënguar të shisnin edhe makinën qepëse, në 1946 u caktua anëtar i Gjyqit të Qarkut të Korçës. Aty, Ylli Polovina shënon në librin e tij të ri, se e lanë vetëm një mot. Ishte çasti kur e përjashtuan nga partia, frymë atëherë xoxiste, për t’u rikthyer më pas, me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, në radhët e komunistëve. Do të emërohej kryetar i Zyrës së Kullotave, por zyra u suprimua dhe tre muaj Muharremi mbeti pa punë. E caktuan referent të drejtorisë në rreth. E hoqën prej andej dhe e dërguan shef plani tek Traktorët. E larguan edhe prej kësaj ndërmarrjeje dhe e emëruan shef plani në NIL, një sipërmarrje tregtare prodhimesh të ndryshme.
E hoqën edhe prej këtu dhe e caktuan nëndrejtor të ndërmarrjes së Sharrave Korçë. Pas disa muajsh e dërguan sekretar në Arbitrazhin e Korçës, por edhe aty nuk e mbajtën gjatë. E emëruan drejtor të Sigurimeve Shoqërore. Nga aty e çuan Muharrem Butkën përgjegjës i klinikës dentare. Vendi i tij i punës, u shkurtua shpejt. Mbeti pa punë, derisa më në fund u detyrua të pranojë rrogën e një faturisti në banjat popullore të qytetit.
Polovina shënon në librin e tij të ri, se “paguhej si një punëtor i thjeshtë i komunales, një minimale prej 4000 lekësh të kohës. Këtu do të qëndronte dhjetë vite, deri sa do të dilte në pension. Ndryshe nga atmosfera që ndeshte në Korçë, ku mes mjaft ortodoksëve Sali Butka akuzohej se ishte përgjegjësi i djegies së tretë të qytezës me traditë diturie të Voskopojës, në Tiranë mendohej ndryshe. Ndërkohë që Muharrem Butka për ndonjë hall të madh do t’i shkruante një letër Enver Hoxhës, i mbifuqishmi i Shqipërisë do të bënte gjithçka që t’ia zgjidhte. Kështu në 1958 Muharremi i bëri kërkesë për t’i dhënë një bursë studimi jashtë vendit, mundësisht në Bashkimin Sovjetik, të birit, Dragushit”.
Me letrën e të atit në brendësi të xhaketës, atë fund shtator butkalliu i ri shkoi në Tiranë, në ndërtesën e Komitetit Qendror dhe tek hyrja e derës kryesore tha se dëshironte të takonte, për t’ia dorëzuar atë zarf, Enver Hoxhën. Njerëzit e sigurisë në fillim u treguan indiferentë, por kur më në fund e morën vesh djalë i kujt qe dërguesi, i thanë Dragushit se mund të vinte pasdite.
Polovina shënon se i riu u rikthye në hyrje të godinës së Komitetit Qendror të PPSH. E lejuan të futej dhe Dragush Butka plot emocion shkeli më në fund mbi rrugicën e kuqe që të çonte në zyrën e Enver Hoxhës. Kur e futën brenda pa se ky ishte me rrufë dhe po pinte një çaj të ngrohtë. “Ulu këtu, ulu këtu!” i tha përzemërsisht Enveri, duke i treguar një karrige afër. “Si të quajnë?”, e pyeti me zë të butë. Dëgjoi emrin, pastaj edhe përgjigjen e pyetjes tjetër që bëri “Si shkon?” “Pa hë, shqiptoi më vonë Hoxha, si e ke hallin?” “Babai më ka dhënë një letër”.
Enveri hapi pëllëmbën e dorës dhe e mori zarfin. E lexoi qetësisht. Shkrimi i Muharremit qe me kaligrafi të bukur. “Po vëllai yt i madh, pyeti papritur Hoxha, është i kënaqur për ty?” Dragushi i hovi fjalët e përgjigjes së shpejtë: “Vëllai im i madh, Ali Butka, është inxhinier mekanik i zoti. Ka mbaruar fakultetin dhe është shumë mirë”. Enver Hoxha atëherë iu drejtua sekretarit të tij, Haxhi Kroi: “Merre këtë letër dhe Dragushi do të shkojë me studime!” Pastaj saktësoi: “Jo tani, sepse është vonë, vitin tjetër”. Kroi pyeti: “Në Universitetin e Tiranës?” “Jo, jo, në Bashkimin Sovjetik”, nguli këmbë Enver Hoxha. Pas kësaj kaluan muaj dhe po afrohej fundvera tjetër, ajo e vitit 1959. Nga Tirana asnjë reagim. Letër të dytë për Enver Hoxhën Muharrem Butka nuk bëri më. Sekretar i parë në Korçë qe Ramadan Xhangolli dhe një ditë, ndërsa ky u kaloi para shtëpisë, e pyeti Eminenë në qe e kënaqur. Ramadani me Muharremin qenë miq dhe i pari i qytetit e dinte historinë e premtimit të Enver Hoxhës.
Emineja u përgjigj se dëshironte që fëmijët t’i kishte të gjithë me shkollë. Tjetri e kuptoi ku e pati fjalën dhe me që ato ditë në Korçë do të vinte për punë partie Liri Belishova, u zotua se do t’ia kujtonte këtë çështje. Kështu ndodhi vërtet, por kur u rikthye në Tiranë funksionarja partiake e lartë e edukim-arsimit e harroi çfarë i thanë. Ia kujtoi një ditë i vëllai, Bardhyli, i cili ishte shok shkolle me Ali Butkën. “Diçka më ka thënë Ramandan Xhangolli” shqiptoi e merakosur Liria dhe telefonoi menjëherë ministrin e Arsimit. Dragushin e thirrën në kryeqytet dhe i njoftuan bursën për inxhinieri elektrike në Bashkimin Sovjetik. Këtu i vijoi studimet për diçka më tepër se dy vite dhe u rikthye në Shqipëri nga që u prishën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ishte fillimi i motit 1961.
VRASJA E NJË GJERMANI TË VETËDORËZUAR
Një patrullë partizane pa një ditë një ushtar gjerman që vinte drejt tyre. Qe i vetëm dhe pa armë. Pa kapele. Ishte djalë i ri, me shtat mesatar, në mos pak më të ulët. Patrulla e mori të vetëdorëzuarin dhe e çoi në Shipskë, ku qe edhe komanda nacionalçlirimtare e qarkut. Emineja i nxori një pjatë me gjellë. Ai e hëngri tërë uri dhe pastaj një copë bukë e futi në xhep. Djali i madh, Aliu, meqë nuk dinte gjermanisht, e pyeti “parla italiano?” Në këtë gjuhë ai dinte shumë fjalë, por edhe shprehje të tëra. Madje edhe lexonte. E pati mësuar nga pak në shkollë, por edhe me kokë të vet, si autodidakt.
Robi i vetëdorëzuar bëri tri ditë rresht të njëjtën gjë: i përgjigjej kërshërisë së Ali Butkës dhe hante një pjatë me lëng supe që ia bënte Emineja. Përherë një copë nga racioni i bukës e fuste në xhep. Duket e hante në ndonjë vakt tjetër apo e ruante për ndonjë rast pamundësie për të pasur ushqim. Fjeti të tre netët pranë familjes Butka si edhe disa të tjerëve që punonin e jetonin në komandë. Askush nuk e ngacmoi me ndonjë fjalë, me ndonjë hetim e ca më tepër ta dhunonte me ndonjë goditje me pëllëmbë apo shkelm.
Qenë tri ditë të qeta të tij. Ndihej i gëzuar. Kur binte në mendime dukej sikur një dritë e bukur e blertë i vezullonte rreth bebëzave dhe diçka thoshte me zë të ulët në gjuhën e tij. Mbase qe një poet?
Ditën e katërt gjashtë partizanë e morën me vete për ta çuar në Opar, ku ndodhej edhe një mision ushtarak britanik. Ishin këta që kishin kërkuar t’ua sillnin të vetëdorëzuarin për ta marrë në pyetje dhe siguruar prej tij të dhëna. Aliu, duke qenë edhe ai vetë, edhe pse i vogël, partizan me armë dhe yll të kuq mbi kapelë, iu lut të gjashtëve që ta merrnin me vete. U la të kuptojë se i dhimbsej ai ushtar i urtë gjerman dhe se donte ta shoqëronte edhe në kthim. Një pjatë supë në ditë nga racioni i familjes e ëma do t’ia jepte sërish pa iu dridhur dora, madje duke e parë në sy dhe duke u gëzuar kur ai hante. Emineja i thoshte në fund edhe një “Të bëftë mirë!”
Ndërsa rrugëtonin për në bazën e misionit ushtarak anglez moti shpërndante përreth dritë dielli dhe aromë pemësh. Ishte një fillim vjeshte e artë. Aliu ndeshte ujët e ndonjë burimi dhe e pyeste se si i thoshin gjermanisht. Ushtari i vetëdorëzuar përgjigjej me buzën në gaz, gati si të qe në një ëndërr magjepse. Gjithë rrugën Aliu këmbëngulte si i thoshin gjermanisht luleve, ajrit, qiellit, reve, pyllit, barit të gjelbër, gjetheve të pemëve, zogjve.
Kur mbërritën në Opar e dorëzuan në komandën partizane dhe këta që po atë ditë tek misioni britanik.
Kur prej fillimit të largimit nga Opari qenë bërë diçka e përafërt me një çerek ore udhë, partizani komandant i tha Aliut “ti shko përpara!” I riu i Butkajve sa nuk klithi. E kishte të qartë çfarë do të ndodhte. Eci përpara si i mpirë, me këmbët që i dukej sikur po i hidhte në ajër. Dëgjoi nga pas një breshëri të shkurtër automatiku. Kur të gjashtë partizanët e arritën askush prej tyre nuk e hapi gojën. Nuk ndiheshin të gëzuar. Vrasja e ushtarit të ri gjerman, të vetëdorëzuar, qe urdhër i misionit ushtarak anglez. Ishte një spiun që bënte lojën e një dezertori apo thjesht një fatkeq që nuk gjeti momentin e duhur për t’iu larguar asaj lufte që po e mbante larg familjes së tij?
Katërmbëdhjetëvjeçarit Ali Butka i qe mbledhur në fyt një gllomkë fjalësh dhe lotësh.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|